Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, janë bërë homazhe tek monumenti i personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë, ka vendosur lule pranë monumentit të personave të zhdukur.
Ndërkohë sot, në orën 12:30, homazhe do të mbahen në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës. Më pas, në orën 14:30, do të zhvillohen homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” pranë Bibliotekës Kombëtare. Në orën 19:00, do të mbahen homazhe dhe do të ndezën flakadanët në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, për të nderuar ata që u zhdukën gjatë periudhës së luftës.
Në Kosovë 27 Prilli është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli.
Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më 27 Prill 1937.
Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.
Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.
Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.
Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën, Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.
Ai vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare./KultPlus.com
Shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra u shpall sot fituese e edicionit të tretë të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në finalen e këtij konkursi ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore etj.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj tha se “jemi në përmbyllje të këtij rrugëtimi dymujor ku në 700 shkolla rreth 11 mijë nxënës kanë garuar përmes dijeve të tyre në gjuhën shqipe në këtë konkurs kombëtar”.
Në një finale plot emocione dhe konkurrencë të fortë u përballën shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra dhe shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan.
Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.
Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund, duke e mbajtur publikun në ankth.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza./atsh/ KultPlus.com
Sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur.
Kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.
Aktivitete të ndryshme do të organizohen gjatë ditës për të nderuar kujtimin e të pagjeturve dhe për të bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të tyre. Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka planifikuar homazhe në disa vende simbolike të Kosovës, ndërsa programi i aktiviteteve është si më poshtë:
11:00 – Homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur (Përballë Kuvendit të Kosovës)
12:30 – Homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës (Mejë)
14:30 – Homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” (Biblioteka Kombëtare)
19:00 – Homazhe dhe ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe (Krushë e Madhe).
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka emetuar sot një edicion të pullës postare, kushtuar Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Ky emetim nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe përçon mesazhin e kujtesës kolektive, dhimbjes së përbashkët dhe përkushtimit të pandërprerë për zbardhjen e fatit të tyre.
Përmes këtij edicioni, Posta e Kosovës shpreh solidaritet me familjet që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, duke mbështetur të drejtën e tyre themelore për të ditur fatin e më të dashurve.
Emetimi përfshin një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.
Si bartëse e historisë dhe e kujtesës sonë kolektive, pulla postare këtë herë ngre zërin për drejtësi – një zë që mbetet i gjallë dhe i patjetërsueshëm në ndërgjegjen tonë shoqërore./ KultPlus.com
Në një mëngjes të artë pranvere, kur qyteti i Tiranës sapo kishte nisur të merrte frymë me një ritëm që përzihej midis traditës dhe ëndrrave moderne, ndodhi një ngjarje që do të mbetej e ngulitur përgjithmonë në kujtesën kombëtare shqiptare: Martesa e Mbretit Zog I me Konteshën Géraldine Apponyi.
Ishte 27 prilli i vitit 1938 – një datë që pulsonte në zemrën e një Shqipërie të etur për stabilitet, përkohësisht të vetmin Mbreti kishte zgjedhur të kurorëzonte jo vetëm një bashkëshorte, por edhe një shpresë të re për vendin që e kishte ndjekur me besnikëri mes furtunash dhe sfidash. Në ceremoninë madhështore që mbërtheu kryeqytetin, Tirana u stolis me flamuj kombëtarë, me shallvara të ngjyrosura të vajzave të reja, me aromë dafinash dhe lule portokalli që i dhanë ditës një shije amfore të rrallë.
Géraldine, aristokratja e hijshme, me gjak hungarez dhe amerikan, mbërriti në krah të Mbretit me një sharm që prekte njëkohësisht kontinentalen dhe ëndrrën e re për Shqipërinë. E quajtur ndonjëherë me përkëdheli “Mbretëresha e Borës së Bardhë” për bukurinë e saj të brishtë dhe fisnikërinë natyrale, ajo u bë simbol i një elegance të pastër dhe të paqtë që rrallëherë e kishte parë ky vend.
Kostumi i saj i nusërisë ishte një himn delikatesë: një fustan i bardhë mëndafshi, me një vel të gjatë dhe të tejdukshëm që valëvitej lehtë mbi supet e saj të holla, duke e bërë atë të dukej si një figurë e dalë nga legjendat e vjetra të Evrope. Në kokë mbante një diademë me diamante – një dhuratë e Mbretit Zog – që shndriste nën rrezet e diellit shqiptar sikur vetë yjet të ishin thirrur për të bekuar këtë martesë.
