Shengyl Ismaili shpallet ‘Aktorja më e mirë’ në SEE Film Festival

Aktorja Shengyl Ismaili është nderuar me çmimin “Aktorja më e mirë” në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit SEE Film Festival, përcjell KultPlus

Ajo fitoi këtë vlerësim të rëndësishëm për rolin e saj në filmin “Okarina”, me regji nga Alban Zogjani.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e aktores Shengyl Ismaili:

Me filmin ”OKARINA” fitova cmimin Aktorja me e mire e festivalit “SEE FILM FESTIVAL” te edicionit te 15, e pranoj me shume mirenjohje e dashni!

Falenderim i vecant i shkon regjisorit Alban Zogjani qe ma besoj ket rol e qe nuk u pendu ( BESOJ) si dhe kolegeve te mi te filmit Jehon Gorani, dhe Kastriot Shehi.

Ky cmim eshte per ekipin, per perkushtimin, per artin tone qe nuk njef kufi!/KultPlus.com

Përfshirja e Vjosës në trashëgiminë botërore të UNESCO-s, Kumbaro: Vendimi zyrtar pritet në shtator

Lumi Vjosa, i njohur si lumi i fundit i egër në Europë, pritet të përfshihet në listën e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, si pjesë e programit ndërkombëtar “Njeriu dhe biosfera”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi të zhvilluar në Nice mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, një mbështetëse e vazhdueshme e Shqipërisë dhe e përpjekjeve të saj për mbrojtjen e pasurive kulturore dhe natyrore.

“Audrey Azoulay, një mikeshë e vyer e Shqipërisë me të cilën kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e kulturës. Tani po kurorëzojmë një tjetër arritje të përbashkët: përfshirjen e Vjosës në trashëgiminë e UNESCO-s, si simbol i harmonisë mes natyrës dhe njeriut”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kumbaro shtoi se vendimi zyrtar për përfshirjen e Vjosës pritet në shtator, çka do ta bëjë këtë zonë unike natyrore pjesë të listës prestigjioze të trashëgimisë botërore.

Ky do të jetë një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, duke e përforcuar statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës si i pari i këtij lloji në Europë.

Lumi Vjosa është i njohur si “lumi i fundit i egër në Europë”, pasi rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.

Lugina e Vjosës është një ekosistem unik, që përfshin habitate të ndryshme si pyje, ishuj ranorë dhe toka bujqësore, më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, është një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian./atsh/KulPlus.com

Më 13 qershor promovohet libri më i ri i autorit Ballsor Hoxha ‘Sytë e zinj të Borës,

Më 13 qershor do të mbahet promovimi i librit më të ri të autorit Ballsor Hoxha, me titull “Sytë e zinj të Borës”, përcjell KultPlus.

Promovimi so të mbahet nga ora 18:00, në Librarinë Dukagjini në Prishtinë.

Gjatë promovimit do të ketë diskutime nga tre panelistët nga fusha akademike dhe letrare: Edona Llukaçaj, Bardh Rugova dhe Agron Gashi. Po ashtu, në diskutim do të marrë pjesë edhe vetë autori Ballsor Hoxha./KultPlus.com

Google nis testimin e funksionit “Search Live”

Pas prezantimit në konferencën I/O 2025, Google ka filluar testimin e funksionit të ri “Search Live” në modalitetin AI të aplikacionit të tyre për Android dhe iOS, raporton 9to5Google.

Ky opsion shfaq një formë valëzuese me yll nën shiritin e kërkimit dhe një buton të ri rrethor gjatë bisedave me AI, duke zëvendësuar Google Lens. Ndërfaqja mbulon ekranin me opsione “Mute” dhe “Transcript”, dhe pas pyetjes shfaq karusel me faqet e përdorura për përgjigjen.

Përdoruesit mund të vazhdojnë bisedën në sfond, ndërsa opsioni i kamerës nuk është ende aktiv. Funksioni do të shpërndahet gradualisht për përdoruesit./KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Shpallet ‘Aktori më i mirë’, Afrim Muçaj për KultPlus: Ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik

Aktori i njohur kosovar Afrim Muçaj është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival, i cili u mbajt në Paris, shkruan KultPlus.

