Rihapet për notarët lumi Sena

Lumi Sena në Paris është rihapur publikisht për notarët, për herë të parë që nga viti 1923 pas një ndalimi shekullor, sipas BBC-së.

Hapja sezonale e Senës për not shihet si një trashëgimi kyçe e Lojërave Olimpike Paris 2024, kur notarët dhe triatlonistët në ujëra të hapura garuan në ujërat e saj, të cilat u pastruan posaçërisht për ngjarjen.

Dje në mëngjes, në orën 08:00 sipas orës lokale disa dhjetëra notarë mbërritën përpara hapjes dhe u zhytën në ujë.

Në Senë ka tre zona të caktuara për not publik, një pranë Kullës Eiffel, një tjetër pranë Katedrales Notre Dame dhe një e tretë në Parisin lindor.

Zonat kanë dhoma zhveshjeje, dushe dhe mobilie në stil plazhi, të cilat lejojnë deri në 300 persona të shtrojnë peshqirët e tyre.

Deri në fund të gushtit, tre vendet e notit do të jenë të hapura falas në orare të planifikuara për këdo me një moshë minimale prej 10 ose 14 vjeç, varësisht nga vendndodhja.

Rojet bregdetare do të jenë gjithashtu të pranishëm për të mbajtur nën vëzhgim ata që janë në lumë.

Premtimi për të hequr ndalimin e notit daton që nga viti 1988, kur kryetari i atëhershëm i bashkisë së Parisit dhe më pas president, Jacques Chirac, mbështeti për herë të parë anulimin e tij.

Përmirësimet gjatë 20 viteve të fundit kanë çuar tashmë në një ulje të ndjeshme të baktereve fekale që hyjnë në lumë.

Për 100 vjet, noti në lumë ishte i ndaluar për shkak të niveleve të ndotjes së ujit, që mund të shkaktonte sëmundje te njerëzit.

Përpara Lojërave Olimpike të verës së kaluar, më shumë se 1,4 miliardë euro u investuan në pastrimin e Senës. Por, në prag të lojërave kishte dyshime nëse lumi Sena do të ishte gati për Lojërat Olimpike, pasi u zbulua se nuk i kaloi testet e cilësisë së ujit. Organizatorët fajësuan reshjet e shiut për ndotjen në rritje, e cila kufizoi aftësitë e atletëve për t’u stërvitur për triatlonin, notin maratonë dhe paratriatlonin.

Korrikun e kaluar, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Olimpik shkuan në Sena për të provuar se ishte e sigurt të notohej në të./atsh/ KultPlus.com

Casares: Dy tregime

Adolfo Bioy Casares (1914 – 1999), shkrimtar, gazetar, diarist dhe përkthyes argjentinas.

LUNDRUESI KTHEHET NË ATDHEUN E TIJ

Nga A. B. Casares

Mendoj se e pashë A passage to India ngase vendi im ishte në titullin e filmit. Pasi dola nga teatri mora transportin nëntokësor – ose metronë, siç e quajnë këtu – që të shkoja në ambasadë, ku punoj çdo ditë për pak orë. Ajo çka fitoj këtu më mundëson të blej ca gjëra ekstravagante të cilat ma ndriçojnë jetën time si student i skamur. Dyshoj se për shkak të këtyre gjërave ekstravagante, nganjëherë bie pre e një lloj somnabulizmi që zakonisht më shkakton situata trazuese. Ja një shembull: me ta kujtuar udhëtimin nëntokësor, e shoh veten të ulur rehatshëm, edhe pse kam dëshmi se isha në këmbë, pranë derës, duke u mbajtur për shtyllës së hekurt dhe gati duke u rrëzuar saherë që treni ndalet ose niset. Nga aty shikoj, me një përzierje përbuzjeje dhe keqardhjeje, mbi një student kamboxhian krejt të rreckosur, në një ulëse në mes të vagonit, duke u kotur me kokën e mbështetur në dritare. Flokët e tij, të bollshme aq sa të palara, tregojnë një rreth tullac dhe me rrudha dhe mjekra e tij tri a katër ditësh është e shpupurishur. Buzëqesh në gjumë, i lëviz buzët shpejt dhe njerëzishëm, si të ishte duke bërë një muhabet miqësor me vetveten duke pëshpëritur.

Mendoj: “Ai duket i lumtur, megjithëse ai s’ka asnjë arsye të jetë i lumtur. Ai jeton, si unë, në mesin e evropianëve armiqësorë. Sado që të mundohen ta fshehin, ata janë armiqësorë ndaj atyre që gjykojnë se janë ndryshe. Në këtë kuptim ne indianët kemi ca përparësi, se jemi më pak ndryshe, po kush s’e ka një përparësi ndaj këtij djaloshi, që duket kaq i veçantë? Edhe po të ishte perëndimor dhe nga veriu, prapë do të konsiderohej përfaqësues i llumit të shoqërisë. Bile as unë, që e konsideroj veten njeri pa paragjykime, s’do të futesha në aventura t’i besoj atij.

Zbrita në stacionin La Muette dhe menjëherë ia beha në Rue Alfred-Dehodencq, ku ishte vendosur ambasada. Sado e pabesueshme që të duket, derëtari nuk më njohu dhe refuzoi të më linte të kaloja. Teksa po ziheshim me duar të zbrazëta, burri bërtiti: “Ik nga këtu! Ik!” disa herë. Herën e fundit, britma u kthye në një “Sour-sday” miqësore, që në gjuhën kamboxhiane do të thotë “Mirë mëngjesi.” I hapa sytë dhe ende i trandur pashë shokun tim, shoferin e taksisë, një bashkëatdhetar, që po më shkundte të zgjohesha dhe i cili ma përsëriti përshëndetjen dhe shtoi: “Duhet të dalim. Po mbërrijmë te stacioni ynë.” U ngrita dhe gati mora në thua teksa po dilja nga vagoni; e ndoqa bashkatdhetarin përgjatë platformës, pa e pyetur asgjë, nga frika se mos po bëj ndonjë gabim dhe po e bëja të mendonte se jam i çmendur, ose droguar. Para se të ngjiteshim shkallëve, pata një fanitje, jo më pak të dhimbshme sado që e parashikuar. E kam fjalën pra për atë se pasqyra reflektonte flokët e mia të pista, mjekrën time të shpupurishur tri a katër ditësh; po ajo që merakoste me tamam ishte po ashtu të kuptoja në po atë moment se po lëvizja buzët dhe, çka është edhe më keq, po buzëqeshja si të isha duke folur vetmevete, si një idiot.

FITIMI I DASHURIË

“Më fol për të”, ma kërkoi ai.

S’e di mirë si nisi as ku jemi. Kur Virxhinia pyeti:

“A e mban mend çka ke premtuar?” unë s’e kam guximin t’i them, edhe njëherë, se javën tjetër do të drekojmë së bashku, por se po më presin prindërit e mi. Llomotis së koti si të doja të shmangia tensionin duke i pështjelluar gjërat në një muhabet vërdallisës.

Me gjasë me anë të asociacioneve të ideve unë flas rreth një restoranti të hapur në një mansion të vjetër dimrin e kaluar nga një kuzhinier francez ne emrin Pierre – në San Isidro? apo San Fernando? Apo mos Pierre në të vërtetë qëndroi në Southside? Pas ca belbëzimesh mezi e mbaj në mend vagullt emrin dhe adresën – shkarjet e mia të kujtesës mund të nënkuptojnë se për ta bërë veten të dukem i rëndësishëm po e hapja një restorant të cilin mezi e njihja; dhe për të treguar se jam njohës vazhdoj të përshkruaj në hollësi delikatesat që i shërbejnë atje – një përshkrim që me gjasë duket i pa vend për një njeri me qiellëz të thjeshtë si imja. Nuk po mundohem të sajoj ndonjë shfajësim nga të qenët zemërlepur apo nga inercia, apo të pranoj një kompromis me qëllim që të shpëtoj fytyrën. Jam i trishtuar, ma ha mendja, saktësisht ngase kam vepruar kundër dëshirsë sime – për të sajuar një shfajësim, jo për të pranuar ndonjë kompromis. 

Meqë s’po ia dal dot të çlirohem nga Virgjinia, atëherë më duhet gjej një mënyrë t’ua bëjë me dije prindërve të mi se nuk do të drekojmë së bashku. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, mamaja ime tashmë është duke më pritur në Rosedale Gardens. E përfytyroj të ulur në stol, e buzëqeshur dhe e gjallë, si të ishte në një fotografi të zbërdhulur të shkrepur për të në po ato ato parqe dhe tash mua më duket e trishtë. Duke ecur përgjatë vereandës së shtëpisë sonë në fshat mbërrij te studioja e vjetër me suvanë e leckerosur. Më merr goxha kohë ta zgjoj tim atë, i cili po pushon në një pozicion krejt i kruspullosur në kauç. “Nuk kam fjetur mirë mbrëmë,” thotë ai, që të shfajësojë veten. Është shumë i lumtur që po më sheh. I them menjëherë: “Nuk do të ha drekë me ju.” Babai im nuk e kupton fillimisht, ngase nuk është krejtësisht zgjuar dhe unë ngutem t’i kërkoj t‘ia “bëjë me dije mamasë”. Dua të largohem para se të zgjohet tamam, sepse është ende i lumtur dhe e di se shumë shpejt do të trishtohet.

Ua shkaktoj këtë dhimbje atzre dhe vetes sime që të mos e zhgënjej një grua për të cilën takimi me mua do të thotë (si ta them këtë pa qenë i lig?) thjesht ashtu, një takim dreke.

Ai ma dha interpretimin e tij:

“Çka do të thotë kjo është se ti nuk dëshiron t’i takosh ata tash.”

“Ishim aq shokë të mirë,” i thashë.

Nuk kisha energji t’ia shpjegoja.

/ Adolfo Bioy Casares, ‘A Russian Doll&Other Stories’ New Directions, 1992

/Gazeta Express

‘National Geographic’: Riviera Shqiptare mbetet perfekte për një udhëtim me makinë

 Nisuni për një udhëtim me makinë përgjatë një prej zonave më piktoreske të bregdetit të Shqipërisë, duke iu drejtuar fshatrave në kodra dhe plazheve që mund të zëvendësojnë lehtësisht tropikët, shkruan sot Dom Tulett për prestigjiozen “National Geographic”.