Ceremonia u mbajt në Pallatin Mbretëror në Tiranë, e ndjekur nga elita politike shqiptare, përfaqësues të huaj diplomatikë dhe fisnikë nga mbarë Evropa. Orkestra mbretërore tingëllonte një himn solemn, ndërsa fjala “PO” u shqiptua me një solemnitet që përziente një dramë të brendshme kombëtare me një ëndërr personale. Në çdo gjest të Mbretit Zog lexohej një përpjekje për ta lidhur historinë e Shqipërisë me një botë që përtej kufijve të saj ndiente ende frymën e aristokracisë dhe trashëgimisë së lashtë.
Në oborrin e pallatit, fotografët kapën disa nga pamjet më prekëse të historisë shqiptare: buzëqeshjet e reja të Géraldine-s, përkuljen plot respekt të Mbretit para saj, shikimet që përshkruanin një lidhje të thellë midis detyrës dhe ndjenjës, midis dëshirës për të dashur dhe përgjegjësisë për të mbretëruar. Disa foto tregojnë Mbreteshën duke shtrënguar dorën e vogël të një fëmije shqiptar — një simbol i dashurisë që ajo do të ushqente për popullin e saj të ri.
Pas aktit solemn, Tiranë shndërrohej në një festë të zjarrtë popullore. Tupanët dhe çiftelitë kumbonin në rrugët e qytetit, gratë shtriheshin në valle të zjarrta ndërsa burrat këndonin këngë labe, përzier me emocionin që s’mund ta mbante dot brenda muret e zakoneve të lashta.
Por kjo nuk ishte thjesht një martesë mbretërore. Kjo ishte një përcjellje e heshtur e një shprese kombëtare – një shpresë për një jetë më të begatë, për një Shqipëri që do të hynte në shekullin XX me një fytyrë të re, të buzëqeshur, të dëlirë.
Në retrospektivë, martesa e Zogut dhe Géraldine-s është një nga ato çaste të rralla kur historia dhe ndjenja njerëzore shkrijnë kufijtë mes tyre. Ajo mbetet një testament i një përpjekjeje të sinqertë për të ndërtuar një jetë të re, për të përtërirë një komb dhe për të besuar, ndonëse për një moment të shkurtër, se dashuria mund të jetë mbretëresha më e fuqishme mbi të gjitha mbretëritë./ KultPlus.com
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, sot do t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.
Ceremonia do të mbahet në ora 16:00, në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.
Natasha Kandiq është një nga figurat më të njohura në fushën e aktivizmit për drejtësi dhe të drejtat e njeriut në Ballkan.
Ajo është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, e cila që nga viti 1992 ka mbledhur dëshmi dhe fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Para 26 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Udha e mbarë se erdh pranvera, shko, dallëndyshe tue fluturue, prej Misirit n’dhena tjera, fusha e male tue kërkue; n’Shqipni shko, pra, fluturim, shko në Shkodër, n’qytetin tim. Shëndet prej meje të m’i falësh saj shpisë vjetër ku kam le, me ato vende rreth t’përfalesh, ku kam shkue kohën e re; atje shko, pra, fluturim, fal me shndet qytetit tim. Me ato male, me ato kodra, me ato prroje rreth t’përfalesh n’ato fusha që m’ka Shkodra të lulzueme, aty t’ndalesh; tue kndue me ambëlcim, fal me shndet qytetit tim. T’mujsha dhe un’ me fluturue dojsha dhe un’ me u nisë me ty, dojsha n’Shkodër me kalue, m’e pa prap at’vend me sy! Por… ti shko atje… fluturim e ti qajma fatin tim./ KultPlus.com
Po, përtej njerëzve të kërkoj. Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin, as në imazhin tënd, po ta pikturojnë. Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.
Përtej vetes tënde të kërkoj. Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde, as në shkrimin tënd dhe madje as në shpirtin tënd. Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.
Më tutje, më larg përtej vetes time të kërkoj. Ti nuk je veçse ajo çka ndiej. Nuk je veçse ajo çka rreh bashkë me gjakun në venat e mia. Nuk je brenda meje.
Dhe për të të gjetur duhet të mos jetoj më brenda teje, brenda vetes time dhe brenda njerëzve. Duhet të jetoj përtej gjithçkaje, në bregun tjetër të gjithçkasë, për të të gjetur ty njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com
André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).
Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The New York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.
Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:
Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.
Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.|
Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.
Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.
Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.
Ngjyra e së vërtetës është gri.
Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.
Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.
Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.
Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.
Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.
Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.
Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.
Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.
Guxo të jesh vetvetja.
Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?
Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.
Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.
Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.
Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.
Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.
Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.
Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.
Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.
Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.
Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.
Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.
Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.
Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.
Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.
Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.
Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.
Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.
Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.
Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.
Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.
Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.
Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.
Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com
Të gjitha fjalët që mbledh, Të gjitha fjalët që shkruaj, Ato duhet të hapin pa u lodhur krahët e tyre, dhe mos ndalojnë kurrë në fluturimin e tyre, derisa të arrij atje ku është zemra jote e trishtuar, e trishtuar, dhe natën t’këndoj për ty veç për ty…
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” po përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali.
Kosova është pjesë e festivalit bashkë me shtetet e tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku. Më poshtë gjeni postimin e plotë:
E nderuar që bashkë me Kryetarin e Komunës së Almeirim Pedro Miguel Ribeiro dhe Kryetarin e Festivalit Ricardo Casebre të bëjmë hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali.
Në edicionin e sivjetmë, krenari të pafund na dhanë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, që me performancat e tyre po përfaqësojnë denjësisht kulturën e Kosovës krahas shteteve të tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. Ndërmjet datave 24 prill – 1 maj ansamblet gjegjëse, artdashësit e spektatorët e 7 komunave në Portugali do të kenë mundësi të njihen me vlerat e kulturave të ndryshme dhe të shijojnë diversitetin që secila nga to sjellë në mozaikun botëror të trashëgimive kulturore e folklorike.
Falenderim i veçantë shkon për gjithë ekipën e Ansamblit “Shota” që na bënë zemrën mal me performancat e tyre, sidomos për përfaqësuesit e Ansamblit, z. Agron Syla – Drejtues, z. Besnik H. Grajcevci – Solist i Parë, znj. Artiola Shala – Valltare, të cilët morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes në komunën Almeirim dhe me të cilët bashkë bëmë nderimin e flamurit të Kosovës në sheshin kryesor./ KultPlus.com
Kardinalët qëndrojnë në rreshta në funeralin e Papës. Ata janë të veshur me pelerinë të kuqe dhe një kapele në kokë.
Sipas mediave të huaja, në 15 deri në 20 ditë pas varrimit të Papa Françeskut, Kolegji i Kardinalëve do të thërrasë kardinalët në Romë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.
Ata do të mblidhen në Kapelën Sistine të Vatikanit. Pasi të kenë hyrë kardinalët, ata nuk mund të komunikojnë me botën e jashtme derisa të zgjidhet një Papë i ri.
Kardinalët duhet të jenë nën 80 vjeç për të votuar, që do të thotë se vetëm 135 nga 252 kardinalët do të kenë të drejtë vote.
Një Papë i ri kërkon dy të tretat e shumicës, por kjo mund të marrë kohë, shkruan A2 CNN.
Një raund votimi bëhet në pasditen e parë të konklavës (mbledhja) dhe më pas votimi do të bëhet deri në katër herë çdo ditë më pas.
Nëse konklava (mbledhja) përfundon ditën e tretë pa marrë një vendim, kardinalët mund të ndalojnë për një ditë lutjeje përpara se të rifillojnë votimin.
Nëse nuk merret vendim pas 33 raundeve, do të ketë një balotazh midis dy kandidatëve më të votuar, por njëri prej tyre do të duhet të marrë dy të tretat e votave për t’u zgjedhur Papë./ KultPlus.com
Në qytetin e Shkodrës, në galerinë ODA, u hap ekspozita personale e artistit të ri nga Kaçaniku, Fetah Shehu. Për herë të parë në Shkodër, Shehu prezanton punën e tij të ndjeshme dhe të fuqishme përmes ekspozitës me titull “Bashkëbisedim me nënloken”.
Punimet e tij, të përqendruara në portrete dhe shikime të mbushura me emocione të thella, sjellin para publikut kujtesën e dhimbshme të luftës në Kosovë. Çdo vështrim i kapur nga dora e artistit është një rrëfim pa fjalë, një dëshmi e fuqishme e dhimbjes, forcës dhe qëndresës.
Artëdashës të shumtë, turistë dhe miq të artistit u mblodhën në hapjen e ekspozitës, duke përjetuar emocionet që përcjellin mjeshtërisht punimet e tij. Fetah Shehu, i lindur pas përfundimit të luftës, shprehet se përmes artit të tij dëshiron t’i tregojë botës këtë faqe të rëndë të historisë së Kosovës, të rrëfyer nga vetë nënlokja e tij, si një kujtesë e gjallë dhe e përjetshme.
