Studio Dizajn Grafik, Dizajn Mode, Dizajn Interier në UNI-Universum – me program amerikan nga Arizona State University!  

UNI – Universum International College është i vetmi institucion në Kosovë me partneritet direkt me Arizona State University (ASU) – universiteti Nr.1 për inovacion në SHBA!

✅ Diploma amerikane me vlerë globale
✅ Përmbajtje dhe platforma të ASU
✅ Praktika dhe punësim gjatë studimeve
✅ Mundësi për të vazhduar studimet apo punuar jashtë vendit

Zgjidh programin që të përshtatet më shumë:

🎨 Dizajn Grafik – zhvillo kreativitetin tënd, mëso softuerët më të kërkuar dhe ndërto portofol profesional për tregun global.

👗 Dizajn Mode – krijo koleksione unike, mëso teknika bashkëkohore dhe përgatitu për industrinë ndërkombëtare të modës.

🏠 Dizajn Interier – koncepto hapësira funksionale dhe estetike, përdor teknologji moderne dhe ndërtokarrierë si profesionist i dizajnit të brendshëm.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu!

📞 Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, 📧 [email protected] ose ndiq UNI – n në Facebook & Instagram.

Studio me standarde amerikane, në Kosovë. E ardhmja jote në dizajn nis sot!/ KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në muralin e Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni 

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri i Shën Mërisë përbën një nga komplekset fetare më mbresëlënëse. Ndërtuar qindra vjet më parë, ai mban nën vete, si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apolonisë, nga i cili ato pak rrënoja te mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik. 

Në këtë kryevepër të artit bizantin, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese. Sektori i Veprave të Artit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po zhvillon punime konservimi në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit.  

Kjo murale, e krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII përfaqëson një nga veprat më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke zënë një vend të veçantë në historinë e artit bizantin në Shqipëri.  

IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit. 

Mozaikët pranë trapezërisë (mencës së murgjëve), portiku i kishës me kolonadën elegante prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale së bashku krijojnë një kompleks të jashtëzakonshëm dhe tejet tërheqës. 

Ndërthurja unike e këtij ndërtimi, mes pasurisë së Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik, pozicionuar brenda Manastirit, e kthejnë kompleksin në një pikë të rrallë referimi për vlerat historike, arkitekturore, artistike dhe shpirtërore që bart. 

Andaj, edhe kjo ndërhyrje konservuese synon ruajtjen e kësaj pasurie kulturore, duke e mbrojtur nga dëmtimet e kohës dhe duke e rikthyer në vëmendjen e publikut e studiuesve. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil

Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë, Ksamil, të mbushura me pushues vendas e të huaj, të cilët shijojnë ditët me diell.

Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.

Gjithashtu bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.

Në qarkun e Vlorës këtë vit janë 973 stacione plazhi publike, ndërsa sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është vendosur që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë plazh publik.

Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike,  pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama./atsh/KultPlus.com

“Pushka e parë e lirisë”, festivali homazh për figurën madhështore të luftëtarit e dëshmorit Zahir Pajaziti

Lufta në Kosovë qëndron si plaga më e madhe kombëtare, duke qenë një ndër ngjarjet më tragjike të historisë së popullit shqiptar në Kosovë.

Kujtesa kolektive në anën tjetër është ajo që i mban gjallë ngjarjet, sakrificat dhe historinë e përgjakshme drejt pavarësisë dhe çlirimit. 

Historia na rrëfen se krisma e parë e pushkës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shkrep nga Zahir Pajaziti, luftëtari dhe dëshmori i paharrueshëm, si nisma e parë për liri.

Për nder të kësaj nisme, për nder të figurës madhështore të Zahir Pajazitit dhe sakrificës sakramentale të tij, Shoqëria Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti”, në Podujevë organizon edicionin e dytë të festivalit “Pushka e parë e lirisë”.

Kjo festë dyditore premton promovimin e vlerave kulturore, këngëve e valleve më 1 dhe 2 gusht 2025, në ora 20:00, në sheshin “Bulevardi i dëshmorëve”, në Podujevë.

