Vjen në formatin video-poezi, ‘Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit’ nga Shpëtim Selmani

Publikohet në formatin video-poezi, poezia e Shpëtim Selmanit, ‘Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit’, poezi kjo e shkruar gjatë kohës së studimeve të poetit, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë aktori Afrim Muçaj përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, duke e shpërndarë videon së bashku me një mbishkrim.

Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit.

poezi e Shpetim Selmani“, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Vjen në formatin video-poezi, ‘Vdekja e aktorit’ nga Bekim Lumi

Në ditëlindjen e aktorit dhe regjisorit Bekim Lumi, është publikuar në formatin video-poezi, poezia e tij ‘Vdekja e aktorit’, përcjell KultPlus.             

Njoftimin e ka bërë aktori Afrim Muçaj përmes një postimi në Facebook teksa falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e kësaj video-poezie.

“’Vdekja e aktorit’, njana prej poezive të Bekim Lumit, e shkëputun nga libri ‘engjull blu’, e sollëm në formatin video-poezi bashkë me Ibër Dearin dhe djemt fantastik të Lumiere.

Dritë të baftë shpirti Lum, sot në datën e lindjes tande!

Falemderit Komuna Prishtinës, Ministria e Kulturës, kompaninë Lumiere dhe KVAP, Ibër Deari Avdi Thachi Dren Suldashi Fisnik Halili Mentor U. Berisha Adrian Berisha Drita Lumi

#uartësofshi”-ka shkruar ai./Kultplus.com

‘Bolero në vilën e pleqve’ premierë në Prifest, një histori e pazakontë e dashurisë së brishtë

Era Berisha

I bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli, filmi artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve” të enjten mbrëma para publikut kosovar rrëfeu historinë e dy pleqve dhe një punëtore shtëpie, jetët e së cilëve ngërthehen në njëra-tjetrën në botën e mbyllur të një vile ku gracka e panjohur qëndron pezull në ajër dhe kriza ekzistenciale fut rrënjët në themelet e saj deri në një shpërthim të shpirtit, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 18:30, ishin të pranishmit që ngadalë po hynin në sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendin e tyre para ekranit të madh të paraqitur në skenë. E koha që ky film i shumëpritur nga të pasionuarit e letërsisë dhe jo vetëm, të niste, më në fund erdhi. Ndërsa, e vetmja dritë e pranishme nga ekrani do të ishte shoqëruesi i natës së mbështjellur në strehën e errësirës përgjatë 1 orë e 38 minutave.

E para ndjesi me të cilën shikuesi papritmas rrëmbehet, është ajo e lumturisë së pakujdesshme dhe dashurisë të dëlirë e krejtësisht të vërtetë që shfaqet përmes një kujtimi diku larg zhurmës së qytetit por shumë afër detit. E pikërisht ngjyrat e shurdhëta të këtij kujtimi që zgjati për disa sekonda para ekranit nën meloditë shqipe, u përmbysën kur personazhi i Irenës zgjohet nga gjumi e i kthehet realitetit të ngrysur. Trishtimi i errët në sytë e saj kur shikon veten në pasqyrë e shtyn atë që ta pështyjë veten me një evokim të madh e ndoshta duke dëshiruar që ajo pështymë t’ia largojë përjetimet të cilat flakëronin zemrën e saj si ndezje e një rakete të mbushur me kujtime të padëshiruara.

Irena, një vajzë me sy të kaltër si qielli i trazuar me pendë por me një të kaluar misterioze, vihet në kërkim të një pune të domosdoshme e të dëshiruar në atë periudhë të jetës. Motra e saj, familja e vetme që i ka mbetur gjallë, i ofron ndihmë duke kërkuar një punë të përshtatshme diku larg vendit në të cilën ajo qëndronte. Por, kjo punë e shumëpritur nga Irena do ti qepet asaj si një gjethe vjeshte me anët e së cilës ajo do të përballet çdo ditë tanimë.

Karakteri qendror i filmit i interpretuar nën aktrimin e pakrahasueshëm të aktores Gentiana Ramadanit, takon Nardin, një bos të një firme të fuqishme ndërtimi i cili së bashku me gruan e tij të bukur, Dirina, ia shpjegojnë asaj situatën e prindërve të tij. Dy pleq të cilët kanë nevojë për kujdes të axhendës, orarin e ilaçeve, të ngrënit e ndonjëherë edhe që Irena të jetë një kosh i tejdukshëm i boshatisjeve të mendimeve nga të dy ata.

Skena e radhës vjen si një pushtim i fuqishëm nëpërmjet tingujve që derdheshin nga një interpretim në piano nën lojën mjeshtërore të Irfanit, plaku i cili jeton me gruan e tij, Fridusen e që e cila posedon një qen, lehjet e të cilit gjithmonë shkaktonin frikë, probleme akustike dhe neveritje të vockël brenda humorit të Irfanit. Ndërkohë, vila e tyre dy katesh duket se ka një kufi të padukshme përbrenda, ku kati i parë i përket zonjës Firduse, e kati i dytë zotërisë Irfan, kurse kuzhina në të cilën gjithmonë dalloheshin lulet e diellit dhe jo vetëm, shpaloste para publikut përjetimin e skenave më të bukura pamore të krijuara ndonjëherë.

