Rama: Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, më i vizituari këto ditë nga turistët e huaj

Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973, vijon të tërheqë vizitorë të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë muze.

“Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë është një nga asetet e trashëgimisë kulturore dhe historike më të vizituara këto ditë nga turistët e huaj, aty ku 134 vite më parë u hap shkolla e parë e gjuhës shqipe”, theksoi Rama.

Rama tha se “e njohur për turizëm gjithëvjetor, Korça prezanton ofertën më të mirë turistike, në kulturë, histori, e peizazhe të mrekullueshme të natyrës”.

Ndërtesa e muzeut ka qenë shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (“Evetari”, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.

Pas restaurimit në sajë të një investimi të qeverisë shqiptare ky muze po tërheq më shumë vizitorë./atsh/KultPlus.com

Java e Kulturës Holandeze, workshop mbi sekretet e artit të karikaturës

Një tjetër aktivitet që vjen nga Java e Kulturës Holandezë është workshop-i mbi karikaturat politike. Pjesëmarrësit do të kenë një mundësi unike për të mësuar artin e karikaturave me Tjeerd Royaards. Organizatorët e JKN ftuan të apasionuarit ndaj këtij arti t’i bashkohen workshop-it të veçantë që zhvillohet në partneritet me Institutin Shqiptar të Medias.

Tjeerd Royaards është një karikaturist holandez i nderuar me çmime ndërkombëtare dhe punë të botuara në The Washington Post, The New York Times, BBC, CNN, The Guardian, dhe shumë të tjera. Ai do të ndajë mjeshtërinë e tij në vizatimin dhe krijimin e karikaturave.

Ky workshop është një mundësi e shkëlqyer veçanërisht për studentët, dizajnerët e rinj dhe artistët që duan të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të mësojnë nga një ekspert që ka ndikuar në media ndërkombëtare.

Aktiviteti do të zhvillohet sot tek Tulla Cultural Center Tiranë./atsh/KultPlus.com

Rikthehet në Tiranë “Gjon Mili Jazz & Blues Festival”

Në datat 10, 11 dhe 12 shtator, Tirana do të presë edicionin e III të “Gjon Mili Jazz & Blues Festival”, organizuar nga RIAS në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar dhe mbështetur nga Bashkia Tiranë, MEKI etj.

Nata e parë do të mbahet në sallë “Avni Mula”, në shkollën “Servete Maçi”, ndërsa ditët e tjera të festivalit, në varësi dhe të kushteve të motit, do të zhvillohen tek instalacioni Reja – The Cloud. Festivali do të ofrojë një program të larmishëm muzikor me pjesëmarrjen e gjashtë formacioneve muzikore dhe tridhjetë muzikantëve të njohur dhe të rinj nga Shqipëria dhe jashtë.

Ndër të ftuarit e veçantë këtë vit janë “Roaring Cats” nga Hollanda, “Barista 3” nga Austria, dhe “Roberto Tarenzi Trio” nga Italia.

Një fokus i veçantë i këtij edicioni është promovimi i talenteve të reja, me prezencën e formacioneve si “AJS Quartet”, “Elona Islamaj Trio”, dhe “UART Combo”, studentë të degës së re “Muzikë Jazz” në Universitetin e Arteve.

Nata e tretë do t’i kushtohet kompozitorit të njohur italo-amerikan Harry Warren, ku do të interpretohen disa nga këngët e tij më të njohura, duke ndriçuar lidhjen e tij me trashëgiminë shqiptare.

Gjon Mili Jazz & Blues Festival synon të promovojë muzikën jazz dhe blues, si dhe të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë ndërmjet muzikantëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë./atsh/KultPlus.com

Manastiri i Spilesë, ndërtuar nga familjet e pasura të Saraqinishtës

Kisha e Manastirit të “Shën Mërisë” Spile, (Monument Kulture Kategoria I), daton rreth vitit 1630.

Sipas banorëve të fshatit “Manastiri i Spilesë” është ndërtuar nga Arhondët (familjet e pasura) e Saraqinishtës dhe është një kompleks banesash në formë sarajesh me rreth 40 dhoma dhe banorët i këndonin këngë:

“Manastiri oda oda
Theri 22 zoga
20 jashtë e 20 brenda
40 kandile ergjenda…”

Në këtë manastir, në çdo 8 shtator mblidheshin fshatarë nga gjithë krahina, po dhe nga Senica e Shën Vasili i Sarandës, nga Malëshova e Zagoria etj . DRTK Gjirokastër në një postim në rrjetet sociale u shpreh se këto vlera fetare e arkitekturore i duan jo vetëm banorët e zonës por vlerësohen edhe nga shumë të tjerë./atsh/KultPlus.com

10 shtatori shënon Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, e shënuar më 10 shtator të çdo viti, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje në nivel global.

Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik; në shumicën dërrmuese të rasteve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje.

Që ndërhyrjet të jenë sa më efektive, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim multisektorial në hartimin e strategjive.

Kjo ditë na sjell në vëmendje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes.

Krijimi i një bote ku ofrohet kujdes dhe mbështetje, ku ofrohet dëgjim pa pargjykim, mund të bëjë diferencën e madhe.

Këto vlejnë veçanërisht për specialistët, të cilët duke pikasur individë me probleme në komunitet, mund të parandalojnë situata më komplekse, përfshirë vetëvrasjen. Individët që kanë përjetuar apo tentuar vetëvrasjen mund t’u mësojnë të tjerëve sesi fjalët dhe veprimet janë shumë të rëndësishme për ata, të cilët ndodhen në këtë situatë.

Shpesh, këta individë pranojnë se në ato kohë të errëta, do donin shumë që dikush të fliste me ta e t’i shpëtonte. /KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

Andërr brenda n’andrrim

Poezi nga Edgar Allan Poe

Merre këtë të puthur në ballë!
Dhe prej teje tash duke u ndarë,
Më lejo të të them kaq fjalë—
Ti nuk ke faj, që shpesh kujton
Se ditë e jetës n’andërr m’kalon;
Edhe nëse shpresa ka fluturu tej
Në ditën, o në natën andej,
Në një mirazh, o në askund,
A është kështu më pak e fund?
Krejt çka shohim ose vjen si vegim
Është veç andërr brenda n’andrrim.

Midis gjëmimit të prajshëm ndal
Në bregun e të rënkueshmes valë,
Dhe në brendi të duarve mbaj
Kokërrzat e rërës vesh në ar—
Ashtu pak! Shkojnë duke u zvarritë
Gishtave të mi ua prekin thellësitë,
Tek shkrihem në vaj—në vaj tek zbrit!
O Zot! A nuk mundem t’i afroj
Ato më fortë në duar t’i shtrëngoj?
O Zot! A nuk mundem veç një me shpëtu
Që mos ta marrë vala që është duke u afru?
Krejt çka shohim ose vjen si vegim
A është veç andërr brenda n’andrrim?

Përktheu: Leonora Hajra / KultPlus.com

‘Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha’

Thënie nga Tolstoi

Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë./bota.al/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Një brez që përqafon diturinë, ndërton një të ardhme më të mirë

Presidenti Bajram Begaj uroi sot 365 mijë nxënësit që nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025.

Në një postim në rrjetet sociale Begaj uroi gjithashtu edhe nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor. Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes. Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Begaj.

350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025, ku 28 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Viti i ri shkollor do të nisë me 25 shkolla të reja dhe më shumë se 216 laboratorë smart dhe terrene të reja sportive./atsh/ KultPlus.com

Stèphane Mallarmè, poeti që mëkoi në vargje shpirtin ëndrrtar

Nga Albert Vataj

“Akti poetik konsiston në shikimin e papritur, se një ide shpërbëhet në një sërë motivesh të barabarta dhe në grupimin e tyre; ata përtërihen” do të mëtonte Stèphane Mallarmè. Kjo nuk ishte thjeshtë një maksimë e poetit, por krejt konstelacioni i botëpërshkrimit ideor dhe estetik, e pse jo një postulat për çfarë ai do të ishte dhe të mbeste në poezi.

Ndër eksponentët kryesorë të simbolizmit francez, së bashku me Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud, Stèphane Mallarmè i ka dhënë një gjuhë tjetër poezisë, duke zhvilluar një shprehje shumë të kërkuar dhe ndonjëherë hermetike, e cila falë kontributit të tij ka hapur rrugën drejt horizonteve të reja letrare, jo vetëm në Francë, por në të gjithë territorin evropian.

I përulur dhe i rezervuar, Mallarmè konsiderohet babai i poezisë moderne dhe do të ketë shumë artistë që do të kuptojnë trashëgiminë e tij dhe do ta përkthejnë furinë e momentit në partitura reale muzikore të lirikave emocionuese.

