Thënie nga Sami Frashëri, një prej mjendjeve më të ndritura të Rilindjes Kombëtare

Sami Frashëri ishte një nga personazhet më të njohur dhe mendjet e ndritura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij intensive ai shkroi më shumë se 50 vepra, si fjalorë, enciklopedi, drama, vepra letrare etj., ndër të cilat edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila vlerësohet edhe si “Traktati politik i çështjes kombëtare shqiptare”.

Më poshtë po sjellim disa nga shprehjet më të bukura të Sami Frashërit:

Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë.

Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.

Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.

Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.

Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.

Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.

Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.

Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.

Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.

Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.

Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.

I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.

Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.

Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.

Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët./KultPlus.com

‘Në parkun që mbuluan fletët’

Poezi nga Ismail Kadare

Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti/KultPlus.com

Deklarata e Buxhovit për rrënimin e Kishës Ortodokse serbe nxitë reagime të Peshkopatës Rashkë të Prizrenit, e quajnë skandaloze

Reagim i ashpër i Peshkopatës Rashkë – Prizren ndaj deklaratave të mia në emisionin e parmbrëmshëm “KOnfront” të Kohavizionit rreth ngjarjeve të vitit 2004, me ç’rast, nga ana ime, me argumente, kisha ortodokse e ndërtuar në hapësirat e Universietit të Prishtinë në vitin 1996, vlerësohet objekt i dhunshëm kishtar i ndërtuat nga Millosheviqi, në gurëthemelet e të cilit morën pjesë paramilitarët serb në krye me Arkanin dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe nga Beogradi.

Kam theksuar dhe po ritheksoj se ky objekt i dhunshëm është dashtë të shembet menjëherë pas luftës, ose të kthehet në muze të gjenocidit serb. Në vend se të ndodhë kjo, para tri vitesh, kisha e dhunshme legalizohet, ngaqë Universiteti i Prishtinës, nuk kishte paraqitur mbrojtje juridike para gjykatës, siç ka ndodhur edhe me pronat e uzurpuara në Deçan nga Manastiri i atjeshëm.

Peshkopata e Rashkë-Prizrenit, e trimëruar nga sjellja antishtetërore e zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës dhe të qeveritarëve të tjerë, që është dashtë ta ndalin këtë “dhuratë” kishës orotodokse serbe si dhe mos të lejojnë që krishtërimi ortodoks që u takon edhe shqiptarëve, të përvetësohet nga kisha ortodokse serbe, ngaqë kështu u jepen tapitë historike serbëve, kalon në ofanzivë, duke vlerësuar argumentet e mia si “nxitje shoveniste ndaj popullit serb në Kosovë dhe historisë së tij mesjetare”! Po ashtu, me të njëjtat shpifje sulmohet edhe teza ime për mashtrimet rreth shtetit mesjetar serb, të identifikaur me Rashkën e Nemanjajve, të bëra nga historiani S. Novajkoviq, libri i të cilit në universitetet amerikane, në saje të argumenteve që sjell vepra ime, ka humbë kredibilitetin ngaqë të ashtuquajturin “Kanun mesjetar të Perandorit Dushan” e falsifikon me përralla të klerikëve serbë nga Prizreni në shekullin XIX.

Në të vërtetë, reagim i Peshkopatës Rashkë-Prizren, si dhe ato paraprakët nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë pas botimit të “Kosovës” në pesë vëllime dhe përkthimit të saj në anglisht në SHBA, ku tashmë ka fituar kredibilitetin e literaturës alternative për historinë e Europës Juglindore, trimërohen nga mosreagimi i insitutcioneve tona shkencore (Akademisë, Insitutit të Historisë dhe atij Albanologjik) kundër propagandës hegjemoniste të historianëve serbë dhe kishës ortodokse serbe për përvetësimin e historisë së Kosovës dhe të trashlëgimisë së saj kulturore, siç është krishtërimi i zyrtarizuar në shekullin IV nga perandori Justinian, kur sllavëst ishin në Karpate./KultPlus.com

Letër prindërve që kanë fëmijë me sindromën Down

Shkruan: Fjolla Rraci

Do të doja ta takoja tani një nënë që sapo e ka kuptuar që brenda saj po rritet nje fëmijë i cili ka sindromen Down, apo një nënë që sapo solli në jetë një fëmije e që mjeket nuk e uruan, por e ngushëlluan për faktin qe femiu i saj lindi i prekur me sindromen Down, e t’ia them këto fjalë që burim kanë zemrën time dhe secilën eksperience timen me buzëqeshjen e dashurinë e ofruar nga çdokush i prekur me këtë sindromë.

