U ktheva për diçka tjetër

Nga Jamarbër Marko.

Unë u ktheva
Për të parë një lot që mund të bjerë kudo
Nuk u ktheva
Për të hyrë në një buzëqeshje
Nuk u ktheva
Për të provuar se kam ditur gjithcka
As për të hequr një kokrrizë pluhuri
Që rëndon pezull mbi hapsirën e moskuptimit
Unë nuk u ktheva
Për të ndier tingujt dhe frymëmarrjen e emocionit
Nuk do të kthehesha
Për të marrë çka më takonte
Nuk u ktheva te ditët që lashë
Se e dija që ishte e pamundur
Nuk do të kthehesha
Për të provuar po atë gjë
Që kanë jetuar të tjerët

Integra: Shteti i Serbisë e ndalon bashkëpunimin ndërmjet artistëve nga Serbia dhe Kosova

Sot pas orës 14:00, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka pranuar njoftim verbal nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për ndalimin e të gjitha ngjarjeve në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”. Ndalesa u komunikua zyrtarisht si urdhër për të ndërprerë tubimin, fillimisht në formë verbale e pastaj edhe në formë të shkruar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërlidhura me festivalin, si ngjarjet publike edhe ato të planifikuara vetëm për mysafirët.

Me këtë urdhër, përmes aplikimit të masave disproporcionale, Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, si dhe një numër ligjesh, duke përfshirë të paktën dy nene të Ligjit për Tubime Publike. Vendosja e barrës mbi organizatorët në vend se të merren me huliganët dhe dështimi për të siguruar tubimin është kundër rendit ligjor dhe kushtetues të Republikës së Serbisë si dhe kundër standardeve e praktikave në fuqi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një fushatë linçuese e lansuar kundër festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” në Serbi u udhëhoq pikërisht nga ata që kanë përgjegjësi të mbrojnë njerëzit dhe të promovojnë paqe e normalizim, Përfaqësues të institucioneve shtetërore, përkatësisht Ministri i Kulturës (Nikola Selakoviq), Ministrja i Mirëqenies Familjare dhe Demografisë (Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski), Zëvendëskryeministri i Serbisë (Aleksandar Vulin), Kryetari i Beogradit (Aleksandar Sapiq) dhe Ministri i Punëve të Brendshme (Ivica Daqiq), të cilët kanë përgjegjësi të mbajnë rend, ishin ndër të parët që nxitën urrejtje, jotolerancë dhe i dhanë zë linçimit, që përfundimisht çoi në ndalesën zyrtare të festivalit.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” nuk është armiku i shtetit, por huliganët me të cilët shteti është rreshtuar dhe për hir të së cilëve ka dështuar të përmbushë obligimet e veta. Detyra fundamentale e shtetit është të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë në mënyrë të duhur ata që shkelin këto apo organizohen kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Përgjatë pranisë sonë në ndërtesën ku ishte i supozuar të mbahet festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në daljen e jashtme, duke krijuar një situatë ku njerëzit po mbahen peng brenda ndërtesës para syve të anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët pretendojnë se nuk mund të ndërhyjnë.

Përmes ndalimit të festivalit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Serbisë edhe një herë e kanë demonstruar se liria për tubim aplikohet vetëm për grupet huligane, jo për pjesëmarrësit dhe mysafirët e festivalit. Gjatë njoftimit për ndalim, organizatorët u urdhëruan, nën kërcënimin e pasojave, që të sigurohen që të gjithë pjesëmarrësit të largohen nga Serbia, edhe pse vet ndalimi nënkupton se ata më nuk janë pjesëmarrës të festivalit por individë të lirë. Autobusi që po transportonte pjesëmarrësit u ndalua në Bubanj Potok, dhe ju ndalua hyrja në Beograd. Organizatorët u udhëzuan të kthejnë autobusin në Kosovë nën përcjellje të policisë, urdhër ky që u ekzekutua rreth orës 14:30.

Kjo ndalesë përbën shkelje të lirisë për tubim, lirisë së lëvizjes dhe lirisë së shprehjes. Kjo poashtu shuan çdo iluzion se kjo qeveri ka për prioritet një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës apo integrimin evropian të Serbisë.

Dje dhe sot, grupe të ndryshme huligane dhe neo-naziste si Delije Sever, Patrolla e Njerëzve, Grupi 451 dhe Zetropa Serbia u lejuan që lirshëm të zaptojnë hapësirën Dorcol Platz, hapësira kulturore ku ishte menduar të niste festivali. Dje, muret e jashtme të Dorcol Platz-it u ngjyrosën me mesazhe kërcënuese shoveniste të drejtuara për mysafirët e festivalit. Incidenti menjëherë u raportua në polici dhe më pas mesazhet u fshinë nga organizatorët.

Disa prej pjesëmarrësve të festivalit arritën në Beograd para disa ditësh, kështu që ata u ndikuan drejtpërdrejt nga kjo ndalesë. Shteti zgjodhi të rreshtohej me ata që shkruan mesazhe si “Jashtë! dhe “Nuk jeni të mirëseardhur!” në hapësirat e “Dorcol Platz-it” në mbrëmbjen ndërmjet 25 dhe 26 qershorit.

Sot një grup prej rreth 150 huliganëve që dukeshin uniform, ndaloi trafikun në rrugën Dobraqina dhe bllokoi hyrjen e Dorcol Platz-it, ashtu që asnjë nga mysafirët e festivalit si dhe organizatorët e punëtorët e hapësirës të mos mund të hynin apo të dilnin nga oborri prej orës 12:00 pasdite. Një numër i pamjaftueshëm i anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodheshin në hapësirë dhe MPB nuk dërgoi përforcime, duke dhënë përshtypjen se as që kishte vullnet për hapje të festivalit.

Ky veprim i jashtëligjshëm dhe i dhunshëm nga një grup huliganësh po ndodh në të njëjtën kohë kur zyra e Nismës pranoi kërcënime për bombë sot, dhe imazhet e huliganëve të gatshëm për të përdorur armë të ftohta për të na heshtur ne kanë qarkulluar në rrjete sociale. Qytetarët që ishin afër Dorcol Platz morën shpjegim nga anëtarët e policisë se kishte të bënte me një protestë paqësore kundër festivalit, që në fakt nuk korrespondon aspak me situatën në realitet, duke qenë se në fakt kishim të bënim me grupe të koordinuara e të organizuara të huliganëve.

Në atë situatë, në vend se të garantonte sigurinë e qytetarëve gjatë përpjekjeve që bartin mesazhe bashkëpunimi e paqeje, edhe një herë MPB u rreshtua me huliganët, siç ishte rasti kur policia e mbronte muralin e Ratko Mlladiqit në vitin 2021. Përkundër kësaj, ne do të ankohemi kundër këtij vendimi për ndalim dhe do të demonstrojmë mungesën e plotë të bazës mbi të cilën ai është ngritur. Ky ndalim është rezultat i një kampanje të autoriteteve serbe kundër lirisë së shprehjes dhe promovimit të kreativitetit artistik, në të cilën janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësues e udhëheqës të strukturave të larta shtetërore.

Gjithashtu shprehim keqardhje të thellë për këtë rast dhe ndajmë shqetësim të vërtetë për gjendjen e një shoqërie të karakterizuar nga dhuna, urrejtja dhe jotoleranca – një model i sjelljes të cilin zyrtarët dhe institucionet dështojnë ta njohin e ta pranojnë si kundërshtues dhe të rrezikshëm. Ndërkohë, qytetarët që avokojnë për paqe e pajtim ballafaqohen me ndalesa. Jemi të zemëruar nga keqpërdorimi i vazhdueshëm i ligjeve për tubime publike dhe dështimit të shtetit për të përmbushur përgjegjësitë e veta ligjore. Gjithashtu besojmë se mbështetja e komuniteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe në Serbi për këtë festival ka qenë e paktë këto ditë. Është shqetësuese se si misione që promovojnë pajtimin, demokracinë dhe lirinë e shprehjes kanë qëndruar në heshtje në një kohë kur këto vlera fundamentale janë shkelur publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Për disa javë, e kemi dënuar keqinformimin në sferën publike, duke tentuar të flasim me sa më shumë njerëz dhe të qartësojmë përmbajtjen e programit të festivalit. Për shkak të një fushate të koordinuar dhe dëmit të shkaktuar nga individë të caktuar, zyrtarë dhe media përmes shpërndarjes së informacionit të pasaktë dhe nxitjes së urrejtjes, kemi nisur edhe procedura gjyqësore. Përmes ndalimit të festivalit që promovin liri artistike, institucionet e kanë shkelur politikën e tyre të deklaruar për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pas një dekade të organizimit të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” mesazhi i pajtimit dhe nevoja urgjente për krijimin e hapësirës për komunikim ndërmjet dy shoqërive për ndërtim të paqes tani janë më të rëndësishme se kurrë më parë.

