Miles Davis ka qenë kompozitor i shquar i muzikës xhaz. Ai është konsideruar si një nga figurat me më së shumti ndikim në historinë e xhazit në shekullin 20, shkruan KultPlus.
Vitet 50 kanë qenë shumë të suksesshme për të. Me albumin “Kind of blue”, ai arriti t’i shesë 5 milionë kopje në ShBA.
Davis ndihmoi në ngjalljen e popullaritetit të muzikës xhaz. /KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ftoi vizitorët e qytetit bregdetar që të përfitojnë nga afërsia e Parkut Arkeologjik të Amantias me qytetin dhe të vizitojnë varrezën monumentale pranë saj.
Në varrezën antike të Amantias, gjenden një numër i madh varresh me arkitekturë monumentale, çka tregon jo vetëm praninë e një elite të pasur në këtë qytet antik, por edhe zhvillimin dhe pasurinë e madhe që karakterizonte qytetin në shekujt IV-II p.Kr.
Tipat më përfaqësues të varreve monumental në Amantia, janë varret me dhomë të mbuluar me qemer, që shfaqen në Iliri të paktën që nga fundi i shekullit IV p.Kr, madje ka studiues që mendojnë se Amantia është qendra ku këto monumente funerare dalin për herë të parë.
Një ndër më të njohurit prej tyre është varri me dhomë e paradhomë në nekropolin verilindor të Amantias, i dokumentuar prej arkeologut Carl Patsch që në vitin 1904. Monumenti ndodhet tashmë në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik dhe është një atraksion që mund të vizitohet nga kushdo./atsh/KultPlus.com
Fradl Shtok (1888 – 1952), shkrimtare hebreo-amerikane e gjuhës jidish. Ajo kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Austro-Hungaria në moshën 19 vjeçare.
Në momentin që Hinde Giteli u kthye me të renë e saj të re, i gjithë qyteti mbeti i shastisur: e reja e Hindi Gitelit ishte bukuria vetë.
E shoqja e Alterit u drodh kur e pa për herë të parë atë. Ajo u tha grave të tjera se të qëndronte pranë asaj fytyre rrëzëllitëse ishte si të qëndronte në praninë e ndonjë princeshe.
A e di emrin e saj ndokush?
“Lantsi”.
“Lantsi?”.
Hinde Giteli, e ve, shiste produkte bulmeti nga shtëpia e saj. Çdo vit biri i saj i madh, Çaimi, ngrente një çadër në pazar për të shitur të mirat e tyre bulmetore. Përveç Çaimit aty ishte edhe Shloymeli, gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Hinde Giteli ishte e frikësuar nga e reja e re. Çaimi e kishte dëshiruar nga çasti që ia kishte hedhur sytë për herë të parë. Edhe kur e morën vesh se mesiti kishte gënjyer dhe ajo s’kishte prikë, ai s’donte t’ia dinte të hiqte dorë prej saj. Sidoqoftë u martuan në atë qytet të largët. Kjo është arsyeja pse Hinde Giteli ishte aq e frikësuar. Ajo mendonte për vetveten, Çka do të ndodhë më vonë…
Shumë shpejt pas martesës Hinde Giteli i hodhi fjalën tërthorazi se mbase Lantsi, në ujdi me traditën hebreje, në fund do t’i priste flokët. Por Lantsi u acarua dhe me një zë të çuditshëm tha, “Jo”. Dhe kështu mbeti. Ajo nuk i preu flokët. Hinde Giteli po luante mendsh, nga sikleti si të dilte në qytet tash. Por prindërit e Lantsit i kishin ftuar ata me shumë mirësjellje t’u shkonin për vizitë. Sapo shkuan atje, nëna e Lantsit ia arriti ta bindte atë të bartte një parukë mbi flokët e saj.
Sidoqoftë, posa që Lantsi mbërriti te vjehrra e vet mëngjesin e nesërmë, për tmerrin e Hinde Gitelit, ajo e fshehu parukën në një sirtar, vuri një shami të kuqe të mëndafshtë me dantella ngjyrë kremi që nuk ia mbulonte tërësisht flokët dhe u ul pranë dritares. Hinde Gitel vejevinte duke psherëtirë. Kur një gërshet nxori kokën nga dantella, ajo u turr drejt Lantsit, duke e qortuar t’i fshehë flokët: “Nuk është e lejueshme, bijë. Një vajze hebreje nuk i lejohet t’i tregojë flokët e saj”.
Por, kur Lantsi e ndjeu dorën e vjehrrës, e shtyu kokën anash dhe i hodhi një shikim me një kryelartësi të tillë sa e la Hinde Gitelin krejtësisht të shushatur. Atëherë Lantsi shqiptoi tri fjalë të shkoqura: “Më lër rehat”.
Prej atëherë Hinde Giteli e la të qetë.
Të gjithë të tjerët u turren t’i hidhnin një sy. Gra e burra gjenin çdo shkas të mundshëm të ndaleshin para dritares së saj; vinin të blinin qumësht veç për ta parë atë. Sapo e shikonin në fytyrë njëherë më nuk mund t’ia shqitnin sytë.
Kasapi që jetonte mbrapa shtëpisë së Hinde Gitelit nisi të hynte në thertore nga rrugica e mbrapme. Ai e bindi veten se nëse kalonte përmes rrugës në të vërtetë arrinte më shpejt kështu që do të detyrohej për çdo ditë të hidhte shikimin përmes dritareve të Hinde Gitelit. Thënë të vërtetën, kjo i doli për hundësh. Ai vuante në heshtje, duke e ndëshkuar veten me gjysëm dite më shumë kohë pune. Po prapëseprapë detyrohej të shikonte.
Të gjithë ndiheshin të detyruar të shikonin. Lantsi i nxori të gjitha te dritarja, kështu që ata mund të shihnin atë dhe të dridheshin nga frika. Ata dyshonin se po u bënte ndonjë magji. Me sytë që u shkëlqenin dhe gojëhapur i pëshpërisnin njëri-tjetrit për të.
Ajo nuk dilte kurrë jashtë. Thjesht ulej te dritarja dhe nuk bënte gjë. Mund ta kalonte gjithë ditën te dritarja duke i larë duart, duke e spërkatur me ujë fustanin e saj. Kjo gjë e mërziti Hinde Gitelin.
“Në shtëpi, bijë, është mëkat të rrish me fustan mëndafshi. Dhe duart e tua janë ta pastra si argjendi; bijë, nuk duhet t’i lash aq shumë”.
Lantsi u përgjigj me fjalë të matura se ajo nuk i kishte mbaruar atë rroba thjesht për t’i mbajtur në dollap dhe se prapë do t’i lante duart. Ajo ishte e kujdesshme të mos e dëmtonte fustanin, por vazhdoi t’i sapuniste dhe lante duart.
E gjithë kjo natyrisht ishte nën dinjietin e saj. Ajo shtëpi me gjithë ato të mira bulmetore. Asaj s’i hynte gjë në punë. Ajo ishte vazhdimisht e merakosur me vetveten. Jeta e saj e brendshme ishte mister për të gjithë përveç vetë asaj. Vetëm ajo e kuptonte pse vepronte ashtu e përmbajtur, refuzonte idenë të prekte çkado me dorë, thua se gjithçka ishte e kontaminuar.
