Mahatma Gandhi: Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen

“E vërteta më ka tërhequr mua brenda fushës së politikës; dhe unë pa hezitimin më të vogël mund të them se ata që thonë se religjioni s’ka të bëjë asgjë me politikën, nuk e din se çka nënkupton religjioni.”

“Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen. Nëse unë besoj se nuk mund të bëjë diçka, kjo më bënë mua të paaftë për ta bërë atë. Por kur unë të besoj se mundem, atëherë unë e fitoj aftësinë për ta bërë atë, madje edhe nëse në fillim nuk e kam pasur këtë aftësi.”

– Mahatma Gandhi, “The Story of My Experiments With Truth”

/KultPlus.com

Letra e Franz Kafkës del në ankand me vlerën fillestare 114,000 dollarë. Ja çfarë shkruhej në të

Një letër nga Franz Kafka që i thoshte një miku se nuk mund të shkruante më është ofruar për shitje në Sotheby’s, 100 vjet pas vdekjes së shkrimtarit të madh, për të paktën 114,000 dollarë.

Kafka, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për veprat “Procesi”, “Metamorfoza”, i shkroi një letër poetit dhe botuesit austriak Albert Ehrenstein, gjoja në përgjigje të një kërkese për kontribuon me tekstet e tij në revistën letrare “Di Gefferten”, shkruan Living.

Në një faqe të asaj letre në gjermanisht, të nënshkruar vetëm “Kafka”, ky shkrimtar gjerman me origjinë hebreje-çeke i lindur në Pragë shprehet se nuk ka shkruar asgjë për tre vjet, shkruan observerkult.

Besohet se Franz Kafka e shkroi atë letër në periudhën midis prillit dhe qershorit 1920, ndërsa ishte duke qëndruar në një sanatorium në qytetin Merano në veri të Italisë, ku po trajtohej për tuberkuloz.

“Kur shqetësimet kanë depërtuar në një shtresë të caktuar të ekzistencës së brendshme, shkrimet dhe ankesat me sa duket pushojnë. Në të vërtetë, rezistenca ime nuk ishte shumë e fortë,” shkruante Kafka në letrën e tij drejtuar Ehrenstein./vizionplus/KultPlus.com

‘Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote’

Kanga e rinisë nga Migjeni

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand` të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q`i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. /KultPlus.com

1 vit nga vdekja e aktores Mary Mara

Aktorja Mary Mara u shfaq në seriale të shumta televizive gjatë karrierës së saj.

Mary Mara, një aktore e njohur për rolet në “ER” dhe “Ray Donavan”, ka vdekur në moshën 61 vjeçare, më 29 qershor 2023, kishte deklaruar menaxheri i saj, Craig Dorfman, në një deklaratë për CNN, transmeton KultPlus.

“Mary ishte një nga aktoret më të bukura që kam takuar ndonjëherë,” tha Dorfman. “Më kujtohet ende që e pashë në skenë në vitin 1992 në ‘Mad Forest’ në Broadway. Ajo ishte elektrike, qesharake dhe një individ i vërtetë. Të gjithë e donin atë. Ajo do na mungojë.”

Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Shtetit të Nju Jorkut, oficerët iu përgjigjën një thirrjeje të dielën rreth orës 8:10 të mëngjesit me orën lokale për një “mbytje të mundshme”. Ambulanca mbërriti në vendngjarje dhe “zbuluan një grua të vdekur në lumin St. Lawrence”, thuhet në njoftim.

Mara kishte një listë të titujve që përfshinin televizionin dhe filmin, duke përfshirë role me shumë episode në shfaqje si “Dexter”, “The Practice” dhe “Star Trek: Enterprise”. Ajo ishte ndoshta më e njohur për rolet e saj në “Nash Bridges”, “ER” dhe “Ray Donovan”.

Meritat e filmit të Marës përfshinin “Mr. Saturday Night” dhe “Love Potion #9”. Projekti i saj i fundit ishte në filmin e vitit 2020, “Break Even”. / KultPlus.com

Anulimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën “grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.

“Fatkeqësisht, Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”, shkroi Kurti në X pak pas mesnatës të enjten.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 27 qershor, pak para hapjes së planifikuar të tij në Beograd.

“Pasi refuzoi përsëri ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, e cila u ndërmjetësua nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja, Serbia e ndaloi të enjten edhe një iniciativë të sponsorizuar nga BE-ja, ‘Mirëdita, dobar dan’”, tha Kurti, i cili i paraqiti të mërkurën në Bruksel tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë sheshin Dorqol, ku mbahet festivali, grupi i protestuesve u dëgjua duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

“Një festival kulturor me një histori njëdekadeshe të festimit të shumëllojshmërisë që bashkon artistët nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, [Aleksandar] Vulin dhe ministri i Brendshëm [Ivica] Daçiq, të cilët e shtrembëruan atë duke e shndërruar në paradë groteske të mesazheve diskriminuese dhe urrejtëse”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të enjten se urdhri për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” u lëshua shkaqe sigurie.