“Bolero në vilën e pleqve”, paraqet praninë dhe kërcënimin e vdekjes për pleqtë e vilës që duket se iu frikësoheshin trokitjes së saj, ose më saktë, trokitjes së parë dhe goditjes shpirtërore që ajo do të sjell me vete. Ekzistenca njerëzore e tyre në një kontrast me ‘vdekjen e gjallë’ të Irenës, ndërlidhet në atë mënyrë ku ngjarja e filmit krijon bazën e tij jashtëzakonisht të çuditshme me gjendje e situata shpeshherë absurde e herë të tjera tejet befasuese.

Filmi me skenar të Linda Fejzaj dhe regji të Spartak Pecanit, para publikut kosovar plasarit një histori të rrallë dashurie mes Irfanit dhe Firduses, një dashuri unike që del në pah nëpërmjet letërkëmbimeve nga të dy të moshuarit. Interpretimi i roleve të tyre nën aktrimin e mrekullueshëm dhe shumë të ngrohtë të Margarita Xhepës dhe Robert Ndrenikës, ku këmbëngulja e tyre për të plotësuar zbrazëtitë që vinin nga mungesa e madhe e tre fëmijëve të tyre si shkak i punëve të shumta, inati i madh ndaj kohës dinake e armiqësore që fluturonte ditë pas dite si një balonë në ajër dhe nevoja për më shumë vëmendje, shfaqeshin në copëza të cilat burgosnin vëmendjen e shikuesit pas ekranit dhe rrisnin entuziazmin e tyre nga minuta në minutë.

Gjithkush që hyn e del në vilë me shqetësimin për fatin e pleqve që jetojnë në një komoditet dhe luks të plotë, përfshirë këtu shitësen e bezdisshme dhe doktorin e familjes, duket se nuk ia kanë idenë se çfarë ndodh me Irenën, vajza e cila ka një të kaluar të ndërlikuar e të dhimbshme, përveç Afërditës, vajzës së madhe të pleqve, një gjyqtare e rreptë dhe e veshur gjithmonë me të zeza. Ajo përndjek instinktin njerëzor të cilën e ndjeu që në momentin e parë që takoi Irenën në vilë, me ç’rast ngadalë zbulon një nga një të fshehurat e Irenës.

E kryqëzuar mes dhimbjes së të kaluarës dhe urrejtjes ndaj vetes, në një moment ku cigarja shndërrohet në ngushëllim lehtësues, Irenës do i shtohet edhe një makth tjetër. Vizita në varrin e ish të dashurës, Ana Martini, do ti shkaktojë asaj përjetimin e dhunës seksuale nga dy burra të familjes Martini, të cilët gjithmonë kishin vendosur fajin mbi kokën e pafajshme të Irenës. Është pikërisht shpirti i copëtuar i Irenës që shkatërrohet tutje si një lule e vyshkur, ujitja e së cilës do të marrë një kohë të gjatë për të lulëzuar përsëri ose ndoshta fare nuk do të ketë vend për të vringëlluar më.

Skenaristja Linda Fejza dhe regjisori Spartak Pecani kanë krijuar një ekuilibër mjeshtëror mes dialogëve të veçantë dhe paraqitjeve emocionale të personazheve e sidomos atyre vizuale, duke reflektuar kështu historinë e një mjedisi të egër që zhvishet krejtësisht deri në pamëshirë e përfundon në atë momentin ku vajza është qenia më e pambrojtur.

Irena, e konsideruar nga Irfani si një ‘Buster Keaton’ i gjinisë femërore së bashku me dy shpirtrat binjak, atë të Irfanit i cili dikur ishte një pianist i pazëvendësueshëm dhe atë të Firduses e cila dikur ishte një prima balerinë, nxjerrin në pah një marrëdhënie aq të dashur e aq të afërt saqë pavarësisht orientimit seksual të Irenës, kjo marrëdhënie mes tyre rritet akoma më shumë duke u shndërruar në atë të familjare, një marrëdhënie kjo që ka mbushur boshllëkun e brendshëm të Irenës.

Sidoqoftë, shkrepjet më poetike të krijuara ndonjëherë të regjisorit Spartak Pecani, janë skenat e jashtëzakonshme në sekondat e parë të filmit duke tërhequr vëmendjen e publikut pas ngjyrave të zbehta magjepsëse, pjesët e afërta nga interpretimet në piano, skenat e ndryshme të ujitjes së luleve e herë të tjera bisedat mes personazheve nga një këndvështrim fizik jashtë tyre i cili përmes një dritareje fshehurazi fokusohej pingul mbi to, skena nga vila ku tre qirinj të vendosur mbi tavolinë presin ndërhyrjen e dy pleqve, si dhe skena e shfaqjes së perlave në qafë në momentin e përkeqësimit të Firduses.