Çaimi ishte një i ri i rëndomtë me një mjekër të shkurtër të verdhë, i cili i shikonte punët e veta besnikërisht. Deri më tash kishte qenë një djalë i ri si çdo kush tjetër, por posa njerëzve u ra në sy gruaja e tij, nisën ta shikonin ndryshe edhe atë. Filluan t’i kushtonin vëmendje, ta dëgjonin me respekt të thellë dhe nuk ia ndërprisnin fjalën kurrë. Shikonin të gjenin një kuptim në gjithçka që thoshte a mendonte ai, Përnjëmend duhej të kishte diçka në të përderisa kishte një grua të tillë.
Njerëzit filluan t’i dilnin përpara, të shfaqnin zgjuarsinë e tyre, t’i vinin njëri-tjetrit ndërskamëza, ta nxirrnin në shesh gabimet e njëri-tjetrit ashtu që Çaimi të mund të shihte dhe mbase t’i fliste asaj për ta.
Gruaja e Alterit kallëzoi se si një herë shikoi përmes dritares dhe pa gruan e re të zgjohej natën, të lidhte gërshetë flokët, të vishte fustanin e kuq të mëndafshtë dhe të dilte në bahçen e priftit. Aty ajo dha e mori me lulet, duke mbledhur vesen dhe duke e larë me të fytyrën. Pastaj shkoi nga bahçja në bahçe gjatë gjithë natës, e përthithur nga lulet dhe duke e larë fytyrë me to. Mirë, jo më kot fytyra e saj flakërinte ashtu.
Dikush tha se ajo lahej me qumësht, duke u zhytur në të çdo natë. Jo më kot duart e saj ishin të pastra si argjendi.
“A e keni parë si i bën gërshetë flokët?”.
“Me këta dy sytë e mi”.
“Jo më kot ajo shkon rrotull me shami. Përposh asaj shamie ka dy gërsheta të gjata. Nuk i pret. Çfarë paturpësie. Vajzë hebreje, pale”.
Vëllai i vogël i Çaimit, Shloymele, ishte ai lloji i njeriut që mpakej së qeshuri edhe për gjënë më të vogël. Pasi që Lantsi erdhi në shtëpinë e tyre, ai zuri një qoshk. Nuk hante më rregullisht bukë dhe u zverdh. Pjesën më të madhe të kohës shmangte shtëpinë. Veç kur dilte në bahçe vetëm nuk ndihej në siklet ta ngritne kokën, ngase aty nuk ishte askush tjetër ta shikonte në sy.
Lantsi e pa se ai po rrinte mënjanë dhe e dinte pse. Pas së gjithash, ajo ishte e mësuar me diçka të tillë. Kështu që nisi të tregonte më shumë kudjes për të se për këdo tjetër dhe ta sillte vërdallë.
Njëherë, teksa ai po rrinte në dhomën tjetër, një vajzë erdhi për një çerek qumështi. Bukuria e pashoqe e Lantsit e bëri vajzën aq të vetëdijshme sa e fshehu katruvën në palët e fustanit. Shloymele ngarendi nga dhoma tjetër, ia mori katruvën dhe ia mati një çerek qumështi.
Kur vajza ia zgjati Lantsit gjashtë kruzerë, Lantsi nuk deshi t’i merrte dhe i tha Shloymelet, “Merri”.
“Jo, duhet t’i marrësh ti”.
“Nuk duhet të jesh kaq formal me kunatën tënde. Hajt, merri”.
Ai i mori gjashtë kruzerët dhe në pjesën tjetër të ditës qëndroi i shashatur – Nuk duhet të jesh kaq formal me kunatën tënde… Hajt, merri…
Atë mbrëmje Shloymele i kushtoi vëmendje të madhe Çaimit. Vërejti një shikim të çudtishëm në sytë e Çaimit, të cilit s’e kishte vërejtur kurrë më parë. Vëllai i tij disi ishte bërë më i dinjitetshëm. Dukej sikur donte t’i vërsulej botës. Po fliste për Lashkowitzin, se si e kishte me nguti të shkonte në Lashkowitz të merrte dhurata për të.
Po ajo? Lantsi? Nuk i hidhte sy. Vazhdonte të prekte fustanin e saj dhe t’i fuste gishtat nëpër flokë. Nuk do të vinte kurrfarë paruke.
Njëherë, pas darkës, kur Çaimi doli jashtë të kujdesej për lopët, ajo e thirri: “Shloymele. Njëra këpucë e imja po më vret këmbën. Ajo e atllasit të bardhë. Merre çoje te këpucari, a mundesh?
Ajo e nxori një këpucë të atllasit të bardhë dhe ia zgjati.
“Shiko, këtu po më vret”. Teksa u përkul drej tij, ai mundi t’u merrte erë flokëve të saj. Koka i erdhi rrotull; ia mori mendja se po vdiste.
Ajo u përkul drejt tij, afër e më afër, duke e mbajtur këpucën e atllastë, duke e lënë t’u merrte erë flokëve të saj. Zëri i saj e tronditi: “Shloymele!”.
Ishte hera e parë që ajo po e thërriste në emër.
Tingulli i thirjes së saj “Shloymele” nuk iu shqit kurrë. I vërtitej përreth si gjarpër me zile, një gjarpër i ëmbël, duke ia shtrydhur jetën.
Në hajatin e errët të këpucarit nxori këpucën nga kutia, e largoi kapakun e kadifenjtë dhe e futi këpucën brenda.
Balli kishte nisur t’i digjej.
Ajo u ul në kapelën e saj, duke shikuar nga dritarja. Kurdo që ndonjë grua vinte për qumështin e saj, ajo ngrihej, i hidhte një sy gruas dhe kovës së saj të qumështit dhe me kryelartësi i thoshte: “Mate ti vetë!”. Posa gruaja e habitur e maste qumështin e saj dhe paguante gjashtë kruzerët, Lantsi i fuste paratë në një tas në bufe, e shikonte gruan në sy, lane duart dhe kthehej te dritarja.
Në qytet njerëzia nisën të thoshin se jo më kot fqinji i tyre Menaçemi kishte nisur të vërdallisej si i marrë. Shpesh e më shpesh njerëz të ndryshëm kallëzonin se si ajo ngrihej natën, bënte flokët gërshetë dhe shkonte nga bahçja në bahçe.
Gruaja e Alteri bëri be: “E kam parë me sytë e mi se si ajo lante fytyrën mes luleve natën. Jo më kot fytyra e saj flakëron në atë mënyrë”.
Dhe të tjerët bënë be,”Ajo lahet në qumësht. Për çdo natë ajo bën banjë në qumësht. Jo më kot duart e saj janë si argjend…”.
/Marrë nga Fradl Shtok, Selected stories”, Northwestern University Press, 2002 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Të dua baltë shqiptare Të dua egërsisht! dëshpërimisht! si ujku pyllin, si vala valën, si balta balten. Se gjer mbi gju jam brenda teje, se lerë kam këtu, si baba, si gjyshi. Të dua baltë shqiptare! se gjer mbi bel, e përmbi bel jam brenda teje s’dal dot se s’dua! Se ti më lidh e më mban me mjaltë e me pelin.
Se këtu vdekur ka, këtu, nëna dhe baba e gjyshër-stërgjyshi. Të dua baltë shqiptare Magjistare e ëmbël si vetë vdekja. se thellë jam këtu brenda teje gjer mbi gju gjer mbi bel e gjer mbi krye. Dhe dua fort të dehem të prehem (ah që tani!) Brenda teje./ KultPlus.com
Ekspozita In Memoriam “Nexhi Musaj dhe miqtë” çeli dyert në galerinë e arteve “Eduart Lear” ne Berat, në përkujtim të veprës së piktorit beratas dhe themeluesit të Galerisë së Arteve të qytetit, i ndarë nga jeta para pak kohësh.