Galeria ODA, me magjinë e saj për të sjellë në Shkodër artistë nga mbarë bota, edhe këtë herë dëshmon rolin e saj si një hapësirë e gjallë e kulturës. Në historikun e saj, dhjetëra artistë kanë sjellë artin e tyre këtu, por njëkohësisht kanë marrë me vete një copë Shkodër — histori, traditë dhe shpirt.
Ekspozita “Bashkëbisedim me nënlokën” do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, duke ftuar publikun të njohë përmes artit një nga faqet më të ndjeshme të historisë shqiptare./ KultPlus.com
KFOR ka njoftuar se një stërvitje për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave është kryer nga batalioni Taktik Rezervë i KFOR-it dhe Njësia Shumëkombëshe Speciale.
Në njoftim është shtuar edhe se, trajnimi është bërë për të ruajtur gatishmërinë e tyre të lartë operacionale.
Njoftimi:
Batalioni Taktik Rezervë i KFOR-it (KTRBN) dhe Njësia Shumëkombëshe e Specializuar (MSU) e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO zhvilluan trajnim për Kontrollin e Turmave dhe Trazirave në Kampin Novo Selo për të ruajtur gatishmërinë e tyre të lartë operacionale. Një fazë aktiviteti u zhvillua në koordinim të ngushtë me Detashmentin e Mbështetjes së Lëvizshmërisë (MSD) dhe me Ekipin Taktik të Psikopëve (TPT). Gjatë ushtrimit, u vendos edhe një top uji si pjesë e trajnimit.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./ KultPlus.com
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas takimit të së shtunës me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Nuk ka asnjë arsye pse presidenti rus Vladimir Putin “ka lëshuar raketa në zona civile, qytete dhe qyteza ditët e fundit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk do ta ndalojë luftën, thjesht po tallet me mua dhe se duhet të trajtohet ndryshe, nëpërmjet ‘sanksioneve dytësore?. Shumë njerëz po vdesin!!!” vazhdoi ai.
Komentet e tij vijnë ndërsa Uashingtoni ushtron presion mbi Ukrainën që të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që do të përfshinte lëshime të mëdha, si financiare ashtu edhe territoriale, dhe ndërsa Moska vazhdon të bombardojë fqinjin e saj pavarësisht kërkesave të saj të deklaruara për paqe./ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në Meshën e Shenjtë për Papa Françeskun. Shërbesa u mbajt përpara Bazilikës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Presidenti Begaj iu bashkua ceremonisë krahas udhëheqësve botërorë së bashku me delegacionin shtetëror që kryeson, të përbërë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.
Në respekt të ditës së zisë të shpallur nga qeveria shqiptare për Atin e Shenjtë, flamuri është vendosur gjysmë shtizë këtë të shtunë në Institucionin e Presidentit të Republikës në Tiranë.
Papa Françesku e vizitoi Shqipërinë në shtator të vitit 2014, ndërsa dy vite më vonë, më 4 shtator 2016, shpalli Shenjtore Nënë Terezën. Gjithashtu, Papa Françesku ka nënshkruar dekretin për lumnimin e 38 martirëve të parë shqiptarë të komunizmit më 5 nëntor të po atij viti, duke shtuar edhe dy të tjerë më 16 nëntor 2024.
Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj, është pritur në dy audienca të veçanta në Selinë e Shenjtë, Vatikan, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku. Herën e parë, Presidenti Begaj u takua me Atin e Shenjtë në dhjetor të vitit 2022, disa muaj pasi kishte marrë detyrën e Kreut të Shtetit në Shqipëri. Takimin e dytë me Papa Françeskun Presidenti Begaj e zhvilloi në maj të vitit të shkuar./ KultPlus.com
Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari.
Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:
Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan!
Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë.
Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.
Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje.
Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë.
Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!/ KultPlus.com
Papa Françesku është varrosur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, tha Vatikani të shtunën.
“Riti i Varrimit të Papës Romak” filloi në orën 13:00 sipas kohës lokale, në një ceremoni të kryesuar nga Kardinali Kevin Farrell, i cili ishte ngarkuar me përgatitjet për funeralin e Françeskut dhe i cili së shpejti do të ndihmojë në organizimin e një konklavi për të zgjedhur pasardhësin e Françeskut, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ceremonia përfundoi në orën 13:30, shtoi Vatikani.