“Bolero në vilën e pleqve”, ku gjatë gjithë kohës paraqitet marrëdhënia e roleve protagoniste, shoqërohet me tingujt e magjishëm të veprës pianistike “Bolero” nga kompozitori i njohur Joseph-Maurice Ravel, e në veçanti intensiteti i kësaj pjese përrallore thellohet në ndjenjat e të pranishmëve atëherë kur Firdusja vdes duke bërë që fjalët e Irfanit: Iku, të jehojnë mbi rrëqethet e të pranishmëve në sallë.

Ndërkohë, një muaj kalojnë e interpretimi i aktorit Robert Ndrenika teksa ai pëshpërit fjalitë si: ‘Përse nuk dërmon një shenjë’, ‘Ç’t’i bëj mallit që po më mbyt’, ‘Dashuria është private, është intime’, ‘Dashuria nuk i besohet tjetër kujt’, ‘Pse vetëm kujtimet do më mbesin?’, ‘Do të të pres të ritakohemi’, dhe ‘A thua të ketë diell atje?’ në pragun e vdekjes së tij, tingëllojnë si një poezi e cila nuk është shkruar akoma e që e njëjta nuk do të mund të shkruhej kurrë, pasi që dashuria e Irfanit dhe Firduses, mbetet ajo dashuri e cila vjen një herë në jetë, një dashuri mbi të cilën as vdekja nuk do të mund të zbriste mbi lëkurën e saj.

Një letërkëmbim i mbushur tërë pasion të zjarrtë mbetet një mënyrë për të mbajtur në jetë dashurinë poetike të tyre por gjurmët e këtyre letrave të bardha gjejnë fundin në formën e hirit teksa ato vallëzojnë në ajër nën nxehtësinë e flakës të vrullshme plot afsh.

E nën meloditë shqipe dhe ngjyrave të ngrohta e të gjalla në ekran, duket se buzëqeshja e rrallë e Irenës ka një formë e vezullimë krejtësisht paqësore duke vulosur kështu fundin e këtij filmi që të bën të rrëmbehesh pas tij dhe dashurohesh pas ngjarjeve me emocione të forta.

Pas shfaqjes së filmit që u shoqërua me qetësinë absolute të të pranishmëve por edhe emocionet e forta të ndjera që pasqyroheshin në sytë e tyre, ishin duartrokitjet e përzemërta të publikut që shtynë ekipin e filmit ‘Bolero në vilën e pleqve’, të dalin në skenën e Teatrit Kombëtar për një fjalë rasti.

“Unë e kam të vështirë të flas.. ta mbush, kështu që ju falënderoj për këto emocione që na dhanë. Shpresoj që ky emocion të jetë ngritur edhe tek ju. Në këto momente e kam të vështirë, andaj do të flasim nesër. Ju falënderoj të gjithëve. Falënderoj Kosovën që më ka mbështetur sepse vërtetë nuk është ndonjë sasi e madhe ekonomike por ka pasur njerëz të shkëlqyer pa përjashtime. Ky është momenti im i parë që shfaq këtë film dhe jam shumë i emocionuar”, thotë Pecani.

Kurse, dje në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Bolero në vilën e pleqve’, të pranishëm ishin regjisori Spartak Pecani, skenaristja Linda Fejza, aktorja Gentiana Ramadani dhe producenti Agim Halili.

“Padyshim se kur vepra të jetë një roman, është një vështirësi tjetër. Ka një përvojë por ka edhe një vështirësi. Përvojë është që brenda veprës ka karaktere të spikatura, por nëse ndjek linjën e romanit edhe kur vepra të jetë e plotësuar, personalisht mendoj që është gabim dhe nëse ne do të shkonim sipas këtij romani delikat atëherë do të gabonim”, thotë Pecani.

Sipas tij, filmi është tjetër gjë, prandaj janë bërë disa ndryshime të rëndësishme.

“Janë bërë shumë ndryshime. Ajo që është më e rëndësishme është që në asnjë mënyrë, ai që ka shkruar romanin nuk duhet ta shkruaj skenarin sepse ai e ka përjetuar dhe ka pikat e veta që i pëlqejnë prej të cilave është shumë vështirë të shkëputet. Duhet të jetë një njeri tjetër që edhe ai të ndjejë kënaqësinë e krijimit dhe mendoj se autori është një autor fantastik”, thotë Pecani.

Për Pecanin, besohet se filmi është kryer me kujdes dhe pa prishur idenë dhe vlerat e personazheve.

“Po ia vlen. Ia vlen që filmi të të marrë shumë kohë nga jeta sepse i plotëson gjërat e mëdha të shpirtit tënd”, përfundon ai.

Ndërsa, skenaristja Linda Fejza foli rreth se si çdo njeri është i detyruar të pranojë atë se çfarë shohin ndryshe nga vetja tek të tjerët.

“Ne jemi munduar që të gjithë personazheve, qoftë marrëdhënia mes dy pleqve, qoftë dashurisë delikate mes një qifti që jeton bashkë në një çati dhe qoftë dashuria e veçantë brenda gjinisë, ti japim një vlerë ashtu sikurse donim ne”, thotë Fejza.

Sipas saj, ekzistojnë familje që kanë një dashuri unike të pavdekshme deri në përjetësi, ekziston një dashuri ose martesë që jeton thjesht për premtim dhe ekziston një dashuri brenda gjinisë së njëjtë.

