Marie Curie, gruaja e parë që ka marrë dy çmime ‘Nobel’

Sot shënohet 90-vjetori i vdekjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com

Monica Bellucci nderohet me çmimin “Globo d’Oro”

Aktorja e mirënjohur italiane Monica Bellucci është vlerësuar me çmimin “Globo d’Oro” për arritje në karrierë nga Shoqata Italiane e Shtypit të Huaj.

59-vjeçarja – e njohur ndërkombëtarisht për rolet e saj në “The Matrix” dhe si një vajzë Bond në “Spectre” të vitit 2015 – u nderua me çmimin “Globo d’Oro” gjatë një ceremonie dje në Romë.

Çmimi vjen më shumë se një çerek shekulli pasi fitoi “Globo d’Oro” për aktoren më të mirë në interpretimin e saj në “Kaputt Mundi” në 1998.

Në edicionin e 64-të të ndarjes së çmimeve, Bellucci shoqërohej nga partneri i saj, regjisori amerikan Tim Burton, i famshëm për filmin “Charlie and the Chocolate Factory”.

Çmimi për Filmin më të Mirë iu dorëzua regjisores italiane, Paola Cortellesi për “C’è ancora domani”, ndërsa Filmi më i mirë Dokumentar u shpall “Ode to Napolit” nga Trudie Styler, bashkëshortja e këngëtarit britanik “Sting”.

Çmimet “Globo d’Oro” organizohen çdo vit nga Shoqata Italiane e Shtypit të Huaj./KultPlus.com

Më 4 korrik 1807 lindi Giuseppe Garibaldi, luftëtari i paepur për bashkimin e Italisë

Giuseppe Garibaldi lindi në Nice më 4 korrik 1807. Një personazh i shqetësuar dhe i etur për aventura, që në një moshë shumë të re ai u nis si detar për të ndërmarrë jetën në det.

Më 1832, gati njëzet e pesë vjeç, ai ishte kapiten i një anijeje tregtare dhe në të njëjtën periudhë ai filloi të afrohej në lëvizjet patriotike evropiane dhe italiane (siç është, për shembull, lëvizja Mazziniane “Giovine Italia”), dhe të përqafojë idealet e tyre të lirisë dhe pavarësisë.

Më 1836 ai zbarkoi në Rio de Janeiro dhe nga këtu filloi periudha, e cila zgjati deri më 1848, në të cilën ai u angazhua në ndërmarrje të ndryshme të luftës në Amerikën Latine.

Ai lufton në Brazil dhe Uruguaj dhe grumbullon një përvojë të madhe në taktikat guerile bazuar në lëvizje dhe veprime surprizë. Kjo përvojë do të ketë vlerë të madhe për stërvitjen e Giuseppe Garibaldit si si një drejtues luftimesh, ashtu edhe si një takticien i paparashikueshëm.

Më 1848 u kthye në Itali ku shpërtheu lëvizjen e pavarësisë, me Pesë ditët e famshme të Milanos. Më 1849 ai mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake së bashku me Mazzini, Pisacane, Mameli dhe Manara, dhe ishte shpirti i forcave republikane gjatë luftimeve kundër aleatëve francezë të Papës Pius IX. Fatkeqësisht, republikanët detyrohen të pranojnë epërsinë e forcave të armikut dhe Garibaldi detyrohet të braktisë Romën më 2 korrik 1849.

Nga këtu, duke kaluar mënyra shumë të rrezikshme përgjatë të cilave ai humbet shumë shokë besnikë, ndër të cilët gruan e dashur Anita, ai mundi të arrijë në territorin e Mbretërisë së Sardenjës.

Pastaj fillon një periudhë e endjes nëpër botë, kryesisht në dete, e cila më në fund e çon atë në Caprera më 1857.

Garibaldi megjithatë nuk braktis idealet për bashkimin e Itailisë dhe më 1858-1859 ai takohet me Cavour dhe Vittorio Emanuele, të cilët e autorizojnë atë për të formuar një organ të vullnetarëve, një organ që quhej “Cacciatori delle Alpi” dhe në komandën e të cilit u vendos vetë Garibaldi.

Merr pjesë në Luftën e Dytë të Pavarësisë duke arritur suksese të ndryshme, por armëpushimi i Villafranca ndërpret operacionet dhe Gjuetarët e tij.

Më 1860 Giuseppe Garibaldi ishte promovues dhe drejtues i ekspeditës së Një Mijëve; ngre spirancën nga Quarto (Gjenovë) më 6 maj 1860 dhe zbarkon në Marsala pesë ditë më vonë. Nga Marsala fillon marshimi i tij triumfal; mund Bourbonët në Calatafimi, arrin në Milazzo, merr Palermon, Messinan, Siracusen dhe çliron plotësisht Siçilinë.

