Një foto, një epokë e tërë kulture kombëtare

Dorian Koçi

(At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni)

Në këtë fotografi të rrallë ruhen jo vetëm katër figura madhore të letërsisë dhe mendimit shqiptar, por edhe vetë fryma e një epoke që ndërthurte traditën dhe modernitetin, besimin dhe dritën laike, shkollën perëndimore dhe frymën kombëtare. Nga e majta: At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni – katër shtylla të mendimit dhe fjalës së shkruar shqiptare.

Fishta, me petkun françeskan, përfaqëson epopenë e kombit në vargje, zërin e përbashkët të gojëdhënave dhe moralit qytetar; Lasgushi me poezinë simbolike dhe lirikën filozofike, sjell shpirtin e thellë ballkanik në formën më të rafinuar europiane. Koliqi, i shkolluar në Itali, do të mishërojë reformën arsimore, themelimin e prozës moderne shqiptare dhe hapjen drejt Perëndimit, ndërsa Asdreni, poeti i himnit kombëtar, është zëri i mërgimit dhe i pavarësisë, që lidhi Rilindjen me brezat pasues.

Ata rrezatojnë dinjitet, kulturë, përfaqësim kombëtar dhe vetëdije historike. Ky është imazhi i Shqipërisë së viteve ’30 – një vend i vogël, por me mendimtarë të mëdhenj, ku letërsia, feja, arsimi dhe atdhedashuria bashkëjetonin si ura që lidhin epoka.

Pas vitit 1945, kjo trashëgimi u ndërpre me dhunë, shumë prej tyre u përndoqën, u heshtën apo u fshinë nga historia zyrtare. Por sot, kjo foto na kujton se nuk mund të ketë e ardhme pa dialog me traditën, pa kujtesë dhe pa nderim për ata që ndërtuan themelet shpirtërore të identitetit tonë kombëtar.

Le të rikthejmë vlerat, fjalën e urtë dhe dritën që ata përfaqësonin në jetën tonë publike dhe arsimore./ KultPlus.com

Medalja e argjendtë për Korin Siparantum në garën prestigjioze “Eureopean Choir Games & Grand of Nations Aarhus 2025

Kori i njohur “Siparantum” është nderuar me Medaljen e Argjendtë në Grand Prix of Nations, pjesë e European Choir Games Aarhus 2025. Duke garuar në kategorinë elitare “Chamber Choir”, ku paraqiten vetëm ansamblet më të mira ndërkombëtare, Kori Siparantum dëshmoi përkushtim artistik të lartë, precizitet teknik dhe thellësi interpretative. 

Ky festival i shquar, i cili u mbajt nga 28 Qershor deri më 6 Korrik 2025, mblodhi mbi 130 kore dhe afër 6,000 pjesëmarrës nga 35 vende, duke bashkuar tingujt e muzikës korale me gjithë botën. Kosova u paraqit jo vetëm si pjesëmarrëse, por si një zë i fuqishëm artistik, duke përfaqësuar një vend me trashëgimi të pasur kulturore dhe një vizion të qartë për artin në skenën ndërkombëtare. Më 5 Korrik, Vor Frue Kirke në Aarhus u bë skenë e koncertit të titulluar “Nordic Night” – një ngjarje muzikore bashkëpunuese që solli në skenë korin Siparantum dhe korin danez CÆCILIAKORET, nën drejtimin e dirigjentit Michael Deltchev. Ky koncert ilustroi fuqinë bashkuese të muzikës, duke treguar aftësinë e saj për të kapërcyer ndarjet kulturore dhe për të ndërtuar mirëkuptim të ndërsjellë mes kombeve. 

Kori Siparantum interpretoi një repertor të përzgjedhur me kujdes, duke shfaqur një gamë të gjerë stilesh dhe duke vendosur theks të veçantë mbi veprat e kompozitorëve shqiptarë – një dëshmi e përkushtimit të korit për të promovuar rrënjët e veta kulturore. Ky përzgjedhje jo vetëm që pasqyroi shumëllojshmërinë artistike të korit, por gjithashtu ngriti trashëgiminë muzikore të Kosovës. 

Mbrëmja u përmbyll me një interpretim të përbashkët emocional të një vepre korale nga Edvard Grieg – një moment i ndjerë uniteti dhe ndërlidhjeje mes dy koreve dhe komuniteteve të tyre. “Kjo Medalje e Argjendtë është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe artit të koristëve tanë, si dhe dëshmi e punës së palodhshme për të prezentuar kulturën tonë në arenën ndërkombëtare. Kori Siparantum është zëri i një gjenerate që guxon të ëndërrojë më shumë, që punon me pasion dhe këndon me shpirt. Unë besoj në këtë brez, në potencialin që tashmë po kthehet në realitet! Në kulturën tonë që po i kalon kufijtë – me dinjitet, me muzikë, me dashuri. ” u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum. Ky vlerësim përfaqëson çmimin e 19-të të fituar nga Kori Siparantum në festivale të njohura ndërkombëtare, duke forcuar më tej reputacionin e korit dhe kulturës sonë kombëtare. Suksesi i arritur në Grand Prix of Nations është një sukses i rëndësishëm në udhëtimin artistik të Kosovës dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm./ KultPlus.com 

Banka Botërore emëron Carole Megevand menaxhere për Kosovën

Banka Botërore, ka njoftuar se ka emëruar Carole Megevand si Menaxhere për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga 1 korriku 2025.

Në rolin e saj të ri, Megevand do të udhëheqë angazhimin e Bankës Botërore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht implementimin e Kornizave të Partneritetit me Vendin. Këto korniza mbështesin dy ekonomitë në përpjekjet e tyre për të krijuar vende pune më produktive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe për të nxitur zhvillimin e kapitalit njerëzor, me synim përfundimtar përshpejtimin e rritjes së qëndrueshme dhe afrimit me nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian.

“Për mua është nder të marr rolin e Menaxheres së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe të kem privilegjin të shërbej për qytetarët e këtyre dy vendeve”, tha Carole Megevand, menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me rastin e fillimit të punës në detyrën e re.