Duke u shtrirë përgjatë krahut jugperëndimor të vendit, nga qyteti i Vlorës në veri deri në fshatin Ksamil, Riviera Shqiptare është shpallur ”Maldivet e Evropës”. Është e vërtetë që plazhe të panumërta me rërë të bardhë gjenden pranë një vije bregdetare me ujëra të kaltra verbuese, nga zona të mbushura me njerëz dhe të mbështetura nga vendpushime moderne deri te gjiret e izoluara.

Por, Riviera është më shumë sesa thjesht det; ka fshatra tradicionalë të shtrirë pas shpateve të kodrave të mbuluara nga ullishte shekullore dhe rrënoja të lashta së bashku me mbetjet e së kaluarës komuniste të vendit.

Mbërritja në zonë tani është më e lehtë se kurrë falë një numri në rritje të fluturimeve direkte që lidhin Mbretërinë e Bashkuar me kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, një udhëtim dyorësh nga Vlora. Pastaj mund të shkoni në jug përmes rrugës kryesore bregdetare të Rivierës, duke e mbajtur detin Jon në shikimin tuaj periferik pothuajse gjatë gjithë rrugës. Pikat kryesore të rajonit mund të eksplorohen gjatë një fundjave, por ndaloni për më gjatë për të zbuluar më shumë nga thesaret e tij arkeologjike dhe kaloni pasdite të qeta duke u çlodhur në plazhet e tij më pak të njohura.

Dita e parë: Historia dhe vendet e fshehura në kodra

Mëngjesi: Filloni në Vlorë, qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë dhe vendlindja e kombit modern. Në Sheshin e Flamurit, Monumenti i Pavarësisë qëndron pranë vendit ku flamuri shqiptar u ngrit për herë të parë në vitin 1912, duke shënuar fundin e shekujve të sundimit osman. Për të mësuar më shumë, shkoni poshtë bulevardit ‘’Ismail Qemali’’, i emëruar sipas kryeministrit të parë të Shqipërisë, drejt Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, i cili ju tregon ngjarjet dhe aktorët kryesorë pas vetëqeverisjes së vendit.
Pastaj, drejtohuni shtatë kilometra për në jug përgjatë bregut të detit, duke kaluar pikën në të cilën detet ndryshojnë nga Adriatiku në Jon dhe drekoni në Qendrën e Peshkimit në fshatin Radhimë. Zgjidhni nga peshku i freskët i kapur dhe shijojeni atë me pamje nga porti i vogël.

Pasditja: Shëtitni pas drekës në Parkun Kombëtar të Llogarasë, një orë me makinë në jug të Vlorës. Shtegu i Qafës së Cezarit fillon jashtë hotelit ‘’Sofo Llogara’’ dhe ndjek rrugën që thuhet se ka ndjekur Jul Cezari në ndjekje të Pompeut, një gjeneral romak dhe rivalit të betuar të Cezarit. Ngjitja gjysmë ore gjarpëron përmes pyllit me pisha, duke kulmuar në një platformë me pamje mbi Gjirin e Vlorës.
Rruga që del nga malet ofron pamjen e parë të plazheve, por rezistojini tundimit të tyre dhe vazhdoni drejt gjirit të Porto Palermos. Një fortesë, e ndërtuar në vitin 1804 nga Ali Pashë Tepelena, që ruan hyrjen në portin natyror të gjirit. Do të shihni korridore dhe dhoma të zymta, duke përfshirë një burg të frikshëm të errët.

Mbrëmja: Vazhdoni të shkoni drejt jugut për një shëtitje përgjatë shëtitores së ndriçuar nga llambat midis bareve të ndritshme dhe plazhit me guralecë të fshatit Qeparo Fushë. Bari i koktejleve ‘’Sunset Boulevard’’ bën një mojito të jashtëzakonshme me limona vendas dhe është një vend i shkëlqyer për të parë perëndimin e diellit përtej ishullit grek të Korfuzit, i cili shtrihet pak në perëndim të bregdetit shqiptar.
Një udhëtim i shkurtër me makinë nëpër kodra të çon në Qeparo Fshat, i cili paraqet një mënyrë jetese më tradicionale. Pas rënies së komunizmit, ai u tkurr, por zemra e tij mbetet e paprekur. Në restorantin ‘’Ida & Xhorxhi’’, Ida Thanasi ofron çdo gjë të freskët dhe të stinës për klientët për të ngrënë në verandën e mbuluar me hardhi, ndërsa burri i saj Xhorxhi ju shërben raki.

Dita e dytë: Shkoni pranë ujit

Mëngjesi: Pas një mëngjesi me petulla të buta dhe kafe turke, kthehuni në restorantin ‘’Ida & Xhorxhi’’, shëtitni nëpër rrugicat e pjerrëta të Qeparo Fshatit. Shumë nga shtëpitë e rrënuara po rindërtohen duke përdorur materiale të rikuperuara nga prona të tjera të braktisura, për të ruajtur estetikën origjinale të fshatit. Rrugicat të çojnë në pamje panoramike, me pamje nga bregdeti ose luginat malore. Kthehuni dhe shkoni në plazhin e Bunecit. Ujërat e buta këtu janë ideale për t’u zhytur nga skela prej guri ose për të eksploruar me kajak ose dërrasë me vozitje më këmbë.

Pasditja: Ndiqni shtegun përgjatë Bunecit deri në jug për një drekë me kocë deti të pjekur në skarë nën çatinë prej kashte të tavernës ‘’Nikolas’’. Pastaj, largohuni nga bregu drejt burimit të Syrit të Kaltër. Ai del nga thellësia poshtë lumit Bistricë, duke krijuar një pellg të errët si iris brenda blusë dhe jeshiles së rrethinave më të cekëta. Dikur, vetëm ish-diktatori Enver Hoxha dhe zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste lejoheshin ta vizitonin, por tani është një nga vendet më të njohura të Shqipërisë. Një shëtitje 20-minutëshe nga parkingu i makinave të çon në një platformë vëzhgimi që ofron pamjet më të mira poshtë humnerës. Noti në Syrin e Kaltër nuk lejohet, por mund të përballeni me lumin e ftohtë vetëm gjatë një shëtitjeje të shkurtër poshtë rrjedhës së lumit.

Mbrëmja: Kthehuni drejt bregdetit, duke shkuar drejt Liqenit të Butrintit. Ujërat e tij të cekëta dhe të kripura janë perfekte për rritjen e midhjeve, dhe fermeri Soraldo Nebo organizon ture me varkë për të demonstruar se si janë mbledhur molusqet këtu për shekuj me radhë. Më pas, shikojeni atë duke përgatitur molusqet – të ziera në avull në një lëng hudhre ose të kripura dhe të pjekura në skarë – dhe provoni disa, të shoqëruara me një gotë verë të bardhë shqiptare.
Më pas shkoni gjysmë ore larg me makinë në plazhin privat të resortit ‘’Kep Merli’’, të fshehur në periferi të fshatit të zhurmshëm të Ksamilit. Vetëm një numër i caktuar vizitorësh ditorë lejohen në barin e plazhit; Rezervoni paraprakisht për të shijuar kokteje duke u relaksuar në rërën më të butë të Rivierës.

Tri vende arkeologjike për t’u vizituar

Orikumi

Në rrugën për në Orikum, në skajin jugor të Gjirit të Vlorës, ka pak gjëra që sugjerojnë se një vend historik ndodhet pak përpara. Fragmente bunkerësh të epokës komuniste gjenden në anë të rrugës, të ripërdorur si mbrojtje bregdetare; kuajt kullosin pranë kazermave të braktisura. Por, kjo harrohet shpejt ndërsa kthehesh në park, dikur një port i rëndësishëm tregtar, ku perandoritë e njëpasnjëshme kanë lënë gjurmët e tyre që nga shekulli VI. Blloqet e rrënuara të një porti helen zhyten në lagunë, të mbështetura nga mure perimetrale të përforcuara gjatë epokës bizantine. Shtigjet në kodër lidhin shtëpitë romake me një teatër grek. Edhe Jul Cezari ishte këtu në vitin 48 para Krishtit duke mbikëqyrur postin gjatë fushatës së tij të luftës civile kundër Pompeut.

Finiqi

Duke zënë një pozicion në majë të kodrës pranë qytetit të Sarandës, me pamje nga luginat dhe fushat përreth, Finiqi ishte një qendër e madhe e mbretërisë së lashtë greke të Epirit. Ka më pak vizitorë sesa parqet e tjera arkeologjike në zonë, por është i bekuar me bukuri natyrore, me një shtresë lulesh të egra që çelin të verdhë, rozë, të bardhë dhe blu midis blloqeve të lashta. Një teatër helen i lakuar ndodhet brenda një kodre, dikur i pozicionuar në mënyrë perfekte akustike; sot, ai i bën jehonë tingullit të zilkave të dhive nëpër lugina. Në kontrast me mbetjet e antikitetit, një kompleks i vogël bunkerësh të epokës komuniste, të lidhur nga një rrjet tunelesh, krijon një ‘’përleshje’’ interesante nëntokësore.

Butrinti

Mbi 2 500 vjet histori janë të shtresuara mbi këtë qytet të lashtë, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në skajin jugor të Rivierës. Siç është rasti me Orikumin, perandoritë pushtuese ndërtuan mbi atë që kishte qenë më parë, duke krijuar një përzierje kulturash dhe stilesh. Ndërtesat e lashta greke, romake, bizantine dhe veneciane janë të gjitha të shpërndara brenda mureve të mëdha rrethuese prej guri gëlqeror, me shumë të tilla që zbulohen çdo vit. Në kulmin e saj, deri në 16 000 banorë jetonin këtu, duke përdorur banjot romake, një forum dhe një nimfe. Më mbresëlënëse janë mbetjet e ujësjellësit romak, i cili dikur shtrihej shumë larg liqenit të Butrintit, duke sjellë ujë burimi nga kodra të largëta./atsh/ KultPlus.com

Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe pas vdekjes së saj

Nga Jonathan Wright

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.

Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?

Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al/KultPlus.com

Kumbaro: Hapësira të përmirësuara publike në plazhin e Velipojës

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës mbetet ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj.

I cilësuar si një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, Velipoja këtë sezon turistik ka një përmirësim të dukshëm në hapësirat publike.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale përshtypjet e disa pushuesve për këtë plazh.

“Velipoja këtë sezon veror sjell një përvojë të përmirësuar me hapësirat publike, rregullin dhe pastërtinë në plazhe për të gjithë pushuesit, veçanërisht ata të Kosovës që janë vizitorët më besnikë të saj”, theksoi Kumbaro.

Një pushues nga Kosova u shpreh se “vij prej 16 vitesh në plazhin e Velipojës, hapësirat publike i kanë përmirësuar shumë”.

Një tjetër pushues u shpreh se këtë vit është më mirë se vitet e tjera. “I kam parë të gjitha plazhet, por Velipoja është më e mirë se të tjerat”, tha ai.

“Këtu çmimet janë më të lira, çadrat variojnë nga 500 lekë deri në 700 lekë. Ambienti është shumë i mirë, pse mos ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ushqimi është shumë i mirë”, tha një tjetër pushues nga Kosova.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit kanë sjellë rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Velipoja njihet për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues.

Cila është gruaja misterioze së cilës i madhi Ludwig van Beethoven i shkruante këtë letër, më 6 korrik 1806?!

Nga Albert Vataj

Ludwig van Beethoven (1770-1827), ishte dhe mbeti në historinë e muzikës si një nga kompozitorët më të famshme të historisë. Ai vdiq në moshën 57-vjeçare duke marrë me vete në varr një sekret të madh, atë të gruas misterioze, së cilës ai i shkruan me kaq pasion dhe zjarr dashurie.

Pas vdekjes së tij, një letër dashurie është gjetur në gjërat e vlefta që kanë lënë si testament. Ajo letër është shkruar për një grua të panjohur që Beethoven thjesht e quante “e pavdekshmja dashuri.”

Bota dhe adhuruesit e Beethoven nuk do të mund të njohin kurrë, as të përfytyrojnë dot profilin e gruas misterioze, asaj gruaje, së cilës kompozitori i madh i shkruan me kaq zjarr dhe pasion, gruas që kishte mundur të hynte kaq thellë në zemrën e tij, dhe kishte trazuar kaq keqaz këtë shpirt të stolisur me virtytet e një hyu.

Një dashuri e tillë e rrethuar me mantelin e ngrohtë të ndjenjave dhe e mbetur qëllimisht jashtë vëmendjes së publikut dhe kyçur në mister, duket se kishte ardhur jo dhe aq si një manifestim hiresh dhe pasioni, se sa si një trandje e themeltë e këtij kurmi që gjithë jetën e tij i’a kishte kushtuar asaj, muzikës, të vetmes gjë të hyjshme që Zoti kishte pranuar të zbriste në tokë.

Ludwig van Beethoven e jetësoi këtë dashuri mes notash e fletëve të pentagramit, mes vijash ngjethëse muzikore, mes gjëmimit të ojmt të larushisë së ngjyrave që ai derdhi në kompozimet e veprave të tij monumentale. Kompozime të tilla si Moonlight Sonata si dhe shumë simfoni të Beethoven kanë shprehur me elokuencë tragjiken e një marrëdhënie të mbetur përgjithmonë sekret.

Letra

Engjëlli im, gjithësia ime, ti, vetvetja ime! Po të them vetëm pak fjalë sot, e po i shkruaj me lapsin tënd. Boshllëku që më le nuk do të mbushet deri nesër; ç’humbje e pavlerë e kohës!

Përse është i nevojshëm gjithë ky trishtim?

Nuk ka tjetër gjë veç sakrificës dhe kufizimeve për dashurinë tonë?

A bën dot ti të mos jesh në gjithçka e imja, apo unë mos jem i gjithi i yti?

Zot!

Shiko këto bukuri të natyrës dhe ngroh shpirtin me atë që duhet të jetë.

Dashuria kërkon gjithçka dhe kjo me plot të drejtë, sepse është me mua tani, njësoj siç je edhe ti. Nëse trupat tonë do ishin të bashkuar, ti do të ndjeje të njëjtën dhimbje si dhe unë.

Tani një ndryshim, nga ajo që shohim jashtë, te ajo që jemi brenda. Me siguri to të shihemi disi më shpesh. Nuk mund të t’i them dot të gjitha ato që kam vënë re në jetën time këto ditë të fundit.

Nëse zemrat tona do ishin pranë e pranë, sigurisht nuk do mund të shihja asgjë ç’kam parë.

Zemrën e kam plot me ato që dua të të them, por ka momente kur mendoj se fjalët nuk thonë dot asgjë. Por gëzohu!

Qëndro thesari im i vërtetë, gjithçkaja ime ashtu siç jam unë i yti.

Zotat më pas do na japin atë që ata mendojnë se do jetë më e mira për ne./ KultPlus.com

Miku i madh i shqiptarëve George Bush feston 79-vjetorin e lindjes

George Bush lindi më 6 korrik të vitit 1946 në New Haven, Connecticut. Bush ishte presidenti i 43-të i vendit. Është djali më i madhi i ish presidentit amerikan George H. W. Bush. Para se te zgjidhej si president ka qenë governatori i 46-shtë i Teksasit qe prej 1995. Bush u rizgjodh president në vitin 2004.

Ndërmjet viteve 1968 dhe 1973, Bush shërbeu si pilot për Rojen Kombëtare Ajrore të Teksasit. Më 1975 ai filloi karrierën profesionale të tij në biznesin e naftës dhe gazit, të cilën e la më 1986. Më 1988 ai u përfshi aktivisht në fushatën e suksesshme të babait të tij për presidencën dhe më 1989, së bashku me një grup investitorësh, bleu ekipin profesionist të bejsbollit Texas Rangers, për të shërbyer si partneri administrues i përgjithshëm i tij deri në nëntor 1994, kur u zgjodh guvernator i Teksasit. Më 1998 Bush krijoi një precedent duke u rizgjedhur për një mandat të dytë katër-vjeçar si guvernator i Teksasit.

Në vitin 2006, Kongresi u rimor nga Partia Demokratike dhe u vështirësua vendimmarrja gjatë 2 vjecarit të fundit. Në Dhjetor 2007 u shfaqën dhe shenjat e para të recensionit dhe krizës ekonomike botërore, gjë që do e kthente George Bush në një nga presidentët më pak të pëlqyer në historinë modern të ShBA-ve. Në kuadër të luftës së tij kundër terrorizmit, Bush i kushtoi rëndësi të madhe dhe aleancave ushtarake, si NATO dhe luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të NATO dhe në muajt e fundit të mandatit të tij të dytë, firmosi dhe për zgjerimin e aleancës me Kroacinë dhe Shqipërinë. Rol të rëndësishëm luajti dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e saj nga shtetet perëndimore. Pavarësisht pëlqimit të ulët nga populli amerikan, së bashku me Bill Clinton, George Bush mbetet një nga presidentët e figurat më të dashura për popullin shqiptar. /KultPlus.com

Frida Kahlo, artistja që pikturoi jetën e saj

Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.

Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.

U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.

Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.

Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi  punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.

Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.

Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.

Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com

Berati me turistë në çdo stinë, mbi 370 mijë nga janari deri në maj

Berati mbetet tërheqës për vizitorët e huaj dhe ata vendas, jo vetëm për bukuritë historike, por edhe për ofertat e pasura të agroturizmit dhe përvojat autentike që ofron.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-maj 2025 qyteti ka pritur rreth 370 mijë turistë, një rritje e dukshme prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Sipas saj, shifrat e turistëve nuk janë të vetmet që reflektojnë rritje.

“Netqëndrimet gjithashtu janë në rritje, aktivitetet ku turistët përfshihen janë në rritje. Përveç vizitave në monumentet historike, apo turizmit të aventurës, turistët mund të marrin pjesë në degustime vere, ekspozita artizanale dhe ngjarje folklorike që sjellin në jetë traditat e pasura të rajonit”, theksoi Merdani.

Merdani u shpreh se “bashkia e Beratit po organizon një sërë aktivitetesh, të cilat, si çdo vit, ndikojnë në rritjen e fluksit të vizitorëve”.

“Më e bukura është se në Berat nuk ka më nisje dhe as mbyllje të sezonit. Turistët e zgjedhin në çdo ditë të vitit, se kurdoherë ka shumë për të ofruar. Ndër atraksionet më të vizituara vijojnë të jenë Kalaja, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, ndërsa në qark më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik etj.”, shtoi Merdani.

Arkitektura interesante e Beratit dhe trashëgimia që mbart e bëjnë këtë qytet vërtetë të rrallë dhe ndër më të vizituarit në vend.

“Thompson” mbledh gjysmë milioni shikues në Zagreb

Kryeqyteti i Kroacisë nuk ka përjetuar kurrë një tension të tillë në prag të një eventi kulturor. Koncerti i këngëtarit nacionalist të djathtë, Marko Perkoviq, i njohur edhe si “Thompson”, që është zhvilluar mbrëmë në Zagreb, tejkalon të gjitha eventet e krahasueshme.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pikëpamjet ekstreme politike të muzikantit 58-vjeçar, i cili e quan veten sipas mitralozit “Thompson” që përdori në luftën e Kroacisë për pavarësi nga viti 1992 deri në vitin 1995.

E diskutueshme është po ashtu se si qyteti me 800,000 banorë do të përballojë afërsisht 500,000 shikues të koncertit që kanë blerë bileta paraprakisht deri më sot, raporton DW.

Duke pasur parasysh këtë turmë, thuhet se ekziston frika e një kolapsit të trafikut, kujdesit shëndetësor dhe sigurisë publike në skenarin më të keq. Edhe sigurimi i koncertit është një sfidë për Kroacinë, një vend me katër milionë banorë. Kësaj i shtohen shërbimet e emergjencës, parkimi dhe transporti publik.

