Dalëngadalë.. poezia e fundit e Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com

Nënsekretarja nënvizoi marrëveshjet me Serbinë, Kurti shkruan për reformat dhe MCC’në pas takimit

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth M. Allen, sot është pritur në takime të ndara fillimisht nga presidentja Osmani e më pas nga kryeministri Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Allen shkroi në “X” se Kosova dhe Serbia duhet t’i zatojnë të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Ndërkaq, Kurti ka shkruar se kanë diskutuar për reformat demokrative dhe programin e MCC’së.

“Kënaqësi të takohem me nënsekretaren amerikane të Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike Liz Allen. Diskutova reformat e gjera demokratike të bëra në vendin tonë dhe mbështetjen kryesore të SHBA-së dhe @MCCgov për të ndihmuar këtë tranzicion pozitiv në të gjithë sektorët”, ka shkruar Kurti në “X”. / KultPlus.com

Krimi i pandëshkuar, 25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës (pamje të rënda)

Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe.

Rreth 1.000 shqiptarë iu nënshtruan terrorit për këto katër ditë dhe 160 u vranë, kurse mbi 300 u plagosën.

Në kujtim të të rënëve çdo 21 maj, shënohet kjo masakër, për të cilën ende nuk është dënuar askush.

Të burgosurit shqiptarë, shumica të arrestuar me arsyetimin se ishin pjesë e UÇK-së, u vranë nga rojet serbe të burgut, pasi paraprakisht NATO sulmoi ndërtesën e burgut.

Reutersi ka arritur të kap momentet e masakrës dhe fotot janë shqetësuese. / KultPlus.com

Shkarkohet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri

Sindikata e Policisë së Kosovës sot ka mbajtur kuvendin e përgjithshëm, që e vetmja pikë në rendin e ditës ishte shkarkimi i kryetarit të Sindikatës, Imer Zeqiri.

“Sot më datë 19.05.2024 është mbajtur Kuvendi i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm ku ishte thirrur nga Këshilli Drejtues i SPK-së bazuar në Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe Statutit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me të vetmën pikë të Rendit të Ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri.”

60 delegatë kanë votuar pro shkarkimit të Zeqirit.

“Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegat të Kuvendit nga gjithsej 73 delegat që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri.

Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës.” / KultPlus.com

Me ceremoni, Kroacia nesër e nis për në Kosovë kontigjentin e 41-të të ushtarëve në kuadër të KFOR-it

Kroacia nesër do ta dërgojë kontigjentin e saj të 41-të në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.

Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi se për këtë kanë organizuar një ceremoni në Zagreb. Thotë se kontigjenti i ri do të dërgohet “në operacionin e KFOR-it për mbështetjen e paqes në Republikën e Kosovës”, raporton Express.

“Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ceremonia do të mbahet nesër në orën 15:00 dhe në të do të pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq./ KultPlus.com

Në Doganën e Qafë Thanës, masa për një ambient sa më mikpritës

Në Doganën e Qafë Thanës, pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga pika kufitare e “Qaftë Thanës” e cila lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut.

Rama shprehet se kjo pikë kufitare po përgatitet për të pritur fluksin e shtuar të vizitorëve që do kalojnë kufirin në nisje të sezonit të ri turistik.

“Në Doganën e Qafë Thanës, pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik dhe janë marrë të gjitha masat për të pasur një ambient sa më mikpritës”, thekson Kryeministri. / KultPlus.com

Asociacioni hap kryesor – Osmani i uron vizitë të suksesshme, Allen e falënderon që po punon për t’i mbajtur marrëdhëniet pozitive

Presidentja Vjosa Osmani dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen patën “një bisedë produktive” sot, ndërsa diplomatja amerikane erdhi për herë të parë në një vizitë në Kosovë.

Nënsekretarja e Shtetit tha se SHBA-të janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës dhe e falënderoi Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presidentja, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë, ndërsa përmendi se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të vendit, raporton Express.

“I uroj vizitë të suksesshme në Republikën e Kosovës, në Republikën e cila sot gëzon lirinë, demokracinë, falë mbështetjes edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës”, tha Osmani në fjalën e saj në konferencën e përbashkët pas takimit.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap kryesor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

“Presidentja dhe unë e patëm një bisedë produktive sa i përket dezinformimit, mbështetjes për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Po ashtu biseduam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës. Ne e mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit të ngushtë, dhe e di se është shumëe rëndësishme edhe për juve zonja presidente Vjosa Osmani. Dsikutuam për hapat kryesorë për udhëtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Allen.

Në fund të fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si gjithmonë”. Për marrëdhëniet që vazhdojnë të mbeten pozitive, Allen e falënderoi Osmanin.

“Dhe faleminderit Presidente Osmani që na jeni bashkuar në këtë iniciativën tonë për ta luftuar më mirë dezinformimin dhe manipulimin e informatave dhe për punën tuaj për të ndihmuar në vazhdimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet dy vendeve tona. Jam e nderuar që jam këtu si mike dhe partnere”, tha Allen. / KultPlus.com

Marrëveshja me SHBA’të kundër manipulimit të informacionit, Osmani përmend sulmet ruse nëpërmjet Serbisë

Presidentja Osmani në një konferencë për media ka folur për marrëveshjen e nënshkruar me SHBA’të.

Ajo tha se e ka falënderuar nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen, për mbështetjen e SHBA’së ndaj Kosovës në çdo kohë.

“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA’të… Prandaj edhe ne si demokraci duhet të bashkohemi në mënyrë që ata të mos arrijnë këtë sukses”, tha Osmani.

