Sead Vuniqi dhe Julind Dervishini së shpejti me premierën e baletit “Thirrje”

Balerini i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sead Vuniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të jepet premiera e shfaqjes së baletit me titull “Thirrje”, shkruan KultPlus.

Në shfaqje luan vetë Vuniqi, si dhe balerini nga Shqipëria, Julind Dervishini. Ndërsa, premiera e shfaqjes ipet më 6 maj në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, e më vonë në muajin nëntor, edhe në Tiranë.

Shfaqja realizohet me mbështetjen e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe TOKB-së.

Biletat mund të rezervohen nëpërmjet 044 430 693, dhe fizikisht në Biletorën e TKK-së pranë Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Asistente:

Rovena Shqevi

Muzika:

Various Artist ,Andi Vrapi – Edit

Skenografia:

Sead Vuniqi & Julind Dervishi

Kostumografia:

Jeta Meni 

Mjeshtër ndriçimi: 

Mursel Bekteshi

Realizator i skenografisë: 

Aziz Maloku ,Rrahman Mehmeti, Hysen Kuleta 

Foto&video: 

Qendrim Morina / #qeqeland

Organizator të projektit: 

Shpëtim Mejtani & Besjanë Bytyçi  / KultPlus.com

17 vjet nga vdekja e shkrimtarit Iljaz Prokshi

Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949 ndërsa vdiq në Prishtinë, më 28 prill 2007, shkruan KultPlus.

Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.

Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues.

Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.

Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.

Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit. /KultPlus.com

Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në momentin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Presidentja Osmani, Zyra qeveritare për të pagjeturit dhe Instituti për Krime të Luftës, inkurajojnë qytetarët që të bëjnë gati paditë. E familjarët shpresojnë që kjo do të jetë mundësi e mirë që të triumfojë drejtësia.

Vëllai i Lutfijes, doktor Adem Ademi vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve me dhunë tash e 25 vjet. Familjarët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë për fatin e tij, por as nuk ia gjejnë eshtrat e as nuk ia dinë varrin.

“Që 25 vite jetojmë me shpresë se do t’i gjejmë familjarët tonë”, tha Lutfije Ademi Vokshi.

Familjes së Lutfijes u ka mbetur një shpresë që ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në momentin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Ne familjarët e presim me padurim rezultatin pozitiv që Kosova të pranohet në KiE dhe besoj që çdo familjar sikur unë, do të bëjnë padinë edhe individualisht, por kisha pas dëshirë që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë padi, që të jemi sa më të fuqishëm, të ngrisim zërin sa më lartë që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, shtoi ajo.

Në këtë çështje familjarët kanë përkrahje edhe nga presidentja Vjosa Osmani. “Nga anëtarësimi në KiE përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti përfitojnë familjet të cilave u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, tha presidentja.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se si shtet janë edhe disa procedura të tjera që duhet t’i ndjekin deri te padia ndaj Serbisë për gjenocid.

“I bëj thirrje të gjithë atyre që janë të prekur direkt apo indirekt nga lufta 98-99 në çfarëdo lloj mënyre që të përgatiten dhe të fillojnë të gjejnë mundësinë për paditë e tyre ndaj shtetit serb sepse mendoj që jemi vonë dhe është koha ta bëjmë përgjegjës atë që i ka bërë këto krime, ku dikush patjetër duhet të përballet me drejtësinë. Ata që kanë kryer këto krime patjetër që duhet të jenë në burgje”, tha Hoti.

Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë po bëhet gati të mbledhë sa më shumë dëshmi. “Të gjithë ata akterë, individ, institucione që deri më tash kanë arritur të grumbullojnë materialet që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës, duhet të dorëzojnë nga një kopje edhe në institut, të cilat pastaj do të plotësohen nga ana e institutit”, tha Atdhe Hetemi.

Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, deri tani vetëm 45 persona janë dënuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës. /rtklive/ KultPlus.com

Duajeni i muzikës së vjetër qytetare, Ismet Peja

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më  27 Prill 1937.

Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën, Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.

Ai vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare./KultPlus.com

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja në Policinë e Kosovës, Antigona Çitaku – Dibrani, ka fituar çmimin ndërkombëtar për shërbim në komunitet.

Çitaku – Dibrani këtë çmim e ka fituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Grave Police.

“Të shpërblehesh në nivel botëror, nuk ka nder më të madh për mua, komunitetin tim dhe Policinë e Kosovës”, ka shkruar Çitaku – Dibrani,

Shtëpia-muze ‘Qako’, muzeu më i ri i Beratit

Qytetit të Beratit i është shtuar edhe një muze i ri: Shtëpia-muze “Qako”.

Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo.

Vetë shtëpia e familjes Qako, e ndërtuar në shekullin XVIII është muze. Pozicionimi në lagjen karakteristike të Goricës, tavanet me gdhendje druri, arkitektura mbresëlënëse e bëjnë të tillë.

Afresket që mban brenda shtëpia janë vlera e shtuar e saj.

Vizitorët vendas dhe të huaj e kanë të hapur derën çdo ditë, me mikpritjen karakteristike beratase dhe likonë e famshme për qerasje.

“Se Shtëpia Muze “Qako” e konsideron mik këdo që kalon pragun e portës shekullore”, shkruan Demo në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com

Dhjetë “urdhëresat” e Niçes

Këto dhjetë rregulla, Friedrich Nietzsche i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:

1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;

2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;

3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;

4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;

5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;

6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;

7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;

8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;

9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;

10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore. / KultPlus.com

‘Të desha me hakikat’ nga Shpresa Berisha

Shpresa Berisha është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare shqiptare, shkruan KultPlus.

Disa prej këngëve të cilat ajo ka interpretuar ndër vite janë:

“Për ty vuaj, për ty këndoj”, “Me lule t’beharit”, “Të desha me hakikat”, “Turtulleshë”, “Bukuroshja e lalës”, “Fytyra jote”, “M’ka marrë malli shpirt”, “Çohi djema shalone atin”, “Prizrenit”, “Si t’ja bëj hallit”, “Po del hëna”, “Sy jeshile”, “Tjetërkund nuse”.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën ‘Të deshta me hakikat’ nga Shpresa Berisha:

Të desha me hakikat
Të çmova mikesh të shtrejtë.
Mir’po paskem qenë pa fat, e aman
Ma punove pa të drejtë.

Me gjithë zemër unë të desha
Si njeri me mirësi.
Disa herë unë të buz’qesha aman
Me mallin e djalit t’ri.

Një kujtim që m’a ke dhanë-e
Po e ru’j me dashuni.
Do t’a kujtosh fukaranë, e aman
Megjithë se m’ke marrë mëni.

Nuk e di se t’kam bezdisë
Unë të pata me kimet.
Qofsh e lumtun ti moj mike, aman
Për mu’ si të jetë kismet./ KultPlus.com

BBK mban audicion për shfaqjen ‘Peter Pan’, drejtori Kajtazi: Vezullimi në sytë e fëmijëve na obligon të punojmë për një të ardhme më të mirë për ta

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbajtur në audicion me fëmijë për shfaqjen e baletit “Peter Pan”.

Drejtori i BKK, Sinan Kajtazi me këtë rast ka thënë se vezullimi në sytë e fëmijëve të cilin e ka parë sot përgjatë këtij audicioni të obligon për të punuar për një të ardhme më të mirë për ta.

Shfaqja “Peter Pan” do të jepet premierë në datën 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve./KultPlus.com

Kur Ismet Bogujevci e Nexhmije Pagarusha këndonin bashkë këngën ‘Njëri tjetrin duam shumë’

Nexhmije Pagarusha dhe Ismet Bogujevci, ishin këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqipe, të cilët vazhdojë të kumbojë përherë në veshët e atyre që e deshën muzikën e tyre, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell sot këngën “Njëri-tjetrin e duam shumë” e shoqëruar memelodi e tekst mjaft të ëmbël e nostalgjik për secilin. /KultPlus.com

‘Oj Kosovë, mos thuej mbarova, se djemtë tu ende janë gjallë…’

Kosova

Poezi e shkruar nga Bekim Lumi.

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”./ KultPlus.com

Alain Robbe-Grillet: Zëvendësimi

Alain Robbe-Grillet (1922 – 2008), ka qenë prozator, eseist, regjisor dhe skenarist francez. Një prej eksponentëve të Nouveau roman, ishte zgjedhur anëtar i Académie française më 25 mars 2004, duke e pasuar Maurice Rheims-in.

ZËVENDËSIMI

Alain Robbe-Grillet

Nxënësi bëri një hap prapa dhe shikoi para kah dega më e afërt. Atëherë bëri një hap përpara që të kapte një degë që dukej krejt afër grushtit të tij; u ngrit maje gishtave dhe e zgjati dorën aq lart sa mundi, por s’arriti ta kapte. Pas disa përpjekjesh të kota, veçse u dorëzua. I lëshoi duart poshtë dhe vazhdoi thjesht t’i mbante sytë në një gjë mbi gjethe.

