Një bashkëbisedim satirik dhe kaq gjenial midis Ernesto Sabato dhe Jorge Luis Borges

Në përvjetorin e lindjes së Jorge Luis Borges, ky bashkëbisedim satirik kaq gjenial midis tij dhe mjeshtrit arbëresh Ernesto Sábato, përligj kremtimin e kësaj dite plotësisht.

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Luis Borges

Sábato: E vërtetë, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sábato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sábato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sábato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sábato.

Sábato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht: Elvi Sidheri. / KultPlus.com

Drejtoria e Sigurisë dhe Emërgjencave në Prishtinë kërkon nga MKRS ndërhyrje në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për qytetarët

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emërgjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të bëjë ndërhyrje urgjente në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike, përcjell KultPlus.

Sot, kjo drejtori ka pasur një ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetareve.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të tij:

Të dashur qytetarë të Kryeqytetit,

Sot në mëngjes Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit pati një ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetareve.

Objektet e braktisura në qytetin tonë paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve. Mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve, ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe mund të bëhen strehë për aktivitete të paligjshme.

Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Kryeqytet.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët. Secili nga ne mund të japë një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen e këtyre pasurive të çmuara që e pasurojnë identitetin tonë dhe historinë tonë të përbashkët.

Ndërtesat e braktisura janë një problem në rritje në Kryeqytet dhe përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë dhe shëndetin publik. Këto ndërtesa, të cilat shpesh janë të lëna pas dore, mund të shkaktojnë probleme të mëdha:

Rreziku nga Aksidentet dhe Lëndimet: Ndërtesat e braktisura shpesh kanë struktura të dobëta dhe mund të përmbajnë materiale të rrezikshme, si copa xhami të thyer, pllaka të rëna, dhe shumë më tepër që mund të shkaktojnë aksidente.

Probleme Ambientale dhe Shëndetësore: Ato mund të jenë strehë për insekte, parazitë dhe përbërës të dëmshëm që ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve dhe ndotjen e ambientit.

Siguria Publike: Ndërtesat e braktisura shpesh përdoren për aktivitete të paligjshme dhe mund të ofrojnë strehë për individë të dyshimtë, duke rritur rrezikun për krime dhe shqetësime për banorët e zonës.

Çfarë mund të bëni për të ndihmuar?

Raportoni: Nëse vini re ndonjë ndërtese të braktisur që paraqet rrezik, raportoni atë në autoritetet përkatëse ose në shërbimet e emergjencës.

Mbrojtja e Fëmijëve dhe Të Rinjve: Bisedoni me fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e eksplorimit të ndërtesave të braktisura dhe rëndësinë e qëndrimit të sigurt.

Ndihmoni në mbajtjen e qytetit tonë të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë ne! Bashkë mund të bëjmë një ndryshim të madh./KultPlus.com

Rita Ora kujton 12 vjetorin e albumit të saj të parë “ORA” me këngën që ia kushtoi Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka kujtuar sot 12 vjetorin e albumit të saj të parë debutues, “ORA”, përmes një videoje shumë të veçantë të publikuar në Instagram. Në këtë video, shihen momente nga performimet e saj të këngëve të këtij albumi, teksa e gjithë videoja është e shoqëruar nën ritmet e këngës “Shine Ya Light” – një këngë e cila është dedikim për vendlindjen e saj, Kosovën.

“Zoti im, nuk mund ta besoj që kanë kaluar 12 vjet që nga dalja e albumit tim debutues ‘Ora’! Ajo është një mbretëreshë dekade!! Dashuri e madhe për të gjithë ata që e kanë dëgjuar që nga viti 2012! Cila është kënga juaj e preferuar nga albumi?” shkroi Rita në mbishkrimin e videos.

Albumi “ORA” mbetet një moment kyç në karrierën e Ritës, pasi i dha një shtytje të madhe në tregun ndërkombëtar. Tri nga këngët e këtij albumi, “How We Do (Party)”, “RIP”, dhe “Hot Right Now”, arritën majat e klasifikimit në Mbretërinë e Bashkuar, duke e vendosur Ritën në hartën e muzikës botërore.