Muçaj mori këtë vlerësim për rolin e tij kryesor në filmin “Everybody Calls Redjo”, një prodhim i cili po tërheq edhe vëmendjen ndërkombëtare.

Pas këtij çmimi, Afrim Muçaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar me këtë vlerësim.

“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin ‘Everybody Calls Redjo’ është vlerësuar me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris”, theksoi Muçaj.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e punës ekipore dhe dedikimit që qëndron pas këtij filmi.

“Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron”, tha ai teksa shtoi se momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë.

Ai më tutje e përshkroi çmimin si një shtysë për të vazhduar rrugëtimin artistik me më shumë përkushtim.

“Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, përfundoi Muçaj për KultPlus.

Ndërkaq, filmi “Everybody Calls Redjo” është një dramë sociale e ndërtuar rreth jetës së një të riu që lufton me paragjykimet, vetëpranimin dhe raportet familjare në një mjedis të ngarkuar emocionalisht.

Roli i Redjos, i interpretuar nga Afrim Muçaj, është një portretizim kompleks i një individi që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri që shpesh refuzon të kuptojë ndjeshmërinë dhe dallueshmërinë.

Me regji nga Ibër Deari, në filmi “Everybody Calls Redjo” luajnë edhe aktorër Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com

Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival në Paris

Aktori kosovar, Afrim Muçaj është shpallur ‘Aktori më i mirë’ në festivalin ‘See Film Festival’ në Paris, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Ibër Deari në profilin e tij në Facebook.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e Dearit:

Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival 2025 – Paris

Jam i lumtur dhe krenar të ndaj me ju lajmin se aktori Afrim Muçaj, në rolin e Rexhes, Everybody Calls Redjo është shpallur “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris

Ooo Rexhep Nushi urime çmimin, shume i lumtur për ty.

Faleminderit jurisë prestigjioze dhe të gjithë atyre që besuan në këtë histori. Juria ndërkombëtare e përbërë nga:
Frosa Pejoska-Bouchereau (kryetare),
Madalina Vartejanu-Joubert,
Igor Stanković,
Frederic Fappani von Lothringen,
Yves Rousslet,/KultPlus.com

Çfarë pritet të ndodhë në Javën Kulturore Suedeze

Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikprerë kulturën e artin suedez, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më 13 qershor, Nina Wedberg Thulin dhe Maria Backman, do të çelin ekspozitën përfshirëse “Fleeing”.

Një natë më pas, do të ketë një koncert me muzikë klasikë, i cili do të zhvillohet në Teatrin e Metropolit.

Ruajtja e së kaluarës dhe formësimi i së ardhmes, do të jetë një tjetër aktivitet i cili do të zhvillohet tek Kube, në Gjirokastër.

Ky aktivitet, që do të zhvillohet më 16 qershor do të jetë një takim mes kulturës shqiptare dhe asaj suedeze në qytetin historik të Gjirokastrës, për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe bashkëpunimin.

Performanca e këngëtares Jenny nga grupi legjendar Ace of Base do të jetë kulminacioni i Javës Kulturore Suedeze, me një super performancë live që do të elektrizojë sheshin “Skënderbej” mbrëmjen e datës 17 qershor.

Dhe në 18 qershor do të ketë aktivitete kushtuar përdorimit të biçikletës nën moton “Së bashku për një Shqipëri më të gjelbër & më të sigurt”.

Me pak fjalë, Java Kulturore Suedeze do të jetë e mbushur me art, muzikë, trashëgimi kulturore dhe aktivizëm qytetar./KultPlus.com