Dua t’i tregoj që në librat e biologjisë edhe sot akoma shkruhet qe personat me sidromen Down jetojnë deri në 12-13 vjeç, e disa prej miqve të mi tashmë i kane kaluar te 40-at. Dua t’i tregoj qe shumë vite më parë dëgjoja fjalë nga me te ndryshme për personat me sindromen Down, qe janë të egër, shumë hiperaktiv, kokëfortë, ngacmojnë njerëzit e gjithfarë epitetesh jo të mira.
E gjate këtyre viteve e kam kuptuar qe këto fjale vinin prej njerëzve që nuk kanë dashur t’i njohin miqtë e mi, nga ata njerëz qe asnjëherë s’kanë bërë ndonjë muhabet më të gjatë, nga ata shok që kurrë nuk i përfshinë ne lojën e tyre, nga ata njerëz qe i kane konsideruar si të sëmurë, nga ata njerëz që se kanë njohur kurrë dashurinë e vërtetë.
Po, edhe femiu yt’ mund te kalojë nëpër situate të tilla e te etiketohet me gjithfarë emrash nëse ti e konsideron lindjen e tij si ndëshkim e fatkeqësi, por besojini zërit tim qe dridhet se fjalët po me vijnë prej shpirti e zemre që sindroma Down NUK është fatkeqësi, fatkeqësia më e madhe është veç padituria që nuk i lejon njerëzit me kuptu që çdo njeri që e ka afër një person me sindromën Down është i bekum sepse dashninë, ndjenjën e mirë dhe të qeshurën që ju rrjedh prej shpirtit që ta dhurojnë ata rralle mundesh me e marr prej dikujt tjetër.
Miqtë e mi e dinë saktë kur kam nevojë për dashuri dhe përqafime, mjafton me më pa ne sy, edhe ata kane me e kuptu çdo ndjenjë timen. Ata më kanë bërë ta kuptoj sa e bukur është jeta dhe se ka njerëz që dhurojnë dashuri pa kushte, pa pretendime, pa etiketime, ata e pranojnë çdo njeri ashtu siç është, sepse krejt çka shohin është dashni e mirësi, ashtu siç do te duhej te ishte çdo njeri.
E di, edhe e kuptoj qe mund te jete e vështire për ty në fillim e që i bën vetes pyetje te llojit, pse me ndodhi kjo mua ? Çfarë kam bere unë që të kem një fëmijë të tillë?
Këto pyetje do të fillojnë te zbehen me rritjen e femiut tënd, atëherë kur ta kuptosh që ai është i aftë që vetëm përmes një buzëqeshjeje, ai do ta dhuroj dashurinë e gjithë botes, qe ai do t’i gëzohet prezencës tande e që përmes veç një fjale e përqafimi do ta hekë barrën tende mbi supe.
Personat me sindromen Down janë ëndërrimtarë, ata e shohin boten pa luftë, pa krime, pa tradhti, pa ligësi, e shohin boten ashtu siç duam ta shohim të gjithë. I vetmi dallim mes nesh edhe personave me sindromen Down nuk është kromozomi shtese, as pamja, e as kurrgjë tjetër përpos asaj që ne i bëjmë pikërisht gjerat që i luftojmë, i bashkëngjitëm luftës, nënçmojmë, dhurojmë urrejtje, e ata nuk i pranojnë këto koncepte, por dhurojnë veç dashuri, mirësi e ëmbëlsi që ua flet krejt trupi e shpirti.
Do te doja ta takoja atë mjekun qe sapo i tha një nene, me vjen keq por femiu yt’ është me sindromen Down, t’i tregoj qe nëse secili njeri ne bote te kishte afër një person me sindromen Down, bota do të ishte vend shumë më i lumtur.

E do te doja qe mbiemri i zbuluesit te këtij sindromi te mos ishte John Langdown Down, por John Langdown Love, kështu sindroma do te merrte emrin “Love Syndrome” , sepse miqtë e mi dhurojnë veç dashuri”./KultPlus.com

Kjo është poezia më e hershme shqiptare

Sot, shënohet Dita Botërore e Poezisë. Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. 

Në kuadër të kësaj dite, po paraqesim sot poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, që është “Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës “E mbsuame e krështerë”, në vitin 1592.

Kënga e përshpirtshme

Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë
Të mirë e të krështe, bura e gra
Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë
Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka
E lum kush e kujton se ka të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bir të ti e për vëlla.

Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592. Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale. / KultPlus.com

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Cesare Pavese

Ti je për mua një krijesë e trishtë
një lule e përkohshme poezie
që bash në çastin kur e gëzoj
dhe provoj të dehem
e ndiej që ikën larg
shumë larg,
për mjerimin e shpirtit tim
mjerimi im i trishtë.
Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër
dhe ta thith gojën,
gjatë, papushim,
jam i trishtuar, vogëlushe,
sepse e ndiej zemrën time shumë të lodhur
duke të dashur kaq keq.
Ti ma jep gojën tënde
dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë
dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur
sepse shpirti në ne është shumë i lodhur
nga ëndrra tash t’ëndërruara.
Por jam unë, jam unë frikacaku,
dhe ti je kaq lart
saqë kur mendoj për ty,
nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie
për atë pak gëzim që më jep,
s’di a për tekë a për mëshirë.
Bukuria jote është bukuri e trishtë
të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja,
por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr.
Kur të flas për gjërat më të ëmbla
dhe të shtrëngoj në zemrën time
dhe ti nuk mendon për mua,
ke të drejtë, vogëlushe:
unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak.
Dhe ja, ti je për mua
asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë
me sy të mëdhenj ëndrre,
që për një orë më shtrëngohet në zemër
dhe më mbush plot
me gjëra të ëmbla, plot keqardhje.
Kështu më ndodh kur i dërrmuar
shtrydhem për të futur në vargjet e lehta
një hov timin të trishtë.
Një lule e përkohshme poezie
asgjë më shumë, dashuria ime.
Por ti nuk e di, vogëlushe,
dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj.
Do të vazhdoj, lule e vogël bionde,
që kaq shumë ke vuajtur në jetë,
të ta sodis fytyrën që të qan
edhe kur buzëqesh
-oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde!
nuk do ta dish kurrë, vogëlushe –
do të vazhdoj të adhuroj pranë teje
gjymtyrët e tua të vogla melodioze
që kanë ëmbëlsinë e pranverës
dhe janë kaq prekëse dhe aromatike
saqë unë gati sa nuk çmendem
nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë
duke i mbërthyer në trupin e tij.
Do të vazhdoj të të adhuroj,
të të puth dhe të vuaj,
deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka
duhet të marrë fund.
Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg
dhe nuk do ta ndiej më të lodhur zemrën,
por do të çirrem nga dhimbja
dhe do të puth në ëndërr
dhe do të shtrëngoj në gjoks
iluzionin e zhdukur.
Dhe do të shkruaj për ty,
për kujtimin tënd zemërthyes
pak vargje vajtuese
që ti nuk do t’i lexosh kurrë.
Por mua do të më qëndrojnë mizorisht
të gozhduara në zemër
përgjithmonë.