Mandej u kthye te këmbët e pemës, ku mori pozicionin e mëparshëm: gjunjët e tij pakëz të lakuar, pjesa e sipërme e trupit të tij e anuar në të djathtë dhe koka e tij e lëshuar përpara supeve të tij. Ende mbante çantën e tij të librave në dorën e majtë. Ishte e pamundshme të shihej dora tjetër, me të cilën pa asnjë dyshim po mbështetej për drurit, ose për fytyrës së vet, e cila ishte ngjitur për lëvorës së drurit, thua se po shqyrtonte me hollësi ndonjë detaj rreth një jard e gjysmë mbi tokë.

Djaloshi prapë e kishte ndalur leximin me zë, por këtë herë mund të kishte qenë ndonjë pikë, me gjasë madje edhe ndonjë kryeradhë, dhe la përshtypjen se po përpiqej të tregonte përfundimin e paragrafit. Nxënësi u drejtua që të inspektonte lëvoren e drurit shumë më lart.

Në klasë mund të dëgjoheshin pëshpërimat. Mësuesi ktheu kokën dhe vërejti se shumica e nxënësve po shikonin lart, në vend se të ndiqnin leximin gojor në librat e tyre; prapë ai që ishte duke lexuar me zë shikoi drejt tavolinës së mësuesit me një shprehje të vagullt pyetëse, ose frikë. Mësuesi tha me rreptësi:

“E çka po pret?”.

Sytë e tyre shikuan poshtë në heshtje dhe djaloshi vazhdoi me të njëjtin zë studiues, pa shprehje dhe pakëz tepër të ngadalshëm, çka i jepte çdo fjale emfazën e njëjtë dhe madje i ndante prej atyre që vijonin:

“Sidoqoftë, atë mbrëmje, Joseph de Hagen, njëri prej nënkolonelëve të Philippit, shkoi te pallati i kryepeshkopit me pretekstin se po i bënte një vizitë kortezie. Siç kanë bërë të ditur së fundmi dy vëllezërit…”.

Nga ana tjetër e rrugës nxënësi përsëri shikoi nga afër gjethet në degët e poshtme. Mësuesi qëlloi tavolinën me shuplakën e dorës:

“Siç kanë bërë të ditur, presje, dy vëllezërit…”.

Duke shikuar pasazhin në librin e tij, ai lexoi me zë, duke e tepruar me shqiptimin:

“Fillo te: ‘Siç kanë bërë të ditur së fundmi, dy vëllezërit ishin tashmë aty, ashtu që mund, po të dilte nevoja, të mbronin veten me këtë alibi…’ dhe ki mendjen tek ajo që po lexon”.

“Siç kanë bërë të ditur, dy vëllezërit ishin tashmë aty, ashtu që mund, po të dilte nevoja, të mbronin veten me këtë alibi – një alibi e dyshimtë thënë të vërtetën, por më e mira që mund të gjendej për ta në këto rrethana – pa e përzier kushëririn e tyre të dyshimtë…”.

Zëri monoton u ndërpre në mënyrë të vrazhdë, në mes të fjalisë. Nxënësit e tjerë, tashmë me sytë e ngulur te kukulla e letrës e varur në mur, iu kthyen menjëherë librave të tyre. Mësuesi ktheu shikimin nga dritarje te djaloshi që ishte duke lexuar me zë, në anën tjetër të dhomës, në rreshtin e parë afër derës.

“Mirë pra, vazhdo tutje! S’ka asnjë pikë më aty. Duket se ti nuk po merr vesh gjë nga ajo që po lexon!”.

Djaloshi e shikoi mësuesin dhe mbrapa tij, pakëz në të djathtë, kukullën e bërë prej letre të bardhë.

“A po kupton, apo jo?”.

“Po”, tha djaloshi pa ndonjë bindje të thellë.

“Po, zotëri”, e korrigjoi mësuesi.

“Po, zotëri”, përsëriti djaloshi.

Mësuesi i hodhi sytë te teksti i shtypur dhe pyeti:

“Çka do të thotë fjala ‘alibi’ për ty?”.

Djaloshi shikoi kah kukulla e nxjerrë nga letra, pastaj kah muri i bardhë drejt para tij, pastaj te libri i dergjur në tavolinën e tij; e më pastaj përsëri kah muri, për pohtuajse një minutë të plotë.

“Atëherë?”.

“Nuk e di, zotëri”, tha djaloshi.

Mësuesi ktheu sytë ngadalë kah nxënësit e tjerë në klasë. Një djalosh e ngriti dorën, afër dritares mbrapa. Mësuesi pa drejt tij dhe djaloshi u ngrit në këmbë anash bankës së tij:

“Do të thotë t’i bësh të tjerët të mendojnë se ishin aty, zotëri”.

“Për çfarë e ke fjalën? Kush janë ata?”.