I pa kuptuar nga shumë prej bashkëkohësve të tij, për shkak të kombinimeve delikate të fjalëve që shpesh e bëjnë të vështirë leximin e rreshtave të tij, ai i cakton poezisë misionin e sugjerimit të objekteve, duke shfrytëzuar kështu imagjinatën tonë e cila, e tërhequr zvarrë nga fuqia e një tërësie të ndryshme nga fjalët e rastësishme, zgjon evokime të objekteve të përfaqësuara në një mënyrë absolutisht personale. Në fakt, Mallarmè e kufizon veten të sugjerojë dhe të mos shprehë kurrë ide, duke lënë kështu secilin prej nesh të kërcejë në ato vargje sublime, duke shprehur brendësinë e tij dhe duke mbledhur një ose më shumë fragmente të përvojës, ose, më thjesht, duke e braktisur veten në një ëndërr.

Dhe përballë vargjeve të një bukurie sublime nuk duhet të flasim, që të shmangim prishjen me fjalë të asaj që, e shpjeguar me terma të përdorimit të zakonshëm dhe kombinime “të ndjeshme”, do të zhvlerësohej. Ashtu si të gjitha poezitë e mëdha, tekstet e Mallarme thjesht duhet të mendohen. Këto vargje që duhen shijuar dalin ngadalë fillimisht nga ndikimi i Charles Baudelaire dhe Edgar Allan Poe, për të marrë më pas origjinalitetin e vet që lëshohet me një stil revolucionar, të thellë dhe të fshehtë, në të cilin fuqia e fjalëve shprehet me sugjerime aluduese, mezi pëshpëritëse.

Mallarmè-s, vdiq më 9 shtator 1898 për shkak të një spazme të faringut. Një ditë më parë, nga frika se mos mbytej, kishte ftuar gruan dhe vajzën që t’i shkatërronin të gjitha shkrimet e tij, sepse besonte se trashëgimia letrare nuk ekzistonte. Për fat të mirë kjo nuk ndodhi. Testamenti i tij letrar mbeti një gurthemel i rëndë i poezisë.

Nga Apollinaire te Ungaretti, shumë do të ndikohen nga ky poet i madh francez, të cilin e rekomandojnë sem mund të lexohet dhe të shijohet vetëm në gjuhën origjinale, pasi shumë studiues pohojnë se muzikaliteti i vargjeve të tij nuk mund të përkthehet në gjuhë të tjera. Gjithsesi ai shpirt krijues ka arritur të rrëzojë muret e përkatësisë së tij gjuhësore, për të arritur të këndohet, mendohet dhe përjetohet njëjt si në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera, madje edhe në shqip./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takoi Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, flasin për sukseset e artistëve nga Kosova

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, Katarzyna Wielga-Skolimowska dhe krijuesin e programeve të zhvillimit në këtë fondacion, Nuno de Brito Rocha, të shoqëruar nga artisti vizual dhe kuratori shqiptar, Erzen Shkololli.

Në një bisedë miqësore diskutuan rreth zhvillimit të artit përmes mbështetjes institucionale dhe për sukseset që artistët nga Kosova kanë shënuar viteve të fundit në arenën ndërkombëtare të artit, shkruan Arbresh.info.

Ndër to, një sukses i veçantë u shënua në edicionin e 60-të të Bienales së Artit të Venedikut, Pavijoni i Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror.

“Vendi i vetëm nga Evropa që këtë vit fitoi në Bienale, në mesin e 86 pavijoneve shtetërore garuese.”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i njoftoi për shtimin e investimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kulturë dhe art dhe mbështetjes instititucionale për trashëgimi kulturore, filharmoni e film, muze e galeri, skenën e pavarur.

Ai vlerësoi punën dhe kontributin e rëndësishëm që secili prej tyre i ka dhënë provimit të kulturës dhe artit përmes projekteve në Gjermani, Poloni, Brazil e gjetiu, dhe bashkë trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës dhe  Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë.

Romë – Dy euro për të parë shatërvanin ‘Trevi’?

Në shatërvanin ”Trevi” në Romë është tradicionale të hedhësh një monedhë mbrapsht mbi supe në ujë.

Por, së shpejti turistët mund të humbasin monedhat në një mënyrë shumë moderne, pasi kryeqyteti italian po mendon të tarifojë hyrjen falas.

”Ideja jonë është të prezantojmë një biletë prej dy eurosh (2,20 dollarë) për të hyrë në zonën përreth pellgut të ujit të shatërvanit”, njoftoi sot në median sociale këshilltari i qytetit përgjegjës për turizmin, Alessandro Onorato.