“Ne nuk mund të shtyjmë askënd të mendoj dhe veproj si ne. Ne jemi të detyruar që të pranojmë atë se çfarë shohim ndryshe nga ne. Kështu i japim kohë, vlerë dhe mundësinë që të shpërfaqet çdo lloj dashurie”, përfundon Fejza.

Po ashtu, aktorja Gentiana Ramadani foli rreth mënyrës interesante se si e morri ftesën për të qenë pjesë e këtij filmi.

“Ka qenë interesante përzgjedhja e regjisorit tek unë. Ishte një ftesë shumë interesante kur unë isha në vitin e dytë të studimeve në Shkup, dhe kam postuar një fotografi me flokë të shkurtra. Ndoshta intuita e fortë e regjisorit ku ai pa fotografinë dhe të nesërmen pashë një mesazh shumë direkt për të qenë pjesë e filmit. Deri në periudhën e audicionit, një vit më vonë, unë përfundova vitin e tretë dhe u konfirmua që jam pjesë e filmit”, tregon Ramadani.

Sipas saj, frika ishte mjaft e pranishme për arsye se ishte ky roli i parë kryesor i saj.

“Kisha frikë se a do t’ia dalë por gjithçka shkoi mirë. Këto përjetime në film nuk jemi mësuar ti shohim si popull andaj kur i shohim duhet ti shohim shumë normal”, përfundon Ramadani.

Krejt në fund, producenti Agim Halili ndan pjesën e menaxhimit dhe emocioneve atëherë kur është e nevojshme.

“Është tjetër gjë ftohtësia që duhet të jetë për të menaxhuar produksionin dhe tjetër gjë është emocioni që merr në fund”, thotë Halili.

Në këtë film luajnë aktorët si: Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Ledjon Zoi dhe Afrim Muçaj.

DoP është Latif Hasolli ndërsa kostumografia është realizuar nga Gerta Oparaku.

Filmi është një prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Eclipse SA Film Production’ dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Filmi me regji nga Spartak Pecani “Bolero në vilën e pleqve” ka fituar çmimin “Filmi më i mirë” në Paris Play International Film Festival.

Filmi shqiptar ka marrë edhe një tjetër çmim, në “Toronto International Women Film Festival”.

Pjesëmarrës deri më tani në festivale të ndryshme të filmit në botë, çmimi për skenarin në festivalin e filmit në Kanada shkoi për “Bolero në vilën e pleqve”. / KultPlus.com

Filmi vendor Cirku Fluturues po vazhdon të shfaqet në Cineplexx

Pas sukseseve të filmave shqiptarë, një film tjetër që është prodhim vendor ka nisur shfaqjen në kinema në Kosovë. Eshtë fjala për filmin e ri të regjisorit Fatos Berisha, Cirku Fluturues, i cili pas sukseseve në arenën ndërkombëtare, ju drejtua kinemave vendore dhe nga 1 korriku po shfaqet në Cineplexx.

Cirku Fluturues, me regji të Fatos Berisha dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh që përfshijnë emra të njohur si Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpetim Selmani, Luan Jaha, etj, nga 1 korriku ka nisur të shfaqet edhe në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx.

Filmi flet për katër aktorë që tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit. Por misioni i tyre i vërtetë, është që ta gjejnë dhe takojnë idolin e tyre, Michael Palin.

Katër shokë nisen në një rrugëtim që… – Cineplexx Kosovo | Facebook

Oraret për ta shikuar filmin “Cirku Fluturues”, në Cineplexx, mund ti gjeni duke klikuar këtu. / KultPlus.com

Seriali ‘Rrushe’ vjen premierë sonte, një fërgëllimë unike e zhanrit dramë/krim

Era Berisha

Në një zhanër krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja, nën zgavrën sfiduese e ambicioze të dramës dhe krimit, shpaloset një histori me plot të papritura që do i dhurojnë një kahje tjetër zhvillimit të ngjarjes duke e vendosur kështu kastën e aktorëve të jashtëzakonshëm në një rrugëtim sa argëtues po aq edhe drithërues, me rastin e nisjes së serialit më të ri vendor të titulluar ”Rrushe”, shkruan KultPlus.

Emri i serialit “Rrushe”, vjen nga vetë fakti që është shumë i kapshëm nga publiku ku edhe shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës së tyre e kanë thirrur një person të dashur në atë pseudonim. Ndërsa, emri i personazhit kryesor siç është Vesa, e që emrin e saj përkëdhelës ia ka vendosur gjyshi i saj, Faruk Pirulli, i cili njëkohësisht është personi i saj më i dashur, befas do të ndodhi një e papritur që do të ndërrojë kahjen e ngjarjes e për çka edhe do të zbulohet se jo rastësisht emri i serialit ka këtë titull.

Seriali “Rrushe”, është i vendosur në dy periudha kohore që ndërlidhen mes vete, të tashmen dhe fundin e viteve ’90 dhe përfshin familjen Pirulli si protagonistë kryesorë, një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.