Më 19 gusht ai zbarkon në Kalabri dhe, duke lëvizur shumë shpejt, bën kërdi në linjat e Bourbonëve, pushton Reggion, Cosenzan, Salernon; më 7 shtator hyn në Napolin e braktisur nga Mbreti Francesco II dhe më në fund mposht Bourbonët në Volturno.

Më 26 tetor Garibaldi u takua në Vairano me Vittorio Emanuele II dhe vuri territoret e pushtuara në duart e tij: ai pastaj u tërhoq përsëri në Caprera, gjithmonë i gatshëm për të luftuar për idealet kombëtare.

Më 1862 ai u vu në krye të një ekspedite të vullnetarëve në mënyrë që të çlironte Romën nga qeveria papale, por ndërmarrja u kundërshtua nga Piemonte, kështu që u ndalua më 29 gusht 1862 në Aspromonte.

I burgosur dhe më pas i liruar në Caprera, ai mbeti në kontakt me lëvizjet atdhetare që veprojnë në Evropë.

Më 1866 ai mori pjesë në Luftën e Tretë të Pavarësisë nën komandën e Departamenteve Vullnetare. Ai vepron në Trentino dhe këtu arrin fitoren e Bezzecca (21 korrik 1866), por, përkundër situatës së favorshme në të cilën nodhej kundër austriakëve, Garibaldi duhet të pastrojë territorin e Trentinos me urdhër të piemontasve, të cilëve iu përgjigjet me “Obbedisco” – “Unë bindem “,  që mbeti e famshme.

Më 1867 ai drejtoi përsëri një ekspeditë që synonte çlirimin e Romës, por përpjekja dështoi me humbjen e forcave garibaldine në Mentana përballë forca Franko-Papale.

Në vitin 1871 ai mori pjesë në ndërmarrjen e tij të fundit të luftës përkrah francezëve në luftën Franko-Prusiane, ku, megjithëse ai mundi të arrijë disa suksese, asgjë nuk mund të shmangte humbjen përfundimtare të Francës.

Më në fund u kthye në Caprera, ku kaloi vitet e fundit dhe ku vdiq më 2 qershor 1882. /Voal /KultPlus.com

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi 

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë

Duart e tua në pranga,
plak i ngartë?
Erdha të marr
cfarë perket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos më thuaj:
“Biro… ianë të trishtuara”.
Baba i gjorë!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
vec një varr të thieshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shprëndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojme,
unë
me babanë…/KultPlus.com

Kroçera “World Traveller” me turistë të huaj viziton Durrësin

Kroçera “World Traveller” me 156 turistë vizitoi sot portin e Durrësit.

Sipas Autoritetit Portual Durrës, turistët e ardhur me kroçerë janë të nacionaliteteve të ndryshme si amerikanë, 󠁧󠁢󠁥󠁮󠁧󠁿anglezë, kanadezë, kolumbianë, australianë, francezë etj.

Kroçera e ka nisur e turin e saj nga Kroacia, e ka vijuar me ndalesat ditore në Monopoli(Itali) sot në vendin tonë e do të vijojë lundrimin në disa prej ishujve të Greqisë.

Kjo eksploruese moderne, e lançuar në vitin 2022, integron sistemet më të fundit të menaxhimit të energjisë hibride me efikasitet maksimal të karburantit dhe sistemeve shtytëse.

Inxhinieria e saj bashkëkohore është e ndjeshme ndaj ekosistemeve të brishta të ujërave oqeanike dhe detare duke lejuar anijen të lundrojë me pak ose aspak zhurmë deri në pesë nyje.

“World Traveller” lundron nën flamurin e Madeiras, ka një kapacitet akomodues prej 196 pasagjerësh dhe 127 anëtarë ekuipazhi./atsh/KultPlus.com

Anisa Markarian, aktorja e skenaristja feston sot ditëlindjen

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, uroi me rastin e ditëlindjes, aktoren Anisa Markarian.

Në mesazhin e urimit që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, Markarian vleresohet si “artistja sqimatare e talentuar, e cila përmes roleve dhe interpretimeve të saj të paharrueshme kinematografike, si dhe nëpërmjet krijimeve të saj letrare me një shqipe të përkorë, u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të elitës artistike dhe intelektuale shqiptare, duke u vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” i Punës”.

Markarian lindi në Tiranë, më 1962, në një familje me origjinë armene. Përveç angazhimit në kinematografi, si aktore, Anisa Markarian ka shkruar edhe skenarë. Ka interpretuar në disa filma ku ka fituar dhe çmime kombëtare për aktrimin. Filmin e parë, “Vajzat me kordele të kuqe” e interpretoi në moshën 16-vjeçare.

Ka botuar poezi dhe prozë. Megjithëse u vlerësua për talentin e saj si aktore e skenariste, Markarian zgjodhi që karrierën e saj profesionale ta përqendronte në një tjetër fushë, atë të mjekësisë, profesion që e ushtron prej pothuaj 3 dekadash, jashtë kufijve të Shqipërisë. Anisa Markarian jeton e punon në Francë që prej vitit 1991.

