Sopranoja e njohur shqiptare, Marigona Qerkezi, ka njoftuar se do të bëjë debutimin e saj të parë në Brazil.
Në rrjete sociale ajo ka njoftuar se do të luajë rolin e e Abigaille në kryeveprën e Guseppe Verdit, në teatrin e famshëm të San Paulos.
“Nuk mund të isha më e emocionuar se kaq, për të sjellë përsëri në jetë këtë personazh të fuqishëm, në një teatër kaq të bukur”, ka shkruar Qerkezi./KultPlus
Në San Demetrio Corone (Shën Mitri) në Kalabri u zhvillua Festivalit i 42-të i Këngës Arbëreshe.
Kënga me titull “Për ty”, e interpretuar nga artistja e re Iris Sula, u shpall fituesja e festivalit.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët tha se morën pjesë në konkurrim shumë artistë arbëreshë, mes tyre edhe kantautori i mirënjohur Stefano de Bartolo, i cili u shpall fitues i çmimit “Pino Cacozza” për tekstin më të mirë të këngës.
Festivali i Këngës Arbëreshe është ndër nismat e para dhe më të rëndësishme të organizuara nga shqiptarët e Italisë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore. Festivali lindi si ide në vitin 1980, siç edhe ka nënvizuar krijuesi i kësaj ngjarjeje, juristi Giusseppe D’Amico, nga trashëgimia e pasur muzikore e arbëreshëve që përbëhej nga “vjershat” (këngë tradicionale) mjaft të përhapura tek të rinjtë. Në këtë mënyrë, lindi nevoja dhe dëshira për të prodhuar këngë të reja si në tematikë, ashtu edhe në ritme, duke pasuruar muzikologjinë arbëreshe.
Këtë vit, festivali erdhi si homazh për poetët Pino Cacozza dhe Alfio Mocha, të cilët nuk jetojnë më, por tekstet dhe këngët e tyre vijojnë të mbajnë gjallë kulturën arbëreshe./atsh/KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në Facebook, ka ndarë pamje se si do të duket sheshi “Xhorxh Bush”.
“Kështu do të duket Sheshi Xhorxh Bush. Thirrja për operatorët ekonomik tanimë është hapur. Projekti i reviduar përfshin edhe transformimin e Sheshit Zahir Pajaziti dhe të hapësirave përreth”, ka shkruar Rama.
Tutje, ai u shpreh se vizioni i tyre për Prishtinën me qytetarin prioritet, po vazhdon./KultPlus.com
Më 16 gusht 2003 ndërroi jetë shqipëruesi i parë i Iliadës, Gjon Shllaku, njohës i thellë i greqishtes së lashtë e latinishtes.
Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente. Kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore.
Ishte vetem 22 vjec kur në vitin 1946 u dënua me 101 vjet burg, nën akuzën e anëtarësisë në grupin “Bashkimi shqiptar”. I magjepsur pas antikitetit nisi të përkthente Iliadën në burgun famëkeq të Burrelit, duke shkruar në thasë çimentoje dhe rripa gazetash. Vazhdoi me përkthimin e veprës, pas 1957 kur u lirua nga burgu, pasi kreu 11 vjet nga dënimi që iu dha.
Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.
Gjithashtu do të përpilonte edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë.
Me përkthimet e tij, i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga Qeverqa greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” (1995).
Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar./atsh/KultPlus.com
EU4Culture është rikthyer në Kishën e Manastirit të Rubikut. Ekipi i konservatorëve ekspertë të udhëhequr nga dr. Çaushi janë angazhuar plotësisht në konservimin e mbetjeve të pikturave murale të shekullit të XIII.
Qëllimi kryesor i konservimit është pastrimi dhe konsolidimi i pikturave të mbetura. Megjithatë, si në shumë projekte restaurimi, nën shtresat e llaçit dhe suvasë shpesh fshihen surpriza.
Ekipi i dr. Çaushit zbuloi gjurmët e pikturave murale në të dyja faqet anësore të absidës, të cilat i përkasin një periudhe të mëvonshme dhe janë në gjendje shumë të brishtë.
Gjithashtu, mbishkrime janë zbuluar nën grumbullimet shekullore të pluhurit dhe shtresave të ndryshme. EU4Culture bën të ditur se ka ende një punë te madhe përpara dhe qëllimi përfundimtar është integrimi i këtyre mbetjeve të sapogjetura në mënyrë që të çmohen nga të gjithë./atsh/KultPlus.com
Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.
Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.
“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo
“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.
Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com
Madonna këngëtarja ikonë e muzikës Pop, sot feston ditëlindjen e 66-të, shkruan KultPlus.
Këngëtarja legjendare sot ka ditëlindjen dhe kësisoj nuk ka se si mos ta kujtojmë ikonën e popit botëror dhe këngëtaren rebele e cila ka ditur gjithmonë të provokojë publikun botëror.
Ajo ka lindur më 16 Gusht 1958 në Bay City, Michigan), është një këngëtare, kantautore dhe aktore amerikane.
Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën. Ajo është artistja e cila ka fituar më së shumti nga një turne botëror, në vitin 1990 kur realizoi 1.31 miliardë dollarë. Dashuritë me Sean Penn dhe me Guy Ritchie i kanë ndihmuar famës së saj, por ajo gjithmonë edhe e vetme është absolutisht mbretëresha e muzikës pop./KultPlus.com
Sot 47 vite më parë ka vdekur këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore Elvis Presly, shkruan KultPlus.
I lindur më 8 janar 1935. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti I Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”.
Presley kishte lindur në Tupelo, Mississippi, si një binjak-pa binjak, dhe kur ishte 13 vjeçar, ai dhe familja e tij u vendosën në Memphis, Tennessee. Karriera e tij muzikore filloi dikur më 1954, kur regjistroi një këngë me producentin Sam Philips nga Sun Records. Në bashkëpunim me kitaristin Scotty Moore dhe basistin Bill Black, Presley ishte ndër themeluesit e rokut, me uptempo, back beat me elemente të muzikës country dhe R&B. Ai u menaxhua nga Kolonel Tom Parker për më se dy dekada, me kontratën e nënshkruar nga RCA. Kënga RCA e parë e Elvisit , “Heartbeat Hotel”, u lansua në janar 1956 dhe u bë hiti numër 1 në SHBA. Ai fitoi titullin “Mbreti I Rock and Roll-it” pas një serie të suksesshme të paraqitjeve të tij në televizion dhe rekordeve të tij prijëse në top listat. Interpretimet e tij energjike të këngëve dhe stili I tij provokativ, i kombinuar me talentin e madh e bëri atë shumë të famshëm dhe kontroverzal (të diskutueshëm).
Në nëntor 1956, ai nxori filmin e tij Love Me Tender. Më 1958, u rekrutua nga shërbimi ushtarak. Ai vazhdoi karrierën e tij muzikore pas dy viteve, duke krijuar disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale para se të përkushtohej më shumë me filmat hollivudian si dhe albumet e tyre shoqëruese (vitet 1960), të cilat u përqeshën dhe u kritikuan. Më 1968, pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga performancat e drejtpërdrejta, ai u rikthye në skenën me brohoritje të shumta për replikën e veqantë Elvis, e cila e dërgoi në një residensi koncertesh të zgjatura Las Vegase dhe një varg turnesh shumë fitimprurëse. Më 1973, Presley mori pjesë në koncertin e parë të transmetuar globalisht përmes satelitit, Aloha from Hawaii (Përshëndetje nga Hawaii). Disa vite abuzimi me drogë në formë barnash ndikoi në dobësimin e shëndetit të tij, dhe më 1977 ai vdes në moshën 42 vjeçare.