Pjesëmarrës të festivalit do të jenë ansamblet e rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, si: Ansambli “Dardanët” Düsseldorf, “Qendra Kulturore e Fëmijëve” Kurbin, SHKA “Tingujt e Vendlindjes” Stagovë, “Qendra Kulturore Kaqaniku”, SHKA “Bilbilat e Pashtrikut” Nashec, Ansambli “Zëri i Kosovës” Fushë-Kosovë, AKV “Deçani”, Ansambli “Librazhdi” Librazhd, si dhe performanca e veçantë e ansamblit të Podujevës, përkatësisht shtëpisë kulturore që realizon organizimin, “Zahir Pajaziti”.

Kjo festë, ky homazh, bart në vete jo vetëm rikujtimin për dëshmorët e rënë, por edhe vlerat kulturore që mbijetuan falë sakrificës së tyre. Është një përkujtim që shkon përtej dhimbjes, duke shndërruar kujtimin në frymëzim. 

Nëpërmjet këngës, valleve dhe artit, festivali shpërfaq jo vetëm nderimin e atyre që dhanë jetën për liri, por gjithashtu edhe afirmimin e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare

Promovimi i artit kombëtar, në këtë rast, synon jo vetëm të ruajë kujtesën historike, por edhe tv frymëzoj brezat e rinj të lidhen me rrënjët e tyre, të krijojnë mbi ato rrënjë dhe të jenë pjesë aktive e një kulture që jeton, zhvillohet dhe ndriçon përmes brezave./ KultPlus.com 

Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar…

Jorge Luis Borges

A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur?
Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut?
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture?
Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm?
A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur
Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi,
Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje.
Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. / KultPlus.com

Tapiceria e Bayeux rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh

Tapiceria e Bayeux do të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh nga krijimi i tij, konfirmon Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport (DCMS).

Kjo kryevepër 70 metra e gjatë, tregon historinë e pushtimit norman të Anglisë në vitin 1066, që do të huazohet në një marrëveshje historike me nënshkrimin mes qeverisë franceze dhe asaj britanike.

Kjo qëndismë gjigante, që besohet se është krijuar në Kent, do të ekspozohet në Muzeun Britanik në Londër vitin e ardhshëm. Kjo tapiceri do të qëndrojë e ekspozuar nga vjeshta e ardhshme deri në korrik të 2027, ndërkohë që shtëpia e tij aktualr, Muzeu i Bayeux, po rinovohet. Viti i 2027 është gjithashtu 1000-vjetori i lindjes së William Pushuesit.

Kryetari i bordit të Muzeut Britanik, George Osborne, është shprehur se ekspozita “do të jetë shfaqja më e madhe e brezit tonë”, duke e krahasuar me Tutankhamun-in dhe Ushtrinë e Luftëtarëve Terrakota.

Tapiceria e Bayeux, që daton që nga shekulli 11, dokumenton periudhën më të diskutueshme në marrëdhëniet Anglo-Franceze, kur dominimi anglo-sakson u zëvendësua nga sundimi norman. Edhe pse pjesa e fundit e qëndismës mungon, ajo përfundon me ikjen e anglosaksonëve në fund të Betejes së Hastingsit, në vitin 1066.

58 skenat e saj, me 626 personazhe dhe 202 kuaj, japin një pasqyrë të periudhës mesjetare në Normandi dhe Angli si asnjë vepër tjetër, duke ofruar jo vetëm informacion mbi traditat ushtarake, por edhe detaje të çmuara të jetës së përditshme. Kjo vepër ka frymëzuar shumë krjime dhe artistë gjatë shekujve, dukë përfshirë artistin David Hockney.

Për ekspozimin e kësaj vepre arti, Nicholas Cullinan, Drejtor i Muzeut Britanik u shpreh: “Ky është pikërisht lloji i partneritetit ndërkombëtar që dua ta mbështesim dhe të marrim pjesë: të ndajmë të mirën e koleksionit tonë sa më gjerë që të jetë e mundur dhe në këmbim të ekspozojmë thesare botërore që nuk janë parë kurrë më parë këtu.”

Fokusi i kësaj ekspozite qëndron te pjesa që Muzeu Britanik pret të jetë një nga muzetë më të vizituar ndonjëherë, një shfaqje që ndodh vetëm një herë në një gjeneratë.

Periudha që i parapriu Betejës së Hastingsit është një nga më të njohurat në historinë britanike.