Ndër rolet e spikatur ku Anisa ka interpretuar: “Vajzat me kordele të kuqe”, “Në çdo stinë”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngjyrat e moshës” etj./atsh/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare vlerësohet nga arkitektët australianë si një thesar i vërtetë

Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore i  cili është i mbështetur nga Getty Foundation, është duke u mbajtur në Kosovë që nga 1 deri 4 korrik të këtij viti, në të cilin ka arkitektë nga e gjithë bota, nga Armenia, Ukraina, India, Australia, Amerika e nga Evropa.

Synimi i këtij seminari, është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në Kosovë por në tërë regjionin.

Drejtori i këtij seminari e festivali, Bekim Ramku ka thënë për kp se në funksion janë edhe tre punëtori për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, me ekipin LMNL nga Holanda të cilët po punojnë në oborrin e fondacionit dhe në shtëpinë e Hivzi Sylejmanit për të krijuar një bahçe.

“Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore, është seminari i organizuar në bashkëpunim me Getty Foundation, ka pas një iniciativë të quajtur keeping it modern, që ka investuar në projekte të modernizmit për me krijuar plane të konservimit dhe menaxhimit. Njëri nga ato planet ka qenë plani që kemi bë për Bibliotekën Kombëtare 2016. Tash pas shumë vitesh kemi organizuar një seminar ku kemi mbledhur 40 persona prej të gjithë botës me prezentu.. Synimi është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në vendin tonë por në regjionin tonë… Jemi duke organizuar edhe festivalin e arkitekturës. Dje, kemi pasur mbrëmjen e parë të ligjëratave publike të cilat mbahen në Kino Armata, çdo ditë prej 18:45…. Kemi edhe tre punëtori që janë duke ndodhur, një punëtori është për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, tjetër me ekipin LMNL nga Holanda që janë arkitekt të peizazhit të cilët janë duke punuar me oborrin e fondacionit 17, shtëpinë e Hizvi Sylejmnait për të krijuar një bahçe dhe një punëtori”, ka thënë ai.

Ndërsa, arkitektja australiane Sheridan Burke, e cila ka bërë planin e konservimit të shtëpisë së operës në Sidney, e cila është në listën e trashëgimisë botërore.

Mesazhi i Burke është që si popull të kujdesemi për Bibliotekën Kombëtare, e cila e vlerëson atë si një thesar të vërtetë në Kosovë.

“Jam këtu për të qenë pjesë e një konferencë që është mbajtur për planifikimin e menaxhimit të ruajtjes për vendet e trashëgimisë moderne dhe gjithashtu për të qenë pjesë e festimeve të arkitekturës së Kosovës… Unë po prezantoj sonte për Shtëpinë e Operës së Sidneit, e cila është një ndërtesë në Sidnei ku jetoj dhe për të cilën kam ndihmuar të kujdesem. Shtëpia e Operës tani është në listën e Trashëgimisë Botërore… Është një lloj simboli i kombit, dhe qendra më e ngarkuar e arteve të shfaqjes në Australi. Pra kemi rreth 8 milionë vizitorë, që është një presion i madh… Më pëlqen kjo bibliotekë. Është thjesht një ndërtesë e jashtëzakonshme. E dini, unë me të vërtetë nuk kam parë diçka të tillë më parë dhe është e mrekullueshme të shohësh mobiliet ende këtu, veprat e integruara të artit, pamja e saj brenda qytetit është e mrekullueshme, keni një thesar të vërtetë këtu, kujdesuni për të”, është shprehur Burke.

Gjithashtu, Vaidas Petrulis nga Lituania, i cili është profesor i asociuar dhe mësimdhënës për arkitekturë, histori dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Teknologjisë në Kaunas, ka shtuar se populli është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, prandaj ata duhet të dinë se ku qëndron vlera e tyre.

“Në Kaunas kemi bërë një plan të menaxhimit të ruajtjes për ish-laboratorin e kërkimit kimik, ish-laboratorin e kërkimit ushtarak që tani është nën kujdesjen e Universitetit të Teknologjisë Kaunas dhe ne e përdorim këtë laborator për qëllime të studimeve….Ndoshta deklarata ime më e rëndësishme e tezës është se nëse doni të kujdeseni për trashëgiminë, populli është shumë i rëndësishëm, dikush duhet të kuptojë vlerën dhe për këtë qëllim është shumë e rëndësishme të zhvillohet një narrativë shumë e qartë për t’u treguar njerëzve pse është e rëndësishme se ku qëndron vlera. Dhe padyshim që ju duhet një histori bindëse, kështu që ajo që ne u përpoqëm të bëjmë është që lidhim laboratorin me të gjithë trashëgiminë e Kaunas, dhe Kaunas tani është qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s… Është e mahnitshme sidomos kur bëhet fjalë për gjysmën e dytë të shekullit të 20-të të vetë bibliotekës ku jemi. Është një ndërtesë fantastike me kupola ekzotike dhe në fakt nëse shikoni të gjithë zonën lindore duke filluar nga Estonia veriore dhe duke përfunduar në jug të Kosovës, do të gjeni shumë librari spektakolare”, ka shtuar ai.

