Pamje magjepsëse të fluturimit mbi Kalanë e Rozafës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Kalaja e Rozafës në Shkodër.

“Pamje magjepsëse të fluturimit mbi Kalanë e Rozafës”, shkruan Rama krahas videos së publikuar.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Kalaja e Rozafës është një prej atraksioneve kryesor turistik në Shkodër dhe këtë sezon turistik ka regjistruar  numër të lartë vizitorësh.

Vetëm gjatë muajit tetor kjo kala u vizitua nga 11679 persona.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: e Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. / atsh / KultPlus.com

Një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…

Miratohet plani i menaxhimit për basenet ujore të Erzenit dhe Ishmit

Këshilli i Ministrave miratoi sot planin e menaxhimit të baseneve  ujore Erzen dhe Ishëm për periudhën 2024-2029.

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e qeverisë zbatimi i planeve të menaxhimit të basenit ujor Erzen dhe Ishëm fillojnë në vitin 2024.

Për zbatimin e këtyre vendimeve ngarkohen organet përgjegjëse për administrimin e burimeve ujore dhe të gjitha institucionet e përmendura në tekstin e këtyre planeve.

Këto vendime hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Territori i Shqipërisë, në funksion të menaxhimit të burimeve ujore, ndahet në shtatë basene ujore: baseni ujor Drin-Bunë, me qendër në Shkodër; baseni ujor Mat, me qendër në Lezhë; baseni ujor Ishëm, me qendër në Durrës; baseni ujor Erzen, me qendër në Tiranë; baseni ujor Shkumbin, me qendër në Elbasan; baseni ujor Seman, me qendër në Fier; baseni ujor Vjosë, me qendër në Vlorë./atsh/KultPlus.com

Dhjetë qytetet europiane me cilësinë më të mirë të jetës për momentin

Duke qenë se puna në telekomunikacion është bërë një opsion i zbatueshëm për shumë punëtorë në mbarë botën, aftësia për të përmirësuar cilësinë e jetës tuaj duket më e arritshme se kurrë.

Keni menduar të transferoheni në Evropë, por nuk mund të vendosni se ku? Ne e dimë, sfida është mjaft e madhe, por një studim i fundit nga Travel Far and Wide, mund të japë përgjigjen.

Më poshtë mund të gjeni 10 qytetet më të mira evropiane në të cilat mund të lëvizni nëse dëshironi të përmirësoni cilësinë e jetës tuaj.

Cyrih, Zvicër

Cyrihu siguron vendin e 10-të dhe është i pari nga katër qytetet zvicerane që përfshihen në listë. Lumturia atje është e dhënë, megjithatë kostoja e lartë e jetesës mund t’ju zhgënjejë. Çmimi mesatar për marrjen me qira të një apartamenti me një dhomë gjumi është 2000 franga zvicerane. Natyrisht që edhe paga mesatare mujore është e ngjashme, e cila është afër 6000-6500 franga.

Bazel, Zvicër

Në vendin e nëntë është një tjetër destinacion në Zvicër dhe më konkretisht Bazeli, i cili shpesh konsiderohet kryeqyteti kulturor i Zvicrës. Turma artistësh zbresin në qytet çdo vit për Art Basel, ku qyteti gjithashtu paraqet arkitekturë mahnitëse.

Aty mund të admironi ndërtesat e zbukuruara duke pirë kafe në brigjet e Rhein. Qiraja është dukshëm më e lirë në Bazel sesa në Cyrih, me 1400 franga. Megjithatë, duhet të dini se qyteti ka vlerësimin më të ulët për jetën e natës.

Vjenë, Austri

Vjena është i vetmi qytet austriak në listë dhe sigurisht jo qyteti evropian më i aksesueshëm për udhëtarët e përditshëm. Kostoja mesatare e marrjes me qira të një apartamenti me një dhomë gjumi është 867 euro, që është më e lira në listë. Nga ana tjetër, kostoja e përllogaritur mujore e jetesës është midis 3,000 dhe 3,200 euro.