Fjalimi i fuqishëm i nobelistit José Saramago për gjyshërit

Jose Saramago

Njeriu më i mençur që kam njohur në këtë botë, nuk dinte as të lexonte edhe as të shkruante. Në orën 4 të mëngjesit, kur sapo niste të zbardhte dita, ai zgjohej dhe shkonte në arë për të ushqyer disa derra, pjelloria e të cilëve ushqente atë dhe gruan e tij. Prindërit e nënës sime jetuan në këtë varfëri, në fermën e vogël të derrave, të cilët pasi rriteshin u shiteshin fqinjëve në fshatin tonë Azinhaga në provincën Ribatejo. Gjyshërit e mi ishin Jerónimo Meirinho dhe Josefa Caixinha dhe ishin të dy ishin analfabetë. Gjatë dimrit, kur i ftohti i natës arrinte të ngrinte edhe ujin në depozitat brenda shtëpisë, ata shkonin në stallë, merrnin në krahë derrat më të vegjël dhe i shtrinin në shtratin e tyre bashkëshortor. Ngrohtësia njerëzore i shpëtonte kafshët e vogla nga ngrirja, dhe shmangte ngordhjen e tyre të sigurt. Edhe pse ishin që të dy njerëz të sjellshëm, nuk ishte shpirti i dhimbsur ai që i shtynte të vepronin ashtu. Pa sentimentalizëm apo retorikë, ajo që u interesonte ishte mbrojtja e bukës së tyre të përditshme. Siç është e natyrshme për njerëzit, që për të mbijetuar nuk mendojnë për asgjë tjetër përveç asaj që është e domosdoshme. Dhe ndonjëherë gjatë netëve të nxehta të verës, gjyshi më thoshte pas darke: “José, sonte le të flemë të dy nën pemën e fikut”. Në fermë ishin edhe dy pemë fiku, por ai që ishte më i madhi sepse ishte më i vjetri, kishte qenë gjithmonë fiku për të gjithë anëtarët e familjes. Kur gjumi vononte të më zinte, mbrëmja ime mbushej me histori dhe ngjarje që më tregonte gjyshi:legjenda, ngjarje të tmerrshme, episode të veçanta, vdekje të lashta, luftime me shkopinj dhe gurë, fjalë të urta të paraardhësve tanë, një mori e madhe kujtimesh që më mbanin zgjuar dhe në të njëjtën kohë më ndihmonin më flija. Unë nuk mund ta dija nëse ai ndalonte së foluri kur e kuptonte se më kishte zënë gjumi, apo nëse ai vazhdonte të më tregonte gjëra në mënyrë që të mos linte në mes përgjigjen që unë nxisja pa pushim në pauzat më të gjata që ai krijonte qëllimisht gjatë rrëfimit të historive:“Po pastaj”? Ndoshta ai i përsëriti historitë për veten e tij, si një mënyrë për të mos i harruar ato, apo edhe për t’i pasuruar me detaje të reja. Në atë moshë, siç të gjithë kemi bërë, ndoshta nuk është nevoja të them por e imagjinoja gjyshin tim Jeronimo si padronin e të gjitha njohurive të botës. Kur në agimin e parë të dritës së ditës së re, më zgjonte kënga e zogjve…Gjyshja ime, të cilën e kishte zgjuar gjyshi im por që ishte ngritur para tij, më vendoste një tas të madh me kafe me disa copa bukë dhe më pyeste nëse kisha fjetur mirë. Nëse i tregoja asaj ndonjë ëndërr të keqe që vinte nga tregimet e gjyshit, ajo me qetësonte gjithmonë: “Mos i kushto aspak vëmendje, në ëndrra nuk ka asgjë të qëndrueshme”. Vetëm shumë vite më vonë, kur gjyshi im u largua nga kjo botë, dhe unë isha tashmë një burrë, e kuptova më në fund se tek e fundit edhe gjyshja ime besonte tek ëndrrat. Nuk kishte sesi të ishte ndryshe, pasi isha ulur një mbrëmje para derës së shtëpisë së saj të varfër, ku ajo jetonte tashmë vetëm, duke treguar me dorë yjet e mëdhenj dhe të vegjël mbi kokën e saj, më tha këto fjalë: “Bota është kaq e bukur dhe është mëkat që ne duhet të vdesim”! Ajo nuk tha se kishte frikë nga vdekja, por tha se ishte për të ardhur keq që ekzistonte vdekja, a thua se jeta e saj e vështirë përmes punës së vazhdueshme, pikërisht në momentet afër fundit, po merrte hirin e një lamtumire supreme, ngushëllimin e një bukurie të ri-zbuluar. Ajo ishte ulur para derës së një shtëpie që nuk mund ta imagjinojë askush tjetër në botë, sepse në të jetonin njerëz që mund të flinin me derrat si të ishin fëmijët e tyre, njerëz të cilëve u vinte shumë keq të largoheshin nga jeta pikërisht sepse bota është e bukur. Dhe ky ishte Jeronimo, gjyshi im, bari derrash dhe tregimtar historish, që duke ndjerë vdekjen që vinte, shkoi për t’i thënë lamtumirë pemëve në oborr një nga një, duke i përqafuar dhe duke qarë sepse e dinte që nuk do t’i shihte më kurrë. Shumë vite më vonë, duke shkruar për herë të parë për gjyshin tim Jeronimo dhe gjyshen time Josefa, më në fund isha i ndërgjegjshëm se po i transformoja njerëzit e zakonshëm ashtu siç ata ishin në personazhe letrarë, dhe se kjo ishte ndoshta një mënyrë për të mos i harruar ata, duke vizatuar dhe ri-vizatuar fytyrat e tyre me lapsin që e ndryshon gjithmonë kujtesën, duke ngjyrosur dhe ndriçuar monotoninë e një rutine të përditshme pa horizont, gati si për të krijuar në hartën e paqëndrueshme të kujtesës, një realitet të mbinatyrshëm të vendit në të cilin ata vendosën të jetonin. Tani mund t’i shoh qartë ata që ishin mësuesit e mi të jetës, ata që më mësuan më intensivisht punën e vështirë të të jetuarit …

