Vdes Betty Webb, një nga deshifrueset e fundit të ‘Enigma’-s

Charlotte ”Betty” Webb, një nga heroinat e fundit të eposit të Bletchley Park, ka vdekur në moshën 101-vjeçare.

Ajo ishte pjesë e shërbimit sekret britanik ku gjatë Luftës së Dytë Botërore e cila, në bashkëpunim me kolegët, deshifroi mesazhet e koduara nga forcat e armatosura të Gjermanisë naziste, e emërtuar ”Enigma”.

Makineria që mundësoi diçka të tillë u udhëhoq nga matematikani britanik, Alan Turing.

Një operacion që sipas disa historianëve përgatiti fitoren e aleatëve kundër Gjermanisë naziste të Hitlerit.

E dekoruar shumë pas konfliktit, përfshirë titullin Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike (MBE), dhe me origjinë nga Wythall, në kontenë angleze të Worcestershire, Webb u caktua si një ndihmëse 18-vjeçare në bazën ”Bletchley” në Buckinghamshire në vitin 1942.

Më pas, ajo u transferua, së bashku me specialistë të tjerë britanikë në Pentagon, për të ndihmuar aleatët amerikanë në fund të luftës për të depërtuar në kodet japoneze.

Në vitin 2021, në moshën 97-vjeçare, ajo mori edhe Legjionin e Nderit nga Franca.

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga Korpusi i Ushtrisë Mbretërore të Grave, një shoqatë e veteranëve në Mbretërinë e Bashkuar, e cila theksoi se jeta e saj kishte qenë “një frymëzim për shumë gra gjatë dekadave”./ atsh/ KultPlus.com

Biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ nesër me varg ngjarjesh kulturore e letrare

Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, e cila ndodhet në lagjen “Dardania” të Prishtinës, nesër do të zhvillojë një varg ngjarjesh kulturore dhe letrare me rastin e Ditës Ndërkombëtar e të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. Po ashtu, mijëra nxënës të shkollave fillore të Prishtinës do të kenë mundësinë e anëtarësimit falas në bibliotekë.

Sipas njoftimit të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, ngjarja kryesore fillon në orën 14:00, ku do të ketë promovim libri, deklamime krijimesh nga poetët e njohur të “Karvanit të poetëve për fëmijë”, lexime nga nxënës, mirënjohje për institucione dhe individë si dhe një koktej rasti.

“Gjatë ditës së nesërme do të ketë anëtarësim falas për nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, nga ora 9:00 deri në orën 16:00, në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’, Dardani dhe degën ‘Përkujtimore’ në Taukbashçe”, thuhet në njoftim./rtk/ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton masakrën e Lybeniqit: Dëshmi e egërsisë së një regjimi kriminal

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës në Lybeniq të Pejës.

E para e shtetit tha se 26 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen një nga masakrat më mizore ndaj popullit të Kosovës, duke vrarë barbarisht 80 civilë në Lybeniq.

“Në mesin e tyre ishin fëmijë nga 18-muajsh deri në 17-vjeçar, gra të moshuara, si dhe një grua shtatzënë”.

“Kjo masakër mbetet një dëshmi e dhimbshme e egërsisë së një regjimi kriminal dhe një plagë e pashëruar në historinë tonë”, shkroi Osmani.

Më tej, ajo u shpreh se sot e përherë do t’i kujtojnë me nderim e pikëllim viktimat, ndërsa kërkojnë drejtësi për ta.

Teatri Kombëtar publikon orarin e shfaqjeve për muajin prill

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin prill 2025, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Martesa” e regjisorit Norbert Rakowski do të jepet më: 3, 4, 8 dhe 9 prill, ndërsa shfaqja mysafire “Streha e Nemun” nga regjisori Ilir Bokshi jepet më datën 10 prill.

Kurse, shfaqja mysafire “Të turpëruarit” e regjisorit Altin Basha jepet më 11 prill. Orari për shfaqjet tjera është si në vijim:

Orkestra e Filharmonisë sjell koncert dedikuar muzikës së kompozitorit Philip Glass

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me një mbrëmje të jashtëzakonshme dedikuar muzikës së kompozitorit ikonik Philip Glass, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert të veçantë Orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Derisa mbrëmja do të vazhdoj me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, të frymëzuar nga albumi legjendar “Low” i David Bowie-t, i vitit 1977.