Piktori Musaj do te kujtohet përherë si artisti me vlera të mëdha për qytetin duke lënë gjurmë të mëdha në themelimin e galerisë.
Me pikturat e tij artisti Musaj la shpirtin e tij për Beratin, pasi pjesa më e madhe tyre i janë kushtuar atij. Në ekspozitë u shfaqën punimet më të mira ndër vite të piktorit Nexhi Musaj.
Ekspozita In Memoriam “Nexhi Musaj dhe miqtë” do të qëndrojë e hapur për një javë për të gjithë artëdashësit./BalkanWeb/ KultPlus.com
Rudolf Stambolla ka qenë një këngëtar i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë.
Njihet për zërin më melodioz dhe njëri prej pionierve të muzikës së lehtë Shqiptare të fund viteve ’60.
Stambolla iku duke lënë pas vetes një mori veprash që do të këndohen e dëgjohen gjithmonë.
Ndërkaq, KultPlus ju sjell këngën ”Kur gjethet bien në vjeshtë”, këngë kjo e cila është më e njohura e tij dhe është kënduar edhe nga shumë këngëtarë të ndryshëm, mirëpo është zëri i Stambollës ai që do ta përjetësojë gjithmonë këtë këngë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:
Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur Po del kjo kanga ime ankuse thellë n’krahnur.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’herë ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.
T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion Dhe fjalët e tua nga hera kjo zemër si harron Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe At’her kam me besue se sa e pabesë je.
Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.
Për mua lulet e verës nuk kanë ma bukuri, Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi As lot nuk kanë t’i ngjallin, janë shterrur lot e rinisë Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashurisë.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë. / KultPlus.com
Le occasioni është përmbledhja e dytë poetike e Montales, botuar nga Einaudi, në tetor të vitit 1939 dhe përmbante 50 poezi. Në edicionin e dytë, një vit më pas, përmbledhjes i ishin shtuar edhe pesë poezi të tjera.
NË PARKUN E KAZERTËS
Nga Eugenio Montale
Ku mjellma e pashpirt spitullohet e përdridhet, në sipërfaqen e hurdhës, mes gjethnajes, rizgjohet një sferë, dhjetë sfera, një pishak nga fundi, dhjetë pishakë, dhe një diell baraspeshohet me zor në ajrin e parë, mbi kupe të gjelbëreme dhe globë të shtrembër të aurakaries, që i tret si lianë krahët e gurit, lidh pa derman atë që kalon andej dhe nxjerr nga skaji më i largët rrënjë dhe theka. Noçkat e Nënave pezmatohen, kërkojnë boshllëkun.
***
Nga Tiziana de Rogatis
Në parkun e shekullit XVIII të mbretërisë së Kazertës merr formë imazhi shqetësues i një bote të përmbysur. Ndajfolja e vendit në incipit në të vërtetë vë në dukje elementin likuid të «hurdhës» (v.3) në pasqyrën shpërfytyruese të së cilës do të reflektohet i gjithë skenari i kompozimit. Nga ana tjetër, është i përmbysur edhe reprezantimi i «mjellmës» (v.1), figurës që e gjallëron peizazhin. Duke kthyer mbrapshtë pjesën e hijshme dhe dekorative të një tradite të gjatë, kafsha do të jetë «e pashpirt» (v.1) dhe e prirë për përdredhje agresive të qafës së saj dredha-dredha (v.2). Dielli i sapolindur dhe i gjithë realiteti rrethues nisin të shtrëngohen dhe të deformohen mbi sipërfaqen e zhubravitur; metamorfoza e përfshin edhe kalimtarin e rastit, që “vegjetalizohet” dhe privohet pastaj nga vetë limfa e tij jetësore (vv. 11-14). Në mbyllje të poezisë shfaqen «Nënat» (v. 15), figura primordiale të Gëtës që nuk e drejtojnë më – si te Fausti – ripërtëritjen e jetës. Vetë ecja e tyre solemne këtu përmbyset në një gjest groteskt: rojet e jetës, të kapluara nga perceptimi i boshllëkut, përpëliten (v. 16). Harmonia e përbërë neoklasike e parkut sjell në jetë kështu një kaos iluzionesh dhe vdekjeje.
Teksti është shkruar më 1937.
/Marrë nga Eugenio Montale, ‘Le occasioni’, Mondadori, 2011
Jenny Erpenbeck (1967), shkrimtare dhe regjisore teatri. Më 2015 ka fituar Independent Foreign Fiction Prize për romanin ‘Aller Tage Abend’ (The End of the Days – Fundi i ditëve), të botuar më 2012; më 2024 International Booker Prize për romanin ‘Kairos’.
SI SHKRUAJ
Nga Jenny Erpenbeck
Kam mbaruar universitetin. Kam diplomën time, kam një punë afatshkurtër, punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe mbledh ndihma publike. Gatuaj vezë të ziera gjatë dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes, dy herë radhazi: herën e parë për t’i nxjerrë thërrimet, herën e dytë vetëm derdhjen e mbeturinave. Kam mbaruar universitetin, po punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe përveç kësaj kam kohë sa të duash.
Kam shkruar gjithmonë. Për ditëlindjen time të katërmbëdhjetë prindërit e mi ma dhuruan një makinë shkrimi të kaltër të ndritshme. Nuk e kam studiuar shkrimin, titulli im s’ka të bëjë me këtë, por është një pjesë e imja, krejt çka më duhet që të mund të shkruaj është vetja ime, makina e shkrimit e kaltër dhe koha.
Mbaj mend historinë e një gjëje që ndodhi kur isha katërmbëdhjetë vjeçe. Është historia e një vajze e cila në të vërtetë nuk është vajzë më. Kjo është historia që po dua ta shkruaj.
Është ora pesë e mëngjesit dhe unë jam duke qëndruar para pasqyrës, duke i lidhur flokët bishtkali për turnin e mëngjesit, kur befas më duket se po ashtu dukem si vajzë, por prapë nuk jam më vajzë. Kështu që mbase mund ta marr jetën time të vërtetë si lëndë, s’ka lëndë më të mirë se jeta e vërtetë.
Është fundi i gushtit, koha që të fillojë shkolla. Jam tridhjetë e shtatë vjeçe, kam mbaruar universitetin dhe me në fund kam kohë ta nxjerr realitetin nga jeta ime. Kësodore bëra ca telefonata, bëra ca vizita dhe brenda tri ditësh gjeta një drejtor që ishte i gatshëm të më lejonte të kaloj në klasën e njëmbëdhjetë me një emër të rrejshëm, me një adresë të rrjeshme dhe me një datë të lindjes të rrejshme, në mënyrë që të mund të mbledh material për librin tim.
Më 1 shtator dal para klasës si “vajza e re” – dhe në të vërtetë bëri punë. Askush nuk ma var, askush nuk qesh me mua. Në një çast të vetëm jam bërë dhjetë vjet më e re dhe ulem aty ku më thotë mësuesja të ulem. Për tri javët e ardhshme harroj se më duhet të vozis, e harroj të dashurin tim, e harroj universitetin dhe punën time në furrën e bukës. Në vend të asaj, mësoj si duket dorëshkrimi i një shtatëmdhjetëvjeçari, mësoj të them emrin tim të rremë, mësoj se mund të jem budallaçkë sa të dua, përderisa notat e mia s’do të kenë pasoja të vërteta. E paketoj çantën time para se të shkoj të fle, mbaj dosje të kaltra dhe të kuqe që dalëngadalë po u përthyhen skajet, më duhet ta ngre dorën kur më duhet të flas në klasë dhe në sallën e gjimnatikës jam në siklet nga trupi im i rritur. Saherë që dikush më pyet çka dua të bëhem kur të rritem, i them: ende s’e di. Kur kemi teste, e ndih vashën bri meje, por unë marr një F për veten time dhe s’më prish punë fare. Jam e lirë si engjëll, ngase në fund të këtyre tri javëve, kur fletroja ime është përplot me realitet, thjesht mund ta braktis shkollën përsëri.