Përveç seminarit, gjithashtu është duke u mbajtur edhe festivali i arkitekturës në Kino Armata nga ora 18:45./tv21/KultPlus.com

I dashuri im Lasgush

Nga Zelije Krasniqi

I dashuri im Lasgush,
Kam kujtuar që bota mban rruaza prej druri,
që të gjuaj mbi këmbana sa herë të vijë kohë e njerëzve si ti,
që bëhen dashnorë virgjëreshash
duke mos përbuzur drithërimat e shenjtërisë.
I dashuri im Lasgush,
do të tregoj se stacionet e mia nuk vijnë me mua në shtëpi,
nuk ma mbajnë emrin mend sa ty,
dhe sa here shoh veten në pasqyrë,
shoh vetëm rrobat e mia
dhe kapelën tënde të grisur nga femra të tjera të panjohura
I dashuri im Lasgush,
i dashuri i femrave që s’jetuan në kohën tënde,
më kane thënë se ti me ke dashur mua
edhe kur nuk kishte ndër mend Zoti të më sillte në racën tënde,
më ke dashur më shumë seç do të duash femra të tjera pas meje.
I dashuri im Lasgush,
që shëtitesh nëpër sytë e mi,
më thuaj se jeta ime ka një dritë të vogël
që e ke ndezur ti. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

Filarmonia e Kosovës është në përgatitjet finale të koncertit përmbyllës të sezonit 2023-2024, të quajtur “Koncert për paqe”.

E veçanta e kësaj mbrëmje muzikore do të jetë edhe prezenca e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

“Jemi të nderuar që në mesin tonë, bashkë me 200 muzikantë, në skenë do të ngjitet edhe ambasadori amerikan në Kosovë, shkëlqesia e tij Jeffrey M. Hovenier”, ka njoftuar Filarmonia e Kosovës.

Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton)./KultPlus.com

Art dhe arkitekturë në Vilën Mbretërore

Në Vilën Mbretërore të Durrësit u zhvillua një aktivitet interesant që ndërlidhi arkitekturën, artin, ujin dhe muzikën. Aktiviteti u organizua nga Harabel Contemporary, Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Tiranës dhe Instituti Italian i Kulturës, mbështetur nga Ambasada e Republikës së Italisë në Shqipëri.

Takimi u zhvillua në kuadër të serisë Hartalk, për të folur për artin, arkitekturën dhe hapësirat e bukura shqiptare.

Pjesëmarrës në bisedë ishin arkitektët e mirënjohur Gëzim Paçarizi, Alban Birçe e Matilda Pando si dhe autorët e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare”.

Të pranishmit vizituan Vilën Mbretërore, objekt me rëndësi i arkitekturës në vendin tonë, instalacionit artistik nga Stefano Romano, për ta përmbyllur mbrëmjen në një festë me muzikë nga Erand Kurani, DJ Set MA NU! & Rea./atsh/KultPlus.com

‘Europa është krijuar nga historia. Amerika është krijuar nga filozofia’

“Secila grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie do të jetë shumë afër t’i kuptojë edhe problemet e drejtimit të një vendi.”

“Nuk mund të ketë liri pa liri ekonomike.”

“Nuk më intereson se sa shumë flasin ministrat e mi, për aq kohë sa ata e bëjnë atë që u them unë.”

– Margaret Thatcher/KultPlus.com

Thënie të famshme nga George Washington: Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.

Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij, transmeton Telegrafi.

Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.

Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.

Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.

Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.

– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”

– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”

– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”

– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”

– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”

– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”

– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”

– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com

Konferencë e përbashkët shkencore mes akademikëve të Tiranës e Prishtinës

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u zhvillua konferenca shkencore e përbashkët me Akademinë e Shkencave te Shqipërisë “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”. Nga ASHSH morën pjesë Aurela Anastasi, Kosta Bajraba dhe Ksenofon Krisafi.

Akademike Aurela Anastasi, një nga organizatoret e kësaj konference, mbajti kumtesën me titull: “Kontrolli kushtetues në shtetin shqiptar të pavarur deri në rënien e regjimit monist”. Përmes kësaj kumtese evidentoi zhvillimet e konstitucionalizmit në vitet 1920-24 dhe ndikimin në zhvillimet e mëtejshme. Ajo sintetizoi evolucionin historiko-juridik të parimit të Konstitucionalizmit dhe të kontrollit kushtetues në Shqipëri.