“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë shënoi momentin kulminant kur shtetet demokratike njëzëri dhe vendosmërisht u përkushtuan për t’iu kundërvënë propagandës ruse nëpërmjet mjete dezinformuese. Marrëveshja e sotme e nënshkruar mes republikës së Kosovës dhe SHBA’ve është në këtë funksion. Ajo nuk përbën vetëm tjetër marrëveshje, përkundrazi shënon një pikë kthese duke e fuqizuar dukshëm bashkëpunimin tonë… Kjo marrëveshje mirëkuptimi do të nxisë edhe një koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh të institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe palëve të interesuara.”

Në fund Osmani ka thënë se Kosova gëzon lirinë demokracinë “falë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“SHBA janë aleati ynë kryesor”, tha ajo./ KultPlus.com

‘Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr’

Poezi nga Esad Mekuli

Zbehet qielli n’agim dhe retë e purpurta,
Perparese të kuqe varen n’largesi-
Si n’anderr, dikur… Gurbetqarët ofshajnë, tue dalë
prej birucave n’periferinë e largët e t’piklluemshme
dhe trupat e dërrmueme ua lëmon fresku i vesës,
puhija e parë mëngjesore…

Mëngjesi për ta asht – andërr e shartueme
në zhgjandër t’zezë e t’mundimshme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut –
qyteteve të largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhët, plot andrrime për bukë,
pse – cdo mëngjes asht mundim i ri, përbuzje e përulje,
dita qe ka me sjellë tundime tër eja, ma të randa,
shpërthen në mendje si agim’ i purpurt
mbi nënkresën e shkyeme,
si thirrjet e largëta, t’kuqrremta…
Sepse – cdo mengjes asht nji thirrje e dhimbshme:
– Bukë për sot, o jetë, pse shume buzë presin prej meje!

…Dhe vetëm nganjiherë, n’mbrendi, botnat e reja vetojnë
hareshëm: dit’ ma t’lumtuna u bijnë atëherë në t’pame
dhe rrugët bardhoshe, si amë lumenjsh,
shkrihen, burojnë n’vetëdije dhe vizllojnë para syve:
-Bukë do të ketë… dhe punë… -pëshpërisin
buzët e dridhshme.
-Votër të nxehtë për të gjithë! – dhe shikimi
depërton në thellësi, zbulon botnat e meshehuna,
dhe dalin para syve –
fushat
qytetet
njerëzit…

Zbulohet jeta e dëshrueme!…

Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr
T’zezë e t’mundishme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut
Qyteteve t’largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhtë, plot andrrime për bukë. / KultPlus.com

Shtegtimi i bagëtive dhe isopolifonia, pasuri të UNESCO-s

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Mali i Çajupit, Gjirokastër, i njohur për traditën e shtegtimit të bagëtive ndër kullota, por edhe për isopolifoninë tradicionale.

Në videon e publikuar nga Rama në rrjetet sociale, janë bashkë dy pasuri të mbrojtura nga UNESCO.

Rama thekson se këto janë vlera të çmuara të kulturës sonë.

Trans’humanca është një rit antik në Shqipëri dhe lidhet me një lloj lëvizje sezonale të bagëtive midis kullotave fikse verore dhe dimërore.

Kjo ndodh në rajonet malore (transhumanca vertikale), nënkupton lëvizjen ndërmjet kullotave më të larta në verë dhe luginave më të ulëta në dimër.

Kjo dukuri në Shqipëri është e mbrojtur nga UNESCO që nga dhjetori 2023, ashtu si Xhubleta, një tjetër pasuri e mbrojtur në vitin 2022. / KultPlus.com

Rreth 12 mijë vizitorë vetëm të shtunën në muzetë e Shqipërisë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, muzetë në të gjithë vendin kanë pritur një numër të lartë turistësh, vendas e të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka publikuar në rrjetet sociale foto nga muzetë në të cilat janë mbajtur edhe aktivitete artistike e kulturore.

Gonxhja thekson se muzetë ofruan gjatë ditës së shtunë programe artistike dhe ekspozita unike.

“Një ditë e jashtëzakonshme plot me aktivitete, nga ekspozitat unike te punëtoritë kreative deri tek mbrëmjet magjike me programe artistike kuruar në bashkëpunim me bashkitë e vendit, rriti vizitueshmërinë e këtyre siteve në rreth 12,000 vizitorë vetëm dje, 3-fish më shumë krahasuar me vizitueshmërinë në ditë normale!”, nënvizon ministri Gonxhnja.

Ai falënderonë të gjithë vizitorët teksa e cilëson një festë të veçantë për dashurinë  ndaj kulturës./ KultPlus.com

Pas shembjes së mureve, vazhdon të qëndrojë ende e mbyllur shkolla fillore ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë

Tash e disa muaj dyert në shkollën “Ismail Qemali” në Mitrovicë vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Oborri i shkollës po vazhdon të jetë i zbrazët.

E trotuaret jashtë oborrit po shfrytëzohen si parking nga veturat.

Por se kur do të kthehen nxënësit në këtë shkollë, tregoj Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu.

“Sa i përket shkollës “Ismail Qemali” ne jemi në pritje të raportit nga ekspertët e jashtëm të angazhuar nga Ministria e Arsimit dhe varësisht nga raporti ne do të veprojmë posa ta marrim këtë raport”.

Por nxënësit e kësaj shkolle, mësimet po i vijojnë në një shkollë tjetër në Mitrovicë, edhe pse jo me orar të plotë.