Pas kësaj, punoj në furrën e bukës prapë, tri ditë në javë, përgatis vezë të ziera fort dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes. Në kohën time të lirë, punoj në një histori mbi një grua që nuk dëshiron të rritet.
Nëntor 2006
/Marrë nga Jenny Erpenbeck, “Not a Novel: A Memoir in Pieces”, A New Direction, 2020/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com
Shqipëria zotëron pyllin më të madh të gështenjave në Ballkan, me sipërfaqe 10000 hektarë, 30% e të cilit ndodhet në Tropojë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Mia Marzouk, ishin në Tropojë, ku morën pjesë në përurimin e një ambienti të ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave, financuar nga Britania e Madhe.
Me dy ambiente për ruajtjen e gështenjave, një ambient freskues dhe një ambient ngrirës, frigoriferi arrin një kapacitet prej 40 metër kub. Ky proces siguron ruajtjen e gështenjave në kushte optimale, zgjat jetëgjatësinë, ruan cilësinë dhe përmirëson mundësitë për tregtim duke rritur të ardhurat për familjet që varen nga ky sektor.
Denaj tha se, ky investim nuk i shërben vetëm sipërmarrjes që ka ngritur këtë qendër frigoriferike, por të gjithë zonës.
Sipas saj, kjo pikë ofron një kombinim perfekt të agroturizmit me bujqësinë, pasi pika frigoriferike dhe e grumbullimit janë hallka që do të rrisim vlerën e produktit të stampuar.
“Me anë të këtij investimi, po punojmë për krijimin e të gjitha kushteve për të garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha anët për sipërmarrësit dhe produktin”, tha ajo./atsh/ KultPlus.com
Ylli i muzikës rok, Bruce Springsteen është bërë tekstshkruesi i parë i huaj që nderohet me një çmim nga Akademia e Ivors që nderon emra të njohur të muzikës në Britaninë e Madhe.
Ai mori çmimin nga këngëtari i njohur, Paul McCartney dhe u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikë jo vetëm përmes këndimit, por edhe shkrimit të teksteve të këngës.
“Fakti që jam artisti i parë ndërkombëtar që merr këtë çmim, veçanërisht si amerikan, duke qenë se gjithmonë mendoja se britanikët ishin paksa dyshues ndaj mënyrave tona të çuditshme, e bën një përvojë shumë domethënëse për mua”, është shprehur Springsteen.
Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundi është paraqitë me një koncert recital edhe në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni, koncert që është mbajte para një audience të përzgjedhur, shkruan KultPlus.
Pianistja Elezi ka ndarë momente nga kjo mbrëmje pianistike, e cila ka shpjeguar se ky koncert ka ardh si rezultat i ftesës nga ana e Pawel Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë. Elezi në këtë mbrëmje është paraqite me vepra të njohura shqiptare, por edhe me vepra të Chopin.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lule Elezit.
Miq të dashur,
Me ftesë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë z. Pawel Michalak, kisha nderin e veçantë të mbajë koncert solistik në ambientet e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Łódź të Polonisë.
Në praninë e një publiku të mrekullueshëm performova vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në veçanti nga kompozitori romantik polak Frédéric Chopin , i cili njihet si “ Poet i pianos”.
Një falenderim të veçantë ia dedikoj Konsullit të nderit z. Pawel Michalak, dy shoqatave Poloni-Kosovë, me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni-Shqipëri, me kryetare Dorota Horodyska, të cilat inicuan në organizimin e koncertit.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë që erdhën nga Varshava në Łódź, gjatë performancës sime në koncert më dhanë emocione të veçanta dhe të paharruara./ KultPlus.com
Sot ekipi i aktorëve nga shfaqja “Mbretëreshat e klubit të natës” nga Shqipëria, kanë marrë pjesë në konferencën për media, për të ndarë detaje rreth asaj që publiku pritet ta shohin nga ora 20:00 në Teatrin Kamertal.
Në konferencë morën pjesë dy regjisorët e shfaqjes Lennart Boyd Schürmann “Bruch” dhe Klaudja Piroli, të cilët folën për përmbajtjen e shfaqjes e cila bazohet në Aleksander Moisiun dhe përpjekjet e tij në Shqipëri për ta rikrijuar vetveten si artist në një realitet që nuk e njeh.
Klaudja Piroli, u pyet për pritshmëritë që kanë rreth çmimeve në PITF, ku tha se këtë vit presin të kenë përfaqësim të denjë dhe të përcjellin te audienca atë që kanë dashur ta sjellin në këtë shfaqje.
Kurse Lennart Boyd Schürmann, e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen në këtë festival, duke thënë se deri tani ka marrë pjesë në festivale të shumta, por PITF del të jetë i jashtëzakonshëm si në pritje, organizim, aktorë, shfaqje dhe gjithçka tjetër.
Kurse mbrëmë, në këtë festival është prezantuar shfaqja nga Kroacia “Embers”, të cilët prezantuan një lojë mjaftë emocionuese për audeincën e Prishtinës./ KultPlus.com
Shqipëria, është një destinacion i ri që ka mahnitur çdo turist të huaj, por që mbetet ende shumë pak e njohur për publikun e gjerë. Zbuloni këtë vend të mbushur me xhevahire natyrore dhe arkitekturore, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen franceze “Grazia”.
Në Shqipëri, ka diçka për të gjithë, madje edhe për aventurierët që dëshirojnë të zbulojnë horizonte të reja, më pak të njohura, por po aq luksoze.
Shqipëria është një nga destinacionet që mbetet ende e paprekur nga turizmi masiv.
Vendi evropian tërheq me hijeshinë e tij nga një e kaluar historike ende e dukshme në arkitekturë.
Pse Shqipëria është një nga destinacionet në trend në Evropë?
Për të zbuluar vendin duhet të ndalesh në Ballkan dhe më saktë në Shqipëri!
Vendi ballkanik është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve dhe turistët e huaj si “Maldivet e Evropës”.
Ky vend i bukur ofron plazhe mahnitëse me rërë dhe ujëra blu bruz.
Përveç pamjes së saj qiellore, Shqipëria është gjithashtu një alternativë më e lirë, por po aq e bukur sa Sardenja në Itali apo destinacionet e tjera të njohura italiane.
Çmimi i jetesës është një nga arsyet që i tërheq vizitorët që synojnë oferta të mira për të shijuar pushimet.
Në vendin ballkanik, gjejmë rrënoja që datojnë nga periudha e lashtë greke dhe romake, si dhe peizazhe ku dominon natyra e gjelbër.
Qytetet më të bukura të Shqipërisë për t’u vizituar
Gjirokastra
Për sa i përket kostos, Gjirokastra është një nga qytetet më të lira në Evropë, i konsideruar edhe si qyteti më i bukur në Shqipëri.
