Origjina e këngës, “Lulet e Majit”

“Lulet e Majit” ishte një serenatë që muzikanti Pjerin Ashiku, e kompozoi gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa punonte në torno. Këngën ia dedikoi një personi të rëndësishëm për të.

Ndër vite kjo këngë është kënduar në Shkodër, Korçë dhe Gjakovë, e madje ka patur dilema për origjinën e saj. Por, kantautori Gjokë Vata insiston se autori i vetëm është Pjerin Ashiku.

Kënga popullore është në krize dhe po humbet identitetin e saj shqiptar, thotë Vata, teksa bën apel që të vlerësohen ata që kanë bërë art të vërtetë./ KultPlus.com

Kur Ernest Koliqi i thurte vargje gjuhës shqipe

Shkruan: Ernest Koliqi

“Gjuhës shqipe”

Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra
Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti,
O gjuhe e folun n`bote ende ferishte
S`ciles Mayeri ne te censhmet letra
Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti
As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte,
Perse Athina s`kishte
Emen as Roma, kur e rrept ushtove
Nder vepra katallajsh qi nper jehona
Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.

Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi
N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime
Naten e diten rrinte atje perdore,
Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime
T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore:
Ndoshta ndo` i buz` hyjnore
N`at mot qi zota shpesh perbujte toka
Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari
Me msy t`Helenit barkat tregetuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja,
Ty t`kelthitte n`timue anijetari
Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese;
E permbi val` shkembuese
Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja,
Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe,
O ghuhe e folun per trimij pranvera,
E tok na mbajte nder pushtime t`hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n`besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n`buze i ke krenare
Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve te paemen
Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali
Dhe kanga u humbi n`erresin e motit,
Ket permallim qi mungullon mbi t`emen
E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali,
Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit?
N` kthjelltin e dites s`sotit
Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa
Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull
Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete
E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise,
Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli,
Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egersija jote
Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati,
Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash
Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku
Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande,
Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash
Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande;
Thjeshtin e ambel t`ande
Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
Buzes amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.

O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije:
E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire,
Tue t`ndie fishkllojn` prej smire,
Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera. /KultPlus.com

Do vendoset në hyrje të Shkodrës, mesazhi i skulpturës “The Albanian key”

Skulptura monumentale “The Albanian Key”, një vepër publike mahnitëse nga mjeshtri shqiptaro-italian Alfred Mirashi-Milot, është në prag të përfundimit. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli në rrjetet sociale një album fotografish nga punimet për veprën.

Kjo kryevepër artistike, një ndër projektet fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, program nën kujdesin dhe financimin e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të vendoset në hyrje të qytetit të Shkodrës, duke sjellë një dimension të ri estetik dhe kulturor. Përmasat e skulpturës janë mbresëlënëse. Çelësi do të jetë 20 metra i gjatë dhe 10 metra i lartë dhe simbolizon fuqinë dhe komunikimin përmes artit.

“Pas orësh të panumërta pune dhe përkushtimi, Alfred Mirashi – Milot dhe ekipi i tij i talentuar po realizojnë një vepër që do të hyjë në historinë e artit shqiptar. “The Albanian Key” mbart një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: t’i japim fund dyerve të mbyllura dhe të hapim shanse për të gjithë, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo njeri”, është shprehur ministri Gonxhja./ java news/ KultPlus.com

Jehona e romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në mediet italiane

NJË ROMAN I MADH NGA NJË PERIFERI LETRARE

-Radio Vatikani sjell një intervistë me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer në italisht e quan një momentum të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor shqiptar me rrënjë në antikitet. Por, ngaqë toka e tyre gjendet në pjesët e skajshme të perandorisë, i bën të papelqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi dhe për këtë arsye ata janë ndeshkuar. Ky fakt paraqitet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: Fotografia e ditës: Një vajzë e vogël me një prind përkulen për t’u mbrojtur nga sulmi me bomba. Ndoshta në Gaza, ndoshta në Izrael. Viktimat janë të gjitha njësoj ashtu si dhe luftërat, edhe atëherë kur zhvillohen kundër epidemive. Është pikërisht kjo tema që trajtohet në romanin e bukur të Jusuf Buxhovi. “Për ty toka ime”. Ngjarjet e romanit zhvillohen në tokën shqiptare në shekullin XVIII. Ky roman sapo u botua nga shtëpia botuese “Armando” në Romë. Për librin që ka zgjuar kureshtjen do flasim me kuratorin e botimit, publicistin Giovanni Cedrone. Në roman trajtohet një histori ambicioze ndodhur gjatë vitit 1747. Romani është botuar për herë të parë në vitin 1982. Ndërsa tash vjen i përkthyer në gjuhën italiane nga Liljana Cuka- Maksuti.