Përktheu: Orjela Stafasani. /KultPlus.com

Laure Cambau në QKLL, poetja franceze në një aktivitet mbi kulturën, misticizmin dhe religjionin

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi aktivitetin me temë: “Kultura, misticizmi, religjioni”, ku e pranishme ishte poetja franceze, Laure Cambau.

Në mjediset e QKLL, Cambau bashkëbisedoi mbi temën me poeten Mimoza Ahmeti, në këtë aktivitet i cili përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Poeteshat lexuan pjesë nga vëllimi poetik “E bardha pa të bardhë” i Laure Cambau, libër i cili është përkthyer në shqip dhe i pajisur me shënime nga Luan Rama. Ky vëllim poetik i kushtohet piktorit shqiptaro-francez Omer Kaleshi.

Poetja e ftuar nga QKLL, Laure Cambau, jeton në Paris. Poete dhe pianiste, ajo është gjithashtu autore e tregimeve për fëmijë dhe teksteve të këngëve.

Cambau ka botuar dhjetë përmbledhje me poezi dhe ka marrë çmimin Poncetton të SGDL për Lettres au voyou céleste (Amandier, 2010). Veprat e saj të fundit përfshijnë La fille peinte en bleu (Caractères/Ecrits des Forges, Quebec) dhe Ma peau ne protège que vous (Le Castor Astral). Në vitin 2017 u botua Le Manteau rapiécé, un voyage au fil du souffle (Unicité), një libër i frymëzuar nga takimi i saj – shpirtëror dhe i përkohshëm – me bektashinjtë (“kushërinjtë” e sufinjve); ky libër mori çmimin Vénus Khoury-Ghata 2018. Koleksioni i saj, Grand Motel du Biotope u botua nga APIC (Algiers) në 2021 dhe ishte finaliste për çmimet Apollinaire dhe Mallarmé dhe mori çmimin “Léon Paul Fargue” në 2022 në Paris. Në vitin 2023 ajo botoi Les Yeux de la Mouche (Le Castor Astral) dhe ishte gjithashtu finaliste për disa çmime. Ajo është anëtare e Compagnia delle Poete (Mia Lecomte) dhe është një bashkëpunëtore në revistën Apulée.

Ajo performon rregullisht muzikë dhome, me artistë lirikë dhe shkrimtarë./atsh/KultPlus.com

IKTK në Butrint, inspekton veprimtarinë e fondacionit që menaxhon qytetin antik

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një inspektim në Parkun Kombëtar të Butrintit, në kuadër të grupit të monitorimit të veprimtarisë së Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky proces synon të sigurojë zbatimin e standardeve më të larta për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të Marrëveshjes së Administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.

Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt./atsh/KultPlus.com

Gjithçka është ëndërr

Serafina Lajçi

Gjithçka është ëndërr,
më thua dhe nata shtrihet mbi shpirtin tim si një lëkurë e huaj.
Prek veten,
jam ajër shoh hijen time është hije e dikujt tjetër.

Më ke parë ndonjëherë në dritë apo vetëm në hijen e syve të tu të lodhur?
Më ke dëgjuar në fjalët që nuk t’i thashë apo në heshtjen që rëndon mes nesh si një peshë e padukshme?Gjithçka është ëndërr,
më thua por nëse gjithçka është ëndërr, kujt i përkasim?

Dhe nëse nata s’ka kufij, ku tretet hija ime?
Ku fillon harresa, ku mbaron vetja?
Ec përmes kësaj ëndrre me mua mos u zgjo, mos ma shprish trajtën se ndoshta vetëm këtu jemi të vërtetë ndoshta vetëm këtu nuk ndjehemi të humbur./KultPlus.com

Poezia

Octavio Paz

Përse kraharorin sërish ma prek?
Dhe vjen në heshtje fshehtas e armatosur,
porsi luftëtarët që përvidhen në qytetin e fjetur;
gjuhën ma djeg me buzët e tua, oktapod,
dhe m’i ngjall furishëm harbimet,
e këtë ankth të pafundmë
që ndez flakë gjithçka që prek
dhe gjithçkaje ia ngjiz
lakminë e mugët.
Bota epet dhe shkrihet
Si metali në zjarr.
Ndër rrënojat e mia, ngrihem unë,
Vetmitar, lakuriq, i shkretë,
Mbi shkrepin madhështor të heshtjes,
si ndonjë luftëtar i vetmuar
përballë bujtësve të padukshëm.
E vërtetë kaq përvëluese,
përse më nxit vallë?
Të vërtetën tënde s’e honeps dot,
as pyetjen tënde të pakuptimtë.
Përse vallë kjo luftë shterpë?
Njeriu është krijesë e paaftë për të të ngërthyer,
lakmi që veç etja shlyen,
flakë që përpin gjithë buzët,
shpirt që nuk gjallon në asnjë formë
e çdo formë prapëseprapë përcëllon
me zjarrin e fshehtë të pashuar.
Megjithatë ti ngulmon, lot qesëndisës,
brenda meje ngre perandorinë tënde djerrinë.
Lartësohesh nga humnerat e mia,
nga qendra e paemër e qenies time,
ushtri, baticë detare.
Rritesh, më mbyt etja jote,
Dëbon zgjedha jote,
gjithçka që nuk epet
ndaj tërbimit të shpatës tënde.
Veç ti jeton brenda meje,
Ti, lëndë e furishme e paëmërtueshme,
lakmi nëntokësore, përçartëse.
Kraharorin ma godasin shajnitë e tua,
zgjohesh nga prekjet e mia,
ballin ma ngrin
dhe sytë m’i bën profetikë.
Përkap botën dhe të prek ty,
lëndë e paprekshme,
njësim i shpirtit dhe trupit tim,
e kundroj kacafytjen që luftoj
dhe dasmën time tokësore.
Sytë m’i mjegullojnë pamjet e kundërta,
E sakaq këto pamje mohohen
nga të tjera syresh, më kuptimplota,
belbëzim përvëlues,
ujëra që mbyten nga terrim uji të dendur.
Në errësirën e vet të lagësht, jetë dhe vdekje,
prehje dhe lëvizje, janë e njëjta gjë.
Ngulmon, ngadhënjyese,
ngase unë gjalloj vetëm falë gjallimit tënd,
dhe goja e gjuha ime qenë ravijëzuar
veç për të shprehur frymën tënde
dhe rrokjet e tua të fshehta, fjalë
e paprekshme dhe despotike,
thelb i shpirtit tim.
Je thjesht një ëndërr,
Por krejt bota ëndrron ngërthyer brenda teje
dhe heshtja e saj gjen shprehje në fjalët e tua.
Kur has kraharorin tënd
Unë kam cekur skajin elektrizues të vetë jetës,
mugëtirën e përgjakur
ku puqen goja mizore e dashuruar,
akoma e etur për të rrënuar gjithçka që dashuron
dhe për ta jetuar sërish gjithçka që ka shkatërruar,
me botën e pandjeshme
e gjithmonë të njëjtë me vetveten,
ngaqë asnjëherë nuk ka ditur të ndalet
as ta humbasë kohën me çfarë ka ngjizur.
Merrmë në vetminë tënde,
shpjermë në ëndrrat e tua,
merrmë, nëna ime,
zgjomë tërësisht,
lejoma fanitjen e ëndrrës tënde,
me vaj m’i njom sytë,
për ta njohur veten time, kur të të njoh ty.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri. / KultPlus.com