Ky koncert dedikuar muzikës së së kompozitorit Philip Glass vjen si gërshetim unik i minimalizmit dhe tingujve orkestralë frymëzuar nga rock-u.

Koncerti mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve – Prishtinë, më 5 prill, në ora 19:30./ KultPlus.com

Rama në kantierin e qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët: Konsiderohet më e madhja në Ballkan

Në kuadër të zhvillimit të projekteve infrastrukturore për avancimin e kulturës dhe artit në Shqipëri, ka nisur puna për kantierin e Qendrës së re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila do të ngrihet pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë. Ky projekt është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit panë nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.

“Ky projekt ka nëntë kate dhe do të ofrojë 7 mijë metra katrorë funksionalë, ku do të zhvillohen aktivitete artistike dhe edukative për fëmijët e të gjitha grupeve moshore. Është një sipërfaqe e jashtëzakonshme, shumë multifunksionale dhe e ndarë në shumë hapësira, ku mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme në mënyrë simultane, si në katet e brendshme ashtu edhe në tarracë”, shpjegoi ministri Gonxhe.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë. Ministri Gonxhe theksoi gjithashtu se kjo është një nga ndërtimet më të vështira dhe komplekse, veçanërisht për sa i përket aspektit teknologjik të skenës.

“Skena ka dy funksione të ndryshme dhe mund të përdoret për shfaqje si brenda ashtu edhe jashtë, me një portë të madhe që hapet për nga parku”, shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e krijimit të një stafi të kualifikuar për menaxhimin dhe funksionimin e qendrës.

“Për të siguruar suksesin e këtij projekti, ne kemi nevojë për mësues të artit të bukur, mësues të skenës, aktorë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të dedikuar dhe të paguar mirë. Kjo do të jetë një qendër europiane, që do të ofrojë mundësi bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare. Ballkani nuk ka një projekt si ky, dhe duhet të fillojmë menjëherë kontakte me qendrat ndërkombëtare, si ato suedeze dhe spanjolle, për të krijuar një program të pasur ndërkombëtar”, theksoi Rama.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë Melsi Qirici, shpjegoi disa aspekte teknike të Qendrës.

“Për herë të parë, skena do të jetë me rotativ, duke ofruar mundësinë që ajo të lëvizë gjatë gjithë kohës, brenda dhe jashtë. Ky dizajn i avancuar teknologjik do të lejojë që Qendra të organizojë aktivitete për fëmijë dhe të rinj, duke ofruar mundësi për një gamë të gjerë shfaqjesh dhe ngjarjesh”, tha ajo.

Ajo shtoi gjithashtu se një element tjetër i ri për këtë projekt do të jetë ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.

“Për herë të parë, do të kemi një punishte që do të shërbejë për të gjithë të rinjtë, jo vetëm për teatrin, por edhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera krijuese dhe edukative”, u shpreh Qirici.

Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.

Me këtë projekt, Tirana do të fitojë një hapësirë unike, që do të stimulojë kreativitetin e fëmijëve dhe rinisë së qytetit. /atsh/ KultPlus.com

‘Të gjashtët kundër Turqisë’ jepet sonte në teatrin Oda

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, shfaqet sonte në teatrin Oda.

Kjo shfaqje paraqet vitin 2018, ku gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.

Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.

E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, shfaqja përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala.

Shfaqja “Të gjashtët kundër turqisë” jepet sonte, në ora 20:00, në Teatrin ODA./ KultPlus.com

Konjufca bën homazhe në Lybeniq: Na mundon fakti që 26 vjet pas, s’ka proces ndërkombëtar të drejtësisë

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Lybeniq të Pejës, ku forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 800 civilë shqiptarë.

Konjufca tha se këto janë pjesë e shumë masakrave që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilat sipas tij, e shprehin qëllimin gjeonocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit, largimin e tij dhe spastrimin e Kosovës nga shqiptarët.