“ËNxënësit e shkollës “Ismail Qemali” në bashkëpunim të plotë me këshillin e prindërve dhe këshillin e arsimtarëve të shkollës por edhe me këshillin e arsimtarëve dhe të prindërve të shkollës së mesme të mjekësisë “Xheladin Deda” e vijojnë mësimin në objektin e shkollës Xheladin Deda”. Kuptohet orari është i shkurtër, nuk janë orët e plota 45 minuta por mësimi është duke u organizuar në kushtet në të cilat tanimë janë të njohura”, tha drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu.

Shkolla “Ismail Qemali” në Mitrovicë ka 5 vite që është ndërtuar.

Para disa muajsh, televizioni ishte i pranishëm në këtë shkollë, ku edhe raportoi për shembjen e mureve të objektit. / KultPlus.com

Osmani takon sot Nënsekretaren amerikane të Shtetit, pritet të nënshkruajnë një marrëveshje

Presidentja Vjosa Osmani sot do ta presë Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen në një takim në Presidencë.

Ato do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

“Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Nënsekretaren e SHBA-ve për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen.   Mediat do të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq më pas edhe në nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Presidentja Osmani dhe Nënsekretarja Allen do të deklarohen për media”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Rihapet ekspozita ‘Quien’ e fotografes Majlinda Hoxha, përfshihen tregime personale të personave të komunitetit LGBTIQ+

12 fotografi që shpalosin jetën e individëve të komunitetit LGBTIQ+ u risollën përmes ekspozitës “Quien”, të realizuar nga fotografja Majlinda Hoxha, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, dhe Transfobisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Quien” e cila për herë të parë është hapur para dy vitesh në javën e krenarisë në Kosovë, krahas fotografive përfshinte edhe fragmente të tregimeve të personave LGBTI+, në të cilat tregoheshin sfidat, sukseset, vështirësitë e fitoret e individëve të këtij komuniteti.

Fjalimin hapës të kësaj ekspozite e mbajti gazetari Arbër Selmani, ku ndër të tjera shprehu mirënjohje për prezencën e të pranishmëve në hapje të kësaj ekspozite.

“Sot në këtë ditë shumë të veçantë në Ditën Ndërkombëtarë kundër, Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë e kemi hapur këtë ekspozitë. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe keni gjetur kohë. Kjo nënkupton shumë edhe për neve si CEL por edhe për Majlindën” ka thënë Selmani, për ti lënë radhën fotografes Majlinda Hoxha.

Fotografja Hoxha ka thënë se për të ka qenë shumë përvojë me rëndësi procesi i realizimit të kësaj ekspozite, nga ku është njohur nga afër me këto karktere si dhe me përvojën e tyre personale si persona të komunitetit LGBTI.

 “Ka qenë shumë me rëndësi për mua për shkak të personazheve dhe karaktereve që i kam takuar për të hyrë në jetën e tyre, e për të kapur momente të rëndësishme të jetës së tyre. Në atë kohë ka qenë një perspektivë tjetër, kurse sot e shoh më me shumë rëndësi për shkak se para 5 vitesh nuk kam qenë nënë, ndërsa tani jam. Kjo ekspozitë ka ardhur për fëmijët e së ardhmes për të qenë të lirë, me qenë kush janë” ka thënë fotografja Hoxha e emocionuar.

Ndërsa pjestari i CEL Kosova, Blert Morina ka thënë se ideja e kësaj ekspozite ka ardhur si nevojë që të shihet qartë jeta në baza ditore e personave të këtij komuniteti, jeta e të cilëve nuk dallon asgjë nga ajo e çdo individi të kësaj shoqërie.

“Kjo ekspozitë ka qenë e shfaqur edhe para dy vitesh gjatë javës së krenarisë. Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë dhe Transfobisë. nga ajo që kemi vërejtur gjatë diskutimit sidomos këto dy vitet e fundit për gjuhën e urrejtjes mjaft të përhapur si nga institucionet ashtu edhe nga shoqëria, e kemi pa të arsyeshme edhe një herë për ta rikthyer në skenë dhe me pa edhe një herë persona të tjerë nga afër portretizimin e personave LGBTI, në kuptimin që përmes kësaj ekspozite shihet qartë jeta në baza ditore e personave të ndryshëm që i përkasin komunitetit LGBTI. Kjo ka qenë ideja jonë që edhe një herë ta ftojmë publikun nga afër për të parë se si e zhvillojnë  jetën personat LGBTI në baza ditore në kuptimin që nuk dallon asgjë nga përditshmëria e çdo individi që është pjesë e kësaj shoqërie”, ka thënë Blert Morina nga CEL Kosova duke shpjeguar më tej idenë e realizimit të kësaj ekspozite.

“ Është një eksperiencë e paharruar. Unë e kuptoj që shpesh herë thuhet se ku janë ata persona, ku gjenden personat LGBTI, ku gjenden ata persona dhe përse nuk po i shohim në domenin publik. Ideja jonë është që përmes ekspozitave derisa të kemi hapësira të sigurta që personat LGBTI me u ndi rehat për të dal të paktën, me i përafëru përmes fotografive dhe me u familjarizu me persnat LGBTI”, ka thënë Morina.

Ai më tutje e dha edhe mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë për të qenë më pak diskriminues dhe paragjykues për secilin pjestar të shoqërisë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe Transfobisë dhe këtë vit motoja është “Barazi për të gjithë” prandaj mendoj që çdo njëri në këtë shoqëri mendoj që mund të luaj një rol duke i përfshirë të gjithë, duke mos qenë diskriminues dhe paragjykues por thjesht duke i lënë të tjerët të jetojnë ashtu siç  duan vetë”.