“Dy vëllezërit, zotëri”.

“Ku duan ata që të tjerët të mendojnë se ishin?”.

“Tek kryepeshkopi, zotëri”.

“E ku ishin në të vërtetë ata?”.

Djaloshi mendoi  për një moment para se të përgjigjej.

“Po ata ishin aty përnjëmend, zotëri, veçse donin të shkonin dikund tjetër dhe t’i bënin të tjerët të mendonin se ishin ende aty”.

Natën vonë, fshehur pas maskash të zeza dhe mbuluar me pelerina të mëdha, dy vëllezërit zbritën përmes një shkalle të gjata litari në një rrugë të shkretë të vogël.

Mësuesi luajti kokën ngadalë disa herë, thua se ishte duke e dhënë pëlqimin e tij me gjysmë zemre. Pas ca sekondash, ai tha: “E saktë”.

“Tash do ta përmbledhësh për ne gjithë pasazhin e lexuar, për të mirën e shokëve të tu, të cilët mund të mos kenë kuptuar”.

Djaloshi shikoi jashtë dritares. Pastaj i uli sytë te libri i tij, pastaj prapë lart kah tavolina e mësuesit.

“Ku duhet të filloj, zotëri?”.

“Fillo në fund të kapitullit”.

Pa u ulur fare, djaloshi i shfletoi faqet e libri të tij dhe, pas një heshtjeje të shkurtër, nisi të përmblidhte konspiracionin e Philippe de Cobourg. Pavarësisht ndalesave dhe rifillimeve të shpeshta, e bëri pothuajse në mënyrë koherente. Nga ana tjetër, vuri theksin pa vend te një numër gjërash dytësore, ndërsa i përmendi shkarazi, ose fare, disa ngjarje kruciale. Meqë kryesisht ishte i gatshëm të fliste me hollësi për veprimet më parë se sa për motivet e tyre politike, do të ishte tepër e vështirë për një dëgjues të painformuar të gjejë arsyet e atij episodi ose lidhjet mes ngjarjeve të ndryshme të përshkruara, ose mes njerëzve të involvuar. Mësuesi e lëshoi shikimin e tj të merrte udhë përgjatë dritares. Nxënësi ishte kthyer te pika përposh degës më të ulët të pemës; e kishte vënë çantën te këmba e pemës dhe po kërcente lart e poshtë, duke e mbajtur njërën dorë lart. Duke e parë se të gjitha orvatjet e tij po shkonin poshtë, përsëri u ndal në vend, me sytë te gjethet e paarritshme. Philippe de Cobourgu kishte vendosur tendat e fushimit buzë Nekarit. Nxënësit, të cilët më nuk u kërkohej të ndiqnin tekstin e shtypur, i kishin ngritur të gjithë kokat dhe në heshtje po e këqyrnin letër kukullën e varur në mur. Nuk kishte duar as këmbë, po veç katër gjymtyrë të nxjerr jashtë në mënyrë mizore dhe një kokë të rrumbullakët, tepër të madhe, përmes së cilës kalonte peri që e mbante. Disa inç më lart, në skajin tjetër të perit, mund të shihej topi i vockël i përtypur i letërthithëses që e mbante në mur.

Po djaloshi që po përgjigjej po e humbiste rrugën e tij në hollësi të pakuptimta të panumërta, kështu që mësuesi më në fund e ndaloi:

“Mjaft me kaq”, i tha, “mësuam mjaftueshëm për këtë. Ulu dhe ne do të rimarrim leximin nga fillimi i faqes: ‘Por Philippe dhe ndjekësit e tij

E gjithë klasa, si një i vetëm, u kërrusën mbi banka dhe një lexues i ri filloi, me një zë po aq të pashprehje sa ai i shokut të tij të klasës, edhe pse duke treguar me vetëdije presjet dhe pikat:

“Por Phillippe dhe ndjekësit e tij nuk ishin të asaj mendjeje. Nëse shumica e dietëve – ose edhe vetëm pjesa e baronit – do të hiqte dorë në këtë mënyrë nga prerogativat që u lejohen atyre, atij po aq sa atyre, si rezultat i një ndihme të çmueshme që i kanë dhënë kauzës së kryepeshkopit gjatë kohës së kryengritjes, tash e tutje nuk do të kenë mundësi, as ata as ai, të kërkojnë akuzimin e ndonjë të dyshuari të ri, apo pezullimin pa gjyq të të drejteve të tij pronësore. Ishte absolutisht esenciale që këto negociata, të cilat atij i dukej të kishin filluar në mënyrë aq të pafavorshme për kauzën e tij, të ndërpriteshin para datës së kobshme. Andaj, atë mbrëmje, Joseph de Hagen, njëri prej nënkolonelëve të Philippet, shkoi te pallati i kryepeshkopit me pretekstin se po i bënte një vizitë kortezie. Siç kanë bërë të ditur së fundmi, dy vëllezërit ishin tashmë aty…”.