Historia tregohet nga protagonisti Gjon Nikollë Kazazi, njeri i perëndisë, i cili kërkon të nxjerrë në dritë identitetin kombëtar të popullit të tij, por mund të thuhet se protagonisti i vërtetë i kësaj historie bëhet një epidemi, një epidemi murtaje që e sjellë këtë histori shumë afër me kohën tonë.

GIOVANI CEDRONE: Historia e këtij romani na kujton se qeniet njerëzore sa herë janë përballur me pandemi gjatë shekujve kanë mbajtur të njëjtën qëndrim, si ky që po mbajmë edhe ne me covidin aktualisht. Protagonisti i romanit, Gjon Nikollë Kazazi në fakt gjendet duke komentuar lajmin e epidemisë së murtajës, e cila, mund themi se për atë kohë nuk ishte një gjë aq e pazakontë, por perceptohet menjëherë si një armë, një armë biologjike që mund të themi është përdorur nga pushtuesit osmanë, në të vërtetë për të ndëshkuar një popullsi, sepse haptazi nuk ishte e përshtatshme për interesat osmane. Këtë pretendim e kanë të gjitha perandoritë e mëdha mbikombëtare. Ndër të tjera në librin e tij Buxhovit na tregon, se perandoria otomane synonte krijimin e një njeriu të ri perandorak, një njeri pa rrënjë krejtësisht e kundërta ma atë që ndihej Kazazi dhe miqtë e tij, ata ndiheshin thellësisht shqiptar, me kujtimet dhe gjuhën e tyre të shtrenjtë. Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe është i vitit 1555, ku ekziston prova e shkruar. Të ballafaquar me këtë situata, kjo popullsi e provon mbi shpatullat e saj çfarë i ka sjellë posaçërisht Perandoria Osmane.

RADIO VATIKANI: Ne nuk duam të bëjmë komplotizëm për komplotizëm, por muajt e fundit kemi dëgjuar të flitet edhe për këtë, në një farë mënyre, por ky virus që po na shkatërron si një armë, si një gjest i kërkuar nga dikush, këtu në këtë roman ‘gjithashtu nxit të njëjtin dyshim’, madje edhe kur Protagonisti, një njeri i Zotit, ai është prift, rrethuar nga ankthi, ndërsa dokumenton sëmundjen, ai gjithashtu gjen edhe zgjidhjen, ai ka një ilaç me të vërtetë superior, i cili është i pagabueshëm?

GIOVANNI CEDRONE: Po, ai ka një ilaç metafizik,që është shpresa. Kazazi thotë se nëse heqim dorë, ne kemi vdekur që në fillimi prandaj ne duhet të kemi shpresë, për të mos u asgjësuar nga kjo epidemi në radhë të parë, dhe pastaj ata madje të fillojnë të kërkojnë një lloj anti-litteram, në se mund ta themi ata kërkojnë vaksinën. Dhe ata kanë edhe metodën e saj, të cilën Kazazi e sipas përkthimit letrar e quan “gërvishtje”, por në thelb është një inokulim i virusit brenda njerëzve të shëndetshëm. Sigurisht këtu kemi të bëjmë me një roman, ku mbi të gjitha shpresa te njerëzit theksohet fuqishëm. Kazazi duke qenë një njeri i kishës, dhe konkretisht ai është peshkop ka përgjegjësi ndaj besimtarëve të tij. E gjejmë atë të ndodhet në një udhëkryq: duhet të kundërshtojë urdhërat e sovranëve osmanë pushtues, apo tu nënshtrohet vullnetit të tyre? Ata që do të lexojnë këtë libër do të mësojnë se çfarë zgjidhje gjen peshkopi Kazazi.