“Ne nuk do të lodhemi asnjëherë duke bërë thirrje për drejtësi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për drejtësinë vendore, sepse tash janë të mundshme të gjitha kushtet për hetime më profesionale dhe gjykime në mungesë, për të gjithë kriminelët serbë, për të gjithë ata mijëra ushtarë, oficerë të ushtrisë, policisë e paramilitarë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë fushatë gjenocidale kundër popullit të Kosovës në vitet 1998-1999”, tha Konjufca, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se i mundon fakti që edhe 26 vjet pas masakrës së Lybeniqit, nuk ka asnjë proces të drëndësishëm ndërkombëtar të gjyqësisë e të drejtësisë.

“Na mundon shumë fakti që edhe 26 vjet pas kësaj masakre, shtoi kryetari Konjufca, nuk kishte asnjë proces të rëndësishëm ndërkombëtar të gjyqësisë e të drejtësisë, i cili u nevojitet familjeve dhe gjithë popullit tonë, sepse, siç tha kryetari i Kuvendit, pa drejtësi këto janë gjithmonë plagë të hapura në trupin e popullit tonë”.

Presidentja Osmani zbulon datën për seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit

Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025./ KultPlus.com

“Gjysmë komandanti, humb ushtria”

Nga Fan S. Noli.

Gjysmë mjeku – vdes njerëzia!
Gjysmë avokati – mbushet qelia!
Gjysmë komandanti – humb ushtria!
Gjysmë arkitekti – shembet shtëpia!
Gjysmë ekonomisti – vjen varfëria!
Gjysmë kleriku – nuk kuptohet Perëndia!
Gjysmë historiani – përsëritet historia!
Gjysmë idealisti – nuk bëhet Shqipëria!/ KultPlus.com

Kumbaro: “Wanderlust in Albania”, pjesëmarrje rekord nga 32 shtete

Pak ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit në konkursin ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dha lajmin se pjesëmarrësit po tejkalojnë pritshmëritë.

“Konkursi ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” ka arritur një pjesëmarrje rekord nga 32 shtete. Nga Shqipëria dhe Kosova e deri në Australi, nga Brazili në Indonezi, dashamirësit e natyrës dhe aventurës po tregojnë me foto dhe video magjinë e Shqipërisë”, shkroi ministrja Kumbaro në rrjetet sociale.

Fotografitë dhe videot mund të ngarkohen deri më datën 4 prill 2025, për t’u bërë pjesë e kësaj gare unike.

Ky është edicioni i dytë i “Wanderlust in Albania”, konkurs i bazuar në foto dhe video reels, të cilat përbëjnë një mundësi të shkëlqyer promovimi të bukurive të vendit tonë.

Në garë mund të marrin pjesë si fotografët profesionistë, ashtu edhe ata amatorë që kanë fiksuar imazhe të bukura të vendit tonë, gjatë dy viteve të fundit./atsh/KultPlus.com

Art Explora sjell pranverë aktivitetesh kulturore në Shqipëri

Fondacioni Art Explora zbulon një program të larmishëm dhe ambicioz aktivitetesh ku do të marrin pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Momentet më të rëndësishme përfshijnë performancat dhe koncertet nga artistë të mirënjohur si Mykki Blanco (në Vila 31), Elsa Lila (Art Explora Festival) dhe Selma Selman (Art Explora Festival), si edhe artistë që kanë marrë pjesë në Programin e Rezidencave të Fondacionit Art Explora, si Samir Laghouati Rashwan, Astrit Ismaili, Zeineb Henchiri, Erdiola Kanda, Mikołaj Sobczak dhe Amie Barouh.

Nga 9-13 prill, në Vila 31 artistët e sesionit të parë rezidentë do të hapin studiot e tyre për publikun. Do të organizohen performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash, duke e bërë këtë fundjavë përuruese një mundësi ideale takimi dhe ndërveprimi mes publikut dhe artistëve. Ky program është i bashkëfinancuar nga Komisioni Europian.

Gjithashtu te Vila 31 do të organizohet një simpozium rreth çështjeve së kujtesës, arkitekturës dhe përcjelljes së trashëgimisë, ndërsa Kinemateka Shqiptare do të propozojë një përzgjedhje filmash dhe aktivitetesh kushtuar kinemasë së Evropës Lindore.

Përgjatë Fundjavës së Oqeanit (9-21 prill) performanca, shfaqje filmash dhe diskutime do të përqendrohen në urgjencën për veprime klimaterike.