Në të njëjtën kohë, debati rreth arsyeve të popullaritetit të Perkoviq vazhdon. Është e padiskutueshme që paraqitjet e “Thompson” në festime të ndryshme të fitores së ekipit kombëtar kroat të futbollit dhanë një kontribut të madh në karrierën e tij.

Politikanë kryesorë nga shteti më i ri anëtar i BE-së ishin të pranishëm në disa raste – edhe pse “Thompson” i lavdëron hapur fashistët ustashë kroatë, të cilët ishin aleatë me Gjermaninë e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore, në këngët dhe koncertet e tij.

Ekstremizëm i djathtë i pranueshëm?

“Duke pasur parasysh zhvendosjen e përgjithshme djathtas, jo vetëm në Kroaci, por në të gjithë Evropën dhe botën, popullariteti i Thompson nuk është i habitshëm”, thotë muzikologia dhe historiania Lada Durakoviq në një intervistë me DW.

Në Kroaci, arsyeja e suksesit të këngëtarit ekstremist të krahut të djathtë është më pak lufta midis kroatëve dhe serbëve në vitet 1990 sesa pushtimi serb i një të tretës së Kroacisë në vitin 1992 dhe çlirimi i mëvonshëm i vendit në vitin 1995. Gjatë kësaj periudhe, ekstremizmi i krahut të djathtë u bë i pranueshëm në shoqërinë kroate – me iniciativën e elitave të vendit.

Për shembull, përdorimi i përshëndetjes ustashe “Për atdheun – gati!” (kroatisht: Za dom – spremni) u legalizua. Thompson e përdor përshëndetjen në performancat e tij, për shembull, si hyrje në hitin e tij të parë dhe ndoshta më të madh, “Cavoglave” – ​​emri i fshatit nga vjen këngëtari dhe të cilin e mbrojti kundër luftëtarëve serbë gjatë luftës. Perkoviq demonstron hapur edhe qëndrimin e tij pro-kroat në këngë të tjera, të tilla si “Lijepa li si” (Sa e bukur je), në të cilën ai përshkruan një rajon të Bosnjë-Hercegovinës fqinje si pjesë të Kroacisë.

Reagimi ndaj frustrimit të thellë shoqëror

“Në një vend ku Akademia e Shkencave dhe Arteve e zbardh ikonografinë ustashe, simbolet ustashe në koncertet e Thompson nuk janë një skandal, por pjesë e procesit të normalizimit institucional të revizionizmit historik”, thotë Lada Durakoviq.

Në këtë drejtim, Perkoviq është “pjesë e një politike kulturore të miratuar nga shteti”. Për të paktën një pjesë të audiencës, popullariteti i Thompson është një vendim i vetëdijshëm ideologjik: “Këta njerëz ndajnë narrativen e tij; ata mbështesin banalizimin dhe relativizmin e krimeve fashiste”.

Por është një thjeshtëzim i tepërt të shikosh popullaritetin e këngëtarit ekstremist të krahut të djathtë vetëm nga një perspektivë politike. Muzika e tij është të paktën po aq e rëndësishme: “Modele hard rock ose heavy metal me refrene melodike dhe ritme të forta, tranzicione të thjeshta harmonike, kitara të shtrembëruara, bateri të fuqishme, përdorimi i instrumenteve tradicionale dhe vokale të artikuluara dominuese emocionalisht – ky është thelbi i apelit të Thompson”, thotë Durakoviq.

“Thompson ofron përgjigje për probleme të tilla si pasiguria materiale, çorientimi kulturor, boshllëku simbolik. Kush jemi ne? Çfarë kemi mbijetuar? Për çfarë kemi luftuar? A është kjo Kroacia që ëndërruam? Dhe përgjigjet e tij janë: Vuajtja juaj është legjitime, përkatësia ndaj popullit kroat është e shenjtë, sakrifica juaj është e vërtetë dhe historike”. “Thompson” është “një hartë e qëndrueshme afektive” për shumë njerëz në Kroaci, vazhdon Durakoviq. “E di si ndiheni – dhe muzika ime konfirmon se keni të drejtë”, thotë ai.

Prandaj, Perkoviq nuk është si “çdo këngëtar, por një qendër emocionale për mijëra, një rregullator i ndjenjës së identitetit, një prodhues i një lloj kohezioni afektiv kolektiv që përcjell një ndjenjë rendi, kuptimi dhe përkatësie në një shoqëri me pasiguri të thellë”.

Rama: Pamje magjepsëse nga Liqeni i Zambakëve në Shkodër

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv.

Një ndër itineraret më të vizituara të këtij liqeni është ai në pjesën lindore, ku ndodhen edhe zambakët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo pjesë e liqenit, që për turistët që e vizitojnë mbetet një eksperiencë unike.

“Pamje magjepsëse nga Liqeni i Zambakëve në Shkodër”, shkruan Rama.

Duke qenë se Liqeni i Shkodrës është zonë e mbrojtur, është habitati i disa shpendëve, por edhe i zambakut të bardhë dhe të verdhë, të cilët ndodhen në pjesën lindore të liqenit.

Zambaku si i bardhë ashtu dhe i verdhë shtrihen në një pjesë të konsiderueshme në pjesën lindore të liqenit. E veçantë e këtyre zambakëve është se ata ndryshojnë nga njëri-tjetri, si nga forma, ngjyra gjethja dhe madhësia.

Por e rëndësishme është se zambaku i bardhë është habitati kryesor ku folezon dallëndyshja faqebardhë (Chlidonias hybrida), e vetmja familje e këtij shpendi që folezon në Liqenin e Shkodrës.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madhi në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.

Dalai Lama feston sot 90-vjetorin e lindjes

Dalai Lama feston sot 90-vjetorin e lindjes.

Mijëra besimtarë nga e gjithë bota kanë udhëtuar për në Dharamshala, qytetin e vogël indian rrëzë të Himalajeve ku jeton Dalai Lama, për të shënuar këtë rast.

Këtu përfshihet edhe ndjekësi i tij i hershëm dhe ylli i Hollivudit, Richard Gere, i cili do të flasë gjatë festimeve për laureatin e Çmimit Nobel, i cili konsiderohet si një nga udhëheqësit fetarë më me ndikim në botë dhe adhurohet nga miliona budistë tibetianë si manifestimi i gjallë i Chenrezig, perëndisë budiste të dhembshurisë.

Devotees in their traditional dress wait for the arrival of the Tibetan spiritual leader. Pic: AP/Ashwini Bhatia

Eventet për ditëlindjen e Dalai Lamës filluan të hënën, gjë që shënoi 90-vjetorin e tij në kalendarin tibetian, gjashtë ditë para ditëlindjes së tij në kalendarin gregorian të dielën.

Të shtunën, Dalai Lama tha se shpresonte të jetonte edhe për dekada të tëra, deri në moshën 130 vjeç, transmeton Klankosova.tv.

Devotees wait in the rain for the arrival of the Dalai Lama at an event celebrating his birthday. Pic: AP/Ashwini Bhatia

Fyelli

Poezi nga Naim Frashëri

Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.

Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!

Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!

Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.

Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!

Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.

Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.

Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.

Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!

I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.

I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.

Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,

Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.

More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë./ KultPlus.com

‘Monologu i të vetmuarit’

Poezi nga Ismail Kadare

Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim.
Këtu ku kam arritur më ftohtë është, me vetmi.
E dija këtë, por padurimi i vdekur
Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.

Krahë grashë të thyera mbi supe si të prera nga një morg
Më japin një gëzim po aq të vdekur.
Më duket ende dimër ndonëse është prill.
Kam ftohtë.
Kam ftohtë./KultPlus.com

‘Një kalimtareje’

– Poezi nga Charles Baudelaire

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga dramaturgu Henrik Ibsen

Henrik Johan Ibsen ishte një dramaturg norvegjez dhe drejtor teatri.

Si një nga themeluesit e modernizmit në teatër, Ibsen shpesh quhet “babai i realizmit” dhe një nga dramaturgët më me ndikim të kohës së tij.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura të tij:

“Asnjëherë nuk duhet të vishni pantallonat tuaja më të mira kur dilni për të luftuar për lirinë dhe të vërtetën.”

“Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë.”

“Mendoj se ju nuk do të kundërshtoni faktin se për momentin njerëzit budallenj janë në një shumicë absolutisht dërrmuese në të gjithë botën.”

“E shihni, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm.”

“Ti nuk me ke dashur kurre. Ju keni menduar vetëm se është e këndshme të jesh i dashuruar me mua.”

“Një mijë fjalë nuk lënë të njëjtën përshtypje të thellë si një vepër e vetme.”

“E shihni, ka disa njerëz që dikush i do dhe të tjerë me të cilët ndoshta do të preferonte të ishte me ta.”

“Unë duhet të vendos se kush ka të drejtë – shoqëria apo unë.”

“Burrat më të fortë janë më të vetmuarit.”

“Unë besoj se para çdo gjëje jam një qenie njerëzore e arsyeshme, ashtu si ju-ose, në çdo rast, që duhet të përpiqem dhe të bëhem një.”

“Paraja mund të jetë lëvozhga e shumë gjërave, por jo thelbi. Ju sjell ushqim, por jo oreks; mjekim, por jo shëndet; njohje, por jo miq; shërbëtorë, por jo besnikëri; ditë gëzimi, por jo paqe apo lumturi.”

“Nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga babai dhe nëna jonë që ecën në ne. Janë të gjitha llojet e ideve të vdekura, dhe besimet e vjetra pa jetë, e kështu me radhë. Ato nuk kanë vitalitet, por na ngjiten të gjithë njësoj, dhe ne nuk mund t’i heqim qafe.”

“Opinioni publik është një gjë jashtëzakonisht e ndryshueshme.”

“Me mua mund të ishe një person tjetër.”

“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë mes nesh është shumica kompakte.”

“Kafazoni një shqiponjë dhe do të kafshojë telat, qofshin ato hekuri ose ari.”

“Është çlirim të dish se një akt guximi spontan është ende i mundur në këtë botë. Një akt që ka diçka të bukurisë së pakushtëzuar.”