“Agjenda e zhvillimit për këto dy vende është e qartë: duhet t’u ofrojmë qytetarëve mundësi për punësim dhe për kontribut produktiv në ekonomi, në mënyrë që ekonomitë e këtyre vendeve të rriten dhe të përparojnë për të mirën e shoqërisë gjithandej”, tha ajo.

Carole Megevand, shtetase franceze, sjell me vete mbi dy dekada përvojë në Bankën Botërore, të cilës iu bashkua në vitin 2002.

Ajo ka udhëhequr operacione komplekse në vende të ndryshme të Afrikës, në Amerikën Latine dhe në Afrikën e Veriut, me fokus të veçantë në zhvillimin ndërsektorial dhe në qeverisje. Së fundmi, ka shërbyer si udhëheqëse e Programit për Planetin në rajonin e Magrebit, me seli në Rabat, Marok. Ajo ka dy diploma master: në Ekonomi Bujqësore dhe në Ekonomi të Mjedisit / Burimeve Natyrore./ KultPlus.com

Trump e quan “qesharake” idenë e Musk për hapjen e një partie të re politike

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër ish-aleatin e tij të ngushtë, Elon Musk, lidhur me planin e multimiliarderit për të krijuar një parti të re politike.

“Mendoj se është qesharake të krijosh një parti të tretë”, tha Trump, duke folur me gazetarët të dielën para se të hipte në Air Force One. “Gjithmonë ka qenë një sistem dypartiak dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa i shton konfuzionin.”

Pasi e kishte diskutuar idenë për javë të tëra, Musk postoi në X gjatë fundjavës se kishte krijuar Partinë Amerikane për të sfiduar “Uniparty”-n Republikane dhe Demokratike.

Trump dhe Musk më parë ishin aleatë të ngushtë, me shefin e Teslës që drejtonte Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (Doge), i cili ka për detyrë të ndihmojë në uljen e shpenzimeve federale.

Musk ka kritikuar vazhdimisht politikat qeveritare që rrisin borxhin kombëtar të SHBA-së.

Të dielën, ai tha se ndërsa partia e re mund të mbështesë një kandidat presidencial në një moment të caktuar, “fokusi për 12 muajt e ardhshëm është te Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati”.

rump postoi gjithashtu në platformën e tij Truth Social të dielën: “Jam i trishtuar që e shoh Elon Musk të dalë plotësisht ‘nga binarët’, duke u shndërruar në një rrëmujë treni gjatë pesë javëve të fundit.”

Postimi sulmoi shtytjen e Musk për një “Mandat për Automjete Elektrike (EV),” duke thënë se kjo do t’i kishte “detyruar të gjithë të blinin një makinë elektrike në një periudhë të shkurtër kohore”.

Plani i taksave dhe shpenzimeve i presidentit , të cilin ai e nënshkroi në ligj më 4 korrik, i dha fund lehtësirave tatimore për automjetet elektrike.

Ai shtoi se e kishte kundërshtuar propozimin e Musk për një mandat për automjetet elektrike që nga fillimi, duke shpjeguar arsyet e mospërfshirjes së automjeteve të tilla në legjislacion.

“Njerëzit tani lejohen të blejnë çfarë të duan – Benzinë, Hibride (të cilat po ecin shumë mirë) ose Teknologji të Reja sipas zhvillimeve të tyre – Nuk ka më mandat për automjete elektrike.”

Legjislacioni përfshin rritje të shpenzimeve për sigurinë kufitare, mbrojtjen dhe prodhimin e energjisë, të kompensuara nga shkurtimet e diskutueshme në programet e kujdesit shëndetësor dhe të mbështetjes ushqimore.

Musk e hodhi idenë e një partie të re politike në internet gjatë debatit të tij publik me Trumpin, ndërsa ai kritikoi vazhdimisht planet e tij të shpenzimeve.

Përfundojnë xhirimet e filmit “Jerëm” me skenar dhe regji të Ismet Sijarinës 

Qendra Kinematografike e Kosovës ka ndarë njoftimin dhe pamjet se filmi artistik i metrazhit të gjatë “Jerëm” ka përfunduar xhirimet. Poashtu është bërë e ditur edhe për kastën që ka marr pjesë në këto xhirime. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e QKK-së. 

Jerẽm – Pas më shumë se një muaji pune intenzive në terren, përfunduan xhirimet e projektit filmik “Jerem”, me skenar dhe regji nga Ismet Sijarina.

Filmi është realizuar nga Thumbs Up (Kosovë) në bashkëprodhim me Tunnel Film (Shqipëri) dhe DMF doo Production (Maqedonia e Veriut).

Në film interpretojnë:

Luli Bitri, Genc Jakupi, Gresa Pallaska, Adem Karaga, Irena Cahani, Refet Abazi, Jonida Vokshi, Basri Lushtaku, Ema Andrea, Edon Rizvanolli, Suela Bako, Besnik Krapi, Xhevdet Jashari, Afrim Mucaj, Anila Krasniqi, Shpetim Kastrati, Bes Bitraku, Arben Bajgora etj.

Një falënderim i madh për gjithë ekipin kreativ dhe teknik për punën e palodhur gjatë këtij procesi.

Tani nis etapa e pas-produksionit, në pritje të takimit të filmit me publikun dhe festivalet./ KultPlus.com

Opera e Kosovës sjell në Prishtinë Operën ‘Carmen’ të George Bizet

Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.

Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.

Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës. Carmen shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.

Carmen përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.

Interpretimi i kësaj vepre në Prishtinë realizohet me përkushtim të lartë artistik, nën organizimin e Operës së Kosovës.

📅 Premiera: E martë, 22 korrik 2025

📅 Rishfaqja: E enjte, 24 korrik 2025

📍 Lokacioni: AMC HALL/ KultPlus.com

Oficeri i FSK-së, Toger Qendrim Imeraj, diplomon me sukses në ShBA

Toger Qendrim Imeraj nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin Bazë për Oficerët e Këmbësorisë në Shkollën e Këmbësorisë “Manoeuvre Center of Excellence”, në Fort Benning, Georgia, SHBA.

