Kombëtarja e Shqipërisë sonte pritet ta vulosë kualifikimin në Evropian

Kombëtarja e Shqipërisë zbret sot në fushë në Kishinjev përballë Moldavisë vendase, përballje që pritet të sjellë kualifikimin zyrtar të kuqezinjve të Sylvinhos në Euro 2024.

Gjermania është vetëm një pikë larg, por djemtë e Kombëtares synojnë fitoren, për të vijuar me suksese dhe me kryesimin e grupit E, që e kemi dominuar me meritë.

Mbi të gjitha me një futboll të bukur dhe gola të jashtëzakonshëm. Braziliani Sylvinho regjistron sot duelin e tetë në pankinën e skuadrës së shqiptarëve.

Formacioni i shqiponjave pritet të jetë ai i fitores 3-0 kundër Çekisë, me ndryshimin e vetëm në qendër të mbrojtjes.

Repart kur Ardian Ismajli rimerr postin e titullarit përkrah kapitenit Berat Gjimshiti, duke zëvendësuar Arlind Ajetin e dëmtuar.

“Stadionul Zimbru”, me një kapacitet prej 10.500 tifozësh, do të jetë “sold-out”. Tifozët vendas ëndërrojnë fitoren për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Ndërkohë që në stadium do të ketë rreth 1 mijë zemra shqiptare, me Tifozat Kuq e Zi që nuk e lënë kurrë vetëm Kombëtaren.

Ndeshja Moldavi-Shqipëri zhvillohet sonte me fillim nga ora 18:00. / KultPlus.com

Sot Parlamenti Evropian diskuton për situatën në veri

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës do të jetë temë diskutimi në Parlamentin Evropian.

Kjo pas sulmit terrorist mbi policinë e Kosovës që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

PE-ja pritet më vonë gjatë muajit ta miratojë edhe një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo u bë e ditur nga eurodeputeti kroat Tonino Picula.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula./KlanKosova/KultPlus.com

Nesër në Parlamentin Evropian votohet për vizat e Kosovës

Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian do të votojë për liberalizimin e vizave të kosovarëve.

Ky do të jetë edhe votimi përfundimtar për heqjen e vizave.

Zhvillimi i nesërm në PE vjen pas draft-agjendës së miratuar në Konferencën e Presidentëve që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian.

Pas votimit të 18 prillit, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ishte ai i cili e ka propozuar që të hidhet në votim pika e liberalizimit të vizave.

Para PE-së, pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars votoi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, duke thënë se lëvizja e lirë për kosovarët mund të ndodhë nga 1 janari i vitit 2024.

Kujtojmë se ditë më parë, blloku njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, heqja e vizave për kosovarët bëhet realitet më 1 janar 2024.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Çeku: Me organizimin e Kampionatit Evropian të Xhudos, Kosova do të ketë promovim ndërkombëtar

Ministri i Kulturës,Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, me rastin e vendimit për organizimin e Kampionatit Evropian të Xhudos në Kosovë, ka thënë se kjo ngjarje i sjell vendit promovim dhe shumë të mira të tjera, shkruan KultPlus.

‘’Në fund të këtij viti, qytetarët tanë e sportdashësit do të kenë mundësi të shohin ndeshjet mes xhudistëve më të mirë të Evropës. Një ngjarje ndërkombëtare sportive që do të sjell promovim dhe të mira të tjera për vendin tonë.’’, ka thënë Çeku.