“Jeta e një personi është një çmimi i rëndë për të paguar që lindëm.”

“Unë jam në revoltë kundër gënjeshtrës shekullore se shumica ka gjithmonë të drejtë.”

“Ka kaq shumë gënjeshtra si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Në shtëpi nuk duhet të flasësh, dhe në shkollë duhet të qëndrojmë dhe t’u themi gënjeshtra fëmijëve.”

“Unë do të rrezikoj gjithçka së bashku me ty.”

“Ka njerëz që i do dhe të tjerë me të cilët të pëlqen të flasësh.”

“Mos më thuaj që hëna po shkëlqen; më trego dritë që shkëlqen në xhamin e thyer.”

“Kushdo që e ka shitur veten për dikë tjetër nuk do ta bëjë përsëri.”

“Njerëzit duan vetëm revolucione të veçanta, në ato të jashtme, në politikë, etj. Por kjo është vetëm ngatërrim. Ajo për të cilën vërtet kërkohet është një revolucion i mendjes njerëzore.”

“Çdo gjë që prek duket se është e destinuar të kthehet në diçka të poshtër dhe farsë.”

“Idhulli i Autoritetit duhet të thyhet në këtë qytet.”

“Shumica gabon gjithmonë; pakica ka rrallë të drejtë.”

“Janë humbjet e vogla në jetë që e prenë zemrën.”

“Burrat janë personazhe qesharakë, ata gjithmonë duhet të kenë diçka për t’i habitur.”

“Ti ke bërë një vend bosh brenda meje; dhe duhet të përpiqem ta mbush me diçka – me diçka që është paksa si dashuria.”

“Mendova se e kuptove se ku e kisha humbur atë që ti e quaje zemrën time në atë kohë.”

“Sado i mjerë të ndihem, dua të zgjas agoninë sa më gjatë që të jetë e mundur. Të gjithë pacientët e mi janë të tillë. Dhe kështu janë ata që janë të sëmurë moralë ..”

“Zot i mirë, njerëzit nuk bëjnë gjëra të tilla!”/KultPlus.com

Një poemë

Poezi nga Charles Bukowksi

Një poemë është një qytet i mbushur me rrugë dhe kanale
me shenjtorë, heronj, lypës, të çmendur,
me banalitet dhe dehje sarhoshësh,
me shi dhe bubullima dhe periudha
thatësire, një poemë është një qytet në luftë,
… një poemë është një qytet që i kërkon përsenë një ore,
një poemë është një qytet në flakë,
një poemë është një qytet në armë
berberhanet e saj për burra të mbushura me pijanecë cinikë,
një poemë është një qytet ku Zoti kalëron lakuriq
nëpër rrugë si Lady Godiva,
ku qentë lehin natën, dhe përndjekin
flamurin ; një poemë është një qytet poetësh,
shumica mjaft të ngjashëm
dhe ziliqarë e idhnakë…
një poemë është ky qytet tani,
50 milje larg nga askund,
në 9.09 të mëngjesit,
shija e alkoolit dhe cigareve,
pa polici, pa të dashuruar, duke ecur nëpër rrugë,
kjo poemë, ky qytet, që i mbyll dyert,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
funebër pa lot, që mplaket pa mëshirë,
malet prej shkëmbi të ashpër,
oqeani si një flakë lavande,
një hënë pa madhështi,
një muzikë e vogël e ardhur nga dritare të thyera…
një poemë është një qytet, një poemë është një komb,
një poemë është bota…
dhe tani po e fus këtë nën gotë
për shqyrtimin e hollësishëm të botuesit të çmendur,
dhe nata është gjithandej
dhe ca zonja të zbehta të thinjura mbajnë radhën,
një qen ndjek një qen deri në gji,
trompetat thërrasin trekëmbëshin,
ndërkohë që ca njerëz të vegjël dërdëllisin mbi gjëra
që s’mund t’i bëjnë./KultPlus.com

Dashuri pas dashurie

Poezi e shkruar nga autori Derek Walcott. 

Do vijë një ditë
kur, tërë hare,
vetvetes do i thuash tungjatjeta
në prag të derës tënde, para pasqyrës tënde,
dhe do i uroni mirëseardhjen njeri-tjetrit,
duke i thënë, pa ulu ca. Ha diçka.
Do e duash përsëri të panjohurin, vetveten.
Nxirr verë. Nxirr bukën. Ktheja zemrën që i ke marrë
vetvetes, këtij të panjohuri që të ka dashur
gjithë jetën tënde, dhe ti s’e ke përfillur
ngase doje dikë tjetër, që të njihte me sy mbyllur.
Hiq letrat e dashurisë nga rafti
fotografitë, shënimet dëshpërake,
qëroje pamjen tënde prej pasqyrës.
Ulu. Kremto jetën.
Shqipërim nga Edon Qesari./KultPlus.com

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në Paris

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i autorit Jusuf Buxhovi, i përkthyer në gjuhën frënge nga Odette Marquet, i cili mban titullin “Qui resiste a la peste resiste au diable” (Ai që i bën ballë murtajës i bën ballë edhe djallit), është botuar nga botuesi i njohur francez “L’Harmattan” në Paris.

Nga Alfred Beka

Pas botimit në serbokroatisht (1986) dhe në sllovenisht (1990), romani i shkrimtarit të mirënjohu Jusuf Buxhovi, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, u botua edhe në gjuhën frënge. I përkthyer në gjuhën frënge nga Odette Marquet, romani mban titullin “Quie resiste a la peste resiste au diable” (Ai që i bën ballë murtajës i bën ballë edhe djallit). Krahas përkthimit, romani shoqëroret me pasthënien e eseistit shqiptar Alexsandre Zotos (profesor në Universitetin Saint Etienne të Parisit) si dhe një bisedë të gjatë të publicistit Michel Riviere me autorin rreth problemeve kulturore dhe politike të botës shqiptare në raport me qytetërimin perëndimor.

Botuesi i njohur i Parisit “L’Harmattan”, i cili është botuesi i dytë frankofon në botë, është përkujdesur që prezantimi i autori Buxhovi në Paris të jetë në një nivel sa më të lartë. Kështu, promovimi i veprës “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, në “Theatre du Lucernaire” në qendër të Parisit, ku rëndom paraqiten autorët e rëndësishëm botëror.

Në këtë promovim morën pjesë edhe ambasadorët e dy shteteve shqiptare në Paris, ai i Kosovës, Muhamedin Kullashi dhe ai i Shqipërisë, Ylljet Aliçkaj.

“Edhe kur dua t‘i iki historisë, ajo më ndjek dhe sikur nuk bën pa të”, kështu shprehej shkrimtari i madh gjerman, Gynter Gras, gjatë kohës kur sapo kishte botuar një prej romaneve të tij më të rinj, ku trajtonte ngjarjet që deri vonë ishin të paprekura që lidheshin me gjenocidin që është ushtruar ndaj gjermanëve të Prusisë dhe vendeve të tjera lindore, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore nga ana e rusëve, çekëve, por edhe e fitimtarëve. Kur nisi të shkruante “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, Jusuf Buxhovi e dinte se nuk mund t‘i shmangej historisë së vendit të tij, sado që personazhet që kërkonte të krijonte i donte të çliruar nga ajo çfarë ndodhte përditë me të. Historia është diçka e pashmangshme, aq më tepër për një shkrimtar që vjen në letërsi pas studimeve për histori. Por marrja me të do të thotë një hulumtim në gjërat e shkuara, ndoshta dhe për të korrigjuar ato mesazhe që janë përcjellë jo në mënyrën e duhur në kohët tona. Ndoshta kjo ishte ajo që e ngacmonte në kohët kur nisi të hidhte për herë të parë në letër “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, shënime që më pas do të ktheheshin në një nga romanet më të njohura të prozatorit kosovar. Libri, i cili vazhdon të jetë interesant edhe sot për mënyrën sesi tenton të ofrojë realitetin e një kohe, personazhet e së cilës janë realë në histori, vazhdon të mbetet si një nga prodhimet më të mira të prozës së Buxhovit, i cili vazhdon të jetë koherent në jetën artistike kosovare. Ish-gazetari i njohur, por dhe një figurë e rëndësishme e jetës intelektuale të Prishtinës, është shprehur kohë më parë se këtë roman, e ka parë edhe si një rrugëtim për të treguar rëndësinë që kanë proceset intelektuale në jetën e një vendi dhe që lëvizje të tilla gjithnjë janë progresive dhe të rëndësishme për rezultatet që sjellin. Dhe ndërsa ti je duke shfletuar këtë libër, të cilin ai e shkroi më shumë se 20 vjet më parë, kur për disa vjet jetoi në Gjermani, kupton se udhëtimi në personazhet historike, gjithnjë është një mënyrë për të kuptuar të tashmen. Historia mbart gjithnjë diçka përtej asaj që duket. Dhe librat që rreken të tregojnë këtë gjë, më shumë se historianët edhe në format e tyre letrare e tregojnë këtë gjë. “Ngado që sillesh ndodh historia, ndaj së cilës askush nuk mund të jetë indiferent. Në përputhje me këtë qëndrim sillem dhe do të sillem, gjë që faktet, kronikat, si dhe dokumentet e kohës paraqesin atë burimin e pashtershëm të vokacionit tim krijues me përkushtimin që ngjarjet t‘i kthej në të vërteta artistike”, shprehet Buxhovi në një intervistë. Dhe Gjon Nikollë Kazazi nuk është një emër i zakonshëm personazhi. Ai është një figurë e njohur historike që jo pa qëllim është marrë nga Buxhovi për të udhëtuar në viset e Kosovës ku e ndalon shkrimtari. Ai ishte një perlat i lartë katolik që shërbeu në Ballkan dhe u shqua për zbulimin e “Mesharit” të Gjon Buzukut, por edhe për qëndrimin prej një intelektuali që ishte i përcaktuar t‘u rrijë përballë lëvizjeve intelektuale dhe kulturore në ato rrethana. Nëse u referohemi zhvillimeve historike, veprimet e tij do të jenë të ngjashme me atë të pararendësve të tij si Budi, Bogdani dhe më vonë edhe Gjeçovi dhe të tjerët që ishin shkolluar në perëndim dhe përpiqeshin që kujtesën shpirtërore ta ushqenin me kulturën perëndimore, gjë që nuk ishte punë e lehtë. Por nuk është vetëm ky karakter një fakt historik në këtë roman. Sipas Buxhovit, fakti historik është edhe çështja e përhapjes së sëmundjes së murtajës në viset shqiptare në shekullin shtatëmbëdhjetë, e cila në disa relacione perëndimore vlerësohet “si e mundur pjesërisht nga mbrojtja që i është bërë nga njëfarë grrithjeje”, që nga aspekti i shkencës së mjekësisë shpjegohet me njëfarë autovaksinimi, që më vonë është përqafuar nga mjekësia me çka është aplikuar vaksinimi në masë, që njerëzimin e ka shpëtuar nga shkatërrimet. Kjo është gjuha e fakteve përzgjedhur nga Buxhovi. “Natyrisht se personaliteti i Kazazit dhe murtaja janë shfrytëzuar në kontekste që lidhen me të keqen që kërcënohet, që nuk mund të jetë spontane, por nga dika, si dhe të mirën, që po ashtu duhet të mos jetë spontane, por e organizuar dhe kjo mund të bëhet vetëm nga forcat intelektuale dhe të përgjegjshmit”, shprehet ai. Nëse u referohemi rrëfimeve që ai ka dhënë për këtë roman, duket se tendenca për të evidentuar një pjesë të historisë, e cila mund t‘i flasë të sotmes ka qenë qëllim i tij kur nisi të shkruante rreshtat e parë të këtij romani. Si një historian i mirë, ai e di se lëvizjet historike nuk mund të ndodhin pa praninë e intelektualëve. Lëvizjet të tilla intelektuale apo kulturore janë shenjat e para të atyre lëvizjeve që më vonë mund të shënohen në histori. Gjithçka nis nga revolucioni i mendjes, ndaj nuk mund të kemi procese nëse mendja nuk nis të lëvizë. Ndoshta suksesi i librave të tij qëndron ndoshta edhe te mënyra se si ai orvatet për të treguar se çfarë sjellin realisht lëvizjet intelektuale në jetën e një vendi që ka nevojë për këto lëvizje. “Kazazi, por edhe personazhet e tjera që qëllimisht i kam veçuar nga historia, janë bartës të frymës civilizuese, që janë intelektualë të lartë dhe me sjelljet dhe veprat e tyre i takojnë kujtesës historike, ndërsa të tjerët janë revolucionarë, që rrënojnë për ‘të ndërtuar”‘ sistemet totalitare dhe ato që dihet se ku kanë çuar dhe ku kanë përfunduar”, rrëfen ai.