Përmes analizës së dokumenteve të reja arkivore, punimi arrin në gjetje e konkluzione të rëndësishme për zhvillimin e kësaj lëmie.

Për herë të parë paraqitet një periodizim i zhvillimit të kontrollit kushtetues në Shqipëri bazuar në modelet ndërkombëtare. U shqyrtua kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së normave dhe roli i Këshillit të Shtetit (1929-1944) si organ kushtetues që kreu këtë kontroll. U shtruan për diskutim gjetjet mbi përpjekjet e Gjykatës së Diktimit, për të ushtruar kontroll gjyqësor të kushtetutshmërisë. U diskutua perspektiva e ndikimit të ndërsjellë të doktrinës me kontrollin kushtetues./atsh/KultPlus.com

​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbajtën sot një minutë heshtje në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88-vjeçare nga nëj arrest kardiak.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se në emër të Kuvendit seancën e sotme plenare ta nisim me nderimet për personalitetin e nderuar të letrave shqipe, shkrimtarin e madh Kadare që ditën e djeshme u përcoll në banesën e fundit.

“Të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë”, tha ajo.

Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare u përcoll dje për në banesën e fundit me të gjitha nderimet nga mijëra qytetarë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe Kosova.

‘Deklarimi i Pavarësisë’, piktura e famshme kushtuar 4 Korrikut

Piktura e famshme e John Trumble, “Deklarimi i Pavarësisë” është piktura e parë e bërë në shtetin që sapo ishte formuar nga George Washington dhe gjeneralët e tij, shkruan KultPlus.

Në pikturë shihen të gjithë baballarët që e themeluar kombin amerikan si George Washington, Alexander Hamilton, John Adams, Arron Burr, James Madison dhe Thomas Jefferson.

Kjo pikturë ka nisur me 4 korrik, pra gjatë shpalljes së pavarësisë, por ka zgjatur gati 5 vjet që të përfundohet.

Menjëherë pas kësaj konference, është mbajtur mbledhja e parë e kabinetit të parë qeveritar me president George Washington. /KultPlus.com

143 vite nga vdekja e astronomit, matematikantit e filozofit shqiptar, Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.

Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.

Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com

Thëniet më të njohura të 45 presidentëve të ShBA

Pas betimit dhe marrjes zyrtarisht të detyrës së kreut të shtetit, gjatë ceremonisë presidentët amerikanë mbajnë një fjalim. Ja cilat janë disa nga citatet e famshme të shkëputura nga fjalimet e tyre.

George Washington (1789–1797)

“Rregulli i sjelljes për SHBA, në lidhje me kombet e huaja, është, të zgjerojmë lidhjet tregtare, për të pasur me ta sa më pak lidhje politike që të jetë e mundur”.

John Adams (1797–1801)

“Asnjë person që ka mbajtur detyrën e presidentit nuk mund të përgëzojë dikë që e cilëson mik për besnikërinë e treguar”

Thomas Jefferson (1801–1809)

“Unë uroj të shikoj këtë pije (birrë) që të zëvendësojë wiskey-n, pije që deri tanika bërë që një në tre persona të jenë të varur dhe më shumë se kaq: ka shkatërruar familjet”.

James Madison (1809–1817)

“Asgjë më shumë nuk ndryshon se sa ndryshon mendja”. (e thënë pak momente përpara se të vdiste).

James Monroe (1817–1825)

“Zonjës time Monroe, nëse i shton të bijën për shoqërinë që i bën, pavarësisht se shkakton goxha rrëmujë, mund ta cilësosh kontribuuese të madhe në zbavitjen e saj”.

John Quincy Adams (1825–1829).

“Katër vitet më të këqia të jetës sime, ishin katër vitet e mia në presidencë”.

Andrew Jackson (1829–1837)

“Nëse një punë në qeveri nuk e bën dot një demokrat, atëherë atë punë nuk mund ta bëjë askush tjetër”.

Martin Van Buren (1837–1841)

“Dy ditët më të lumtura të jetës sime kanë qenë: e para kur mora detyrën e presidentit dhe e dyta kur e lashë atë detyrë”.

William Henry Harrison (1841)

“Disa njerëz si puna ime kanë budallallëkun e mjaftueshëm për t’u shkuar në mendje se mund të bëhen presidentë të Shteteve të Bashkuara”.

John Tyler (1841–1845)

“Unë kam gjithnjë mendimin që popullariteti mund të krahasohet me një vajzë lozonjare apo vajzë koketë – sa më shumë i vini rrotull, aq më shumë ajo ikën”.

James Knox Polk (1845–1849)

“Asnjë president që bën detyrën e tij me besnikëri dhe ndërgjegje nuk mund të ketë kurrë kohë të lirë”.