RADIO VATIKANI: por ekziston edhe një element tjetër që ndihmon protagonistin dhe miqtë e tij, botën e tij për t’i rezistuar kësaj katastrofe kundër epidemisë dhe sugjerohet nga vetë nëntitulli, kur përmendëm identitetin kombëtar, hulumtimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, pikërisht ndërgjegjen etnike-kulturore shqiptare, kjo vëmendje ndaj gjuhës që kthehet shpesh nuk është rastësi, që romani ka si nëntitull “Për ty toka ime” ne jemi në zonën shqiptare, Jusuf Buxhovi njihet si eksponent i entitetit kosovar, a mund të na ndihmoni për të kuptuar përfundimisht në këtë drejtim kufirin kulturor- gjuhësor midis Kosovës dhe Shqipërisë?

GIOVANNI CEDRONE: Në realitet, kosovarët dhe shqiptarët të gjithë ndihen pjesë e një populli të madh, pikërisht atij shqiptar, padyshim që mund të ketë dallime shumë të vogla, por me pak fjalë ata ndihen i njëjti popull që flasin të njëjtën gjuhë. Në libër motivohet plotësisht ky fakt. Një poet i madh shqiptar është shprehur: ” Feja e shqiptarit është shqiptarizmi”. Libri e pasqyron këtë fakt në Kosovë, por i njëjti fenomen ekziston edhe në Shqipëri. Papa Françesku në vizitën e tij në Shqipëri disa vite më parë, ndër të tjera tha: “Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës së besimeve”, pikërisht për këtë arsye, domethënë, bashkëjetesa e besimeve është vetë një element dallues i popullit shqiptar, në libër këtë e gjejmë si “Polikromi fetare”, ne e quajtëm në këtë mënyrë disi ekzotike nëse duam, por gjejmë këtë bashkëjetesë edhe në familjet e tyre, mund të themi edhe në të njëjtin person. Toka e tyre ndodhet në ekstremet e perandorisë, si i tillë duhet parë dhe analizuar, ky element që i bënë ata të papëlqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi në një farë mënyre dhe për këtë arsye ata janë të penalizuar, ky fakt pasqyrohet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: dëshira e tyre për ndërgjegjesim të identitetit kombëtar, veçanërisht sot që nacionalizmat shihen me dyshim, nuk është kjo një veçori që i bënë ata të jenë të papëlqyeshëm dhe të shikohen me dyshim si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi?

GIOVANNI CEDRONE: është shumë e vërtetë,por ne duhet të kontekstualizojmë botën ballkanike e cila është një botë shumë e veçantë, akoma më tepër Kosova ka një histori vuajtjesh, të cilën ne e tashmë e njohim shumë mirë, që çoi në rezultatin e bombardimeve të Serbisë në vitin 1999, sigurisht nuk kemi të bëjmë me një libër me pretendime nacionaliste, por gjejmë thjesht një pretendim kulturor, në realitet. (Radio Vatikani, ditari, më 18.05.2021)./ KultPlus.com

Testi i Arritshmerisë këtë vit do të mbahet dy ditë

Mbi 23 mijë nxënës më datë 25 dhe 28 qershor do t’i nënshtrohen testit të Arritshmërisë. Këtë vit shpërndarja e nxënësve nëpër klasa do të bëhet direkt nga Ministria e Arsimit. Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se problem vazhdon të mbetet keq menaxhimi i testimit.

Testi i Arritshmërisë edhe këtë vit shkollor do të mbahet dy ditë. Në ditën e parë nxënësit pritet t’i nënshtrohen testit në lëndët shoqërore dhe në ditën e dytë në lëndët shkencore.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Fatmir Elezi, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se mbi 23 mijë nxënës pritet t’i nënshtrohen këtij vlerësimi.

“Testi i Arritshmerisë edhe këtë vit planifikohet të mbahet dy ditë. Nxënësit do t’i nënshtrohen testimit më 25 qershor në ditën e parë, kurse më datë 28 qershor në ditën e dytë. Këtë vit këtij testi pritet t’i nënshtrohen 23 mijë e 200 semimaturantë”, tha ai

Tutje, Elezaj tha së për herë të parë këtë vit shpërndarja e nxënësve nëpër klasë do të bëhet nga Ministria e Arsimit.

