Petrit Halilaj, Alban Muja dhe Bora Baboçi pjesë e Art Encounters Biennial 2025

Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters në Timișoara zhvillohet nën titullin Bounding Histories. Whispering Tales., një propozim kuratorial i formësuar nga një lexim i afërt i strukturës urbane të qytetit të Timișoarës dhe historive të shumta të shtresuara në të. Kuruar nga Ana Janevski dhe Tevž Logar, Bienalja aktivizon tre hapësira ekspozimi—Komanda e Garnizonit (një ndërtesë e mëparshme ushtarake), FABER (një fabrikë e transformuar), dhe Fondacioni Art Encounters (një ish-kopsht)—si dëshmitarë të gjallë të transformimeve sociale, kulturore dhe politike të qytetit.

Duke reflektuar mbi atë që këto vende na tregojnë sot dhe se si ato mund të banojnë në një kontekst të një ekspozite ndërkombëtare arti, koncepti i jehonës udhëhoqi qasjet kuratoriale dhe artistike të këtij edicioni. Konsideruar si një tingull që është njëkohësisht përsëritje dhe përgjigje e ndryshuar, një jehonë është një agjent ndryshimi dhe krijimtarie i formësuar nga mjedisi i saj—një sinjal marrëdhënieje më shumë sesa një transmetim i drejtpërdrejtë. Si metaforë dhe metodë, jehona nxit lidhje të reja ndërmjet veprave të artit, hapësirave të ekspozitës dhe publikut.

Artistët pjesëmarrës:
Lawrence Abu Hamdan, Ana Adam, Alle Dicu, Marina Abramović & Ulay, Bora Baboçi, Maja Bajević, Mona Benyamin, Željka Blakšić, Pavel Brăila, Geta Brătescu, Brief Histories (Isak Berbic, Fawz Kabra), Cian Dayrit, Christine Cizmaș, Marieta Chirulescu, Clément Cogitore, Lorena Cocioni, Moriah Evans, Simone Forti, Jošt Franko, Robert Gabris, Alicia Mihai Gazcue, Ladislava Gažiová, Jean Genet, Liam Gillick & Anton Vidokle, Karpo Godina, Maria Guțu, Petrit Halilaj, Veronika Hapchenko, Sky Hopinka, Loredana Ilie, Siniša Ilić, Joan Jonas, Hassan Khan, Dana Kavelina, Belinda Kazeem-Kamiński, Kapwani Kiwanga, Ana Kun, David Maljković, Jumana Manna, Teresa Margolles, Silvia Moldovan, Alban Muja, Oscar Murillo, Andrei Nacu, Marina Naprushkina, Eduardo Navarro, Christian Nyampeta, Mila Panić, Manuel Pelmuș, Gavril Pop, Raluca Popa, Ghenadie Popescu, Komiteti i Ringjalljes (Ovidiu Țichindeleanu, Raluca Voinea), Larissa Sansour, Ștefan Sava, Selma Selman, Larisa Sitar, Bojan Stojčić, ŠKART, Nora Turato, Johanna Unzueta, Mark Verlan, Cecilia Vicuña, Rosario Zorraquin.

Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters Biennial 2025 i titulluar “Bounding Histories. Whispering Talesdo të mbahet nga 30 maj deri më 13 korrik./ KultPlus.com

Qëndistaria e Gjirokastrës, 40 vite pasion dhe trashëgimi

Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër “Dunavat” në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.

E lindur dhe rritur në këtë lagje, ajo përfaqëson gruan me një pasion të veçantë për artin e punimeve me gjilpërë, një teknikë delikate që ka zbukuruar për shekuj veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.

“Unë këtë zanat e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë që duhet ta duash, ta dashurosh dhe ta bësh. Nuk bëhet sepse është një punë që duhet të tërheqë për ta bërë. Nuk është si punët e tjera që mund t’i bëjë çdo njeri. Kjo është një gjë shumë e veçantë që duhet ta duash me shpirt për ta mësuar”, thotë Hëna Gega.

Qëndisjet tradicionale me gjilpërë kërkojnë orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo ka bërë që ndër vite, artizania e saj të jetë simbol i finesës, por gjithashtu një produkt i kërkuar kryesisht nga të huajt.