Puna në serialin “Rrushe” kishte filluar para një viti, në kohën kur të gjithë ndodheshim në karantinë dhe ideja për realizimin ka lindur nga ekipi i ‘Gjirafa Studios’, ku pavarësisht situatës pandemike, produksioni ka ndikuar pozitivisht në mobilizimin, vullnetin dhe dëshirën që stafi të krijojë diçka. Kështu, ata çdo ditë kanë mbajtur mbledhje online duke diskutuar rreth historive së gjithë secilit që i kanë ndodhur përgjatë jetës së tyre.

Përmes këtyre historive të lexuara në njërën nga mbledhjet ku nuk ka munguar humori dhe emocionet që nuk njihnin fund, aktorët kanë njohur njëri-tjetrin më mirë dhe kështu ata kanë vendosur që të takoheshin me novelistin Jeton Kulinxha, të cilit i kishte pëlqyer energjia e ekipit dhe ka filluar të shkruante skenarin së bashku me Patrik Lekaj për realizimin e një projekti të tillë që besohet se do të lë gjurmë në vend. Pas shumë diskutimeve dhe takimeve që kanë ndodhur me Kulinxhin, skenari i episodit të parë ka gjetur vend në një periudhë kohore qysh nga muaji qershor e deri në tetor.

Seriali deri më tani përmban gjithsej dy sezone me nga 10 episode, ku deri më tani janë shkruar rreth 17 episode dhe ekipi gjendet në përfundim të xhirimeve për episodet 6-10. Ndërsa, për ekzistencën e sezoneve të radhës do të vendos publiku i cili mbetet të vulos jetëgjatësinë e këtij seriali.

Për herë të parë në vend ‘Gjirafa’, sjell një veçanti të bukur ku grumbullon një kast të mrekullueshëm, mbi 80 aktorë të cilët përmes serialit do të trajtojnë tema si: krimi, korrupsioni, ndikimi i familjes tek fëmijët, roli i gruas në shoqëri, zhvillimi i karrierës, bullizmi në shkolla dhe më gjerë, tradhtia, çrregullimet mendore e shumë tema tjera për të cilat besohet se do të kenë një ndikim tek audienca.

Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.

Prodhimi nga Gjirafa Studios sjell këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala.

Valter Lucaj, regjisori i këtij serali, ka treguar për KultPlus se para pranimit të skenarit të parë për serialin ”Rrushe”, për shkak të pandemisë ai ndodhej në një periudhë të vështirë me ‘GjirafaStudios’, ku ekipit i ka ndryshuar tërësisht mënyra e të menduarit dhe punuarit.

 “Gjatë gjithë procesit për projektet që ishim duke i zhvilluar në përputhje me rrethanat e reja, në të njëjtën kohë ishim duke u munduar që të vinim deri tek ideja për të sjell diçka më ndryshe, më sfiduese dhe ambicioze. Kur e kemi lexuar dhe diskutuar rrjedhën e historisë së Rrushe-s, së bashku me vizualizim në kokën time, më ka dhuruar emocione por edhe një ndjenjë që seriali do të jetë njëri ndër projektet më të veçanta për mua dhe ashtu po del të jetë”, tha Lucaj.

Regjisori po ashtu ka theksuar se që nga fillimi i prodhimit të serialit, ata kanë pasur qëllime të sakta që të tejkalohet kualiteti ku edhe Kosova si vend të radhitet për prodhime me kualitet të lartë duke u krahasuar jo vetëm me Ballkan por edhe tutje.

 “Mesazhin të cilin e përçojmë me temat e trajtuara në këtë projekt, është që t’i mbledhim aktorët e mirënjohur në një vend duke i dhuruar kështu vlerë audiencës”, thotë Lucaj.

Sipas tij, bashkëpunimi i jashtëm me Gjirafën dhe puna në këtë kompani e ka intriguar regjisorin mjaft shumë duke pasur parasysh risitë që kanë sjell në treg dhe përkushtimin e tyre në fusha të caktuara. Prandaj, duke u bazuar në atë eksperiencë, para dy vjetëve Lucaj i është bashkangjitur ekipit të Gjirafës si producent ekzekutiv dhe regjisor duke realizuar kështu qëllimin e tij për prodhimin e një seriali me këto përmasa.

Regjisori tutje ka theksuar se vështirësitë gjatë procesit kanë qenë të shumta për shkak të projektit sfidues. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore e sidomos për dashurinë dhe vullnetin e tyre, me ç’rast puna është duke shkuar për mrekulli dhe për regjisorin konsiderohet një privilegj që po punon me secilin nga ata.

“Vështirësi ka pasur duke pasur parasysh situatën pandemike, pastaj projekti është sfidues dhe si ekip na ka frikësuar dhe shpesh herë i kemi krijuar vështirësi vetes sepse projekti është ambicioz. Por, vështirësi ka qenë edhe besimi në një projekt të tillë, menaxhimi i një ekipi kaq të madh por gjithsesi ekipi, dashuria dhe vullneti për të krijuar këtë projekt i kanë lehtësuar të gjitha punët”, shpalos regjisori.