Ndërsa vizitori i ekspozitës “Quien” Ismail Cakolli- Semi ndau përshtypjet e tij për fotografitë dhe rrëfimet e personave të komuintetit LGBTI të përfshira në këtë ekspozitë.

“Është gjithmonë kënaqësi me qenë pjesë në ekspozitat që Majlinda i ekspozon. Pa dyshim është njëra prej fotografeve më të mira që kemi. Këto histori- karaktere po më pëlqejnë shumë që i ka përzgjedhur që t’i shfaqë sot në ekspozitë ku tregon atë luftën e vet, gjendjen e vet shpirtërore emocinale por në anën tjetër tregojnë sfidat me të cilat ballafaqohemi  ne si pjesëtar të komunitetit dhe si artistë pjesëtarë të kësaj shoqërie. Të gjitha  fotografitë janë të veçanta dhe është e rëndësishme që ne si komunitet por edhe si shoqëri për të pasur ekspozita të këtij lloji më shpesh, ku ekspozohen pjestarë të komunitetit të sferave të ndryshme”, është shprehur Semi.

Vizitori Cakolli e përfundoi fjalimin e tij me një mesazh për shoqërinë në përgjithësi.

“Jeto dhe lejoi të tjerët të jetojnë! Të respektojmë hapësirën private të tjetrit, dëshirat e  tjetrit derisa nuk ndërhyjnë në anën personale të askujt. Thjesht ka ardhur një kohë që duhet ta lejojmë me jetu tjetrin duke mos ndërhyrë në jetën e tij, nuk jemi ne askush për me ja ndalu tjetrit ose me i tregu se si duhet jetuar” është shprehur Cakolli./ KultPlus.com

Promovohet në Selanik novela ‘Rikthimi’ nga autorja Entela Kasi

Sot, në Bibliotekën Qendrore të Bashkisë së Qytetit Selanik është bërë promovimi i novelës ‘Rikthimi’ i shkrimtares shumë të njohur të pas viteve 1990, Entela Kasi, përcjell KultPlus.

E pranishme në kë promovim ishte edhe Erida Dobrushi, Konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik e cila u shpreh se kjo novelë jep mundësinë të njihemi me një tjetër dimension të njohjes, përceptimit dhe të konceptit që kemi mbi realitetin që jetojmë.

“Prezenca e një autoreje si Entela Kasi në këtë panair të librit dhe përzgjedhja e romanit “Rikthimi” nuk janë aspak rastësore, edhe pse prezantohet në shqip. Por ky ndoshta është dhe momenti që të konsiderohet përkthimi i këtij libri në gjuhën greke, veçanërisht për lexuesin e Selanikut, një qytet me një histori unike të hebrejve deri në mesin e luftës së dytë botërore – Unë jam e sigurtë që ky libër do e gjejë lehtësisht lexuesin e vet – dhe do ketë lexues cilësor. Për tu kthyer te libri, sot, ne nuk prezantojmë një letërsi që provokon imagjinatën nëpërmjet stilistikës, përshkrimit dhe historisë (megjithëse ka shumë histori bardh e zi brenda tij) , apo që jep në formë klasike imazhin e një vendi dhe karaktereve që e përfaqësojnë.”

Ndërkaq, ky promovim u bë në kuadër të Panairit të librit në Selanik./KultPlus.com

RTK do të aplikojë për Eurovision 2025

Kosova nuk mundi të dilte në skenën e Eurovizionit këtë vit, pasi ata ende nuk janë të kualifikuar për këtë garë. Kjo është arsyeja pse Eurovision 2024 nuk shfaqi ritmet e ashpra kosovare për të cilat shumë kanë shpresuar prej kohësh. Ndërsa Kosova nuk ka konkurruar zyrtarisht, ju mund të mbani mend shumë yje me rrënjë kosovare: Rona Nishliu (Shqipëri 2012), Lindita Halimi (Shqipëri 2017) dhe Gjon’s Tears (Zvicër 2020 dhe 2021) ndër të tjera, shkruan Wiwibloggs, transmeton KultPlus.

Por ja ku është lajmi emocionues: RTK – Transmetuesi i Kosovës – po përgatitet për të aplikuar për Eurovision 2025. Meqenëse Eurovision 2024 kishte vendet më pak pjesëmarrëse në një dekadë, me vetëm 37, shumë gishta në transmetues janë kryqëzuar për një debutim kosovar së shpejti.

RTK së shpejti do ta dorëzojë aplikacionin e saj në EBU

Siç është deklaruar së fundi nga RTK, Kosova është shumë e gatshme për t’iu bashkuar Eurovizionit në vitin 2025. Kjo vjen pikërisht pasi Adrian Krasta është rizgjedhur drejtor i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK – një shfaqje që shumë mirë mund të bëhet Përzgjedhja Kombëtare e Kosovës. . Angazhimi i RTK-së për Festivalin e Këngës në RTK përputhet në mënyrë të përkryer me ambiciet e tyre në Eurovizion. Ata janë optimistë se kënga fituese e festivalit të ardhshëm do ta përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare. Në deklaratë thuhet: “Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i RTK-së kanë punuar në vazhdimësi për këtë çështje dhe është mundur të sigurohet mbështetje nga shumë vende.