Mbi 250,000 besimtarë, figura fetare dhe politike u rreshtuan në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, të shtunën për t’i bërë homazhe të ndjerit Papa Françesku, i cili vdiq këtë javë në moshën 88 vjeçe.
Shërbesa filloi në Bazilikën e Shën Pjetrit pak pas orës 10:00 të mëngjesit sipas orës lokale, duke zgjatur pak më shumë se dy orë.
Kardinali Giovanni Battista Re, një nga figurat më të larta në Kishën Katolike, udhëhoqi ceremoninë e thjeshtuar, në një seri ritualesh e himnesh fetare, një predikim emocional dhe një lamtumirë të fundit për Papën, i cili ishte Papa i parë latino-amerikan.
Arkivoli modest i Françeskut u transportua më pas në papamobilin e bardhë mbi lumin Tiber për t’u varrosur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës – një bazilikë e ndriçuar që ndodhet në majë të pikës më të lartë në kryeqytetin italian. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Cardinal Dean Giovanni Battista Re, right, incenses the coffin containing the body of late Pope Francis during his solemn funeral in St. Peter’s Square at the Vatican Saturday, April 26, 2025. (Vatican Media via AP)
Muzeu “Muza ime”, një memorial kushtuar disidentes Musine Kokalari në qytetin e Gjirokastrës, është kthyer në një qendër kulturore shumëdimensionale.
Përveçse ofron mundësinë për të njohur jetën, kujtimet, objektet personale dhe dorëshkrimet e saj, ky muze po shndërrohet gjithashtu në një hapësirë ku vepra e Musine Kokalari ndërvepron në mënyrë kreative me publikun e të gjitha moshave.
Familjarët e Musine Kokalari shprehin dëshirën se ajo kishte një vullnet të fortë për të ndarë njohuritë e saj dhe për të parë shoqërinë shqiptare të përqafojë progresin dhe të renë.
“Qëllimi parësor i ngritjes së këtij memoriali është që të bëhet një qendër takimi e brezave të rinj, një qendër sociale, një qendër edukative dhe mendoj se me këto aktivitete ne realizojmë qëllimin. Tek Musineja kemi gjithmonë shumë për të mësuar, sepse ajo ishte shumë e parakohshme për kohën e saj, por mendoj se edhe për kohën tonë. Ajo nuk është vetëm një personazh historik, Musine Kokalari është një personalitet i shumanshëm që ka dhënë kontribut në shumë fusha, si të kulturës ashtu edhe shoqërisë.” – tha Arjeta Kokalari, familjare e Musine Kokalari.
Muzeu është duke komunikuar në forma të ndryshme me publikun përmes dimensioneve të shumta që mishëronte vetë Musineja në jetën dhe veprën e saj.
“Vetë personaliteti i Musine Kokalari është mjaft interesant dhe ngjall kuriozitet, jo vetëm tek ne shqiptarët, por edhe tek të huajt, të cilët befasohen nga ekzistenca e një intelektualeje të tillë në një shoqëri jo shumë të zhvilluar, siç ishte ajo e Shqipërisë së viteve 30-të, veçanërisht nga qasja e saj emancipuese për rolin e gruas.” – tha Arjeta Kokalari.
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe themeluese e Partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi në Rrëshen në gusht të vitit 1983. Ajo përjetoi mbi 37 vite burgime dhe internime nga regjimi komunist, por mbeti deri në fund simbol i lirisë së mendimit dhe qëndresës intelektuale./euronews/ KultPlus.com
Teatri dhe kinemaja, poezia dhe akademia, nuk janë vetëm caqet ku Timo Flloko shpërfaq matshmërinë e përmasave, ku ai e ngërtheu shpirtjen e tij të denjë për blatime sublimiteti, por ato janë edhe kolonat ku kjo përkatësia artmëtuese ka ngritur panteonin e vlerave të njëmendta.
Ai është një identitet unik i artit tonë skenik, i atyre vlerave dhe asaj tradite që përmes një aradhe të gjatë dishepujsh, e shndërruan skenën në altar, në më të lartën kreshtë të vetëdijes artistike, asaj magjie që na argëtoi dhe u rrek të na emanciponte. Do të ishte e pamundur të mos e gjesh atë, Timo Fllokon gjithnjë në apogje, atje lart, lart ku ai e ngjiti dhe e ngjizi, jo famën se sa të mundshmen e caqeve ku talenti dhe përkushtimi i qasen ballafaqimit, komunikimit me adhuruesit, ata që u dashuruan me shumësinë e identiteteve ku ai mishëroi përjetimin.