(Stokholm, 10 dhjetor 1998)/Hejza / KultPlus.com

ChatGPT përballet me ndërprerje globale me shërbime të ndërprera

Chatbot-i i inteligjencës artificiale i OpenAI, ChatGPT, së bashku me shërbimet e tij të lidhura, përjetuan një ndërprerje të gjerë sot, duke lënë mijëra përdorues në të gjithë globin të paaftë për të hyrë në platformë, sipas raporteve të përdoruesve dhe faqes së statusit të kompanisë, transmeton Anadolu.

Downdetector, një shërbim që monitoron ndërprerjet e faqes së internetit, raportoi një rritje të ndjeshme të ankesave të përdoruesve, me mijëra në nivel global që përmendin probleme në aksesin në ChatGPT, përfshirë mesazhe gabimi dhe kohë të ngadaltë përgjigjeje.

Të dhënat e faqes treguan një rritje të konsiderueshme të raporteve të ndërprerjeve, megjithëse është e paqartë nëse të gjithë përdoruesit u prekën.

Ndërprerja ndikoi gjithashtu në shërbimet e lidhura, me OpenAI që pranoi problemin në faqen e saj të statusit, duke deklaruar: “Disa përdorues po përjetojnë shkallë të larta gabimesh dhe vonesa në të gjitha API-të, ChatGPT dhe Sora”.

Kompania tha se po heton në mënyrë aktive, por nuk ka dhënë një afat kohor për zgjidhjen./KultPlus.com

Edhe unë

Poezi nga Langston Hughes
Përkthimi: Rozafa Kelmendi

Edhe unë, këndoj Amerikë.

Unë jam vëllau i errët,
më dërgojnë të ha në kuzhinë
kur vijnë miqtë.
Por unë qesh,
dhe ha mirë
dhe rritem e bëhem i fortë.

Nesër,
unë do të jem në tryezë
kur vijnë miqtë.
Askush nuk do të guxojë
të më thotë
“Ha në kuzhinë”
pastaj.

Përveç kësaj,
ata do të shohin se sa i bukur jam
dhe do t’u vie turp.

Edhe unë jam Amerikë.

Poezi e botuar në vitin 1926
Autori reciton vargjet:
Artisti: Langston Hughes
Albumi: The Voice of Langston (Zëri i Langston)/KultPlus.com

“Dea Open Air”, edicioni i 12-të i festivalit nis me shfaqjen e filmit “Vdekja le të presë”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” nisi edicionin e tij të 12-të në mjediset e Universitetit të Arteve.

Pas ritualit të kalimit në tapetin e kuq të dashamirësve të kinematografisë, pjesëmarrësit dhe të ftuarit në këtë ngjarje me rëndësi, i përshëndeti drejtori i festivalit, Edmond Topi.