Libri i botuar n; vitin 1982, vazhdon të mbetet si një nga botimet më të mira të penës së Buxhovit, një botim të cilit mund t‘i rikthehesh shpesh për të evidentuar nëpërmjet laboratorit të tij krijues, ndodhi dhe fenomene që kanë shoqëruar jo vetëm jetën e Kosovës, por dhe historinë tonë të përbashkët. Me një stil të thjeshtë, Buxhovi na fton të ndjekim një botë ndoshta të panjohur për lexuesin shqiptar, ajo botë e burrave dhe odave të Kosovës, apo botën e shqetësuar të një shkrimtari për fatin e vendit të vet, i cili gjen të gjitha mënyrat duke thirrur në ndihmë edhe historinë për të përcjellë një mesazh nëpërmjet përfytyrimeve të fantazisë. Kjo është letërsia e Buxhovit, e cila nuk ka si të mos jetë një kontribut më tepër në situatat delikate që përcjellin vit pas viti a kohë pas kohe vendin më të brishtë të Ballkanit. “Dimri i fortë e sjell verën e mirë”, shkruan diku Buxhovi. Të shpresojmë se këto dimra do të jenë një verë e pafund jo vetëm për Kosovën, por edhe për letërsinë e saj, e cila njihet shumë pak në gjysmën tjetër të saj. Dhe botimin e “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ne e gjetëm në fondin e librave të mbetura nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” e vetmja që botonte shkrimtarët kosovarë. Ndërsa sot që rrugët dhe komunikimi është i hapur është e vështirë të gjesh në libraritë e Tiranës libra të autorëve përtej kufirit. Ndërsa “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” edhe pse i vjetruar në letër, na rrëfen se në vendin ku krizat politike vazhdojnë letërsia qenka më e butë e më ekspresive se në vendet kur gjithçka shkon lehtë.(Gazeta “Shqip”)./KultPlus.com

Vexhi Buharaja, studiues e orientalist i famshëm shqiptar

Më 5 korrik 1987, u nda nga jeta Vexhi Buharaja, poet, përkthyes, shkrimtar, historian dhe orientalist, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore lindore e perëndimore.

Buharaja lindi më 12 maj të vitit 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rridhte prej një familjeje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore e atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri.

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar.

Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë.

Në rrafshin e përkthimit njihet ndër të tjera për shqipërimin nga gjuha perse të veprave të Naim Frashërit. Në shtypin shqiptar, emri i tij do të lakohej më së shumti me publikimet e tij në revistën “Kultura Islame”, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, Buharaja ka kontribuar në përkthimin në shqip të dokumenteve në gjuhën osmane të Insitutit të Historisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit./atsh/KultPlus.com

35 vite nga okupimi i Radio Televizionit të Prishtinës

Më 5 korrik të vitit 1990, forcat serbe me urdhër të Qeverisë së tyre ndaluan transmetimin e Radio Televizionet të Prishtinës.

RTP ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990.

Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë.

Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Deri atëherë, i vetmi medium informativ ishte Radio Prishtina (në funksion prej vitit 1945). Do të kalonin 19 vjet deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974.

Pas mbarimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, u hap rruga për themelimin e televizioneve kosovare në mënyrë të lirë. Njëri prej tyre ishte Radio Televizioni i Kosovës i cili mori vend në të njëjtën ndërtesë si ish-RTP, në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë.


Në fillim të vitit 1974, RTP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e pastaj dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim.

Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi.

Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi.

Në objektin e RTP-së sot, punon Radio Televizioni Publik i Kosovës./ KultPlus.com

Qasje transdiciplinare ndaj dijes, shpirtërores dhe vetëdijes globale në veprën “Ani” të Fahredin Shehut

Nga Rahoveci i vogël i Kosovës, i njohur për heshtjen e mençur, vreshtat e tij të përjetshëm dhe gjurmët e thella shpirtërore , ka shpërthyer një zë që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe disiplinorë, zëri i Fahredin Shehut. Në këtë vend të heshtur, ku fryma e natyrës jehon më thellë se zhurma e qyteteve, është pjekur një vetëdije që rezonon me universin.. Rahoveci nuk është vetëm vendlindje e autorit; është trualli metafizik ku është ngjizur mendimi i tij. Aty ka marrë frymë për herë të parë dija që më pas u artikulua në veprën ANI!, një nga librat më të guximshëm dhe origjinalë të mendimit bashkëkohor shqiptar dhe më gjerë.

Shkruan: Musa Bushrani

Libri ANI! i autorit Fahredin Shehu është një ndër veprat më novatore të mendimit bashkëkohor filozofik, shpirtëror dhe kognitiv. Strukturuar në dymbëdhjetë libra tematikë, ai përshkon një udhëtim tridhjetëvjeçar që tejkalon kufijtë e letërsisë, shkencës, mistikës dhe estetikës, për të ndërtuar një paradigmë të re që autori e quan Observimi i një Universi Asemik. ANI! nuk është thjesht libër, por një manifest meditativ dhe epistemologjik, që trajton temat e mistikës, okultizmit, teurgjisë, mirëmbajtjes së trupit e mendjes dhe shpalos nocione origjinale si Këtutania, Vetëmashtrimi, Zoorkanah dhe ANI – një formulë e përmbledhur e vetëdijes kozmike.

Libri ANI! i Fahredin Shehut shpaloset në formën e një udhëtimi të thellë shpirtëror dhe filozofik, të ndarë në dymbëdhjetë libra tematikë që përbëjnë bashkë një korpus unik të dijes dhe të ndërgjegjes. Secila pjesë ndërton shtresë mbi shtresë një vizion të ri për njeriun, universin dhe vetëdijen.

Pjesa hyrëse vendos themelet e kësaj vepre monumentale. Ajo përvijon qëllimin e përgjithshëm të librit: të zgjojë vetëdijen universale përmes një paradigme të re që autori e quan “observim asemik”. Kjo hyrje nuk është vetëm prezantim, por manifest filozofik që sfidon kufijtë e sistemeve tradicionale të mendimit.

Më tej, kjo pjesë shpalos Zoorkanah-in si një udhë drejt ndriçimit të brendshëm, ku njeriu shndërrohet në një qenie që harmonizohet me frekuencat e universit.. Zoorkanah përfaqëson fuqinë krijuese që zhvillohet në heshtje dhe vepron në thellësi të shpirtit.

Në pjesën që trajton Vetëmashtimin, autori na përball me dramat e brendshme të ekzistencës. Ai eksploron mekanizmat e vetëkufizimit dhe iluzionet që njeriu ndërton rreth vetes, duke theksuar se vetëmashtimi është një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt qartësisë shpirtërore.

Këtutania, një nga konceptet origjinale të Shehut, paraqitet si një topografi e shpirtit. Ajo është hapësira imagjinare ku ndërtohen peizazhet e brendshme të përjetimit. Kjo pjesë i fton lexuesit të ecin në një hartë poetike të shpirtërores, ku çdo vend ka domethënie simbolike dhe përvojë të thellë.

Pjesa mbi Teurgjinë zhbiron ndërveprimin e njeriut me forcat e padukshme përmes riteve të pastra dhe qëllimeve të ndriçuara. Teurgjia këtu nuk është thjesht ritualizim, por një akt krijues që bart përgjegjësi të thellë shpirtërore dhe etikë hyjnore.