Fytyrat mbetën të kërrusura dëgjueshmërisht mbi banka. Mësuesi shikoi kah dritarja. Nxënësi po kërrusej kah pema, i përhumbur në shqyrtimin e lëvorës. U kruspullos ngadalë, thua se po ndiqte ndonjë vijë që shkonte teposhtë trungut – në anën që nuk dukej nga dritarja e shkollës. Rreth një jard e gjysëm mbi tokë, lëvizjet e tij ndaluan dhe ai anoi kokën nga njëra anë, në të njëjtin pozicion që e kishte zënë më parë. Njëra pas tjetrës fytyrat në klasë shikuan lart.

Nxënësit e shikuan mësuesin, mandej në dritare. Por panelet e poshtme ishin prej xhami të errët dhe, sipër, mund të shihnin veç majat e pemëve dhe qiellin. Asnjë mizë as fluturë nuk dukej në panelet e dritareve. Kështu që menjëherë kthyen sytë e tyre kah ndërprerësi prej letre të bardhë i një njeriu.

\Marrë nga The Art of the Tale – An International Anthology of the Short Stories, Penguin, 1987

/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Dëmtohet busti i Skënderbeut në Gjenevë, komuniteti shqiptar: Nuk është hera e parë që ndodh

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme (26 prill), një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Gjenevë të Zvicrës ku është dëmtuar busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu që ndodhet i vendosur vetëm pak metra përballë zyrave të OKB.

Le Canton27.ch shkruan se autoritetet zviceriane kanë nisur menjëherë hetimin lidhur me rastin e vandalizimit.
Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësiminpër rastin ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që busti i Skënderbeut është dëmtuar.

Busti i heroit kombëtar të Shqipërisë është përuruar në Gjenevë më 1 nëntor te vitit 1997 nga veprimtare te shquar Astrit Leka dhe Zaim Jashari. Bustin e heroit tone kombëtar e mundësoi Zvicra ne shenje falënderimi dhe respekti ndaj kombit dhe komunitetit shqiptar në territorin helvetik, numri i te cilëve besohet se është mbi 300.000.

Në përurimin e bustit te “Skenderbeut” morën pjesë qindra persona, ne mesin e tyre edhe shume veprimtarë të çështjes kombëtare nga komuniteti shqiptar dhe shumë personalitete nga Tirana dhe Prishtina si dhe autoritete kantonale dhe zvicerane./tch/KultPlus.com

Rama: Agroturizmi ‘Max Mavrud’ në Leskovik, destinacion i shumëkërkuar

Agroturizmi “Max Mavrud” në Leskovik është një tjetër investim i ngritur me ndihmën e qeverisë përmes programeve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo pikë agroturistike, ku shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur.

“Bukuritë magjepsëse mes maleve të Leskovikut, ku agroturizmi Max Mavrud është kthyer në një destinacion i shumëkërkuar”, shkruan Rama.

Agroturizëm “Max Mavrud” në Leskovik është një destinacion ku mund të shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur e malësisë së jugut të Shqipërisë.

Një sipërmarrje private e nisur në vitin 2010 dhe e ndihmuar nga qeveria përmes programeve të AZHBR, kjo kantinë prodhon një ndër verërat e mira shqiptare, me 16 hektarë vreshta mbjellë në një terren malor, të harmonizuar nga një kombinim varietetesh të rrushit Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një model të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/ KultPlus.com

‘Takim Ndërkulturor Letrar’ në Stubëll me poet e përkthyes letrar

Në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Stubëll do të mbahet një takim ndërkulturor letrar në të cilin marrin pjesë Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes letrar shumëgjuhësh, Nedjeljko Špilek, zëvendës ambasador i Kroacisë në Kosovë e poet, Marc Perry, historian e profesor britanik dhe Bekim Shala, shkrimtar.

Ngjarja mbahet më 28 Prill, ora 15:00, në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe./KultPlus.com

Qielli i NewYork-ut hapet me ‘Abetaren’ e artistit Petrit Halilaj

Për të parën herë, një artist kosovar komisionohet dhe ekspozon punën e tij në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, të Shteteve të Bashkuara. Duke filluar këtë të hënë, 29 prill 2024, peisazhi skulptural ‘Abetare’ i Petrit Halilajt, prej figurash nga bronzi dhe hekuri, do të jetë i përhapur anembanë terracës së Muzeut MET, deri më 27 tetor 2024. Ky projekt gërsheton realitetin dhe imagjinatën përmes vizatimeve të fëmijëve, marrë nga shkarravinat e gjetura në bankat e shkollës në Runik, Kosovë, ku ai vijonte mësimet, si dhe në shkolla të tjera të rajonit.