“Si zakonisht testi organizohet në koordinimi më komunat. Komunat janë përgjegjëse për organizimin e qendrave të testimit dhe të caktimit të administruesve të testimit. Ndërsa, caktimin e nxënësve nëpër salla do ta bëjë ministria. Nxënësit e klasave dhe shkollave të njëjta nuk do të jenë bashkë në të njëjtën sallë të testimit. Pra, do të përzihen dhe nuk do të jenë më shumë së dy tre nxënës të njëjtës klasë në sallën e testimit”, tha Elezaj.

Keq menaxhimin e testimit njohës të arsimit po vazhdojnë ta shohin si problem të vazhdueshëm. Rinor Qehaja nga Instituti,“ Edguard” i tha Radio Kosovës së në procesin e testimit ka shumë neglizhencë në administrim.

“Po të administrohej mirë ky testim, do të kishte kuptim. Mirëpo, në situatën në të cilën jemi, ku ka neglizhencë në administrim dhe shpërdorime të mëdha nga nxënësit, më e arsyeshme do të ishte që ky testim të organizohej pa vlerësim me pikë. Mirëpo, organizimi duhet të bëhet vetëm si orientim për të kuptuar nxënësit se në cilat profile kanë aftësi e shkathtësi më të mira kundrejt të tjerëve”, tha Qehaja.

Më 25 qershor nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi. Ndërsa, me 28 qershor do të hyjnë për testim në lëndët shkencore: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji. Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultat do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

Entela Kasi dhuron botimin antologjik “18 histori hebraike” në Muzeun Hebraik të Selanikut     

Entela Kasi, gjatë ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Selanik, pati një vizitë zyrtare në Muzeun Hebraik të Selanikut.

Ajo i bëri dhuratë Bibliotekës së Muzeut botimin antologjik “18 histori hebraike” (18 Jewish Stories) në gjuhën angleze, ku mes veprave të autorëve të huaj është përfshirë në këtë botim edhe ” Rikthimi” nga autorja Kasi.

Ky botim antologjik është realizuar nën kujdesin e shkrimtares dhe studiueses Nora Gold, themeluese e medias dhe botimeve Jewish Fiction. “18 histori hebraike” është botuar nga Academic Studies Press në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu ky botim është fitues i Çmimit të vitit 2023 në kategorinë – prozë antologjike. Njëkohësisht media si New York Times, Los Angeles Reviews of Books, etj, por edhe autoritete të kritikës botërore e kanë çmuar këtë botim si një prej veprave më të mira të vitit 2023.

Shkrimtarja Entela Kasi në këtë vizitë të rëndësishme në Muzeun Hebraik të Selanikut ishte e shoqëruar nga stafi i Konsullatës së Shqipërisë në Greqi./ KultPlus.com

iPhone 17 Slim do të jetë modeli më i shtrenjtë i serisë iPhone 17 të Apple

Apple po rinovon linjën e saj të iPhone vitin e ardhshëm, duke tërhequr modelin Plus dhe duke lançuar në vend të tij modelin Slim.

Sipas një raporti të ri, iPhone 17 Slim do të jetë më premiumi i grupit, dhe kështu më i shtrenjtë se edhe iPhone 17 Pro Max, besoni apo jo.

Iphone Slim rritet të jetë “dukshëm më i hollë” se çdo iPhone tjetër para tij, shkruajnë mediat e huaja.

Ndryshe, Apple në fillim të këtij muaji ka prezantuar iPad Pro.

Skulpturat prej rëre tërheqin vëmendjen e qindra turistëve në Durrës

Aktiviteti “Seaside Sandart” është mbajtur për tre ditë me radhë në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet që bëri bashkë artistë nga Shqipëria, Kosova, Kina, Italia dhe Armenia.

Skulpturat e veçanta prej rëre të krijuara nga këta artistë, kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe qindra turistëve që po vizitojnë këto ditë qytetin e Durrësit./ata/KultPlus.com

‘Fabrizio Bosso Quartet’ sjell freski në ‘Chopin Piano Fest’ me koncertin kushtuar Steve Wonder

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në koncertin që shënoi natën e katërt të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, publiku pati mundësinë të shijojnë performancën e mahnitshme të grupit të njohur italian ‘Fabrizio Bosso Quartet’. Koncerti  ‘We Wonder’ solli një përvojë të re dhe freski për publikun, duke thyer ritmin tradicional të festivalit që në fokus ka muzikën klasike, shkruan KultPlus.