Sot, shënohet Dita Botërore e Sindromës Down

Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur 21 marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.

Incidenca e vlerësuar e sindromës Down është midis 1 në 1000 deri në 1 në 1100 lindje të gjalla në mbarë botën. Çdo vit, rreth 3,000 deri në 5,000 fëmijë lindin me këtë çrregullim kromozomik.

Sindroma Down ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të pjesshme ose të plotë të kromozomit 21.

Nuk dihet ende pse ndodh, por sindroma Down ka qenë gjithmonë një pjesë e gjendjes njerëzore. Ajo ekziston në të gjitha rajonet, anembanë globit dhe zakonisht rezulton në efekte të ndryshueshme në stilet e të mësuarit, karakteristikat fizike dhe shëndetin.

Cilësia e jetës së njerëzve me sindromën Down mund të përmirësohet duke plotësuar nevojat e tyre për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontrolle të rregullta me profesionistë shëndetësorë për të monitoruar gjendjen mendore dhe fizike dhe për të ofruar ndërhyrje në kohë, qoftë fizioterapi, terapi profesionale, terapi të folurit, këshillim apo edukim special.

Personat me sindromë Down vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore, të cilat u pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Mbas dashnisë

Tinëz

M’ke dashtë si shkamb, jo si grue,
me trup t’lagun,
si me qenë strehë prej shiut,
jo prush që lyp me u ndezë.

Nuk isha ndjenjë, isha rast
me u shkput si gjethe 
jo pse deshe me ra te unë,
por se isha aty.

Më mësove me rrnu pa frymë,
me t’pa, pa t’pa
netët rrinin gjatë,
mëngjeset vinin kot.

I lash sytë me u mësu
me errësinën.
Gjumi, edhe kur vinte,
vinte i thatë si lëkurë që s’preket.

Kur ike,
nuk u shemba.
As s’bërtita si gratë nëpër filma.
As s’kërkova shpjegim.
E kuptova se kështu bien sendet pa kurriz
Tinëz, tinëz.

Tash unë s’rri ma
as si strehë,
as si shkamb
veç si truell i thatë
ku s’mundet me mbi ma kurrgja.

Mbas teje

Mbas teje
hapat u banë të ngadaltë
nuk isha tue ikë ma
as kujtimet s’më ndjeken mbrapa.

Mbas teje
Kam hangër çokollatë për drekë,
i kam ly flokët e kuqe,
e kam ndezë dritën me lexue
jo me pritë.

Tash i la pjatat pa la,
dal prej shtëpisë pa e mbyllë derën mirë.
Nuk rregulloj ma gjana që s’kanë randësi.

Trupi jem
s’e mban kujtimin tand si përmendore.
Ndalem para pasqyrës.
Mundohem me thirrë emnin tand me za.
Nuk më del,
as si mall,
as si faj.

Mbas dashnisë

S’ta thirra emnin.
As nuk të bana vend n’krye t’tryezës.
Gjethja që ra mbramë
ishte veç gjethe.

Dashnia jonë ka pasë kambë,
por ka ecë veç në nji drejtim.
Me pas pasë duer
kish mujt me u mbajtë.

Mbas dashnisë,
mbetet ndonji muri
aty këtu në kambë,
dritare t’ krisuna
dyer t’ shembuna
s’mundesh as me ecë zdathë
edhe dyshemeja asht e djegun

Mbas dashnisë
mbetet gjithherë nji ndoshta.
Ndoshta s’më ke dashtë.
Ndoshta as unë ty.
Ndoshta veç kemi ndejtë aty
kot,
si enë që përdoren
për raste të veçanta.

Mbas dashnisë
gjithherë bahet dimën.
Toka shterron
e gjuha nis me i hangër shkronjat./KultPlus.com

Posta e Kosovës vë në qarkullim pullat postare “Flora shëruese dhe aromatike”

Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot vë në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Flora shëruese dhe aromatike”.

Përmes 4 pullave postare prezantohen disa lloje të florës aromatike dhe shëruese më të përhapura në Republikën e Kosovës.

Kamomili (Matricaria chamomilla) – Kamomili është një bimë barishtore njëvjeçare, e cila rritet në livadhe dhe fusha të hapura. Arrin një lartësi prej 25 deri në 30 cm dhe dallohet për lulet e saj të bardha me aromë karakteristike. Kjo bimë ka qenë e njohur për veti shëruese që nga kohët e lashta dhe është quajtur madje edhe “bimë e shenjtë”.