Rita Ora ka treguar gjithmonë një përkushtim të veçantë për vendlindjen e saj dhe për adhuruesit e saj që e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës. Videoja e publikuar sot është një dëshmi e këtij përkushtimi dhe një ndarje e momenteve të veçanta nga fillimi i rrugëtimit të saj artistik.

Kujtimi i 12 vjetorit të albumit “ORA” është një rikujtim sa i rëndësishëm ka qenë ky album për karrierën e Ritës dhe për të gjithë ata që e kanë mbështetur përgjatë viteve. Me këtë rast, fansat janë ftuar të ndajnë këngën e tyre të preferuar nga albumi, duke u angazhuar në një dialog emocional dhe nostalgjik me këngëtaren.

Përveç albumit “ORA”, Rita ka edhe dy albume të tjera të debutuara në treg, “Phoenix” në vitin 2019 dhe “You and I” në vitin 2023, si dhe një EP (mini-album) të titulluar “Bang” në vitin 2021. /Telegrafi/KultPlus.com

Bie ndjeshëm numri i vizitorëve në muzeun e Luvrit

Teksa shumë turistë nga mbarë bota ndaluan të vizitonin Pallatin e Versajës, Kullën Eifel dhe vende të tjera gjatë Lojërave Olimpike të Parisit, muzeu më i vizituar në botë u zbraz. Gjatë Lojërave, midis 27 korrikut dhe 11 gushtit, frekuentimi në Luvër ra me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Frekuentimi javor i muzeut ra në 331,759 njerëz, ose mesatarisht 23.644 vizitorë ditorë. Numri i vizitorëve u tkurr gjithashtu përpara fillimit të lojërave, sipas Luvrit, i cili pa 166.604 vizitorë midis 15 dhe 26 korrikut. Kjo shënon një rënie masive prej 45 % nga shifrat për të njëjtat data në 2023.

Një gjë, që kontribuoi në shifrat më të ulëta se zakonisht, ishte fakti që muzeu u mbyll për ceremoninë e hapjes së Lojërave më 25 dhe 26 korrik.

Shifrat e përgjithshme të vizitorëve në Luvër për vitin 2024 deri më sot qëndrojnë në mbi 5 milionë, një rënie prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në fillim të këtij viti, muzeu rriti çmimin bazë të biletës nga 19 dollarë në 24.50 dollarë, në mënyrë që të mund të subvenciononte programet e pranimit falas për disa vizitorë. Ishte rritja e parë e çmimit që nga viti 2017 dhe po përdoret gjithashtu për të kompensuar një rritje prej gati 90 % në faturat e energjisë. Lëvizja është pjesë e një plani të zbatuar nga drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, për të kontrolluar frekuentimin, i cili preku 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023, duke i dhënë institucionit titullin e muzeut më të vizituar në botë.

Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Kurti mirëpret qytetarët ukrainas që jetojnë e veprojnë në Kosovë

Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim qytetarët ukrainas që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Kurti theksoi se me këtë rast ka shprehur vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Në Ballkonin e Hapur, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, mysafirë patëm qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.

Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.

Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.

Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!/KultPlus.com

Ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi takon muzikantët kosovarë pas vizitës së tyre në një nga akademitë kryesore të muzikës në botë

Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci – Sherifi, ka pritur në takim nëntë muzikantë nga Kosova, të cilët u kthyen pas një eksperience një-javore në një nga akademitë kryesore të muzikës në botë, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e ambasadores Shkëndije Geci – Sherifi:

Pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres Ulla Sjöström, Drejtore e Musikmakarna Academy , dhe Rreze Kryeziu, profesoreshë muzike nga Fondacioni Sunny Hill, teksa festuam nëntë muzikantë të rinj të jashtëzakonshëm nga Kosova !

Këta individë të talentuar sapo janë kthyer nga një javë e paharrueshme në një nga akademitë kryesore të muzikës në botë. Nëpërmjet bashkëpunimit midis Fondacionit Sunny Hill dhe Musikmakarna, ata patën mundësinë të mësojnë nga ikonat e industrisë, të krijojnë muzikë origjinale – ata kompozuan 11 këngë gjatë seminarit – dhe të krijojnë lidhje që do të çojnë përpara karrierën e tyre.