Siç e tha Osborne: “Nuk ka asnjë objekt tjetër të vetëm në histrinë britanike që të jetë kaq i njohur, kaq i studiuar në shkolla, kaq i kopjuar në art, sa Tapiceri i Bayeux. Megjithatë, për gati 1000 vjet nuk është kthyer kurrë në këto brigje. Vitin tjetër do të kthehet dhe mijëra vizitorë, veçanërisht nxënës të shkollave, do ta shohin me sytë e tyre.”/ KultPlus.com 

Nisi tek “Reja” edicioni IV i Festivalit “Gjoni Mili” Jazz&Blues

Tek instalacioni “Reja”, në Tiranë, nisi edicioni i 4-të i Festivalit “Gjoni Mili” Jazz&Blues.

Mbrëmjen e parë të këtij festivali performuan dy grupe: “Bluebird Band” dhe “Hard Maces Trio”. Në grupin e parë performuan Einar Nelku (vokal, kitarë dhe harmonikë), Bledar Sejko (kitarë), Sokol Shehu (kitarë), Emiljan Dhimo (bateri) dhe Ilir Duri (bas).

Më pas, publiku i shumtë në numër, dëgjoi “Hard Maces Trio” me artistët Vince Abbracciante në fizarmonikë, Giovanni Angelini në bateri dhe Claudio Chiarelli në saksofon.

Edicioni i katërt i Gjon Mili Jazz & Blues Festival do të vijojë edhe dy ditët në vazhdim. Për tri net, publiku do të shijojë falas performanca jazz e blues nga gjashtë formacione shqiptare dhe të huaja, me rreth 40 muzikantë profesionistë dhe të rinj.

Festivali nderon figurën e Gjon Milit, fotografit shqiptar që dokumentoi muzikën jazz në SHBA, duke e rikthyer këtë trashëgimi në kujtesën kulturore shqiptare.

Festivali është gjithashtu, edhe një mundësi unike për të përjetuar nga magjinë e muzikës jazz dhe blues në natyrë, si dhe për të promovuar talentet e reja.

Ky festival ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Institutit Italian të Kulturës, Universitetit të Arteve, Bashkisë Tiranë etj./atsh/KultPlus.com

Vetmia

Poezi nga Migjeni

Vetmia

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
-I yni zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
mejeten tcme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. – sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen./KultPlus.com

Qeveria e Kosovës ndan 580 mijë euro për shkollën e muzikës dhe muzeun e Preshevës

Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbështetje të zhvillimit kulturor ka ndarë mbi gjysmë milioni euro në mbështetje financiare nëbashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës, komunë e banuar me shumicëshqiptare në Serbi.

Hajrullah Çeku, ministri i kulturës në detyrë, tha se vendimi erdhi pas kërkesës së Komunës së Preshevës. Çeku shtoi se ky bashkëfinancim përfaqëson “një ndër investimet më tërëndësishme në jetën kulturore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”

Shteti i Kosovës deri tash ka përkrahur 28 projekte të kulturës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa drejtpërdrejt përmes Ministisë së Kulturës ka përkrahur 21 projekte në Luginën e Preshevës, duke përfshirë edhe Medvegjën dhe Bujanocin.

Në këto tri komuna ka pasur gjithashtu edhe mbështetje në arsim dhe lobim institucional, ku më 27 qershor janë ndarë 626.400 euro.

Vitin e kaluar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndalojë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptar në Luginën e Preshevës. Ndërsa këtë vit kjo kërkesë e mbështetjes financiare është aprovuar me sukses duke kontribuar në zhvillimin kulturor të komunës së Preshevës, me ofrimin e mundësive të reja për tërinjtë në muzikë, si dhe pasurimin kulturoro-artistik me financimin e muzeut./KultPlus.com

Ed Sheeran vjen me ekspozitën e tij të artit me piktura të krijuara në parkingun e makinave

Një ekspozitë e re arti do të paraqesë vepra origjinale arti, përkatësisht piktura të krijuara nga kantautori Ed Sheeran, transmeton KultPlus.

Ylli i popit u inkuadrua në pikturë në vitin 2019, por duke u shprehur se gjithmonë i kishte pëlqyer të studionte artin në shkollë ndërsa rritej në Suffolk.

Ai krijoi disa piktura midis shfaqjeve vitin e kaluar në një parking makinash të braktisur në Londër dhe u inkurajua të mbante një ekspozitë të krijimeve të tij në Galerinë Heni në Soho, Londër, deri në gusht.