“Ishte një bum i madh, që nga Greqia kërkonin shumë prodhim të tillë, bënin këllëfë, çentro tabakaje, dhe mua më vinin porositë në shtëpi. Unë i bëja, por nuk është punë që vlerësohet. Është një punë që do shumë kohë dhe nuk ka shumë lekë”, thotë ajo.

Megjithëse e pranon se është vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, qëndistarja ende vazhdon të përcjellë këtë vlerë të traditës. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.

“Unë e kam pasion, unë këtë e kam jetë. Nuk mund të rri nëse jam e shqetësuar apo kam një mërzitje. Nuk mund të rri pa punëdore, nuk mund të rri një ditë pa punëdore. Edhe do ta vazhdoj patjetër”, thotë Hëna Gega.

Artizania gjirokastrite e qëndisjes karakteristike dëshiron që kjo mjeshtëri të mos harrohet, por të transmetohet në breza si një vlerë e çmuar e traditave të Gjirokastrës./euronews./ KultPlus.com

85 vite nga vdekja e Emma Goldman, aktivistes së njohur të feminizmit

Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma. /KultPlus.com

Më 14 maj 1450 ka filluar Rrethimi i Parë i Krujës nga ushtria osmane

Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në vitin 1450, kur një ushtri Osmane prej rreth 100.000 trupash janë caktuar që të rrethojnë Krujën në Shqipëri.

 Lidhja e Lezhës, e udhëhequr nga Skënderbeu, pësoi moral të ulët pas humbjes të Svetigradit dhe të Beratit në vitet 1448-1450. Megjithatë, thirrjet e Skënderbeut dhe mbështetja e klerit, të cilët pohuan se kishin vizione të engjëjve dhe fitores, i motivoi shqiptarët për të mbrojtur kryeqytetin e Lidhjes, Krujën, me çdo kusht.

Pasi la një garnizon mbrojtës prej 4,000 burrash nën togerin e tij të besueshëm Vrana Konti (i njohur edhe si Kont Urani), Skënderbeu i bastisi kampet osmane rreth Krujës dhe sulmoi karvanët e furnizimit të ushtrisë së Sulltan Muradit II. Deri në shtator, kampi otoman u shndërrua në një rrëmujë ndërsa morali u fundos dhe sëmundja u përhap.

Ushtria osmane pranoi që kalaja e Krujës nuk do të binte me forcë të armëve, hoqi rrethimin dhe morri rrugën e saj drejt Edirnes. Shumë shpejt pas kësaj, në dimrin e vitit 1450-51, Muradi vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Mehmed II./ KultPlus.com

Aktivitete kulturore në prag të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve

Kanë nisur në Vlorë aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e cila kremtohet më 18 maj.

Nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Rilindja” realizuan një vizitë edukuese në Muzeun Historik të Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Ky aktivitet kishte si qëllim forcimin e lidhjes së nxënësve me historinë kombëtare dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në kohët moderne, përmes objekteve, dokumenteve dhe ekspozitave të pasura që ndodhen në muze.

Falë udhërrëfimit të specialistëve të muzeut dhe informacionit të dhënë në mënyrë të kuptueshme për moshën e tyre, fëmijët patën një përvojë mësimore të veçantë, jashtë mjedisit të zakonshëm të klasës. Ata treguan interes, bënë pyetje dhe ndanë përshtypjet e tyre mbi ato që mësuan./ KultPlus.com

Kryetari Përparim Rama anulon pritjen për Gipsy Kings, problem emergjent mbeturinat

Gipsy Kings do të paraqitet me koncert në Prishtinë, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama kishte paraparë që të organizonte një pritje zyrtare për këtë grup të njohur por kjo pritje është anuluar.

Sipas një njoftimi zyrtar thuhet se kryetari Rama e ka anuluar këtë pritje për shkak të përshkallëzimit të situatës me mbeturinat në kryeqytet.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin.