Roma, si shumë qytete të tjera në Itali, po lufton kundër turizmit masiv.

Këtë verë, turizmi në qytet ka shënuar shifra rekord.

Venecia i është përgjigjur turizmit masiv duke futur një tarifë hyrje prove prej pesë eurosh  për vizitorët ditorë.

Shatërvani i Trevit është një nga pamjet më të famshme në Romë.

Zona përreth shatërvanit monumental, i cili u ndërtua në shekullin XVIII, është vazhdimisht i mbipopulluar.

Turistët nxitojnë rreth sheshit përballë pellgut të ujit nga mëngjesi në mbrëmje.

”Ne duam ta bëjmë vizitën një përvojë të vërtetë dhe jo një përplasje kaotike mes turistëve në kërkim të selfie-ve më të mira”, tha Onorato.

“Por, tani ne duhet të sigurojmë që turizmi të jetë në përputhje me jetën e romanëve”, tha Onorato.

Hyrja në shatërvan do të mbetet e lirë për romanët.

Onorato tha se të ardhurat nga biletat turistike do të riinvestoheshin për të mbrojtur shatërvanin dhe për të punësuar staf sigurie dhe për të menaxhuar fluksin turistik, duke krijuar kështu vende pune.

”Deri më tani, kjo është ende vetëm një ide”, tha administrata e qytetit.

Por, kryebashkiaku i Romës Roberto Gualtieri tha, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, se është një “ide shumë konkrete” që qyteti po heton dhe eksploron.

Nuk është ende e qartë se kur mund të vendoset dhe të hyjë në fuqi një tarifë e tillë hyrjeje./ atsh/ KultPlus.com

‘Vepra që më përjashtoi nga shkolla’, Anastas Kostandini: Piktura e Lasgushit në shtratin e vdekjes dhe historia e veçantë e ‘ringjalljes’ së tij

“Unë Nuk jam rob i një territori gjeografik por kam nevojë të mbaj këmbët diku”. Nga shtëpia që ka moshën e tij në Pogradec, në rrugicat ku si vogël luante a ndiqte Lasgush Poradecin, Anastas Kostandini sjell në Tiranë gjithë frymëzimet e jetës së tij në një ekspozitë. Piktura, vizatime, personazhe e histori bashkohen në tri salla të COD-it, duke ritakuar publikun në një tjetër përmasë. Artisti që I ka dhënë provincës ku jeton një vulë arti në vijim të traditës së Lasgushit që mori emrin e qytetit, vjen në një rrëfim ku intimitetet e tij tregojnë detaje të një kohe të largët, ku një eremit si Lasgushi kthehet në mit. “Ai ishte si një ikonë që duhej ti faleshim, ta adhuronim pa kushte. Ai është apostull… ”, thotë ai për poetin, ndërsa e vizitoi në shtratin e vdekjes, për ta përjetuar atë imazh në një tablo që tani shfaqet mes veprave të tjera.

Anastas Kostandini zbulon veprën me këpucarë që e përjashtoi nga shkolla dhe simbolikat që u keqkuptuan. Raporti me bashkëshorten që krijoi kushtet që ai të ishte artist, të rendte pas artit deri në marrëzi, zë po ashtu vend në bisedë. Rimarrja e metaforës së ringjalljes së Llazarit nga Bibla rivjen përmes ringritjes së Lasgushit (Llazar Gushos) nga shtrati i vdekjes dhe vizita në ekspozitën e Kostandinit, takimi me Kadarenë e nxitja për të shkruar dhe ditari që ruan kujtesën e jetës së përditshme.

“Nuk më lejonin ta hapja ekspozitën se aty në sallën ku do ekspozoja unë, ata thanë se do të bënin homazhe për Lasgushin. Ai ishte gjallë ende, por ishte i sëmurë pas një hemorragjie cerebrale, por ndërkohë ishte bërë gati salla për homazhet, fjala e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe prisnin që ai të vdiste. Por për çudinë e tyre, ai doli nga ajo situatë dhe unë e hapa ekspozitën e madje ai erdhi ta vizitonte”, tregon Kostandini.

Ankthet e dilemat që përjeton artisti gjatë procesit krijues gjejnë forma të përjetësohen në art, duke sfiduar izolimin e duke e kthyer atë në potencial dhe shpesh rrekja për të përkufizuar lirinë./ balkanweb/ KultPlus.com

‘Summer Cult XI’ shpërblen artistët e rinj të teatrit

Edicioni i sivjetmë i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore. Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator.

Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit.  Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është- Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.