“Fillova të pikturoja në fund të turneut tim Divide në vitin 2019 dhe është diçka që e kam përdorur si një mënyrë krijuese që atëherë. Kur isha i vogël, të dy prindërit e mi punonin në art, kështu që natyrisht gjithmonë kam qenë i interesuar për të, dhe gjithmonë më ka pëlqyer të studioja artin në shkollë. Isha në turne vitin e kaluar, dhe e shfrytëzova shumë kohën time të lirë në Mbretërinë e Bashkuar për të pikturuar. Vrapoja në një parking makinash të braktisur në Soho çdo mëngjes, pikturoja, pastaj vrapoja për në shtëpi dhe e bëja këtë çdo ditë derisa të kthehesha përsëri në turne”, thotë Sheeran.

Ekspozita është quajtur “Cosmic Carpark Paintings”, emërtim i cili lidhet edhe me frymëzimin krijues, dhe hyrja për tëinteresuarit që duan të shohin ekspozitën është falas.

Veprat e reja të Sheeran janë frymëzuar nga modelet qiellore dhe janë në përputhje me stilin e pikturës së artistit.

Këto krijime do të ekspozohen në Galerinë Heni nga e enjtja deri më 1 gusht dhe gjithashtu mund të blihen, dhe të ardhurat do të dhurohen për Fondacionin Ed Sheeran, i cili punon për të ofruar edukim muzikor dhe mundësi zhvillimi për të rinjtë. 

Sheeran shpjegoi se i kishte treguar artistit Damien Hirst, si dhe Joe Hage, themeluesit të fondacionit Heni, për pikturat e tij, dhe ata e inkurajuan të bënte ekspozitën.

Gjithashtu Sheeran do të performojë tre koncerte kthimi në shtëpi me bileta të shitura në stadiumin Portman Road në Ipswich të premten, të shtunën dhe të dielën.

Sheraan me ekspozitën e tij, shpërfaq edhe gjithëpërfshirjen e tij artistike, duke shtrirë krijimin jo vetëm në muzikë, por kësaj radhe edhe në pikturë./KultPlus.com

Rama ndan pamje nga liqeni i zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut

Liqeni i zi në Radomirë është një prej perlave natyrore të Dibrës, i vendosur në zemër të Alpeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, një destinacion për të gjithë në këto ditë të nxehta korriku.

“Freskia e liqenit të zi në Radomirë, në zemër të Alpeve të Dibrës, ku ajri i pastër dhe qetësia malore sfidojnë vapën e korrikut”, shprehet kryeministri.

Liqeni i zi ndodhet në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit dhe është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për ecje malore dhe turizëm natyror në veriun e Shqipërisë falë natyrës së paprekur dhe peizazheve të rralla./atsh/KultPlus.com

Jani Vreto, figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Jani Vreton, rilindasin e shquar shqiptar, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, i cili u nda nga jeta më 9 korrik të vitit 1900 në Athinë.

Si shkrimtar dhe botues, ai dha një kontribut të çmuar në gjallërimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përhapjen e kulturës shqiptare. Nga viti 1843 deri në vitin 1847 ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Në fillimin e viteve ‘70 ishte njohur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare si: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid Pashë Vlora. Gjithashtu, mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji, por edhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar e themelues i Komitetit qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare.

Në maj të vitit 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqisht, në të cilën shtjellon dhe trajton prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara si dhe të drejtat e tyre. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pas kthimit në Stamboll, punoi për botimin e organit periodik “Drita”, e cila më pas mori emrin “Dituria”. Periodiku do të dilte në Kostandinopojë nga gushti 1884, deri në korrik të vitit 1885./atsh/KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

Ura e Vashës në Mat, monument kulture mes natyrës, qetësisë dhe freskisë

Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, 200 metra linear nga rruga e Arbërit.

Ajo u ndërtua në fillim të shekullit të 18-të si vepër bamirësie nga familja Skura. Ura është ndërtuar me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjithashtu, ura ka qemer të dyfishtë. Këmbët e urës janë vendosur mbi dy brigje shkëmbore.

Gjatësia e urës është 11 metra, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7 metra, gjerësia 2.8 metra dhe largësia mes dy këmbëve është 7 metra. Sipërfaqja e urës është shtruar me kalldrëm me gurë lumi, llaç gëlqereje dhe rasa guri.

Ura vizitohet nga shumë turistë shqiptarë e të huaj dhe është një nga pasuritë e trashëguara të kësaj treve. E ndodhur pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike në një peizazh të mrekullueshëm natyror. Ura e Vashës është një ndër urat më të vjetra të këtij stili të ndërtuar në Shqipëri. Pikërisht në afërsi të Urës së Vashës, është ndërtuar ura më e madhe të Rrugës së Arbrit që lidh dy shpatet e malit.