Njoftim për anulim – pritja e Gipsy Kings

Ju njoftojmë se pritja e paralajmëruar për sot, më 14 maj 2025, në ora 16:00, e bendit të njohur ndërkombëtar Gipsy Kings tek Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, është anuluar.

Anulimi vjen si pasojë e prioritizimit të zhvillimeve të fundit lidhur me problemin emergjent të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes “Pastrimi”, që ka kërkuar vëmendjen e menjëhershme të Kryetarit.

Faleminderit për mirëkuptimin./ KultPlus.com

Ambasada e Francës dhe QKLL, thirrje për projekte botimi të autorëve të gjuhës frënge në shqip

Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) shpallën thirrjen drejtuar botuesve shqiptarë, të cilët kanë projekte botimi të autorëve të gjuhës frënge në shqip për vitin 2025-2026.

Ambasada e Francës dhe QKLL ftojnë botuesit të marrin pjesë në thirrjen për projekte të programit të ndihmës për botim 2025. Data e fundit për dorëzimin e dosjeve është 22 maji 2025, deri në orën 24:00. Botuesit ftohen të çojnë projektet e tyre njëherazi në dy adresat: [email protected] dhe [email protected].

Rezultati i thirrjes për projekte do të komunikohet para datës 12 qershor 2025.

Prioritet për t’u përzgjedhur do të kenë: librat për fëmijë dhe të rinj, librat që kanë fituar çmime si edhe esetë në fushën e shkencave sociale dhe humane mbi mjedisin dhe çështjet evropiane.

Në njof\timin e publikuar në faqen online të Ambasadës franceze thuhet se, kjo veprimtari përbën një nga akset e forta të partneritetit me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL)./ KultPlus.com

Kalorësi 2600-vjeçar i zbuluar pranë Apolonisë ekspozohet në muzeun e Vjenës

“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.

“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.

“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.

Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.

“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.

Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.

Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.

Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend./ KultPlus.com

Gaspër Sopi sjell ekspozitën “Women of the World”,  prezantohen portretet e grave nga 17-të vende të botës

Më 15 maj në Prishtinë, artisti Gaspër Sopi do të prezantohet me ekspozitën “Women of the World”. Me portrete e grave nga 17-të vende të botës.

“Këto nuk janë thjesht imazhe. Janë histori të jetuara – të forcës, guximit dhe bukurisë së papërshkrueshme të gruas. Të gjitha fotografitë do të jenë në shitje, dhe të ardhurat do të ndihmojnë “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë”, për të ofruar shërbime shëndetësore për nënat dhe fëmijët në nevojë. Bëhu pjesë e kësaj mbrëmjeje që është aq artistike, sa është edhe njerëzore”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ekspozita do të hapet më 15 maj, në ora 18:00 në Tartine Deli, Fehmi Agani 87, Prishtinë./ KultPlus.com

Osmani takon shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Orav, flasin për takimin konsultativ me partitë dhe vizitën e Costa’s

Presidentja Osmani priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend.

Presidentja Osmani e informoi ambasadorin Orav për mbajtjen e takimit konsultativ me liderët e partive politike, të planifikuar për nesër.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës./ KultPlus.com

‘Schubert Trio’, një udhëtim kamertal në mbrëmjen e dytë të Chopin Piano Fest

Mbrëmjen e 12 majit, në koncertin e dytë të Chopin Piano Fest Prishtina, publiku artdashës u bë dëshmitar i një performance artistike të jashtëzakonshme që pushtoi skenën me mjeshtëri, ndjeshmëri dhe harmoni të përsosur kamertale. Trio e përbërë nga çelistja kroate, Jelena Očić, violinistja Sihana Badivuku dhe pianisti virtuoz ukrainas Artem Yasynskyy, ofruan një përjetim muzikor që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Mbrëmja u hap me Trion në Es-dur, Op. 100 të Franz Schubert, një ndër kryeveprat më të njohura të repertorit kamertal. Interpretimi i kësaj vepre nga treshja muzikore solli një thellësi emocionale dhe një rrjedhshmëri të natyrshme që i dha jetë çdo fraze melodike.

Bashkëveprimi i niveli mjeshtëror në mes të instrumentistëve solli përpara publikut një harmoni vizuale dhe perjetim emocional nëpërmjet tingujve të seciles vepër.