Skena muzikore e Kosovës ka një të ardhme të ndritur përpara, falë këtyre yjeve në rritje!/KultPlus.com

Halimi: Hapësirat e kryeqytetit t’i përdorim për art dhe kulturë, fillojmë me “Film N’Park” me fëmijët mbi 10 vjeç

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka thënë se hapësirat e kryeqytetit do të përdoren për art dhe kulturë, përcjell KultPlus.

Te Parku, afër Postës Kryesore në Dardani do të fillojnë me kinemanë e hapur “Film N’Park” me fëmijët mbi moshën 10 vjeç.

Në vijim gjeni postimin e Sibel Halimit:

Hapësirat e kryeqytetit t’i përdorim për art dhe kulturë.

Te Parku, afër Postës Kryesore në Dardani po fillojmë me Kinemanë e Hapur “Film N’Park” me fëmijët mbi moshën 10 vjeç.

Drejtoria e Kulturës dhe Qendra Kulturore për Fëmijë në Komunën e Prishtinës ju ftojnë në një përvojë unike verore me filma të përzgjedhur nga Prifest, Anibar dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kur? 26 gusht – 1 shtator
Ku? Te parku, afër Postës kryesore në Dardani
Çfarë? Shfaqja e filmave kosovarë dhe botërorë

Kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria e Kulturës me përkrahjen e UNDP Kosova. Mos e humbisni këtë mundësi për të kaluar mbrëmje të paharrueshme në shoqërinë e filmit dhe natyrës!

Drejtoria e Kulturës
Perparim Rama
Ariana Kasapolli./KultPlus.com

Rama: Gjiri i Gramës, prej plazheve perla të rivierës sonë

Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale disa momente të bukura nga Gjiri i Gramës, të cilin e cilësoi “një prej plazheve perla të rivierës sonë”.

Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit, vetëm 25 km larg qytetit të Vlorës është një nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

Ai gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza, ku  ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Kurti uron ekipin e filmit ‘Like a Sick Yellow’ pas çmimit të dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës

Filmi ‘Like a Sick Yellow’ nga Norika Sefa fituar çmimin e dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook ka uruar ekipin e filmit.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Norika Sefa me filmin “Like a Sick Yellow” fiton çmimin e dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës!

Në mesin e 21 filmave të një konkurrence të lartë dhe me një juri diverse e tejet kredibile, filmi i Norikës triumfoi me tregimin që rrjedh nga arkivat filmike të familjes së saj të ndërlidhura për të zbërthyer një kohë dhe një vend që flet sa për një popull dhe një epokë.

Urime Norikës dhe gjithë ekipit të prodhimit për këtë çmim kulmor dhe fitore shumë domethënëse!/KultPlus.com

Më 1980, “Sunday Observer” botonte shkrimin “E drejta për të folur shqip”

Në një shkrim të gazetës “The Roman Sunday Observer” më datë 24 gusht 1980 botohej shkrimi mbi gjuhën shqipe të trashëguar ndër shekuj nga arbëreshët.

“E drejta për të folur shqip”

Lungro – “Shkolla duhet ta mbrojë, për momentin nuk e bën. Bën rezistencë ndaj këtij komuniteti. Mundësia e radios lokale dhe indiferenca e shtypit.

E quajnë: shkolla e heshtjes. Një fëmijë është në klasë fillore, bëhet pjesë e shpjegimit të mësueses  që ka vënë në program, sot për sot, për tí bërë të kuptojë tingullin e çdo gërme. Mësuesja angazhohet maksimalisht dhe kur i pyet të shqiptojnë gërmën S dhe fjalën (Serpente) në shqip gjarpër: E Kuptuat fëmijë? Askush nuk përgjigjet, aty përballet me shkollën e heshtjes, sepse ata fëmijë ishin mësuar se Gjarpër fillon me G dhe jo me S (Serpente), si mund ta bënin dallimin këta fëmijë?