Zachary Taylor (1849–1850)

“Tregojini atij se si përfundon në ferr” (Në përgjigje të kërkesës së gjeneralit meksikan Santa Anna për t’u dorëzuar).

Millard Fillmore (1850–1853)

“Është turp kombëtar që presidentët tanë, pasi kanë mbajtur postin më të lartë të shtetit, duhet lënë në mëshirë të fatit dhe ndoshta të jenë të detyruar të hapin një dyqan ushqimesh si mjet jetese”.

Franklin Pierce (1853–1857)

“Nuk ka ndonjë gjë në të majtë…. Por ama janë të dehur” (në planet e tij pasi humbi një kandidim të dytë në 1856).

James Buchanan (1857–1861)

“I dashur zotëri, nëse ju jeni po aq i lumtur në momentin kur futeni në Shtëpinë e Bardhë po aq sa edhe edhe kur largoheni prej saj, realisht ju jeni një njeri i lumtur”.

Abraham Lincoln (1861–1865)

“S’di se kur unë do dëgjoj dikë të më argumentojë skllavërinë dhe unë do ndjeja një impuls të fortë për të njohur dhe kuptuar personalitetin e tij”.

Andrew Johnson (1865–1869)

“Nga të gjitha rreziqet që kombi ynë ndeshet akoma një gjë është e vërtetë: Ato nuk janë të njëjta me ato të cilat duhet të rezultojnë nga sukseset e arritjeve më të fundit të afrikanizimit të gjysmës së Jugut të vendit”.

Ulysses S. Grant (1869–1877)

“Puna nuk është turp për njerëzit; për fat të keq herë pas here ka njerëz që turpërojnë punën”.

Rutherford B. Hayes (1877–1881)

“Unë jam tejet i lodhur nga kjo jetë e varësisë së plotë, nga përgjegjësia dhe nga rraskapitja”.

James A. Garfield (1881)

“Zoti im! Në këtë vend ka gjithçka që një njeri i dëshiron t’i ketë. Apo jo?”.

Chester A. Arthur (1881–1885)

“Unë mund të jem president i SHBA, por jeta ime private nuk është çështje e dikujt”.

Grover Cleveland (1885–1889,1893–1897)

“Gratë e ndjeshme dhe të zgjuara nuk dëshirojnë të votojnë”.

Benjamin Harrison (1889–1893)

“Ne amerikanët nuk kemi autorizim nga Zoti për të mbajtur nën kontroll Botën”.

William Mckinley (1897–1901)

“Ne kemi nevojë për Hawai-n më shumë se sa California-n. Kjo është prova e pashmangshme”.

Theodore Roosevelt (1901–1909)

“Fitorja e luftës nuk vlen sa fitorja e paqes”.

William Howard Taft (1909–1913)

“Nuk e ke shfrytëzuar detyrën e presidentit, nëse nuk keni siguruar një tren me një vagon-restorant në të”.

Woodrow Wilson (1913–1921)

“Dobia e një universiteti është se nxjerr aristokratë të rinj, ndryshe nga baballarët e tyre që nuk e kishin këtë mundësi”.

Warren G. Harding (1921–1923)

“Unë jam një burrë me pak talent nga një qytet i vogël; nuk dukem shumë që unë jam president”.

Calvin Coolidge (1923–1929)

“Kur shumë njerëz janë të pazotë të gjejnë punë, ata përfundojnë të papunë ”.

Herbert Hoover (1929–1933)

“Unë jetova më shumë se bastardët” (duke iu referuar shumë njerëzve që e bënin fajtor për Depresionin e Madh).

Franklin Delano Roosevelt (1933–1945)

“Për të qenë i suksesshëm në të folurin publik duhet të kesh parasysh këto rregulla: Të jesh i sinqertë, të jesh konçiz dhe të jesh i përulur”.

Harry S. Truman (1945–1953)

“Unë e shkarkova MacArthur (gjenerali i trupave amerikane të dërguar në Kore) sepse ai nuk respektoi autoritetin e presidentit. Unë nuk e shkarkova atë sepse mendoja se ai ishte maskara. Ai në fakt ishte i tillë. Por është e rëndësishme të them se të qenit maskara nuk është kundër ligjit. Ah, nëse kjo do ishte e kundërligjshme, gjysma e drejtuesëve të ushtrisë do futeshin në burg”.

Dwight David Eisenhower (1953–1961)

“Nuk dua që kur urinoj të kujtoj këtë qelbësirë”.(duke iu referuar senatorit Joe McCarthy).

John Fitzgerald Kennedy (1961–1963)

“Harrojini armiqtë, por mos harroni kurrë emrat e tyre”!

Lyndon Baines Johnson (1963–1969)

“Nëqoftëse popullit ia mbledh mirë rripat, zemrat dhe mendjet e tyre do të të ndjekin”.