Pas Schubert-it, koncerti vazhdoi me një kthesë stilistike, duke sjellë emocionin dhe pasionin e “Winter” nga cikli “Four Seasons of Buenos Aires” të Astor Piazzolla. Kjo pjesë e frymëzuar nga tangoja argjentinase u interpretua me ngrohtësi duke përcjellë emocione dhe dinamika të ndryshme.

Më pas trioja interpretuan veprën “Trio Miniaturen” të kompozitorit Paul Juon, një vepër më pak e njohur, por e mbushur me delikatesë dhe karakter.

Ky koncert i cili solli vepra permierë në Prishtinë, erdhi si një udhëtim i magjishëm për publikun duke përcjellë emocione dhe një peizazh të bukur që ngjyrosej nëpërmjet tingujve e lëvizjeve të muzikantëve.

Pas koncertit në kuadër të Chopin Piano Festival, violinistja Sihana Badivuku ndau emocionet e saj për këtë paraqitje të veçantë, duke theksuar rëndësinë e veprave të interpretuara dhe bashkëpunimin me dy muzikantët e tjerë. Ajo foli për fuqinë e muzikës që i bashkon artistët, pavarësisht prejardhjes apo kohës së kufizuar për përgatitje.

“Këto vepra janë vepra premierë, edhe Schubert trio, një vepër kapitale e që është një kryevepër e literatueës kamertale. Ne me pianistin dje jemi takuar për herë të parë, ndërsa me violonçelistën e kemi pasë edhe një bashkëpunim tjetër. Pra prova e pare ka qenë dje, e dyta sot dhe arritëm të sjellim këtë mbrëmje sot, si një dëshmi që kur bashkohen tre artistë, pavarësisht pse nuk janë të njëjtin vend, muzika është universale dhe na ka bashkuar”, tha Badivuku për KultPlus.

Ndërkaq, çelistja kroate Jelena Očić u shpreh e entuziazmuar për këtë paraqitje, e dyta e saj në Kosovë. Ajo veçoi veprën e Schubert-it si sfiduese dhe madhështore, duke theksuar përkushtimin që kërkon interpretimi i saj.

“Dua të them se e shijova shumë koncertin e sotëm, me kolegët e mi të mrekullueshëm, ishte vërtet kënaqësi. Koncerti është gjithmonë diçka që kërkon shumë energji dhe krijim, që duhet të transferohet tek publiku dhe ne të tre e bëmë këtë. Programi ishte kompleks, Schubert Trio është një monument në vete, kërkojnë shumë koncntrim dhe po ashtu është edhe e gjatë si vepër, por ne e shijuam të gjitha,” u shpreh çelistja Jelena Očić, duke shtuar se shpreson që edhe publiku e ndjeu po të njëjtën energji.

Pas koncertit, për KultPlus foli edhe pianisti ukrainas Artem Yasynksyy, i cili fillimisht u shpreh mirënjohës bashkëpunimin me violinisten Sihana Badivuku dhe çelisten Jelena Očić. Ai më tutje e vlerësoi ktë koncert si një eksperiencë të mrekullueshme.

“Ne performuam pjesë të ndryshme dhe karaktere totalisht të ndryshme, por unë e shijova shumë. Për mua ishte kënaqësi e madhe që të performoj me Sihanën dhe Jelenën, të cilat janë të zonja të mund të ndryshojnë tingullin, momentin dhe ndjenjën. Po ashtu për mua ishte kënaqësi që të komunikoj me audiencën, ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, tha Yasynksyy.