Presley është një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel, ai është solo – artisti më i shitur në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara të vlersuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe poashtu “Çmimin Grammy Të Arritjeve Të Jetës” (Grammy Lifetime Achievement Award), në moshën 36 vjeçare, dhe ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës./KultPlus.com
Lumi Buna është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë Shkodrën.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të peizazheve mbresëlënëse që ofron Buna, e kthyer në këto ditë të nxehta vere në një oaz për shumë vizitorë që zgjedhin freskinë e ujërave të tij.
“Me një parajsë të fshehur në lumin Buna vetëm pak kilometra nga Shkodra, ku natyra shijohet në një tjetër përmasë për të krijuar emocione krejt të veçanta gjatë këtyre ditëve të gushtit”, u shpreh Rama.
Qeveria po zgjeron investimet në Shkodër, me qëllim nxitjen e turizmit në këtë rajon.
Aktualisht në hyrje të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për molin e ri me një platformë lundruese, e përshtatshme për lidhjen e varkave.
Ky investim që kap vlerën e 1.2 milion eurove, pritet të ketë ndikim të dukshëm jo vetëm në lundrimin e Bunës dhe liqenit të Shkodrës, por edhe në turizëm.
Ndërtimi i tre moleve në Shkodër si dhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit në këtë zonë./atsh/KultPlus.com
Ç’është jeta për ty? – e pyeta. -Flluska sapuni, – m’u përgjigj. -Po vdekja? -Shpërblimi i jetës! -Ç’është bota? -Një pikë helm në hapësirë! -Ç’është më e kuptuar në Botë? -Vdekja. -Cila është kafsha më e egër? -Njeriu! -Po më e butë? -Ajo që s’ka lindur! -Cili njeri ju duket më i poshtër? -Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen! -Ç’është budallallëku? -Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je! -Po puna më e mençme? -Te gëzosh të tanishmen! -Ç’është më e afërme? -Vdekja! -Po më e largët? -Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit. -Çfarë është e pavdekur? -Hapësira! -Çfarë është më e bukur? -Fantazia! -Po më e shëmtuar? -Sëmundja! -Më e hidhur? -Jeta! -Më e ëmbël? -Hiçi! -Ç’gjë është më e madhe? -Libri i Botës! -Po më e rëndë? -Fjala! -Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi: -Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani? -Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur? -Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb! -Kur shpërblehet njeriu? -Kur e kujton veten të lumtur! -Çfarë gjë ju duket më e mërzitur? -Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër! -Çfarë gjë ju duket më e vështirë? -Të jesh njeri! -Po më e lehtë? -Të krijosh krijesë njerëzore! -Cili është ngushëllimi i të pasurit? -Pesha e qeses! -Po i të vobektit? -E ardhmja! -Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti. -Vdekja! -mu përgjigj serioz -Po ç’përmban jeta e njeriut? -Vetëm dyshime!/ KultPlus.com
Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më Do ta shohësh ! Do të shohësh natë në mes të ditës Qiellin e zi në vend të yjeve Do të shohësh të njëjtën gjë Si unë
Edhe tokën, do ta shohësh ti, E toka, s’do të jetë tokë : S’do të të mbajë.
Edhe zjarrin, do ta shohësh ti, E zjarri, s’do të jetë zjarr : S’do të mund të lahesh në të.
Edhe ujin, do ta shohësh ti, E uji, s’do të jetë ujë : S’do të të freskojë.
Edhe erën, do ta shohësh ti, E era, s’do të jetë erë : S’do të të qetësojë.
Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më Do ta shohësh ! Do ta shohësh fytyrën tënde të huaj, Do të shohësh sa të mëdhenj janë sytë e frikës Do të shohësh të njëjtën gjë Si unë
Edhe tokën, do ta shohësh ti, E toka, s’do të jetë tokë : S’do të të mbajë.
Edhe zjarrin, do ta shohësh ti, E zjarri, s’do të jetë zjarr : S’do të mund të lahesh në të.
Edhe ujin, do ta shohësh ti, E uji, s’do të jetë ujë : S’do të të freskojë.
Edhe erën, do ta shohësh ti, E era, s’do të jetë erë : S’do të të qetësojë.
E të gjithë elementët, Të gjithë, do të të mallkojnë : Do të ishte më mirë për ty Të zhdukesh pa asnjë lajm !
Vargoni kishte qenë gjithnjë aty. Lidhur për trarët e çatisë së mullirit me fletë uji të gjyshit. Përgjithmonësia merr logjikë vetëm nëse ndërlidhet me personalen tonë. Jashtë saj, ajo mbetet një ide ose ideal që i tejkalon të gjitha hiret mitologjike apo artistike. I tillë ishte dhe vargoni im. Gjyshja më kishte folur shpesh për të përmes një gjëegjëze aforizmatike: varg e varg e deri në tra, kush është!? Përgjigjja ishte e njëjta gjithnjë, veç herëve të para që veç saj kishte dhe shuajtjen e kureshtjes. Vargoni. Sa e sa herë – vargoni. Sado t’ia përshkruash një fëmije objektin ose subjektin, ai është një fletë e bardhë që merr vetë shënime dhe duke qenë se mund të mos i njohë ende shkronjat dhe simbolet, ai doemos që përtërinë një gjuhë të veten e cila detyrimisht ka shumëçka që duhet të ketë një gjuhë elementare. Kështu, dhe unë si fëmijë kushedi se si mund ta kem përfytyruar vargonin derisa një ditë gjyshi më kishte shpënë deri te mulliri i vjetër i familjes dhe me të hapur derën më kishte imponuar shikimin mbi kanavetën jofunksionale ku varej si trup i papeshë po ai, kush tjetër, pos vargoni.
Vargoni kishte qenë aty gjatë gjithë përgjithmonëshmërisë sime dhe mua më ishte dashur kaq kohë që ta gjejë dhe prekë. Prej asaj dite, “varg e varg e deri në trá” do të merrte kuptim real, ndoshta sërish jo të duhur përderisa takimi i parë me të njëjtin kishte ngjarë në një ambient gati muzeal. Sidoqoftë, mbi të gjitha, e rëndësisë së parë fëmijërore është prekja, posedimi dhe si e tillë, në rastin e vargonit, unë kisha plotësuar disa nga parakushtet elementare të përrallës fëmijërore: kisha prekë dhe e kisha timin atë, vargonin.
* Historia me vargonin m’u përditësua ditën që po lexoja “Fytyrë e panjohur” nga Sadik Bejko. Nuk ishte tamam një poezi e panjohur apo fytyrë e panjohur siç titullohej përmbledhja por ishte një diçkanajë e mjegullt që iu përngjante mirazheve ose këngëve të zanave. Poezia e Bejkos më kujtoi vargonin për një arsye të thjeshtë: vargjet e tij paralelizonin skajshmërisht bukur – si – varg e varg e deri në tra – vargonin. Vargoni Bejko, për dallim prej trarëve, lidhej me bashkëkohoren, me pafundësinë, me lirinë. Ishte një tjetër vargon i përgjithmonshëm për mua, i cili po më vinte në një kohë kur gjuhën time e njihja deri në mëdyshje dhe kur figuracionet prej saj vështirë më befasonin. Në rastin e Bejkos, kisha gjetur vlera të reja të gjuhës shqipe dhe në aspektin poetik kisha takuar një poezi që i rrinte përshtati aq mirë modernes së shekullit të kaluar, kohës kur shqiptarët kishin përjetuar të errtën Fundjetë.