“Prej dymbëdhjetë vitesh “Dea” i ka qëndruar besnik misionit të vet: promovimit të kinemasë me përmbajtje, pasion dhe integritet. Edhe motoja e këtij edicioni, “Kinemaja si integritet”, nuk është një thirrje abstrakte, por një qasje dhe nevojë në kohët që po jetojmë”, tha Edmond Topi. Drejtorja Artistike e Festivalit, Mirela Oktrova iu referua rolit shoqëror të kinemasë dhe kontributit të festivaleve të filmit në shoqëri.

“Dea zgjedh të mbështesë, shfaqë dhe promovojë një kinema që flet për njeriun, për të vërtetën dhe për guximin e tij, për të thënë atë që duhet dhe jo atë që shitet më shpejt apo më shumë”, u shpreh Oktrova.

Konkurimi në këtë festival zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, ku marrin pjesë 6 filma nga: Shqipëria, Brazili, Maqedonia, Italia, Polonia dhe Turqia, në Seksionin e Filmit Studentor, me 13 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër ku garojnë 19 filma nga 15 vende të botës.

Edicioni i 12-të i “Dea Open Air” u hap me një shfaqje filmi jashtë konkurrimit, për shkak të autorësisë së organizatorëve të festivalit në të.

Filmi “Vdekja le të presë”, me skenar të Uli Bree, regji të Edmond Topit dhe pjesëmarrjen e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, është një komedi romantike, por njëkohësisht dhe një film qe trajton tema me rëndësi për shoqërinë. Ai synon të rikthejë vëmendjen e shoqërisë ndaj moshës së tretë, duke e paraqitur atë jo thjesht si një grup të pambrojtur, por para së gjithash, si një komunitet aktiv dhe kontribues në jetën shoqërore është njëkohësisht edhe një homazh për njërën prej ikonave më të spikatura të kinematografisë shqiptare, aktoren Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta vetëm para pak kohësh./atsh/KultPlus.com

Edhe kur flemë

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Edhe kur flemë ne mbrojmë njëri-tjetrin
Mbrojmë dashurinë më të rëndë se fryti i pjekur,
Dhe kjo dashuri pa lot e të qeshur zgjat shekuj,
Zgjat ditë pas dite e natë pas nate pas nesh./KultPlus.com

“Letërsia dhe kufijtë”, QKLL promovon poezinë

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nisi një cikël takimesh me temë “Letërsia dhe kufijtë” me në fokus letërsinë e qytezave.

Ky cikël nisi nga Vau i Dejës me poetet Valbona Mulaj Lluka dhe Melita Vjerdha, dy poete të cilat jetojnë dhe krijojnë aty. Rita Petro nga Tirana ishte e ftuara speciale e takimit e cila ndau me të pranishmit pikëpamjet e saj mbi letërsinë e sotme dhe jo vetëm. Pjesë e takimit ishin dhe dy poetet e mirënjohura Arjola Zadrima dhe Mimoza Rexhvelaj dhe gjithashtu zonja të qytetit Vau i Dejës të cilat lexuan poezi dhe bashkëbiseduan me poetet e panelit.

QKLL bëri të ditur se takimet e ciklit “Letërsia dhe kufijtë” do të vijojnë përgjatë muajit qershor në Gramsh, Roskovec etj.

Ndërkohë, në mjediset e QKLL u promovua libri më i ri me poezi nga Alban Bala me titull “Puthlutja ime”. Gjatë aktivitetit promovues ishte i pranishëm kritiku Agim Baçi. QKLL e vlerësoi “Puthlutjen” si një vëllim interesant me përjetimet personale të autorit mbi temën e dashurisë, jetës, ekzistencës dhe Zotit. Alban Bala është edhe autor i librave “Orët e shtëpisë” dhe “Ikje nga shtrati”.