Kantarioni (Hypericum perforatum) – Kantarioni është një bimë barishtore shumëvjeçare, që mund të arrijë lartësinë nga 30 deri në 100 cm. Dallohet për degëzimin në majë dhe lulet e tij të verdha apo të kuqe. Në Kosovë rritet në zona të papunuara, livadhe, kullota dhe pyje.

Lavanda (Lavandula angustifolia) – Lavanda është një bimë shumëvjeçare që mund të jetojë deri në 20 vjet. Ajo është një shkurre aromatike, me një lartësi mesatare prej 60 cm. Lulëzon nga qershori deri në gusht dhe është e njohur për aromën e saj të fortë dhe qetësuese. Rritet kryesisht në zona me klimë të butë mesdhetare, në kodra dhe male me diell.

Dëllinja e Zezë (Juniperus communis) – Dëllinja e zezë në Kosovë është e përhapur kryesisht në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit. Është një shkurre me rritje të ngadaltë, e cila mund të arrijë lartësinë nga 2 deri në 5 metra. Frutat e dëllinjës kanë veti shëruese dhe fillimisht janë me ngjyrë të gjelbër, ndërsa pas 18 muajsh piqen dhe marrin një ngjyrë të zezë-vjollcë, të mbuluar me një shtresë dyllore blu.

Nga sot ky emision i pullave postare do të jetë në dispozicion të qytetarëve në të gjitha zyrat postare deri në konsum të plotë./KultPlus.com

“The Times”: Shqipëria, vendi me plazhe spektakolare e shumë atraksione për të eksploruar

Vendi ballkanik ka plazhe spektakolare, mikpritje të ngrohtë, një kryeqytet emocionues dhe shumë atraksione të tjera për të eksploruar, shkruan Alice Taylor në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

E vendosur mes Malit të Zi dhe Greqisë dhe e rrethuar nga pjesa e Mesdheut ku deti Adriatik takohet me detin Jon, Shqipëria po shndërrohet shumë shpejt në një nga destinacionet më emocionuese të pushimeve në Evropë.

Plazhet e saj janë ende atraksioni kryesor, me çmime të përballueshme krahasuar me destinacionet më të njohura evropiane për pushime.

Në Shqipëri do të paguani rreth 10 paund për një vakt, rreth 2,50 paund për një litër birrë vendase dhe rreth 7 paund për një koktej në një vend të mrekullueshëm në Tiranë.

Pavarësisht se nuk është më një sekreti i Evropës, Shqipëria ofron ende shumë mundësi për përvoja të paarritshme.

Shqipëria paraqet një alternativë fantastike për adhuruesit e natyrës që kërkojnë të largohen nga plazhet e mbushura me njerëz. Rrugët e reja – si ato që lidhin fshatin bregdetar të Qeparos me Nivicën, në male – e bëjnë më të lehtë aksesin në vendet e shkëputura.

Mikpritja ndaj të huajve është një tjetër pikë kryesore e çdo vizite dhe qëndrimi në një bujtinë në pronësi të familjeve do ta konfirmojë këtë.

Kryeqyteti, Tirana, është një opsion i shkëlqyer për pushime në qytet gjatë gjithë vitit. Blloqet e tij të zbrazëta të epokës komuniste tani janë të mbuluara me murale të ndritshme dhe atraksione të tjera përfshijnë muzetë dhe rrënojat e kalave.

Disa nga aktivitetet më të mira për të bërë në Shqipëri:

1. Zbuloni artin e rrugës në Tiranë

Kur kryeministri Edi Rama u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000, kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një transformim të rëndësishëm përmes një fushate pikturash që i dha jetë të re ndërtesave të epokës komuniste të qytetit me artin shumëngjyrësh të rrugës.

Të vendosura kryesisht rreth rrethit të Bllokut dhe përgjatë lumit Lana, muralet ofrojnë një rrëfim vizual të së shkuarës dhe të tashmes së Shqipërisë, duke kapur thelbin dinamik të qytetit.

Më shumë se dy dekada më vonë, pasioni i vazhdueshëm i Tiranës për ngjyrat vazhdoi me MuralFest Tirana, një festival i përvitshëm që mbledh së bashku artistë ndërkombëtarë të rrugës.

2. Shihni qytetet e trashëgimisë botërore të Beratit dhe Gjirokastrës

Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës në trashëgiminë botërore të UNESCO-s në Shqipërinë jugore janë të paharrueshme për arkitekturën, kalatë dhe pazaret e tyre osmane.

Në Berat, vizitoni Muzeun Solomon, duke gjurmuar historinë e popullsisë hebreje të Shqipërisë; në Gjirokastër, Shtëpia historike e Skëndulit dhe Muzeu Etnografik ofrojnë një pasqyrë unike për veçoritë kulturore të Shqipërisë.

3. Ecni nëpër historinë e Ballkanit

Vizitoni Butrintin në bregun perëndimor të Shqipërisë, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku mund të ecni nëpër mijëra vjet të historisë së Ballkanit përmes amfiteatreve, bastioneve dhe kalave antike; ose Apolonia, e cila daton në shekullin VI p.e.s.

Divjaka është gjithashtu një vend që duhet vizituar, me shtigje biçikletash, laguna dhe plazhe, pelikanë dhe flamingo. Provoni ushqimin në restorantin “Ali Kali”, ku një kamarier shërben mbi kalë peshk

4. Relaksohuni në Rivierën Shqiptare

Riviera Shqiptare në detin Jon shtrihet nga qyteti i Vlorës deri në Sarandë, pikërisht përtej ujërave të Korfuzit, dhe është një ndërthurje fshatrash të vendosura në një formacion shkëmbor dhe plazhe të mahnitshme. Mes rrugëve gjarpëruese dhe ullishteve ofrohet mundësia për të vizituar festivale muzikore ose për të parë fshatra si Tragjasi.