Për performancën e tij të jashtëzakonshme gjatë trajnimit, Toger Imeraj u nderua me çmimin prestigjioz “Distinguished Honor Graduate”, i cili u jepet studentëve që arrijnë rezultate të larta në të gjitha komponentët e kursit, duke përfshirë aftësitë fizike, akademike dhe lidershipin, ka njoftuar Ministri në detyrw i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Maqedonci ka thënë se ky sukses dëshmon jo vetëm përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të Toger Imerajt, por edhe nivelin cilësor të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po përfaqësojnë me dinjitet vendin në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

Poeti dhe intelektuali i shquar kroat, Mirosllav Krleza lindi më 7 korrik 1893

Mirosllav Krleža (Zagreb, 7 korrik 1893 – 29 dhjetor 1981) ishte një shkrimtar, poet dhe intelektual kroat.

Ai konsiderohet një nga shkrimtarët më të rëndësishëm kroatë të shekullit të kaluar. 

Lindur më 1893 në Zagreb kur qyteti ishte pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, ai ishte jo vetëm romancier, por edhe poet, dramaturg, eseist, kritik letrar dhe enciklopedist. Në një moshë shumë të re ai hyri në akademinë ushtarake në Budapest, por shumë shpejt u dallua për anti-militarizmin e tij. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai u radhit në ushtrinë e Habsburgut, pasi u përpoq të regjistrohej në ushtrinë serbe më 1912, të cilën ai e identifikoi si më korresponduese me idenë e tij për pan-Sllavizmin dhe vëllazërimin e Sllavëve të Jugut.

Në vitin 1917 ai anoi hapur me bolshevikët dhe me rrymën leniniste të Marksizmit, megjithëse pothuajse menjëherë ai filloi të shfaqte zhgënjimin dhe hutimin ndaj bolshevizmit dhe në veçanti drejt ndërhyrjes në kulturë.

Në Jugosllavinë monarkike ai ishte një nga shkrimtarët më të njohur të majtë, por qëndrimi i tij heterodoks, anti-dogmatizmi dhe refuzimi i direktivave të BRSS-së çuan në margjinalizimin e tij brenda partisë.

Ishte vetë Tito më 1937 që dekretoi dëbimin e tij nga partia, duke mbajtur një marrëdhënie personale me Krleža si dhe një nderim intelektual. Aktori Rade Šerbedžija në biografinë e tij “Deri në frymën e fundit”, tregon kur vetë Tito i kërkoi disa herë që të interpretonte veprat e Krleža-s. Prishja midis Jugosllavisë dhe BRSS më 1948 ngriti konsideratën e shkrimtarit në mënyrë të konsiderueshme. Sidoqoftë, pozicionet e tij pro-jugosllave ishin më vonë shkaku i konsiderimit të pakët në vitet e para të Kroacisë së pavarur.

Më 1968 ai fitoi çmimin Herder. /KultPlus.com

Ditët e shqiptarit, festivali që do të sjell shumë yje në Gjakovë 

Më 18, 19, 25 dhe 26 korrik dhe më 1, 2 dhe 8 e 10 gusht do të jenë datat e festivalit “Ditët e shqiptarit” që do të prezantojnë mbrëmje artistike në Gjakovë. 

“Skena e Çarshisë së Madhe sjell një përzgjedhje të veçantë të artistëve shqiptarë — emra që sjellin emocion, energji dhe atmosferë që mbetet gjatë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, e që në këto mbrëmje do të performojnë këngëtarët: Eda Zari, Jericho, Elina Duni, Eugent Bushpepa, Vlashent Sata e shumë të tjerë. 

KultPlus ju sjell linkun zyrtar të këtij festivali ku mund edhe ti shihni përditësimet rreth këtij organizimi./ KultPlus.com 

UNESCO: Parku “Drilon-Tushemisht” në rrezik nga ndërhyrjet pa kriter

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka ngritur shqetësimin se në javën e ardhshme UNESCO pritet të zyrtarizojë vendosjen e parkut natyror Drilon-Tushemishtit në liqenin e Ohrit në listën e pasurive të rrezikuara. Prej kohësh ky shqetësim ishte ngritur nga shoqatat mjedisore për shkak të ndërhyrjeve pa kriter në bregun e liqenit.

“Kjo është merita e planit të menaxhimit të AADF në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe shumë ndërhyrjeve të tjera të gabuara në vijën liqenore” – thuhet në një postim në Facebook.

Aty citohet edhe rekomandimi që ka bërë UNESCO: “Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO./ KultPlus.com

Letra e Frida Kahlos për të dashurin: Të adhuroj më shumë se kurrë më parë

Diego, i dashuri im,

Sapo ta mbarosh atë afresk do të jemi bashkë përgjithmonë, një herë e përgjithmonë, pa kurrfarë argumenti apo ndonjë gjë tjetër, sall dashuri do të kemi për njëri-tjetrin.

Eja dhe bëj gjithçka që do t’ju thotë Emi Lu*.

Unë të adhuroj më shumë se kurrë më parë.

Vogëlushja jote, Frida!

Përktheu: Bujar Meholli

*Artiste kaliforniane e pikturës dhe muraleve. Mike e ngushtë e Fridas dhe Diegos.

Takimi me Diego Riveran

Pikturat që Frida bënte në shtëpi ia dërgoi Diegos, që ishte një ndër personalitetet e shquara të artit pamor. Arti i saj i bëri aq shumë përshtypje saqë ai vendosi ta bëjë pjesë të skenës politike dhe kulturore në Meksikë. / KultPlus.com

Verë e largët

Poezi nga Rozafa Shpuza

Verë e largët

E fundit verë e fëminisë
la mbi pluhnin e rrugicës nji botë
vizatue shtrembët me shkop
dhe nji pantofël hedhun kuturu mbi hatlla…
Trumnajat shtegtare klithën marrisht
mandej ndoqën symbyllun fatin
si tana dashnitë e virgjëna
që u paluen në sepetin e gjyshes
diku nën degërminë e saj të bardhë.
Atë verë iu rrëfeva ditarit. Kësisoj
për djemtë me gjunjë të coptuem
përdora iniciale që kujtesa mënon me m’i çkodue,
kurse nën minder msheha kukllën e pecave,
trill i fantazisë t’burgosun prej televizorit Iliria
me nji antenë asimetrike mbi pullaz
si shenja mbi vetullën e vëllait.
Veç vathët me pe të kuq
përshkue prej zjermit të nji gjylpane cigane
m’i kthejnë jehona e asaj vere të largët…/ KultPlus.com

O shokë, ç’u prish dynjaja

Poezi nga Çajupi

“O shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë…”

Dhjetë letrat më romantike të dashurisë

Lista e dhjetë letrave më romantike të dashurisë të shkruara nga meshkujt së bashku me disa pjesë të veçanta prej tyre.