Rruga e Arbrit ka gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe bashkon fshatin Fshat me Planin e Bardhë, në Bashkinë e Klosit, si për të thënë se historia përsëritet. Një urë që jeton ndër shekuj për të dëshmuar rëndësinë e lidhjes së kësaj treve me qytetërimin dhe sot një urë një ndër më të mëdhatë në vend që do nxit zhvillimin e zonës./atsh/KultPlus.com

E dashur…

Poezi nga Teodor Keko.

E dashur , erdha
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.
Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!/KultPlus.com

Tre vite nga vdekja e aktorit Tony Sirico

Aktori Tony Sirico, i njohur për rolin e tij si një grup mafioz në The Sopranos, ka vdekur më 9 korrik 2022, në moshën 79-vjeçare.

Aktori i Hollywood Michael Imperioli, i cili luajti Christopher Moltisanti, kishte drejtuar homazhet në nder të tij.

“Toni ishte si askush tjetër. Ai ishte po aq i ashpër, besnik dhe me zemër të madhe sa kushdo që kam njohur ndonjëherë. Jam krenar të them se kam bërë shumë punën time më të mirë dhe më argëtuese me shokun tim të dashur Tony. Do të më mungojë përgjithmonë. Ai është me të vërtetë i pazëvendësueshëm”, kishte shkruar ai.

Sirico ishte 55 vjeç dhe flinte në një krevat fëmijësh në shtëpinë e nënës së tij në Brooklyn, kur iu caktua roli ikonik që do t’i jepte atij dy çmime Screen Actors Guild, raporton BBC.

Ai luajti gangsterë në më shumë se një duzinë filma të tjerë të mafias, duke përfshirë Goodfellas të Martin Scorsese.

Sirico lindi në Brooklyn, Nju Jork, dhe u arrestua 28 herë, duke kaluar dy periudha në burg. /NOA /KultPlus.com

Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut

Gjiri i Gramës, i ndodhur në Gadishullin e Karaburunit, është një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, një perlë që tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Gjiri Gramës, i fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, është kthyer një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjete sociale pamje nga gjiri, i cili mund të rroket përmes hiking apo varka.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Liam dhe Noel Gallagher sërish bashkë në skenë pas 16 vitesh

“Rock and roll-i” është magji dhe si me një magji, Liam dhe Noel Gallagher, dy vëllezërit legjendarë të grupit Oasis, u rikthyen bashkë në skenë, duke e bërë realitet një nga ribashkimet më të shumëpritura në historinë e muzikës moderne.

“Kjo nuk është një provë. Po ndodh vërtet, Cardiff,” shfaqej në ekranet gjigante të stadiumit Principality, ndërsa tituj gazetash dhe reagime nga rrjetet sociale pasonin njëri-tjetrin, duke rikujtuar lajmin që tronditi botën e muzikës, Oasis janë bashkuar pas 16 vitesh. Plot 5.795 ditë kishin kaluar që nga koncerti i tyre i fundit.

Koncerti nisi me këngën “Hello”, një përshëndetje simbolike ndaj publikut pas një mungese të gjatë. Më pas, “Acquiesce”, një këngë ku të dy vëllezërit ndajnë vokalin, solli një mesazh domethënës për publikun. Sidoqoftë, për 70 mijë fansat e mbledhur në stadium, ajo natë ishte më shumë se një koncert, ishte një udhëtim emocional në të kaluarën, në ëndrrat dhe iluzionet e një brezi të tërë.

Noel, me një këmishë xhinsi dhe një qëndrim të sigurt, dominonte skenën. Liam, si gjithmonë, i qëndrueshëm para mikrofonit, mbetej magnetik. Në një moment, para këngës “Cigarettes & Alcohol”, ai u kërkoi të gjithëve të kthenin shpinën dhe të përqafoheshin. Askush nuk e kuptoi pse, por të gjithë e bënë. Ky është ndikimi i një frontmeni të vërtetë.

Edhe pse kontaktet mes dy vëllezërve ishin të kufizuara, një përqafim i përmbajtur mjaftoi për të treguar se, të paktën për atë natë, tensionet ishin lënë mënjanë. Bashkë me ta në skenë ishin Andy Bell, Gem Archer, Paul “Bonehead” Arthurs dhe Joey Waronker. “Supersonic” ndezi atmosferën, përpara se Liam të largohej për një pushim, dhe Noel të merrte drejtimin me këngë më të qeta si “Talk Tonight”, “Half the World Away” dhe “Little By Little”.