Programi me 16 shtator

Shfaqja e parë që do të jepet, është“Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…

Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.

Programi me 17 shtator

Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë:  Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.

Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po funksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai.Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.

Programi me 18 shtator

Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.

Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.

Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.

Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Festivali “Summer Cult”, është  pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës./ rtk/ KultPlus.com

7 vite nga vdekja e aktores Hajrie Rondo

Sot janë bërë 7 vite nga vdekja e artistes shqiptare, Hajrie Rondo.

Artistja lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në Qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në “Institutin e Lartë të Arteve” për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumë vjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë arriti të lëvronte në të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet më rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së teatrit të Fierit, që në periudhën kua ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rrolet e saj më të rëndësishëm janë,

Mara, Vëllezër dhe shokë 1980

Xifja, Agimet e stinës së madhe 1981

Lima, Nëntori i dytë 1982

Tana, Përrallë nga e kaluara 1987

Pesha e kohës, 1988

Ne dhe Lenini 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo rikthehet sërish në skenë në shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe më filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoj pas një pauze disa vjeçare që ajo bëri për shkak të një beteje që fitoj me një sëmundje të rëndë. Ajo ndahet nga jeta më 9 shtator të vitit 2017.

Princesha Kate mbaron kimioterapinë, thotë se është ‘e fokusuar të qëndrojë pa kancer’

Princesha e Uellsit ka thënë se fokusi i saj është të “qëndrojë pa kancer” pas përfundimit të trajtimit të kimioterapisë.

Ajo e bëri njoftimin në videon e saj më personale familjare deri më tani, duke treguar se ajo kalonte kohë private me Princin William dhe fëmijët e saj, transmeton klankosova.tv.

Videoja tepër e sinqertë dhe intime tregon princeshën, Princin William, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis duke kaluar kohë së bashku në Norfolk me një mesazh të shprehur nga Kate.

“Ndërsa vera po mbaron, nuk mund t’ju them se çfarë lehtësimi është që përfundimisht kam përfunduar trajtimin tim të kimioterapisë. Nëntë muajt e fundit kanë qenë tepër të vështira për ne si familje. Jeta si ju e dimë se mund të ndryshojë në një çast dhe na është dashur të gjejmë një mënyrë për të lundruar në ujërat e stuhishme dhe rrugën e panjohur”.

Në mars, princesha konfirmoi se qelizat parakancerogjene ishin gjetur pas operacionit abdominal dhe se asaj do t’i duhej t’i nënshtrohej një kursi kimioterapie parandaluese.

Ministri Çeku pret në takim kampionin Enver Idrizi: Me kënaqësi i dëgjova rrëfimet e tij për karrierën plot suksese e sfida

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka zhvilluar një takim me ikonën e karatesë, ish kampionin e botës në këtë sport, Enver Idrizin.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në Facebook, bisedën me kampionin e karatesë e ka quajt ur takim të këndëshm, në të cilin u diskutua edhe për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.

“Me kënaqësi i dëgjova rrëfimet e tij për karrierën plot suksese e sfida, ndërsa diskutuam për zhvillimin e sportit të karatesë në vendin tonë dhe punët që po bëhen në fushën e sportit.

Idrizi mbetet shembull frymëzues për të gjithë ne”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com

‘Impromptu’, nga fondi i të rinjve, në teatrin ‘Zihni Sako’ të Gjirokastrës

 “Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/ KultPlus.com

Festivali ‘Hardh Fest’ përfundon me sukses

Ka përfunduar festivali i rrushit “Hardh Fest 2024”.

Përmes një komunikate për media, policia thotë se festivali i cili u mbajt nga data 6 deri më 8 shtator në Rahovec, mblodhi një numër të madh vizitorësh dhe pjesëmarrësish, përfshirë personalitete të njohura nga fusha e politikës, kulturës dhe artit, e gjatë së cilit nuk është shënuar asnjë incident serioz.

“Për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, Drejtoria Rajonale të Policisë në Gjakovë ka zbatuar një plan operativ të mirë organizuar, ku një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kanë qenë të angazhuar për kontrollin dhe rregullimin e trafikut, parandalimin e dukurive negative dhe parandalimin e akteve të mundshme kriminale. Bashkëpunimi i ngushtë me organizatorët e festivalit ka qenë një faktor kyç në ruajtjen e qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e këtij eventi”, thotë më tej policia, njofton Klankosova.tv.