“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.

Prej themelimit të tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.

Disa përfaqësues të autoriteteve serbe kanë bërë thirrje për anulimin e mbajtjes së festivalit gjatë këtij vitit, që është paraparë të mbahet nga 27 deri më 29 qershor.

Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova./rel/KultPlus.com

Gonxhja: Butrinti, mbi 38 mijë vizitorë në pesë muaj

Nga rrënojat antike deri tek peizazhet natyrore, Butrinti vijon të mbetet destinacioni unik që tërheq vizitorët nga e gjithë bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bën të ditur se “vetëm gjatë pesëmujorit të parë të vitit, Parku i Butrintit mirëpriti 38,285 vizitorë, 79.4% më shumë krahasuar me vitin 2023”.

Sipas tij, rreth 52% e vizitorëve kanë qenë turistë nga vende të ndryshme të botës.

Butrinti është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit.

Butrinti ky thesar i lashtësisë që ruan historinë e qytetërimeve të mëdha ka qenë dëshmitar i shumë epokave nga antikiteti deri në mesjetë. Rrugët e tij antike mbartin gjurmët e Romës, të bizantit, venecianëve dhe ende dëshmojnë për madhështinë e qytetit në kohët e lashta.

Mes rrënojave të lashtësisë muzeu i Butrintit shfaq një kronologji të historisë mijëra vjeçare të qytetit antik. Teatri i Butrintit ka pritur shfaqje dhe rituale të shumta gjatë shekujve dhe është një dëshmi e kulturës dhe artit të lashtësisë. Në zemër të tij ndodhen bazilika dhe nimfeumi që tregojnë ndërthurjen unike të arkitekturës dhe religjionit.Mozaikët e ruajtur me kujdes me figurat e tyre të ndërlikuara me rrëfejnë histori të rralla për jetën dhe traditën e pasur të këtij vendi magjik./atsh/KultPlus.com

Qeveria ndalon TikTokun në institucionet publike

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të TikTokut në të gjitha institucionet publike.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila ishte e 211-ta me radhë, njofton Klankosova.tv.

Aty u tha, se ndalimi i TikTokut është bërë me qëllim të eliminimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i këtij rrjeti social./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadoren Lobbezoo për angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Holandës përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme. Presidentja theksoi se Holanda mbetet aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përkrahjes së Holandës për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, duke u fokusuar në nevojën anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjë që është në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve./KultPlus.com

“The Guardian” shkruan për anulimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”: Organizatorët fajësojnë Ministrinë e Brendshme në Serbi që nuk i mbrojti

Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar rreth festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili këtë vit ishte planifikuar të mbahej në Beograd, mirëpo është anuluar nga shteti serb, të cilët nuk kanë lejuar mbajtjen e këtij eventi.

“The Guardian” shkruan se grupet e të rinjëve nga Kosova dhe Serbia, të cilët organizojnë ngjarjen kulturore “Mirëdita, Dobar Dan” akuzojnë Ministrinë e Brendshme të Serbisë, që nuk i kanë mbrojtur nga kërcënimet.

“Organizatorët e një festivali të krijuar për të promovuar shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë thonë se autoritetete Beogradit janë dorëzuar ndaj presionit nga grupet e huliganëve, duke ndaluar ngjarjen e këtij viti”, shkruhet në artikull.

Në një deklaratë të lëshuar pasditën e së enjtës, ditën që ishte planifikuar të fillonte festivali, policia e Beogradit përmendi shqetësimet e sigurisë si arsye për anulimin e festivalit.

“Gjatë pranisë sonë në zonën ku duhej të mbahej festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në hyrjen e pasme, duke krijuar në mënyrë efektive një situatë ku njerëzit mbahen peng para Ministrisë së Brendshme”, thanë organizatorët në një deklaratë.

Disa ditë para fillimit të festivalit, serbët kishin shkruar “Dil jashtë” dhe “Ju nuk jeni të mirëpritur”, në hapësirat e jashtme në vendin ku do mbahej festivali.

Këtë vit, festivali “Mirëdita, Dobar Dan” do të festonte 10-vjetorin e saj, e iniciuar në vitin 2014 për të kapërcyer ndarjet etnike të intensifikuara nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Muajin e kaluar, tensionet u rritën nga një rezolutë për të shënuar 11 korrikun si një ditë ndërkombëtare për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Fatkeqësisht ndalimi i festivalit ishte shumë i parashikueshëm”, tha dramaturgu Jeton Neziraj, drama e të cilit Babai dhe Babai do të hapte manifestimin të enjten.