Shtutgart, Gjermani

Qyteti i gjashtë më i madh në Gjermani është një tjetër destinacion popullor nëse kërkoni një cilësi më të mirë jetese. Qyteti merr notat kryesore për ecjen dhe një normë shumë të lartë për lumturinë dhe jetën e natës. Qyteti jugor gjerman është dukshëm më i lirë se homologët e tij zviceranë, por ka vlerësimin më të keq të sigurisë.

Kopenhagë, Danimarkë

Kryeqyteti danez është një destinacion gjithnjë e më popullor udhëtimi, miliona turistë e vizitojnë çdo vit. Megjithatë, sharmi i Kopenhagës qëndron edhe në ndjenjën e sigurisë që ndjen , dhe gjithashtu ka pikën më të lartë të lumturisë.

Mynih, Gjermani

Mynihu mund të ketë një reputacion si qyteti i partisë gjermane, falë miliona turistëve që mbërrijnë çdo vit për të përjetuar festimet e zhurmshme të Oktoberfest. Megjithatë, qyteti historik është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për njerëzit që kërkojnë të zhvendosen. Indeksi i sigurisë është i lartë, jeta e natës shënon notat më të larta, ndërsa indeksi i lumturisë është gjithashtu pesë nga pesë .

Bern, Zvicër

Kryeqyteti i Zvicrës është në top 10 qytetet evropiane ku ia vlen të lëvizësh. Me siguri nuk do të habiteni nëse ju themi se ka pagat mesatare më të larta (rreth 6500 franga). Qiraja mesatare është pothuajse gjysma e asaj të Cyrihut, 1300 franga, ndërsa kostoja e jetesës është gjithashtu më e lirë.

Lozanë, Zvicër

Një gjë është e qartë: Zvicra mund të jetë vendi më i jetueshëm në Evropë për ata që kërkojnë një cilësi më të mirë jetese. Lozana shënon notat kryesore për lumturinë, jetën e natës dhe ecjen, ndërsa indeksi i sigurisë shënon 73.86. Nëse po mendoni të zhvendoseni atje, atëherë prisni një pagë mesatare mujore rreth 5500 franga dhe një kosto jetese rreth 3800 franga.

Helsinki, Finlandë

Helsinki është zyrtarisht qyteti më i mirë në Evropë për të lëvizur, me një rezultat 75.21 nga 100 për sigurinë e jetës dhe rezultatet më të mira për lumturinë dhe jetën e natës. Kostot e transportit publik janë çuditërisht të ulëta, ndërsa qiraja mesatare me një dhomë gjumi kushton mesatarisht 995 € në muaj , dukshëm më pak se shumë nga destinacionet e tjera në dhjetëshen e parë. Kostoja mujore e jetesës është afërsisht 2,671 euro, ndërsa paga mesatare është 3,200 euro./alsatm/KultPlus.com

Gjinushi: Arkeologjia, promovuese e vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar

“Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, titullohet konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “arkeologjia shqiptare u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzetë e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite”.

Gjinushi foli për brezat e studiuesve të njohur arkeologë në Shqipëri, si Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin, Skënder Anamalin, Eqrem Çabej, si dhe Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe, Aleksandër Meksi, etj.

“Brezi i parë i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare, – theksoi akad. Gjinushi, – me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike evropiane nga porta e madhe. Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi.”

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi tha se “brezi i dytë i arkeologëve, me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike”.

Duke vlerësuar arkeologët aktualë, Gjinushi vuri në dukje se një brez i tretë i arkeologëve shqiptar, i formuar e i vetëformuar me kërkesa akademike evropiane, me lidhje të jashtme bashkëpunimi me jashtë dhe me teknologji të reja zbulimi, është duke e shpërfaqur në mënyrë të argumentuar në tërësi hartën arkeologjike të vendit, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë hinterlandin, deri vonë disi të harruar, në përparësi të kërkimit.

Më tej Gjinushi foli për ndërthurrjen disiplinare të arkeologjisë me antripogjenetikën dhe analizat e ADN-së, filogjenetikën dhe inteligjencë artificiale që synojnë të shkojnë deri në burim të qytetërimeve, gjuhëve dhe kulturave; vlerësimi i kësaj përvoje, përvetësimi i saj dhe përditësimi me dijet bashkëkohore, është kusht për të mos mbetur prapa.

