Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…

Poezi nga Andon Zako Qajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

‘Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare

Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë

O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com

‘Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Një njeri pa mënd në kokë,
mburrej e lëvdohej vetë,
pandehte me të vërtetë
q’ish i bukur e s’kish shokë,
ndaj ishte shum’ i gëzuar.
Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë
ta tregonte të shëmtuar.
Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë.
Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë
dhe të duket e vërteta,
gjithë pasqyrat e shkreta
kur i shikon, e rrëfejnë
me një fytyrë
shumë të ndyrë.
Që të mos shohë kurrë pasqyrë,
ç’punoi miku?
U ngre dhe iku
lark, ndëpër ara
Për fat të keq, sheh përpara
një liqen të pashënuar,
me ujë fort të kulluar.
Ndë këta ujë kur u shikua
u zemërua,
se prap ju duk fytyra
si te pasqyra,
Domethënë, me një fjalë,
kjo përrallë
Eshtë bërë
për të tërë:
për veten tonë, të gjithë ç’jemi
këtë mendje kemi.
Gjithë njerztë faje kanë,
për ne si pasqyrë janë:
ky njeriu
faqeziu
që qesh o mburr vetëhenë,
është shpirti yne vetë,
Sa për liqenë
ndë vënd të shkrete,
me ujëkulluar,
tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com

“A u shua Shqipëria, që ka pjellë Skënderbenë?”

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Besa-Besë

Gjithë vendetë gëzojnë, 
ti, Shqipëri, pse pushon? 
Gjithë njerëzit këndojnë, 
ti, shqiptar, pse rënkon? 
Gjithë duanë lirinë 
dhe pa të njeriu s’rron; 

ti, shqipëtar, Shqipërinë 
në zgjedhë si e duron? 

Zgjohuni, o shqipëtarë, 
erdhi dita për liri! 
Zini luftë me barbarë, 
përpiqi për Shqipëri! 

Të krishter’ e myslimanë, 
të tërë një sua kemi; 
gegë, toskë, dibranë, 
gjithë shqipëtarë jemi. 

Mblidhuni te bëjmë benë, 
të gjithë dorë për dorë: 
Të duamë mëmëdhenë, 
edhe malet me dëborë. 

Që ditën që u shkeli 
robëria dhe gjer sot 
nukë bën më bar Dhëmbeli 
dhe Tomori qan me lot. 

Male me krye në qieli, 
si duroni robërinë? 
Ju që shihni drit’ e diell, 
pse s’ndrini dhe Shqipërinë? 

Ku janë vaftet e parë, 
që kini dhënë yrnek? 
Ku jini, o shqipëtarë, 
pse s’dëgjohet një dyfek? 

Apo humbi trimëria, 
apo s’doni mëmëdhenë? 
A u shua Shqipëria, 
që ka pjellë Skënderbenë? 

Pse rrini lidhur me lak? 
Pse shpëtoni vënd’ tuaj? 
apo s’u mbeti më gjak, 
se e derdhtë për të huaj? 

Mirri pushkëtë në duar 
edhe bëni besa-besë: 

Shqipëria do shpëtuar, 
kokë turku të mos mbese! / KultPlus.com

O shokë, ç’u prish dynjaja

Poezi nga Çajupi

“O shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë…”

O shokë, ç’u prish dynjaja

Poezi nga Çajupi

“O shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë…” / KultPlus.com