“Për gjashtë vitet e fundit politika serbe ka bërë shumë përpjekje për ta paraqitur çdo bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Serbisë si kalë troje, duke e stigmatizuar atë për qëllime të brendshme populiste”, tha Neziraj për Guardian.

Kryetari i bashkisë së Beogradit, Aleksandar Shapiq, tha në fillim të këtij muaji se ai ishte “shprehimisht” kundër mbajtjes së festivalit në qytetin e tij, duke pretenduar se organizatorët e tij po falsifikonin historinë duke mohuar se Kosova ishte serbe./KultPlus.com

Rama: Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës

Bregdeti i Adriatikut vijon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas e të huaj, të cilët e zgjedhin jo vetëm për plazhet e gjera ranore, por edhe për lagunat e turizmin e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një pjesë që mbetet ende për t’u zbuluar përgjatë bregdetit të Durrësit.

“Një nga sekretet e bukura të Adriatikut në Durrës”, shkruan kryeministri, ndërsa ndan pamjet spektakolare nga bashkimi i detit me lagunën.

Me një ofertë të plotë turistike, Shqipëria është vendosur në “top” destinacionet e përzgjedhura nga turistët e huaj edhe këtë vit.

Më shumë se 3.3 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë në 5 muajt e parë të vitit, ndërkohë që vetëm në muajin maj Shqipëria u vizitua nga rreth 974 mijë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com

Kosovare Asllani nënshkruan për ‘London City Lionessesluaneshat e qytetit të Londrës

Klubi i nivelit të dytë London City Lionesses, tashmë në pronësi të biznesmenes amerikane Michele Kang, kanë njoftuar për nënshkrimin e kapitenes së ekipit të Suedisë, Kosovare Asllani, transmeton KultPlus.

Asllani bashkohet si lojtare e lirë pasi ka luajtur për AC Milan sezonin e kaluar. Ajo ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me opsion për një të tretën. Asllani tha: “Jam i lumtur t’i bashkohem London City Lionesses dhe pres me padurim të kontribuoj drejt suksesit të ekipit. Jam shumë i emocionuar nga aspiratat e ekipit dhe mezi pres të takoj bashkëlojtarët e mi dhe tifozët.” London City Lionesses u formuan në vitin 2019 si një shkëputje e pavarur nga Lionesses e njohur Millwall, dy herë fituese e Kupës FA të Grave në vitet 1990.

Me qendër në qytetin Kent të Dartford, klubi në fakt nuk i luan ndeshjet e tyre në shtëpi në qytetin e Londrës. Sot, klubi njoftoi gjithashtu se do të merrte terrenin e tyre të stërvitjes dhe do të zhvendoste ndeshjet në shtëpi në stadiumin Hayes Lane me kapacitet 5,000, shtëpia e Bromley FC.

Në dhjetor 2023, klubi u ble nga biznesmenja Michele Kang, tashmë pronare e Washington Spirit në Ligën Kombëtare të Futbollit të Grave dhe tetë herë kampione evropiane, Olympique Lyonnais. Shtatë muaj më parë, Kang kishte shpallur ambicien e saj për të “krijuar të parën në llojin e saj organizatën globale të futbollit të grave me shumë ekipe”.

Ajo kishte premtuar të shtojë skuadra të ardhshme në Evropë, Amerikë dhe Azi, duke thënë se “çdo klub do të ruajë identitetin e tij të vendosur, duke respektuar trashëgiminë e tij dhe bazat e komunitetit. Pronësia e re do të vazhdojë të investojë strategjikisht për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rritur bazën e tifozëve për çdo klub”. Përfitimi kryesor i modelit të një entiteti është grumbullimi i njohurive specifike për lojën e grave. “Resurse të rëndësishme do t’i kushtohen në mënyrë qendrore zhvillimit të aftësive që do të ndahen në të gjitha ekipet si shkenca dhe teknologjia e performancës, analitika e të dhënave, kërkimi global dhe zhvillimi i stafit sportiv.”/KultPlus.com

35 vjet nga fjalimi i Millosheviqit në Gazimestan

Miti i sajuar i Kosovës, klerofashizmi serb dhe shteti i Kosovës…

Jusuf Buxhovi

Para 35 vitesh në Gazimestan, para turmës një milionëshe serbe, me fjalët se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, Milosheviqi, hapi kapitullin e përgjakshëm të rrënimit të Jugosllavisë me pasoja tragjike për popujt e saj.

Në këtë ditë, në tribinën e Gazimestanit, para kryesisë së shkërmoqur jugosllave dhe sy botës së hutuar me ato që po ngjisnin me trashëgimin e Titos, u promovua “vozhdi” serb i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës që ta rikthejë “lavdinë histotorike serbe” dhe, si tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!