Për artistin Petrit Halilaj, ‘Abetare’ është më i rëndësishmi i karrierës së tij. “Ajo që dikur ishte e pa materializuar, intime dhe e bërë fshehurazi, tani është shkallëzuar në një peizazh skulptural mbi qiellin e qytetit që ndezë ëndrrat e shumëkujt” shprehet artisti në rrjetet e tij sociale pak para hapjes së instalacionit skulptural në terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të MET për publikun.

Për punën e suksesshme të Halilajt, po shkruajnë edhe mediat e huaja prestigjioze, vlerësimet e të cilave po e ngrisin artistin kosovar në majë të artit bashkëkohor. Revista e njohur amerikane ‘Vogue’ në një bashkëbisedim me artistin Petrit Halilaj, shkruan që artisti i lindur në Kosovë, po sjellë dicka të jashtëzakonshme, fantastike e poetike në çatinë e Muzeut MET. Në anën tjetër, edhe pse pa shpalosur shumë detaje nga MET, as Halilaj nuk mund ta fsheh entuziazmin e tij për këtë arritje. “Ajo që unë po sjell është më tepër ndjenja e ndërtimit të një harte personale dhe trajektoreje të jetës sime duke ndërthurrur ëndrrat dhe imagjinatën time me realitetin. Jam aq i lumtur që kam zbuluar një mënyrë për të shprehur jo vetëm ëndrrat e fëmijërisë sime, por edhe ato të shumë fëmijëve në të gjithë botën.” shton Halilaj.

Edhe drejtori i MET, Max Hollein, e quan artistin kosovar si tejet përparimtar dhe ndërkombëtar në fushën e tij. “Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm.”

Instalacioni skulptural i artistit Petrit Halilaj, në terracën e Muzeut Metropolitan të Artit, në New York, është i hapur për publikun prej 30 prill deri më 27 tetor 2024./ KultPlus.com

Zbulohet pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi

Në Gjakovë sot është zbuluar pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi – Muzeu Historik 1999.

Të pranishëm në shtëpinë e nënës Ferdonije Qerkezi, ishin nënkryetari i komunës, Flamur Fetahaj, drejtori për Mjedis dhe Urbanizëm Arben Bakalli, drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla dhe Këshilltari Xhavit Alijaj.

Në fjalën e tij, Nënkryetari Fetahaj, u shpreh se kjo pllakë simbolizon shembullin më konkret të durimit dhe sakrificës së popullit tonë, Nënën Ferdonije.

“Kjo nënë dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve, do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë si institucion”,  tha ndër të tjera ai.

Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës.

Ndryshe, Ferdonije Qerkezi, vazhdon të mbaj shprese që fati i të gjithë të pagjeturve të zbardhët.

Ajo deri tash ka varrosur dy nga djemtë e sajë, përderisa trupat e dy të tjerëve dhe bashkëshortit nuk janë identifikuar ende./ KultPlus.com

Rama: Problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë rritur kapacitetet e organeve të kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht.

Ai thotë se problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi.

“Nga sot, kemi rritur kapacitetet e organeve të Kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht. Rritja e kapacitetit bashkë me kontejnerët e ri që po shpërndahen, janë rezultat i ndryshimeve që kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike”, shkruan Rama në Facebook.

Tutje, ai ka lutur qytetarët të jenë të përgjegjshëm në hudhjen e mbeturinave në mënyrë që të mbajmë Prishtinën tonë të pastër./ KultPlus.com

“Daily Mail”: Shqipëria – perla e fshehur që premton bukurinë e një lokacioni pa turma vizitorësh

Është e lehtë të bindesh për të vizituar një destinacion magjepsës bazuar në fotot ekzotike që postohen në media sociale, por shpesh vendet më të vlerësuara në internet janë të tejmbushura me turistë, shkruan Emily Lefroy në të përditshmen britanike “Daily Mail”.

Një përdorues i platformës “Reddit” organizoi sondazhin: ‘Cili vend duhet vizituar këtë vit?’ dhe zbuloi përmes përgjigjeve të komentuesve destinacionet e tyre të preferuara për të udhëtuar në 2024.