Për Lucaj, përzgjedhja e aktorëve nuk ka qenë proces i lehtë sepse seriali ka personazhe të shumta prandaj edhe për disa role të caktuara janë mbajtur audicionet dhe për disa të tjerë janë ftuar aktorët pasi që Kosova nuk është vend i madh dhe nga puna e tij disa vjeçare, ai ka punuar edhe më herët me shumicën prej tyre.

Gjithashtu, ai ka folur edhe rreth provave për këtë serial që trajton tema dhe ngjarje të ndryshme prandaj edhe kasta e aktorëve janë të ndarë në bazë të ngjarjeve dhe provat mbahen në grupe të caktuara, gjithmonë duke pasur parasysh masat e shtruara.

 ”Veçantia më e madhe e ‘Rrushe’, është trajtimi, xhirimi dhe mënyra se si është duke u krijuar seriali me një ekip i cili mundohet të dhuroj gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky serial të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Performanca dhe përkushtimi i aktorëve janë një tjetër veçanti sepse është projekti i parë ku këta aktorë janë në një vend”, përfundon Lucaj për KultPlus.

Ndërsa, Doresa Rexha, producentja e këtij seriali dhe njëkohësisht edhe aktore, ka treguar për KultPlus se ‘Rrushe’ është projekti që e ka sfiduar atë më së shumti deri më tani e edhe nga i cili ka mësuar më së shumti.

“Sinqerisht, kur lexova titullin “Rrushe”, e paragjykova paksa, por pasi që e lexova u binda për të 500 herë që libri nuk gjykohet nga kopertina. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe frikësuar deri në palcë”, thotë Rexha.

Sipas saj, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe brenda ekipit të Gjirafa Video, së bashku me themeluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani është vendosur kërkimi për profesionistë të duhur për pozita të caktuara ku kështu janë takuar edhe me regjisorin Lucaj.

“Duke e njohur punën e Valterit, përkushtimin dhe pasionin për profesion sigurisht që ai e kishte vendin në ‘Gjirafë’. Pa Valterin si regjisor dhe pa ekipin si Adele, Kiqa, Fisi, Giza, Trashegimi, Patriku, Bled, Edon, Frasher, Bahtie, Driton, Atdhe, Besnik, Leona dhe Jeton nuk do të mundësohej ky serial”, tregon ajo.

Për Rexhën, ka qenë e vështirë menxhaimi si producente dhe aktrimi në xhirime por që dashuria, pasioni, përkushtimi dhe ndihma e regjisorit dhe ekipit, e ka bërë të mundur këtë arritje. Por edhe pse e vështirë, ajo këtë proces e ka cilësuar si njëri ndër më të bukurit që ka përjetuar ndonjëherë.

“Ekipi i GjirafaStudios jo që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre por i kanë tejkaluar edhe limitet e tyre. Prandaj, ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që po bashkëpunoj më të gjithë aktorët e sidomos me: Xhevat Qorraj, Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj”, tregon Rexha për KultPlus.

Krejt në fund, ajo është shprehur se dashuria për profesionin dhe profesionalizmi i tyre janë shkollë për aktorë dhe të gjithë këta aktorë janë vlerë e serialit prandaj ajo ndjehet me fat që i kanë besuar këtij projekti.

Sa i përket aktorëve, dy nga ata si: Afrim Muçaj dhe Aurita Agushi, tashmë janë pjesë e serialit dhe aktualisht ndodhen në përfundim të xhirimeve.

“Ishte ftesa e producentes Doresë Rexha, e cila me prezantimin e projektit “Rrushe” në formën më të mirë të mundshme, nuk më la zgjidhje tjetër pos ti bashkohem këtij produkti ambicioz dhe shumë interesant. Pastaj, pa dyshim që ishte nder për mua ti bashkohem regjisorit Valter Lucaj dhe gjithë kastës fantastike që ka përzgjedhur ai”, thotë Mucaj.

Sipas tij, tema e serialit është njëra ndër pikat më të forta. Trajtimi dhe guximi i një teme të tillë konsiderohet maja e arsyejës që mblodhi këta aktorë ku së bashku me skenarin e mirë, regjisorin dhe produksionin profesional është menduar se ”Rrushe” do të jetë shumë e bukur për publikun.

Roli i aktorit Muçaj është menduar të jetë mjaft interesant dhe atraktiv për publikun duke pasur parasysh që nuk është i lehtë për tu interpretuar.

“Bashkim Pirulli, vëllai i vogël i familjes së madhe Pirulli, të cilin e luaj, është një personazh atdhetari i cili bashkë me “Lëvizjen Qëndresa” në krye me Mixhen Zekë (të cilin e qëndisë aktori Çun Lajçi), mundohemi për disa episode ti ofrojmë publikut pamje të atdhedashurisë dhe kontributit të shumë brezave të viteve të 90-ta, që kontribuuan në mundësinë qe ne sot të xhirojmë të lirë ‘Rrushen”’, tregon ai për KultPlus.

Për Muçaj, si çdo punë serioze dhe profesionale siç është edhe ky produkt, do të haset në pengesa gjatë rrugës por që gjithsesi ata po punojnë me një qejf të madh duke arritur synimin që ky produksion ka.