Është një shembull për të dalluar 21 gërmat që ka alfabeti Italian, kundrejt 36 gërmave që ka ai shqip, një ide e frikshme me të cilën përballeshin fëmijët shqiptarë që jetonin në Itali./ KultPlus.com

125 vjet nga lindja e intelektualit të shquar, Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges Acevedo (Buenos Aires, 24 gusht 1899. – Gjenevë, 14 qershor, 1986) ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtëra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle. Librat e tij më të njohur me tregime, Ficciones dhe El Aleph, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtëra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibIiotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë, shkruan KultPlus.

Ngjarjet më të rëndësishme mbi biografinë e tij janë te lidhura ngushtë me disa nga paraardhësit e tij. Duke qenë se rrjedh nga një familje studiuesish dhe ushtarakësh Borges zgjodhi letërsinë megjithëse e pati një peng të madh për shumë kohë faktin që nuk zgjodhi ushtrinë. Nga 1914 deri 1921 jetoi bashkë me familjen nëpër Evropë. Kreu studimet fillimisht në Gjenevë e më pas në Spanjë, ku njohu më mirë letërsinë dhe shkroi disa nga poezitë e tij të para.

Në 1923 publikoi librin e tij të parë me poezi, “Fervor de Buenos Aires”, dhe pas dy vjetësh librin e dytë “Luna de Enfrente”. Në 1925 Borges njohu Viktoria Okampo, muza e tij për shumë vite me të cilën u martua 40 vjet më pas. Me të Borges pati një mirëkuptim intelektual i destinuar për të hyrë në mitologjinë e letërsisë argjentinase. Aktiviteti publicistik i Borges ishte shumë i gjerë. Vargjet e “Kauderno San Martìn” u publikuan vetëm në 1929, ndërsa një vit më pas doli “Evaristo Karriego”, një vepër që entuziazmoi kritikën argjentinase.

Një fatkeqësi tjetër në jetën e shkrimtarit: verbohet. Borges, i cili kishte pasur gjithnjë probleme me sytë, e humbi përfundimisht shikimin në fund të viteve 50’ pasi kishte kryer 9 operacione. Por këtë sëmundje ai e përdori për të krijuar akoma më shumë. Kulmin e këtij procesi “sublimimi” ai e pati në vitet 1933 e 1934.

Të gjitha tregimet e publikuara prej tij në revistën “Krìtika”: dolën në një përmbledhje të vetme me titullin “Historia universal de la infamia” (Historia universale e poshtërsisë), që u pasu disa vite më vonë nga “Historia de la eternidad” (Historia e përjetësisë), një vepër ndërthuret Historia dhe Dituria.

Kjo situatë dramatike provokoi te Borges frikën se mund të humbte përgjithnjë aftësitë e tij krijuese. Frike e pabazuar: gjatë viteve kur ishte i sëmura ai krijoi disa nga kryeveprat e tij të cilat u publikuan në 1944 nën titullin “Shtirjet”.

Pas 5 vjetësh dolën disa nga tregimet e tij ne librin e titulluar “Alef”. Gjatë kësaj periudhe Borges cilësohej si një nga shkrimtarët më të mirë argjentinas të të gjitha kohërave.

Si për të pohuar dhe një herë aftësitë e tij, Borges publikoi një tjetër kryevepër që mban titullin “Inkuizicionet e tjera” (1952).

Në 1955 Borges u emërua drejtor në Bibliotekën Kombëtare, një nga ëndrrat e tij të hershme. Në fjalimin e rastit ai u shpreh se: “Është një ironi sublime dhe hyjnore që më jepen 800 mijë libra kur unë jam në terr të plotë prej vitesh”. Pas 31 vjetësh drejtor ai u nda nga jeta më 14 qershor 1986. Pranë varrit të tij prehen eshtrat e gruas së dytë të Borges-it, Marìa Kodama. /KultPlus.com

24 gusht 1913, kur në Vlorë botohej numri i parë i gazetës ‘Përlindja e Shqipërisë’

Më 24 gusht të vitit 1913 doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë, e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali. 

Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.

“Përlindja e Shqipëniës” ishte gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar, botohej dy herë në javë dhe vijoi të botohej për 21 numra deri në vitin 1914. 

Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. /KultPlus.com

Kur xhirohej seriali i famshëm “Fidani”, Faruk Begolli në vitet e 80-ta

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë.

KultPlus ka siguruar fotografi të papara deri më tashti, ku shihet Faruk Begolli përgjatë xhirimeve të këtij seriali, ku këto fotografi janë realizuar në banesën e kameramanit Veton Berisha, ku një pjesë e këtij seriali është xhiruar po në banesën e Vetonit./ KultPlus.com

Bertrand Russell mbi zilinë, fragment nga ‘Pushtimi i lumturisë’

“Pos brengave të mundshme, një nga shkaqet më njohura të palumturisë, është zilia. Zilia, do të thosha, është njëra ndër pasionet më të përgjithshme dhe më të thella të njeriut.

Ajo mund të hetohet lehtë te fëmijët para se të mbushin një vit dhe çdo pedagog kësaj duhet t’i kushtojë kujdesin më të hollë. Në shfaqjen më të vogël të afrisë ndaj një fëmije në dëm të tjetrit, hetohet menjëherë dhe nuk durohet. Kushdo që ka punë me fëmijë, duhet domosdo që kur ndan, të jetë i drejtë deri në fund, i përkryer, i ashpër dhe i pandryshueshëm.

Mirëpo fëmijët vetëm pak më tepër e zbulojnë lakminë dhe xhelozinë e tyre se sa të rriturit. Ky emocion është njësoj mbizotërues midis fëmijëve dhe të rriturve.

Midis damave mesatare të çmuara, zilia luan një rol jashtëzakonisht të madh. Nëse uleni në metro dhe ndodh që pranë vagonit të kalojë ndonjë grua e bukur e veshur mirë, shikojini sytë e grave të tjera. Do ta vëreni se secila prej tyre, me përjashtim të mundshëm të atyre që janë të veshura më mirë, e vështrojnë atë grua me shikim smirëzi dhe do të përpiqen të gjejnë diçka që është nënçmuese për të.

Dëshira për skandale është shprehje e kësaj smire të përgjithshme: edhe çfarëdo tregimi kundër gruas tjetër besohet menjëherë pa fakt bindës. Moralizimi i shumëfishtë i shërben po këtij qëllimi: u’a kanë zili atyre që bëjnë mëkat, kurse në të njejtën kohë e konsiderojnë se është virtyt të dënohen ato për mëkatet e tyre. Ky lloj i veçantë i virtytit është sigurisht shpërblim i vetvetes.

Saktësisht po kjo gjë, ndërkaq, mund të vëheret plotësisht edhe ndër burra, me përjashtim se gratë i konsiderojnë rivale të gjitha gratë e tjera, kurse burrat si rregull e kanë këtë ndjenjë vetëm ndaj burrave të profesionit të njejtë.”

– Bertrand Russell“Pushtimi i lumturisë” / KultPlus.com

Petku


Poezi nga Ezra Pound / Shqipëroi Edon Qesari 

Ti shtrëngon gjethen tënde të trëndafilit
Deri sa stin’ e trëndafilëve të sosë
Thua vallë Morti do të të puthë?
Thua vallë se Shtëpia e Errët
Do të të pajtojë një dashnor
Bash si unë? A do të kenë mall për ty
Trëndafilët rishtarë?

Zgjidh petkun tim para petkut prej dheu,
Nën të i mbrami mot rri,
Vëngërt veç ndaj kohës kthehu
Kurrësesi ndaj syve të mi./KultPlus.com

Publikohet traileri i parë i filmit të animuar “Lord of the Rings”

Traileri i parë për filmin e animuar “The Lord of the Rings” u publikua nga Warner Bros.

Filmi, i cili do të shfaqet në kinema në dhjetor, është një paraardhës i filmave live-action të trilogjisë kryesore, sipas Deadline dhe u drejtua nga Kenji Kamiyama.

I vendosur 261 vjet përpara ngjarjeve epike të ‘The Fellowship of the Ring’, ai zbulon një histori të mbretit ikonik të Rohanit, Helm Hammerhand me Brian Cox që i jep zërin.