Përdoruesit ndanë përvojat e tyre të pushimeve në vendet më pak të njohura – duke u bërë thirrje udhëtarëve t’i vizitonin sa më shpejt, përpara se ato të mbipopulloheshin nga turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria është rekomanduar si një nga perlat e fshehura që premtojnë bukurinë e një lokacioni të famshëm në Instagram pa turma vizitorësh.

Shqipëria, Gadishulli Ballkanik

Shqipëria ndodhet në Ballkan. Vendi njihet për plazhet e bukura dhe Bjeshkët e Nemuna, të cilat janë një varg malor spektakolar në veri të Shqipërisë.

Vizitoni Shqipërinë përpara se vendi të preket nga turizmi masiv, pasi influencuesit në Instagram vazhdojnë të bëjnë të njohur dhe të promovojnë këtë perlë ballkanike.

Njerëzit janë shumë të ngrohtë dhe mikpritës, plazhet janë të mahnitshme dhe ushqimi është një ndërthurje e shijeve ballkanike, greke, turke dhe italiane.

Destinacioni mesdhetar është super i përballueshëm dhe ofron një mot të ngrohtë dhe të favorshëm.

Sipas sondazhit online në “Reddit”, vendet më të rekomanduara për t’u vizituar në vitin 2024 janë:

Shqipëria, Gadishulli Ballkanik

Sllovenia, Evropa Qendrore

Transilvania, Rumani

Bolivia, Amerika e Jugut

Mali i Zi, Gadishulli Ballkanik

Paraguaj, Amerika e Jugut / KultPlus.com

Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Qëndrojmë me familjet e të zhdukurve nga lufta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë një reagim në ditën kombëtare të personave të zhdukur  nga lufta e fundit në Kosovë.

Në reagimin e bërë nga ambasada thuhet se pas më shumë se dy dekadash, familjeve ende u mungojnë përgjigjet për fatin e personave të zhdukur.

“Sot, ne qëndrojmë së bashku me anëtarët e familjes që ende,  dekada më vonë – nuk e dinë se çfarë ndodhi me të dashurit e tyre të humbur”, thuhet në postimin e ambasadës, duke shtuar se përgjigjet mbi fatin e personave të zhdukur duhet të jenë prioritet, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi sot se sapo Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, familjarët e të pagjeturve mund të ushtrojnë padi në gjykatat evropiane.

Janë mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, shumica prej tyre fëmijë./ KultPlus.com

“Përrallat e Komunizmit”, Anita Likmeta sukses në “Amazon Italia” me romanin e saj të parë

Romani që po ngjall shumë diskutime në Itali tregon se si shkuan realisht gjërat gjatë komunizmit dhe luftës civile në Shqipëri.

“Shqipëria për një kohë shumë të gjatë ka qenë treguar, jashtë dhe brenda saj, nga njerëz që nuk e donin më. Por tani ka arritur koha për “Le favole del comunismo” të Anita Likmetës që na tregon anën tjetër të L’America. Nga ku gjithçka nisi”.

Kështu shprehet regjisori dhe intelektuali i njohur italian Gianni Amelio për autoren shqiptaro-italiane me sy të shkruar nga Durrësi, Anita Likmeta.

“Le favole del comunismo’ është romani i saj i parë i botuar nga Marsilio Editori dhe siç shprehet regjisori Gianni Amelio, ai është një akt thellësisht dashurie, sepse tregon si shkuan gjërat me të vërtetë.

“Dhe e thotë këtë përmes syve të një fëmije, autores Anita Likmeta”, vijon regjisori  Amelio.

Romani i Anita Likmetës, që sapo është publikuar në parapagim, po ngrihet shpejt në listat e shitjeve në Amazon Italia.

Po për çfarë flet romani?

“Përrallat e vendit të Shqiponjave tregojnë për gomerët, pemë mollësh, veprime për të shpëtuar një vajzë të çmendur me bisht kalëri, dhe për fleta që, një herë të mbjellë, mund të bëjnë të fillojnë të rriten jo vetëm luleshtrydhe dhe qepa, por edhe shtëpi.

Shqipëria e Shqiponjave është më e lumtura që ekziston. Edhe pse nuk ka ujë të rrjedhshëm, edhe pse ka më shumë bunkere sesa lopë, edhe pse nëna e Arit e la tek gjyshërit sepse u bë shtatzënë shumë e re për të punuar, edhe pse kur rrëzohet muri i Berlinit nuk ka përfundim të menjëhershëm të diktaturës: në Shqipërinë e Shqiponjave ka vetëm kaos dhe vrasje dhe njerëz me fytyrën e mbuluar. Sigurisht, kur rrëzohet muri i Berlinit, shumë njerëz largohen për në Itali, drejt anës tjetër të Shqipërisë së Shqiponjave, që është më e lumtura prej të gjithave.