Letra e Ernest Hemingway për Marlene Dietrich

“Nuk mund të ta them dot, sesa herë hidhja krahët e mi rreth teje ndihesha sikur isha në shtëpi”.

Letra e Napoleon Bonapartit për të dashurën e tij Josephine

“Qëkur të lashë, kam qenë vazhdimisht në depresion. Lumturia ime është të jem pranë teje…”.

Letra e Frida Kahlo për Diego Riverën

“Asgjë nuk krahasohet me duart e tua, me ngjyrën jëshile në të verdhë të syve të tu. Shpirti im plotësohet nga prania jote. Gishtat e mi prekin gjakun tënd…”.

Letra e Georgia O’Keeffe për Alfred Stieglitz

“I dashur, trupi im është çmendur duke të kërkuar ty. Nëse nuk vjen nesër, nuk e di se si do të mund të pres më tepër për ty. Pyes veten nëse trupi yt e dëshiron trupin tim, po aq sa unë e dëshiroj trupin tënd aq pranë, saqë lëndohem kur ti largohesh”.

Letra e Beethoven në shtratin e vdekjes për personat e dashur që ende jetonin të shëndetshëm

“Edhe pse në shtrat, mendimet e mia janë me ju, të dashurit e mi të pavdekshem. Vazhdoni të më doni, mos më gjykoni. Mos e gjykoni zemrën më besnike të të dashurit tuaj”.

Letra e George H. Bush për Barbara Bush

“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.

Letra e Ronald Reagan për Nancy Reagan

“Gjëja më e rëndësishme është se nuk dua të rri pa ty për 20, apo 40 vitet e ardhshme, apo për gjithë vitet e jetës që më kanë mbetur. Jam bërë i varur nga ndjesia e të qenurit i lumtur dhe të dua shumë ty”.

Letra e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas

“Çdokush është i nevrikosur me mua që erdha sërish tek ty, por ata nuk na kuptojnë ne. Unë ndihem sikur vetëm me ty mund të bëj gjithçka. Më ndihmo të sjell në vend jetën time të rrënuar dhe atëherë shoqëria dhe dashuria jonë do të marrin një tjetër kuptim në këtë botë”.

Letra e Henry VII për Anne Boleyn

“Por nëse ti më dhuron trupin dhe zemrën tënde, unë premtoj të jem shërbëtori yt, siç kam qenë përherë dhe vazhdoj të jem edhe tani”.

Letra e Vita Sackville për Virginia Woolf

“Por, e dashur, unë nuk mund të qëndroj dot i zgjuar apo serioz me ty. Të dua shumë për ta bërë këtë gjë. Të dua sinqerisht. Ti nuk e ke idenë sa serioz rri unë me njerëzit që nuk i dua, por ti i ke thyer gjithë barrierat e mia”./ KultPlus.com

“Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës

Parku Kombëtar i Prespës u bë këtë vit mikpritësja e “Kayak Fest”, një aktivitet që bashkon sportin, aventurën dhe trashëgiminë kulturore në një nga zonat më piktoreske në juglindje të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga organizimi i “Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës, që shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar bukuritë natyrore të Liqenit të Prespës, për të mësuar teknikën e kajakimit dhe për të shijuar kulturën dhe traditat lokale në një ambient miqësor dhe familjar.

Me një itinerar që shtrihet nga 2.5 deri në 5 kilometra, pjesëmarrësit përshkuan ujërat e qeta të liqenit të Prespës me kajak, nga plazhi i Zaroshkës deri në ishullin e Maligradit.

Dhjetëra të apasionuar pas natyrës dhe sportit përjetuan një eksperiencë të veçantë përmes këtij aktiviteti.

Pjesëmarrësit e “Kayak Fest” e përshkruan këtë përvojë jo vetëm si një sfidë fizike, por edhe si një lidhje të thellë me natyrën dhe komunitetin vendas. Aktiviteti po shndërrohet gradualisht në një traditë që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e zonave të nënvlerësuara të Shqipërisë.

“Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës vlerësohet si një vlere e shtuar në ofertën turistike të zones. Ngjarje të tilla ndihmojnë në formësimin e Prespës si një destinacion të qëndrueshëm dhe tërheqës për turizmin natyror.

Prespa, me liqenin e saj të kthjellët dhe trashëgiminë historike, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion i gjithanshëm për ata që kërkojnë më shumë sesa pushime – një përjetim të plotë natyror dhe kulturor./atsh/KultPlus.com

54 vite nga vdekja e xhaz artistit botëror, Louis Armstrong

Louis Daniel Armstrong, trombist i xhazit, është një nga eksponentët më të mëdhenj të këtij lloji të muzikës dhe ai që ka dhënë një etapë krejtësisht të re në muzikën afrikano-amerikane. Sa i përket lindjes së tij ka një sfond të vogël që gjithashtu përcakton një hije të vogël. Armstrong ka pohuar gjithmonë të jetë i lindur më 4 korrik (Dita e festës kombëtare të SHBA), por, në fakt, studimet e fundit kanë treguar se trombisti i madh ka lindur 4 gusht, 1901.

Në veçanti, janë për t’u shënuar hulumtimet e tyre ndërmarra nga New Orleans, vendlindja e tij, të kryera nga Tad Jones, i cili duket se ka gjetur certifikatat origjinale të pagëzimit të “Mbretit të Jazzit”. Sipas këtyre akteve, “Satchmo” (pseudonim që do të ngarkuar do të thotë, përafërsisht, “Goja në saksofon”, ai i kishte shtuar moshës një vit e një muaj, ndoshta për të zgjidhur disa probleme që lidhen me fillimet e tij të hershme në Çikago dhe Nju Jork, ku ai nuk donte të dukej më i ri se ishte.