5. Akomodohuni në një bujtinë tradicionale

Bujtinat gjenden në të gjithë vendin. Këto shtëpi pritëse tradicionale të drejtuara nga familjet janë një mënyrë e shkëlqyer për t’u zhytur në vend dhe ku shërbehet ushqim i shijshëm vendas, duke gliko dhe djath dhie.

Më të mirat gjenden në Tropojën malore dhe në qytetin e largët juglindor të Voskopojës – të dyja të shkëlqyera gjatë muajve të dimrit me dëborë.

6. Kuptoni historinë e Shqipërisë në Tiranë

Ju duhen disa ditë për të eksploruar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. Është një qytet kompakt: shumica e pamjeve të mëdha janë të arritshme në këmbë.

Mos humbisni Shtëpinë me Gjethe dhe muzeumet Bunk’Art 1 dhe 2, të cilët ofrojnë të gjitha një vështrim tronditës të sundimit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Vendet e tjera që duhen vizituar me patjetër janë; Kalaja e Tiranës, teleferiku “Dajtit Ekspres” dhe Kopshti Zoologjik i Tiranës.

Ndaloni për të parë Shtëpinë e Sali Shijakut, me veprat artistike nga dyshemeja deri në tavan dhe një oborr me kalldrëm të përsosur për të pirë kafe.

 7. Ecni në Parqet Kombëtare

Vizitoni disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë – Llogora apo Valbona janë dy shembuj të shkëlqyer – është gjithmonë një aventurë; vetëm kujdes nga rrëqebulli i Ballkanit, arinjtë dhe ujqërit që i frekuentojnë. Këtu mund të ecni më këmbë, të shëtisni me biçikletë ose kanoe.

8. Vizitoni fabrikën veneciane të maskave në Shkodër

Në fabrikën e maskave të artit të Venecias në Shkodër, stafi i maskave veneciane artizanale me më shumë se 1700 dizajne të ndryshme eksportohen në mbarë botën.

Krahas fabrikës, do të gjeni një muze kushtuar fotografit Italian, Pietro Marubi, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në qytet.

Shkodra është gjithashtu shtëpia e Kalasë spektakolare të Rozafës që ndodhet 130 metra mbi brigjet e liqenit të Shkodrës dhe është e rrethuar nga Alpet Shqiptare.

9. Zbuloni artin në Manastir

Manastiri i Ardenicës në qarkun e Fierit raportohet të jetë vendi ku u martua heroi shqiptar i shekullit XV Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu; shumë më vonë, ai u ripërcaktua si një klub për elitën komuniste.

Klubi nuk është më, por pas dyerve të gdhendura të lisit të manastirit ortodoks lindor të shekullit XIII mund të shihni afreske të ndërlikuara me ngjyrë ari – të pikturuara nga disa prej artistëve më të mirë të Shqipërisë, që datojnë nga vitet 1700 dhe 1800.

10. Eksploroni liqenet më të mira të Shqipërisë

Shqipëria krenohet me mbi 240 liqene natyrore dhe 800 artificiale dhe shumë prej tyre janë parajsa të biodiversitetit. Liqeni i Shkodrës, është më i madhi në Ballkan dhe shtëpia e më shumë se 270 llojeve të shpendëve, duke përfshirë kormoranët, çafkat dhe pelikanët.

Në juglindje, liqeni i Ohrit është liqeni më i thellë në Ballkan. Ujërat e tij strehojnë rreth 200 lloje endemike, nga krustacet deri te peshqit grabitqarë.

Pranë Liqenit të Prespës së Madhe, në 850 metra mbi nivelin e detit, është i njohur për ishullin e Maligradit dhe Kishën e Shën Mërisë me afreske të shekullit XIV.

11. Relaksohuni në burimet e nxehta të Përmetit

Zhytuni në burimet e squfurit midis Përmetit dhe Benjës. Nga Përmeti, merrni rrugën për në Petran. Jini të kujdesshëm pasi ka disa kthesa të mprehta.

Parkoni automjetin, ecni në urën osmane dhe shijoni peizazhin mahnitës malor.

Lumi Vjosa përshkon rrugën e tij përmes një gryke spektakolare.

Uji i nxehtë rrjedh në Lumin Vjosa, por ka edhe disa pishina të krijuara nga njeriu. Zona është gjithashtu e mrekullueshme për rafting, shëtitje dhe kampe.

12. Shtigje ecjeje rreth Nivicës

Nivica e qetë ndodhet në një cep të maleve shqiptare, në mes të një rrjeti shtigjesh që dikur përdoreshin vetëm nga barinjtë dhe bagëtitë e tyre.

Një grup vullnetarësh çekë shpenzuan dy vjet duke hartuar mbi 100 kilometra shtigje si pjesë e një projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të izoluara rurale.

Ndër opsionet, kanione madhështore, ujëvara, rrënojat e kalasë së Nivicës dhe Maja e Këndrevicës (2102 metra), maja më e lartë në zonë.

13. Blini suvenire në Bjeshkët e Nemuna

Një udhëtim në fshatin e thellë të Thethit në Bjeshkët e Nemuna – të njohura edhe si Alpet Shqiptare – është i domosdoshëm, siç është një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit për në bujtinat e arritshme vetëm nëpërmjet ujit.

Këtu mund të ecni ose thjesht të relaksoheni duke shijuar kuzhinën e freskët shqiptare si mish i pjekur, fasule, apo peshk i freskët i shërbyer me sallata të stinës.

Në fshatrat e Lezhës dhe të Shkodrës, vizitoni prodhuesit e verërave, poçarët dhe atelietë ku bulonat e gjalla të pëlhurës janë të endura me dorë nga leshi dhe mëndafshi.