Së bashku me organizatat partnere dhe qytetarët që na kanë dërguar mesazhe solidariteti e mbështetjeje në këto 15 ditë, ne nuk do të ndalojmë përpjekjet tona për të vazhduar zgjerimin e hapësirave për bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Integra
Civic Initiatives
Youth Initiative for Human Rights

“Jeta është e vështirë dhe s’përkëdhel askënd”

(Letra e çekes Milada Horakova për të bijën 16-vjeçare, një natë para ekzekutimit)

Në vitin 1950 politikania Çeke Milada Horakova arrestohet nga policia sekrete për “tradhëti të lartë”, sepse dyshohej se ajo kishte organizuar komplotin për përmbysjen e regjimit komunist në vend. Në 27 qershor të atij viti ajo ekzekutohet, pavarësisht kërkesave për lirimin e saj nga Albert Einstein dhe Winston Churchill. Një natë përpara ekzekutimit, ajo i shkroi vajzës së saj 16 vjeçare këtë letër:

“E vogla vajza ime, Jana, Zoti ma bekoi jetën time si grua me Ty. Siç shkruante edhe yt atë në poezinë nga burgu gjerman: “Zoti të fali ty, sepse Ai na desh ne…” Përpos dashurisë magjike e mahnitëse të babait tënd, ti ishe dhurata më e madhe që fati më dhuroi. Mirëpo, Perëndia e ndërtoi jetën time në atë mënyrë që unë të mos mundja të të jepja gjithçka mendja dhe zemra ime kishte përgatitur për ty. Dhe jo sepse unë të doja pak; unë të dua njësoj me dëlirësinë dhe zjarrin e shpirtit si gjithë nënat i duan fëmijët e tyre. Por kuptova se detyra ime në këtë botë ishte të bëja ty të mirë duke u kujdesur që edhe jeta të bëhej më e mirë, dhe të gjithë fëmijët të jetonin në gjendje më të mirë. Prandaj, shpesh na u desh të rrinim larg për kohë të gjatë. Kjo është e dyta herë që Fati po na ndan. Po ti mos u tremb, as mos u ligështo pse unë s’po kthehem më. Mëso bija ime, ta shohësh jetën qysh herët si një çështje me rëndësi. Se jeta është e vështirë dhe s’përkëdhel askënd. Për çdo ledhatim që mund të të dhurojë do të të japë dhjetëra fshikullime. Mësohu sa më shpejt me të dhe mos e lejo që ajo të të verë përfund. Vendos të luftosh. Ki kurajë dhe synime të kthjellëta dhe shpejt do ta shohësh që do të fitosh mbi jetën. Shumë gjëra janë ende të paqarta për mendjen tënde të re, dhe mua s’më mbetet më kohë të të shpjegoj ato për të cilat ti ende dëshiron të më pyesësh. Një ditë kur të rritesh, do të vrasësh mendjen pse nëna jote që të desh aq shumë dhe të kishte dhuratën e saj më të çmuar, e drejtoi jetën e vet kaq çuditshëm. Mbase atëherë do t’i gjesh një përgjigje të drejtë kësaj pyetjeje, një përgjigje ndoshta më të mirë se kjo që të jap unë sot. Natyrisht, ti do të jesh në gjendje ta zgjidhësh korrektësisht dhe me vërtetësi, duke mësuar gjithnjë e më shumë. Jo vetëm prej librave, por edhe prej njerëzve. Mëso prej çdokujt, s’prish punë nëse ata janë të rëndësishëm apo jo! Çaj përmes botës me sytë hapur, dhe mos u merr vetëm me brengat dhe problemet e tua, por edhe me shqetësimet, interesat dhe përgjërimet e të tjerëve. Kurrë mos mendo që diçka s’të përket ty gjithashtu! Jo, gjithçka duhet të të interesojë dhe ti duhet të reflektosh rreth çdo gjëje, duke i krahasuar fenomenet individualisht. Njeriu nuk jeton veçmas botës; ekziston një lumturi e madhe, por edhe një përgjegjësi e pakufi. Në radhë të parë, detyra jote duhet të jetë që të mos qëndrosh dhe të mos veprosh ndarë nga të tjerët, por t’ju bashkohesh nevojave dhe qëllimeve të tyre.

Kjo s’do të thotë të humbasësh në turmë, por ta dish që edhe ti je pjesë e gjithësisë dhe ta mbartësh më të mirën tënde në atë bashkësi. Nëse e bën këtë gjë, ti do të arrish të kontribuosh në qëllimet e përbashkëta të shoqërisë njerëzore. Mbaje parasysh mirë këtë parim, më shumë seç e bëra unë dhe gjithnjë afroju jetës pozitivisht. Ruaju prej kontradiktave boshe por jo prej çdo lloj kontradikte, sepse unë besoj që njeriu duhet t’i rezistojë së ligës. Por që të jesh me të vërtetë person me vlera, duhet që në çdo rrethanë të mësosh të dallosh floririn safi nga xhinglat. Sigurisht është vështirë, se xhinglat shpesh herë shkëlqejnë e të magjepsin. Po të rrëfej fëmija im, se shpesh në jetë jam magjepsur nga xhinglat. Ndonjëherë madje shkëlqenin aq shumë, saqë unë e lëshoja floririn e vërtetë nga dora dhe marrosesha pas xhinglave kallpe.

E di që të organizosh mirë shkallën e vlerave të tua duhet jo vetëm ta njohësh veten mirë e të jesh e prerë në gjykimin e karakterit tënd, por të njohësh në veçanti të tjerët, të njohësh sa më shumë historinë e botës: të kaluarën, të tashmen, dhe zhvillimet e së ardhmes. Pra, me pak fjalë: të zbulosh, të kuptosh. Mos i mbyll veshët në asnjë mënyrë para asgjëje; dhe as mos i përjashto mendimet dhe opinionet e cilitdo që të ka prekur a ndoshta të ka lënduar thellë. Vëzhgo, mendo, kritiko, po, po, kritiko sidomos veten, dhe mos ki turp të pranosh një të vërtetë që ti ke arritur ta kuptosh, edhe nëse kohë më parë ti vetë ke deklaruar të kundërtën; mos u bëj kokëfortë në opinionet e tua, por kur ke arritur ta konsiderosh diçka si të drejtë, atëherë ji aq e vendosur sa të mund të luftosh e të vdesësh për të. Siç ka thënë Ëolker : “Vdekja nuk është e frikshme! Vetëm mundohu të shmangësh vdekjen e ngadaltë, e cila ndodh kur dikush e gjen veten të shkëputur nga jeta e përditshme e të tjerëve…” Ti do t’i hedhësh rrënjët e tua aty ku fati ka vendosur për ty të jetosh. Ti duhet ta gjesh rrugën tënde. Kërkoje atë e pavarur dhe mos lejo asgjë të të kthejë mbrapsht, as kujtimi i nënës apo babait tënd. Nëse i do ata me të vërtetë, nuk i lëndon aspak kur i vështron me sy kritik – thjesht mos shko në një rrugë të gabuar, të pandershme e që nuk harmonizohet me jetën. Unë kam ndërruar mendje disa herë dhe i kam rishikuar shumë vlera, por ajo që më mbeti si vlerë thelbësore, pa të cilën unë s’mund ta përfytyroja jetën time, ishte liria e ndërgjegjes sime. Do dëshiroja që edhe ti e vogla bija ime, të mendohesh nëse unë e kisha drejt.

Një vlerë tjetër është puna. Nuk di kë të rendis të parën dhe kë të dytën. Mëso ta duash punën! Cilëndo punë, por njërën duhet ta njohësh shumë mirë dhe tërësisht. Kështu s’do të kesh frikë për asgjë dhe gjërat do të të ecin mbarë. Dhe kurrë mos harro dashurinë në jetën tënde. Nuk e kam fjalën vetëm për boçet e kuqe që një ditë do të çelin në zemrën tënde, dhe nëse fati ta mban anën, do të gjesh një të ngjashëm në zemrën e një personi tjetër me të cilin do ta shkrish jetën. Po të flas për atë lloj dashurie pa të cilën njeriu s’mund të rrojë i lumtur. Dhe mos e thërrmo dashurinë; mëso ta dhurosh të plotë dhe të vërtetë. Mëso të duash pikërisht ata që inkurajojnë pak dashurinë, e kështu s’do të gabosh. E vogla bija ime Jana, kur ti ta zgjedhësh atë për cilin zemra jote do të digjet, atë që do t’i falësh vërtet veten – kujto babanë tënd! Unë nuk e di nëse do të kesh fatin tim, nuk e di nëse do të kesh fatin të takosh një krijesë aq njerëzore e të mrekullueshme, por zgjidhe idealin tënd sa më afër atij. Mbase ti e vogla ime ke filluar tashmë të kuptosh, mbase tani e kupton deri në dhimbje se çfarë kemi humbur me Atë. Unë ndihem fajtore për atë humbje dhe kjo është më e vështira për t’u përballuar.

Ji e ndërgjegjshme për dashurinë dhe sakrificën e madhe që Pepiku dhe Veruska po të dhurojnë. Jo vetëm që duhet t’u jesh mirënjohëse… por duhet t’i ndihmosh, që ta ngrini lumturinë tuaj të përbashkët pozitivisht e në mënyrë konstruktive. Gjithmonë duhet t’u dhurosh atyre më shumë, për të mirën që po bëjnë për ty. Vetëm kështu do jesh në gjendje t’ua shpërblesh mirësinë.