Që Kosova të marrë pjesë në Eurovizion, së pari duhet të bëhet anëtare e EBU. Kjo kërkon që Kosova të jetë anëtare ose e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) ose e Këshillit të Evropës. Për shkak të njohjes së pjesshme ndërkombëtare, Kosova ende nuk i ka përmbushur këto kritere. Përderisa shumë vende e njohin pavarësinë e Kosovës, disa shtete anëtare të EBU, si Spanja dhe Serbia, nuk e njohin atë si një vend të pavarur, gjë që e bën këtë proces më të vështirë. Në një shënim tjetër dhe si në vitin 2020, EBU ende nuk ka në plan ta ftojë Kosovën në Festivalin e Këngës në Eurovizion apo t’u japë atyre një ftesë speciale.

Festivali i Këngës në RTK

“Festivali i Këngës në RTK” – i cili do të shërbente si garë përzgjedhëse kombëtare e Kosovës nëse do të lejohej ndonjëherë të marrë pjesë në Eurovision – e nisur për herë të parë në tetor 2023. Festivali i Këngës në RTK po rikthehet për një edicion të dytë këtë vit. Në të njëjtën deklaratë të publikuar nga RTK, transmetuesi po gumëzhin nga emocioni për lansimin e Festivalit të Këngës në RTK vitin e kaluar. Kjo ngjarje jo vetëm që magjepsi audiencën, por gjithashtu bëri një bujë të madhe në skenën e tyre muzikore kombëtare, duke u bërë shpejt ngjarja më e madhe kulturore e Kosovës.

“Festivali siguroi hapësirë ​​për artistët e rinj të cilët përveç performancës në festival, këngët e tyre i transmetojnë në të gjitha kanalet e RTK-së.

“Bazuar në përvojën tonë, edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK premton të jetë edhe më spektakolar, duke ofruar një platformë për artistët aspirantë që të shfaqin talentin dhe krijimtarinë e tyre në një platformë konkurruese kombëtare.”/KultPlus.com

Nuk mbyllem dot

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë. /KultPlus.com

Restaurohet me teknologjinë më të fundit Muzeu Etnografik i Krujës

Muzeu Etnografik i Krujës është restauruar dhe përmirësuar me teknologjinë më të fundit nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, udhëhequr nga ekspertët e UNOPS.

Delegacioni i BE në Tiranë ndau sot pamje nga restaurimi i këtij muzeu me një trashëgimi të pasur kulturore.

Muzeu Etnografik të Krujës është një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Evropian “EU4Culture”, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.

Ky muze është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota, që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I.

Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./KultPlus.com

Muzetë më të njohur në botë (FOTO)

Nga Kanadaja në Katar, përgatituni të frymëzoheni nga disa prej arkitekturës më mahnitëse në botë.

Këto muze, ose ndërtesa ekstravagante moderne ose rrënoja mistike mesjetare ose stacione treni të konvertuara, janë vepra arti në vetvete dhe do t’ju lënë të mahnitur, transmeton KultPlus.

Musée d’Orsay, Paris

Këtu, ju do të gjeni koleksionin më të madh në botë të veprave të artit të respektuara nga impresionistët dhe post-impresionistët. Dikur një stacion hekurudhor, Musée d’Orsay, fillimisht i njohur si Gare d’Orsay, është një nga shembujt më të shkëlqyer të lëvizjes franceze të arteve të bukura me shumë tipare origjinale të ruajtura.

Muzeu i Historisë Natyrore, Londër

Miliona njerëz vizitojnë çdo vit Muzeun e Historisë Natyrore në Londër. Çdo dhomë është një gëzim për tu vizituar pasi pikturat dhe gdhendjet e kafshëve, florës dhe faunës janë të vendosura në të gjithë tavanet, muret dhe madje edhe shtyllat e muzeut.

Muzeu Guggenheim, New York

Muzeu Solomon R. Guggenheim në New York është një nga ndërtesat më të njohura për shkak të arkitekturës së tij spirale unike. Muzeu është një nga ndërtesat e firmës së arkitektit të famshëm Frank Lloyd Wright, ndërsa disa lehtë do të argumentonin se është padyshim perlë e tij, dhe iu deshën 16 vjet për ta ndërtuar. Forma e ndërtesës lejon që puna e jashtëzakonshme dhe e thellë që ajo mban – dhe me të cilën përputhet në mënyrë të përsosur – të përjetohet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, duke u paraqitur në një shteg të vazhdueshëm nga maja në fund të ndërtesës.

Guggenheim Bilbao, Bilbao

Kjo ndërtesë e Frank Gehry vlerësohet globalisht si një nga ndërtesat më të spikatura të fundit të shekullit të 20 -të dhe kombinon një sukses kritik dhe atë popullor, diçka jashtëzakonisht e rrallë në botën e arkitekturës. Muzeu strehon një koleksion të veprave të artistëve spanjollë dhe ndërkombëtarë dhe pasqyron historinë detare të Bilbaos duke sugjeruar anije dhe peshore peshku përmes modelit të tij.

Muzeu Hanoi, Hanoi

Kjo ndërtesë në dukje që kundërshton gravitetin është në thelb një piramidë e përmbysur dhe është ndërtuar për të festuar përvjetorin mijëvjeçar të Hanoi. Pak ndërtesa dhe monumente më të gjera në krye sesa në fund kanë arritur sukses në një shkallë kaq të jashtëzakonshme.