E vendosur në jug të vendit, ky qytet shtrihet në lartësitë e Malit të Gjerë.
Arkitektura e saj dallohet për bukurinë e shtëpive tipike ballkanike.
Kjo është edhe një nga arsyet që lejoi përfshirjen e saj në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.
Qyteti ka shumë vende që duhen zbuluar, si Shtëpia e Zekatëve, si dhe disa muze që rrëfejnë të kaluarën e lavdishme të qytetit.
Ky qytet me ndërtesa historike ofron gjithashtu vizita në shumë ndërtesa të vjetra fetare si një xhami e vjetër që daton nga koha e Perandorisë Osmane, disa kisha të vjetra si dhe një Kishë Bazilike e madhe që ndodhet jo shumë larg qytetit dhe një kështjellë që daton nga shekulli i XIII.
Në Gjirokastër, gastronomia është veçanërisht e bollshme. Ajo është ndikuar nga trashëgimia osmane e vendit, por e përbërë edhe nga specialitetet vendase.
Tirana
Tirana është një qytet mbresëlënës shqiptar.
Për ta zbuluar më mirë, rekomandohet të bëni një shëtitje në Malin e Gamtit në verilindje të Tiranës, ku mund të admironi pamjet panoramike të liqenit të Bovillës.
Ky qytet ka një nga trashëgimitë më të pasura artistike dhe kulturore, ndaj dhe ekskursionet janë të shumta dhe të larmishme.
Saranda
Në këtë qytet të mrekullueshëm bregdetar shqiptar, mund të shijoni mbi të gjitha diellin dhe detin, por mund të zbuloni edhe historinë e lashtë të qytetit bregdetar.
Në të vërtetë, Saranda është e mbushur me elemente historike, duke përfshirë rrënojat e lashta, muzetë dhe madje edhe një kështjellë që daton nga shekulli i XVI.
Megjithatë, Saranda është edhe vendi ideal për pushime ku ndërthuren relaksi, festat e vogla dhe kënaqësitë e jetës.
Prandaj, ky qytet bregdetar është destinacioni i përsosur nëse vërtet dëshironi të harroni shqetësimet e jetës së përditshme./ atsh/ KultPlus.com
Henry David Thoreau, (Concord, 12 korrik 1817 – Concord, 6 maj 1862), ka qenë filozof, prozator dhe poet amerikan, paraprijës i ambientalizmit dhe jodhunës. Autori i romanit të njohur Walden dhe i esesë Resistance to Civil Government, e njohur ndryshe edhe me titullin On the Duty of Civil Disobedience ose edhe Civil Disobedience
Për Orestes Augustus Brownson
30 dhjetor 1837
Concord
I dashur zotëri,
Nuk kam reshtur kurrë së shikuari me interesim, të mos them me kënaqësi, rreth atyre gjashtë javëve të cilat i kam kaluar me ju. Ato qenë një periudhë në jetën time – mëngjesi i një Lebenstag-u1 të ri. Ato janë për mua si një ëndërr që është parë tashmë, por e cila rikthehet kohë pas kohe me tërë freskinë e saj zanafillore. Një nga ato që do të doja ta ëndërroja një herë të dytë, të tretë, dhe pastaj ta rrëfej para kafjallit.
I kalova ca orë në qytet, rreth një muaj më parë, me qëllimin që t’ju thërrisja, por nuk qeshë në gjendje të merrja vesh, nga drejtoria apo burime të tjera, ku ishit vendosur, nuk më mbeti veçse të dorëzohesha dhe të kthehesha në shtëpi.
Shfajësimi im për këtë letër është t’ju kërkoj ndihmën tuaj për të gjetur një vend pune2. Ngase, thoni ç’të doni, ky trup i ngrirë ‘karrotë e bigëzuar’ duhet, pas së gjithash, të ushqehet dhe të veshmbathet. Është mosmirënjohëse, të them fjalën e fundit, të duroj këtë rast kaq të abuzuar të përfundojë në një shpartallim të tillë, një gjendje të cilën çdo veriperendimor mund ta shijojë përmes tringëllimave dhe plasave të saj, duke i bërë të shpërthejnë ndjenjat bujare që mund të fshehë, kur ca shpulla do ta shpëtonin. Falë qiellit, dhimbja e dhëmbit më ndodh aq shpesh sa të ma kujtojë se duhet të jem jashtë duke e ndrequr çatinë herë pas here dhe të mos mbetem prore duke mbajtur të gjallë një flakë në oxhakun brenda, me shkopin tim gjerman dhe metafizik të maces3.
Por subjekti im nuk është shtyrë sine die4. Unë po synoj një vend pune si mësues i një shkolle të vogël, ose asistent në ndonjë më të madhe, ose, çka do të ishte më e dëshirueshme, si tutor privat në një familje gjentelmenësh.
Mbase duhet të jap ca të dhëna rreth meje. Do të doja ta bëja edukimin një gjë të këndshme si për mësuesin si për nxënësin. Kjo dispilinë, që ne e pranojmë të jetë fundi i jetës, nuk duhet të jetë një gjë në klasë dhe një gjë tjetër në rrugë. Duhet të synojmë të jemi shok studimi me nxënësin dhe duhet të mësojmë, po aq sa me të, nëse mund të jemi më të dobishëm për të. Por nuk jam i verbër përballë vështirësive të rastit; supozohet të ketë një shkallë lirie, e cila rrallëherë ekziston. Nuk ka hyrë në zemrën e njeriut të konceptojë gjithë rëndësinë e kësaj fjale – Liri – jo një liri e parëndësishme republikane, me një posse comitatus6 në thembrat e tij për ta mbarështuar në doza si për një fëmijë të sëmurë – por një liri në proporcion me dinjitetin e natyrës së tij – një liri që do ta bëjë atë të ndihet se është njeri në mesin e njerzëve dhe me përgjegjësi vetëm ndaj asaj Arsyeje një grimcë e së cilës është, për mendimet dhe veprimet e tij.
Përherë kam qenë i gatshëm ta shoh lëkurën e lopës si një përçues. Mendoj se, përveç fijes elektrike, as edhe një shkëndijë e vetme e së vërtetës nuk është transmetuar ndonjëherë nëpërmjet agjentëve te intelekti në gjumë të cilit duhej t’i drejtohej. Gabimi im, mund të mësohet një e vërtetë në fizikë, por kurrë një e vërtetë e moralit.
Do t’ju jem jashtëzakonisht mirënjohës nëse do të merrni mundimin të më vini në dijeni për çfarëdo lloj vendi pune për të cilin mund të dëgjosh. Si referencë mund të përmend Mre Emerson-Mr Hoar- dhe Dr Riplay7.
E kam lexuar me shumë kënaqësi numrin e parë të ‘Boston Review’. Më pëlqen shpirti i pavarësisë për të cilin shquhet. Është tamam koha të dimë ku të kërkojmë shprehjen e mendimit amerikan. Është e mërzitshme të mos e dimë që më parë a do të gjejmë përmbledhjen tonë në leximin e artikullit. Por dyshimet largohen menjëherë, kur mund të llogarisim t’i kemi përfundimet autentike të një njeriu të vetëm refleksiv8.
Më falni për këtë letër të ftohtë për çështje pune. Ju lutemi i bëni të fala Mrs Brownsonit dhe mos harroni të më përmendni te fëmijët, një pedagog i rreptë i të cilëve kam qenë –
Sinqerisht dhe përnjëmend i juaji,
Henry D. Thoreau.
P.S.