Louis Armstrong kishte një fëmijëri të trazuar. Prindërit janë të ndarë pak para lindjes së tij dhe ai i besohet Josephines, gjyshes nga ana e nënës, ndërsa nëna, me gjasë, u bë prostitutë.

Ditët e tij kalojnë në zgripin në mes përjashtimit social dhe krimit, edhe pse, për fat të mirë, një interes i madh lind brenda tij, një antidot i aftë për ta mbajtur atë larg nga devijimet e rrezikshme dhe në të njëjtën kohë për ta “hedhur” në një të vetmen atmosferë: muzikën.

Ende shumë i ri të luajë në trombë apo të vlerësojë potencialin dhe të metat, u kufizua në këtë kohë për të kënduar në një grup mjaft karakteristik lokal, sepse kjo ishte mundësia e vetme. Kjo e ndihmon për të zhvilluar një intonacion të shkëlqyer dhe një ndjenjë të shquar të improvizimit, dhe të mos harrojmë se në fakt ky është tipari kryesor që e dallon jazz-in.

Por jeta e rrugës është gjithmonë jetë rruge, me të gjitha rreziqet dhe shqetësimet që ajo sjell. Louis, ndërsa dëshiron, nuk mund të tërhiqet tërësisht nga ky kontekst. Një ditë ai befas e gjen veten me një revole të vjedhur nga një prej bashkëjetuesve të nënës së tij, për të festuar fundin e vitit. Pasoja është se ai u transferua në një qendër riedukimi për rreth dy vjet, pjesërisht për shkak se gjykata e kishte njohur nënën e tij të paaftë për rritje të pasardhësve. Nga kjo vjen ndoshta ankthi i dashurisë që shënon jetën e tij, e cila do të shohë para tij dy gra dhe shumë marrëdhënie.

Gjithashtu në qendrën e riedukimit Louis Armstrong gjen rrugën për të bërë muzikë: ai bashkohet me korin e institutit dhe pastaj me grupin, ku ai fillon të luajë me daulle. Ai gjithashtu merr mësimet e para të kornos. Merita është e gjitha e mësuesit të tij, Peter Davis, i cili i jep atij mundësinë për të studiuar bazat e këtij lloji të “zëvendësimit” të trombës. Grupi i institutit është shumë i dashur nga njerëzit dhe ai shëtit rrugët duke luajtur melodi në modë në atë kohë si e famshmja “”When the Saints Go Marchin’in”, e cila, e përmirësuar disa vite më vonë, do të bëhet një nga pikat e tij të forta.


Pas largimit nga riedukimi ai filloi të frekuentojë klubet me shpresën se ai do të ishte në gjendje të luante në ndonjë orkestër. Në një nga këto mbrëmje, ai takon Joe Oliver, i cili konsiderohet më i miri në New Orleans (tashmë i quajtur “King Oliver”). Mes të dyve ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer, aq shumë sa që Oliver, para se të transferohet, kërkon Kid Ory (një tjetër lojtar i njohur i xhazit të xhazit) që të zëvendësohet nga Louis.

Vetëm në nëntor të vitit 1918, i inkurajuar nga puna në “riverboats” (anijet që lundronin në lumin Misisipi), Armstrong mëson të deshifrojë rezultatet, duke u bërë kështu një muzikant i plotë. Pas disa viteve të këtij regjimi jo vërtet relaksuese (punën në barkë ishte shumë e lodhshme), në vitin 1922 ai u transferua në Çikago, duke lënë një New Orleans që gradualisht “korruptonte” gjithnjë e më shumë shijet e tij muzikore, derisa të ringjallë një folklor të plakur e bajat.

Armstrong në kohën e pjekurisë së tij artistike ndjekur një tjetër rrugë, krejtësisht të ndryshme, bazuar në ashpërsinë e linjave polifonike muzikore dhe në përpjekjne për t’i dhënë solistit një rol hegjemonist dhe të integruar në lëndën muzikore.

Për fat të mirë ai u punësua nga King Oliver në “Creole Jazz Band” tüe tij, ku ka aftësinë për të vepruar si solist dhe të spikasë mjeshtërinë ekstreme të arritur tashmë me instrumentin e tij. Dhe në fakt, mendimi i përbashkët i entuziastëve dhe historianëve është se “Satchmo” kishte imagjinatë pjellore ritmike dhe melodike, kombinuar me një vëllim mbresëlënëse zanor dhe me një vulë të pagabueshme.

Pas një sërë turesh, arrijmë në vitin 1924, një vit veçanërisht i rëndësishëm për “Satchmo”. Ai martohet dhe lë orkestrën Oliver dhe hyn në grupin e adh të Fletcher Henderson, një gjigant i xhazit i cili zotëronte një nga orkestrat më të mira të kohës, plot solistë të zotë. Si dëshmi e hopit cilësor, Armostrong ka mundësinë të regjistrojë këngë me Sidney Bechet, Bassie Smith dhe shumë të tjerë.

Më vonë ai vendos të nisë një karrierë solo. Regjistron “Hot five dhe Hot Sevens” transformuar jazz në një nga shprehjet më të larta të muzikës, me trombë të qartë dhe të shkëlqyer dhe me zëri i tij të vrazhdë që del direkt nga thellësia e grykës.

Që atëherë ai është vetëm një sukses i sukseseve, por në hije, megjithatë, të disa zërave kritikë që denoncojnë kufijtë dhe skadimin e fenomenit Armstrong. Louis akuzohet edhe për të qenë një Xha Tom për shkak të dykuptimësisë ndaj vëllezërve të zinj. Por për shkak të pranisë së tij karizmatike ai ndihmon për të thyer çdo barrierë racore duke u bërë një nga yjet e para të njerëzve me ngjyrë në muzikë. Jeta e tij, përveç për të jetuar koncerte dhe turne, është pasuruar me bashkëpunime (p.sh. me Zilmer Randolph), dhe gjithashtu fillon të hapet ndaj kinemasë, duke u shfaqur në disa filma; ndër këta kujtojmë një, “Shoqëria e lartë” (High Society), 1956, me Charles Walters, Grace Kelly, Bing Crosby dhe Frank Sinatra, në të cilën prezanton dhe përfundon skenat e para dhe të fundit të filmit.