Richard Milhous Nixon (1969–1974)

“Kur presidenti bën dicka, kjo do të thotë që ajo nuk është e jashtëligjshme”.

Gerald R. Ford (1974–1977)

“Unë jam një Ford, jo një Lincoln”.

James Earl Carter (1977–1981)

“Unë jam i shqetësuar se si funksionon çdo kristian sepse ndonjë mund të shkojë në ferr”. (duke iu drejtuar Reverend Jerry Falwell)

Ronald Reagan (1981–1989)

“Është e vërtetë që puna e rëndë nuk ka vrarë dikë, por unë ju siguroj që puna e rëndë rrezikon jetën”.

George Herbert Walker Bush (1989–1993)

“Unë kam opinionet e mia. Ka raste që kam opinione të forta, por ama nuk jam në një mendje gjithnjë me to”.

William Jefferson Clinton (1993–2001)

“Lëvizjet e mia për të kryesuar qeverinë do të jenë shoqëruar përherë me ndjenjat aspak të papëlqyera të një fajtori i cili do të vendosë ekzekutimin e vetes së tij”.

George W. Bush (2001–2009)

“Çelsi i politikës së jashtme është të mbështetesh në besim”.

Barack Obama (2009-2016)

“Në 15 muajt e fundit ne kemi udhëtuar në çdo cep të SHBA. Kam qenë deri tani në 57 shtete. Unë mendoj si i majtë kur shkoj”.

Donald Trump (2016 e në vijim)

“Unë do ta bëj Amerikën përsëri të madhe”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron SHBA-në për Pavarësinë: Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Ditën e Pavarësisë.

Ajo ka shkruar se populli i Kosovës sot feston krahas popullit amerikan, dhe se sot kujtojmë vlerat mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme.

“Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku! Happy Fourth of July!”, ka shkruar Osmani.

“Birmingham Live”: Turistët britanikë zgjedhin Shqipërinë, pas braktisjes së Spanjës dhe Greqisë

Turistët britanikë mund të braktisin Spanjën dhe Greqinë mes tensioneve në rritje – dhe të shkojnë në Shqipëri, tha TUI, sipas një artikulli të botuar në “Birmingham Live”.

Kompania TUI – e cila rivalizohet nga “Jet2”, “Ryanair”, “Easyjet” dhe të tjerë –  tha se Shqipëria mund të jetë destinacioni i radhës për britanikët.

Shefi ekzekutiv i TUI, Sebastian Ebel tha për “The Independent” se pas protestave kundër turizmit në Spanjë dhe Greqi, me të dy vendet ku shihen grafite anti-turistike të skalitura javët e fundit, Shqipëria pritet të jetë destinacioni i pushimeve verore për turistët britanikë dhe jo vetëm.

“Unë mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje”, tha ai.

“Aktualisht, mënyra më e mirë për të vizituar Shqipërinë është të rezervoni fluturimet dhe hotelet. Shqipëria ka regjistruar një rritje të popullaritetit gjatë muajve të fundit, veçanërisht bregdeti shqiptar”, shtoi Ebel.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë jam një adhurues i madh i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë”, tha ai.

Ebel zbuloi se 10 vjet më parë – kur ai i ishte bashkuar bordit ekzekutiv të TUI – kishte sugjeruar mundësinë për të përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve për pushime.

“Fillimisht, unë nuk mund t’i bindja njerëzit të investonin atje. Por, me pas dy nga pushuesit tanë shkruajtën vlerësimet e tyre në faqen e internetit: “Hoteli ynë, “Vila One Beach” – ndodhet në plazhin më të bukur dhe të pastër. Kuzhinieri i shkëlqyer i hotelit na ofronte çdo natë kuzhinë tradicionale shqiptare – jo nga menyja, ai thjesht pyeste se çfarë na pëlqente. Ne do të kthehemi sërish në Shqipëri”, citoi Ebel.

“Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri. Gjithashtu, në vend po nxiten investime për hotele me katër dhe pesë yje me emra ndërkombëtarë”, tha Bordi Turistik i Shqipërisë vitin e kaluar./atsh/KultPlus.com

Disa fakte rreth 4 korrikut – Dita e Pavarësisë së ShBA

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është deklarata e miratuar nga mbledhja e Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani më 4 korrik 1776, e cila njoftoi se trembëdhjetë kolonitë amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, e konsiderojnë veten si trembëdhjetë shtete të pavarur, sovranë, që nuk janë më nën sundimin britanik. Ata formuan një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

John Adams ishte një udhëheqes në shtytjen për pavarësi, e cila u miratua më 2 korrik me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë vetësh kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi “Deklarata e Pavarësisë” nuk është përdorur në dokument.

John Adams bindi komisionin të zgjidhte Tomas Xheferson për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, të cilin Kongresi do ta redaktonte për të prodhuar versionin përfundimtar. Deklarata ishte në fund të fundit një shpjegim formal pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: “Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës” Por ditëlindjen kombëtare, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.

Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht si fletushkë që u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë ka humbur, dhe mund të ketë qenë një kopje në duart e Tomas Xhefersonit. Drafti fillestar i Xhefersonit, të plotë me ndryshimet e bëra nga John Adams dhe Benjamin Franklin, dhe shënimet e Xhefersonit të ndryshimeve të bëra nga Kongresi, janë të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit. Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, dhe u nënshkrua kryesisht më 2 gusht.

Burimet dhe interpretimi i Deklaratës kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara duke renditur ankesat koloniale ndaj Mbretit George III, dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit. Abraham Linkolni e bëri Deklaratën epiqendrën e retorikës së tij (si p.sh. në fjalimin e Getisburgut 1863), dhe politikat e tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë:

Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.

Kjo është quajtur “një nga fjalitë më të njohura në gjuhën angleze”, që përmbajnë “fjalët më të fuqishëm dhe rrjedhimore në historinë amerikane”. Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të perpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Abraham Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën si themel të filozofisë së tij politike, duke argumentuar se Deklarata është një deklaratë e parimeve mbi të cilat duhet të interpretohet Kushtetuta Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera në shekujt e 18-ë dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, dhe pastaj në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore në dekadat deri në 1848. / KultPlus.com

Ra si yll po s’u shua…

Poezi nga Ismail Kadare

Vështroi princesha krenare,
Në ç’do kullë e ç’do kamare,
Si të fundit roje ranë,
Ç’do pëllëmbë me gjak e lanë.

Dhe e vetme ajo mbeti,
Përmbi kullë porsi deti,
Që i hedh dallgët në rërë,
Turqit u vërsulën të tërë,

Që ta zënë yllin të gjallë,
Po a zihet ylli vallë?
Ja Argjiroja e shpejtë,
Tok me foshnjëzën e vet,

U vërtit si zog në erë,
Nga kalaja në humnerë.
Shkëmb më shkëmb seç u copëtua,
Ra si ylli po su shua,

Dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë,
Se fëmija saj mbet gjallë,
Dhe që foshnjen ta mëkojë,
Qumësht zuri të pikojë./KultPlus.com

Zgjedhjet amerikane, Biden hedh poshtë ‘zërat’ për largimin e tij: Do të jem deri në fund dhe do të fitojmë

I vendosur për të vazhduar fushatën për zgjedhjet presidenciale në nëntor, pavarësisht zërave gjithnjë e më të lartë brenda partisë që i kërkonin të tërhiqej, Joe Biden ka treguar se do të bëjë të kundërtën.

Në një konferencë, të mërkurën me zyrtarët e fushatës së tij, ai tha se askush nuk po e detyron atë të largohet.

Gjithashtu theksoi se vazhdon punën normalisht: “Më lejoni ta them sa më qartë, do të dal në zgjedhje. Askush nuk më çon drejt largimit, nuk po largohem. Jam në këtë luftë deri në fund dhe do të fitojmë”.

/abcnews.al/ KultPlus.com

Franc Kafka nuk kursente fjalët e mira për aktorin me prejardhje shqiptare Aleksandër Moisiun

Veprimtaria e Aleksandër Moisiut ishte e fokusuar në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të tij të njëpasnjëshme në aktrim ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës e Amerikës Veriore.

Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.

 Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .

Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të pa para ndonjëherë në skenat botërore.  

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun./ KultPlus.com

Nën patronatin e Komunës mbahet ‘Prizren Rock and Blues Festival’, performojnë artistë të njohur ndërkombëtar e vendor

Për tri ditë me radhë, në qytetin e Prizrenit, do të mbahet festivali më i madh i muzikës rock dhe blues  “Prizren Rock and Blues Festival”, i cili këtë herë sjellë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtar.

 Në festivalin “Prizren Rock and Blues Festival” përmes një programi të pasur artistik do të performojnë 12 bende muzikore, ndër të cilët janë: rock-bendi i njohur nga Suedia “Dirty Loops”, rock-kitaristi Frank Gambale dhe All Stars, Bon Jovi Experience dhe Vlatko Stefanovski.  Ndërsa artistët shqiptarë që do të performojnë në këtë festival janë grupi 403, Bojken Lako dhe Sokol Keci Band.

Festivali realizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe implementohet nga shoqata Melodia e Rock & Blues.

Për shkak respektimit të rregullave të sigurisë dhe mbarëvajtjes së Festivalit, sugjerohet që të gjithë adhuruesit të shkojnë në kohë dhe të ndjekin udhëzimet gjatë hyrjes.

Festivali mbahet më 4, 5, 6 korrik, në periferi të qytetit të Prizrenit, në ITP Prizren ish-kampin gjerman të KFOR-it, në ora 20:00. Hyrja do të jetë falas./ KultPlus.com