Mësova nga avokati se po shkon mirë me mësime dhe se dëshiron të vazhdosh më lart… U gëzova shumë. Edhe sikur një ditë të të duhet ta lësh shkollën dhe të punosh për të mbajtur veten, mos ndal së mësuari dhe së studiuari, nëse vërtet do që t’ia arrish qëllimit tënd. Do të kisha dashur që të bëheshe doktoreshë – të kujtohet kur kemi folur për këtë gjë? Natyrisht ti do të vendosësh vetë drejtimin në jetë, edhe rrethanat gjithashtu. Por, nëse një ditë qëndron në traditën e “alma mater”, dhe sjell në shtëpi jo vetëm diplomën e mjekësisë, por edhe aftësinë e vërtetë për t’u dhuruar njerëzve ndihmesën si mjeke, atëherë o e vogla ime nëna jote do të jetë e lumtur pa masë. Megjithatë nëna jote do të jetë… vërtet e lumtur, s’ka rëndësi ku qëndron ti, nëse je tek salla e operacionit, apo tek… një torno; tek djepi i fëmijës, apo tek tavolina e shtëpisë, mjaft që ta bësh punën me shkathtësi, ndershmëri e përkushtimin e gjithë qenies tënde. Atëherë do të jesh e suksesshme. Mos u bëj kërkuese ndaj jetës, por ki gjithnjë qëllime të larta. Ato nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, sepse ajo që unë e quaj kërkuese janë ato nevojat dhe nocionet egoiste. Mos u jep rrugë atyre! Kuptoje që në saje të fatkeqësisë dhe brengës që të ka ndodhur ty, Vera, Pepicek, gjyshja dhe gjyshi… e shumë të tjerë do të përpiqen të të japin gjithçka kanë, ndoshta edhe atë që s’janë në gjendje ta përballojnë. Ti jo vetëm që s’duhet të pretendosh prej tyre, por duhet të mësosh të jesh sa më modeste. Nëse mësohesh me këto gjëra, s’do të jesh e pakënaqur pse të mungojnë sendet materiale. Ti s’e merr dot me mend sa i lirë ndihet njeriu kur e mëson veten me thjeshtësi… e jo si ai që fiton epërsi ndaj të dobëtit, sa më i sigurt dhe i fortë që ndihet. Unë vërtet u përpoqa ta bëj vetë këtë gjë, por nëse ti mund t’i dyfishosh fuqitë e tua, përgatit veten me guxim për qëllime të larta… Lexo shumë dhe mëso gjuhë të huaja. Në këtë mënyrë do të zgjerosh horizontin e jetës dhe do ta pasurosh përmbajtjen e saj. Ka qenë një periudhë në jetën time kur lexoja me etje gjithçka; dhe më pas kohë të tjera kur puna s’më lejonte as të merrja në duar libër tjetër, veç literaturës profesionale. Oh ç’mëkat! Këtu, këto muajt e fundit kam lexuar plot, edhe libra që me gjasë s’do të më interesonin po të isha jashtë, por është detyrë me rëndësi të madhe të lexosh çdo gjë me vlerë, ose së paku sa të jetë e mundur. Në fund të kësaj letre do t’i shkruaj titujt e librave që kam lexuar muajt e fundit, e bindur se do të më mendosh mua kur t’i lexosh ato…

E tani diçka rreth trupit tënd. Jam e gëzuar që merresh me sport. Vetëm bëje në mënyrë sistematike. Unë mendoj se duhet të kryesh ushtrime ritmike, dhe po të kesh kohë, gjithashtu pak gjimnastikë të mirë sistematike. Dhe këto pesëmbëdhjetë minuta çdo mëngjes! Më beso, po të merresh seriozisht, do t’i kursesh shumë bezdi dhe përmasa të pakëndshme shtatit tënd. Kjo është e mirë, sepse të përgatit vullnetin dhe këmbënguljen. Gjithashtu kujdesu rregullisht për pamjen e fytyrës – nuk e kam fjalën për make-up, mos o Zot, por për kujdesin e përditshëm sanitar. Dhe duaji qafën dhe këmbët, siç do fytyrën dhe buzët e tua. Një furçë duhet të jetë shoqja jote e mirë, çdo ditë, dhe jo vetëm për duart dhe këmbët; përdore në çdo cep të lëkurës. Alkooli Salicyl dhe Fennydin, aq mjafton për bukurinë, e pastaj ajër dhe diell. Por për këtë do të gjesh këshilltare më të mira sesa unë…

Fotografia jote më tregoi stilin e ri të flokëve! Duken bukur, por a s’ndihesh keq kur e fsheh ballin tënd të bukur? Gjithë kjo zonjushë në fustan balloje! Vërtet dukeshe mrekulli, por sytë e nënës tënde vunë re një gabim, që mund të jetë pasojë e mënyrës së fotografuarit. A nuk ishte dekolteja pak si shumë e ekspozuar për një gjashtëmbëdhjetëvjeçare? Më vjen keq që unë s’e kam parë foton e palltos tënde të re. Mos ke përdorur manshetat e tezes si jakë të pellushit? Mos u pispillos, por kur të jetë e mundur, vishu me kujdes dhe me thjeshtësi. Dhe mos vish këpucë derisa harku të të drejtohet poshtë në thembër. A je duke i veshur me shollë nga brenda? Po me gjëndrën tiroide si je? Këto pyetje natyrisht s’kanë nevojë për përgjigje, janë thjesht sa për kujtesë nga ana ime.

Në burgun e Leipzig-ut lexova një libër; letrat e Maria Theresa-s drejtuar vajzës së saj Marie Antoinette-s. Më bëri shumë përshtypje mënyra se si kjo sunduese e tregoi veten e saj në të qenit praktike dhe femërore në porositë e saj për të bijën. Ky ishte një libër origjinal gjerman dhe s’e mbaj mend emrin e autorit. Nëse të bie ndonjëherë ta shohësh atë libër, kujtohu që atë kohë më qe mbushur mendja top të të shkruaja edhe ty letra të atilla rreth përvojave dhe porosive të mia. Fatkeqësisht gjithçka mbeti një dëshirë.

Janinkë, të lutem kujdesu shumë për gjysh Kralin dhe gjyshe Horakovan. Tani më shumë se kurrë zemrat e tyre të mplakura kanë nevojë për pak ngushëllim. Shko shpesh tek ata dhe lëri të flasin për rininë e babait dhe nënës tënde, kështu mund t’i ruash në kujtesë për fëmijët e tu. Vetëm kështu një individ bëhet i pavdekshëm; dhe ne do vazhdojmë në ty dhe të tjerë në gjakut tënd.

Edhe diçka tjetër – muzikën. Unë besoj se duhet t’i shfaqësh mirënjohjen gjyshit Horak për pianon që të dhuroi duke e praktikuar seriozisht dhe se do t’ia dalësh me sukses në atë që Pepiku dëshiron aq shumë: ta shoqërosh kur ai luan me violinë o violë. Të lutem, bëja këtë nder. Unë e di që atij do t’i bëhet shumë qejfi dhe do të jetë vërtet diçka e bukur. Dhe kur të luani bashkë, luaj arien nga Martha: “Trëndafili im, ti lulëzon atje në kodër…”, dhe pastaj: “Fli princi im i vogël” nga Mozart; edhe të preferuarën e tët eti “Nën dritaren tënde…” të Chopin-it. Ti do t’i luash për mua, apo jo? Unë do të jem përherë duke të të dëgjuar…

Vetëm diçka ta theksoj. Zgjidhi miqtë me kujdes. Ndër të tjera, mos harro se çdonjëri prej nesh kushtëzohet edhe nga njerëzit me të cilët shoqërohet. Prandaj përzgjidhi me shumë kujdes ata. Ji e vëmendshme në çdo gjë dhe dëgjo opinionet e të tjerëve për shoqet e tua pa thënë asgjë. Nuk do ta harroj kurrë letrën tënde të dashur (sot mund të ta them) dikur një mbrëmje që e kishe ngjitur në jastëkun tim, tek e cila më kërkoje ndjesë kur të zura për herë të parë te porta, në shoqërinë e një vajze dhe një djali. Ti më shpjegove atë kohë sa e domosdoshme ishte që të kishe një rreth shoqëror. Mbaje rrethin tënd vajzë e vogël, por me njerëz të mirë e të ndershëm. Dhe konkurroni mes njëri-tjetrit në çdo gjë të mirë. Vetëm të lutem mos ngatërro pasionin e të rinjve në pranverë me dashurinë e vërtetë. Më kupton, apo jo? Nëse jo, teze Vera do të të shpjegojë çfarë dua të them. Kështu pra, o vajza ime e vetme, o e vogla ime Jana, o jetë e re, o shpresa ime, o falja ime e ardhshme, jeto! Kape jetën me të dyja duart! Deri në frymëmarrjen time të fundit, unë do të lutem për lumturinë tënde, fëmija im i shtrenjtë!

T’i puth flokët, sytë dhe buzët, të përkëdhel dhe të mbaj në krahët e mi (vërtet të mbajta në krahë kaq pak). Unë do të jem përherë me ty. Po e mbyll këtë letër, duke e nxjerrë nga kujtesa poemën që yt atë e shkroi për ty, në burg, në vitin 1940…/ KultPlus.com

IUCN: Më shumë se 45 000 specie në rrezik zhdukjeje

Më shumë se 45 000 specie janë aktualisht në rrezik zhdukjeje, 1 000 më shumë se vitin e kaluar, sipas një organizate ndërkombëtare të ruajtjes (IUCN) e cila fajëson presionet nga ndryshimet klimatike, speciet ”pushtuese” dhe aktivitetet njerëzore si tregtia e paligjshme, shkruan AP.

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) publikoi listën e specieve të kërcënuara.