Shkëputur nga poezia “Në oborrin e Rushës”:

Të pashë vajzuke, dritë,
veshur në të bardha,
zbrisje shkallët prej guri të kujtesës.
Të prita sa me të thanë “më ka marrë malli”
ti heshte gjer tani dhe unë u zbardha./KultPlus.com

Doli numri i parë i revistës shkencore “Journal of Kosovo Music and Culture”

Ka dalë nga shtypi numri i parë i “Journal of Kosovo Music and Culture”, një revistë shkencore e re që synon të ndriçojë trashëgiminë muzikore dhe kulturore të Kosovës përmes studimeve të mirëfillta akademike. Revista, e cila botohet në gjuhën angleze me qasje të hapur, publikohet dy herë në vit nga Genc Bilge (Young Wise) Publishing Ltd, me seli në Turqi.

Në numrin e parë prezantohen katër artikuj shkencorë dhe dy recensione që trajtojnë tema të rëndësishme të historisë, etnomuzikologjisë dhe kulturës muzikore të Kosovës:

• Prof. ass. dr. Rreze Kryeziu Breznica paraqet një pasqyrë të literaturës mbi muzikën artistike në Kosovë gjatë viteve 1975–2015, duke theksuar sfidat e dokumentimit të saj akademik.

• Prof. asoc. dr. Bekim Ramadani analizon figurën dhe kontributin e Lorenc Antonit, një nga personalitetet më të shquara të muzikës shqiptare.

• Prof. ass. dr. Krenar Doli trajton ndjeshmërinë emocionale të këngëve të migrimit dhe rolin e tyre si pasqyrë e realitetit shoqëror në Kosovë.

• Prof. asoc. dr. Holta Kilica sjell një analizë të detajuar mbi jetën dhe veprën e Avni Mulës, një ndër emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare.

Përveç artikujve studimorë, në këtë botim janë përfshirë edhe dy recensione të veprave të rëndësishme:

• Një shqyrtim i librit “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” nga prof. asoc. dr. Albin Sadiku.

• Një analizë mbi veprën e kompozitorit Alus Nus “The Voice of Our Ancestors in the Balkans”, realizuar nga prof. asoc. dr. Hasan Said Tortop.

Revista “Journal of Kosovo Music and Culture” është një nismë e rëndësishme për dokumentimin dhe promovimin e kulturës muzikore të Kosovës, me qëllim që të shërbejë si referencë për studiuesit dhe studentët, si dhe të kontribuojë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe trashëgimisë muzikore në rajon./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë

Sot janë bërë 147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona.

“Më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se sot nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës”, është shprehur Osmani./KultPlus.com

neoFILMS bën histori: Pjesëmarrje e suksesshme në Cannes dhe prezantim i dy projekteve në Annecy Film Festival

Pas një prezantimi të suksesshëm në Marketin e Festivalit të Filmit në Cannes, neoFILMS vazhdon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare me pjesëmarrjen aktuale në Annecy International Animation Film Festival – festivali më i madh në botë për animacionin. neoFILMS bëhet kështu kompania e parë shqiptare që prezantohet në këtë ngjarje prestigjioze me dy projekte të metrazhit të gjatë dhe që eshte perfaqesimi i vetëm i Kosovës në këtë skenë globale të animacionit.

Publikohet teaser-i i “Minibeast”

neoFILMS ka publikuar teaser-in zyrtar për filmin e dytë të animuar të metrazhit të gjatë, “Minibeast”, një projekt ambicioz CGI me buxhet prej 10 milionë eurosh, i cili pritet të debutojë në kinematë ndërkombëtare në vitin e ardhshme.

Dy projekte gjigande në zhvillim

Studioja është aktualisht në faza të ndryshme të zhvillimit për dy filma të mëdhenj:

• “ZHAK” – një aventurë epike CGI me buxhet rreth 20 milionë euro, tashmë në përfundim e sipër.

• “Minibeast” – një histori magjike e mbushur me aventura e stili cartoon konceptuar per grupmosha te vogla.

Të dy projektet janë krijuar me teknologjinë më të avancuar CGI dhe janë menduar për RealD 3D dhe IMAX, me plane për premiera ndërkombëtare, përfshirë edhe Los Angeles.

Rreth “Minibeast”

Kur prindërit e tij rrëmbehen nga krijesa misterioze nga një dimension tjetër, një dhelpër e guximshme – Minibeast – nis një udhëtim përmes shtatë universesh të panjohura, në kërkim të familjes së tij. I pajisur me një rrotë magjike të ndërtuar nga prindërit e tij, ai sfidon botë të çuditshme, përbindësha të frikshëm dhe sekrete të lashta për të zbuluar të vërtetën.