Muzeu Royal Ontario, Toronto

Në Amerikën e Veriut, Muzeu Royal Ontario i Torontos ka qenë prej kohësh një nga muzetë më të njohur. E projektuar nga Daniel Libeskind, kjo ndërtesë e rrënuar dekonstruktive u ndërtua si një shtrirje në ndërtesën origjinale.

Shtëpia dhe Kopshtet e Monet, Giverny

Ajo që e bën “Fondacionin Claude Monet” kaq tërheqës është se kur hyn, vizitori transportohet menjëherë në kryeveprat goditëse dhe elegante të piktorit. Kjo është një ndërtesë që përfiton shumë nga fakti që Monet punoi gjerësisht duke përshkruar kopshtet e tij, të cilat, së bashku me shtëpinë, janë ruajtur në një standard të lartë në mënyrë që t’i ofrojnë vizitorit një pasqyrë unike në bota e artistit -një botë me ngjyra, heshtje dhe bukuri të shkëlqyer kombëtare.

Muzeu Historik Shtetëror i Moskës, Moskë

E ndërtuar në shekullin XIX, kjo është një ndërtesë e jashtëzakonshme neo-ruse. Ngjyra e tij e ndritshme, e kuqe e gjakut e bën atë një pjesë të përsosur për t’u ulur në Sheshin e Kuq së bashku me ndërtesat e tjera me ngjyra të gjalla të Moskës. Duke ndjekur historinë ruse nga koha parahistorike e deri më sot, vlerësohet se muzeu mban një koleksion të objekteve që arrijnë në miliona.

Muzeu Hedmark, Hamar

Ky është më shumë një koleksion i muzeve dhe ndërtesave sesa një muze i vetëm. Ajo që e veçon Hedmark nga muzetë e tjerë rajonalë ose të përkohshëm të këtij lloji është ajo që nganjëherë quhet “katedralja e dyfishtë”. Ndërtesa është një kombinim i bukur i rrënojave të katedrales mesjetare dhe një serë që mbyll rrënojat dhe i mbron ato.

Luvri, Paris

Luvri është zyrtarisht muzeu më i vizituar në botë. Një ndërtesë që u zgjerua ndër shekuj, muzeu është shtëpia e disa prej veprave më monumentale të artit të bëra ndonjëherë, si “Mona Lisa” e Da Vinçit dhe “Venus de Milo”. Themelet origjinale të kalasë mesjetare janë të dukshme nga kripta dhe piramida e saj e dukshme prej qelqi u ndërtua në vitin 1989, ndërsa piramida e saj e përmbysur u përfundua në 1993.

Muzeu i Artit Islam, Doha

Projektuar nga I.M. Pei, arkitekti i famshëm gjithashtu përgjegjës për piramidën e Luvrit, ndërtesa e Muzeut të Artit Islamik është frymëzuar nga arti islamik që përmban. Është i pari i këtij lloji në Shtetet Arabe, por muze të tjerë i janë bashkuar që në vende si Kajro dhe Ghazni.

Muzeu Dali, Shën Petersburg, Florida

Muzetë që përqendrohen në paraqitjen e punës së një artisti të vetëm janë të ngarkuar me detyrën e strehimit të punës së artistit në një ndërtesë që flet absolutisht për ta. Muzeu Dali është ndoshta ai që ka më shumë sukses në atë përpjekje. Edhe pse struktura kryesore ka një formë kubike mjaft standarde, është qelqi dhe çeliku që duket se derdhen nga ndërtesa si një material i shkrirë i një lloji – shumë si orët e shkrirjes në “Qëndrueshmëria e kujtesës” – që me të vërtetë i jep muze karakterin e tij Dali. Kjo shtesë surreale në bregun perëndimor të Floridës jeton absolutisht me famën e mjeshtrit të Surrealizmit. / KultPlus.com

“Skyscanner”: Vizitoni plazhet më të bukura në Shqipëri

Rërë e butë, ujë i kristaltë, peizazhe që të lënë pa frymë – zbuloni plazhet mahnitëse të Shqipërisë, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “Skyscanner”.

Bukuri natyrore dhe komoditete të shkëlqyera. Zhytuni në kulturën shqiptare dhe mos humbisni plazhet e saj të mrekullueshme.

Ato zakonisht mund të arrihen me transport publik dhe ndodhen pranë qyteteve dhe fshatrave të rrethuara nga bare dhe restorante.

Vizitoni plazhet e Shqipërisë
Diell, aktivitete dhe ushqim i shijshëm

Ashtu si në shumë destinacione evropiane, klima në Shqipëri është e ngrohtë dhe me diell midis majit dhe shtatorit.

Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar, kështu që është më mirë ta organizoni udhëtimin tuaj në maj ose shtator, për të shmangur turmat dhe për të patur më shumë hapësirë.

Përveç rrezeve të diellit dhe notit, mund të bëni një udhëtim me varkë, të merrni me qira një kajak dhe të bëni një shëtitje në zonat piktoreske.

Në disa plazhe të Shqipërisë mund të gjeni shpella ose ishuj që mund të arrihen me kajak ose not.

Gjatë udhëtimit tuaj në Shqipëri mund të provoni kuzhinën lokale. Pjata më e famshme në vend është byreku, zakonisht i mbushur me spinaq, djathë apo mish. Një tjetër pjatë lokale është tava e kosit.

Plazhet më të bukura në Shqipëri
Shqipëria me ujërat e saj të pastër, rërën e butë dhe peizazhet e bukura, ju garanton pushime parajsore.