Gjinushi theksoi se “pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka kërkimi shkencor tek ne, qoftë prej kufizimeve ideologjike apo nga labirinthet e tranzicionit, në këtë 75-vjetor mund të themi me bindje të plotë se ky kontribut dhjetravjeçar i Institutit të Arkeologjisë e i arkeologëve të të gjitha brezave, në bashkëpunim edhe me qendra nga më të njohurat dhe specialistë po aq të vlerësuar të arkeologjisë evropiane, ka bërë që shkenca shqiptare jo thjesht të dëshirojë e të pohojë vjetërsinë e lashtësinë mijëravjeçare të origjinës së popullit shqiptar, por t’i bazojë e vërtetojë ato me fakte e artifakte shkencore, në vend të afirmimeve entuziaste e amplifikuese amatoreske”.

Konferencën e përshëndeti dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,  Mehmet Kraja.

Kraja u ndal në përshkrimin e arkeologjisë në Kosovë, ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë ilire-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologu hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës që dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi ilire-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.

Kraja vlerësoi edhe kontributin e At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare.

“Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150-vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit””, tha Kraja.

Konferenca do të vazhdojë punimet për dy ditë me radhë, ku arkeologë, studiues të trashëgimisë kulturore do të flasin për arritjet, risitë dhe perspektivat e arkeologjisë shqiptare./atsh/KultPlus.com

Rama: Zbulohet tuma e tretë në Himarë, paraqet elemente unikale arkitekturore

Pranë varrezës tumulare në Himarë përgjatë gërmimeve të muajit tetor u zbulua tuma e tretë, e cila paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna e arkeologëve për zbulimin e kësaj tume.

Duke i konsideruar zbulime mbresëlënëse Rama tha se “objektet e zbuluara në to i përkasin periudhës së Hekurit të Hershëm (shek. XI-X p.Kr). Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në bregdetin jonian”.

“Kultura e dokumentuar në to është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë”, theksoi Rama.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “gjatë gërmimeve u zbuluan edhe disa objekte arkeologjike, mes të cilave një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.Kr)”.

“Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit”, theksoi Margariti.

Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit jonian.

Në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik nga gërryerja e përroit, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë dhe disa varre ciste. Në 2020 u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmoi ekzistencën e një varreze tumulare me vlera të jashtëzakonshme historike./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti udhëton për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që organizohet në kryeqytetin francez, Paris.

Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili do ta bëjë edhe hapjen e Forumit, të enjten në mbrëmje kryeministri Kurti do të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë Forum, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimi, të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime.

Ministri Çeku mirëpret ambasadorin e Austrisë, diskutojnë për shkëmbime kulturore

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka takuar ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

“Ministri Çeku mirëpriti sot Ambasadorin e ri të Austrisë, George Schnetzer, për t’i uruar mirëseardhje në Kosovë. Biseduan për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy shteteve dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën”, njofton MKRS.

Në njoftim thuhet se është diskutuar avancimi i bashkëpunimit, me fokus të veçantë në fushën e institucioneve të kulturës, muzeve dhe rritjen e shkëmbimit kulturor./KultPlus.com

‘Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës’

Thënie nga Albert Camus

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme. 

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit. 

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën? 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im. 

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik. 

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë. 

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj. 

 Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht. 

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.  Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com

Ambasadori i BE në Kosovë: Për t’u hequr masat, Kosova duhet të punojë në tri fusha

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, foli për masat që BE-ja i ka marrë ndaj Kosovës, duke thënë se deklarata e BE-së fokusohet në tri fusha.

Szunyog tha se nga Kosova pritet shtensionimi i situatës, zgjedhjet lokale të parakohshme e themelimi i Asociacionit.

“Kjo deklaratë është shumë specifike se çka pritet nga Kosova. Shtensionimi në veri, zgjedhjet lokale në veri dhe angazhimi në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit. Prandaj, këto janë tri fusha që presim të ndërmerren hapa”.