Kasti përfshin gjithashtu Miranda Otto duke ripërsëritur rolin e saj si Éowyn dhe Gaia Wise si Hera dhe Luke Pascalino si Wulf.

Filmi bazohet në një histori nga Geoffrey Andis dhe Will Matthews  me një skenar të shkruar nga Phoebe Gittins dhe Artie Papageorgiou, frymëzuar nga personazhet e JRR Tolkien.

Sipas Variety, filmi me mbështetjen e Warner Bros Animation, New Line Cinema dhe Sola Entertainment pritet të kenë premierë më 13 dhjetor./KultPlus.com

Mitrovica International Jazz Days u hap me Gunhild Carling dhe MIJD Big Band

Mbrëmë ka nisur edicioni i dytë i Mitrovica International Jazz Days.

Ministria e Kulturës, ka thënë se nisja e këtij edicioni shënoi një mbrëmje të mrekullueshme me muzikë jazz.

“Me performancën artistike të Gunhild Carling dhe MIJD Big Band, nën dirigjimin e Maestro Edon Ramadani, u hap festivali. Këtë vit, përveç performancave të shumta nga artistë vendorë e ndërkombëtarë, festivali sjell program e punëtori për të rritur e fëmijë, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë deri me datën 24 gusht”, tha MKRS-ja.

Ministria e Kulturës do të vazhdojë të jetë mbështetës i Mitrovica International Jazz Days./KultPlus.com

“Diku thellë në ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy” (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do a kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

”Apple” u jep përdoruesve evropianë më shumë kontroll mbi aplikacionet

Përdoruesit e ”Apple” në Bashkimin Evropian së shpejti do të jenë në gjendje të fshijnë më shumë aplikacione të kompanisë nga pajisjet e tyre.

”Apple’ do të bëjë ndryshime në ekranin e zgjedhjes së shfletuesit, aplikacionet e paracaktuara dhe fshirjen e aplikacioneve për përdoruesit e iOS dhe iPadOS në BE më vonë këtë vit”, njoftoi kompania.

Ndryshimi do të sigurojë që ”Apple” të jetë në përputhje me kërkesat e Aktit të Tregjeve Dixhitale.

Përveç vendosjes së aplikacioneve të reja si parazgjedhje, përdoruesit do të jenë në gjendje të fshijnë aplikacionet thelbësore, duke përfshirë App Store, Mesazhet, Kamera, Fotografitë dhe Safari.

Të vetmet aplikacione të ”Apple” që nuk mund të fshihen janë ato për cilësimet dhe telefonatat.

Përditësimet e ardhshme do të përfshijnë zgjerimin e opsioneve të cilësimeve të paracaktuara për të përfshirë thirrjen e numrave të telefonit, dërgimin e mesazheve, përkthimin e tekstit, navigimin, menaxhimin e fjalëkalimeve, tastierat dhe filtrat e mesazheve të padëshiruara.

”Ndryshimet janë të disponueshme për zhvilluesit që shpërndajnë aplikacione në cilindo nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe zbatohen vetëm për aplikacionet e disponueshme dhe të shpërndara për përdoruesit në BE”, tha ”Apple”./KultPlus.com

Del në dritë urbanizimi i plotë i Apolonisë

Qyteti antik i Apolonisë, i ndodhur 12 km larg qytetit të Fierit, është një nga sitet më të mëdha të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet e rëndësishëm të antikitetit.

Gjatë muajit gusht në këtë qytet antik po punon misioni arkeologjik shqiptaro-francez.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se aktiviteti kryesor është përqendruar në studimin e materialit arkeologjik dhe të disa prej monumenteve të qytetit, siç janë fortifikimi dhe portat hyrëse si dhe “termat” e periudhës romake.

“Përdorimi i metodave multidisiplinore si survejimet gjeofizike, rilevimet topografike, si dhe fotogfametritë dhe ortofotot e realizuara pothuajse në të gjithë sipërfaqen e qytetit, kanë nxjerrë në dritë urbanizmin e plotë të Apolonisë së Ilirisë”, tha Rama.