Një skenografi e kuruar nxjerr në pah më të mirën e ambienteve, duke i shndërruar Vilën 31 dhe Art Explora Festival, në hapësira të vërteta për t’u jetuar. Studiot e hapura, performancat, tezgat e ushqimit, Bar Tore, qendra sociale, punëtori krijuese dhe radio transmetim i Radios Palestineze Alhara ndihmojnë në krijimin e një përvoje kolektive të jashtëzakonshme të mundësuar nga fuqia e artit./atsh/KultPlus.com

44 vite nga demostratat e vitit 1981

Pas demonstratave të 11 marsit dhe 26 mars, më 1 e 2 prill 1981, në Prishtinë u organizua demonstrata më e madhe politike nga rinia e organizuar e asaj kohe, që ishte edhe fillimi i shkatërrimit të Federatës Jugosllave.

Me kërkesat e demonstruesve: “Kosova Republikë”, ‘Duam liri, barazi, drejtësi”, “Duam bashkim”, “Të lirohen të burgosurit politikë”, e shumë kërkesa të tjera, u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës e më gjerë, duke u organizuar më pas demonstrata nga rinia edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

Këto demonstrata po ashtu konsiderohen një frymë nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare.

Demonstratat e vitit 1981, më 11 mars, mandej më 24 mars, si dhe më 1 e 2 prill, ndodhën me tërë masivitetin, duke inkuadruar më në fund në mesin e studentëve edhe klasën punëtore atë kohë.

Inkuadrimi nisi së pari individualisht me studentët, e u bë masovikisht me punëtorët e Kombinatit Ndërtimor “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Në ato ngjarje të rënda por të lavdishme në historinë e popullit tonë, pushteti vrau 9 demonstrues, plagosi 15, e me qindra arrestoi e burgosi, ndëshkoi e dënoi me vite e vite burg të rëndë politik.

Forcat e regjimit jugosllav patën dy të vrarë dhe 17 të plagosur./KultPlus.com

‘Vdiq Naimi, po kush mbeti? Si Naimi s’ka të tjerë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqiperi!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipetarka, shqipetare!

Naimne kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qare!

…………………………….

Vdiq Naimi, gjithè thone,

qani turq, qani kaure!

Bilbil’ i gjuhese tone

s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, qe lëvdoi

dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

152 vjet më parë lindi Sergei Rachmaninoff, kompozitori dhe pianisti më i madh i të gjitha kohërave

Sergei Rachmaninoff, një nga pianistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe një nga melodistët më të shquar ndër kompozitorë, lindi në afër Novgorodit, më 1 prill 1873 në një familje me tradita në muzikë.

Kur Sergei ishte nëntë vjeç, vështirësitë financiare e detyruan familjen të transferohej në Shën Petërsburg, ku ai mori mësime pianoje në konservator si dhe me Nikolai Zverev për tre vjet. Në 1888 Rachmaninoff filloi të studionte piano me Silotin dhe më pas edhe me Çajkovskin.

Edhe para diplomimit të tij si pianist në 1891, Rachmaninoff kishte kompozuar atë që do të bëhej vepra e tij më e njohur, Prelud në DO diesis minor. Diplomimi i tij si kompozitor erdhi në 1892: atij iu dha medalje ari për operën e tij “Aleko”, me një libret të përshtatur nga një vepër e Aleksandër Pushkin.

Ai njihej ndërkombëtarisht që në vitin 1899, kur drejtoi një koncert me veprat e tij orkestrale në Londër.

Rachmaninoff filloi në vitin 1900, Koncertin e tij të Dytë për Piano, një nga veprat më të shpeshta të interpretuara nga të gjitha veprat e këtij zhanër, duke e përfunduar vitin e ardhshëm, kur u kompozua edhe Sonata e tij për Cello.

Në vitin 1904 Rachmaninoff mori postin e dirigjentit në Opera Bolshoi në Moskë, duke përshpejtuar përfundimin e dy operave të tjera, “Francesca da Rimini” dhe “The Miserly Knight”, në vitin 1906.

Pas Revolucionit të Tetorit në 1917, Rachmaninoff vendosi se ai dhe familja e tij do të duhej të largoheshin nga vendi dhe ai shfrytezoi një ftesë për të performuar në Stokholm dhe Kopenhagë, e me pas u vendos në Amerikë në nëntor 1918.