‘Fabrizio Bosso Quartet’, grup ky i cili përbëhet nga trumpetisti Fabrizio Bosso, Julian Oliver Mazzariello në piano, Luca Alemanno në kontrabas dhe Nicola Angelucci, nën ritmin e muzikës xhaz, sollën për publikun koncertin që i dedikohet këngëtarit të muzikës solo Steve Wonder.

Koncerti  ‘We Wonder’, që erdhi një ditë pas koncertit në Tiranë, u mirëprit shumë edhe nga publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës uiversitare në Prishtië, ku për gati një orë e gjysmë e shijoi çdo notë e tingull të transmetuar nga muzkantët.

E se kjo mbrëmje ishte  e veçantë u dëshmua edhe nga duartrokitjet që pas koncertit zgjatën për disa minuta.

Një nga organizatoret e këtij festivali, Besa Luzha, tha për KultPlus se ky kuartet erdhi si një dhuratë për festivalin dhe njëherazi sjelli edhe një freski për festivalin i cili në thelb ka muzikën klasike.

“Ka qenë interesant sepse Ambasada Italiane dhe instituti e ofruan vetë me e sjellë edhe përnjëmend na e morëm kështu si dhuratë, për shkak se ky është një kuartet shumë i njohur i cili ka pasur dje koncert edhe në Tiranë dhe ambasadori na propozoi që ta sjellim edhe në ‘Chopin’. Ndonëse ishte një mbrëmje xhaz, ne kur hulumtuam për grupin vendosëm që vërtet ky kuartet duhet të vijë edhe në festivvlin tonë”, u shpreh Luzha e cila mes tjerash shtoi se përgjatë festivalit i cili zgjat një muaj, duan që një apo dy mbrëmje të jenë të kushtuar edhe për zhanret e tjera.

Pas koncertit që erdhi si një manifestim i trashigimisë muzikore të Steve wonder, sjellë nga ‘Fabrizio Bosso Quartet’, për KultPlus foli edhe Lejla Pula, po ashtu organizatore e këtij këtij festivali e cila u shpreh se kjo mbrëmje solli emocion dhe përjetim të veçantë.

“Ne kemi gjithmonë dëshirë që të kemi edhe një befasi ose një freski, ashtu ne normal në fokus e kemi muzikën klasike sepse është ‘Chopin Piano Fest Prishtina’dhe vlerat kulmore mundohemi t’i sjellim nga bota këtu. Në këtë rast ishim shumë të lumtur sepse institute italian i kulturës në Tiranë që disa vite bashkëpunon me ne dhe në kuadër të një turneje që e kanë organizu për këtë kuartet, që është shumë i njohur në Itali, vetë Fabrizio Bossotrombetisti është shpallë disa herë artisti i vitit në Itali dhe ne sonte i patëm këtu që ta shijojmë vërtet muzikën perfekte që ata e bëjnë në fushën xhazit, këtë herë të inspiruar me muzikën e Steve Wonder”, theksoi Pula për KultPlus, duke u shprehur më tutje se kjo mbrëmje ishte një përjetim i veçantë dhe publiku e ka shijuar jashtëzakonisht shumë.

Ndërkaq, ‘Chopin Piano Fest Prishtina’ do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë kësaj periudhe, publiku do të ketë mundësinë të shijojë perlat e muzikës klasike, të sjella nga artistë vendorë e ndërkombëtarë./KultPlus.com

Letrat

Poezi nga Dritëro Agolli

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast./KultPlus.com

Vdes në moshën 92-vjeçare aktori Dabney Coleman

Ka vdekur në moshën 92-vjeçare, aktori i Dabney Coleman. Lily Tomlin, Morgan Fairchild dhe Ben Stiller kanë udhëhequr homazhet për aktorin.