Tani në edicionin e saj të 60-të, lista ngre alarmin për kafshët dhe bimët në rrezik zhdukjeje, por gjithashtu thekson historitë e suksesit të ruajtjes si ajo e rrëqebullit iberik.

Lista tani përfshin 163 040 lloje, një rritje prej rreth 6 000 krahasuar me vitin e kaluar.

Kaktusët Copiapoa në shkretëtirën bregdetare të Kilit, Atacama, elefanti i Borneos dhe hardhuca gjigante Gran Canaria janë ndër speciet e kërcënuara.

Kaktusët Copiapoa janë lakmuar prej kohësh si bimë dekorative, duke nxitur një tregti të paligjshme që është përforcuar nga mediat sociale ku entuziastët dhe tregtarët shfaqin dhe shesin kaktusët.

”82% e specieve tani janë në rrezik të zhdukjes, një rritje e konsiderueshme nga 55% në vitin 2013”, thotë raporti.

IUCN tha se rënia ishte për shkak të rritjes së kërkesës për kaktusët kilianë në Evropë dhe Azi si specie zbukuruese.

Kontrabandistët dhe gjuetarët që lehtësojnë tregtinë kanë fituar akses më të madh në habitatin e bimëve falë rrugëve dhe zgjerimit të banesave në zonën e Atacama.

“Është e lehtë të dallosh nëse kaktusët Copiapoa janë marrë pa leje apo janë rritur në një serë”, tha Pablo Guerrero, një anëtar i Panelit të Bimëve të IUCN.

Përditësimi i vitit 2024 gjithashtu thekson elefantin aziatik i Borneos si një specie të rrezikuar.

Sipas analizës së IUCN, vetëm rreth 1 000 elefantë të Borneos vlerësohet të mbeten në natyrë./KultPlus.com

Rritet me 71% numri i vizitorëve në muze

Rritja e numrit të turistëve që po përjeton vendi ynë është reflektuar edhe në numrin e vizitorëve në muze. Sipas të dhënave zyrtare nga Janari në Maj 11 muzetë e vendit janë vizituar nga mbi 148 mijë persona, duke shënuar një rritje me 71.4%  krahasuar me 5 mujorin e vitit 2023.

Listën e monumenteve më të vizituara në vend për 5 mujorin e parë të këtij vitit e zë muzeu “Gjergj Kastrioti” me mbi 55 mijë vizitorë. Muzeu i Krujës, ndiqet nga Parku Arkeologjik i Shkodrës, i cili në 2023, mes siteve dhe muzeve kryesorë renditej i fundit, ndërsa sot mban peshën më të madhe të frekuentimit nga vendasit dhe të huajt. Për pesë muajt e parë është frekuentuar nga rreth 52 mijë shtetas.

Nga 9 parqe në total i dyti më i vizituari është Parku Kombëtar Butrint me 38 mijë vizitorë dhe më pas Parku Arkeologjik Apolonisë me rreth 38 mijë. Rritja krahasuar me 5 muajt e vitit të parë është me 53.3%

Sa i takon kalave, që prej vitit të shkuar kalaja e Gjirokastrës vazhdon të mbajë fluksin më të madh të vizitave me mbi 50 mijë hyrje me një rritje me 60 % më shumë se pesë mujori i parë i 2023. Fluksi i shtuar në kala, site e muze, ka detyruar autoritetet që të marrin vendimin që këto institucione të rrinë hapur çdo ditë te javës deri në Tetor./tvklan/KultPlus.com

“Petro Marko në letërsinë për fëmijë”, takim në Qendrën e Librit dhe Leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me një shtëpi botuese organizuan takimin “Petro Marko në letërsinë për fëmijë”.

Ky takim u zhvillua në kuadër të muajit të letërsisë për fëmijë, ku e pranishme ishte edhe vajza e shkrimtarit, Aranita Marko si dhe një grup fëmijësh të shoqëruar nga prindërit dhe gjyshërit.

Gjatë takimit të pranishmit ndanë përvojën e tyre të leximeve si dhe pjesët e preferuara nga dy romanet e Markos, “Shpella e piratëve” dhe “Fantazma dhe plani 3+4”.

Këtyre dy titujve për fëmijë do t’u bashkohen edhe tituj të tjerë për të rriturit nga Petro Marko, si “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Intervistë me vetveten” etj, për të plotësuar gjithë kolanën e veprave të Markos.

Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Hasta la vista”, 1958; “Qyteti i fundit”, 1960; Rrugë pa rrugë, 1964; Nata e Ustikës, 1989 etj.

Ai vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991./atsh/KultPlus.com

Gjermania ndryshon ligjin, kosovarët që hoqën dorë nga shtetësia, mund ta rifitojnë atë

Sot, futet në fuqi “Ligji për Modernizimin e Shtetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë” (StARModG).

Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane. Pas kësaj date, ish-shtetasit e Republikës së Kosovës që e kanë dorëzuar shtetësinë kosovare për të marrë atë gjermane mund të aplikojnë për rifitimin e shtetësisë së Republikës se Kosovës.

Në vegzën në vijim, mund t`i gjeni të gjitha informacionet mbi procedurën për fitimin e shtetësisë së Kosovës:

https://mpb.rks-gov.net/f/79/Fitimi-i-shtetesise-se-Kosoves./ KultPlus.com

Ministria e Brendshme e Serbisë ndalon tubimet në zonën e “Mirëdita, dobar dan!”

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se ka dhënë urdhër që të ndalohen tubimet e njerëzve në zonën ku është paraparë të mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan!”.

Ai ka thënë se për këtë janë njoftuar edhe organizatorët e festivalit.

“Ministria e Brendshme ka lëshuar urdhër për ndalimin e tubimeve në ‘Mirëdita, dobar dan!’, për shkak të rrezikut të sigurisë së njerëzve dhe rrezikut të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha. Gjithashtu, nuk do të lejohen tubime të tjera në atë zonë. Për këtë urdhër janë njoftuar organizatorët e takimit”, ka thënë Daçiq, raporton “Telegraf.rs”./KultPlus.com

Fushata “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” shpall garën e fotografisë

Ndryshimet klimatike tashmë përbëjnë një kërcënim për mjedisin, shëndetin e njerëzve dhe ekonominë, madje edhe në Kosovë. Vendi është veçanërisht i prekshëm ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, si thatësira dhe përmbytjet në pellgjet e lumenjve, si dhe nga burimet e kufizuara ujore. Ndryshimet klimatike po shkaktojnë gjithnjë e më shumë probleme për komunitetet, duke dëmtuar shtëpitë, bizneset dhe bujqësinë.

Fushata e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike në Kosovë “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” synon të rrisë dialogun për shkaqet e këtyre ndryshimeve, duke theksuar urgjencën e veprimit dhe duke shfaqur përfitimet sociale dhe ekonomike për një të ardhme të qëndrueshme. Kjo fushatë është një iniciativë e përbashkët e projekteve të GIZ-it të zbatuara në zhvillimin e qëndrueshëm/Sektori i Gjelbër.

Ndryshimet klimatike janë një sfidë kolektive, por janë historitë individuale të qëndrueshmërisë dhe inovacionit që na frymëzojnë. Andaj, në kuadër të edicionit të dytë të kësaj fushate u lansua gara e fotografisë “Vepro Gjelbër”. Kjo iniciativë fton qytetarët e Kosovës që përmes fotografisë të dokumentojnë momentet frymëzuese të heronjve të vendit, teksa ndërmarrin hapa të ndryshëm për të mbrojtur ambientin.

Me temën “Vepro Gjelbër” ftohen fotografë amatorë dhe profesionistë, që përmes një shkrepjeje të tregojnë mirënjohje për të gjithë ata që veprojnë gjelbër dhe kujdesen për mjedisin tonë si për shembull – fermerët teksa kultivojnë pemë/perime në mënyrë organike, fqinjët teksa izolojnë shtëpitë për ta bërë më efiqiente në energji, kolegët që udhëtojnë me biçikletë në vend të makinës, të rinjtë teksa protestojnë për ambient ose pastrojnë lumin, apo rrugën e një lagjeje.

Jolanda Conrad nga GIZ-i ka thënë se qëllimi i kësaj gare është mirënjohja për të gjithë ata qytetarë që angazhohen çdo ditë në mbrojtjen e ambientit qoftë edhe përmes veprimeve e aksioneve simbolike duke u kujdesur për rrugën apo lagjen ku jeton, duke përdorur biçikletën në vend të makinës dhe aktiviteteve të ngjashme.

“Kjo garë ka për qëllim të nxjerrë në pah kontributin e hernjonjëve të komunitetit tonë, të cilët po bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Shpresojmë që kjo iniciativë të frymëzojë të tjerët të marrin masa dhe të kontribuojnë për të arritur përfitime të mëdha mjedisore. Dëshirojmë të shohim përmes syve tuaj—syve të komunitetit—përpjekjet dhe iniciativat e jashtëzakonshme që po ndodhin rreth nesh”, ka thënë Condradi./zëri/KultPlus.com

Margaret Fuller, e para gazetare amerikane, një figurë e pavdekshme

Margaret Fuller (23 maj 1810 – 19 korrik 1850) ishte gazetarja dhe publicistja e parë amerikane, kritike letrare, aktiviste shoqërore dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Kryevepra e saj konsiderohet ajo e botuar në vitin 1845 me titull “Gratë në shekullin e XIX”.

Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja: gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes, greqishtes dhe latinishtes. Ajo u rrit duke zhvilluar një intelekt e talent të jashtëzakonshëm.

Margaret Fuller u bë redaktorja e parë e revistës intelektuale transidentale “Dial”, të cilën e mbajti për dy vjet.

Ishte gruaja e parë që shkroi një libër për jetën e vështirë të tribuve indiane të Amerikës, keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke u bërë kështu mbrojtëse e të drejtave tëtyre. Në dhjetor 1844, ajo u punësua nga “New York Tribune”, botuar nga Horac Greeley, duke u bërë gazetarja e parë amerikane. Ajo e filloi punën në gazetë me intervistat që u bëri prostitutave në burg duke skandalizuar lexuesit.

Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohueshme në aftësitë e saj profesionale, ajo preku me kritikat e saj letrare edhe emra krijuesish të njohur të kohës si Longfelow, Low dhe Ralph Waldo Emerson.

Me botimin e librit të saj “Gruaja në shekullin e 19-të” në shkurt të vitit 1845,në Nju Jork, ajo krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirrje pa kompromis për tëdrejtat e gruas amerikane. Botimi i parë u shit brenda javës. Guximi i saj i tepruar apo “i pacipë” revoltoi shumëkënd.

Emri Margaret Fuller u bë i njohur edhe jashtë kontinentit amerikan, duke inspiruar njerëzit, por edhe duke revoltuar shumë të tjerë.

Në 1846, Margaret Fuller shkoi në Angli si korrespondente për “New York Tribune”, duke u bërë kështu gruaja e parë korrespondente jashtë kufijve të vendit te saj. Në Angli, libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer autores.

Ajo intervistoi shumë personalitete të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth dhe De Quincey, por edhe hyri në skutat e jetës angleze, në miniera, lavanteri dhe u tmerrua nga varfëria e madhe dhe diferencat e mëdha klasore, u shqetësua nga kushtet e vështira të jetës dhe mungesa e shpresës te të varfrit. Ajo menjëherë shkroi për nevojën e një “revolucioni paqësor”.

Pikërisht kur ishte në një gjendje të tillë emocionale, ajo takoi Giuseppe Mazzini-n, një imigrant revolucionar italian. Ajo kishte hyrë pa kuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës, duke u bërë aktiviste e saj.

Fuller, gjatë kësaj kohe, vazhdonte të shkruante për gazetën e saj në kohët më dramatike që po kalonte Evropa, ndërsa mblidhte materiale për të shkruar veprën monumentale “History of Italian Liberation”.

Ndërkohë, shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë. Ndërkohë, botuesi i gazetës së saj në Nju Jork dhe miku i saj, Horac Greeley, kishte dëgjuar thashethemet mbi një dashuri “të lirë” të Margaret-ës dhe i preu rrogën. Për shkak të policisë sekrete, burrë e grua vendosën ta lënë Italinë e të udhëtojnë drejt Amerikës. Kështu, në maj 1850, ata lanë Livornon. Udhëtimi qe i pafat. Më 18 korrik, anija “Elisabeth” u përplas papritur me Fire Island. E kështu Margaret ndërroi jetë.

Vdekja e Margaret-ës qe një sensacion publik. Miqtë e saj, nga Bostoni, erdhën në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të dorëshkrimit të saj mbi revolucionin roman. Asnjë gjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes, veç një kutie të mbyllur me letrat e dashurisë së Margaret-ës dhe Angelo-s.

Margaret Fuller ka qenë e para grua e emancipuar lektore, gazetare, kritike letrare e korrespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan, aktiviste politike.

Ajo guxoi të kompletonte vetveten e saj si grua, duke hedhur poshtë epitetet nënvleftësuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër. Ndaj ajo mbetet një figurë e pavdekshme femërore edhe sot.

Disa nga aforizmat e saj më të famshme janë:

– Nëse ke dituri, le t’i ndezin të tjerët qirinjtë në të.
– Ajo çfarë ka nevojë një grua nuk është të dominojë, por si natyrë të rritet, si intelekt të perceptojë, si shpirt të jetojë e lirë dhe e shpenguar.
– Po qe se gratë do të ishin në gjendje të zhvillonin forcën dhe bukurinë e tyre si gra, ato nuk do të uronin kurrë të ishin burra.
– Në mentalitetin e burrave gratë shihen si skllave.
– Sot një lexues, nesër një lider.
– Burrat për hir të jetesës së harruar harrojnë të jetojnë.
– Natyra siguron përjashtime për çdo rregull.
– Një shtëpi nuk është shtëpi, nëse përmban ushqim dhe zjarr për mendjen, si dhe për trupin.
– Karakteri dhe historia e secilit fëmijë mund të jetë një përvojë e re për prindin, nëse ai do ta lejojë atë. / KultPlus.com

Shqipëria anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës

Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, rrjeti më i madh mjedisor në botë, i jep mirëseardhjen Shqipërisë si vendi i 87-të i tij, pas miratimit zyrtar të statuteve të kësaj organizate.

Ky hap tregon përkushtimin e Shqipërisë ndaj përpjekjeve globale të konservimit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është caktuar nga shteti si ndërlidhëse zyrtare me Sekretariatin e IUCN.

“Teksa Shqipëria i bashkohet IUCN-së, së bashku me biodiversitetin e pasur ne sjellim edhe një angazhim të vendosur për mbrojtjen e mjedisit dhe ky anëtarësim na ofron një platformë të vlefshme për të bashkëpunuar dhe mësuar nga praktikat më të mira globale, duke fuqizuar përpjekjet dhe politikat tona të ruajtjes”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Shqipëria ka krijuar një model për zonat e mbrojtura nëpërmjet shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili mbron një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Gjithashtu, Shqipëria ka krijuar parqe të reja si “Parku Kombëtar i Alpeve” në veri të vendit. Këto zona të mbrojtura janë asete kyç për ekoturizmin tonë duke mishëruar në mënyrë të përsosur sloganin “Albania All Senses”. Me mbi 21.4% të territorit nën mbrojtje dhe me nisma të tjera, partneriteti ynë me IUCN do të forcojë aftësitë tona, do të bashkojë njohuritë tradicionale me shkencën moderne dhe do të kontribuojë ndjeshëm në objektivat mjedisore lokale dhe globale. Ne jemi optimistë për përfitimet e ndërsjellta që do të nixsë ky bashkëpunim duke fuqizuar praktikat tona të konservimit të biodiversitetit dhe duke avancuar në zhvillimin e qëndrueshëm”, përfundon Kumbaro.

Shqipëria krenohet me një gamë të larmishme mjedisesh natyrore, me maja të thepisura, pyje të harlisur, lumenj të pacenuar dhe peizazhe të pasura bregdetare. Këto ekosisteme të larmishme garantojnë një larmi të florës dhe faunës, duke kontribuar në pasurinë e biodiversitetit të Shqipërisë.

Politika mjedisore e vendit zbatohet nëpërmjet mekanizmave të tillë si Strategjia Kombëtare e Biodiversitetit dhe Plani i Veprimit, si dhe rrjeti në rritje i zonave të mbrojtura. Duke plotësuar këtë qasje gjithëpërfshirëse për ruajtjen e biodiversitetit, Shqipëria është e angazhuar të reduktojë 20.9% të emetimeve të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2030. Kjo përfshin, ndër masat e tjera, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe restaurimin e peizazhit pyjor.

“Jemi të lumtur të festojmë anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN. Ne presim të forcojmë bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe të ndihmojmë vendin të arrijë objektivat e tij ambicioze kombëtare, duke kontribuar në objektivat globale të konservimit,” tha Oliver Avramoski, drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ECARO).

“Disa nga fushat tona të shumta të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e politikave, ndërtimin e kapaciteteve dhe sigurimin e cilësisë së efektivitetit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe të Konservuara, duke përfshirë certifikimin e Listës së Gjelbër të IUCN”.

Gjatë dy dekadave të fundit, IUCN ka punuar ngushtë me qeverinë dhe shoqërinë civile në Shqipëri, duke ndihmuar në forcimin e kuadrit institucional për ruajtjen e natyrës, përmirësimin e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe rritjen e nivelit të angazhimit të komunitetit.

Ndërhyrjet kryesore të bazuara në zonat e mbrojtura përfshijnë mbështetjen për pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit si një vend i Trashëgimisë Botërore, planifikimin e menaxhimit dhe angazhimin e komunitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe përgjatë lumit Buna, si dhe rolin e IUCN në përcaktimin e lumit Vjosa si parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë.

Për më tepër, nisma të tilla si Iniciativa e Pyjeve Veriore dhe projekti ADAPT demonstrojnë potencialin për bashkëpunim në adresimin e sfidave mjedisore dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në përputhje me natyrën.

Në nivel rajonal, Shqipëria angazhohet si një anëtare aktive e taskforcës së Biodiversitetit për Ballkanin Perëndimor (BDTF BB). Ky organ rajonal këshillon Grupin Rajonal të Punës për Axhendën e Gjelbër (GAWB) për Ballkanin Perëndimor për zbatimin e Shtyllës së Mbrojtjes së Natyrës dhe Biodiversitetit të Planit të Veprimit GAWB.