P e shtoj këtë anëshkrim kryesisht për t’u pyetur a kam shkruar unë këtë letër formale. Gishtërinjtë e mi janë ngrirë krejtësisht.
Shënime:
Orestes Augustus Brownson (1803-1876), ishte një nativ nga Vermonti, i vetedukuar, i martuar me Sally Healy (1804-1872), bija e John dhe Polly Rudes Healy nga Elbridge, New York, më 1827. Fillimisht presbeterian, Brownsoni u bë prift universalist më 1826; pastaj i braktisi universalistët dhe shërbeu si prift i pavarur; më 1832 u bë unitarian, duke shërbyer në fillim si prift në Walpole, New Hampshire, më pas në Canton, Massachusetts.
Thoreau kishte mësuar në Canton gjatë një çereku dimëror të vitit 1835-1836 dhe i kishte harxhuar gjashtë javë në shtëpinë e Browsnonit. Me gjasë të dy kishin mësuar gjermanisht bashkërisht.
Më 1836 Brownson i kishte braktisur unitarianët për të formuar një Shoqëri për Bashkimin dhe Progresin e krishterë; ishte konvertuar në katolik në tetor 1844.
Njihej për politikat radikale teologjike dhe sekulare, të cilat i kishte manifestuar në gazetat e tij, në Boston Quarterly Review dhe më pas në Brownson’s Quarterly Review.
1- “Dita e jetës” (Heath’s New German Dictionary, ed. Elizabeth Weir [Boston: D. C. Heath, 1888]).
2- Thoreau kishte hequr dorë nga mësimdhënia në Concord në shtator të atij viti, pas vetëm dy javësh. Nehemiah Ball, një anëtar e komitetit të shkollës, i kishte kërkuar të përdorte ndëshkimin trupor për ta mbajtur rendin në shkollë; pas bisedës me Ballin, Thoreau ishte kthyer në klasë dhe i kishte kamxhikosur disa studentë për shkelje fare të vogla. Atë mbrëmje ksihte dhënë dorëheqje.
3- Thoreau mund ta ketë fjalën për një shkop që përdoret në lojërat e të rinjve ose për një copë të shkurtër shkarpe.
4- E papërcaktueshme.
5- Korintianët, 2:9: “Sytë nuk kanë parë, as veshët nuk kanë dëgjuar, a snuk kanë hyrë në zemrën e njeriut gjërat të cilat Zoti i ka përgatitur për ta që ta duan atë”.
6- Një trup njeriu “të cilin sherifi mund ta thërrasë ose të ‘ngre’ për shuarjen e një trazire ose për qëllime të tjera; po ashtu një trup njeriu në të vërtetë shumë i përgatitur dhe i komanduar nga sherifi” (OED).
7- I përnderuari Ezra Ripley (1751-1841), prift i Famullisë së Parë të Concordit që nga viti 1778.
8- Browsnon e caktoi numrin e parë të Boston Quarterly Review në janar të vitit 1838 dhe vazhdoi ta botonte drei në tetor të vitit 1842, kur e shkriu me United States Magazine dhe Democratic Review. Në parathënien e numrit të parë të Boston Quarterly Review, Brownson kishte shkruar: “E dua këtë si medium përmes të cilit mund t’ua them atyre që duan ta dëgjojnë zërin tim gjithë atë që dua ta them”.
9- Orestes A. Brownson Jr. (1828-1892), John Healy (1829-1857), William Ignatius (1834-1864), and Henry Francis (1835-1913).
/Marrë nga Henry D. Thoreau, “The correspondence, I, 1834-1848”, Princeton University Press, 2013 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
“Qilim Fest” ishte aktiviteti kulturor i radhës i zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës nga bashkia e qytetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bën me dije sot se mjeshtrat e tezgjahut dhe zonjat e sepeteve të rënda të Gjirokastrës dhuruan një emocion të veçantë duke zbuluar gjithë trashëgiminë e zonës para mijëra vizitorëve në “Qilim Fest”, një prej atyre ngjarjeve që promovojnë vazhdimësinë e traditës dhe shpirtin e artizanëve e zejtarëve të cilët i kanë dhënë Gjirokastrës identitetin unik që na bën krenarë në botë dhe e mbrojtur fort nga UNESCO.
Turistët nga e gjithë bota në Qafën e Pazarit e jo vetëm, janë shembulli më domethënës se si trashëgimia kulturore shndërrohet në një motor për zhvillimin e ekonomisë. E shkuara jonë është një aset i jashtëzakonshëm për të ndërtuar këtu një të ardhme të sigurt përmes turizmit./atsh/ KultPlus.com
Një koloni e piktorëve nga e gjithë Europa, me drejtues Saimir Ahmetin, çelën ekspozitën e tyre të pikturave: “Shkodra International Art Residence”.
Në oborrin e muzeut historik “Oso Kuka”, artistët u paraqitën me veprat e tyre më të mira.
“Në këtë pikturë flas për vështirësitë që hasin gratë. Kjo është tema ime, vuajtjet e femrave dhe ky është mesazhi që duhet të perçojmë sot. Më pëlqen shumë Shqipëria. Sa herë që vij, gëzohem sepse tani kam shumë miq. Është një eksperiencë shumë e bukur këtu. Gjithçka është fantastike”, u shpreh piktorja Anita Moloscalco.
Kuratori dhe drejtuesi i kolonisë se piktoreve, Saimir Ahmeti, thotë se kjo ekspozitë është një ballafaqim i shkollave të ndryshme të artit në Europë.
“Shkodra International Art Residence” u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe nga Bashkia e Shkodrës. Për disa nga piktorët, u shpërndanë edhe “Çertifikata Mirënjohjeje” për punën e tyre./tema/KultPlus.com
Korçës i është shtuar një tjetër atraksion i ri turistik që është hapur në në Zonën Këmbësore të këtij qyteti.
Galeria muzeale “Etno Art” do të ofrojë për të gjithë turistët dhe artdashësit korçarë pjesëza të etnografisë shqiptare punuar me mjeshtëri nga duararta Lirika Pojani.
E kuruar në detaje kjo galeri do të jetë një thesar i çmuar, i cili do të pasqyrojë me të gjitha ngjyrat unike ndërthurjen fantastike të traditave shqiptare nga jugu në veri.
Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet se ky atraksion i ri turistik në zemër të Korçës, do të ofrojë për të gjithë turistët vendas e të huaj pjesëza të etnografisë shqiptare nga jugu në veri/
E krijuar në detaje, kjo galeri është një thesar i çmuar, që pasqyron me të gjitha ngjyrat unike ndërthurjen fantastike të traditave shqiptare.
Galeria muzeale “Etno Art” është një tjetër gjerdan i çmuar i ndërthurjes fantastike të traditave shqiptare ku pasqyrohet trashëgimia jonë e pasur brez pas brezi.
E njohur në të gjithë juglindjen e vendit për artin e kostumografisë, Lirika Pojani bashkëshortja e koreografit të njohur Bardhi Pojani, një pjesë të kostumeve i ka punuar nga kostumet origjinale tek gratë e zonave të ndryshme./atsh/KultPlus.com
Ekspedita me të rinjët në muzeumin natyror ‘’Lumi i Gashit’’ në zemër të Alpeve Shqiptare ishte me të vertet një mrekulli. Lumi i Gashit duke qenë nën juridiksionin e UNESCO-s zonë e Trashgimisë Natyrore Boterore po shikohet me interes të madh nga të rinjtë e Tropojës.