Ky projekt jetëgjatë i Institutit të Arkeologjisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze dhe Shkollave franceze të Athinës (EfA) dhe Romës (EfR), me miratimin e IKTK – MEKI, është kontribuesi kryesor i njohjes së jetës mijëravjeçare të Apolonisë.

Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek. të IV p.e.s., ndërsa rrënojat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek. XIX. Në shekujt që pasuan, qyteti zhvilloi një kulturë të pasur dhe u bë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore në rajon. Ai ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e kulturës romake në Ballkan dhe Evropën Lindore.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot./atsh/KultPlus.com

‘Unë ty s’do të harroj’

Poezi nga Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatë
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë të pashkundshme.

Ndarja erdhi,
Po iki larg prej teje.
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë./KultPlus.com

Përkujtohen viktimat e regjimeve totalitare

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndalon në kampin ku u verbuan të burgosurit, në Porto Palermo, me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës.

Ndonëse sot, Kalaja e Porto Palermos është një pikë turistike, në të gjitha historitë e saj askund nuk përmendet një fakt i mbetur në errësirë; kalaja ka funksionuar si kamp internimi në vitet 1949-1950.

Për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit, në kalanë historike të Porto Palermos u mbajt aktiviteti “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe me bashkinë Himarë.

Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, u ndal te rëndësia e promovimit të letërsisë së kujtesës, të gjithë autorëve që kanë krijuar në rrethanat e vështira të burgjeve komuniste dhe kampeve.

Në takim përshëndetën edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula, kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, Ethem Fezollari.

Në fjalën e saj, Spiropali e cilësoi 23 gushtin një ditë homazh e kujtesë për ato dhjetëra-milionë jetë njerëzore të këputura në mes.

“23 gushti është shenjuar si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit nga Parlamenti Evropian. Një ditë homazh e kujtesë për ato dhjetra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale e të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive, dy skaje të të njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhe kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi. Mundet vetëm ta imagjinosh e ta ndjesh, por jo ta përshkruash se si mund të jetë një burg, që afron murin që mbyll trupin, kur syri ka lirinë të prekë pafundësinë e horizontit mbi det; si mund të ketë qenë terri i qelisë, në këtë oaz të natyrës me diell që nuk perëndon kurrë. Së paku dy vjet, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore. Por, dy Lekët, Mirakaj e Pervizi që ndodhen këtu, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe mbijetoi”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula u shpreh se 23 gushti është dita që nderon viktimat e sistemeve totalitare, qoftë komunizëm, qoftë fashizëm, dy ideologji politike vrastare të shekullit 20 që prodhuan krimet më të mëdha që kishte njohur njerëzimi.

Dëshmitë nga jeta në kampin-burg të Porto Palermos erdhën nga rrëfimet e Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Dine Dine, Bibjan Mirakaj dhe  Rudina (Dema) Mane.

Ajo pjesë e pathënë për historinë e viteve 1949-1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë, doli në dritë edhe përmes poezive të shkëputura nga libri: “Porto Palermo fjalë guri dhe poezi të tjera” të shkrimtarit Luan Rama, interpretuar bukur nga aktorët Dritan Boriçi dhe Kudret Alikaj.

Aktiviteti do të vijojë edhe sot, ku për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit është hapur edhe një ekspozitë me portretet e ish- të burgosurve të Porto Palermos/atsh/KultPlus.com

Taylor Swift thyen rekordin e Michael Jackson

Taylor Swift thyen një tjetër rekord me koncertin e tetë që performoi gjatë pjesës evropiane të turneut të saj të suksesshëm Eras të martën, më 20 gusht.

Me këtë spektakël në Wembley legjendar të Londrës, ajo ka kaluar rekordin e numrit të paraqitjeve të mbajtura nga Michael Jackson gjatë turneut të tij botëror “Bad”.

Mbreti i Pop-it performoi shtatë shfaqje të shitura, ku Princesha Diana ishte në mesin e publikut që e shijoi./KultPlus.com

Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli në skenat e filmit ‘Era dhe Lisi’ (FOTO)

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.

“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.

Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët janë publikuar më parë në :Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./ KultPlus.com