Kufijtë ndërshqiptar si duket kanë arritur të ndajnë gjithçka veç gjuhës dhe shpirtit. Në këtë rast, nga ky binom, rrjedhimisht, cekim shpirtëroren artistike e cila si nën bekimin e Shkabës së Kadaresë ka gjetur qiej komunikimi tej fizikes e gjeografikes. Kësisoj, poezia e Bejkos qëndron në yjëzimin e qiejve të B. Çapriqit, A. Shkrelit, M. Ramadanit, si për të treguar se liria artistike nuk grazhdohet dhe se ligjet e gjuhës i tejkalojnë të gjitha matematikat e shumicave absolute.
Pas leximeve të para të “Fytyrë e panjohur”, menjëherë ndaj bindjen se në aspektin e mesazheve poetike kjo përmbledhje del të jetë kuptimplote, e thellë dhe me përpunime që e shënojnë dhe udhëzojnë kohën, përkatësisht njeriun e saj. Autori kryesisht komunikon përmes sajesave të tij poetike, me guximin prej poeti dhe me dëshirën prej krijuesi. Ky komunikim është besoj një kapitull i ri për letërsinë shqipe, lidhur me kohën, gjendjen dhe mbruajtjen në të cilën duhet të jenë thelbësuar shumica e poezive. Mosprezenca e euforisë dhe shqyrtimi i balancuar i temave të rënduara e sentimentale janë një tjetër veçori e lakmueshme e këtij botimi. Narrativat në tërësi janë komplekse dhe rrëmojnë së thelli gjë që e lartëson dhe çon lexuesin shqiptar në një tjetër nivel, po kështu dhe kritikën e analizën e rastit. Subjekti dhe objekti poetik shpesh herë sublimohen te autori apo te një vetë e tretë, e afërt me të njëjtin dhe, kjo i jep nota melankolie të lehta aty-këtu veprës, por në asnjë mënyrë nuk ia zbehë qëllimin dhe brumimin e saj modern.
Theksuar më lart, poezia e Bejkos priret nga vargëzimi pa fund dhe si e tillë të kujton poezinë që lërohej në gjuhët më të zëshme letrare përgjatë dy shekujve të kaluar. Ajo merr rëndësi të veçantë për poetët, gjuhëtarët dhe lexuesit shqiptarë; ata nuk kanë pse të ndjehen inferiorë ndaj gjuhëve dhe kulturave të tjera pavarësisht rrebesheve të kohës ndaj esencës së tyre kombëtare, gjuhës.
Bejko, me përmbledhjen në fjalë, i plotëson të gjithë rolet e parapara prej një poeti, në radhë të parë flet dhe i s’i lë foljet të humbin kuptimin: (…) E pikoj në pafund si shishen bosh i dehuri (…) Pi kupën e mungesës e thaj me gjithë shishe (poezia: Pi kupën e mungesës).
Pikë tjetër tejet e veçantë është pikënisja dhe pikësynimi. Poeti në të gjitha rastet niset drejt universales nga verzioni i vet, për më tepër nga nënqielli i vet: (…) shtëpi, puse, oborr me hardhi, me bagëti mbi plloça. Shtëpi guri këputur nga mali. (poezia: Fiku i zi).
Në fund të kësaj triade rolesh do të veçoja dhënjen e mesazheve thellësisht kuptimplota me stilin e vet tejet inovator për poezinë shqipe: (…) Njeriu dashka dhe vdekjen – e ka me vete, nën jastëk çdo natë – s’ka gjë, ruaj vdekjen tënde dhe jeto fillikat/ (…)
Gjithçka mund të ndodhë. Rro me të ngjarën. Si dje, si sot, si mot. Si me gjarpërin. (poezia: Ushqe gjarpërin tënd).
Era si fenomen jo vetëm natyror është një nga themelet e forta të vargëzimit të tij. Dinamika e erës i gjen gjithë ato elemente të panjohura në poezinë e Bejkos. Kjo veçanarisht vihet re te poezia “Dy gisht erë” si dhe te vargu tejet bukur i përpunuar, gati-gati përfaqësues për poezinë me nënshkrimin Bejko: (…) çurgonin erëra hollë të holla (…) (poezia: Guaska në vesh).
Vertikalet e poetit janë të shumëta. Ato sidomos në një vend stalinist janë guxime më vete, kur dihet presioni i pamynxyrshëm drejt vertikaleve prej statujave. Mirëpo, poezia e tij mund t’i prezantohet edhe kohëve të tjera në vendin e sistemeve të përçudshme. Andaj, poeti në një rast krijon vertikalen Perëndi – Njeri dhe deklamon: (…) at, mos hesht. Nuk kemi këtu një qytet të përhershëm. Jemi përbrenda plot burg, at, burg e murg. Sa edhe veten trembim. (…) (poezia: Një ditë e bukur).
Gjarpëri është një figuracion me prezencë qëndrore në poezinë e Bejkos. Por, ndoshta në një kontekst më interesant seç jemi mësuar ta njohim, lexojmë e poetizojmë. Kjo logjikë kulmon te poezia “Ushqe gjarprin tënd” ose poema “I huaji në mal” ku poeti e lidhë këtë figurë ilire mitologjike me jetën, me vdekjen, me njerinë, me llahtarinë, me legjendat, me të sotmen. Edhe në këtë rast, pavarësisht frikërave dhe fobive të lindura ose helmatisjes e kafshimit apriori, poeti zgjedhë një anë krejt tjetër për kulmimin e narrativës së tij, atë të aritmetikës së gjarpërit ndaj njeriut, e cila sado shumëzon e pjesëton, asnjëherë nuk e zhbën njeriun.
Leximi i poezive të Bejkos më kujton një të thënë të veçantë të I. Rugovës kur shkruante për mikun dhe poetin Musa Ramadani se: “leximi i këtyre poezive zgjon një gëzim të veçantë që po e ndajmë së bashku, si miq të një brezi që donte të thyente lëvozhgën e mendimit dhe të jetës dogmatike.” Nisur nga kjo, me plot gojën mund të them që, ky brez pavarësisht gjithçkaje ia dolën ta pëlcasin këtë lëvozhgë; gjithçka na penalizon neve sot janë gardhinjtë e gjallë kapitalistë dhe muret e gëlqerosura mafioze. Gjithsesi, duhet ta pranojmë, hapi i parë është gjithnjë krucial pavarësisht madhësisë dhe, atë hap e kanë bërë një plejadë jona artistësh dhe intelektualësh të jetëveprimit pas L2B.
Si konkluzë, “Fytyrë e panjohur” e poetit Bejko është një vepër që e pasuron letërsinë tonë me një cilësi dhe qasje të re dhe më së paku të sprovuar deri atëherë. Qasja dhe sprova i kalon të gjitha nivelet dhe kjo është një prurje që duhet vlerësuar për hapjen dhe shënimin e shtigjeve të reja letrare. Në fund fare, nisur me vargonin e panjohur mbi “Fytyrën e panjohur”, mund të them lirisht që kjo është një përmbledhje që sikurse vargoni, i plotëson dhe tejkalon pritshmëritë. E juaja është vetëm të hapni një derë ose t’i besoni hovit tim.