Po ato ditë, diku afër Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike dhënë magazinit gjerman “Der Spiegel”, ndër të vetmit, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike (ndonëse pa mandat të saj), ia ktheu përgjigjen kërcënimeve të Millosheviqit drejtuar shqiptarëve po edhe të tjerëve në festën klerofashishte të Vidovdanit serb.

Me pak fjalë, kundërpërgjigja e Dr Rugovës Millosheviqit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se në mars të atij viti, në ditën e 23-të, Millosheviqi, me tanke dhe në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, rrënoi autonominë e Kosovës, si njësi federative. Me këtë bëri puç ndaj kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shikohet si ripushtim i Kosovës, mbas atij të vitit 1945. Me këtë rast Rugova tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, kanë provuar të vejnë hegjemoni në Ballkan, kanë përfunduar tragjikisht”.

Pra, orgjia klerofashishte serbe e qershorit të vitit 1989, përfundoi siç parashikonte dr Rugova në magazinin gjerman. Por nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy nga akterët më të rëndësishëm të saj, që shënuan epoka me kah të kundërt.

Në njërën anë, Millosheviqin – humbës të saj, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Trtibunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.

Dhe, në tjetrën anë – dr Ibrahim Rugovën, si lider historik të shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDKs-ë më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhet presidenciale dhe parlamentare në vitin 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale (me shtetin paralel) deri te ajo e armatosur, e cila solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Historia, midis demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe të lirimit të Kosovës prej tij që për epilog pati shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, mund të thuhet se fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.

Ky kapërcim i jashtëzakoshëm historik, megjithatatë, ka lënë prapa frymën e klerofashizmit serb, i cili, në çdo Vidovdan, përpiqet që në Kosovë, ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, sadoqë realiteti (shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve) e ka zhvlerësuar deri në anakronizëm!/KultPlus.com

Emina Cunmulaj takohet me kryetarin e Ulqinit: Diskutuam për një projekt që synon fuqizimin e gruas

Emina Cunmulaj së fundi ka vizituar komunën e Ulqinit ku është takuar me kryetarin, Genci Nimanbegu, përcjell KultPlus.

Cunmulaj nëpërmjet një postimi në Facebook tha së diskutuan rreth një frymëzues që synon fuqizimin e grave, duke u siguruar që ato të marrin mbështetjen dhe mundësitë e nevojshme për sukses.

Në vijim, KultPlus u sjell njoftimin e Emina Cunmulaj:

Gjatë vizitës time të fundit në Komunën e Ulqinit, pata nderin të takoj kryetarin Genci Nimanbegu.

Ne u angazhuam në diskutime rreth një projekti frymëzues që synon fuqizimin e grave, duke u siguruar që ato të marrin mbështetjen dhe mundësitë e nevojshme për sukses.

Gjithashtu folëm për bashkëpunime të mundshme në turizëm, arsim, shëndetësi dhe shkëmbim kulturor midis shtetit të Floridës dhe Ulqinit.

Për më tepër, ne rikonfirmuam përkushtimin tonë ndaj misionit të Fondacionit Emina’s Hand, duke theksuar përkushtimin tonë për të ofruar mbështetje domethënëse dhe të qëndrueshme për komunitetin lokal./KultPlus.com

Edhe pak ditë nga hapja për qarkullim e tunelit të Llogorasë

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, do të jetë i hapur për pak ditë për qarkullimin e mjeteve.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga tuneli, të cilin e përshkuan teksa udhëton drejt Dhërmiut në jug.

“Për Dhërmi nga tuneli spektakolar i Llogorasë. Edhe pak ditë hapja për qarkullimin e lirë”, u shpreh Rama.

Më herët, Kryeministri ka njoftuar se ky tunel do të përurohet në 5 korrik 2024, duke shkurtuar distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

Me një gjatësi prej afro 6 kilometrash, tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë. /atsh/ KultPlus.com

Jeta në vargje

Poezi nga Giovanni Giudici
Shqipëroi: Arjan Th. Kallço

Vendose në vargje jetën, shkruaje
Besnikërisht, pa heshtur për
Asnjë veçanti, pamjen e të gjallëve
Por mos harro se shikimi nuk është
Dije, as fuqi, por qesharake
Një dëshirë tjetër që të jesh vetvetja.
Poshtë dhe sipër botës lidhen
Bashkëfajësi të brendësisë, duke shigjetuar shikime
Paktesh. Dhe të pranishmit shfaqen
Në cepin e parmakëve të ndërmjetëm:
I duartrokasin, i vajtojnë të dyja kuptimet
E sublimes – poshtërsinë, famën.
Pastaj shkruaj në vargje se vdekja
Është më e mundshme sesa lindja
Dhe në çdo rast qenia më shumë se fjala…/KultPlus.com

Shtëpia ku ndërroi jetë ikona e bukurisë Marilyn Monroe, shpallet monument historie

Shtëpia ku ndërroi jetë ikona e bukurisë, Marilyn Monroe është shpallur monument historie nga autoritet amerikane.