“Jam shumë i lumtur që po punoj me regjisorin Lucaj sepse energjia e tij e madhe pozitive dhe profesionalizmi ekstre, të fut në përgjegjësi të mëdha”, përfundon Muçaj për KultPlus.

Kurse, për aktoren Aurita Agushi, ftesa për të qenë pjesë e serialit ka ardhur nga vetë regjisori i cili ka punuar edhe më herët me aktoren e për çka ajo nuk ka hezituar as edhe një sekondë që të bëhet pjesë e serialit.

“Që në bisedën e parë shihej qartë se bëhej fjalë për një projekt shumë premtues që do të na bëjë krenarë të gjithëve dhe jo vetëm neve por edhe ata që do e shikojnë serialin”, tregon Agushi.

Sipas saj, kur bëhet fjala për një projekt kaq të madh, vështirësitë nuk mungojnë. Pandemia konsiderohet si vështirësia më e madhe por që me një organizim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga ‘Gjirafa’, çdo gjë ka qenë më e lehtë për të.

Agushi do të luaj rolin e Merita Pirullit, bashkëshorte dhe nëna e tre fëmijëve. Merita është një profesoreshë arti e cila përballet me shumë sfida si në jetën personale ashtu edhe ne atë profesionale.

“Seriali është përditshmëria jonë ku secili prej nesh do ta gjejë veten në personazhet dhe skenat e Rrushe-s.  Mesazhi është që secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij që Kosova të jetë vendi për të cilin të gjithë ëndërrojmë dhe duam ta shohim ashtu siç e ëndërrojmë”, përfundon Agushi për KultPlus.

”Rrushe” është seriali më i ri vendor i cili vjen premierë sonte dhe mund të ndiçet çdo të diel nga ora 20:00 në T7 si dhe online në GjirafaVideo.

Ndërkaq, disa nga pritshmëritë e ekipit janë që ky projekt të mirëpritet nga publiku as më shumë e as më pak nga sa kanë punuar e munduar ata, fillimi dhe krijimi i një projekti ku çdo anëtar të jetë krenar për punën e tij si dhe është cilësuar se ”Rrushe”, është projekti më serioz dhe më i madhi ndonjëherë në të gjitha trevat ku flitet shqip. Prandaj, për “Rrushe“ do të flitet gjithandej./ KultPlus.com

“Ura”, si simbolikë për luftën mes jetës dhe vdekjes

Medina Pasoma

Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.

Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.

Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.

Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.

Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.

“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.

“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.

“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.

Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.

‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.

Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.

“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.

Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.

“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.

Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.

“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.

Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.

“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.

Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com

Shfaqja “Ura” me premierë në TKK

Të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet shfaqja premierë “Ura” e regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Premiera do të shfaqet në orën 16:00 dhe interpretues të kësaj shfaqje do të jenë Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj.

Gjithashtu autore e shfaqjes “Ura” është Seadet Beqiri/ KultPlus.com

Afrim Muçaj për regjisorin Lumi: Bekim e Lum për ne që të patëm

Sot shënohet dy vjetori i vdekjes së regjisorit Bekim Lumi. Shumë aktorë, regjisorë, miq e familjar të të ndjerit sot kanë ndarë kujtime të shumta me të, shkruan KultPlus.

Aktori Afrim Muçaj, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku ka treguar momentin se si e ka marrë lajmin për vdekjen e Lumit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Muçajt.

”Mëngjes i hershëm i 30 korrikut

I urrej telefonatat e natës së vonë, e sidomos ato të paramëngjesit. Sa herë kam marrë një telefonatë të tillë më është thyer zemra si një gotë kristali që nuk kam mundur ta rikuperojë kurrë.
Shpesh herë e mbaj telefonin e mbyllur natën, pikërisht me arsyejen dhe lutjen që deri në mëngjes kur të zgjohem të mos më ketë marrë askush.

Por mëngjesin e hershëm të 30 korrikut e kisha lënë të hapur telefonin për dreq, zilja po bije dhe po bije pa ndërprerë, e urrej ta hap telefonin derisa të paktën të shoh dritën në dritare, kthehem në krahun tjetër por është e pamundur ta vazhdoj gjumin, ngrihem ngadal dhe ulem në shtrat, marrë telefonin shpejtë të ia ndal zilen që të mos e zgjoj vajzën time të vogël asaj kohe dhe dal në dhomën tjetër, shoh që (Jetoni) vazhdonte ti bije telefonit tim, kryesisht kur ai më merrë në telefon përgatitem për shumë humor brenda asaj thirrje, por kësaj rradhe ishte ndryshe, hap telefonin dhe të vetmën fjalë që dëgjova ishte: “Muçë, Lumi na la”…
Edhe pse këtë fjalë isha përgatitur ta dëgjoj qysh nga qershori i vitit 2017, por qe e pamundur të mos ngulfatesha në atë mëngjes.
Ndërroj pizhamet e natës dhe nisem drejt spitalit amerikan, gjatë rrugës shikimi hera herës më humbiste duke vozitur, momente pafund më vlonin në kokë, ngjarje dhe batuta pa fund, nuk ishin as një muaj i plotë kur me fuqinë e fundit në provat e fundit të shfaqjes “Arturo Ui-s” na thoshte qe unë kam veq dy rrugë “me ba këtë shfaqje edhe me vdekë”, shfaqja ishte ba me 14 qershor ndërsa me 30 korrik 2018 ishte rruga e dytë qe Lumi pa deshirën tonë ia mbajti fjalën vehtës.