Rikujtojmë se ndarja e grupit ndodhi në vitin 2009 në Paris, pas një sherri të ashpër, ku Liam, sipas raportimeve, thuhet se kishte goditur me kitarë në drejtim të vëllait të tij. Që atëherë, marrëdhënia mes tyre u karakterizua nga heshtja, thumbat dhe armiqësia publike, si dhe një boshllëk i thellë në skenën e rock-ut.

Kjo mungesë e gjatë shkaktoi një etje të jashtëzakonshme mes fansave: për koncertet e para në Britani dhe Irlandë u regjistruan mbi 10 milionë kërkesa nga 158 vende për vetëm 900 mijë bileta, çka solli një rritje të çmendur të çmimeve për shkak të sistemit të çmimeve dinamike.

Tani janë planifikuar 41 koncerte deri në fund të nëntorit, në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Azi dhe Oqeani. Europa pritet të përfshihet në turne gjatë verës 2026.

Cardiff u përfshi nga entuziazmi: 150 mijë persona në dy net, trenat nga Londra të tejmbushur, familje me fëmijë që nuk kishin lindur kur Oasis u ndanë, birra, fanella vintage dhe kapelat klasike nëpër çanta. Liam rikthehet për të kënduar “Stand By Me”, e kthyer në një kor masiv plot emocione. “Live Forever” iu dedikua futbollistit të ndjerë të Liverpool-it, Diego Jota. Pastaj erdhën bis-et e pandalshme: “Don’t Look Back in Anger”, “Wonderwall” dhe “Champagne Supernova” — himne të një brezi të tërë, që tingëllojnë po aq të fuqishme edhe pa “katalizatorët” e dekadës së kaluar.

Ky koncert ishte një udhëtim në vitet ‘90, kohët e “Cool Britannia”, kur Londra ishte epiqendra kulturore e botës. Epoka e përplasjes Blur-Oasis, Tony Blair dhe modelit të ri politik, shefëve si Gordon Ramsay që ktheheshin në yje televizivë, letërsisë pop të Nick Hornby dhe Irvine Welsh, dhe artit të Damien Hirst.

Në qendër të koncertit ishin dy albumet e parë dhe më të famshëm të Oasis, Definitely Maybe (1994) dhe (What’s the Story) Morning Glory? (1995), ky i fundit që pritet të ribotohet në një edicion festiv këtë vjeshtë.

Për një natë, përtej Brexit-it, politikës dhe zhgënjimeve të kohëve moderne, yjet e vërteta të rock and roll-it ishin sërish ata Liam dhe Noel Gallagher./KultPlus.com

‘U bënë njëqind vjet që kur një grua më pret në një qytet’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Përmallim

U bënë njëqind vjet
pa ta parë fytyrën
pa çuar krahun tim
përreth belit tënd
pa vështruar fytyrën time në sytë e tu
u bënë njëqind vjet që s’i bëj më pyetje
dritës së shpirtit tënd
pa e prekur ngrohtësinë e barkut tënd.

U bënë njëqind vjet
që kur një grua më pret
në një qytet.
Bashkë vareshim mbi të njëjtën degë,
mbi të njëjtën degë
ramë, ne u ndamë,
mes nesh plot një qindvjeçar
në kohë dhe në hapësirë.
U bënë njëqind vjet që në gjysmëhije
rend mbas teje.

Je dehja ime
Nga ty s’u esëllova dot
S’mund të esëllohem
S’dua fare të esëllohem

Koka që më rëndon
Gjunjt’ e gërvishtur
Rrobat e ndotura
Shkoj drejt dritës që ndriçon dhe shuhet
tek lëkundem, bie, sërish në këmbë ngrihem.

*

Përktheu nga frëngjishtja: Edon Qesari /KultPlus.com

“Virtuozët”, dy net me muzikë klasike për publikun e Elbasanit

Elbasani mirëpriti një ngjarje të veçantë artistike këtë korrik, me koncertin “Virtuozët”, që solli në skenë disa prej instrumentistëve më të talentuar të skenës muzikore shqiptare.