Vendimi i cili u morr nga Këshilli i Qytetit të Los Angjelosit do t’i lejojë autoritetet të mbrojnë këtë ndërtesë të vendosur në lagjen e pasur Brentwood.

“Nuk ka asnjë person apo vend tjetër në qytetin e Los Anxhelosit që të jetë aq ikonë sa Marilyn Monroe dhe shtëpia e saj në Brentwood”, tha këshilltarja e qytetit, Tracy Park.

Vetëm disa muaj para vdekjes së saj, Monroe i tha një gazetari për revistën “Life” se i pëlqente sa private ishte shtëpia, duke refuzuar të lejonte fotografin të bënte foto.

Në këtë shtëpi, aktorja u gjet e pajetë vetëm gjashtë muaj më vonë për shkak të mbidozës së ilaçeve në moshën 36-vjeçare./KultPlus.com

E di që po e lexon këtë poezi

Poezi e shkruar nga ADRIENNE RICH / Titulli origjinal: DEDIKIM / Përktheu Beti Njuma

E di që po e lexon këtë poezi
vonë, para se të lësh zyrën tënde
me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin
në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti
kur ora e pikut ka kaluar me kohë. E di që po e lexon këtë poezi
në këmbë, në një librari larg oqeanit
në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen
mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth.
E di që po e lexon këtë poezi
në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh
ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat
dhe valixhja e hapur flet për arrati
por ende s’mund të largohesh. E di që po e lexon këtë poezi
ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë,
para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re
që jeta kurrë s’ta fali.
E di që po e lexon këtë poezi nën dritën
e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë,
ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën.
E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje
me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten.

E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit
me mërzitinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar,
që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen. E di
që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt:
xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi
e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh
ngase edhe alfabeti i çmuar është.
E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë
teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë,
sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke.
E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde
domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin
dhe unë dua të di cilat janë.
E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh,
e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës,
që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh.
E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh,
aty ku ke ngecur, lakuriq siç je.

Qeveria sot pritet të marrë vendim për ndalimin e TikTokut në të gjitha institucionet shtetërore

Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e 211-të, me fillim nga ora 14:00.

Njëra ndër pikat e kësaj mbledhje pritet të jetë shqyrtimi për ndalimin e TikTokut në të gjitha institucionet shtetërore, njofton Klankosova.tv.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të Rrjetit Social “Tik Tok” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në dokumentin e qeverisë.

Më 28 qershor 1919 u vulos Traktati i Paqes në Versajë

Armët kishin pushuar qysh në nëntorin e vitit 1918, por Lufta e Parë Botërore u mbyll zyrtarisht shtatë muaj më pas. Gjermania i quajti të padrejta vendimet e marra, por i miratoi me protesta të mëdha.

Shpresat e Philipp Scheidemann për rrethana lehtësuese mbetën të paplotësuara. Kancelari i shquar i Gjermanisë, i cili kishte dalë nga revolucini, i konsideronte të papranueshme vendimet e marra në Konferencën e Paqes në Paris. “Cila do të ishte ajo dorë që nuk do të ishte tharë nëse do ta vinte vendin në pranga të tilla?”, thoshte socialdemokrati. Scheidemann, i cili më 9 nëntor 2018 kishte shpallur Republikën e Vajmarit. Ai përshkruante me këto fjalë gjendjen mbisunduese në vendin e tij.

Traktati i Paqes rezultoi si një hipotekë e rëndë për demokracinë e re. Rajhu gjerman ishte i detyruar të paguante miliarda si reparacione lufte, humbi kolonitë në Afrikë, Azi dhe Oqeanin Paqësor dhe duhej t’u dorëzonte shteteve të tjera edhe 13 përqind të territorit: Alsace-Lorraine shkoi në Francë, një pjesë e madhe e Prusisë perëndimore iu dhanë Polonisë. E veç kësaj, fuqitë fitimtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, i shpallën Gjermaninë dhe aleatët e saj përgjegjësit e vetëm për luftën. Ata i kishin “detyruar” kundërshtarët e tyre të futeshin në luftë dhe ishin përgjegjës për “të gjitha humbjet dhe dëmet e tyre”.