* Shkruar me rastin e Kalimerës poetike “Basri Çapriqi”, edicioni i 32-të, ku në natën e tretë të saj është prezantuar me mbrëmje autoriale shkrimtari Sadik Bejko. /KultPlus.com
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
Napoleon Bonaparti është cilësuar si strategu më i madh ushtarak që ka pasur bota. Por edhe si një njeri që ndryshoi rrënjësisht rendin dhe historinë e Evropës.
Në kulmin e pushtetit të tij, Napoleon Bonaparti kontrollonte një pjesë të madhe të Evropës, nga Gadishulli Iberik në perëndimderi në Poloninë e ditëve të sotme në lindje.
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
· Mos e ndërpre kurrë armikun tënd kur është duke bërë një gabim
· Duhet të qeshim me njeriun që të mos qajmë për të.
· Nuk duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.
· Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë.
· Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Në politikë, absurditeti nuk është handikap.
· Njerëzit e famshëm e humbasin dinjitetin kur i sheh nga afër.
· Kushtetuta duhet të jetë e shkurtër dhe e paqartë.
· Një lider është një tregtar me shpresë.
· Një njeri do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
· Froni është vetëm një stol i mbuluar nga kadifeja.
· Njeriu duhet të luftojë më shumë për interesat e tij se për të drejtat e tij.
· Një pikturë ka më shumë vlerë se mijëra fjalë.
· Njeriu i vërtetë nuk urren askënd.
· Aftësia nuk është asgjë pa mundësinë.
· Të gjitha religjionet janë krijuar nga njerëzit.
· Në mes atyre që nuk iu pëlqen të shtypen janë shumë që duan të shtypin.
· Njeriu nuk duhet të ndalë kurrë diçka që nuk ka fuqi ta ndalë.
· Çdo ushtri marshon mbi stomakun e saj.
· Trimëria është si dashuria; ajo duhet të ushqehet me shpresë.
· Vdekja nuk është asgjë, por të jetosh i mundur dhe i palavdishëm është sikur të vdesësh përditë.
· Gazetave armiqësore duhet t’iu druhesh më shumë se një mijë bajonetave.
· Franca ka më shumë nevojë për mua se kam unë nevojë për Francën.
· Kush ka frikë se do të pushtohet e ka të sigurtë humbjen.
· Kush di të lajkatojë di edhe të gënjejë.
· Historia është një tërësi gënjeshtrash për të cilat është rënë dakord.
· Historia është version i ngjarjeve të së shkuarës për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Unë nganjëherë jam dhelpër, nganjëherë luan. I gjithë sekreti i të qeverisurit është të dish kur duhet të jesh dhelpër dhe kur luan.
· E adhuroj pushtetin. Por e adhuroj atë si një artist. E adhuroj siç e adhuron një artist violinën e tij, për të prodhuar prej saj tingujt, akordet dhe harmonitë.
· Nëse do më duhej të zgjidhja një fe, dielli si dhënës universal i jetës do të ishte zoti im.
· Nëse dëshiron që gjërat të bëhen mirë, bëji vetë.
· Nëse dëshiron të kesh një sukses, mos premto asgjë, mos shpall asgjë.
· E pamundura është një fjalë që mund të gjendet vetëm në fjalorët e budallenjve.
· Për të qeverisur nuk do të thotë të zbatosh një teori, por të ndërtosh me çfarëdo materiali që ke në duar.
· Në politikë…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos prano një gabim.
· Është kauza, nuk është vdekja ajo që e bën martirin.
· Njerëzit udhëhiqen më mirë nëpërmjet veseve të tyre se nëpërmjet virtyteve të tyre.
· Njerëzit nxiten vetëm nga dy shtysa: frika dhe interesi vetjak.
· Njerëzit i vlerësojnë vetëm nevojat – kurrë aftësitë.
· Muzika është zëri që na tregon se raca njerëzore është më e madhe se kujton.
· Fuqia është dashnorja ime. Unë jam përpjekur aq shumë që ta pushtoj atë sa të mos lejoj askënd të ma largojë.
· Opinioni publik është termometri të cilin një monark duhet ta shikojë rregullisht.
· Pasuria nuk ështët ë kesh thesare, por të dish t’i përdorësh ata.
· Zakonisht betejat i fitojnë ushtarët, gjeneralët marrin lavdinë.
· Dhjetë njerëz që flasin bëjnë më shumë zhurmë se një mijë njerëz që heshtin.
· Mënyra më e sigurtë për të mbetur i varfër është të jesh i ndershëm.
· Fitorja i takon atij që këmbëngul më shumë.
· Lufta është biznesi i barbarëve.
· Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë./portalishkolloralbas/KultPlus.com
E quajtur “Novelistja më e madhe amerikane e kohës së saj”, novelistja dhe dramaturgja fituese e çmimit Pulitzer, Edna Ferber lindi 139 vjet më parë transmeton KultPlus.
Ferber lindi më 15 gusht 1885 në Kalamazoo, Michigan. Familja e saj u zhvendos pak përpara se të vendosej në Appleton, Wisconsin, kur Ferber ishte 12 vjeç, ku babai i saj drejtonte një dyqan të përgjithshëm.
Ajo ndoqi shkollën e mesme Ryan, ku shërbeu si redaktore “personale dhe lokale” e gazetës së shkollës. Talentet e saj në të shkruar ishin tashmë të dukshme, ndonëse ishte teatri që rrëmbeu zemrën e saj. Ajo e quajti veten “e goditur nga skena” dhe shpresonte të bëhej aktore.
Por nuk ishte menduar të ishte. Në pamundësi për të përballuar universitetin dhe në nevojë për të ndihmuar familjen e saj, Ferber shkoi të punonte në Appleton Daily Crescent. Ajo ishte gazetarja e parë femër e gazetës. Ferber e pëlqeu punën dhe kaloi në një gazetë më të madhe, Milëaukee Journal, ku ajo punoi aq shumë sa u rrëzua nga lodhja një ditë në moshën 22-vjeçare.
Ferber u kthye në shtëpi në Appleton për të pushuar, por në mënyrë tipike Ferber, ajo derdhi energjinë e saj në shkrimin e tregimeve.
Tregimi i saj i parë i shkurtër, “Heroina Homely”, u botua në vitin 1910. Ajo më vonë tha për suksesin e saj: “Vendimi im për t’i dërguar “Heroina Homely” te redaktori i Everybody’s u arrit thjesht mjaftueshëm.”
Historia e saj u pasua shpejt nga një roman, “Daën O’Hara”, për një gazetare femër në Milëaukee. Ferber erdhi në vëmendjen kombëtare për serinë e saj të tregimeve në lidhje me shitësen udhëtuese të petkave Emma McChesney. Ndër fansat e saj ishte edhe presidenti Teddy Roosevelt.
Suksesi i këtyre tregimeve e solli Ferberin në vitin 1912 në Nju Jork, ku ajo gjeti famë të madhe për romanet dhe tregimet e saj të shkurtra. Shumë prej tregimeve të saj shfaqnin gra të forta që kapërcenin vështirësitë. Thuhej se ajo kishte pak durim për gratë që lejojnë veten të kufizohen nga kufizimet sociale dhe kulturore të vendosura mbi gratë.
Ferber ishte rigoroze për punën e saj. Ajo hulumtoi me kujdes mjediset e romaneve të saj dhe mbajti një plan ditor të një shëtitjeje të shpejtë në mëngjes, e ndjekur nga disa orë shkrim. Për vite me radhë, ajo shkruante 1000 fjalë në ditë, 350 ditë në vit. Pasi kishte filluar një libër, ajo pretendoi se asgjë tjetër veçse vdekja nuk mund ta ndante atë nga ai./ KultPlus.com
156 vjet më parë, më 15 gusht 1868 në fshatin Reka e Epërme të Dibrës lindi Josif Bageri, arsimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
Poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gazetar e atdhetar i flaktë, ai ia kushtoi tërë jetën dhe veprën e tij çështjes kombëtare shqiptare.
Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kaloi në vendlindje. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjeçare, ku mërgoi dhe për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune, prej vitit 1887 u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare atje.
Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar të vitit 1893, në Sofje. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Ky takim i la mbresa të mëdha.
Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare, pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime.
Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim të ngushtë me Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Letnicën, vendin prej nga, Nëna Terezë nisi rrugëtimin e saj në shërbimin e përjetshëm.
Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook, presidentja Osmani tha se zemrat e hapura e fytyrat e buzëqeshura sot në Letnicë e shndërruan atë në vatër të mikpritjes e dashamirësisë në ditën që shënon festën e Zojës së Madhe.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidentes Osmani:
Zemrat e hapura e fytyrat e buzëqeshura sot në Letnicë e shndërruan atë në vatër të mikpritjes e dashamirësisë. Vendi ku Nëna jonë Terezë, nisi rrugëtimin e saj në shërbimin e përjetshëm, në ditë si kjo sot e dëshmon më së miri kuptimin e plotë të bujarisë e çiltërsisë.
Në prezencë të qytetarëve të shumtë, kremtuam festën e Zojës së Madhe, e cila ndërthurë dashurinë, dhembshurinë dhe paqen, vlera këto për të cilat punoi, jetoi dhe u përjetësua Shën Tereza.
Sot mbushen 12 vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Në vijim po ju përcjell disa nga shprehjet e tij, të cilat ruajnë një aktualitet të gjithëkohshëm.
– Me që jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptareve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar. – Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë. – Një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit. – Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj… – Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë. – Shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës. – Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur. – Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman. – Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë. – Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, politikës prej fesë; pra respektimi i parimit të shekullarizmit. – Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, nga që vetëm kjo popullatë protoballkanike, nuk arriti të krijojë shtetin e vet. – Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit. – Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante. – Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës, për pastrimin etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës. – Çdo njeri bën përpjekje që të largohet nga dimensioni i inferioritetit. – Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë pse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe, mbi të gjitha, për të fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë. – Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin. – Luajaliteti ndaj kombit është më e madhe se ndaj shtetit. – Në dallim nga shqiptarët, serbët, por jo vetëm ata, më se një shekull hartojnë projekte, elaborate të studiuara mirë se si t’i shfarosim shqiptarët, t’i dëbojmë nga vendlindja, t’ua njollosim imazhin, t’u ngjisin bishta, të nxisin përçarjet e brendshme, t’i korruptojnë përfaqësuesit, prijësit e tyre etj. – Në mes botës perëndimore dhe lindore ekziston një relacion i çuditshëm i këmbimit: perëndimi eksporton në lindje ideologji (dikur komunizmin sot demokracinë); ndërkaq nga lindja pranon religjionin. – Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar. – Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që kanë siguruar heronjtë. – Grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëviz gjymtyrët qafë e tëposhtë. – Kur religjionet e suspendojnë hyjnoren, atëhere zëri i këmbanës ose i muezinit, përjetohet si shpallje e luftës… – Luftrat që përfundojnë pa fajtor, kurrë nuk përfundojnë as me paqe. – Mjerisht, demokracia vetvetiu nuk e sjell lirinë, por liria hap shtegun për paraqitjen e demokracisë. – Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit. – Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale. – Pluralizmi ka krijuar terren të përshtatshëm për relativizim të gjithçkaje. – Serbët, por edhe të tjerët, i urrejnë shqiptarët për shkak të krenarisë së tyre. – Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu dhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme. – Tipari kryesor i qytetërimit perëndimor, është dyshimi si metodë e zbulimit të së vërtetës, ndërkaq tipari kryesor i qytetërimit lindor është besimi i paluajtshëm ndaj autoritetit. – Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj. – Në politikë me rëndësi parësore është mjeshtëria e zgjedhjes së prioriteteve. – Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të serbëve. – Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare. – Shpesh herë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera. – Shteti i parë Serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë. – Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro serbë. – Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi. – Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet. – Maqedonia s’ka të ardhme, kështu siç po shkon. – Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno-politik që i bën të shohin shtrembër njëri –tjetrin. – Propanganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupuj moralë. – Një VIP ( Very Important Person) nuk mund të pranojë lehtë të bëhet NIP (Non Important Person). / KultPlus.com
Në një fshat të thellë të Matit, Shtëpia e Verdhë mbetet një mister që kuriozon gjithkënd dhe pas dy dekadash.
E përfolur si skenë e historive të errëta dhe të pabesueshme, ajo rikthehet në vëmendje përmes romanit më të ri, të shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur Bashkim Hoxha.
Lexues dhe dashamirës të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova u mblodhën buzë detit për të diskutuar mbi këtë vepër që shënon një tjetër arritje në karrierën e Bashkim Hoxhës. Ajo sjell në vëmendje një tematikë që ka dashur të hedhë baltë mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj me akuzat për trafik organesh dhe varre masive, të përmendura në raportin e Dick Martit.
“Shtëpia e Verdhë” nuk është thjesht një roman, por një ftesë për të reflektuar mbi të shkuarën dhe për të kërkuar të vërtetën përmes një lenteje artistike.
Mbrëmja letrare u shoqërua dhe me ekspozimin e mjaft fotove dëshmi, të pasojave të luftës në Kosovë, si dhe punimet në pikturë e skulpturë të tre artistëve nga Mitrovica.
Arti dhe historia u ndërthurën në këtë mbrëmje vere për të ofruar një perspektivë të re dhe shuar zërat mbi skenarin e errët të shtëpisë që ende tërheq vëmendjen./topchannel/KultPlus.com
Seriali me temë kafshësh i Banksyt duket se ka marrë fund, me artistin e rrugës që shfaqte foto të veprës së tij të artit në faqen personale të internetit.
Nga e hëna e 5 gushtit, artisti, identiteti i të cilit nuk dihet, por spekulohet gjerësisht, filloi të ngarkonte në Instagramin e tij foto të veprave artistike që përshkruanin lloje të ndryshme kafshësh.
E para ishte e një dhie dhe një kamere CCTV e drejtuar drejt saj, e cila ndodhej në një ndërtesë pranë urës ”Kew”, në Londrën jugperëndimore.
Kjo u pasua nga dy silueta elefantësh me trungjet e tyre të shtrira drejt njëri-tjetrit të vendosura në një pronë pranë Chelsea.
Të nesërmen ai vazhdoi me tre majmunë që dukeshin sikur po lëkunden në një urë në lindje të Londrës.
Të enjten, më 8 gusht, pjesa e katërt e koleksionit të Banksy, një ujk ulëritës në një pjatë satelitore të vendosur në një çati në Peckham, u hoq më pak se një orë pasi artisti i rrugës e zbuloi atë në internet.
Një dëshmitar i heqjes së tij tha se ishte marrë nga tre burra dhe tha se ishte një “turp i madh”.
Pas kësaj Banksy zbuloi një vepër arti të pelikanëve në ”Bonners Fish Bar” në Walthamstow, e cila u vlerësua nga deputetja lokale e laburistëve, Stella Creasy.
Koleksioni vazhdoi më 10 gusht me një siluetë të një maceje të shtrirë në një grumbullim reklamash.