Arsyeja e një habitati relativisht i madh, por natyralisht shumë i pasur, shumë e bukur, ku tradicionalja është ruajtur mrekullisht në cdo cep me monomentet natyrore dhe historike poashtu me floren dhe faunën e rrallë e shumë të pasur, ndërkohe që modernja po zhvillohet me vehte, në harmoni dhe pa demtuar asgje nga tradita.
Ekspedita e zhvilluar nga të rinjte në këtë zonë përben një risi në njohjen dhe promovimin e vlerave të biodiversitetit. Deshira e madhe për të vizituar alpet ndizej duke shkuar me lart tek shikonin dhe vëzhgonin shume gjera që kanë dëgjuar dhe mësuar. Era një apasionante e madhe e natyrës shpreht që në hyrje të luginës që po i hapen mushkrite nga ajri i pastër dhe me kthjellohet mendja kur shikon gjithë ketë bimësi. Duke ecur të gjithë së bashku si asnjëherë tjeter në një hiking të udhëhequr nga profesori i Biologjise ASTRIT METALIAJ kenaqesh kur e dëgjon duke të sqaruar me maturi e komentuar për floren e faunen si një nga ekspertet më të mirë të veriut.
Ndalim i parë ishte tek Mulliri i Gradit si vlere e trashgimise ku cdo turist e terheq kurioziteti për të parë dhe gjetur informacion se sa daton kjo veper ‘’arti’’, tek shikon se aty kane mbetur vetëm një pjesë e gurve të tij. Madhështia arriti kulmin në hyrje të luginës kur shikon Kanioni shume të madh duke të sjell jo vetem një atraksion të bukur por një krenari dhe ballafaqim në tendencat sporadike për të ndryshuar atë. Ujevarat gjate gjithe kanionit, shpella e Bleteve llojshmëria e bimeve i terhoq shume të rinjtë duke mos e ndjere rrugen për në destinacionin e dyte – Ara e Ose. Një lugine e bukur,lumi i bjeshkeve të tropojës që i kalon në të djathtë të tij ka dhën mundësi që z.Halil të ndërtojë një biznes me një sherbim fantastik, me restorant me prodhime bio të prodhuara nga ferma e tij.
Të rinjte shuan kureshtjen tek u fliste embel e qartë z.Halil për kete pikë të bukur turistike, bimësine e shumtë dhe kafshet e egra të zonës. Ketu përfundoi dita e pare e ekspedites me të rinjt me iden që neser do ngjitemi me lart në zemer të Alpeve në Lumin e Gashit. Atje ku komuniteti i tropojes po pregaditet për sezonin veror dhe pritjen e turistave, atje në sylbice dhe Doberdol për të vezhguar dhe njohur me shume legjenda dhe llojshmeri./botasot/KultPlus.com
Vepra që profesor Kolec Topalli ka lënë pas ka rëndësi në fushën fonetike, gramatike edhe etimologjikë të shqipes.
Mbetet një personalitet i shquar në shkencat gjuhësore dhe filologjike, si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe si Mësues i Popullit që ka dhënë kontribute të shumta në fushën e arsimit, kulturës edhe shkencës sonë gjuhësore. Profesor Koleci e meriton nderimin, se ka lënë një vepër të madhe në disa drejtime; në fushën fonetike, gramatike të shqipes dhe të etimologjisë. ” (S.Mancaku, 2021)
Gjashtë vjet më parë u shua akademiku Kolec Topalli, i cili një jetë të tërë ja kushtoj shqipes.
Gjuhëtar, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, më 4 dhjetor 1938 dhe u shua në Tiranë më , 24 maj 2018.
Në Shkodër kreu dhe shkollën e mesme dhe ndoqi studimet e larta në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992-1997), punonjës shkencor Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997-2006), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006-2007). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës historike të shqipes. (FESh III, 2008)
Që nga fillimet e viteve ’70 e deri në vitet e fundit të jetës nuk rreshti së shkruari për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe shqipes së sotme.
Titullar i lëndës, fonetikës historike në Universitetit e Tiranës. I numërohen më shumë se 180 tituj : monografi, kumtesa etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmendim:
“Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “ Për historinë e hundorësisë së zanoreve shqipe“ (1996);
“ Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998); “ Bazat e fonetikës të gjuhës shqipe” (2005); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “ Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “ Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017) etj.
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër madhore për etimologjinë shqipe. Autori si pikë referimi ka pasur studimet e Çabejt, që i kanë shërbyer njëherazi edhe si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqenëse në hulumtimet e tij janë përmbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashkë me kritika përkatëse; si pikënisje, meqenëse plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja i ka bërë nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohën e tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Gustav Mayerit. (FEGjSh, 2017-7, K.T)
Për këtë Fjalor autori ka pohuar se punën kërkimore e kishte nisur qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe u kurorëzua në vitin 2017.
Fjalorët etimologjikë janë një pasqyrë e historisë së gjuhës dhe në një kuptim më të gjerë janë pasqyrë e historisë së vet popullit që e flet atë.
Me anë të tyre shkohet në thellësi deri te rrënjët e gjuhës, aty ku kanë gurët e themelit, e ruajtur në shekuj e mijëvjeçarë dhe e zhvilluar dhe e përpunuar në rrjedhat e kohës. ( FEGjSh,2017, K.T)
Fjalori u shërben të gjithëve. U shërben albanologëve, indoevropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, sllavistëve etj.
Autori në Fajlor shtjellon nga ana etimologjike një pjesë të madhe të pasurisë leksikore të gjuhës shqipe, të cilën e ka vjelë nga fjalorë të botuar, materiale folklorike a dialektore dhe shkrimet e autorëve të vjetër dhe të rinj. Ai përmban fjalë të fondit të tashëguar indoevropian, krijime të brendshme të shqipes, huazime antike e mesjetare, ndërkombëtarizma etj.
Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domosdoshme për të arritur te burimi i fjalës.
Por që nga dalja në dritë e veprës e deri më sot, janë shfaqur një sërë “gjuhëtarësh” që e sulmojnë duke thënë që duhet ndaluar. Ata që hedhin baltë mbi veprën e Topallit duhet të dinë një herë e mirë që etimologjia shkencore do fakte dhe jo fjalë.
Por një oërgjigje për ta e ka dhënë prof. Seit Mancaku: ““Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është vepër e autorit, e nisur 50 vite më parë, edhe e përfunduar në fund të jetës. Unë kam qenë recensent i fjalorit. Kritikat që i bëhen të them të drejtën nuk janë shkencore. S’ka vepër që mund të mos i bëhen vrenjtje. Një vepër kaq e madhe, që të shkruash mijëra fjalë dhe të gjesh etimologjinë e tyre, ka vend edhe për vrejtje. Por vrejtja kryesore që ka rritur peshën specifike të fjalëve të huaja në dëm të gjuhës shqipe, nuk qëndron. Është një drejtim studiuesish, që mendojnë se shqipja është nëna e të gjithë gjuhëve. Ato fjalë që ne i kemi nga latinishtja, ata mendojnë se i ka marrë latinishtja nga ne. Por. duhet të jemi objektiv, por jo indiferent.”