Gjermania detyrohet të nënshkruajë

Më 28 qershor 1919, u vulos Traktati i Paqes në Pallatin e Versajës, pranë Parisit, pa nënshkrimin e kancelarit gjerman, Scheidemann, i cili sapo kishte dhënë dorëheqjen. Por Gjermania u detyrua më pas ta nënshkruante, edhe pse nuk pajtohej fare me të. Fituesit e luftës e kishin kërcënuar se do ta pushtonin me trupa.

Renania ishte tashmë e pushtuar që nga armëpushimi i 11 nëntorit 1918. Për shkak të kushteve të ashpra të Traktatit të Versajës, në perceptimin gjerman ishte një “paqe e diktuar”. Historiani nga Marburgu, Eckart Conze, thotë se gjermanët nuk u përfshinë fare në bisedimet e paqes dhe nuk kishin fare gisht në hartimin e traktatit.

Edhe pse Gjermanisë iu vunë kushte të vështira, ajo mundi të mbetej një shtet komb i fuqishëm në mes të Evropës. Përveç kësaj, reparacionet e vendosura në fillim u modifikuan për shkak të paaftësisë së Gjermanisë për të paguar. Gjermania arriti ta ulë shumën prej 132 miliardë Markash që vendosën fuqitë fitimtare në vitin 1921 deri në 36 miliardë. Në vitin 1932 pagesat u pezulluan komplet për shkak të Krizës Botërore, kujton Conze, një moment së paku pozitiv ky për Gjermaninë.

Djathtistët dhe Hitleri

Kundërshtarët djathtistë të Republikës e përdorën Traktatin e Versajës si një instrument “për të luftuar demokracinë dhe për ta shkatërruar atë”, thotë Conze. Vrasjet politike nuk ishin të rralla. Viktima më e famshme ishte Ministri i Jashtëm, Walter Rathenau, i cili u qëllua në 1922 nga ekstremistët e krahut të djathtë në Berlin. Për ta liberaldemokrati ishte një simbol i urryer i të ashtuquajturës “politikë të përmbushjes” kundër fuqive fitimtare të Luftës së Parë Botërore.

Traktati i Versajës nuk e realizoi dot shpresën për paqe të qëndrueshme. Me ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, koha e vetëpërmbajtjes së gjermanëve mori fund. Nazistët u armatosën, megjithëse nuk u lejohej, dhe krijuan aleanca të reja me vende fashiste si Italia dhe Spanja. Politika paqësuese e Britanisë nuk pati rezultat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk luanin më një rol aktiv në Evropë. Dhe Lidhja e Kombeve, e themeluar nën Traktatin e Paqes, u tregua shumë e dobët për të parandaluar katastrofën e ardhshme globale.

Conza thotë se së paku, pas Luftës së Dytë Botërore, u nxorën mësime më të mira: nën udhëheqjen e SHBA-ve u krijuan “organizata shumëpalëshe dhe një sistem ndërkombëtar me bazë rregullash”. Ky rend duket se u përhap në të gjithë botën pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe në fund të Luftës së Ftohtë. “Sot, megjithatë, bota përballet me më shumë sfida se kurrë më parë.” Një nacionalizëm i ri dhe unilateralizëm, ushqyer nga populizmi dhe autoritarizmi, kërcënojnë stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron për “demonët e vjetër” të periudhës së dy luftërave, të cilët janë zgjuar sërish. “Kjo është një tjetër arsye pse ‘Versaja’ sërish na duket kaq afër” thotë Conze/DW. / KultPlus.com

Kur në Shkodër festohej vënia në skenë e të parës vepër operistike shqiptare, “Mrika” e Prenk Jakovës

Është 1 dhjetori i vitit 1958. Kjo është një foto historike nga Ded Jakova. Si edhe të tjera foto, kjo është dëshmimi i një ngjarjeje që tregon se Shkodra i përkiste kryeqendrave evropiane të artit dhe kulturës, aristokracisë së atyre qyteteve që shkruan faqet e shkëlqimta të artit.

Kjo është një foto, por më shumë se si një e tillë është tregues se cila ishte Shkodra, ku kremtohej si një festë, me pjesëmarrjen e gjithë qytetit, vënia në skenë e operës së parë shqiptare. Ishte koha kur kryeqendra e kulturës hidhte një hap të guximshëm në një nga gjinitë më të vështira të artit, atë të veprës operistike.

Nuk jemi në Vjenë, në Paris, në Romë, Berlin, Londër apo Barcelonë, jemi në Shkodër dhe “Mrika” është e para vepër operistike shqiptare, me muzikë të Prenk Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit. Jemi aty ku shkodranët prijnë në hapin e madh të shoqërive të emancipuara, ku ndodh gjithçka, por edhe festohet ardhja në jetë e një opere

Opera “Mrika” është nistorja ma e kurajshme e një gjeniu, e cila kërkonte me ngulm ta përfshinte Shkodrën dhe krejt Shqipërinë në rendin e shoqërive aristokratike. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shfaqja e parë si dhe tetëmbëdhjetë të tjera në vazhdim u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët e këtij qyteti, nën drejtimin e mjeshtrit Prenk Jakova. Pas një viti, më 1959, opera u shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit, Tiranë, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të repertorit të këtij institucioni.