Vdiq më 28 mars të vitit 1943, në Beverley Hills./atsh/KultPlus.com

“E kuqja e Onufrit”, projekti që lidh të rinjtë me artin bizantin

Në mjediset e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë u zhvillua faza e dytë e projektit “E kuqja e Onufrit”, aktivitet i cili realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Hapje e Dialog (COD).

Në këtë fazë të dytë, aktiviteti kaloi në trajtën praktike, ku u përfshinë nxënësit e talentuar të liceut artistik “Tefta Tashko Koço”. Ata skicuan dhe dizenjuan ikonat e realizuara nga mjeshtrat Onufri dhe Shpataraku. Më pas, të asistuar nga specialistët restauratorë të Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit në MKAM, të rinjtë mësuan metodën e aplikimit të fletëve të arit mbi vepër.

Në përfundim, u krye kalimi në fazën e studios, ku zuri fill procesi i realizimit të pikturave.

Faza e parë e projektit “E kuqja e Onufrit” u krye në muajin shkurt, kur liceistët vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar dhe morën pjesë në një orë të hapur, duke zbuluar bukurinë e artit bizantin dhe mjeshtrat shqiptarë të tij./atsh/KultPlus.com

Bismarck: Politika shkatërron karakterin

Otto von Bismarck ishte burrështetas prusian dhe kryeministri i parë i Perandorisë Gjermane. Është një nga më meritorët e bashkimit të shteteve gjermane, zhvillimit të hovshëm ekonomik të Gjermanisë një nga mjeshtrit më të mëdhenj të diplomacisë. Nga disa cilësohet si gjeni i politikës e nga të tjerët si demon i pushtetit. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet e tij.

• Kurrë mos beso gjë në politikë derisa nuk mohohet zyrtarisht!

• Bëhu i sjellshëm; shkruaj në mënyrë diplomatike; edhe në shpalljen e luftës dikush analizon rregullat e mirësjelljes!

• Me xhentëlmenin jam përherë xhentëlmen e gjysmë, e me një mashtrues tentoj të jem mashtrues e gjysmë!

• Kur dëshiron ta mashtrosh botën, thuaje të vërtetën!

• Të gjitha marrëveshjet me shtetet e mëdha pushojnë të jenë të detyrueshme kur vinë në konflikt me luftën për ekzistencë!

• Kur një burrë thotë se pranon diçka në parim, kjo do të thotë se nuk e ka as më të paktin synim për ta zbatuar atë në praktikë!

• Një ditë një luftë e madhe evropiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!

• Gazetari është personi që ka gabuar profesionin!

• Dashuria është e verbër, miqësia mundohet të mos shohë asgjë!

• Kushdo që flet për Evropën e ka gabim: është shprehje gjeografike!

• Oportunist është një njeri që kap rastin më të favorshëm për të arritur gjënë e nevojshme e të leverdishme. Kjo është edhe detyra e diplomacisë! /KultPlus.com

Artisti Arben Kastrati ironizon në ditën e gënjeshtrave: Gëzuar ditën tonë kombëtare 

Artisti Arben Kastrati ka ironizuar me datën e 1 prillit, që në popull njihet edhe si ‘dita e rrenave’. Ai me këtë rast ka uruar popullin shqiptar duke e quajtur si ditë kombëtare të popullit shqiptar.

Më poshtë po ju sjellim të plotë reagimin e tij.

Te dashur shqiptare!

Gezuar diten tone kombetare. 

Me respekt,

Arben I. Kastrati/ KultPlus.com

Seriali “Adoleshenca” do të shfaqet në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar për të treguar dëmtimin që sjellin mediat sociale

Prodhuesit e serialit të ri në Netflix “Adoleshenca” kanë filluar një bisedë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë, se si të mbrohen fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme në mediat sociale, dhe për këtë kanë marrë një iniciativë që ky serial të shfaqet në të gjitha shkollat e mesme që fëmijët ta shohin.

Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili i ka mirëpritur regjisorët të hënën për bisedime mbi mbrojtjen e fëmijëve, është shprehur se mbështet iniciativën nga Netflix për të transmetuar serialin falas në shkollat e mesme në të gjithë vendin.