Pjesa më vonë u çmontua nga tre burra të cilët thanë se ishin “të punësuar” nga një “kompani kontraktuese” për të hequr tabelat për arsye sigurie.
Një ditë më pas Banksy konfirmoi se një vepër arti me peshq që notonin në një vendroje policie të qytetit të Londrës ishte e tij.
Të hënën, më 12 gusht, u zbulua një vepër e një rinoceronti mbi një ”Nissan Micra”.
Vepra e artit u shkatërrua më vonë dhe një video e siguruar nga BBC News tregon një burrë duke ecur drejt veprës së artit dhe duke e spërkatur atë.
Vepra artistike më e fundit e Banksy, e zbuluar të martën, ndodhet në një grilë në hyrje të kopshtit zoologjik të Londrës dhe tregon një gorillë./KultPlus.con
Gena Rowlands ka vdekur në moshën 94-vjeçare, raportojnë mediat e huaja. Aktorja amerikane ishte më e njohur për interpretimet në filmat e regjisorit dhe bashkëshortit të saj të parë John Cassavetes.
Rowlands vdiq e rrethuar nga familja në shtëpinë e saj në Indian Wells, Kaliforni, sipas mediave amerikane. Asnjë shkak zyrtar i vdekjes nuk është dhënë për momentin, por djali i saj Nick Cassavetes tha në qershor se nëna e tij kishte qenë duke luftuar me sëmundjen e Alzheimerit për pesë vitet e fundit.
Rowlands luajti në dhjetë nga filmat e Cassavetes dhe ishte e martuar me të për 35 vjet, deri në vdekjen e tij në 1989.
Performanca e saj në filmin e vitit 1974 “A woman Under the Influence”, në të cilin ajo luante rolin e një amvise, shëndeti mendor i së cilës është në krizë, i dha asaj një Golden Globe dhe i pari nga dy nominimet për Oscar për aktoren më të mirë.
E dyta erdhi kur ajo luajti rolin kryesor në filmin “Gloria” të vitit 1980. Djali i saj Nick e drejtoi atë në dramën romantike të vitit 2004 “The Notebook”./KultPlus.com
Etnofest vazhdoi me aktivitetet e tij të pasura edhe në ditën e pestë, duke sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë të pranishmit. Ekspozitat e hapura janë të pozicionuara në disa nga hapsirat e etnofestit, ndër të cilat veçohej ajo e artistës Teuta Ibriqaj, e cila u prit me interes të madh nga vizitorët.
Shkruan: Alisa Buzhala
Ekspozita grafike ‘Gjurmë lumturie’ risolli detaje nga koha e lashtë antike duke i formsuar në formën moderne, fragmenteve të tyre.
Në vazhdim të aktiviteteve të festivalit, ansamblet tradicionale pasurojnë programin. Me elementet e veshjeve si fustanet e shamitë, pantallonat e plisat, në harmoni me tingujt e melodive, vallja shqiptare mbetet një komponent tjetër i rëndësishëm i kulturës sonë, sidomos i festave tona.
Mbrëmja e natës së katërt u hap nga ansambli “Zëri i Kamenicës”, i cili performoi para një audience të madhe disa nga vallet më të njohura, përfshirë edhe vallen e Rugovës.
Udhëheqësi i këtij aktiviteti, Dilaver Kryeziu, në fund të paraqitjes skenike të valltarëve, siguroi që publiku të merrte një përvojë, duke demonstruar hapat bazë të valleve tradicionale.
Ai gjithashtu kërkoi, si bashkëpunëtor artistik i këtij edicioni, që vitin e ardhshëm, ky festival të shndërrohet edhe në shkollë artistike, me kurse e trajnime mbi pjesë të ndryshme të paraqitjeve skenike.
Etno-ansamble të tjera nga trevat e ndryshme priten të jenë prezent në festival gjatë ditëve në vazhdim.
Ndërkaq, etno-neja, në natën e 5-të të këtij edicioni ishte pak më ndryshe nga netët paraprake. Organizatorët ishin siguruar të risillnin në skenë pas shumë vitesh, rock grupet ‘Tonic dhe Gjinis’, të cilët interpretuan këngë të vjetra të viteve të 80-ta, e që risollën një atmosferë nostalgjike mbi kulturën muzikore në ato vite, si hite të dëgjuara e popullarizuara nga të rinjtë në atë kohë.
E për t’i dhënë krejtësisht një kahje tjetër kësaj nate magjike, after party i festivalit u elektrizua nga repertori i muzikës dhe miksimeve të këngëve nga DJ Caboo.
Me këngën ‘Baresha’, Caboo dëshmoi edhe një herë që përpunimi i këngëve të vjetra dhe risjellja e tyre në forma të reja të muzikës bashkëkohore, të asaj që tashmë njihet si elektro/house, i jep kulturës sonë një dimension unik dhe mundëson ruajtjen e thelbit artistik shqiptar.
Kështu, dita e pestë e Etnofest u mbyll në mesnatë nën ndriçimin e terasës së kompleksit në Kukaj, duke lënë dëshmi në zhvillimin e horizontit kulturor në Kosovë dhe rajon./KultPlus.com
Hipoteza e ngritur dhe e kryer nëpërmjet vëzhgimit me sy të lirë nga restauratori, piktori e studiuesi i artit bizantin Mustafa Arapi para disa kohësh, duke shprehur se tabloja “Motra Tone” nuk është punim i të njëjtit piktor që ka punuar “Dasmën shkodrane” shqetësoi disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre. Mendimi i Mustafa Arapit vlen të merret në konsideratë. Kjo jo vetëm për aq sa përmendëm më sipër, por dhe sepse Arapi ka evidentuar punime të Onufrit, Qipriotit e shumë ikonografëve të tjerë. Kontributi i tij në këto fusha është mëse i njohur në botën akademike. Duke folur me subjektivizëm janë thjeshtë diskutime kafenesh. Shkenca nuk bën kompromis me sentimentalizma, lokalizma apo patriotizma të kotë që nuk i shërbejnë asgjëje, përveçse ideologjive fanatike e vetanake të individëve të caktuar. Shkenca lufton për dritën e të vërtetës. Të flasësh për pikturën është çështje komplekse, dhe jo thurje barsoletash nën hijen e pemës.
Në këtë artikull nuk synohet të lihet mënjanë figura e Kolë Idromenos. Por përkundrazi synohet të analizohen problematika, të cilat deri më tani i kanë shpëtuar syrit të dikujt. Unë do të trajtoj vetëm dy aspekte të punës së Kolës, të cilat mund të analizohen me metodën e vëzhgimit me sy të lirë: teknika e velaturës dhe firma e Kolë Idromenos.
Teknika e velaturës është një teknikë artistike, e cila konsiston në vendosjen e një shtrese shumë të hollë me një ngjyrë, mbi shtresën pastoze ose më pak pastoze në një pjesë të tablosë. Pikërisht se është shumë e hollë dhe transparente, ajo njihet si teknika me velaturë. Teknika e punimit me pastë ose ndryshe pastoze është trajtimi i pikturës, me një shtrese ngjyre të bardhë të plotë. Velatura vendoset mbi pastën që pjesa e punimit të marrë transparencë, thellësi, duke krijuar efekte gjysmë transparente, për të krijuar një efekt të tejdukshëm, për të ndryshuar ngjyrën bazë, për të krijuar fraktura, si dhe mbi të gjitha materializon teksturat e materies. Velatura është përdorur që në fillimet e pikturës. Ajo shkëlqeu si teknikë në Rilindjen italiane e atë të Europës veriore e gjithashtu në periudhën të artit Barok. Një shembull i mjeshtërisë së teknikës është piktori flamand Rembrandt van Rijn. I pari që e përdor në artin laik e realist shqiptar është piktori i tablosë “Motra Tone”. Dhe tekstualisht kjo teknikë është përdorur në disa tablo të ekspozuar në ekspon e hapur te Galeria e Arteve Tiranë “Kolë Idromeno”, si tek: “Motra Tone”, “Plaku”, Portreti i Mati Kodhelit, e deri tek trajtimi i disa bizhuterive e teksturave të veshjeve, të degërmive, marhamave e të pëlhurës së perkalinës.