Shkodra ka ken e ka për me mbet qyteti ku ndodhin ngjarje të mëdha, ku çdo tentativë politike për ta denigruar atë, është thjeshtë një dashakeqësi që do të dështojë me përçmim. / Albert Vataj. / KultPlus.com

Një ilustrim origjinal i Harry Potter shitet 1,9 milionë dollarë

Një ilustrim origjinal me bojëra uji është bërë artikulli më i vlefshëm i Harry Potter i shitur ndonjëherë, shkruan BBC.

Vepra u shit në ankand në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 1,9 milionë dollarë.

Vepra artistike për edicionin e parë të “Harry Potter dhe Guri i Magjistarit” të JK Rowling është shitur për më shumë se trefishin e çmimit të pritur.

Ajo u hodh në ankand për herë të parë në vitin 2001, përpara se të përfundonte seria e librave, për 85 750 sterlina.

“Ky është me të vërtetë vizualizimi i parë i Harry-t dhe Botës së Magjistarëve”, tha Kalika Sands nga shtëpia e ankandeve ”Sotheby’s”.

Vepra e artit pritej të shitej nga 400 000 deri në 600 000 dollarë, që sipas ”Sotheby’s” ishte vlerësimi më i lartë i parashitjes për një vepër të lidhur me Harry Potter.

Të mërkurën, u deshën gati 10 minuta për të përfunduar oferta.

Identiteti i blerësit nuk u zbulua.

Artisti Thomas Taylor, ishte vetëm 23 vjeç në vitin 1997 kur krijoi imazhin ikonik të Harry Potter-it që qëndronte përballë ”Hogwarts Express”, trenit që do ta çonte magjistarin e ri me syze në botën e magjistarëve.

Taylor, i cili u rrit në Uells, ishte një nga njerëzit e parë që lexoi dorëshkrimin e librit origjinal të Harry Potter, i cili shiti miliona kopje dhe krijoi një ekskluzivitet fitimprurës që përfshinte filma dhe parqe tematike.

Ai shkroi në faqen e tij të internetit se po punonte në një librari për fëmijë në Kembrixh në vitin 1996, kur u frymëzua t’u dërgonte shembuj të veprave të tij artistike botuesve, përfshirë Bloomsbury, të cilët më pas ia besuan punën e Potterit./KultPlus.com

Letra e dashurisë së John Lennon për Yoko Ono

Më 9 tetor 1940 lindi në Liverpul një djalë që më pas u bë një legjendë, John Lennon. Yoko Ono dhe ish-“The Beatles” u takuan për herë të parë gjatë një performance të Ono në “Indica Gallery” në Londër, më 9 nëntor 1966. Nisën të frekuentohen dy vjet më vonë. Kjo letër është një dëshmi e vyer e dashurisë së tyre.

“Në 10 vjetët e fundit kemi arritur të kuptojmë se çdo gjë që dëshironim ishte e përkohshme, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Vazhduam t’i thoshim njëri-tjetrit se në një nga këto ditë duhet të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Më pas lindi fëmija ynë. Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim shumë përgjegjës. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe mbi të. E ndjemë se kishte ardhur koha mos të debatonim më, por të rishikonim mekanizmat tona të dëshirave, duhej të bënim pastrim me themel në mendjen tonë. Ishte një detyrë e madhe.

Rastiste të gjenim në dollapin e madh të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim që i kishim. Duke bërë pastrime, nisëm të vinim re shumë gjëra që nuk rrinin mirë në shtëpinë tonë. Ishte një raft që as nuk duhej të ishte aty fare; një tablo që kishte filluar mos të na pëlqente dhe ishin dy dhoma të zymta që u shndërruan në plot dritë e ajër kur hodhëm poshtë murin që i ndante. Nisëm të pëlqenim bimët dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se ato na vidhnin ajrin. Nisëm të vlerësonim ritmin e shfrenuar të qytetit që zakonisht na bezdiste. Bënim shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të shkuarën kemi harxhuar shumë energji për të kërkuar diçka që mendonim se e donim, na kërkonin që të rrezikonim për ta pasur, për të zbuluar më pas që s’e donim fare. Një ditë morëm një rrebesh shiu çokollatash nga njerëz nga e gjithë bota. “Çfarë janë këto gjëra? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla. Kush i ka kërkuar”? Sa kemi qeshur! Zbuluam se kur të dy dëshironim një gjë njëkohësisht, realizohej më shpejt.