Shfaqja, e filmuar në Angli, eksploron pyetjet e vështira që lindin kur një djalë 13-vjeçar akuzohet për therjen fatale me thikë të një vajze në shkollën e tij, dhe sa rol mund të kenë luajtur ndërveprimet në mediat sociale që janë kryesisht të padepërtueshme për prindërit dhe mësuesit.

Netflix thotë se që nga drama e nisur në mars, ajo ka grumbulluar 66.3 milionë shikime në mbarë botën dhe është bërë një nga serialet më të përfolura në Mbretërinë e Bashkuar.

Starmer tha se ishte e vështirë të shikonte dramën me vajzën e tij 14-vjeçare dhe djalin 16-vjeçar.

“Por shfaqja e dramës gjerësisht në shkolla “do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë ndikimin e mizogjinisë, rreziqet e radikalizimit në internet dhe rëndësinë e marrëdhënieve të shëndetshme”, tha zyra e tij.

“Duket sikur i gjithë kombi po flet për ‘Adoleshencën’ dhe jo vetëm ky komb. Si baba, nuk e kam pasur të lehtë ta shikoj këtë me fëmijët, sepse lidhet me frikën dhe shqetësimet që keni si prindër dhe të rritur”, tha Starmer.

Jack Thorne, një bashkë-skenarist në shfaqje, tha se mundësia për ta transmetuar serialin në shkolla ishte jashtë pritshmërive të tyre.

“Shpresojmë që do të bëjë që mësuesit të flasin me studentët, por ajo që ne me të vërtetë shpresojmë është se do të bëjë që studentët të flasin mes tyre”, tha ai

Aktori Stephen Graham, një bashkë-krijues i dramës, i cili luan rolin e babait të djalit, i ka thënë Associated Press se donte që rrëfimi të fokusohej në jetën në dukje të zakonshme të të akuzuarit.

Ai tha se kur ndodh një krim me thikë në mesin e të rinjve, reagimi i parë mund të jetë të vihet në dyshim historia e të dyshuarit për vrasje dhe si janë rritur ata.

“Po sikur të mos jetë familja?” pyeti Graham. “Ne jemi të gjithë ndoshta përgjegjës. Shkolla, shoqëria, prindërit, komuniteti”, tha ai.

Abuzimi seksual fëmijë-për-fëmijë

Soma Sara, e cila themeloi një shoqatë bamirësie të fokusuar në nxjerrjen në pah të dhunës seksuale ndaj fëmijës dhe asaj që ajo e quan “kultura e përdhunimit” në shkolla, tha se provat e fundit tregojnë se problemi është “plakja” tek fëmijët më të vegjël se 10 vjeç, dhe mund të jetë tepër vonë për të trajtuar qëndrimet mizogjene deri në kohën kur fëmijët mbushin 13 vjeç.

“Dëshmitë tregojnë se sa herët fillon kjo dhe se si fëmijët abuzojnë me fëmijët – ky është vetëm realiteti shkatërrues,” tha Sara.

Sara tha se ndalimi i mediave sociale mes fëmijëve, siç bëri Australia vitin e kaluar për ata nën 16 vjeç, nuk është pragmatike. Në vend të kësaj, grupi i saj po udhëheq programe arsimore në shkolla për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se si të vlerësojnë në mënyrë kritike pornografinë ose narrativat mizogjene ndaj të cilave ekspozohen.

“Ne mendojmë se hendeku i brezave nuk ka qenë kurrë më i madh. Prindërit duhet të jenë të arsimuar në mënyrë dixhitale dhe të kuptojnë të gjitha këto aplikacione – Snapchat, YouTube, Instagram, TikTok – sepse kjo është ajo që fëmijët tuaj po kalojnë orë të tëra duke lëvizur,” tha ajo.

Gavin Stephens, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë, paralajmëroi javën e kaluar se “efekti i dëmshëm i Tate është i dukshëm për t’u parë”.

Policia në MB tani po merret me më shumë se një milion krime që lidhen me dhunën ndaj grave dhe vajzave çdo vit, ose një e pesta e të gjitha krimeve të regjistruara.

“Ky është problemi i të gjithëve. Dhe kjo është ajo që thotë “Adoleshenca”: kur një fëmijë akuzohet, të gjithë duhet të përgjigjen,” tha Sara./apnews/KultPlus.com

Sylë Maxhera sjell librin më të ri “Në mes vargjesh”, promovimi në KultPlus Caffe Gallery

“Në mes vargjesh” është libri më i ri i autorit Sylë Maxhera që do të promovohet më 2 prill, prej orës 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Ky libër me poezi shpërfaqë ndjenjat, jetën dhe artin përmes vargjeve.