Nëse një artist zotëron këtë teknikë, përveçse dhe çështjeve të tjera themelore të pikturës, ose ndryshe e thëne, të ABC-së së pikturës, si kompozimi, raporti i ngjyrave, proporcionet, perspektivën, vizatimin e mbi të gjitha karakterin e personazhit, mund të themi se ka artisti ka arritur një pjekuri artistike. Këtu i shtojmë sigurisht dhe konceptin, apo ndryshe idenë e trajtuar. Duhet të themi se tablotë e realizuara nga Kola kanë një ndasi radikale në dy periudha, ku periudha e parë dallohet fill pas mbarimit të shkollës, që mund të themi se i përket të dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XIX, dmth 1880-1900, pavarësisht se dhe këtu ka ulje e ngritje në punët e tij. Madje unë do ta limitoja deri në 1890. Në dhjetëvjeçarin e tetë të shekullit XIX (1880-1890), Kolë Idromeno realizon disa punime: Portreti i “Mati Kodhelit” (1881), Motra Tone (1883), “Betimi në rrenë” në vitin 1892 dhe “Dy rrugët” 1896. Pas këtyre dekadave, arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.
Periudha e dytë është periudha pas këtyre viteve, pra nga 1900 e deri në vitet e fundit të krijimtarisë artistike të piktorit. Kohërat e artit kanë treguar e dëshmuar se qëndron një linjë artistike e një piktori, e cila fillon me bazat e pikturës, vazhdon me njohjen e vizatimit dhe teknikave, e për të avancuar më tej me krijimtarinë e tij si profesionist. Kur arrin pjekurinë artistike një piktor, do të thotë që ai ka zotëruar të gjitha këto është çliruar nga rregullat akademike e shkollore: nuk është më një student, por një artist i mirëfilltë.
Ajo që ndodh me krijimtarinë e Kolës është e kundërta: ai zotëron e trajton mjeshtërisht parimet e çështjet e artit, si dhe shfaq një pjekuri artistike veçanërisht në dhjetëvjeçarin 1880-1890. Më pas fillon të shënojë një rënie, ku dallohet se artisti mohon të gjitha kriteret e mëparshme dhe bie në dekadencë artistike. Piktori X (po e quajmë atë piktor të dytë të panjohur të periudhës së dytë) le të themi se mohon teknikën e velaturës e bie në ato tone që në gjuhën e pikturës quhet “bjak”, dmth., e bardha “mbyt” çdo ngjyrë tjetër, sepse bëhet pjesë e çdo trajtimi me ngjyrë. Madje dhe hijen nuk e trajton me ngjyrë, por me tonet e së bardhës apo të zezës. Dhe kjo nuk ndodh në një vepër, por në disa prej tyre e veçanërisht tek portretet. Por kjo gjë nuk ndodh vetëm me teknikën. Artisti X mohon proporcionin, për shembull në rastin e pikturës së dytë të motrës së artistit e veshur me veshje qytetare europiane. Ajo paraqitet me një bust të gjerë në disproporcion me tërësinë e figurës dhe një mungesë e anatomisë së trupit. Dhe kjo është e dukshme që nuk është e qëllimshme, por është një mosnjohje e vizatimit nga autori. Nëse do të ishte e qëllimshme, atëherë piktori ka kaluar në atë fazë që njihet si pjekuria artistike ku ai interpreton realitetin.
Këtu dhe në shumë portrete të tjera, piktori X shfaq mungesë në perspektivën tonale të planeve. Kjo dallohet tek “Dasma Shkodrane” apo “Oborr shtëpie shkodrane”, ku tonet e shurdhëta dominojnë në këto tablo. Një artist në një pjekuri artistike, i cili ka realizuar “Motrën Tone”, nuk bie në nivele të atilla që të mos dijë të trajtojë planet në perspektivë. Në këtë mënyrë, një artist do të binte ndesh me parimet e pikturës, ku forma dhe volumi janë aspekte bazë për krijimin e realitetit tredimensional në një plan dy dimensional, siç është telajo. Kur ndryshe nga këto tabllo të fundit, piktori tek “Motra Tone” flet me një gjuhë pothuajse bashkëkohore duke trajtuar sfondin me ngjyrë të errët, që të kujton “Damën me kunadhe” të L. da Vinçit. Përveç trajtimit, dora e damës tek Vinçi, si dhe tek Tonia janë personazhe më vete. Ato flasin më shumë se portretet. Sfondi ndonëse është i errët ka shumë më shumë thellësi siç ka peizazhi apo sfondi i “Dasmës shkodrane”. Tablloja Motra Tone ka një ngjashmëri në dorë me portretin e Mati Kodhelit dhe portretit të Plakut, ku ky i fundit nuk ka të shënuar as vitin e realizimit e as nënshkrimin e piktorit. Të tria këto tablo dallojnë nga të gjitha tablotë e ekspozitës. Një piktor që realizon këto tablo si këto të lartpërmendurat, nuk ndodh të realizojë një tablo të një niveli të dobët pas dy vjetësh siç është ”Betimi në rrenë”, apo peizazhin “Pamje nga Ulqini” (1897 – 1898). Mungesa e perspektivës, trajtimi me të njëjtin intensitetit të planeve apo më dukshëm mungesa e teknikës, na bën të mendojmë se diçka nuk shkon. Piktori X bie në nivele akoma më të dobëta në disa tablo të tjera si tek “Portreti i burrit (portreti nr.4 në linjën ekspozuese). Aty dallohet një sfond e një trajtim i dobët si në ngjyra, por veçanërisht në teknikë. Ndoshta mos duhet konsideruar se gabimisht i është përveshur autorësia e kolës këtyre tablove, ose mund të flitet për autorë të ndryshëm të cilët dallojnë nga njëri tjetri?
Së dyti dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqendrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove. Shumë vepra të tij janë pa firmë e pa datë realizimi, gjë që e vështirëson akoma më shumë analizën e punëve të tij. Rëndësia e firmës e nënvlerësuar nga studiuesit, në rastin e artit të Kolë Idromenos, ose e marrë si mirëqenë, tregon se një studim i thelluar i artistit në fjalë ka munguar. Nënshkrimi i artistit është në të vërtetë një pjesë e rëndësishme e veprës dhe mbi të gjitha i vendit të artistit në historinë e artit. Në kohërat e artit, artistët nuk kanë mundur të shesin punimet e tyre, vetëm sepse firma e tyre ka munguar në tablo. Nënshkrimi është gjithmonë një vlerë më vete pasi firma mund ti japë ose mund të prish vlefshmërinë e një vepre arti. Ka raste kur artistë kanë firmosur në anën e pasme të tablosë, zakonisht kur kanë shënuar dedikime, por për ta është një domosdoshmëri të lënë firmën e tyre në krijimet e tyre. Madje shumë piktorë njihen për firmën e kaligrafinë e tyre të bukur dhe estetike. Nga tradita bizantine, siç ishte dhe në Shqipëri, ikonat nuk nënshkruheshin dhe vetëm rreth në shekullin e trembëdhjetë hasen emra të ikonografëve ku mënyra për t’u nënshkruar ishte “nga dora e …”. Kjo për të treguar se ishte dora e piktorit që e kishte materializuar fizikisht imazhin, por ishte Fryma e Shenjtë që e krijoi atë. Artisti është vetëm një medium i shprehjes hyjnore dhe jo krijues ashtu siç e kuptojnë ne sot. Vetëm pas rënies së Bizantit, ikonografë si Onufri apo Qiprioti do të firmosnin artin e tyre.