Ndërkaq, ju kujtojmë se Chopin Piano Festival do të zgjasë deri më 9 qershor. Koncerti i radhës do të mbahet më datë 14 maj, në mbrëmjen ‘Duo Violin and Piano’ ku do të paraqiten violinisti Benjamin Schmid dhe pianisti Marcus Schirmer./KultPlus.com

“Shkodra Elektronike” çon në ‘Eurovision’ jo vetëm zërin por dhe historinë e traditën shqiptare

Shkruan: Merita Toçila

Një paraqitje eklatante e këngëtares Beatriçe e “Shkodra Elektronike” në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerrm”. Ajo çon atje jo vetëm zërin e veten, por dhe historinë e traditën e vendit të vet si një indentitet i përkryer e në një harmoni të shpirtit dhe trupit. Kostumi i parë konceptuar sipas saj si një “Odë e gjyshes”, duhet parë si një “Ode për trashëgiminë” ku janë mbledhur detaje shenjuese të kujtesës individuale e kolektive (puskulet, msyshet, peshtahu, qylymi etj). Ai ka një dukje më statike e më të rëndë, por më shprehës i identitetit të këngës dhe këngëtares. I dyti (i skenës) konceptohet dinamik për lëvizje dhe më i lehtë e në funksion të artistit ku ndërliken në harmoni struktura e veshjes, simbolikës dhe trupit anatomik në përshtatje me gjestet gjatë performimit.

Beatriçja jonë me të kuqe zjarri, ashtu si gruaja e veshur me të kuqe në historinë e artit që shoqëroi Danten në udhëtimin e tij nga bota njerëzore në atë hyjnore, duke i zbuluar bukurinë dhe dritën e dashurisë, shndërrohet në performancën e sotme në një shkëndijë drite. Energjia që transmeton artistja tek rreket të joshë e të tërheqë në këtë udhëtim në kërkim të një bote të mirë e të pastër, partnerin skenik me setrën e errët skolastike, plotësohet me pamjen e jashtme të një fustani shkëlqyes. Veshja që përkon organikisht me këngën e jo vetëm trupin të jep idenë që ata duan të përcjellin tek thonë se zjarri vjen nga lashtësia dhe “ka një rëndësi të thellë simbolike përgjatë kulturave dhe historisë” dhe e lashta bashkjeton me modernen që prezantohet sot.

Metamorfoza e paraqitjes së Beatriçes si person, nga lëkura e trupit në lëkurën e veshjes me shtresë të parë, të dytë e të tretë tek interpretuesi, shënon një nga kushtet e para të nisjes së këtij udhëtimi skenik dhe komunikimi me skenën e publikun. Marrëdhënia trup-veshje shkon deri në atë gradë sa bëhet shenjë e trupit simbolik. Teknika e zbatuar në ekzekutimin e veshjes nga stilistja (që në këtë rast është e ëma e artistes) për të respektuar anatominë e trupit duke i dhënë liri gjymtyrëve në lëvizjet vallëzuese, shoqërohen me lojën iluzore të organcave dhe trillimin e flakëve të zjarrit. Kjo flakë zjarri që digjet e vërtitet në skenë në çdo lëvizje të zhdërvjellët trupi e tregon sa vlerë ka për paraqitjen skenike studimi i trupit të interpretuesit, i tekstit të interpretuar, i mesazhit e simbolikës përmbajtësore dhe ngjarjes që duhet të përfaqësojë artisti për veten, për realizuesit, për shikuesit dhe për vendin që përfaqëson në një ngjarje të këtij niveli. Trupi i saj është vetë kostumi, pasi ai kontribuon në përforcimin e iluzionit tek spektatori dhe në motivimin e interpretuesit për të kuptuar dhe transmetuar më bindshëm peshën e rolit të tij në skenë.

Loja figurative me dy struktura ku njëra është thjesht një lëkurë, e tjetra me pala e draperi e shpie në një shkallë tjetër paraqitjen skenike. Në antikitet palat (e imëta a të gjera) vendosnin një marrëdhënie të caktuar me trupin, duke zbuluar a mbuluar pjesë të tij, ndërsa në traditë kanë vazhduar të aplikuara në fustanella, korete, bohçe etj. Këtu palat e dendura mbështjellin, fshehin e zbulojnë pjesërisht format trupore me një pëlhurë elastike nëpër të cilën kalojnë disa vizatime e qëndisma për të cilat autorja e saj rrëfen se i referohet Rozafës. Të dukshme apo jo, ato vija të qëndisura gjatësore a të lakuara në forma të kërkuara estetike përshkojnë si kapilarë gjaku a zjarri trupin të përfshirë në gjuhë flakësh. Kjo dukje e bind shikuesin në përcjelljen e emocionit artistik kur kalon nga transparenca e pëlhurës, tek gjysmëtransparenca e mbulimi i plotë realizuar shkallë-shkallë në tekstura të larmishme. Stilistja me mençuri, nuk përpiqet të krijojë një veshje sipas modës, as të korrigjojë (panevojshëm) siluetën e një vajze të re, por me forma të kursyera në dukje evidenton trupin në përshtatje me moshën, karakterin dhe lojës skenike e gjesteve artistike.