“Virtuozët” po realizohet nën drejtimin artistik të Desart Shëmilit. Koncerti i parë u zhvillua mbrëmë në mjediset historike të Muzeut Etnografik, me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Zeqir Sulkuqi dhe interpretimet e artistëve elbasanas. Mbrëmja e dytë vijon sonte te Kulla Hotel “Guri”, ku do të performojë Kuarteti i Harqeve “Mansius”, me një program të përzgjedhur nga repertori klasik ndërkombëtar.

Publiku do të ketë mundësinë të shijojë vepra të njohura nga kompozitorë të mëdhenj, të interpretuara me pasion, dhe frymëzim nga emra të spikatur të muzikës klasike shqiptare.

Koncerti “Virtuozët” vjen si një iniciativë për të afruar artin cilësor me publikun e Elbasanit dhe për të kthyer hapësirat muzeale dhe historike në skena të gjalla të kulturës./atsh/KultPlus.com

Opera e Kosovës prezanton Ognian Draganoff si regjisor të operës ‘Carmen’

Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.

Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.

Ndërkaq sot Opera e Kosovës ka prezantuar Ofnian Drafanoff si regjisor të operës ‘Carmen në Prishtinë.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Operës së Kosovës:

Opera e Kosovës ka nderin të prezantoj OGNIAN DRAGANOFF si regjisor të operës „Carmen“

Ognian Draganoff është regjisor bullgar me karrierë të gjatë dhe të pasur në teatrin operistik. Ai studioi performancë muzikore dhe regji operistike në Bullgari me Plamen Kartaloff dhe Vanya Bachvarova, duke u diplomuar në Akademinë Shtetërore të Muzikës “Panço Vladigerov” në Sofje, në klasën e Pavel Gerdzhikov. U specializua më tej në Opera du Rhin në Strasburg nën drejtimin e Albert-André Lheureux.

Pas një periudhe si anëtar i Orkestrës së Operës Kombëtare të Sofjes, ai u përkushtua regjisë dhe menaxhimit artistik. Nga viti 1996 deri në 2002 shërbeu si drejtor i përgjithshëm i Operës Kombëtare të Sofjes. Ka qenë gjithashtu drejtor i ftuar dhe rezident në shtëpi operistike në Greqi, Maqedoni dhe Rumani (2008–2012), si dhe drejtor kryesor i Operës në Sarajevë në të njëjtën periudhë.

Nga viti 2013 deri në 2015 drejtoi Operën Shtetërore Ruse në Bullgari, ndërsa prej vitit 2015 është drejtor i Operës Shtetërore të Stara Zagorës. Me mbi 80 produksione operistike në repertorin e tij, Draganoff njihet për vizionin e tij regjisorial dhe për shfaqje që janë prezantuar me sukses në shumë skena të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Holandë./KultPlus.com

’Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/KultPlus.com

Parku Natyror i Porto Palermos tërheq vizitorë përmes historisë dhe artit

Parku Natyror i Porto Palermos është një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, mes ujërave të kristalta të Jonit.

Plazhet e kristalta dhe natyra e paprekur plotësojnë një ofertë të përkryer për të gjithë vizitorët, qofshin vendas apo të huaj. Shumë shpejt ky vend special, i cili është kthyer në një skenë të përkryer për evente kulturore dhe artistike, do të mikpresë edicionin e pestë të Porto Palermo Festival, ideuar nga violinisti i mirënjohur Olen Cesari.

Festivali sjell çdo vit artistë virtuozë si dhe vizitorë nga e gjithë bota, për të ndjekur festivalin e njëkohësisht për të zbuluar këtë vend duke ndjerë frymën e historisë në çdo cep, shkruan atsh.

Festivali zhvillohet në kalanë e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë. Arkitektura e veçantë e kalasë tregon për mjeshtërinë e ndërtimit dhe inteligjencës strategjike. Nga kullat e larta dhe muret mbrojtëse syri sheh një horizont të pafund, ku deti dhe qielli bashkohen në një pamje mahnitëse./KultPlus.com

MKRS publikon rezultatet preliminare për OJQ, në thirrjen publike për përkrahje të projekteve në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar rezultatet preliminare për OJQ, në thirrjen publike për përkrahje të projekteve në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore.

Bashkangjitur gjeni linkun me rezultatet: https://mkrs-ks.org/repository/docs/3578.pdf

Afati i ankesave është 5 ditë pas shpalljes së rezultateve preliminare. Ankesat duhet të dërgohen në emailin: [email protected]./KultPlus.com