Koha ka treguar se mjeshtrat kanë punuar me ndihmës e ndjekësit e tyre. Gjatë Rilindjes italiane zotërimi i një zanati erdhi përmes praktikës së mësimit tek një mjeshtër, nga babai tek djali, ku në atelietë apo punishtet e arteve ndiqeshin udhëzimet dhe shembulli i mjeshtrit. Gjatë kohërave artisti përkufizohej si dikush me një aftësi të caktuar dhe një imitues i mirë i natyrës. Vetëm me Rilindjen italiane, artisti arriti të sigurojë një status më të lartë dhe në rangun e dijetarit. Piktorë si Giotto ishin ndër të parët të cilët vendosën emrat e tyre në punime, por pjesa më e madhe e veprave të artit botëror para shekullit XIV mbeten anonime. Ashtu siç studime tregojnë deri në shekujt e vonë mësojmë se shpesh në tablo vendosej emri i mjeshtrit, kur në të vërtetë punën e kishin realizuar ndjekësit apo ndihmësit e tij.
Firma ishte përmbyllja e veprës dhe finalizimi i saj. Përmes saj ndërtohet historia e jetës artistike e mbi të ndërtohet historia e artit, më pas autenticiteti i veprës, e si rrjedhojë marrëdhënia e veprës me tregun e artit e porositësin e veprës. Kur në Bizant e më vonë, artisti mbeti në rolin e një “zanatçiu” dhe firma e tij nuk kishte një rëndësi, në shekullin XIX akti i nënshkrimit të një vepre merr një rëndësi të konsiderueshme, pasi kjo lidhej me statusin e tij në skenën artistike, ku në sallonet e ekspozitat e mëdha ndërkombëtare të artit të kohës ekspozoheshin punët e tyre. Gjatë Mesjetës në përgjithësi krijimtaria e piktorit ishte e lidhur me porositësin e tablosë, siç ishin të shtresa e lartë, mbreti apo kisha. Detyrimisht puna e tij ishte e lidhur me nevojën e kërkesat e tyre. Ndërsa në shekullin XIX, po të vërejmë piktorët realistë e impresionistët më vonë thyhen rregullat akademike, kështu arti nuk ishte më një art i diktuar, por i çliruar nga bindjet e kohës: autorësia e veprës merr një dimension akoma më të lartë. Ndërkohë që në Europë ishte ky fenomen, Kolë Idromeno, pas një studim të një periudhe të shkurtër në Venecia e përkrah mbështetjes së tij të përhershëm të Marubit u formua dhe realizoi tablotë e para realiste në Shqipëri. Por ajo që ndodh tek ky piktor është pikërisht neglizhenca e tij në firmosjen e tablove. Një piktor me një kaligrafi elegante e të rafinuar bie në një kaligrafi të neglizhuar tek tabloja “Betimi në rrenë”. Dhe kjo nuk është shumë larg, por vetëm dy vjet më pas tablosë së Motrës Tone. Ai kalon nga kaligrafi të lartë estetike, të shkruar me shkrim dore, në një kaligrafi me germa shtypi e pothuajse më një vertikalitet në strukturë, gjë që është e kundërt në kaligrafitë e tjera, pasi ato kanë një pjerrtësi dhe elegancë, e mbi të gjitha autori kupton rëndësinë e nënshkrimit si një vlerë e shtuar dhe e domosdoshme e artit të tij. Piktori kalon nga detaje të mëdha të autorësisë dhe datimit, në eliminim të autorësisë së tij dhe datimit të punëve mbi veprat e tij, nga “shenja, gjurma” e tij në historinë e artit shqiptar drejt një anonimati; nga një elegancë e kaligrafisë në një vrazhdësi estetike. Finesa e firmave, si dhe datimi i tyre i saktë, tek portreti i Mat Kodhelit e portretit të motrës Tone, nuk arrin të përsëritet në veprat pasardhëse. Nuk ka më Nicolo, Arsen, por thjeshtë firma e tij nënshkruhet me një germë N dhe mbiemrin e tij. Diku mbiemri i tij trajtohet disi më një lloj finese, por përsëri nuk arrin trajtën e firmës të viteve të para të krijimtarisë. Ndryshimi drastik që dëshmon nënshkrimi tek “Betimi në rrenë” (përveç trajtimit të tablosë me penelata që s’të kujtojnë aspak penelatën në tablonë e motrës Tone) krijon dyshime në autorësinë e veprës dhe në linjën e krijimtarisë artistike të piktorit.
Hulumtimet mbi punën e krijimtarinë e tij duhet të avancojnë, pasi në këto punime shfaqen disa mospërputhje, të cilat krijojnë terren për hipoteza të ndryshme. Dhe hipoteza të ndryshme sjellin interpretime të ndryshme. Ndoshta duhet të flasim për disa autorë? Apo ndoshta është e drejtë të themi se kjo x punë “i atribuohet x piktori”. Mos duhet të hulumtojmë për ndonjë atelie ose punishte arti të periudhës. Në këtë rast studimi i detajuar i krijimtarisë së tij mund të zbulojnë histori të tjera, problematika të fushës së artit gjatë asaj periudhe, ndoshta atelie të cilat në formën e një punishteje arti kanë nxjerrë figura artistësh ende të pastudiuar, apo analiza na orientohen në autorësi të ndryshme të punimeve. / KultPlus.com
Edicioni i 14-të i ‘Green fest’ i cili tradicionalisht mbahet në qytetin e Mitrovicës, ka filluar mbrëmë me aktivitete të ndryshme të cilat do të vazhdojnë të mbahen deri më 18 gusht.
Nën moton “Lum Na” nis edicioni i sivjetmë i Green Fest, ku të pranishëm ishin udhëheqës institucional, bashkëpuntorë, donatorë, organizata mjedisore, artistë, si dhe qytetarë të Mitrovicës.
Programi i këtij edicioni përfshin: ekspozita, dokumentare, ‘green talks’, punëtori, net poetike etj.
Rreth festivalit:
Misioni ynë është të përdorim mediumin e artit dhe kulturës për të edukuar dhe frymëzuar individë, komunitete dhe shoqëri për të ndërmarrë veprime për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të punuar drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Ne besojmë se kultura dhe arti mund të luajnë një rol të fuqishëm në rritjen e ndërgjegjësimit, inkurajimin e dialogut dhe frymëzimin e individëve për të bërë një ndryshim pozitiv.
Festivali ynë vjetor është pika kryesore e aktiviteteve tona. Ne jemi të përkushtuar ta bëjmë festivalin një ngjarje gjithëpërfshirëse, tërheqëse dhe edukative për të gjithë. Ju ftojmë të bashkoheni me ne në misionin tonë për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm përmes kulturës dhe artit./express/KultPlus.com