“Vazhdo me shndritë” Beatriçe!/ KultPlus.com

Von der Leyen uron Ramën: Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria përparim të madh drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka uruar Kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Von der Leyen shprehet se nën udhëheqjen e Ramës Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit Evropian.

“I dashur Edi, urime për fitoren tuaj në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat e BE-së. Shqipëria i përket BE-së! Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan Von der Leyen në një postim në platformën X.

Më herët kryeministrin Rama e ka uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković si dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan./ KultPlus.com

Ditë e mërzisë virtuale

Poezi nga Lulzim Tafa

Unë nuk jam poet i instagramit
Njerëzit në instagram
Gjithmonë më janë dukur gënjeshtar
Ta bëjnë like pa të lexuar
Të pafytyrët

Unë kam mijëra followers
Dhe sot s’kam folë me asnjë njeri
Merreni me mend çfarë vetmie e madhe

Gruaja që dashuroj
Më nuk është online

Ajo u arsyetua se ne
Nuk jemi më të lidhur
Edhe pse unë e kontrollova Wi-Fi-n
Dhe çdo gjë ishte në rregull

Nuk vonoi shumë dhe ajo
Postoi një porosi të vjetër të Shopenhauerit
“Merrni më pak kënaqësi, nëse doni më pak dhimbje”

S’e di pse papritmas
Më lind dëshira ta vras dikë që s’e njoh
Të panjohurit gjithmonë më janë dukur të rrezikshëm

Krejt në fund
Një dreq gazetar i kulturës më pyeti
Çfarë jeni duke lexuar kohët e fundit?

Komente n’instagram
i thash./ KultPlus.com

Më shumë se 16 mijë vizitorë në Apoloni nga janari në prill

Parku Arkeologjik i Apolonisë ka pritur 16525 vizitorë, vendas e të huaj, gjatë periudhës janar-prill 2025. Shifra u publikua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.

Kjo periudhë kohore ka shënuar rritje vizitueshmërie në të gjitha monumentet e kulturës në vend dhe qyteti antik i Apolonisë është ndër më të vizituarit për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Historia e Apolonisë është e ndërlikuar dhe interesante, dhe vizitorët kanë shumë për të kuptuar dhe eksploruar në këtë vend të mrekullueshëm.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot./ KultPlus.com

Anjeza Shahini e ndezi flakën e Shqipërisë në “Eurovision” më 2004, tani ‘Zjerm’ e mban ndezur atë

“Eurovizion Song Contest” është një nga ngjarjet më të ndjekura në Evropë dhe në botë. Shqipëria ka qenë pjesë e këtij eventi që prej vitit 2004 dhe deri më sot, ka marrë pjesë në 21 edicionet e Eurovizionit, shkruan KultPlus.

Historia e Shqipërisë në Eurovizion filloi me vështirësi në vitin 2004, kur Anjeza Shahini paraqiti këngën “The Image of You” dhe arriti të ngjitet në vendin e 7-të në këtë garë të madhe e çka u konsiderua sukses mjaft i madh.

Në vitin 2005, Shqipërinë e përfaqësoi Ledina Celo me këngën “Tomorrow I Go”.

Shqipëria kthehet në Eurovizion në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë” e interpretuar nga Luiz Ejlli.

Viti 2007 dërgoi këngën “Hear My Plea” nga Frederik Ndoci si përfaqësues në Eurovision e që arriti deri në semi-finale.

Në vitin 2008, Shqipëria paraqiti këngën “Zemrën e lamë peng” nga Olta Boka. Kjo këngë zuri vendin e 17-të në këtë garë.