Timo Flloko është një nga personalitetet më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe skenës teatrore, por edhe asaj akademike, për të mos lënë mënjanë poezinë, magmën e shpërthimeve të thella shpirtërore. Rolet e shumta në kinematografi dhe teatër, i kanë dhënë një vend të rëndësishëm në artin dhe kulturën shqiptare, duke e plazmuar atë si figurë që sinjifikon vlerën si njësi përfaqësimi.
Teatri dhe kinemaja, më shumë se dhanë, morën prej tij fuqinë për ti transformuar emocionet në energji, në kimi, në krijimin e asaj fushe magnetike që i bashkëlidh qasjet tona për joshje skenike dhe përjetim të botëve njerëzore, të ardhura prej origjinaliteti veprues dhe natyrshmërisë depërtuese nën çdo lëkurë dhe thellë çdo epje. Flloko hyri te prania dhe përjetimi ynë për t’u bërë vërshim në vena dhe e bëri këtë me atyshmërinë e një afrie përmes lojës dhe së shpirtshmes, që ai i mëkoi rimishërimeve skenike.
Ndoshta ishte ai, si pakkush në artin tonë skenik që drithëroi çaste që ju blatuan atyre ngulmimeve që ai i mbushi me zë dhe frymë, me timbër dhe nerv, puls dhe prekje.
Koha kur ai u ngjit në skenë ishte ai moment kur shpirtrat tanë fluturuan me krahë për të pushtuar qiellin e asaj lirie, ku ai la si sakrificë një shpirt të madh, një zemër të gjëmimshme që kumbon ende.
Timo Flloko është prej atyre aktorëve që i dha jo vetëm brezit tonë, por edhe gjeneratave që do të vijnë modelin e një figure emblem të artit skenik, duke sendërgjuar këtë gjithëprani krejtkund atij ju desh të ishte aty, për të thënë, për të bërë, për të dëshmuar se deri ku mund ta lartësojë shpirti talentin dhe në çfarë solemniteti ta purifikojë botën në përballje dhe përjetim.
Ndoshta i privilegjuar me karakteristikat e një stature imponuese, një force ndikuese të personalitetit, ai mishëroi, personazhe dhe karaktere, tipa dhe identitete, të cilëve u mëkoi atë lëndë që rolet i shndërroi në etapa të shkallares që e ngjitën atë në apogje.
Galeria e tij është e pasur, ndoshta jo dhe aq sa e “shenjtorëve” të artit të madh shqiptar, por madhështinë Timo Flloko si në teatër ashtu edhe në kinema, për të mbetur e tillë edhe në poezi, ku ai hyri vërshimshëm.
Vitet që numëron sot, nuk është një kohë që ai e përfill, është matshmëri e ambicies për të qenë dhe për të dhënë ende.
Timo Flloko u lind më 26 prill 1948 në Pejë, Kosovë. Përfundon studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970. Më pas u emërua pedagog i mjeshtërisë së aktorit në degën e dramës deri në vitin 1996, kur emigroi për një kohë në SHBA. U rikthye në Shqipëri në vitin 2002.
Për ta përshkuar me një fill inkandeshent gjithë rrugëtimin e deritashëm të Timo Fllokos më është dashur të huajt radhët në vijim, të cilat e kanë shtjelluar me korrektësi dhe dinamizëm një gamë të gjerë kumtimi. “Karriera e tij nisi me filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, 1967, në rolin e Fatosit, ku u dallua për sensin realist, thjeshtësinë dhe dhuntitë psikofizike me prirje drejt tipit të heroit. Në vitin 1971 luajti rolin e Çimit në dramën “Një shok i klasës sonë” (1972) e Kujtim Spahivoglit, ku ra në sy prirja për një lojë që orientohej kah zhbirilimi psikik, tonet e buta, një sjellje sa më e natyrshme, pa zhurma, jo rrallë me përdorimin efikas të heshtjes emocionale. Orfeu në dramën “Orfeu zbret në ferr” (1972) e Tenesi Uilliamsit ishte një vështrim poetiko-psikologjik, ku alegoria dhe simbolet e ardhura nga teksti, si dhe koncepti regjisorial i Mihal Luarasit u shprehën nga një interpretim i ngrohtë dhe inteligjent. Në vitin 2002 mishëroi figurën poetiko-filozofike të Prometeut në dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp”, të Ismail Kadaresë.