Marrëdhënia mes trupit dhe shpirtit trajtohet në një mënyrë të veçantë në kapitullin përkatës. Trupi, sipas Shehut, nuk është thjesht materie e rëndomtë, por një tempull i ndërgjegjes — një instrument përçues i energjisë hyjnore që duhet trajtuar me dashuri dhe vetëdije.

Në pjesën për etikën kozmike, autori ndërton një koncept të moralit që shkon përtej ligjeve njerëzore. Ai propozon një sistem të brendshëm harmonie dhe drejtpeshimi, të rrënjosur në strukturën shpirtërore të qenies dhe në rezonancë me ligjet universale.

Fjala, si një nga elementët themelorë të komunikimit dhe krijimit, trajtohet si një entitet i gjallë. Ajo ka energji, vibrim dhe ndikim real. Gjuha për Shehun është portë drejt transformimit dhe një ndër mjetet më të fuqishme për të shprehur të padukshmen.

Kapitulli mbi numerologjinë e trajton numrin si shprehje të rendit hyjnor. Kjo pjesë paraqet një vizion të thellë të lidhjes mes strukturës matematikore të realitetit dhe kuptimit të brendshëm që ajo mbart — një kod ezoterik për të lexuar jetën.

Kujtesa gjenetike është një nga pjesët më origjinale të librit, ku autori e sheh vetëdijen si bartëse të informacioneve të lashta përtej biologjisë. Shehu propozon që njeriu mund të qaset në këtë arkiv shpirtëror për të njohur më mirë veten dhe origjinën e vet.

Arti, sipas Shehut, nuk është thjesht përjetim estetik, por një gjuhë e të padukshmes. Në këtë pjesë, ai e koncepton artin si meditim, si mjet shpërfaqës i shenjtës dhe si mënyrë për të kapur atë që fjalët nuk arrijnë ta shprehin.

Libri përmbyllet me kapitullin për harmoninë, që paraqet një vizion të shoqërisë së ardhshme, ku dijet shkencore dhe përvojat shpirtërore bashkëjetojnë në ekuilibër. Harmonia për Shehun është qëllimi i lartë i evolucionit të vetëdijes njerëzore — një epokë e re teurgjike ku njeriu i ri do të jetojë në rezonancë me gjithësinë.

Nëpërmjet një qasjeje integruese ndaj dijes, Shehu sintetizon burime nga traditat lindore dhe perëndimore: nga filozofia klasike te neuroshkenca moderne, nga sofizmi te gnosticizmi, nga kabala e numerologjia, nga Pitagora e Ibn Sina te Tesla, Gregg Braden e Carl Sagan. Ai ndërton një estetikë artistiko-kognitive dhe artikulon një filozofi sintetike post-Spenceriane, duke çliruar vetëdijen nga iluzionet e modernitetit përmes një gjuhe poetike dhe reflektimi të thellë shpirtëror.

Autori vetë e përkufizon veprën si një DIVAN bashkëkohor, ku proza, poezia, eseja, drama, aforizmi, metafora dhe ndikimet janë të ndërthurura për të artikuluar të heshturën, të dukshmen, gjysmë të dukshmen dhe të padukshmen. Ky është një mekanizëm i tërë qenësor që ngërthen tinguj, vibrime, imazhe dhe e vendos lexuesin përballë një vetëdijeje që është fraktal i universit, ku artikulohet shenjtëria e hapësirës dhe relativizohet koha.

Fahredin Shehu i percepton brezat e njerëzimit si valë vetëdijeje. Ai fillon nga zaratustrianët dhe magët – dijetarët e Iranit të Lashtë – si bartës të dijes ezoterike dhe etikës kozmike. Brezat pasues janë mistikët e mëdhenj, të cilët transmetuan dijen hyjnore përmes formave fetare dhe rrugëve shpirtërore. Ndërkohë, brezi modern jeton në një krizë ku informacioni e ka zëvendësuar përvojën dhe fjala e tepërt e ka zbehur kuptimin: “Jetojmë në teprinë e informacioneve… në këtë shumësi fjalësh njeriu ndien nevojën që të izolohet, të dëgjojë vetveten.”

Në vizionin e Shehut, brezat e ardhshëm janë thirrur për të ndërtuar një vetëdije globale, ku dija dhe shpirti bashkëjetojnë në ekuilibër, në një epokë teurgjike të njerëzimit të ri.

Në këtë vepër, Shehu i ndan brezat sipas thellësisë së vetëdijes:

Zaratustrianët / Magët: bartës të dijes së heshtur dhe të ndriçuar.

Mistikët e mëdhenj: përçues të dijes hyjnore në format shpirtërore.

Brezat modernë: të zhytur në sipërfaqësi informacioni dhe imazhesh.

Brezat e ardhshëm: të thirrur për harmonizimin shkencor-shpirtëror.

Për lexuesin që pas ANI! kërkon të vazhdojë udhëtimin e vetëdijes dhe eksplorimit shpirtëror, pasues të natyrshëm janë vepra si The Book of Secrets nga Deepak Chopra, The Fourth Way nga G.I. Gurdjieff dhe Masnavi e Rumi-t. Këto vepra gërshetojnë përvojën mistike dhe qasjen holistike ndaj qenies njerëzore, duke e zgjatur jehonën që Shehu e fillon me ANI! – një jehonë që vazhdon të thërrasë lexuesin në një përfshirje të brendshme dhe universale.

Fahredin Shehu e shkroi veprën ANI! jo për t’u bërë i lexuar, por për t’u kuptuar. Ai e shkroi për kërkuesit që nuk kënaqen me dogma, që kërkojnë domethënie përtej fjalës, dije përtej librit dhe njohje përtej mendjes. “Nëse do të përmblidhej në një fjali thelbësore, atëherë: “Shehu e shkroi veprën ANI për ta shpëtuar të padukshmen nga heshtja dhe për t’i dhënë formë asaj që nuk ka fjalë.

Në fund të këtij udhëtimi përmes faqeve të librit ANI!, nuk mbetet veçse ta falënderojmë Fahredin Shehun,  jo vetëm si autor, por si një mik të dijes, një njeri që e ka kthyer jetën në përsiatje dhe përsiatjen në dritë. Ky libër nuk është një përmbyllje, por një fillim për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë përtej të dukshmes, që kërkojnë të shohin atje ku të tjerët shohin errësirë. Me ANI!, Shehu na fton të bëhemi bashkudhëtarë në një univers të brendshëm ku fjala nuk mbaron te tingulli, por fillon te kuptimi. Ky është një libër që të shikon ndërsa ti e lexon dhe një mik që të flet edhe kur je vetëm./KultPlus.com

Pablo Picasso dhe gratë, ana e errët e artistit të madh

Më 25 tetor 1881, lindi Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj të historisë, themeluesi i kubizmit. Ai hapi studion e tij të parë në moshën 16-vjeçare dhe vdiq në moshën 92-vjeçare, duke lënë rreth pesëmbëdhjetë mijë vepra, përfshirë piktura, vizatime, skica, qeramikë. Fiksimi i tij – përveç artit – ishin femrat, burimi i krijimtarisë së tij.

“Për mua, ekzistojnë vetëm dy lloje të grave: perëndesha dhe lecka”, tha Pablo Picasso. Burri që i donte gratë, ose ndoshta i urrente ato. Në moshën 85-vjeçare, në një intervistë të rrallë televizive, ai tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është dashuria”.

Gjatë gjithë ekzistencës së tij, eksperimentimi i shkëlqyer artistik i piktorit që simbolizon shekullin e njëzetë, shkon paralelisht me udhëtimin e bërë në kufijtë ekstremë të universit femëror. Gruaja, dashnorja, partnerja, frymëzuesja, gruaja për t’u përdorur, intelektualja, muza, modelja. Gratë në zemër të imagjinatës së tij, nga periudha blu dhe rozë deri te kubizmi, nga përvoja e Guernicës te qindra vizatime dhe skica, por edhe gra me të cilat u martua, i tradhtoi, i la, i çmendi.

Gratë me të cilat ai pati përvojat e para seksuale përmes shtëpive publike kur ishte 13 vjeç, së bashku me të atin. Femra të tërhequra nga gjenialiteti i tij, të joshura nga sytë e tij të ndezur nga pasioni. Gratë që kur ishte fëmijë ishin në qendër të një ekzistence unike: doña Maria, nëna që ai adhuronte dhe nga e cila mori mbiemrin, tezja Pepa, motrat Lola dhe Conchita.

“Ndjeshmëria e Picasso-s ndaj grave varionte nga butësia ekstreme në njërën anë deri tek urrejtja e dhunshme në tjetrën. Rruga e mesme ishte e pamundur, nëse jo e egër”, shkroi Patrick O’Brian, një nga biografët e tij.

“Pas Pikasos vetëm Zoti”, tha Dora Maar, një nga perëndeshat e shumta të tradhtuara, e paaftë për të pranuar botën pa të. Edhe ajo, si gjithë të tjerët, është viktima e një ndërthurjeje fatale të trupit dhe shpirtit, mishit të gjallë dhe përfaqësimit në imazh, të rrëmbyer nga një forcë jetike, e cila më pas shndërrohet në të kundërtën e saj. Artisti i madh andaluzian joshi, por nuk ia lejoi vetes, të shihte të tjerët të shndërroheshin në të varur nga Pikaso.

Në vitin 1881, kur u transferua në Paris në moshën 19-vjeçare, talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por gjithashtu edhe oreksi i tij i pangopur seksual. Pasioni i tij i parë i vërtetë ishte për modelen Fernande Olivier. Ishte viti 1904, të dy ishin 23 vjeç. Ai i dashuruar marrëzisht nuk donte që ajo të pozonte për të tjerët. Ishin tetë vite intensive, por të mjaftueshme për të shteruar shtytjen erotike të Pikasos, i cili e braktisi papritur të dashurën e tij të parë në vitin 1912. Një histori, ajo e Fernandes, e cila vdiq në vitin 1966 e varfër dhe e vetme, është një ogur i asaj që do të ndodhë në vijim, nga ato që iu afruan shumë piktorit. Por për cilën muzë e la Pikaso modelen? E dashura e re quhej Marcelle Humbert, por ai e quajti atë Evë dhe për artistin ajo ishte perëndeshë e dashurisë.