14. Vizitoni një ish-burg komunist

Ish-burgu komunist dhe kampi i punës i Spaçit pranë Repsit është një përvojë kthjelluese që ofron njëfarë konteksti për të kaluarën komplekse të Shqipërisë.

Në majën e një mali ndodhen rrënojat e ish-burgut, duke përfshirë blloqet e qelive, dhomat e marrjes në pyetje, qelitë e izolimit dhe ndërtesat administrative.

Nuk është një përvojë e gëzueshme, por Spaçi është një kujtesë e rëndësishme e betejave që ka kaluar Shqipëria.

15. Vizitoni qendrën jofitimprurëse Fundjave Ndryshe

Vizitoni qendrën jofitimprurëse Fundjave Ndryshe, në dalje të Tiranës, për një vakt.

Do t’ju shërbehen pjata të tilla si ushqime deti të papërpunuara të marinuara me lëng limoni, makarona dhe rizoto me tartuf të rritur në vend dhe një përzgjedhje të gjerë mezesh shqiptare.

Pjesa më e mirë është se paratë që shpenzoni kthehen drejtpërdrejt në kauzë, e cila ndihmon njerëzit e pambrojtur vendas me strehim dhe mësime në gjuhën angleze.

16. Ndiqni shtegun në lumin Vjosa

Eksploroni lumin e Vjosës duke ndaluar në qytete dhe fshatra gjatë rrugës.

Niseni me Përmetin, një qytet i famshëm për burimet e nxehta dhe trëndafilat, dhe më pas drejtohuni në Tepelenë, vendlindja e të madhit Ali Pashë Tepelena, përpara se të vazhdoni në Vlorë, ku deti Adriatik takohet me detin Jon./atsh/KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Poezia është hyjnore, prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

Lasgush Poradeci / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Poezisë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Poezisë, e shpallur si e tillë prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).

E praktikuar gjatë historisë, në çdo kulturë dhe në çdo kontinent, ​​poezia flet për njerëzimin dhe vlerat tona të përbashkëta, duke e shndërruar dhe poezinë më të thjeshtë në një katalizator të fuqishëm për dialogun dhe paqen.

UNESCO e shpalli Ditën Ndërkombëtare të Poezisë në vitin 1999, me rastin e Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të të mbajtur në Paris për t’i “dhënë njohje dhe shtysë të re lëvizjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të poezisë”. Organizata shpresonte të frymëzonte kremtimin e poezisë në të gjithë botën, të ruante gjuhët e rrezikuara dhe të stimulonte shprehjen poetike gjatë kësaj dite.

Poezia përdor ritme dhe imazhe për të ngjallur emocione dhe imagjinatë tek lexuesit. Poezia mund të rimojë, por ka edhe poezi të shkruara në atë që quhet “varg i lirë”, e që nuk përdor rimë.

Poezia është një formë e bukur shprehjeje. Asnjë lloj tjetër letërsie nuk krijon një bollëk të tillë ndjenjash dhe emocionesh sa abstraksioni i poezisë. Poezia më e hershme besohet të jetë shfaqur me “Eposin e Gilgameshit” diku gjatë vitit 2000 para Krishtit, por ka të ngjarë që poezia ka ekzistuar edhe para përhapjes së shkrim-leximit.

Sot, gjenden lloje të panumërta poezish për t’u shijuar, duke përfshirë haikus, limericks, sonete dhe balada./atsh/KultPlus.com

“Gravurë me ngjyrat e kohës” nga Ajne Ibërhysaj do të promovohet sot në KultPlus Caffe Gallery, hapet edhe një ekspozitë

Sot, më 21 mars, në ditën botërore të poezisë, Ajne Ibërhysaj do të promovojë librin “Gravurë me ngjyrat e kohës”, promovim që do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Rreth librit do të flasin Agim Vinca e Ramë Oraca, ndërkohë, po kjo mbrëmje poetike do të shoqërohet edhe me prezantimin e ekspozitës kolektive nga artistët: Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi Maloku e Agron Mulliqi.

Kjo  mbrëmje me ngrohtësi poetike dhe ngrohtësi të ngjyrave është e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës./ KultPlus.com

’Kthehu në vargun e Homerit’

Poezi nga Ali Podrimja

Kthehu në vargun e Homerit
kthehu atje prej nga erdhe
koha jote s’është kjo, kthehu
liroji njerëzit prej vetvetes
e hijeve liroji prej maskave
e ikjeve liroji prej pagjumësisë
e heshtjeve liroji prej etheve
e shirave koha jote s’është kjo
kthehu në vargun e Homerit
Troja ra e Marsejezën
kahmot s’e këndojnë njerëzit./KultPlus.com

Trump nënshkruan akt ekzekutiv për shkatërrimin e Departamentit të Arsimit

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të filluar procesin e shkatërrimit të Departamentit të Arsimit, një premtim i fushatës së tij. Ky hap, megjithatë, do të kërkojë një akt të Kongresit për të realizuar largimin e plotë të departamentit.

Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë hapat e parë për të përmbushur premtimin e tij të fushatës për të shkatërruar Departamentin e Arsimit. Ai ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv sot për të nisur këtë proces. Megjithatë, heqja e plotë e Departamentit të Arsimit do të kërkojë një akt të Kongresit, raporton CNN.

Gjatë nënshkrimit të aktit, Trump ishte i rrethuar nga fëmijë të vegjël që qëndronin në tavolinat e tyre në Shtëpinë e Bardhë, duke nënshkruar gjithashtu dokumente në dosje.

Disa ligjvënës nuk janë të kënaqur me këtë lëvizje:

Udhëheqësi i Pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha në një deklaratë se “përpjekja për të shkatërruar Departamentin e Arsimit është një nga hapat më shkatërrues dhe dëmtues që Donald Trump ka marrë ndonjëherë.” Ai paralajmëroi se kjo “vendim i tmerrshëm” do të dëmtojë fëmijët, prindërit dhe do të rrisë taksat mbi pasurinë.