Shndërruar në një ikonë, Louis Armstrong në vitet e fundit sigurisht ishte bërë ambasadori i xhazit në botë, por ai gjithashtu ua huazoi  imazhin e tij një seri të ngjarjeve shumë të diskutueshme në rrafshin artistik. /KultPlus.com

Aziz Nesin: Vendi po shkon drejt humnerës

Nga Aziz Nesin

Përktheu: Fatijona Bajraj

Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.

Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.

Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!

I trashi doli jashtë.

Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!

Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.

I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.

Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.

Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?

Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.

I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.

Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?

– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.

E si ndodhi?

I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.

Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.

Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.

Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.

Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.

Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.

E pyeta pse?

Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.

Mirë, mirë…

Nuk ka as vaj ulliri.

E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.

Shi i rrëmbyeshëm.

Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.

Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!

Mendova se do të më pyeste për orën.

Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?

Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.

Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?

Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!

Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?

Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..

Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.

Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!

I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!

Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”

Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!

Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.

Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/ KultPlus.com

We Don’t Talk about Bruno – Mbi letërsinë e Ballsor Hoxhës

Emrin e Ballsor Hoxhës, për herë të parë, e kam hasur në ExLibris, ku ai tashmë është një kontribues i rregullt dhe gjerësisht i pëlqyer. Që në fillim, më pati bëri përshtypje thellësia e mendimit, njohuritë josipërfaqësore, si dhe ndërthurja e fjalës që përshkonte çdo kontributin të tijin në këtë botim periodik. Fillova ta përcjell me ëndje, pasi shkrimet ‘shijonin’ dhe nxisnin mendimin, si ndodh me autorët cilësorë dhe të ditur. Pra, me një qasje, dukshëm, perëndimore në mbrujtje, artikujt e Ballsorit nuk ishin rastësisht të mira; ato përmbushnin standardet bashkëkohore të studimeve letrare.

Edona Llukaçaj

Vlerësimi për Ballsor Hoxhën m’u shtua kur lexova dy romanet “Përbri jetës” (2025, Onufri) e “Bora dhe unë” (2024, Onufri), si dhe përmbledhjen “Ish-gruaja ime është piktore” (ende dorëhshkrim), tregimet e së cilës janë më mbresëlënës se titulli (e një pjesë të të cilave pata shansin të përkthej e mezi pres të botohen në gjuhën angleze). Ndryshe nga shumica dërrmuese e atyre që prodhojnë studime të arritura letrare, Ballsor Hoxha e ka edhe letërsinë krijuese mjaft cilësore. Nuk i përkiste kategorisë së atyre që qëllon dhe sjellin diçka të kënaqshme një herë në sa kohë apo kategorisë së atyre që me mirësjellje i quajmë të talentuar dhe shkruajnë, si i bien adoleshentët ndonjë vegle muzikore, me vesh. Për këtë u binda kur lexova përmbledhjen me shtatë novela “Sytë e zinj të Borës” (2025).  Ashtu si u binda se – pak rëndësi ka nëse përmes përkthimit tim a jo – letërsia e B. Hoxhës, me doemos, të përkthehej në të ashtuquajtarat gjuhët e mëdha të botës, si një mënyrë përfaqësimi e spikatur e letërsisë bashkëkohore shqipe.

 Sidomos “Borërat” e tij, që janë tjetërsoj e prap njëlloj ngrirëse sa “Bora” e nobelistit O. Pamuk, të cilit Ballsori i referohet jo rrallë. Ndoshta prej faktit se si letërsia e Pamukut, që është e ngulur thellë në vendin e tij të lindjes, edhe motivet e B. Hoxhës, veçanarisht në përmbledhjen “Sytë e zinj të Borës” janë thellësisht shqiptare. Madje do guxoja të thoja, fort prishtinase. Në këto novela krijuar përgjatë një dekade, herë dimrash që hedhin borë mbi çadra të zeza e herë verës zhuritëse, Ballsori e shoqëron lexuesin e vet në rrugët e Prishtinës. E çon gjithandej, por qëllimshëm eviton të lavdishmen dhe (post)luftën. E çon në lagjet më pak pompoze, në hotele të veçuara, në bar-kafene ku shërbejnë kamarierë që tërheqin veç vëmendjen e tij, në varreza, në qendra që nuk duam të na bie rruga, në katet përdhese të ndërtesave të braktisura. E çon në skutat e qytetit dhe të njeriut urban të ditëve tona, me një tregimtari dhe stil postmodernist në shumë aspekte.

Po si Pamuku, në këtë mënyrë, B. Hoxha i jep letërsisë së vet një tjetër dimension; e bën atë pjesë të një lëvizjeje në thelb perëndimore (postmodernizmi është një lëvizje dhe qasje veçse Perëndimore, ende me ndikim në shekullin XXI-të); dhe, kështu, arrin të krijojë ura mes vendases/lokales dhe botës, duke ngulmuar për mbijetesë dhe dinjitet. Spiranca të qënies sonë, shpesh të dobët.

Me fjalë të tjera, B. Hoxha, dukshëm ndjek me fanatizëm atë që Kadare e përkufizonte si “të shkruash letërsi normale në një vend anormal”. Po ashtu, edhe Ballsori përpiqet të shkruajë letërsi bashkëkohore, në përputhje me dinamikat dhe trendet përtej trojeve shqipfolëse, në gjuhën e një populli që – qoftë këtej a andej kufirit – viktimizimin e ka të shenjuar në gjene. Kjo bashkërenditje letrare është ndoshta elementi më i rëndësishëm që përshkon librat e tij, të cilët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm e po thonë gjithnjë më shumë. Veçanarisht përmbledhja e novelave, botuar rishtazi, mund të karakterizohet pa droje si një mozaik letrar pa squllje e filtra. Në këtë libër, autori sjell në vëmendje një sërë temash tabu që, haptazi, shoqëritë në zhvillim, sidomos e jona, kanë tendencën t’i fshehin, të bëjnë kinse se nuk janë aty. Si duket, besojmë se kështu do dukemi më bukur, do jemi më të pranueshëm, më të dashur, duke harruar se kjo na bën të huaj me veten dhe botën që na rrethon. Dukemi si fotot e riformësuara a deformuara që disa vendosin në rrjete sociale, që duket se shfaqin gjithçka por, sigurisht, jo ata vetë.