“Bota fillon tani dhe ti je Eva”, tha ai. Ajo e frymëzoi atë me një seri pikturash që shënuan një kthim në ngjyra të ndritshme, në pointilizëm. “J’aime Eva”, “Ma jolie”, gjejmë të shkruara në shumë prej veprave të tij, sikur të ishte një tatuazh dashurie: një pasion i dëshpëruar dhe i shkurtër, që kur Marcelle vdiq nga tuberkulozi në 1915.

Për Pikason humbja ishte e madhe. Por ndërsa Lufta e Parë Botërore po përparonte në Evropë dhe artisti po punonte në skenografinë e Paradës me muzikantin Erik Satie dhe shkrimtarin Jean Cocteau, për kompaninë “Ballets russes” nga Sergej Djagilev, gjatë një qëndrimi në Romë ai u mahnit nga balerina Olga Khokhlova. Ishte viti 1917. Rusja e ndoqi në Barcelonë dhe më pas në Paris, ai u martua me të vitin e ardhshëm në prani të Guillaume Apollinaire dhe Cocteau. Në një kohë kur arti i tij luhatet midis natyralizmit dhe kubizmit, ai pikturoi “Portreti i Olgës në një kolltuk”. Një martesë që nuk ishte në gjendje të frenonte vrullshmërinë e saj: instinkti erotik u sublimua duke krijuar qindra vizatime grash lakmitare, të rrethuara nga simbole falike apo figura groteske të organeve gjenitale femërore.

Në vitin 1921 lindi Paulo, djali i parë i Pikasos, i përfaqësuar në krahët e nënës së tij në veprat simbolike të pikturës moderne. Dhe ndoshta atëherë Picasso ishte shumë i matur në lidhje me punët e tij dashurore, por teksa shëtiste nëpër bulevard, artisti pa një pamje të re. Ishte Marie-Thérèse Walter, një vazjë e mitur bionde, me sy blu.

“Unë jam Picasso, do të doja të të pikturoja një portret”, i tha ai. Për vajzën, e cila jetonte me nënën e saj dhe nuk e kishte njohur kurrë të atin, transferimi me atë burrë tridhjetë vjet më të madh se ajo ishte i menjëhershëm.

Marie-Thérèse, dashnorja-fëmijë, e portretizuar në piktura të tilla si “Brenda me një vajzë që vizaton”, i riktheu piktorit energjinë e humbur. Picasso filloi të përjetonte një rigjenerim të jashtëzakonshëm të stilit që e çoi në simbolikën e minotaurit dhe krijimin e Guernicës. Marie-Thérèse, e cila pranoi të jetonte në hije pa ndërhyrë në jetën e të dashurit të saj, ishte perfekte për Picasso-n. Por kur ajo i tha se ishte në pritje të një fëmije dhe Olga e mori vesh, nisi ferri. Gruaja e tërhoqi zvarrë piktorin në gjyq dhe ia vulosën të gjitha pronat në emër të saj, përfshirë bojërat, penelat dhe pikturat në punim e sipër.

“Sa herë që ndërroj femrat, duhet ta djeg të parën. Kështu që unë do t’i hiqja qafe dhe nuk do të ishin të gjithë aty për të komplikuar ekzistencën time. Kjo ndoshta do të më rikthente edhe rininë. Gruaja vritet dhe e kaluara që ajo përfaqëson, fshihet”, tha Picasso. Fjalë profetike. Olga, e cila e kishte bërë të jetonte atë që ai e quajti “koha më e keqe e jetës së tij”, vdiq e çmendur 20 vjet më vonë. Edhe Walter nuk kaloi më mirë. Në fakt Pikaso, të cilit Maya e vogël i lindi në 1935, nuk u ngop kurrë.

Në vitin 1936, një grua tjetër i ndryshoi jetën. Ishte Dora Maar, 29 vjeç. Ai e takoi atë në një kafene në Paris. E shkurtër, me kurba, brune, sy blu, ajo ishte e kundërta e Marie-Thérèse dhe përfaqësonte sfidën intelektuale që kërkonte Picasso. Fotografe, elegante, e kulturuar, e pavarur, ajo ishte vajza e një arkitekti kroat, që kishte jetuar në Argjentinë dhe fliste spanjisht. Pa ndërprerë lidhjen me Walter-in, për të cilën ai  gjeti hapësirën për të enjten dhe të dielën edhe për të parë vajzën e tij, Picasso filloi lidhjen me Dorën.

Një histori që zgjati 7 vjet në të cilën artisti gjithmonë e vinte përballë me Marie-Thérèse, duke i detyruar të dy gratë të darkonin së bashku. Ose i ka çmendur nga xhelozia duke i portretizuar në të njëjtën pozë, deri në përplasje fizike. “Vetëm unë e di se çfarë është ai. Është një instrument vdekjeje. Nuk është burrë, është sëmundje”, tha më vonë Dora, e cila në atë kohë u bë subjekti kryesor femëror i pikturave të tij.

Ndërkohë, i tronditur nga Lufta Civile Spanjolle, në vitin 1937 Picasso kishte pikturuar Guernicën, telajon që denonconte masakrën e civilëve në qytetin bask pas bombardimeve ajrore gjermane. Dhe Dora ishte aty, duke fotografuar fazat e veprës në një seri fotosh që janë bërë legjendare. Megjithatë, pak pasi ai e bindi atë të braktiste fotografinë dhe të rifillonte pikturën, duke e detyruar atë të vuante kritikat e tij shkatërruese. Por fati po përgatiste një hakmarrje për Pikason mizor.

Një tjetër grua që shenjoi jetën e tij quhej Françoise Gilot. Një nxënëse e një mikut të tij piktor kur e takoi, në vitin 1944, ai ishte 63 vjeç dhe ajo 22. Ata e gjetën veten të ngatërruar në një dashuri që për Picasson-n përfaqësonte një rinovim të ngarkesës sensuale. Françoise i lindi dy fëmijë të tjerë: Claude (1947) dhe Paloma (1949). Në pikturat e kësaj periudhe u kthyen temat e nënës me fëmijën. Por edhe me Françoise mekanizmi i vëmendjes së pakufishme dhe mizorisë së pashoqe u riaktivizua: kur ishte shtatzënë, Picasso e adhuroi, e refuzoi pas shtatzënive. Tejet xheloz, ai donte që ajo të vishej në mënyrë monastike, duke ndërthurur marrëdhëniet me të tjerët.

“Gratë vinin e shkonin në jetën e tij si xixëllonja të tërhequr nga një fener; i shikonte në telajo, i përdorte seksualisht dhe kur lodhej i hidhte”, tha Françoise, tashmë njëqindvjeçare. Paloma ishte 4 vjeç kur Gilot bëri një gjest të paprecedentë. Ajo u largua nga Picasso, duke i thënë gjithashtu se e urrente pikturën e tij. Nga inati i fiku një cigare në faqe dhe u përpoq ta bindte të qëndronte. Por Françoise nuk u dorëzua dhe u lirua duke u martuar me një tjetër dhe duke botuar Vita con Picasso, librin për të cilin piktori e çoi në gjykatë.

Në moshën 70-vjeçare, gratë nuk ishin një kapitull i mbyllur për Picasso-n. Ai iu afrua atyre, edhe kur ato ishin shumë të reja. Takimi me perëndeshën e fundit u zhvillua në vitin 1954 në rivierën franceze, ku ajo kishte jetuar prej vitesh midis Antibes, Mougins dhe Vallauris, duke krijuar qeramikë. Dashuri me shikim të parë mes vazove me 28-vjeçaren e divorcuar Jacqueline Roque. Për të ai bleu një kështjellë përrallash në Vallauris. Ai u martua me të në vitin 1961, pas vdekjes së Olgës më 1955, nga e cila nuk ishte divorcuar kurrë.

“I pabesi i pashërueshëm”, Pikaso kishte marrëdhënie të tjera. Por Jacqueline kurrë nuk e la atë dhe artistja kaloi periudhën më paqësore të jetës së saj me të. Kur vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, sikur ajo që kishte mbjellë në jetë vazhdonte të prodhonte fruta të helmuara. Në vitin 1975, djali i tij Paulo vret veten. Në 1977 Marie-Thérèse u vetëvar. Në vitin 1986, Jacqueline bëri vetëvrasje me një të shtënë pistolete. Dora, e cila kishte bërë trajtime psikoanalitike, elektroshok, konvertime fetare, vdiq e vetme në vitin 1997, e harruar nga bota, por besnike e një pakti me veten: “Të gjithë menduan se do të vrisja veten pas braktisjes së tij. Pikaso gjithashtu. Arsyeja kryesore për të mos e bërë këtë ishte për t’i hequr atij këtë kënaqësi”. /a2news/ KultPlus.com

Letër dashurie e shkruar në një ndërtesë që digjet

Nga: Anne Sexton

Përktheu: Roland Gjoza

Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë
mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile
troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë
dhe unë kam filmat në sytë e mi
dhe ti ke vezët në tunelin tënd
dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë
tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë.
Por sot e lashë shtratin në flakë
dhe tymi mbushi dhomën.
Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë
dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.

Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit
që janë për ty dhe i vendos
në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet.
Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit.
Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur.
Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë
fustanet e natës janë grirë e bërë
letra; të verdha, të kuqe, të purpurta
shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar-
në ar të forte, të fortë dhe dysheku
po puthet me një gur.

Sa për mua, i dashur Foxx
vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit.
Dhe shpresa për një përjetësi divine
a është e mjaftueshme për ty?
Po emri yt krahas emrit tim
për të drejtat e autorit?
Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot
unë do të tregoj tërë historitë-
jo vetëm historinë e çarçafëve
po dhe historinë e bizhusë në kërthizë
dhe historinë qepallave të lyera
të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve-
ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.

Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti
nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi
arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht
sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo
krematoriumin e dashurisë.
Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi
flakët nxjerrin fshikullima
kamzhikësh mbi kuaj
kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim
të triumfit njerëzor
ndersa mizat presin, plima plima vijnë
drejt e nga United Fruit, Inc./KultPlus.com