Eh sa herë e kundërshtuam që tia ndryshonim mendimet dhe fjalët, por si edhe herave të tjera nuk na degjoi se nuk na degjoi.
Iku Lumi, miku, regjisori dhe profesori im i “vështirë”. Gjeniu i ndërtimit të roleve dhe shfaqjeve të papërsëritshme. Kërkuesi i zanoreve dhe bashktingëlloreve të shqiptuara në përsosmëri, i qendrimit dhe shikimit që e djersitë publikun, kërkuesi i netëve të gjata të lëvizjeve skenike deri në skajshmëri, i zanit kumbues dhe drithërues, i mbajtjes së rekuizitave në duar si xhevahir Smeraldi.
Lum, po e përsërisë vetëm një frazë të statusit tim në ditën e ikjes tande: “Lum, lumi unë që ti, me artin dhe shkëlqimin tënd skenik, je pjesë e biografisë sime artistike.

Bekim e Lum për ne që të patëm!

“Zoti të artësoftë” / KultPlus.com

Aktori Afrim Muçaj me gjashtë role kryesore këtë vit

Aktori kosovar Afrim Muçaj është ndër aktorët më të angazhuar gjatë këtij viti. Ai sapo ka përfunduar xhirimet e dy filmave të metrazhit të gjatë, ka nisur realizimin e filmit të tretë, përderisa dy produksione të tjera janë në pritje të nisjes së xhirimeve, ku Muçaj është në mesin e roleve kryesore të këtyre prodhimeve të reja filmike.

Xhirimet për realizimin e filmit “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë dhe lokacione të tjera në Shqipëri. Një ekip i madh artistësh janë bërë bashkë për të realizuar “ëndrrën” e regjisorit të njohur Spartak Pecani, i cili ka shkruar edhe skenarin e tij. Filmi, është duke u realizuar në cooproduksion mes dy shtëpive filmike, Kosovës dhe Shqipërisë, mbështetur nga QKK-të përkatëse. Në këtë film, Afrim Muçaj luan përballë një kaste të mirënjohur aktorësh shqiptarë, siç është Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj.

Muaj më parë, aktori Muçaj ka qenë pjesë e dy projekteve të tjera filmike. Ai ka luajtur njërin ndër 4 rolet kryesore në filmin “Cirku fluturues” të regjisorit të mirënjohur kosovar Fatos Berisha. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të “Cirkut…”, Muçaj ka kaluar në sheshin tjetër të xhirimit, atë të regjisorit turk Emre Konuk, i cili kishte nisur realizimin e filmit “Shpata prej druri”, një rrëfim nga Kosova, i mbushur me emocione.

Afrim Muçaj ka thënë se është fatlum që nuk do të mund të pushoj këtë vit. Në muajin nëntor, ai do të jetë në një kastë me aktorin e njohur kosovar Arben Bajraktaraj për të realizuar filmin “Furgoni”, një produksion ky, shqiptaro-francez, nën regjinë e Erenik Beqirit.

Filmi tjetër që pritet të nis xhirimet këtë vit është edhe “I tretuni’ nga Arben Thaçi, një cooproduksion maqedono-kosovar, ku Afrimi sërish do të luaj njërin ndër rolet më me ndikim të tij. Mund të thuhet lirisht se 2018-ta për aktorin Muçaj, është vit shumë i suksesshëm, por të gjithë ata që e njohin e din se ky vit ishte edhe i trishtueshëm. Vdekja e regjisorit, profesorit dhe mikut të tij, Bekim Lumit, ka qenë goditje e madhe jo vetëm për të, por për të gjithë ekipin e aktorëve të shfaqjes “Arturo Ui”, të cilën e prodhoi regjisori Lumi, gjatë kohës sa përballej me sëmundjen e tij shkatërruese. Përmes personazhit të Ernesto Romas, që e kishte realizuar Afrimi në këtë shfaqje, i’u dha lamtumira e fundit maestros së teatrit kosovar Bekim Lumit, gjatë ceremonisë komemorative të tij. “Arturo Ui” vazhdon të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Edhe një çmim për filmin e regjisorit Ibër Deari (FOTO)

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Toka’ me regji të Ibër Dearit, fitoi çmimin e audiencës në edicionin e gjashtë të festivalit TIFF-ODA.

Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili ka shprehur mirënjohjen ndaj këtij festivali dhe ndaj audiencës për këtë vlerësim.

TIFF-ODA, që mbahet në Tetovë, sivjet ka sjellë emra të ndryshëm të kinematografisë, poashtu gjatë një jave sa ka zgjatë festivali ka pasur debate, filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, dokumentarë, animacion…

Ndërkaq në filmin ‘Toka’, në rolet kryesore vijnë aktorët Adem Karaga dhe Afrim Muçaj./ KultPlus.com