Vizioni i krijuesve

Të dy filmat janë ideuar dhe realizuar nga Dalip Gashi dhe Ilirjana Bejta, bashkëregjisorë dhe bashkëskenaristë, që po sjellin në jetë dy rrëfime me potencial të fuqishëm ndërkombëtar.

Rreth neoFILMS

Me bazë në Prishtinë, neoFILMS është themeluar qe nga viti 2015, një studio e specializuar në animacion full CGI dhe efekte vizuale të avancuara. E përkushtuar ndaj risisë teknologjike dhe tregjeve globale, studio po vendos themele të reja për industrinë e animacionit shqiptar në skenën botërore. Tash e nëntë vite neoFILMS ka shkolluar dhe avancuar të rinjë dhe ju ka mundësuar të shohin një perspektivë tjetër të industrisë së filmit. Duke u bërë kështu një portë e madhe në mes Kosovës dhe industrisë së filmit global./KultPlus.com 

Teaser-in për “Minibeast” mund ta shikoni këtu:

👉 Breakedown i ZHAK mund ta shihni këtu:

👉 Prezantimin e një karakteri mund ta shihni këtu:

147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky ishte këndvështrimi i Mid’hat Frashërit

Më 10 qershor 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

U promovuan tre librat e Sabri Hamitit: “Prishtina mon amour”, “Maja” dhe “Kanoni letrar”

Tre libra të shkrimtarit Sabri Hamiti janë promovuar gjatë ditës së sotme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e shkrimtari për adhuruesit e tij ka sjell titujt: “Prishtina mon amour”, “Maja” dhe “Kanoni letrar”. 

Më këtë prurje letrare shkrimtari ka ardhë me poezi, dramë e kritikë letrare. 

“Prishtina mon amour” – një antologji poetike që i kushtohet Prishtinës si hapësirë identitare, kulturore dhe shpirtërore. Përmbledh poezi nga shtatë libra të mëhershëm të autorit, duke sjellë figura dhe fenomene kyçe të kryeqytetit në një rrëfim poetik liriko-metafizik.

“Maja” – dramë në tri akte e dy kohë, e shkruar më 2007 dhe botuar tani për herë të parë. Tematizon luftën për çlirimin e Kosovës përmes historisë së një artist të kthyer në luftëtar që bie dëshmor në betejën për liri. 

“The Literary Canon” – përmbledhje tekstesh kritike në gjuhën angleze, frënge dhe sllovene, përzgjedhur nga botimet e tij të 25 viteve të fundit. 

Ndërkohë për kirjimtarinë e shkrimtarit me kumtesa janë paraqitë: Muhamet Hamiti e Nysret Krasniqi./ KultPlus.com 

Syt’ e Lumtur

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ishe vogeloshe…isha mituri…
Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perendimi me te vagelluar
Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar.
Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur,
shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur.
Kur me pe se pari, more-e m’u largove,
Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove,
Kur me pe se treti, more-e me pushtove,
Te putha ne gushe, ti m’u turperove,
Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com

Një shfaqje “e gjelbër” nga Izraeli në Teatrin e Kukullave

Java Kulturore Izraelite nisi dje, në Teatrin e Kukullave, me një udhëtim përmes magjisë që sjell loja me kukulla.

“When All Was Green” ishte shfaqja që rrëfeu, pa asnjë fjalë, por me shumë ndjenjë, historinë e një djali dhe një peme që sfidojnë bashkë botën gjithnjë e më të betonizuar, me rrënjët e shpresës që nuk shuhen kurrë.

Pas shfaqjes, artistët ndanë me publikun prapaskenat e krijimit të veprës së tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të kureshtarëve të vegjël dhe të gjithë pjesëmarrësve që e përjetuan me emocione këtë histori pa fjalë.