Mancaku më tej thekson se Koleci ka lënë një vepër të madhe dhe te dobishme, që duhet të nderohet dhe brezat e ardhshëm. Sikundër, duhet të punohet edhe për Fjalorë të rinj Etimologjikë në të ardhmen (S.M. 2021)
Në mbyllje do të citoj prof. dr.Valter Memisha me kumtesën e mbajtur në Shkodër në paraqitjen e veprës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”:
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, i hartuar nga K. Topalli, i cili plotëson zbrazëtinë e së shkuarës, është i domosdoshëm për të tashmen dhe do të jetë po kaq i domosdoshëm dhe pikë referimi për të ardhmen. Një vepër e tillë, për vështirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ajo përbën vetëm një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe./tema/KultPlus.com
Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, që t’u ap pakëzë dritë, natënë t’ua bënj ditë.
do të tretem, të kullohem, të digjem, të përvëlohem, që t’u ndrinj mir’ e të shihni, njëri-tjatërin të njihni.
për ju do të rri të tretem, asnjë çikë të mos mbetem, të digjem e të qanj me lot, se dëshirën s’e duronj dot.
unë zjarrit nuk i druhem dhe kurrë s’dua të shuhem, po të digjem me dëshirë, sa të munt t’u ndrinj më mirë.
kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë,
unë jam në shpirtin tuaj, mos më kini për të huaj, m’është falurë durimi, andaj po digjem si trimi,
se ma k’ënda t’u bënj mirë, të mos mbeti n’errësirë. jakëni rreth meje rrini, flisni, qeshni, hani, pini,
në shpirt kam dashurinë, pa digjem për njerëzinë, lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem,
dua ta djek trupn’ e kretë për atë zotn’ e vërtetë. me zjarr ta djek mushkërinë e të tretem për njerinë,
bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. unë dua njerëzinë, mirësin’ e urtësinë.
në bëhi shokë me mua, në më doni si u dua, njëri-tjetërin në doni, të paudhë mos punoni.
o zëmëra fluturake, qasju pakë kësaj flake! mase krahët t’i përvëlon, po dhe shpirtin ta shënjtëron.
unë duke përvëluar, njerëzit i kam ndrituar. kam qënë mik me njerinë, andaj i di e më dinë.
gjithë tuajt’ i kam parë, mëm’ e at’ e fis e farë, si tani gjithë i kam ndër mënt, që rrininë më këtë vënt.
edhe sot nër ju ata shoh, se shpirtin e tyre ua njoh, dhe unë si ju jam ndruar e jam përzjer’ e ndryshuar,
pa jam bërë shumë herë zjar e uj’ e balt’ e erë. jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli.
edhe ndër qiej fluturonj, edhe brënda në det qëndronj, shumë herë fle në baltë, diku ndodhem dhe në mjaltë
bënem qëngj e kec i pirë, lul’ e bar e gjeth i mbirë. dua shumë fjalë t’u them, po trëmbem mos i bënj ujem. e ku shkruhenë në kartë fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com
Të gjithë ne kemi ditë të këqija. Ditë nga ato tipiket kur as një filxhan i madh me kafe nuk mjafton për të na çuar nga krevati dhe për të na nxjerrë nga shtëpia.
Gjithçka duam është të rrimë mbyllur, të dëgjojmë muzikë të trishtë dhe kështu “zhytemi” më shumë në melankoli.
Për ju që keni nevojë të ndryshoni gjendjen tuaj, një listë më filma që mund t’i shihni nga sot në Netflix është këtu:
1 – To All the Boys I’ve Loved Before
2 – Paddington
3 – Eurovision Song Contest: The Story of Fire Saga
4 – The Perfect Find
5 – The Mitchells vs. The Machines
6 – Marcel the Shell with Shoes On
7 – The Forty-Year-Old Version
8 – Glass Onion: A Knives Out Mystery/ora/KultPlus.com
Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.
Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha. Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com
100 vjet më parë, më 3 qershor 1924 ndërroi jetë një nga shkrimtarët më të njohur të hapësirës gjermanofolëse. Në të gjithë botën tregimet e tij enigmatike, shpesh të errëta përpihen nga gjenerata të tëra.
Kafka lindi në 3 korrik 1883, para 125 vjetësh, në Pragë që në atë kohë bënte pjesë në perandorinë austrohungareze, sot kryeqyteti çek. Praga krenohet sot me shkrimtarin e madh, por qyteti edhe përfiton nga emri Kafka.
Monumenti i Franc Kafkës në Pragë
Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë
Zona e turistëve në Pragë. Ajo të çon nga unaza përmes rrugicave të ngushta të pjesës së vjetër të qytetit. Dyqanët e suvenirëve rreshtohen përkrah njëri-tjetrit. Në mes të mallrave të bie në sy emri i Kafkës. “Kemi bluza me emrin e Kafkës, apo filxhanë me fotografinë e tij:” thotë një shitëse e suvenirëve. Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë tregon ajo. Por edhe në muzeun e Kafkës krahas informacionit mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur, ofrohen gjithëfarëlloj suvenirësh, në kujtim të figurës së tij. Nga shenjueset për lexim me portretin e Kafkës deri tek mausi i kompjuterit me nënshkrimin e Kafkës.
Kafka lindi në një familje hebreje
Në 3 korrik 1883 para 125 vjetësh Kafka lindi në një familje hebreje në Pragë. Pas një fëmijerie dhe rinie të vështirë me një baba që atij i dukej shpeshherë i padrejtë dhe i plotfuqishëm, vijnë studimet në degën e juridikut dhe një punë në një shoqëri sigurimesh. Ky ishte thjesht një profesion për të fituar bukën e gojës. Sepse ajo që donte të bënte Kafka ishte thjesht të shkruante. “Kur Gregor Samsa u ngrit një mëngjes pas ëndrrash të shqetësuara, ai e pa veten në krevat të shndërruar në një insekt të frikshëm.”
Kështu fillon tregimi i Kafkës”Metamorfoza” në të cilin Gregor Samsa vazhdon ekzistencën e tij si një insekt, gjithnjë e më shumë i pavlefshëm derisa ai vdes. Një lehtësim për familjen e Samsës. Të errëta, mistike, ireale të duken tregimet e Kafkës.
Shtëpia e lindjes së Franc Kafkës me pllakën përkujtimore
Absurditetin që përshkruan ai Praga e ka përjetuar në vitet e komunizmit
Letërsinë e Kafkës e karakterizon hendeku i madh mes individit dhe shoqërisë, sqaron Tvrdik. Gjithnjë bëhet fjalë për ballafaqimin e një njeriu të vetmuar me ambientin familjar, më nje shoqëri anonime, me një burokraci të pamëshirmshme teknokrate. Edhe punonjësja në biletarinë e muzeut të Kafkës dridhet kur kujton letërsinë e tij: “Vetë i kam lexuar tregimet e tij dhe gjithnjë me një ndjesi tmerri i kam hedhur mënjanë. Me këtë ne nuk jemi ballafaquar ende. Kam përshtypjen se absurditetin që përshkruan ai, ne e kemi përjetuar në vitet e komunizmit.”
Por si është e mundur që Kafka është kaq i dashur për turistët?
“Në vitet 90-të pas rënies së Murit. Praga u rizbulua. një qytet, që ende gjendje në errësirë, që mbulohej me lidhjen me Kafkën dhe veprën e tij. Me sa dukej kjo zgjoi interesin për të zbuluar se si jetohej në këtë qytet të largët. Ky është ndoshta një shpjegim për valën e turistëve pas viteve 90-të. Dhe fenomeni “Kafka i pëlqyeshem” është një zbulim i kohës moderne e postmoderne.
Kafka ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare nga turbekulozi i mushkërive në Kierling të Austrisë. Por ai nuk do të vdesë kurrë me veprën që kanë lënë pas, thonë studiesit dhe adhuruesit e tij. /DW/KultPlus.com