Për më tepër, Ballsori e bën edhe këtë me terma tabu: me një gjuhë që shumë do e quanin vulgare, të papërshtashme, të panevojshme, bezdisëse e kështu me radhë. Shpesh e ndërmarrë përmes një ironie therëse dhe humorit të zi (black humor), në sytë e mi, tronditja e lexuesit është një prej taktikave të Ballsorit për të rrëmbyer vëmendje, për të çmitizuar, si një thirrje (në fakt, çjerrje) që na bën të arsyetojmë dhe reflektojmë dhe kërkon minimalen empati për të palavdishmit në rutinën, rënien dhe rikthimin e vet. I tiji është arti i ferrit, që nuk kursen as qefinin e gjyshit, as domatet (patlixhanat), as virgjëreshat, as të përdalat, madje as veten.     

Për të ilustruar këtë dimension të novelave të tij po sjell pasazhin e mëposhtëm nga novela “Të duash”:

E ti, prapë po të pyes: a ke frikë? Megjithëse e di se ka raste kur të gjithë të dhunojnë, si të gjymtin, të pafjalin, të palëvizshmin në kufi të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe në këtë të gjithë kënaqen me të dhunuarit ty, si ata policë maqedonas, megjithëse e di që edhe dhunimi është i kalueshëm, dhunim i kalueshëm, megjithatë kam frikë dhe shpresoj kurrë të mos kthehet, si që është varësimi  nga heroina dhe të varësuarit tënd nga tjetri pikërisht në heroinë. E ti: derisa përqafon fëmijën tënd, ti derisa adhuron mjekrën e babait tënd dhe mendon si do ta bëje pallto, ti derisa djali ta ka blerë edhe një shtëpi, ti derisa u këndon miliona njerëzve, ti derisa mbanë fjalim, ti derisa gjuan molotovin e radhës, ti derisa je duke vdekur nga kanceri, ti derisa je duke lindur, ti derisa je duke lexuar, a ke frikë? (fq. 245-6)

Prandaj, Ballsor Hoxha mua më kujton Brunon e Encanto, filmit të animuar të Disney-t të vitit 2021.  Një prej këngëve të këtij filmi titullohet “We don’t talk about Bruno” (Ne nuk flasim për Brunon), e cila u bë më e famshme se filmi. Në fakt, konsiderohet kënga më e famshme në mesin e të gjithë kolonave zanore të filmave të Disney-t deri më sot. Fama e saj, me sa duket, nuk lidhet vetëm me ritmin. Teksti, veçanërisht refreni duket se shfaqë në mënyrë të goditur natyrën njerëzore.

Prej kësaj kënge, në mbarë botën, “Bruno” është kthyer në simbolin e sekreteve dhe të pathënave në familjet tona, që dihen nga të gjithë por gjoja nuk i flasin dhe kinse i harrojnë. Bruno është simboli i çdo çështjeje që njerëzit shmangin ta trajtojnë, çdo problemi të paadresuar që, megjithatë, me kokëfortësi e bën të ndihet prania e tij. Bruno është, gjithashtu, çdo sukses i anashkaluar, çdo mundësi e humbur.

Encanto, Bruno është anëtari i ditur i familjes që nuk e harron të kaluarën dhe mund të parashikojë të ardhmen – një version kolumbian i Kassandrës, do thoja. Kjo është arsyeja pse fjalët e tij na shqetësojnë, prishin status quo-në, trazojnë qetësinë dhe paqen e imagjinuar, bezdisin bekimin fluid që fal padija. Mbi të gjitha, Bruno ka një të metë të madhe: ai thotë të vërtetën. Kjo është arsyeja pse ai përjashtohet e shmanget me bezdi.

Si e dini nga përvoja, as në kulturën tone” Brunot” nuk parapreferohen. Ne nuk flasim për to. Nuk i përmendim. Prej kësaj, mua shpesh Ballsori më duket si një farë “Brunoje”. Më duket si një Bruno trazues i letrave tona, që mund ta shmangim si muzikën e lartë kur mbyllim veshët, që do bëjmë se nuk e dëgjojmë por do i kthehemi letërsisë së tij, të bindur se do na thotë brutalisht të vërtetën.

Prandaj më pëlqen ta shoh botën përmes syve të Ballsorit –a syve të zinj të Borës-. Më pëlqen prej faktit se letrat shqipe kanë edhe një tjetër përfaqësues bashkëkohor letrash që shkruan pa filtra, që me artin e tij multidimensional, letërsinë e tij të guximshme në fjalë dhe ide na bezdis staus quo-në. Më pëlqen prej faktit se ndërton ura stilistike me perëndimin duke çmuar traditën, dhe, mbi të gjitha, për vërtetësinë këmbëngulëse dhe brutale deri në tronditje.      

Autorja e këtij shkrimi është PhD në Letërsi Krahasimtare./KultPlus.com

Gjuha shqipe

Poezi nga Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com

Cirku italian në Berat, akrobatët dhurojnë spektakël për fëmijët e të rritur

Prej disa ditësh qyteti i Beratit është ndriçuar nga dritat magjike të cirkut italian “Marina Ofrei”.

I pozicionuar në fushën e lumit Osum, ky cirk me animatorë dhe akrobatë italianë ka dhuruar prej disa netësh të qeshura, emocione dhe spektakël për familjet beratase.

Aktorët nga shteti fqinj kanë performuar çdo natë në skenën e cirkut, ku për rreth 1-orë e 30 minuta, spektatorët kanë parë numrat ajrorë dhe akrobaci të ndryshme, kanë parë tigrat të ngjiten në skenë, ndërkohë që fëmijët janë argëtuar pa fund me dy kllounët “Banana e Briciola”.

Regjizori i cirkut Ricardo Zafatta ka pohuar në fund të shfaqjes se ata e kanë zgjedhur Beratin për të dhënë shfaqjen e tyre pasi është një qytet shumë i bukur, me një shtrirje të gjerë dhe se duke qenë një qytet turistik për ta ishte zgjedhja më optimale për të ardhur këtu.