Autori Sylë Maxhera sjell botën e tij poetike, duke i dhuruar lexuesit një udhëtim emocional dhe reflektues./ KultPlus.com

1080,1594,0,0.45,-1

96 vite nga lindja e shkrimtarit Milan Kundera

Si sot në vitin 1929 në Çeki të perandorisë komuniste të lindjes erdhi në jetë Milan Kundera. Kundera vetë shpesh bënte shaka që kishte lindur në ditën e gënjeshtrave. I dukej ironike pasi ai ishte një romancier. Por që e donte tepër muzikën…E deshi dhe gjuhën frënge, aq sa pasi u zhvendos në Francë nguli këmbë që gjithë vepra e tij të kategorizohej si letërsi franceze.

Profesioni i tij në njëfarë mënyre ishte të thoshte gënjeshtra, të rrëfente histori të bukura, të joshte dhe të gënjente njerëzit. Kjo dhe e bënte të qeshte. Gënjeshtra. Kundera ka shkruar shumë libra me ese(Testamentet e tradhtuara, Një takim), Kundera ka shkruar shumë romane (Lehtësia e padurueshme e qenies, Shakaja) por asnjëherë nuk i është afruar poezisë. Publicistikës dhe politikës po. Disa nga librat e tij më të mirë hapen me anekdota politike (Libri i të qeshurit dhe harresës) ose ka shkruar mirëfilli për politikë (Një perëndim i rrëmbyer).

Arsyeja, si e thashë më herët, është se Kundera nuk është shkrimtar, është romancier. Për të nuk ka rëndësi përmbajtja sa forma, subjekti sa kompozimi, realizimi i idesë sa ideja. Kundera është një romancier i kursyer në fjalë por krenar që është i tillë në traditën e romanit të madh. Orhan Pamuk thotë se për Kunderën nuk ka rëndësi forca apo shkëlqimi i pikëpamjeve të tij sa zemërimi, ose, më mirë mënyra e të shprehurit të tyre nepërmjet zemërimit. Kundera e vë veten në të njëjtin rang me Servantesin dhe Kafkën. Dhe ka të drejtë.

“Lehtësia” është një kryevepër e letërsisë botërore por jo më shumë se “Pavdekësia” apo “Ngadalësia”. Që nga viti i kaluar letërsia botërore ka një gjeni më pak. Historia e letërsisë fitoi një figurë të re në panteonin e saj, në panteonin e artistëve të jashtëzakonshëm./KultPlus.com

Culturalb, projekti që do të çojë kulturën shqiptare në botë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka prezantuar në rrjetet sociale projektin më të ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Projekti mban emrin “Culturalb” – Kultura shqiptare udhëton botën.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon të çojë në qytete të ndryshme të botës, kulturën shqiptare, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime etj.

Këto ngjarje kulturore do të përfshijnë etnografinë, kinemanë, letërsinë, fotografinë, muzikën, dizajnin e historinë. Arti shqiptar do të udhëtojë në Greqi, Hungari, Itali, Gjermani, Spanjë, Angli, Zvicër, SHBA, Gjermani etj.

“Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare meritojnë të jenë pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron. Me Culturalb, arti dhe kultura shqiptare nuk kanë kufij”, u shpreh ministri i MEKI-t, Gonxhja./atsh/KultPlus.com

82 vite nga lindja e Rikard Ljarja, aktori ikonë në kinematografinë shqiptare

Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.

Pas diplomimit, punoi për 8 vjet me radhë si aktor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej vitit 1996 deri në 2002, kur doli në pension, shërbeu si drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Aktori karizmatik, realizues i sa e sa roleve, ka mbetur në kujtesën e publikut si fillrojtësi Dedë tek “Rrugë të bardha”, mësuesi Dritan Shkabaj tek “Komisari i dritës” apo Skënderi tek “Duel i heshtur”.

Rikard Ljarja mbetet ende një prej aktorëve më të dashur prej publikut. / KultPlus.com

16 vite nga hyrja e Shqipërisë në NATO

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. / KultPlus.com