“Sërish shpresojë që hapat të ndërmerren sa më shpejtë që është e mundur dhe që masat të mund të hiqen dhe që Kosova të mund të gëzojë potencialin jo vetëm nga mekanizmat ekzistues por po ashtu edhe nga plani i ri i rritjes”, tha Szunyog./klankosova/KultPlus.com

Ekzekutimi i poetit Fredriko Garsia Lorka, u bë viktimë e pafaj e një mekanizmi çnjerëzor

Nga Albert Vataj

Ai i pararendi kohës. Jetoi dhe u kacafyt ngadhnjyeshëm. U ndez dhe u shua si një flakë Prometeu në ato të pakta vite jetë, të cilat i mbushi përplot. Erdhi dhe iku, për të mbetur përgjithnjë depërtues me kungimin e tij poetik dhe andën krijuese të një shëmbëllimi përshkënditës të një shpirti flakatar. U ngul si një përmendore në historinë dhe memuarin e Granadës dhe Spanjës. Në të gjithë rrugën që përshkoi, mbeti ai. Nuk u pajtua kurrsesi me atë që i sëmbonin shpirtin dhe i lëndonin plagët. Përkundrazi, u përlesh, luftoi dhe u blatua në altarin e asaj çfarë ai besoi.

Pena në dorën e tij, ishte më shumë se një vetëtimë, kungimi i së cilës, zjarmoi fuqishëm natën e dyzimeve strukun në kthinat e trazuara të shpirtit. Krejt zemëratat e kohës së tij, kulmet e asaj brendie të tallazuar ndjenjash dhe pasionesh të stuhishme, janë mishërimi i përgjithmonshëm që la në shpirtrat tanë. Gjithherë me një hov revolte të ndezur në zemër dhe në vullnet.

Fredriko Garsia Lorka, si poet dhe dramaturg, por përmbikrejt, atë që ai ishte, atë që ai bëri, përfshi dhe luftën, poezia, vargu, fjala, metafora, fuqia shprehëse e atij kraharori gjëmimtar, mbetet akti më sublim i këtij kumtuesi, këtij kunguesi të kurajos për t’u sakrifikuar për çfarë beson.

Poezia ka bashkërendur me të krah për krah, duke iu bërë fill drite që përshkon këtë yrysh të mraztë, rol të cilin ai e veshi, jo se deshi, por se koha në të cilën fati e hodhi, ishte një gjithëpamje e marrë zjarr dhe ai kurrsesi nuk mund të hiqej mënjanë, apo të mëtonte përkorjen e përulësisë së nënshtrimit si një akt tragjizmi.

Ai nuk preferoi të ngrohej kur Granada, vendlindja e tij, lëngonte e digjej në zjarr dhe urrejtje, kur gjaku i revolucionit vadiste pemën shtatlartë të krenarisë, në kreshtën e së cilës, ai ishte dega që ngaste rrufetë dhe përleshej. Ai la gjurmë te thella në ndërgjegjen e kokës, mëtoi si pakkush tjetër gjithçkishte për atë që aspironte. Nuk heshti derisa u nda nga jeta. Edhe vetë vdekja e tij ishte më shumë se e tillë, sepse vetë jeta dhe shpirtëzimi, me të cilin ai ushqeu kohën në zgrip, mbartën përmasat e pavdekësisë.

***

Lorca ishte duke punuar me Aurelia-n dhe Bernarda Alba-n, në verën e vitit 1936, kur shpërtheu Lufta Civile Spanjolle. Më 16 gusht, ai u arrestua në Granada nga forcat nacionaliste, të cilat e urrenin homoseksualitetin dhe pikëpamjet e tij liberale, dhe u burgos pa gjyq. Natën e 18 ose 19 gushtit (data e saktë nuk është verifikuar kurrë), ai u çua në një kodër të largët jashtë qytetit dhe u qëllua.  Federico Garcìa Lorca  u qëllua nga një trupë frankoiste që i përkiste CEDA (një parti e krahut të djathtë e mbështetur nga Kisha Katolike) në moshën tridhjetë e tetë vjeçare. Poeti dhe dramaturgu i famshëm u bë viktimë e pafaj e një mekanizmi çnjerëzor. Ai ishte “fajtor” se guxoi të mendojë dhe të kishte orientim seksual ndryshe.