“Publiku është shumë i ngrohtë, qyteti është shumë i bukur, po ndihemi shumë mirë. Spektakli është i kompletuar me kafshë, ekuilibristë, akrobatë dhe kllounët veçanërisht për fëmijët”, tha Zafatta për medien.

Ndërsa dy kllounët “Banana e Briciola”, Roberto Riva dhe Alex Spada janë shprehur se publiku beratas ka qenë mjaft i ngrohtë e sidomos fëmijët që janë argëtuar pa masë me ta./atsh/KultPlus.com

‘Të pashë, më pe, dhe tash, zhveshur nga keqkuptimi, ti, amazonë mbi shkrepëtimë, regëtin nga e fundmja e papritura mbërrimë’

Poezi nga Pedro Salinas


“[XII]
S’më duhet kohë
të di sesi je:
të njihesh me dikë është xixëllimë.
E kush mund të t’njohë
aty ku ti hesht, a në
fjalë me të cilat hesht?
Ai që ti mëton në at’jetë
që rron, s’di gjë rreth teje
veç nënkuptimeve, shkaqeve
të rreme pas të cilave fshihesh.
Dhe të t’ndjeki së prapthi
në bëmat e tua, të kaluara,
të mbledhë veprim a gëzim,
mote dhe emra, do të qe
si të t’humbiste. Une jo.
Të njoha në shtrëngatë.
Të njoha, të beftë,
n’atë çarje mizore
mugëtire dhe drite,
atje ku përshfaqet thelli
q’ikën ditës dhe natës.
Të pashë, më pe, dhe tash,
zhveshur nga keqkuptimi,
nga rrjedha, nga e shkuara,
ti, amazonë mbi shkrepëtimë,
regëtin nga e fundmja
e papritura mbërrimë,
imja je prej qindra motesh,
prej kaq kohësh që të njoh,
sa në dashurinë tënde sytë i mbyll,
dhe bëj përpara pa e humbur,
krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë
tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur
me të cilën shfaqen shkronja
e trajta dhe mbyllen hesape
me besimin se kthjellohet
cila je ti, e padukshmja ime.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Frida Kahlo, artistja që pikturoi jetën e saj

Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.

Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.

U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.

Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.

Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi  punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.

Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.

Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.

Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com

Thënie për librat: Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat

Këto janë disa nga shprehjet më të veqanta për librin:

1. Shoku më besnik kur mbetem vetëm është libri, tek ai gjejë ngushëllimin kur të tjerët më tradhtojnë.
2. Prindërit, që t’i edukojnë mirë fëmijët, duhet t’i rrethojnë me libra.
3. Librat janë thesari i deponuar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e gjeneratave dhe popujve.
4. Koleksionimi i librave është në fakt koleksionim i lumturisë.
5. Libri është dritare prej nga ne e shohim botën.
6. Leximi pa meditim është thjesht sikur ngrënia e ushqimit pa marrë frymë (pandërprerë).
7. Lexoje një libër të mirë tre herë sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë. Abbas Akkad
8. Më i rrallë se libri i mirë është lexuesi i mirë.
9. Kush shkruan, lexon dy herë.
10. Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat.
11. Më thuaj çfarë lexon të të them se kush je.
12. Krenaria e një tregtari është në mallin që posedon, krenaria e një dijetari në librat që posedon.
13. Libri është shok që nuk të bën hipokrizi, nuk mërzitet duke qëndruar me ty, nuk të qorton nëse e anashkalon dhe nuk të përhap sekretet kurrë.
14. Prapa çdo libri ka një ide e parapa çdo ideje ka një hap përpara.
15. Në përfundim të leximit të një libri të mirë ndihemi sikur po i japim lamtumirën një shoku të çmuar.
16. I urituri nuk ia di vlerën ushqimi pa mos u ngopur më parë. Kështu është puna edhe me lexuesin që lexon librin e parë që i ka rënë në dorë.
17. Proverbat popullor janë libër enciklopedik në të cilin lexon me lehtësi moralin dhe kulturën e një populli.
18. Të mbushësh raftet me libra është më e dobishme se të mbushësh portofolin me para.
19. Edukatorët të thonë: “Lexoje librin që të bën dobi!”, ndërsa unë të them: përfito nga ajo që lexon!
20. Dija është ndër shkaqet më të rëndësishme të lumturisë, andaj bëje librin, mjetin e dijes, shoqërues tëndin të përhershëm.
21. Trupi nuk zhvillohet pa ushqim, po kështu as mendja pa lexim dhe meditim.
22. Dashuria për leximin është mirësi e përshpejtuar për besimtarin në këtë botë.
23. Nuk ka anije si libri që na bartë sa në një vend sa në tjetrin!
24. Dashuria për leximin nënkupton shndërrimin e monotonisë në dëfrim.
35. Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit.

Përktheu: Dr. Sedat Islami/ KultPlus.com

Franca mbyll centralet bërthamore për shkak të valës së të nxehtit

 Kompania shtetërore franceze e energjisë, EDF ka mbyllur termocentralin e saj bërthamor ”Golfech”, në jug të vendit në përgjigje të nxehtësisë ekstreme në zonë.

”Mbyllja u krye për të parandaluar mbinxehjen e lumit Garonne, nga i cili termocentrali merr ujë ftohës”, tha sot EDF-ja.

Për shkak të motit të mesit të verës, lumi Garonne pritej të arrinte një temperaturë prej 28 gradësh Celsius.

EDF-ja nuk specifikoi se sa kohë do të mbetej impianti i mbyllur.

Vala e të nxehtit në Francë, me temperatura që arrijnë 40 gradë Celsius, pritet të vazhdojë deri në mesjavë.

Ndërkohë, termocentrali bërthamor ”Blayais” në Francën perëndimore po redukton prodhimin për të parandaluar mbinxehjen e grykëderdhjes së Gironde.

Termocentrali bërthamor ”Bugey” në jug, i cili merr ujë ftohës nga lumi Rhone, po shqyrtohej gjithashtu për mbyllje.

”Kufizimi ose mbyllja e centraleve bërthamore gjatë valëve të të nxehtit ka çuar në një ulje mesatare të prodhimit vjetor të energjisë elektrike prej 0,3 për qind që nga viti 2000”, theksoi kompania./atsh/ KultPlus.com