Por Ari dhe gjyshërit nuk u nisën, ata mbeten mbrapa. Gjyshërit ndjehen shumë të vjetër për t’u larguar, dhe atëherë Ari pret që nëna – e larguar në anijen që kanë marrë të gjithë të tjerët – të kthehet për ta marrë.

Ka dy Ari në këtë roman: njëra është vajza që jeton në Shqipëri në vitet ’80 dhe ’90, dhe është pa këpucë, sepse këpucët nuk duhet të konsumohen dhe prandaj ajo ec zbathur; tjetra është një grua e re që ka shumë këpucë, ashtu si ka ujë të rrjedhshëm, dhe sot jeton në qendër të Milanos, në një apartament elegant, duke kaluar orë nën dush sepse shampot biologjike nuk bëjnë mjaft shkumë. Të dyja ngjajnë, pak për shkak se janë të bukura dhe bukuria është e njëjtë, pak për shkak se janë të njëjtat Ari.

Anita Likmeta, me butësi dhe ironi, me gëzim dhe pamëshirshmëri, shkruan një roman monumental dhe na tregon një fëmijëri ku, ndonjëherë, të urinosh nën veten ishte mënyra e vetme për t’u ngrohur.

Anita Likmeta është një shkrimtare dhe sipërmarrëse e lindur në Durrës, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, natyralizuar italiane.

Pasi arriti në Itali pas luftës civile në vitin 1997, ajo mori diplomën e shkollës së mesme për gjuhët klasike dhe pastaj u laureua në Letërsi dhe Filozofi.

Ajo është vlerësuar në vitin 2021 si një nga gratë “Inspiring 50” në Evropë për inovacionin sipas Corriere della Sera. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo ka qenë Ambasadore për Connect Albania për IOM – Migracionin e OKB-së. Gjithashtu, ajo ka qenë kandiduar edhe në zgjedhjet politike italiane në zonën e progresistëve liberalë. /atsh/KultPlus.com

Pamje të një tornadoje në Nebraska ndërsa moti i keq godet zonën

Një tornado u vu re në Nebraska-n juglindore ku janë vendosur disa paralajmërime për pjesët perëndimore të zonës së metrosë Omaha.

Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi një tornado në veri të Waverly, Nebraska që po lëvizte në verilindje pak pas orës 15:00 të premten.

Zyrtarët u kërkuan atyre në zonë që të kërkojnë strehim menjëherë, shkruajnë mediat e huaja.

Paralajmërimet për tornado u vendosën të premten pasdite për një zonë pranë Interstate 80 midis Lincoln dhe Omaha, tha Patrulla e Shtetit të Nebraskës.

Ndërkohë të paktën tri tornado të tjerë janë raportuar që nga e enjtja, duke përfshirë një pranë Bird City, Kansas, një në Yoder, Wyoming dhe një tjetër pranë Akron, Kolorado, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Guvernatori i Kansasit, Laura Kelly, shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të motit të ashpër./ KultPlus.com

Dua Lipa në gala “Time 100”: E ftuar si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa tërhoqi vëmendjen të enjten në mbrëmje gala “Time 100” në qytetin e New Yorkut.

Këngëtarja 28-vjeçare, e cila u pa më herët gjatë javës në qytet, mahniti të pranishmit teksa u paraqit e veshur me një fustan argjendi të me mëngë të gjata të markës “Chanel”.

Fustani gjithashtu kishte në qendër një fjongo në formën e çelësit të zezë dhe një brosh në mes, shkruan DailyMail. / KultPlus.com

OSBE kërkon ripërtëritje të përpjekjeve për të zbardhur fatin e të gjithë të zhdukurve

Në Kosovë sot po shënohet Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Për këtë ditë janë organizuara aktivitete të ndryshme nga institucionet qendrore e lokale.

Ndërkaq, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kërkuar zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve në Kosovë.

“Në ditën e Personave të Zhdukur në Kosovë, ne bëjmë thirrje për ripërtëritje të përpjekjeve për të zbardhur fatin e të gjithë të zhdukurve. Në veçanti në këtë ditë ne qëndrojmë me të gjitha ato familje që presin përfundimin e këtij procesi. Shërimi i plagëve të së kaluarës do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore për të gjithë”, ka shkruar misioni i OSBE-së në Kosovë, duke e përmbyllur postimin me #NeverForget.

Në Kosovë llogariten mbi 1600 persona të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë më 1998-1999. Presidentja Vjosa Osmani në reagimin e sotëm ka thënë se Serbia vazhdon të flet mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat me informacione për personat e zhdukur. / KultPlus.com