Dëshmitarët thonë se poeti shkoi drejt vdekjes duke qarë, një klithmë që ndoshta lindi nga hidhërimi i thellë që e kishte torturuar gjithmonë pjesën më të madhe të jetës së tij të shkurtër, i mbytur nga gjendja e tij e brendshme për të qenë i përjashtuar nga një shoqëri kastruese ndaj homoseksualëve dhe të tjerëve.

***

Behim në ndërmendjen për poetin e dramaturgun e madh, si në një kremte, për ta rikthyer dhe ribërë në sa të jetë e mundshmja përfytyrimin e kësaj madhështie dhe veçantie.

Ai u lind më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros, një Fshat në Granda të Spanjë Fredriko Garsia Lorka për t’u  shuar tragjikisht në ikjen e tij si një martir i lirisë, më 19 Gusht 1936. Një vdekje me shumë të panjohura dhe plot hamendësime, në një farë mënyre ishte sintezë e vetë të gjallëve të Lorkas. Ai mbamendet si poet, shkrimtar, dramaturg, gjithashtu në jetëshkrimin e tij shënohet edhe veprimtaria si drejtor teatri. Fredriko Garsia Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në luftën civile spanjolle ku udhëhoqi forcat anti-fashiste për të penguar forcat Gjeneralit Francisco Franco.

Vetëm pas vdekjes së Frankos, për García Lorcan mund të diskutohen hapur në Spanjë. Kjo për shkak jo vetëm të censurës politike, por edhe të ngurrimit të familjes e cila dispononte dhe nuk lejonte publikimin e krijimeve të tij, një pjesë e cila ishte e papërfunduar. Ky ishte fati i një revolucionari, i një vullneti me tharm lirie, i një poeti dhe dramaturgu.

Libri i parë i poezive Garcia Lorkas u botua në vitin 1921, ku janë të përfshira krijimet që zanafillojnë qysh në vitin 1918, të zgjedhura me ndihmën e vëllait të tij Francisco që njihej me nofkën “Paquito” Ky rrugëtim fillimor shtrihej në një tematikë të larmishme, por që vlen të citohet interesimin dhe lëvrimi fetar që Lorka i bëri gufimit poetik. Për t’u pasuruar dhe hyjnizuar prej një zjarri krijues te poezitë për dashurinë dhe natyrën.

Kështu nisi kushtrimi i tij krijues. Ai i pararendi kohës. Jetoi dhe u kacafyt ngadhnjyeshëm me të. U ndez dhe u shua si një flakë Prometeu në ato të pakta vite jetë, të cilat i mbushi përplot jetë dhe veprim. Erdhi dhe iku, për të mbetur përgjithnjë depërtues me kungimin e tij poetik dhe andës krijuese të një shëmbëllimi përshkënditës të një shpirti flakatar. U ngul si një përmendore në historinë dhe memuarin e Granadës dhe Spanjës. Në të gjithë rrugën që përshkoi, mbeti ai. Nuk u pajtua kurrsesi me atë që i sëmbonte shpirtin dhe i lëndonte plagët. Përkundrazi, u përlesh, luftoi dhe u flijua. Pena në dorën e tij, ishte më shumë se një vetëtimë, kungimi i së cilës, shkënditi fuqishëm netët e dyzimeve të strukun në kthinat e trazuara të shpirtit. Krejt zemëratat e kohës së tij, kulmet e asaj zemre të tallazuar ndjenjash dhe pasionesh të stuhishme, janë mishërimi i përgjithmonshëm që la në shpirtrat e brezave, gjithherë me një hov revolte në brendi. Fredriko Garsia Lorka, si poet dhe dramaturg, por përmbikrejt asaj që bëri ai, përfshi dhe luftën, poezia mbetet akti më sublim i këtij kumtuesi. Ai ishte dhe do të mbetet përgjithmonë në memuarin e gjeneratave një poet. Edhe në dramë, ai ishte mëse i tillë. Poezia ka bashkërendur me të krah për krah, duke iu bërë fill drite që përshkon këtë yrysh të mraztë, rol të cilin ai e veshi, jo se deshi, por se koha në të cilën fati e hodhi, ishte një gjithëpamje e përfshirë nga flakët. Ai nuk preferoi të ngrohej kur Granada digjej. Ai nuk mund të mënjanohej kur vendlindja e tij, lëngonte, gjaku i revolucionit vadiste pemën shtatlartë të krenarisë, në kreshtën e së cilës, ai ishte dega që ngaste rrufetë dhe përleshej. Ai la gjurmë te thella në ndërgjegjen e kokës, mëtoi si pakkush tjetër gjithçkishte për atë që aspironte. Nuk heshti derisa u nda nga jeta. Edhe vetë vdekja e tij ishte më shumë se e tillë, sepse vetë jeta dhe shpirtëzimi, me të cilin ai ushqeu kohën në zgrip, mbartën përmasat e pavdekësisë.