Coleman e bëri karrierën e tij duke luajtur zuzar komikë, shefa dhe zuzar me shpirt të keq në filma duke përfshirë “9 me 5” dhe “Tootsie”, si dhe duke luajtur komodorin Louis Kaestner në “Boardwalk Empire”.

Lily Tomlin, e cila luajti përkrah tij në “9 me 5” me Jane Fonda dhe Dolly Parton, tha: “Ne thjesht e donim atë”.

Në postimin e saj në X, aktorja ndau një foto të personazhit të saj Violet Newstead e veshur me një kostum të Borëbardhës pranë një Coleman me pamje të tensionuar si shefi i saj egoist Franklin Hart Jr./KultPlus.com

Koncerti i Taylor Swift në Stokholm theu rekorde në numrin e pjesëmarrjesve

Taylor Swift mbajti të parin nga tre koncertet e saj në Stokholm, Suedi, ku njoftoi se fansat e saj thyen rekordin e pjesëmarrjes në ‘Friends Arena’.

Unë jam duke u çmendur për një sërë arsyesh duke parë këtë turmë sonte“, komentoi ylli, sipas një shkrimi nga USA Today.

Ajo shtoi: “E para prej të cilave është se unë kurrë nuk kam qenë në gjendje të luaj një koncert në Stokholm më parë dhe koncerti im i parë është i tillë.”Turma shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje, dhe Swift shtoi: “Ju bëtë këtë koncert, koncerti më i madh ndonjëherë në këtë fazë”.

Swift nuk specifikoi numrin e saktë të të pranishmëve, por sipas faqes së internetit të stadiumit, kapaciteti i tij i koncerteve ndryshon dhe mund të mbajë deri në “60,000 njerëz, në varësi të vendndodhjes dhe paraqitjes së skenës”./KultPlus.com

Ministrja Gërvalla në Kanada, me koncert madhështor nis java kulturore në shënim të 25 vjetorit të mikpritjes së refugjatëve

Me një atmosferë festive, me qindra të pranishëm nga komuniteti shqiptar dhe mysafirë nga Kanadaja, nën tingujt e Orkestrës Filarmonike të Torontos, nën dirigjimin e mjeshtrit të madh Bujar Llapaj dhe drejtorit ekzekutiv dhe artistik Qazim Kallushi, dhe tenorit me fame botërore, Ramë Lahaj, u mbajt koncerti festiv, në hapje të Javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, në shënim të 25 vjetorit të mikpritjes kanadeze për refugjatët nga Kosova dhe 15 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada.

Në fjalën e saj para të pranishmëve Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, shprehu mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e shtetit dhe qytetarëve tanë ndaj mbështetjes së madhe, mikpritjen dhe kontributin e Kanadasë në çlirim dhe zhvillim të Kosovës dhe në veçanti integrim dhe mbështetje të mërgatës sonë në Kanada.

Më tej Ministrja Gërvalla tha që refugjatët e atëhershëm, sot janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë kanadeze. “Ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë, por pa harruar asnjë herë vendin e tyre”, tha Ministrja Gërvalla.

Nga ana tjetër senatorja kanadeze, Rebecca Patterson foli rreth marrëdhënieve të fuqishme mes Kanadasë dhe Republikës së Kosovës si dhe miqësinë mes dy popujve tanë.

Pas ceremonisë së hapjes së Javës Kulturore të Kosovës, me koncertin e madh, përgjatë një jave do të mbahen shumë aktivitete në qytete të ndryshme të Kanadasë ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, do të këtë shfaqje të filmave, dokumentarëve, aktivitete kulturore të ekspozimit të veshjeve tona kulturore si dhe do të organizohen edhe aksione të dhurimit të gjakut./KultPlus.com

Dy buzë


Poezi e shkruar nga Migjen
i

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta… 

Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen… 

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…/Kultplus.com

 

Në ditëlindjen e shkrimtarit Ernest Koliqi, do të shënohet dita e bibliotekës “Ernest Koliqi” në Prishtinë

Ditën e hënë, më 20 maj 2024, në orën 19:00, në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës” do të shënohet DITA E BIBLIOTEKËS e Bibliotekës “Ernest Koliqi” – Prishtinë, që gjendet në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, në ditëlindjen e Ernest Koliqit, shkrimtar e kontribues i madh i arsimit shqip në Kosovë.