Viti 2009 ishte edhe një vit i suksesshëm për Shqipërinë në Eurovizion, pasi kënga “Carry Me In Your Dreams” nga Kejsi Tola arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 17-të.

Në vitin 2023, Shqipëria u përfaqësua nga Albina & Familja Kelmendi” me këngën “Duje”. Ndonëse kënga ‘Duje’ arriti të kualifikohet për në finale, ajo u rëndit e 22-ta me 76 pikë.

Shqipëria mori pjesë në Eurovision Song Contest 2024 në Malmö, Suedi, me “Zemrën n’dorë” interpretuar nga Besa Kokëdhima. Pavarësisht performancës së saj të mirë, ajo nuk arriti të hyjë në dhjetëshen e parë të finalistëve.

Në vitin 2012, Rona Nishliu paraqiti këngën “Suus” dhe arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 5-të, e cila mbetet pjesa më e lartë që Shqipëria ka arritur në Eurovizion deri më sot.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka paraqitur këngë me ngjyra moderne dhe të ndryshme. Megjithatë, këto 21 vite të pranisë së Shqipërisë në Eurovizion kanë qenë një mundësi për të prezantuar kulturën dhe muzikën shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Për konkursin e vitit 2025 në Bazel të Zvicrës, Shqipëria përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila fitoi Festivalin e Këngës 63. Dyshja, e përbërë nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, sjell në skenë një përzierje unike të muzikës elektronike dhe tingujve tradicionalë shqiptarë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, dje ka kaluar me sukses në finalen e këtij festivali, teksa është zhvilluar gjysmëfinalja e parë.

Dyshja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./ KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb.

44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon.

Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi.

Kosova nuk harron!/ KultPlus.com

26 vite nga masakra në Qyshk

Sot mbushen 26 vite nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 burra.

Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë./ KultPlus.com

‘Para se të dashuroja, gjithçka ishte bosh’

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata./ KultPlus.com

Këto janë shtetet që shkojnë në finalen e Eurovision 2025

Sot është mbajtur gjysmëfinalja e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Këngës ‘Eurosong Contest 2025’, përcjell KultPlus.

Në këtë gjysmëfinale të parë janë shpallur edhe 10 këngët finaliste.

Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina shkojnë drejt finales.

Më 15 maj do të mbahet gjysmëfinalja e dytë, ndërkaq finalja e Eurovision 2025 do të mbahet më 17 maj./KultPlus.com

‘Shkodra Elektronike’ me ‘Zjerm’ shkon në finalen e Eurovision 2025

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, ka kaluar në finalen e këtij festivali, teksa sot po zhvillohet gjysmëfinalja e parë, përcjell KultPlus.

Shkodra Elektronike është një duo muzikore shqiptare e formuar në vitin 2019 në qytetin e Shkodrës, e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë njohur për stilin e tyre unik “folktronica”, që ndërthur muzikën elektronike me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Pas emigrimit në Itali, ata kanë ruajtur lidhjet me rrënjët e tyre kulturore, duke i sjellë ato në një kontekst modern muzikor.

Kënga e tyre “Zjerm” është një përzierje e fuqishme e tingujve elektronikë dhe motiveve tradicionale shqiptare, e cila trajton tema si dhimbja, qëndresa dhe shpresa. Teksti i këngës është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi, ndërsa muzika është kompozuar nga Gjergji dhe Kolë Laca.

Duoja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Mirë se erdhe, ndarja zgjati shumë’

Poezi nga Nazim Hikmet Ran

Mirë se erdhe!
Zbrazëtia jote qëndroi
krah nesh si një dorë e këputur.
Mirë se erdhe!
Ndarja zgjati shumë,
Malli na mori
sytë na mbetën nga oborri.
Mirë se erdhe!
Ne,
jemi siç na le.
Vetëm se u bëmë më mjeshtra
gurë duke thërrmuar
mikun nga armiku duke shquar…
Mirë se erdhe!
Kemi plot, për të thënë e dëgjuar
Por shumë gjatë, kohë s`kemi.
Le të ecim…

Burg, 1932./ KultPlus.com