Kryevepra e tij ishte ai vete, Federico, pohon Luis Bunuel.

Benedetto Croce thoshte se njeriu i sotem është me tepër pjellë e një ubi, sesa e një epoke, se emri i Granadës është i lidhur përgjithmonë me jetën dhe me veprën e poetit Federico Garsia Lorka, thotë Antonio Gallego Morell.

Duke u zhytur më thellë në zgafellat e mëtimeve për Fredriko Garsia Lorka, ndeshim në shtresime të çmuara dhe të befta. Qysh në fillimet e karrierës së tij, Federico Garsia Lorka pranoi të bëhej hero, simbol kombëtar. Poet besnik ndaj truallit të tij deri në pasojën e skajshme, ai mori pamjen e një Don Kishoti të ri, të kthyer nga aventurat, që kishte në damarë një gjak mizor, një ëndje të thellë, shpesh prej kalorësi, me një vdekje që niset përditë në udhëtime dasme. Klasik, por alogjik, shton Alain Bosquet, tradicional, por fantastik. Ai është gjenia e një vendi, e përqëndruar në një qenie të vetme – mospërfillëse, ekstremist, kontradiktor.

Që në moshën 30-vjeçare, Lorka u bë legjendë, ashtu si Servantesi në sytë e fshatarëve të Mances, një mishërim i kalorësit me fytyrë të vrerosur. I çmisheruar nga kjo legjendë, ishte e natyrshme që ai të zhdukej, kur nisi lufta vëllavrasëse: do të ishte fyerje për Spanjën që po sakrifikohej, të mos bënte theror poetin e saj të madh.

Garsia Lorka u bë martir i luftës dhe hyri ne radhën e fatlumëve si gjeniu unik i brezit të tij që ishte brez gjenish. Libri “Poeti në Neë York” shprehet si një kumt syrealist, por ai është më kozmopolit, po kështu, edhe përmbledhja “Romancero” nuk i përket letërsisë regjionaliste apo ekzotike, shton për të Francisco Umbral.

Ndërmendje për poetin

Përmendorja me e bukur për Lorken jane dy qiparisa në dyert e Granades. Ata i kishte mbjellë poeti dhe vellai i tij, Huerta de San Vincente, shtepia e mbuluar me lulevile ku banonte familja e tyre dhe kishte përballë Sierra Nevaden. Sot, këta drurë kanë një pamje vangogeske, pohon Jean-Francois Fogel, pa lidhje me mjedisin mizor: Një arë e vogël me misër, e rrethuar nga ndërtesa e lagjes së jashtme.

Garsia Lorka shquhet për një imagjinatë mitike. Ian Gibson, është i mendimit se kjo gjë shpjegon suksesin e tij në një bote të humanizuar. Ai na kujton lidhjen e dikurshme midis njeriut dhe natyrës.

Poezia e tij ishte dhe është dramatike dhe teatri i tij është gjithëpërfshirës në tragjiken ku rrokullisen jo vetëm fate individesh por dhe popujsh. Ai, me parmendën e shpirtit ka mjellë në historikun e letrave, atë fjalë të mbushur me mendim, muzikalitet dhe kërcim. Sepse ai është një dëshmi autentike i vendlindjes. Nuk mund të ishte ndryshe.