Plazhi i Sarandës
Largësia nga aeroporti i Tiranës: 275 kilometra

Ky është i vetmi plazh falas në Sarandë. Plazhi është kryesisht me guralecë dhe ka disa kalata të vogla nga të cilat mund të zhyteni në ujë.

Plazhi i Ksamilit
Më i bukuri

Largësia nga aeroporti i Korfuzit: 14 kilometra

I konsideruar si një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, plazhi i Ksamilit krenohet me atmosferën e tij relaksuese.

Sportet ujore janë gjithashtu në dispozicion, duke përfshirë zhytjet, ski në ujë dhe ski jet.

Ju mund të notoni në një nga katër ishujt e pabanuar që shtrihen përballë plazhit.

Me rërën e bardhë, ujërat bruz dhe pamjen nga bregu i Jonit dhe malet përreth, Ksamili ofron peizazhe piktoreske për të kaluar një ditë në bregdet.

Plazhi i Spilllesë
Perendime sublime

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 220 kilometra

Plazhi i Spillesë njihet për atmosferën e tij të qetë dhe perëndimin e bukur të diellit.

Ky plazh me rërë ndodhet në një gji, kështu që uji është i qetë dhe relativisht i cekët.

Merrni me qira një kajak, bëni not dhe shijoni ushqimin në një nga restorantet e shumta që ndodhen pranë plazhit.

Plazhi i Velipojës
I gjerë dhe i gjatë

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 80 kilometra

Plazhi më verior i Shqipërisë, i vendosur pranë kufirit me Malin e Zi, është i gjerë dhe gati 5 kilometra i gjatë dhe ofron shumë hapësirë.

I pajisur me rërë të butë dhe një hyrje graduale në det, Plazhi i Velipojës është ideal nëse udhëtoni me fëmijë.

Plazhi i Shëngjinit
i qetë dhe piktoresk

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 90 kilometra

Duke ofruar një ndërthurje relaksi dhe argëtimi, Plazhi i Shëngjinit është një vendpushim piktoresk i përshtatur me një lagunë të qetë blu.

I rrethuar nga pisha dhe kodra, të jep ndjesinë e rikthimit në natyrë.

Gjithashtu, ju mund shijoni një pije pas një dite të gjatë në diell, në baret e gjalla aty pranë, të hapura gjatë verës.

Plazhi i Gjipesë
Parajsë e izoluar

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 230 kilometra

I vendosur në Rivierën Shqiptare, Plazhi i Gjipesë është një parajsë e izoluar që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë, pasi është i vendosur mes dy shkëmbinjve.

Rruga që të çon në plazh është e pjerrët: kini kujdes nëse jeni duke udhëtuar me fëmijë ose nëse keni shumë gjëra me vete.

Merrni me qira një kajak dhe eksploroni shpellat në shkëmbinj.

Plazhi i Dhërmiut
Bukuri e egër

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 56 kilometra

Një plazh i gjatë dhe i gjerë, 2 kilometra larg nga qyteti i Dhërmiut, ofron gjithçka që ju nevojitet për një ditë relaksi.

Merrni me qira një krevat dhe një çadër dhe shijoni diellin ndërsa hani dhe pini në një nga baret ose restorantet e plazhit.

Uji i pastër dhe shpatet e thyera të malit që rrethojnë plazhin e bëjnë atë një vendpushim vërtet piktoresk.

Plazhi i Borshit
I qetë dhe natyralisht i bukur

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 260 kilometra

Plazhi i Borshit, 7 kilometra i gjatë, është plazhi më i madh në jug të Shqipërisë.

Falë vendndodhjes së tij, ai frekuentohet nga më pak turistë dhe është më i qetë se plazhet e tjera.

Plazhi i Borshit është vendi i përsosur për t’u çlodhur pas një ditë të gjatë eksplorimi.

I pozicionuar mes gjelbërimit dhe qetësisë, ai ofron pamje nga plazhi dhe malet e mrekullueshme dhe është natyralisht i bukur dhe padyshim ia vlen të vizitohet./atsh/KultPlus.com

Pashë në ëndër gjenezën time

Poezi nga Dylan Thomas

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e gjumit, duke çpuar
Lëvoren që rrotullohej, të fortë si muskuli
I një motori në trapano, duke u transportuar
Te shëmbëllimi dhe te trari i nervit.

Prej gjymtyrësh të bëra me përmasa krimbi, i hequr qafe
Prej mishit kryeneç, i limuar
Nga të gjitha veglat e barit, metal
Prej diejsh në natën që njerëzit shkrin.

Trashëgimtar i venave ku valon pika e dashurisë,
E shtrenjtë në kockat e mia një qenie, unë
Bëra xhiron e globit të trashëgimisë sime, udhëtim
Në klasë të parë, te njeriu që u ingranua gjatë natës.

Pash në ëndër gjenezën time dhe prapë vdiqa, shrapnel
I ngulur në zemrën në lëvizje, e grisur
Në plagën e qepur dhe erë e mpiksur, vdekje
Me maskë në gojën që gëlltiti gazin.

Esnaf në vdekjen time të dytë dallova lartësitë,
Vjelje thikash dhe bimësh helmuese, ndryshk
Gjaku im mbi të vdekurit e temperuar, duke forcuar
Luftën time të dytë për tu shkëputur nga bari.

Dhe në lindjen time ishte infektues pushteti, i dyti
Rresureksion i skeletit dhe
Veshje e re për shpirtin lakuriq. Virilitet
Rrodhi nga e dhimbshmja dhimbje.