Lectio Magistralis do të mbajë studiuesja e letërsisë Agnesa Beqiri me titull “Proza moderne e Koliqit“. Me këtë rast do të bëhet edhe prezantimi i librit të posa botuar “Proza moderne shqipe. Koliqi, Pashku, Hamiti“, me autore Agnesa Beqiri, botim i Sh. B. “DRITA”.

Takimi kulturor do të jetë i pasuruar edhe me një program artistik./KultPlus.com

1923, Kur në New York inçizohej “Muaj i majit” (VIDEO)


Është një këngë e vjetër, me tekst e muzikë nga Mihal Grameno. Një prej këngëve më të bukura shqiptare, trashëguar ndër breza, “Muaji i majit”, për herë të parë u regjistrua para 101 vjetësh.

Ishte patrioti, artisti dhe muzikanti korçar, Spiridon Ilo, i cili regjistroi në disk këngën “Muaji i majit”, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”.

Spiridon Ilo ishte një prej firmëtarëve e aktit të pavarësisë, më 1912, po ashtu ndër patriotët që kanë kontribuar me të ardhura, për formimin e shtetit shqiptar.

Patriotizmi i tij, vjen i qashtër mes nesh, me regjistrimin e kësaj kënge, krijimi brilant i Mihal Gramenos. “Muaj i majit”, kjo serenatë kaq e njohur dhe e dashur, do të këndohet me krenari, brez pas brezi.

Këtë regjistrim e ka shpërndarë për publikun Niko Kotherja, drejtor pranë Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, i cili shkruan:

‘Para 96 vitesh, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”, patrioti, artisti dhe muzikanti korçar Spiridon Ilo regjistroi këtë disk me këngën “Muaj i majit”, një krijim brilant me tekst dhe muzike të Mihal Gramenos.

Një serenatë aq e njohur dhe e dashur, e kënduar në breza dhe dekada, përcillet këtu në regjistrimin e parë, i kryer në Nju Jork, në vitin e largët 1923.

Nuk kishte kitare korçare që të mos e njihte këtë serenate!..’ / KultPlus.com

Gonxhja: Vetëm të shtunën rreth 12 mijë vizitorë në muzetë e vendit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, muzetë në të gjithë vendin kanë pritur një numër të lartë turistësh, vendas e të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka publikuar në rrjetet sociale foto nga muzetë në të cilat janë mbajtur edhe aktivitete artistike e kulturore.

Gonxhja thekson se muzetë ofruan gjatë ditës së shtunë programe artistike dhe ekspozita unike.

“Një ditë e jashtëzakonshme plot me aktivitete, nga ekspozitat unike te punëtoritë kreative deri tek mbrëmjet magjike me programe artistike kuruar në bashkëpunim me bashkitë e vendit, rriti vizitueshmërinë e këtyre siteve në rreth 12,000 vizitorë vetëm dje, 3-fish më shumë krahasuar me vizitueshmërinë në ditë normale!”, nënvizon ministri Gonxhnja.

Ai falënderon të gjithë vizitorët teksa e cilëson një festë të veçantë për dashurinë  ndaj kulturës./atsh/ KultPlus.com

Dalëngadalë.. poezia e fundit e Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com

Nënsekretarja nënvizoi marrëveshjet me Serbinë, Kurti shkruan për reformat dhe MCC’në pas takimit

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth M. Allen, sot është pritur në takime të ndara fillimisht nga presidentja Osmani e më pas nga kryeministri Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Allen shkroi në “X” se Kosova dhe Serbia duhet t’i zatojnë të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Ndërkaq, Kurti ka shkruar se kanë diskutuar për reformat demokrative dhe programin e MCC’së.

“Kënaqësi të takohem me nënsekretaren amerikane të Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike Liz Allen. Diskutova reformat e gjera demokratike të bëra në vendin tonë dhe mbështetjen kryesore të SHBA-së dhe @MCCgov për të ndihmuar këtë tranzicion pozitiv në të gjithë sektorët”, ka shkruar Kurti në “X”. / KultPlus.com

Krimi i pandëshkuar, 25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës (pamje të rënda)

Ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye masakër mbi të burgosurit shqiptarë nga forcat serbe.