Falë kulturës qytetare të treguar nga vizitorët dhe përkushtimit të organizatorëve, festivali ka kaluar pa asnjë problem. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit për respektimin e rregullave dhe sjelljen e përgjegjshme, duke kontribuar kështu në një atmosferë të qetë dhe festive.

Projekti “Heavy Metals – Gurët e Mitrovicës” prezantohet si instalacion në Muzeun e Qytetit

Me 13 Shtator në ora 19:00, në hapësira të Muzeut të Qytetit Mitrovicë prezantohet projekti “HEAVY METALS – Gurët e Mitrovicës”.

Ky është projekti i parë i një serie hulumtimesh afatgjata nga znj. Philine Rinnert (nga Gjermania) mbi lëndët e para. Ky projekt do të shfaqet si një instalacion në Muzeun e Qytetit dhe gjithashtu do të prezantojë rezultatet e një punëtorie me studentë dhe banorë të qytetit.

Në bashkëpunim me organizatën lokale 7Arte, banorët e qytetit dhe gjeologët nga miniera, projekti eksploron dhe thekson identitetin e gurëve të gjetur në Trepçë dhe ndjek kujtimet e tyre të skalitura në tokën përreth qytetit të Mitrovicës.

Për HEAVY METALS, Philine Rinnert bashkëpunon me artizanin zviceran Daniel Heer, duke sjellë së bashku materialin, zanatin, hapësirën dhe lidhjet sociale e lokale. Ata hapin një hapësirë pjesëmarrëse për publikun për të ndarë dhe shkëmbyer histori, gurë dhe burime.

Një bashkëpunim i Philine Rinnert dhe 7Arte, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Goethe-Institut, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Muzeut të Qytetit Mitrovicë./express/KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Suharekë sjell edicionin e 5-të 

Festivali i Teatrove Suharekë këtë vit organizon edicionin e tij të 5-të i cili fillon më 9 shtator deri më 13 shtator.

Edhe këtë vit synohet që pjesë Festivali të jetë i mbushur me një program të pasur me shfaqje teatrale të larmishme nga të gjitha trevat shqiptare.

Festivali i Teatrove në Suharekë fillon programin me shfaqjen “Audienca” me regji të Bashkim Ramadanit, e cila luhet më 9 shtator nga ora 20:00 në ‘Shtëpia e Fellbahut’./KultPlus.com

“Impromptu”, nga fondi i të rinjve, në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës

“Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/KultPlus.com

Nisi edicioni i 15-të i “Javës së Albanologjisë”

Instituti Albanologjik i Prishtinës nisi edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, duke mbledhur më shumë se 90 studiues në sesionet e gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnologjisë, folkloristikës dhe etnomuzikologjisë. Për tri ditë, ata do të paraqesin punime që pritet të pasurojnë ndjeshëm këto fusha studimore.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, profesorë e albanologë. Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë historike të albanologjisë në ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ai rikujtoi kontributin e rilindësve shqiptarë, të cilët shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të forcuar identitetin kombëtar.

Java e Albanologjisë shërben si një platformë e rëndësishme për të nxitur diskutime të thella dhe për të promovuar studime të reja në fushën e albanologjisë. Kjo ngjarje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kulturës dhe shkencës sonë, duke forcuar lidhjet mes studiuesve dhe institucioneve akademike./ KultPlus.com

Eva Alikaj sjell Maria Callas në skenën e TKOB-së

U mbajt mbrëmë premierë absolute në TKOB, vepra Master Class – Maria Callas me autor Terrence McNally, nën interpretimin e aktores së mirënjohur Eva Alikaj.

Vepra është një dramë teatrale e frymëzuar nga klasa të vërteta mësimore që sopranoja legjendare, Maria Callas mbajti në fillim të viteve 1970 në Shkollën e Muzikës Juilliard në New York.

Në skenë, ajo shfaqet si një mësuese karizmatike, por e rreptë dhe shpesh cinike, që u mëson nxënësve jo vetëm teknikën vokale, por edhe kërkesat emocionale dhe shpirtërore që kërkon performanca operistike.

Përmes dialogjeve dhe monologjeve, u shfaqën kujtime nga jeta e saj personale dhe karriera e saj madhështore, duke përfshirë sukseset dhe sfidat e saj, marrëdhënien me Aristotel Onassis dhe humbjet e saj personale.

Një vepër e jashtëzakonshme, e cila rikthen në skenë aktoren e mirënjohur Eva Alikaj në rolin e legjendës Callas me një kast të mirënjohur artistësh dhe bashkëpunëtorësh nga pas./atsh/KultPlus.com