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e vdekjes, i rënë
Dy herë në detin që ushqen, jo më i freskët
Në ujin e kripur të Adamit derisa, shëmbëllim
I një force të reje njerëzore, unë të kërkoj diellin.

KultPlus.com

Dita e muzeve në Korçë, sot hyrja falas dhe aktivitete të shumta

Si çdo vit, në ditën ndërkombëtare të muzeve, edhe këtë 18 maj të gjitha muzetë në Korçë kanë hapur dyert për të pritur publikun e gjerë.  

Për të gjithë vizitorët muzetë mbeten një prej aspekteve më të veçanta ku ata mund të shohin nga afër fondet e pasura që dëshmojnë trashëgiminë tonë historike e kulturore.  Do risi dhe Johhny janë një çift britanik që ndërmorën një udhëtim të cilin e dëshironin prej 30 vitesh.

3 javë më parë ata arritën në Shqipëri dhe janë duke vizituar të gjitha sitet arkeologjike të vendit. Duke vlerësuar gjithçka që kanë gjetur në Shqipëri ata thonë se edhe qyteti i Korçës  mbetet një prej destinacioneve që vlen të vizitohet

“Zgjodhëm Shqipërinë sepse gati 30 vite më parë ne vizituam Jugosllavinë dhe nuk mundëm të shihnim Shqipërinë sepse ishte e mbyllur.  Jemi të interesuar për prehistorinë, antikiteti ndaj tani po shohim muzeun Arkeologjik.   Do të shkojmë edhe në Malin e Zi por aty do të qëndrojmë shumë pak”, tha një vizitore.

“Jemi të interesuar për sitet arkeologjike.  Kishim qenë në Greqi shumë herë ndaj zgjodhëm Shqipërinë. Kemi vizituar Amfiteatrin e Durrësit, Apoloninë, Butrintin, Amantian, rreth 9-10 site arkeologjike. Ajo që bën përshtypje është se janë vende shumë të qeta dhe ne kemi marrë të gjithë kohën e nevojshme për ti shijuar ato.  E gjithë Shqipëria është shumë e bukur”, u shpreh një tjetër.

Rritja e numrit të turistëve që zgjedhin qytetin e Korçës reflektohet edhe tek shifrat në rritje të vizitave në muze.  Sipas të dhenave Muzeu Arkeologjik i Korçës prej fillimit të muajit maj ka pritur më shumë se 200 vizitorë të huaj që vijnë kryesisht nga Evropa por nuk mungojnë as ata nga kontinentet e tjerë

Përveç Muzeut Arkeologjik nuk kanë munguar as vizitorët ne muzete e tjerë të Korçës./TopChannel/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Muzeve, Gonxhja: Ngjarje e veçantë në përjetimin e trashëgimisë historike

Drejtoria Rajonale e Turizmit dhe Kulturës, Shkodër i është bashkuar festimeve të 18 majit, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale aspekte nga aktivitetet e ndryshme që u zhvilluan në Parkun Arkeologjik Shkodër, që mirëpriti vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj të moshave të ndryshme.

“Kjo ditë e shënuar përbën një ngjarje të veçantë në përjetimin e trashëgimisë historike, ku vizitorë nga e gjithë bota janë pjesë e një sërë aktivitetesh në Parkun Arkeologjik Shkodër, duke filluar nga facepainting me motive historike, vizatime dhe skica nga të vegjlit në këndin Kalaja e Mrekullive, gatime tradicionale me shije autentike të kuzhinës shqiptare, biseda me arkeologun e qytetit Zamir Tafilica që hedhin dritë mbi historinë e kësaj kështjelle të lashtë”, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja, veçoi se organizimeve të sotme në Parkun Arkeologjik Shkodër, nuk munguan edhe animacionet dhe muzika që solli një përjetim argëtues dhe edukativ për këtë trashëgimi të çmuar të vendit.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve u shënua edhe në Muzeun Ikonografik Onufri.

Edukimi përmes vizatimit dhe ngjyrosjes me elemente dekorative të veshjeve tradicionale që janë pjesë e koleksionit muzeor të Muzeut Etnografik Berat, ishte në qendër të këtij aktiviteti me fëmijët.

Sipas MEKI, këtë vit janë mbi 3,500 nxënës shkollash nga gjithë Shqipëria të përfshirë në programin “Edukimi Përmes Kulturës”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve sot të gjitha muzetë janë të hapura dhe falas në orarin 09:00-22:00./ata/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Kalaja e Rozafës: Vizitorët veç po shtohen në Shkodrën që po rilind

Kalaja është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, ndërsa ngrihet në një zonë tërheqëse dhe me trashëgimi të pasur.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kalaja e Rozafës dhe muzeu të mbushura me vizitorë.

“Kalaja e Rozafës bashkë me muzeun, një pikëtakim i turizmit historik dhe mitologjik që po mbledh vizitorë nga të gjitha bota, të cilët veç po shtohen në Shkodrën që po rilind”, u shpreh Rama.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, kalaja e Rozafës në Shkodër ka mirëpritur vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj dhe të moshave të ndryshme, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh për përjetimin e trashëgimisë historike.

Vitet e fundit kalaja e Rozafës bashkë me muzeun, po tërheqin interesin e vizitorëve të shumtë, vendas dhe të huaj por edhe të apasionuarive të kulturës që vizitojnë këtë sit me vlera të veçanta.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Vitin e kaluar, Rozafati u vizitua nga 125737 turistë vendas e të huaj nga 94260 vizitorë në vitin 2022.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. E ndërtuar gjatë mbretërisë ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare./ata/KultPlus.com