Senatori demokrat Elizabeth Warren e kritikoi këtë lëvizje si një “kod të kuq për çdo nxënës, prind dhe mësues në këtë vend.” Në një deklaratë, ajo tha se ata do të “paguajnë një çmim të madh.”

Por të tjerë e mbështesin planin e presidentit, pasi ai bëhet një debat në Kongres:

Përfaqësuesi republikan Tim Walberg, kryetar i Komitetit për Arsimin dhe Fuqizimin e Punës, tha se beson se zyrtarët federalë duhet të kenë një rol më të vogël në arsim. Ai tha se mezi pret të punojë me Sekretaren e Arsimit, Linda McMahon, “për t’i larguar qeverisë federale pas shpine të studentëve, familjeve, edukatorëve dhe tatimpaguesve.”

Senatori republikan Bill Cassidy, kryetar i Komitetit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet, tha se ai bie dakord me Trump dhe premtoi të “mbështesë qëllimet e Presidentit duke paraqitur legjislacion për ta realizuar këtë sa më shpejt të jetë e mundur,” sipas një postimi në X./KultPlus.com

“Kazerma e vjetër” në Prizren po restaurohet

“Kazerma e vjetër” në Prizren është duke u restauruar, dhe ky projekt kap vlerën e 500 mijë eurove.

Në një postim në Facebook, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se ky objekt do të rikthehet tek komunitetit.

“Pas restaurimit, një nga funksionet e kësaj ndërtese do të jetë akomodimi i institucionit të Arkivit ndër-komunal të Prizrenit”, ka thënë Çeku.

Ai shtoi se sot i vizituan punimet bashkë me Kurtin. /KultPlus.com

’Ti dhe hëna’

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

Nis restaurimi i kompleksit ‘Angonatët’, ikona e Gjirokastrës muzeale

Ka nisur restaurimi i kompleksit Angonatët, pozicionuar në ‘zemër’ të zonës së mbrojtur në Gjirokastër, monument Kulture i Kategorisë së Parë. Qeveria shqiptare përmes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ka çelur një muaj më parë fondin për rehabilitimin e banesës ‘ikonë’ në lagjen ‘Palorto’.

Inxhinieri i kësaj drejtorie në Gjirokastër, Vaso Polo tha për Report TV se punimet kanë për synim të rehabilitojnë pjesët më të dukshme të këtij kompleksi, fasadën, çatinë dhe parmakët, ndërsa në brendësi nuk do të ndërhyhet pasi është pronë private.

Kompleksi i Angonatëve përbëhet nga dy shtëpi me dy oborre dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XIX-të (viti 1881). Ky kompleks, më i fotografuari nga turistët në Gjirokastër është ndër shembujt më të mirë që tregojnë zhvillimin e arkitekturës gjirokastrite. Kompleksi është e ndërtuar me mure guri shtresor, dhomat janë të pajisura me tavane dekorativë dhe mjaft elementë të tjerë që e bëjnë atë unike./KultPlus.com

Qemal Stafa, idealisti i cili u bë simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore

Qemal Hasan Stafa lindi në Elbasan, më 20 mars 1920. Ka qenë bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përcaktuar si datë simbolike për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve nga regjimi komunist e deri më sot.

Biografia

U lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës.

Qemali ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi, i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xhemal Brojën, L. Radin, Arshi Pipën, Haki Tahën etj.

Mbas vdekjes së të atit, familja e tij u shpërngul në Tiranë korrikun e 1936. Në fillim të vitit shkollor ’36-’37 u regjistrua në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisën arrestimet prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte ndryrë në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.

Kandidati për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.

Në të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, një pjesë e të cilave janë çmuar me autorësi të diskutueshme.

Kushtime

Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”. / KultPlus.com

Triumfi i dashurisë në kohë lufte, katër gra sjellin rrëfimet personale në librin “Kohë kurorash”

Katër gra të Kosovës do të sjellin rrëfimet e tyre personale nëpërmjet librit “Kohë kurorash”, të cilat lufta e fundit e Kosovës i kishte gjetur në moshë të re dhe në kulm të dashurisë, dhe pikërisht dashuria e tyre është pikënisja e rrëfimeve të tyre personale të cilat i kanë sjell edhe në këtë libër.

Mirlinda Ahmeti, Shqiponja Vokshi, Shukrie Morina dhe Lona Kadriu janë autoret e këtyre rrëfimeve që janë bashkuar në këtë libër, e që nëpërmjet rrëfimeve të tyre shpërfaqin vështirësitë e luftës, dashurisë dhe triumfit të lirisë.

Dhe ky promovim vjen pikërisht në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, bombardime për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë, spastrim që udhëhiqej nga Sllobodan Milloshevic, i njohur edhe me nofkën “Kasapi i Ballkanit”.

Prurja e këtij libri vlerësohet të jetë shumë i veçantë, për faktin se nëpërmjet këtij libri do të dëshmohet edhe njëherë për vuajtjet e popullit shqiptar, por në këtë rast prej një këndvështrimi tjetër, prej vuajtjeve të të rinjve për mbijetesë. Rrëfimet në këtë libër janë ngjarje të vërteta, ku katër autoret shpjegojnë për dashurinë, frikën, vuajtjet…

Promovimi i librit do të bëhet më 24 mars, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery, ku panelistë do të jenë Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, Arbër Selmani, poet, gazetar dhe Sara Kelmendi, gazetare dhe publiciste. Ne promovim do të ndahen copëza të veçanta nga libri, sikurse që do të nënshkruhen edhe autografe nga autoret.

Të katër autoret janë ekonomiste të diplomuara, por paraqitja e jetës reale edhe nëpërmjet librit është forma me bukur e dëshmisë, dëshmi që do të mbetet për gjeneratat e ardhshme.

Botimi i librit është mbështetë nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com