“When All Was Green” u realizua nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha. Duke përdorur libra të vjetër, kopertina të ricikluara dhe faqe të zverdhura, artistët ndërtojnë një univers ku fëmijëria dhe natyra takohen me betonin e gri të qyteteve moderne. Me 16 çmime ndërkombëtare dhe me turne në më shumë se 30 vende të botës, kjo shfaqje prek çdo publik pa përjashtim, sepse përçon mesazhe të thella pa asnjë fjalë, duke komunikuar përmes emocioneve dhe artit të lëvizjes.

Aktiviteti tjetër i Javës Izraelite do të jetë më 11 qershor, te instalacioni Reja, ku do të zhvillohet koncerti i “Orphaned Land”, një nga legjendat më të shquara të rock-ut izraelit.

Java Kulturore Izraelite do të mbyllet më 12 qershor, me baletin modern “I carry you hold” nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton që do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky duet eksploron marrëdhëniet midis një gruaje dhe një burri ku nuk ekziston pushteti apo nënshtrimi. Bëhet fjalë për një dialog trupor të ndërtuar me delikatesë dhe intensitet, që reflekton mbi barazinë, ndjeshmërinë dhe emancipimin./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare për Dialog midis Qytetërimeve

Për herë të parë, Kombet e Bashkuara kremtojnë Ditën Ndërkombëtare për Dialog midis Qytetërimeve.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh me këtë rast se Kombet e Bashkuara ngrihen mbi një bindje themelore se, dialogu është rruga drejt paqes. Ndërsa bota përballet me kriza të shumta zhvillimi, besimi dhe qeverisjeje, njerëzimi qëndron në një udhëkryq historik, duke u përballur me paqëndrueshmëri dhe transformim në rritje.

OKB thotë se, nevoja urgjente për solidaritet, dialog dhe bashkëpunim nuk ka qenë kurrë më evidente. Dialogu midis qytetërimeve mbetet mënyra më efektive për të eliminuar diskriminimin dhe paragjykimin, për të nxitur mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, për të forcuar marrëdhëniet midis kombeve dhe për të përforcuar solidaritetin global.

Dialogu midis qytetërimeve jo vetëm që nxit ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e vlerave universale të njerëzimit, por gjithashtu promovon bashkëjetesën paqësore të bazuar në respektin reciprok.

Dita Ndërkombëtare e Dialogut midis Qytetërimeve ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për vlerën e diversitetit të qytetërimeve dhe për të promovuar dialogun, respektin reciprok dhe solidaritetin global, duke nxitur një botë më harmonike dhe të ndërlidhur./atsh/KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Dr. Bujar Bukoshit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Dr. Bujar Bukoshi, një prej figurave kyçe të historisë politike të Kosovës në vitet e 90-ta.

Në mesazhin e saj drejtuar familjes Bukoshi, Presidentja Osmani e cilëson Dr. Bukoshin si një mjek me vizion dhe burrë shteti me përkushtim të pashoq, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën më të vështirë për popullin e Kosovës.

“Ish-kryeministri në ekzil do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se Dr. Bukoshi i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri për dekada me radhë, duke mbetur një ndër figurat e rëndësishme në historinë moderne të Kosovës. Në këtë moment të dhimbshëm, Presidentja ka shprehur solidaritetin e saj me familjen, duke i inkurajuar që të gjejnë forcë në përballimin e kësaj humbjeje.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Dr. Bujar Bukoshin,” përfundon mesazhi i saj./KultPlus.com

91 vite nga lindja e artistit shqiptar, Sotir Capo

Sotir Capo ka qenë piktor i shquar shqiptar, i cili u nderua me titullin “Artist i merituar”, shkruan KultPlus.

Lindi në qyetin e Beratit në qershor të vitit 1934, ku edhe i mori mësimet e para për të vazhduar studimet në Tiranë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Punoi si skenograf dhe mësues vizatimi, në shkollat tetëvjeçare të Beratit.

Capo është shquar si njëri nga portretistët më të njohur të Shqipërisë. Ai ka punuar portrete të figurave të shquara kombëtare, po ashtu punimet e tij janë zhgjedhur për të qëndruar në hapësirat e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Pikturat e Capos janë vlerësuar nga shumë kritikë brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.

Në vitin 1979 Capo mori titullin e lartë “Artist i merituar”.

Sotir Capo vdiq më 3 mars të vitit 2012 në Filadelfia. / KultPlus.com