Përmes një loje të bukur, të hijshme e me theksa dramatike, ai dha vuajtjen e heroit mitik të qëndresës e të rebelimit ndaj pushtetit abuziv, sikundër edhe vuajtjen nga harresa, snobizmi, mosmirënjohja dhe keqadministrimi i ligjeve hyjnore, i dijes dhe i energjisë prej lakmisë dhe mendjengushtësisë së njerëzve. Me rolin e B-së në diadramën “Për një fjalë goje” të Natali Sarrot (2006), rishtazi konfirmoi talentin e tij, kësaj here me pranë lojës psikologjike, me denduri nëntekstesh, dyzimesh e planesh të dyta, duke përcjellë te publiku një shpirt të brishtë njerëzor, të ngërthyer nga keqkuptimet, mungesa e komunikimit, komplekset. Edi Karbone në dramën e Artur Milerit “Pamje nga ura”, 2007, shënon një pike kulmore të aktrimit te tij.
Ai thuajse e ndryshoi formatin e vet aktorial të parapëlqyer, duke ngulmuar më fort në një lojë pasionale, me përvuajtje të thuketa, klithma, vrullime dhe energji të ndrydhura psikike, që çlirohen në formë shpërthimesh të befta, për të bërë më të rrokshme kësisoj shpeshtjellimin e personazhit, skrupujt e tij morale, fatalitetin, zgripin ekzistencial të qenies prej dokeri dhe emigranti, si dhe mungesën e vetëpërmbajtjes. Timo Flloko u bë i njohur dhe i dashur për spektatorin veçanërisht në kinematografi, ku u dallua për thjeshtësinë, sinqeritetin dhe natyrshmërinë e interpretimit, për hirin e tij, për pamjen dhe sjelljen prej heroi e njeriu të virtytshëm, që vendoset në situata dramatike dhe i kapërcen pa “bujë” ato.
Spikati me rolin e Meços në filmin “Kur zbardhi një ditë”, 1972, me të cilin paraqiti bariun patriot, trim e zemërbardhë, vetjakësia e të cilit shpërfaqej nga aktori sajë nuancimeve, poetike e dramatike, si dhe një veprimi fizik energjjk një karakter njerëzor që të joshte, i thjeshtë e pa zhurmë që veteflijohet me bindje për jetën e shokut të plagosur duke realizuar artistikisht një vdekje sa tragjike po aq mallëngjyese e të madhërishme. Në po këtë prerje, veçse me kompleks si karakter dhe me një botë shpirtërore të trazuar e të përnxitur nga hakëmarrja, luajti rolin e Mato Grudës në filmin “Njeriu me top”,1977. Vështrimi i tij përcjell delirësi, ashtu sikundër humbullon nga flukset psikike dhe pështjellimet e brendshme. Përgjithësisht, T. Flloko ka krijuar një portret të endshëm aktorial, prej njeriu fisnik nga buron besim, dashuri, mirësi e simpati.
Aktoret Timo Flloko dhe Elia Zaharia, duke interpretuar ne dramen “Shtrigat e Salemit” e Arthur Miller, me regji te Spiro Dunit, ne Teatrin Kombetar. Credits by: LSA / FRANC ZHURDA Category: Kulture Date: E Enjte, 24 Mars 2011
I tillë qe edhe në rolin e mesuesit në filmin “Lulekuqe mbi mure”, 1976, me të cilin u nderua me Medaljon. Tonet psikologjike e dramatike që përshkojnë interpretimin e tij, posaçërisht recitimi i vargjeve të poezisë Maratonomaku të F. S. Nolit, krijonin në film një tension të fortë psikik. T. Flloko është i vërtetë në përjetimin e figurës, në sjellje, në gjeste, në veprime e në interpretimin e fjalës.
Karakteret e tij në kinematografi janë të ndryshme: luftëtarë të lirisë dhe tipat e lidhur fort me luftën çlirimtare, jetën dhe njerëzit, si: Kanani te “Shtigje të luftës”, 1975; komandanti te “Malet me blerim mbuluar”, 1970, tek i cili bie në sy zhdërvjelltësia fizike e veprimit dhe ndjenja e drejtpërdrejtë; Visari te “Militanti”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984, tek i cili frymon madhështia në thjeshtësi, tragjikja te poetikja dhe e jashtëzakonshmja tek e zakonshmja etj.