Filluam gjithnjë e më shumë të dëshironim dhe të luteshim. Gjërat që i kishim dëshiruar në të shkuarën, duke bërë shenjën e paqes, tani i kërkojmë përmes dëshirave. Nuk e bëjmë më sepse kështu është më thjesht. Të dëshirosh është më efikase se të valëvitësh flamuj. Funksionon. Është si magji. Magjia është e thjeshtë, është reale. Sekreti është ta dish që është e thjeshtë dhe jo ta vrasësh me rituale të përpunuara që janë shenjë pasigurie. Kur dikush është i inatosur me ne, i pikturojmë në mendjen tonë një aureolë përreth kokës. Dhe ai ndryshon qëndrim? Epo, s’i dihet. Por, dimë se kur ia vizatojmë aureolën befas na ngjason me një engjëll. Kjo na ndihmon të kemi ndjenja për njerëzit, të kujtojmë se secili ka një mirësi brenda vetes dhe se të gjithë ata që vijnë te ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata e mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë!

Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Me sa duket, sa më shumë pastrime bëjmë aq më shpejt funksionon procesi i të dëshiruarit dhe marrjes. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është i mrekullueshëm. Bimët rriten. Macet përkëdhelen. Qyteti shkëlqen, qoftë diell, shi apo dëborë. Jetojmë në një univers shumë të bukur.

Çdo ditë jemi mirënjohës për plotësinë e jetës sonë. Nuk është eufemizëm. E dimë se qyteti, shteti dhe bota po përballen me kohë të vështira dhe mbretëron terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë dhe mes nesh mbizotëron dashuria. Po ashtu edhe në qytetin tonë, në vendin tonë dhe në botë. Nëse dy persona si ne jetojnë jetën e tyre siç bëjmë dhe ne çdo mrekulli është e mundur. Është e vërtetë, në këto momente do të bënte punë një mrekulli shumë e madhe. Dua të them, ta vlerësosh kur të ndodh dhe të jesh mirënjohës. Fillimisht manifestohen në formë të reduktuar, në përditshmëri, por më pas rrjedhin si lumenj e oqeane.

Gjithçka do të shkojë mirë! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve ne!

Nju Jork, 27 maj 1979

John Lennon për Yoko Ono./KultPlus.com

Billie Eilish, artistja e tretë që arrin 100 milionë dëgjues mujor të Spotify

Billie Eilish është bërë artistja e tretë që arrin 100 milionë dëgjues mujor të Spotify  dhe ajo e bëri këtë me vetëm 82 këngë.

Këngëtarja dy herë fituese e Oskarit, 22 vjeçe, pason The Weekend, i cili kryeson listën me 107 milionë dëgjues mujorë në platformën e transmetimit të muzikës dhe Taylor SWift, e cila ka 102 milionë dëgjues mujor të Spotify.

Të dyja kanë mbi dyfishin e numrit të këngëve në Spotify sesa Eilish, me këtë të fundit që ka vetëm 82 këngë në platformë. Ajo gjithashtu bën histori si më e reja që arrin 100 milionë dëgjuesit mujorë.

Në fillim të këtij viti, Eilish u bashkua me Stevie Wonder, Robert Smith, Nicki Minaj dhe më shumë se 200 artistë për të nënshkruar një letër të hapur që kërkonte ndalimin e përdorimit  Inteligjencës artificiale në industrinë e muzikës.

Kjo çoi në disa nga kompanitë më të mëdha rekord në botë që të paditnin dy kompani fillestare të inteligjencës artificiale.

Ata pretendojnë se Inteligjenca Artificiale po shfrytëzojnë në një shkallë pothuajse të paimagjinueshme veprat e regjistruara të artistëve./KultPlus.com

‘Porsi nata e pa hanë, djali yt nuk sheh dynjanë’ (VIDEO)

Luan Hajra është një ndër emrat kryesor të muzikës popullore shqipe.

Me një karrierë të gjatë, ai përmes zërit unik vazhdon të tingëllojë në veshët e shumë dëgjuesve shqiptarë.

KultPlus sonte sjellë interpretimin e këngës  “Lulëzoj fusha, lulëzoj mali” nga Luan Hajra.

Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Lulëzoj fusha, lulëzoj mali
Bukuri ka ra n’dynja
Ku m’ke qenë që

M’ka marrë malli
Sytë e mi janë
Mbushë me vaj-e

Po vetë nana
Per djalë te vet-e
Ku e kam djalin
Ku m’ka mbetë

Porsi nata e pa hanë
Djali yt nuk sheh dynjanë

Po vete baba për djalë të vet-e
Ku e kam djalin
Ç’ka është tuj ba-e
Ai ka vdekë e ka mbarue
Vorri i tij
I’u ka rrafshue/ KultPlus.com