Ndërsa Shqipëria i bashkohet IUCN-së si shteti anëtar i saj më i ri, të dyja palët janë të përkushtuara për të çuar më tej përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemit, angazhimin e komunitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe qeverisjen mjedisore./atsh/KultPlus.com

82 vite nga lindja e aktorit dhe regjisorit, Andon Qesari

Sot aktori dhe regjisori i mirënjohur Andon Qesari, do të mbushte 82 vjeç.

Aktor, regjisor, pedagog, lindi në fshatin Qeparo, Himarë, më 27 qershor. Kreu shkollën e mesme, “Politeknikumin 7 Nëntori”, në Tiranë, më 1959. Nga viti 1962-1966 vazhdoi studimet në shkollën e lartë për aktore “Aleksandër Moisisu”*.

Fill më pas u emërua aktor dhe regjisor në Teatrin e Vlorës*, ku luajti disa role. Vuri në skenë aty dramën Shtëpia në bulevard të Fadil Paçramit* dhe komedinë Revizori të N. Gogolit. Në vitin akademik 1971-1972 mbaroi kursin e lartë për regjisurë pranë Institutit të Lartë të Arteve*.

U emërua pedagog i aktrimit në këtë Institut, më pas edhe i regjisurës, punë të cilën e kreu vijimisht, 1972-2004. Nga viti 1976 e deri sa doli në pension, më 2002, ishte aktor dhe regjisor në Teatrin Kombëtar. Në dramën Shënomëni dhe mua të Hamza Minarollit*, edhe pse personazhi që interpretoi, Besniku, kishte ngarkesa fjalësore të kahut politik shoqëror nga patoset propagandistike, gjatë lojës së tij ai mundësoi, përkundrazi, një fjalë dhe një gjest konkret e të besueshëm, brënda logjikës letrare. Me këtë rol fitoi çmimin e parë në Festivalin e Teatrove, 1974.

Një tjetër figurë e realizuar me mjeshtëri ishte ajo e kinezit Fen në dramën Furrnalta të Ruzhdi Pulahës, ku kësaj here provoi në fushën e vështirë të satirës politike, duke ruajtur masën dhe vërtetësinë e figurës. Edhe me këtë rol fitoi çmimin e parë, 1976, sikundër çmimin “Aleksandër Moisiu” si regjisor me shfaqjen Nën dritat e skenës (1977, bashkëregjisor me Pirro Manin). Një figurë ekspresive, ku gërshetohen elementë të simbolit, alegoria e gjesteve me prerje të një ole realiste, ishte Vrumi në dramën Luiza Miler (Intrige e dashuri) të F. Shilerit, 1979.Pamje komike, më së shumti të një grotesku me theksa shpotitës e përtallës, paraqiti me dy role të tjera, në një distancë kohore prej dhjetë vjetësh: Ksantin te drama Dhelpra dhe rrushtë e G. Figueredos (1989), regjisor Dh. Pecani dhe Anton Antanoviçin te komedia Inspektori (Revizori) e N. Gogolit (1999), regjisor Ferdinand Radi dhe A. Radi. Te ky i fundit ndoqi udhën e një paraqitjeje groteske, ku tallja dhe përqeshja nuk bëhen nëpërmjet ruajtjes së një formati të “kamufluar” ndaj Hlestakovit dhe të tjereve, çka do të duhej të afrohej me një paraqitje realiste, të përmbajtur, si prej zyrtari të lartë provincial.

Përkundrazi, ato bëhen enkas në mënyrë të hapur, me vijëzime të trasha, që shkojnë deri te parapelqimet ndaj elementeve të farsës e bufonadës. Si aktor A. Qesari ka të dukshme lojën energjike; zotëron një zë të fortë, është i qartë; i jep ton, timbër të thuket e shtysë fjalës dhe veprimit; karakterizohet nga shpërthimet e befta e të ashpra, ndonjëherë të tepërta. Si regjisor është prirur nga komedia. Së bashku me Alfred Bualotin ndërtoi spektaklin e mirënjohur Pallati 176 e Adelina Balashit, 1986, ku krijoi një atmosferë të këndshme, duke shfrytëzuar mirë situatat e keqkuptimeve, kundërshtitë në sjelljet ambiguide të personazheve, posaçërisht krijimin e një galerie tipash, ndër të cilat spikatën figurat e Jovan Bregut (luan Roland Trebicka), e Ritës, e tezes etj.Te komedia Valsi i Titanikut e T. Mushateskut (1990), ku ngulmoi te një lojë e tipit psikologjik, me karaktere të mëvetësishme si dhe një humor që rridhte, më së pari, prej komicitetit të tyre.

Ka provuar me sukses edhe vënie regjisoriale në rrafshe mirëfilli groteske e burleske, si Tetë persona plus e F. Radit*. Si përherë tok me A. Bualotin, do të vinte në skenë komedinë Dua burrë në kompaninë “Publimedia”, përshtatje nga A. Saqellaris (Zonjusha 39 vjeç), e cila pati një ndjekje të gjerë nga publiku. Ketu ranë në sy format burleske dhe fareske në vizatimin e karaktereve, tejzmadhimet dhe prania agresive e elementeve argëtuese, bufonada, ekzagjerimet e qëllimta në gjeste, në mënyrën e të folurit dhe në plastikë.Në vitin 2007 me dramën Kambanat e muzgut të Teodor Laços, krijuan imazhin dramatik të kohëve të dhunshme të fillimviteve pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, me ankthin, tmerrin, burgimet, vrazhdësinë, frikën dhe tjetërsimet, të gërshetuara këto me lindjen e një dashurie tragjike midis dy të rinjve nga klasa armike, që i sfidojnë përkatësitë e tyre politike.

A. Qesari ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë dhe të natyrës estetike mbi problemet e teatrit shqiptar, posaçërisht te aktrimit, të regjisurës, portrete artistësh; ka dramatizuar për skenë dhe radio disa novela e romane etj. Mban titullin “Artist i merituar”, si dhe titullin shkencor “Profesor”. 

Në përvjetorin e lindjes publikohen imazhe të rralla nga Fototeka e AQSHF-së, nga fotoprovat e Andon Qesarit për filmin “Kur zbardhi një ditë”, 1971. / KultPlus.com

148 vite nga vdekja e eseistes Harriet Martineau

Harriet Marineau u lind më 12 qershor, 1802 dhe vdiq më 27 qershor 1876. Ishte tregimtare, eseiste, gazetare dhe shkrimtare e ekonomisë e historisë, ajo bënte pjesën në kastën e shquar intelektuale të asaj kohe në Angli. Puna e parë e Martineau që bëri bujë në publik ishte seria me tregime në fushën e ‘ekonomisë klasike’, veçanërisht idetë e Thomas Robert Malthus dhe David Ricardos.

Një udhëtim në Lindjen e Mesme do ta shtynte Martineaun të studionte zhvillimin e religjionit. Ajo u bë tejet skeptike në besimet e saj për religjionin duke përfshirë këtu edhe pjesën e saj që i takonte një ateisteje.

Martineau e humbi dëgjimin në moshë shumë të re dhe me vonë pati probleme me zemër dhe sëmundje tjera.

Thëniet e saj më të njohura:

“Më mirë të jetosh më të mirën sot, të mendosh më të mirën sot, dhe të veprosh më të mirën sot, e sotmja është sigurt përgatitja më e mirë për nesër dhe për të gjitha të nesërmet e tjera që na ndjekin”

“Lexuesit janë të shumtë, mendimtarët janë të rrallë”

“Dhimbja është thjeshtë një maskim i bekimeve që përndryshe janë të paarritshme”

“Kanë qenë disa gjëra në jetën time që kanë pasur ndikim në mendjen time më shumë së sa posedimi i një pjese toke”/KultPlus.com

Prenk Jakova, kompozitori i madh që i rezistoi sistemit

Kompozitori i njohur shkodran lindi më 27 qershor të viti 1917 në një familje jo vendase por me prejardhje nga Gjakova.

Prenka ishte i biri i Kolë Jakovës, dhe një burim artistësh që në prejardhjen e tij, nga vendburimi.

Në tërësi Prenk Jakova është njohur si arsimtar, muzikant dhe kompozitor.

Në familjen e tij gjyshi i tij Deda ishte një adhurues i mad hi muzikës, ai i binte klarinetës në Kolegjin Saverian, dhe në të njëjtën mënyrë edhe i ati Kola ishte një ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët në frontin e Luftës së Koplikut.

Për më tepër dhe dy vëllezërit e Prenkës, Deda dhe Çesku do të bëheshin fotograf dhe muzikant.
Prenk Jakova, i nisi hapat e tij në rrugën e arsimit pas shkollës fillore në liceun Illyricum në Shkodër.

Që në shkollë u bë anëtar i bandave muzikore të shkollës dhe madje nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia.

Jakova më pas kaloi si klarinetist i bandës së qytetit prej ku filloi dhe të shkruante motive muzikore që mbështeteshin në ato të këngëve popullore.

Në moshën 18-vjeçare Prenga u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë.

Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxuri kitarrën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar Malli dhe më pas Fyellin e bariut, shkruan Konica.al

Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve.

Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi.
Më vonë kompozitori Jakova u zhvendos në Romë ku edhe nisi mësimin për klarinetën.

Por fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, e më vonë u caktua përgjegjës në korin e Brigadës Sulmuesenë Shtëpinë e Rinisë.

Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë.

Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë.

Gjithsesi vepra Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.

Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve.

Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.

Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezent në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.

Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish-funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.

Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.

Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.

Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Teatri i Operas e Baletit e shpalli vitin e shkuar 2017-ën, si vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkoi me 100-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit. /KultPlus.com

Kumbaro: ITB Berlin promovon Vjosën dhe bregdetin e Jugut

Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025, ITB Berlin.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale imazhet e Shqipërisë, të publikuara nga ITB Berlin.

“Imazhet e Shqipërisë Turistike janë publikuar nga ITB Berlin, panairi më i madh në botë i turizmit që do ta ketë Shqipërinë vendin e nderit për vitin 2025 përmes një programi promovimi që nisi me Vjosën, vazhdon me bregdetin e jugut e do të shtrihet në gjithë buqetën e madhe të ofertës sonë sepse e gjithë Shqipëria është turistike”, tha Kumbaro.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin nënshkruan  marrëveshjen që shpalli Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.

Kjo marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e rolit të Shqipërisë jo vetëm në nivel pjesëmarrës, por në sipërmarrje aktive të organizimit të agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, që promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Zëri që këndon, zëri që rënkon

Mbrëmë e pashë filmin dokumentar “I am: Céline Dion” (ndoshta mund të quhej edhe: “Still Celine Dion”, ose “I was Celine Dion”), një film që dokumenton fatin tragjik të këngëtares kanadaze, që njihet si një nga zërat më të bukur dhe më të fuqishëm në historinë e këndimit.

Ag Apolloni

Në dhjetor të vitit 2022, ajo u diagnostikua me sindromin SPS (stiff-person syndrom), që është një sëmundje e rrallë neurologjike (një në një milion), që shoqërohet me ngurtësi muskulare, spazma, deformime fizike dhe dhimbje kronike. Në maj të vitit pasues (2023), këngëtarja, bëri publike sëmundjen e saj dhe anuloi të gjitha koncertet.

Nga filmi duket qartë që zotëruesja e zërit të jashtëzakonshëm nuk do të na magjepsë më, sado që është e vendosur të luftojë deri në fund: “kur s’mund të vrapoj, do të eci; kur s’mund të eci, do të zvarritem.”

Filmi fillon me një deklaratë të saj kur po bëhej gati të niste karrierën: “Unë dua të këndoj gjithë jetën.” Pastaj e kuptojmë se ajo ka jetuar për zërin e saj: “Unë kam shkuar pas zërit tim. Ai më ka udhëhequr.” Dhe arrijmë te pika më e vështirë për një performuese: “Nuk është e vështirë të bësh një ‘show’, e vështirë është ta anulosh atë.” Kështu, ne e kuptojmë se si është ndier atë ditë kur i ka anuluar të gjitha koncertet e saj nëpër botë.

Në një moment, ajo tregon që edhe pse ka udhëtuar rretheqark botës, nuk ka parë asgjë. Sepse, si performuese, ajo kishte udhëtuar për t’u parë, jo për të parë.

Në minutat e fundit të filmit jepen edhe sulmet neurologjike të saj, e që janë të tmerrshme dhe, për mua, të diskutueshme në planin etik. Duke e parë këtë film, e kuptojmë që jemi “shoqëri e transparencës” dhe që, mjerisht, jetojmë në epokën e post-privatësisë. Meqë filmi është realizuar dhe shfaqur me lejen e këngëtares, ne e kuptojmë që sot, jo vetëm që nuk konsiderohet “turp” (tabu) të shfaqesh në gjendjen më të mjerë para publikut, por është edhe një lloj “obligimi moral”, për të mos thënë edhe një lloj “krenarie”, pa u ndalur në temën e mundësisë së përfitimit financiar.

Celine Dion thotë në film se ajo gjithmonë për publikun ka qenë një “libër i hapur”. Nga reagimet që ka shprehur publiku menjëherë pas shfaqjes së filmit, një hapje e tillë, si te skenat e stërmundimit nga sëmundja, është parë si e tepruar. Kushdo që e sheh këtë film, në fund do ta bëjë pyetjen: a duhet të shfaqet gjithçka? Imazhet e fundit të një jete, janë imazhe që mbesin përjetë. Prandaj, nga ato pamje ndoshta duhet të kursehet çdo njeri, sidomos ata që me punën e tyre bëjnë histori. Duke e parë këtë film, m’u kujtua Umberto Eco, i cili pasi u sëmurë nga kanceri, u tërhoq nga jeta publike, la një amanet që t’i digjej trupi, dhe që, së paku, deri dhjetë vjet pas vdekjes, të mos bëhej asnjë komemoracion për të. Në momentet e fundit, edhe Eco ka vuajtur, edhe Freddie Mercury do të jetë zhgërryer përtokë, edhe Aretha Franklin do të ketë ulëritur nga sëmundja. Milan Kundera në një ese shqetësohej që shkrimtari Robert Musil kishte vdekur duke bërë ushtrime me shtanga, duke e lënë këtë si imazh të tij të përjetshëm. Por, ta lëmë Musil-in! Si do të reagonim po ta shihnim Senekën që nuk i del shpirti, edhe pasi ka prerë venat në vaskën e banjës? A do të ishte një pamje e durueshme për publikun besimtar, nëse do ta shihte Krishtin duke bërtitur e duke u alivanosur nga gozhdat që i ngulen gjatë kryqëzimit?

Më kujtohet që kur Mel Gibson pati shfaqur filmin e tij për Krishtin, më 2004, një prift, duke e parë paraqitjen e dhunës dhe dhimbjes, pati pësuar infarkt në kinema, ndërsa besimtarë nga e gjithë bota patën reaguar për skenat e kamxhikosjes dhe kryqëzimit. Ato kritika të besimtarëve të krishterë sikur donin të thoshin: e dimë se ç’ka vuajtur, por, ju lutemi, lini pak privatësi Birit të Zotit!

Mendoj se të njëjtën gjë e kanë menduar edhe fansat e Celine Dion-it: e dimë se ç’po vuan, por, ju lutemi, lini pak privatësi robit të Zotit!

Pyetja që del nga filmi për këngëtaren, nuk ka të bëjë me atë nëse ajo do të mund të kthehet ose jo në koncerte, apo a do të jetojë ende gjatë pas kësaj sëmundjeje, por se kush përfiton nga post-privatësia dhe cilat do të jenë pasojat e post-privatësisë?

A ka qenë më mirë kur vdisnim në beteja dhe, vetëm pasi merrte fund gjithçka, historiani shkruante për ne duke na bërë pjesë të historisë?

A ka qenë më mirë kur lëngonim në shtratin e vdekjes, larg publikut, pranë familjes?

Apo është më mirë tash, kur vuajmë dhe vdesim para publikut, në TikTok?

Çka do të thotë fundi i privatësisë? Fund i epokës së legjendave, fund i heronjve, fund i sublimes?

Sikur Beteja e Termopileve të jepej live në TikTok, as Leonida nuk do të vinte kaq i madhërishëm në kohën tonë. Sikur të kishim një dokumentar të ditëve të fundit të Skenderbeut, kur ai, sipas disa historianëve, lëngonte nga dhimbjet e barkut si pasojë e helmimit nga ushqimi, pra sikur të shihnim një plak të zverdhur, që vjell shpesh, dhe që shkon në nevojtore orë e dakik, a mendoni se do të vinte deri në kohën tonë kaq madhështor dhe kaq heroik? Tash së fundmi, pashë në një portal se kanë nisur të kthehen në modë fotot nga WC-ja. Duhet vetëm edhe pak të presim që në vend të personit mbi shole, të shohim procesin e tij në shole, të shoqëruar me vargje nga poezia e famshme e Enzensberger-it, si mesazh kundër politikës dhe luftës.

Filmi për këngëtaren Celine Dion, është një ‘intervenim me interes’ në diskutimin filozofik mbi jetën e privuar nga privatësia, një temë që ka krijuar konturat e kohës sonë e në të cilën prej kohësh janë fokusuar Geoffrey Gorer, Philippe Ariès, Umberto Eco, Giorgio Agamben e disa të tjerë. Ky dokumentar është tragjik, sepse dokumenton fundin e njërit nga zërat më të fuqishëm në botë, dhe fundin e botës së një zëri. Zëri i Celine Dion-it ka qenë zë shpërthyes, tash ai po kthehet në zë rënkues. Bota e saj po merr fund si në poezinë e T. S. Eliot-it: “This is the way the world ends/ Not with a bang but a whimper.”

Sot, Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e të Mesme

Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 27 qershorin si Ditën e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e të Mesme.

Goditje dhe kriza të shumta kanë tronditur mjedisin global të punës për sipërmarrësit dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Për më tepër, konfliktet, varësia nga mallrat, tensionet gjeopolitike dhe pandemitë nxisin paqëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike, duke i bërë këto ndërmarrje jashtëzakonisht të cënueshme ndaj rritjes së inflacionit dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.

Ndërmarrjet më të rrezikuara janë ato në pronësi të grave dhe të rinjve që shpesh gjenden në rrezik të goditjeve të jashtme.

NMVM-të përbëjnë 90% të bizneseve, 60 deri në 70% të punësimit dhe 50% të PBB-së në mbarë botën. Si shtylla kurrizore e shoqërive kudo, ato kontribuojnë në ekonomitë lokale dhe kombëtare dhe në ruajtjen e mjeteve të jetesës, veçanërisht në mesin e të varfërve që punojnë, grave, të rinjve dhe grupeve në situata të cënueshme.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 27 qershorin si “Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme” për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në arritjen e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm./ atsh / KultPlus.com

80-vjetori i masakrave ndaj popullsisë Çame

Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit.

Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944. / KultPlus.com

107 vite nga lindja e kompozitorit Prenk Jakova

Prenk Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

Prenk Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.

Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj.

Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat. / KultPlus.com

Vdes aktori, Bill Cobbs

Aktori i njohur me mbi 50 vjet përvojë në Hollywood, Bill Cobbs, është ndarë nga jeta.

Cobbs vdiq në moshën 90 vjeçare, të martën në shtëpinë e tij në Inland Empire, thotë publicisti i tij, Chuck I. Jones.

Me një karrierë aktrimi që shtrihet deri në vitet 1970, Bill ka rreth 200 kredite filmash dhe shfaqjesh televizive për emrin e tij.

Ai luajti Devaney, një nga punonjësit e Whitney Houston, në “The Bodyguard”, Louisiana Slim në “The Hitter” të vitit 1979, ishte Walter në “The Brother from Another Planet” të vitit 1984 dhe pati një rol si Reginald në 2006 në “Night at the Museum”./KultPlus.com

Media franceze “Voyageur”: Zbuloni mrekullitë e fshehura të Shqipërisë

Vetëm tre orë larg nga Parisi, Shqipëria ju fton të zbuloni brigjet e saj të mrekullueshme të rrethuara nga detet Adriatik dhe Jon. Një parajsë për ata që kërkojnë të kombinojnë relaksin dhe eksplorimin, shkruan Nathalie Petit në revistën franceze të udhëtimit “Voyageur”.

Një thesar i fshehur

Kjo ëndërr është një realitet në Shqipëri, një vend ballkanik që ndan kufijtë e tij me Greqinë dhe që mbetet kryesisht i panjohur për turistët e huaj.

Plazhe idilike dhe aktivitete te ndryshme

 Shqipëria është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në rajon.

Ksamili, me rërën e tij të imët dhe ujërat transparente, është i përsosur për not dhe zhytje.

Dhërmiu ofron pamje spektakolare me malet e tij që rrethojnë detin, ndërsa Jala është vendi ideal për ata që kërkojnë një arratisje në natyrë.

Përveç plazheve, Shqipëria është e pasur me trashëgimi kulturore dhe historike magjepsëse.

Nga shëtitjet nëpër peizazhe të pacënuara deri te vizitat në vendet historike, çdo ditë është një aventurë.

Agjencitë lokale ofrojnë turne autentike që do t’ju lejojnë të përjetoni përvoja të paharrueshme.

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë

Shqipëria gëzon një klimë mesdhetare, me verë të nxehtë dhe dimër të butë, duke e bërë atë një destinacion ideal pothuajse gjatë gjithë vitit.

Periudha më e mirë për të shijuar plotësisht plazhet është nga maji deri në shtator.

Gjatë këtyre muajve, klima është e përshtatshme për aktivitete në natyrë, qoftë në plazhe apo në malet përreth.

Është gjithashtu koha e shkëlqyer për të eksploruar qytetet e vogla bregdetare dhe për të shijuar kuzhinën vendase.

Pushime të përballueshme dhe të qeta

Shqipëria është jo vetëm e bukur, por çuditërisht edhe e përballueshme.

Akomodimet, ushqimet dhe shërbimet kanë çmime shumë më të ulëta se ato të fqinjëve evropianë, duke e bërë atë destinacionin perfekt për turistët me një buxhet të limituar.

Veç kësaj, vendi mesdhetar ende i paprekur nga turizmi masiv siguron pushime të qeta, ku mund të zbuloni kulturën vendase pa turma.

Kjo është një mundësi për të përjetuar një eksperiencë autentike dhe pasuruese.

Ksamil: Plazhi parajsë me ujëra të kristalta

Dhërmi: Mes maleve dhe detit, një mjedis piktoresk

Jalë: Plazhi i egër ideal për aventurierët

Plazhet Ksamil, Dhërmi, Jalë – plazhet më të bukura dhe të larmishme.

Aktivitetet:  Ecje, udhëtime, vizita kulturore dhe historike

Periudha: Nga maji deri në shtator një klimë ideale

Buxheti: Destinacion i përballueshëm në krahasim me vendet e tjera evropiane

Bëhuni gati të zbuloni Shqipërinë, këtë perlë të fshehur që ofron shumë më tepër sesa thjesht pushime në plazh.

Një aventurë kulturore, historike dhe natyrore ju pret në këtë vend të mrekullueshëm ballkanik.

Mos e humbisni mundësinë për të përjetuar një nga destinacionet më të bukura të Evropës./atsh/KultPlus.com

Komisioni Evropian: Apple po shkel rregullat e konkurrencës së BE-së

Gjetjet paraprake të hetimit të Komisionit Evropian tregojnë se Apple po shkel ligjet e reja të BE-së që lejojnë kompanitë më të vogla të konkurrojnë dhe konsumatorët të gjejnë aplikacione alternative më të lira.

Komisioni Evropian tha se i dërgoi gjetjet Apple pas një hetimi që filloi në muajin mars.

Komisioni Evropian beson se Apple nuk është në përputhje me Aktin e Marketingut Dixhital (DMA) “pasi parandalon zhvilluesit e aplikacioneve që t’i drejtojnë lirisht konsumatorët në kanale alternative për oferta dhe përmbajtje”.

Apple, ka 12 muaj për të përmbushur para se të përballet me gjoba deri në 10% të të ardhurave të saj globale. BE shpreson se dialogu në vazhdim do të çojë në pajtueshmëri dhe jo në sanksione, shkruajnë mediat e huaja.

Letra Kafkës e vitit 1920 del në ankand/ Çmimi fillestar është 114,000 dollarë

Një letër nga Franz Kafka që i thoshte një miku se nuk mund të shkruante më është ofruar për shitje në Sotheby’s, 100 vjet pas vdekjes së shkrimtarit të madh, për të paktën 114,000 dollarë.

Kafka, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për veprat “Gjyqi”, “Kështjella” dhe “Shpërfytyrimi”, i shkroi një letër poetit dhe botuesit austriak Albert Ehrenstein, gjoja në përgjigje të një kërkese për kontribuon me tekstet e tij në revistën letrare “Di Gefferten”.

Në një faqe të asaj letre në gjermanisht, të nënshkruar vetëm “Kafka”, ky shkrimtar gjerman me origjinë hebreje-çeke i lindur në Pragë shprehet se nuk ka shkruar asgjë për tre vjet.

Besohet se Franz Kafka e shkroi atë letër në periudhën midis prillit dhe qershorit 1920, ndërsa ishte duke qëndruar në një sanatorium në qytetin Merano në veri të Italisë, ku po trajtohej për tuberkuloz.

“Kur shqetësimet kanë depërtuar në një shtresë të caktuar të ekzistencës së brendshme, shkrimet dhe ankesat me sa duket pushojnë. Në të vërtetë, rezistenca ime nuk ishte shumë e fortë,” shkruante Kafka në letrën e tij drejtuar Ehrenstein./ euronews/ KultPlus.com

Vazoja Ceremoniale, arti italian i qeramikës

Ajo është e bukur, por më së shumti është sugjestionuese, si çdo bukuri krijuese që të godet me finesën dhe elegancën, me mjeshtërinë e realizimit dhe virtuozitetin e solemnitetit shprehës.

Vazoja Ceremoniale Maiolica e shekullit të 16-të, që i atribuohet punëtorisë së Orazio Fontana, është një shembull kryesor i qeramikës maiolica italiane të Rilindjes. Orazio Fontana, aktiv midis 1510 dhe 1571, ishte i njohur për qeramikën e tij të hollë dhe shumë dekorative, shpesh duke shfaqur ngjyra të gjalla dhe dizajne të ndërlikuara. Kjo lloj majolica karakterizohet në mënyrë tipike nga enë balte e saj me xham kallaji, e cila lejonte një sipërfaqe të bardhë me shkëlqim, ideale për lyerje të detajuara.

Punëtoria e Fontanas, e vendosur në Urbino, Itali, ishte veçanërisht me ndikim në zhvillimin e majolikës dhe pjesët nga punishtja e tij vlerësohen shumë për vlerën e tyre artistike dhe historike. Vazo ka të ngjarë të shfaqë motive mitologjike, historike ose lulesh, tema të zakonshme në veprën e Fontanas.

Maiolica, prej së cilës është bërë kjo lloj qeramike karakterizohet nga një glazurë prej kallaji, e cila krijon një sipërfaqe të bardhë dhe të lëmuar, ideale për pikturë të ndërlikuar dhe të ndritshme. Kjo teknikë u zhvillua në Itali gjatë Rilindjes dhe përdorej për të krijuar enë, vazo, pllaka dhe objekte të tjera dekorative.

Procesi i prodhimit të maiolicës përfshin disa faza: formimi i objektit nga argjila, pjekja e parë (që quhet biskuit), glazurimi me glazurë prej kallaji dhe pjekja e dytë për të fiksuar ngjyrat. Maiolica zakonisht zbukurohet me motive të ndërlikuara, shpesh herë me tema mitologjike, historike ose natyrore. Kjo e bën maiolicën një formë të vlerësuar të artit dekorativ.

Albert Vataj/ KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i teksti