Por ai ka luajtur me ndjeshmëri dhe sens të fortë realist, gjithashtu, edhe figura që shëmbëllehen prej kategorisë së njerëzve të rëndomtë, si Çeçemi te “Nata e parë e lirisë”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984; ose drejtues të lartë të pushtetit, si kryetari te filmi “Rrethimi i vogël”, nderuar me kupën e Festivalit VII, 1986, ku humania, e përkora dhe e besueshmja fitojnë përparësi dhe shndërrohen në premisë të vërtetësisë së lojës së tij. Gjithashtu, ai ka interpretuar personazhe të njohur historike, si Çerçiz Topulli te filmi “Liri a vdekje”, 1979, ku vepron po e njëjta metodologji aktrimi, ajo e harmonisë midis sublimes dhe të përkores.
Tipologjia e krijimeve të tij pasurohet më tutje me personazhe epike e tragjike, të fortë e qëndrestare, që vijnë nga historia dhe baladat, si Gurgejm Dreni te filmi “Balada e Kurbinit”, 1990, nderuar me çmim, falë të cilit ai i dha sharmë aktorial arketipit mitologjik shqiptar si sintezë poetike etnopsikologjike, sikundër edhe një trajtë të hijshme nga pikëpamja e imazhit filmik peripecive tragjike, ripërtëritjes dhe sfidës së mbijetesës.
Në vitin 1991, fill pas ndryshimeve politike rrënjësore në Shqipëri, luajti me një ndjesi të dukshme dramatike, me vertetësi dhe emocion rolin e Agronit në filmin “Vdekja e kalit” – një ushtarak i pafajshëm, i ndëshkuar padrejtësisht nga diktatura, porse pa ndjenjën e hakmarrjes e të revanshit; filmi u nderua me Kupën e Festivalit X, si dhe me Çmimin e Parë të Euro-Festivalit të Saint Etienit, 1997, në Francë përkushtuar në Akademinë e Arteve, me kontribut të shtrirë përgjatë shumë viteve. Mban titullin Artist i merituar.”
Ndoshta në një përpjeke për t’i thënë të gjitha për gjithë këtë rrugëtim që Timo Flloka ka bërë, u përpoqa të mos mënjani faktet as shpirtjet që më thërrasin në këtë përçapje për të dëshmuar çfarë ai është, çfarë ai solli me përkushtim dhe pasion, devocion dhe urdhëresë talenti./ KultPlus.com
Një shpatë që i përkiste Napoleon Bonapartit, e porositur për përdorim personal në vitin 1802 dhe e mbajtur gjatë mbretërimit të tij, do të jetë në qendër të një ankandi më 22 maj në Paris.
Vlera e kësaj vepre, e ofruar nga shtëpia e ankandeve ”Giquello”, vlerësohet midis 700 000 dhe një milion euro.
“Bonaparti, atëherë Konsulli i Parë, e porositi këtë shpatë midis viteve 1802 dhe 1803 nga Nicolas-Noël Boutet, drejtor i një fabrike në Versajë”, shpjegoi në një njoftim për shtyp të premten ”Hôtel Drouot”, ku do të zhvillohet shitja.
”Pasi u bë perandor, Napoleoni I e mbajti atë deri në fund të mbretërimit të tij përpara se t’ia ofronte Emmanuel de Grouchyt, njërit prej ndjekësve të tij besnikë, të cilin më vonë do ta ngrinte në pozicionin e marshallit të fundit të Perandorisë”, tha burimi.
“I ruajtur që nga viti 1815 nga pasardhësit e marshallit, ajo do të vihet në shitje publike për herë të parë”, shtoi ai.
Një kopje e dytë, identike me këtë dhe gjithashtu e porositur nga Napoleoni, mbahet në muzeun ”Hermitage”, në Shën Petërburg.
Ankandet napoleonike po lulëzojnë, më shumë se dy shekuj pas vdekjes së “Perandorit të francezëve”, i cili vdiq në mërgim në vitin 1821, në moshën 51-vjeçare, pasi kishte dominuar Evropën.
Në mars, vëllimi i Kodit Civil që i përkiste Napoleonit, i cili këmbënguli që Franca të miratonte këtë grup ligjesh që standardizonin rregullat e jetës në fillim të shekullit XIX, gjeti një blerës për 395 000 euro./ atsh/ KultPlus.com