Rreth 1.000 shqiptarë iu nënshtruan terrorit për këto katër ditë dhe 160 u vranë, kurse mbi 300 u plagosën.

Në kujtim të të rënëve çdo 21 maj, shënohet kjo masakër, për të cilën ende nuk është dënuar askush.

Të burgosurit shqiptarë, shumica të arrestuar me arsyetimin se ishin pjesë e UÇK-së, u vranë nga rojet serbe të burgut, pasi paraprakisht NATO sulmoi ndërtesën e burgut.

Reutersi ka arritur të kap momentet e masakrës dhe fotot janë shqetësuese. / KultPlus.com

Shkarkohet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri

Sindikata e Policisë së Kosovës sot ka mbajtur kuvendin e përgjithshëm, që e vetmja pikë në rendin e ditës ishte shkarkimi i kryetarit të Sindikatës, Imer Zeqiri.

“Sot më datë 19.05.2024 është mbajtur Kuvendi i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm ku ishte thirrur nga Këshilli Drejtues i SPK-së bazuar në Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe Statutit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me të vetmën pikë të Rendit të Ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri.”

60 delegatë kanë votuar pro shkarkimit të Zeqirit.

“Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegat të Kuvendit nga gjithsej 73 delegat që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri.

Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës.” / KultPlus.com

Me ceremoni, Kroacia nesër e nis për në Kosovë kontigjentin e 41-të të ushtarëve në kuadër të KFOR-it

Kroacia nesër do ta dërgojë kontigjentin e saj të 41-të në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.

Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi se për këtë kanë organizuar një ceremoni në Zagreb. Thotë se kontigjenti i ri do të dërgohet “në operacionin e KFOR-it për mbështetjen e paqes në Republikën e Kosovës”, raporton Express.

“Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ceremonia do të mbahet nesër në orën 15:00 dhe në të do të pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq./ KultPlus.com

Në Doganën e Qafë Thanës, masa për një ambient sa më mikpritës

Në Doganën e Qafë Thanës, pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga pika kufitare e “Qaftë Thanës” e cila lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut.

Rama shprehet se kjo pikë kufitare po përgatitet për të pritur fluksin e shtuar të vizitorëve që do kalojnë kufirin në nisje të sezonit të ri turistik.

“Në Doganën e Qafë Thanës, pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, po bëhen përgatitjet e fundit para nisjes së sezonit turistik dhe janë marrë të gjitha masat për të pasur një ambient sa më mikpritës”, thekson Kryeministri. / KultPlus.com

Asociacioni hap kryesor – Osmani i uron vizitë të suksesshme, Allen e falënderon që po punon për t’i mbajtur marrëdhëniet pozitive

Presidentja Vjosa Osmani dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen patën “një bisedë produktive” sot, ndërsa diplomatja amerikane erdhi për herë të parë në një vizitë në Kosovë.

Nënsekretarja e Shtetit tha se SHBA-të janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës dhe e falënderoi Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presidentja, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë, ndërsa përmendi se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të vendit, raporton Express.

“I uroj vizitë të suksesshme në Republikën e Kosovës, në Republikën e cila sot gëzon lirinë, demokracinë, falë mbështetjes edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës”, tha Osmani në fjalën e saj në konferencën e përbashkët pas takimit.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap kryesor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

“Presidentja dhe unë e patëm një bisedë produktive sa i përket dezinformimit, mbështetjes për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Po ashtu biseduam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës. Ne e mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit të ngushtë, dhe e di se është shumëe rëndësishme edhe për juve zonja presidente Vjosa Osmani. Dsikutuam për hapat kryesorë për udhëtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Allen.

Në fund të fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si gjithmonë”. Për marrëdhëniet që vazhdojnë të mbeten pozitive, Allen e falënderoi Osmanin.

“Dhe faleminderit Presidente Osmani që na jeni bashkuar në këtë iniciativën tonë për ta luftuar më mirë dezinformimin dhe manipulimin e informatave dhe për punën tuaj për të ndihmuar në vazhdimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet dy vendeve tona. Jam e nderuar që jam këtu si mike dhe partnere”, tha Allen. / KultPlus.com