Po të kishte një zgjidhje, poezia do të mbetej në dashuritë prej të cilës do të ishte e pamundur të ndaheshe. Sinteza që bën më popullore dhe ultramodernen, krijon një simbioze të pazakontë. Kritika nuk njeh ndonjë rast tjetër të ngjashëm me të. Përzierja e muzikores dhe e poetikës, e antikes dhe e modernes, kurrë ndonjëherë nuk qe bërë kështu te një person i vetëm. Arti i Lorkës mbetet gjithnjë “ligjërim”, refuzim aktiv i ndarjes midis qenieve, dëshirë për të komunikuar. Te kjo dëshirë, ai shihte burimin e çdo arti, arsyen e shprehjen lirike.

Veprat e tij poetike kryesore jane: “Kënge” 1921; “Romanca cigane” 1928; “Poeme e kanto kondos” 1931; “Vajtim për Injacio Sances Mehijas” 1935; “Poeti ne Nju – Jork” 1940.

Gjithë krijimtaria e tij është ndërgjegjia dhe vetëdija e kohës dhe aspirata e krejt brezit. Ai ishte një sy vëzhgues dhe zemër reaguese. Ndjenja dhe pasioni, dashuria dhe liria, natyra dhe vendlindja, ishin idealet dhe tharmi që ngjizi atë vepër, të cilën e shpalojmë më shumë se si një regëtimë shpirti, si një dëshmi e kohë, të cilës ai i përkiste dhe për të cilën u desh të mos kursente asgjë, edhe atë që kishte më të shtrenjtë, jetën.

Erëtreguesi

Erë e jugut.
E nxirrë dhe përvëluese,
vjen mbi trupin tim,
e sjell farëza
të shkëlqyeshme
vështrimesh, lule
portokalli.

E kthen të kuqe hënën
I bën të ulërijnë
robërit plepa, por vjen
shumë vonë!
Unë e mbështolla natën e rrëfenjës sime
në raft!

Pa asnjë erë,
Qartë shiko!
Xhiro, zemër;
Zemër, xhiro.

Ajër i veriut,
ari i bardhë i erës!
vjen mbi trupin tim
drithëruar me aurora
boreale,
me të kepit të fantazmave
kapidanë,
që qeshin me të madhe
me Danten.
Oh shkëlqyes yjesh!
Por ti vjen
shumë vonë.
Çështja ime është mykur
Dhe unë e humba çelësin.

Pa asnjë erë,
Qartë shiko!
Xhiro, zemër;
Zemër, xhiro.

Puhi, xhuxha dhe erëra,
prej askundi,
mushkonjëri trëndafilash
me petale piramidale,
vrunduj shkëmbyes
në trungjet e ashpër,
flautë të shtrëngatës,
largohuni!
Ndër pranga mbërthyer
kujtesa ime,
është robëruar zogu
që skicoi me këngë
mbrëmjen.

Gjërat që shkojnë nuk kthehen kurrë,
gjithë bota e di,
në flladet e kthjellët të erërave
është padobi e qara.
Vërtet, plepo, mjeshtër i puhisë?
Është padobi e qara!

Pa asnjë erë,
Qartë shiko!
Xhiro, zemër;
Zemër, xhiro.

Zemër e re

Zemra ime, si një gjarpër
e ndërron lëkurën e saj,
e mbaj ja mu në dorë
plot me plagë dhe me mjaltë.

Mendimet që u mëkëmbën
në çerdhen tuaj, ku shkuan?
Po trëndafilat që dhanë aromë
Për Jezu Krishtin dhe Satanan’?

Mbështjellësi i gjorë e mbyti
Yllin tim mbrekullor!
Pergamen i dhimbshëm gri
I asaj që dashuroja por s’e dashuroj.

Shoh në ty fetus i shkencave,
mumje vargjesh dhe skelete
të pafajsive time antike
dhe romancave sekrete.

A t’ju var në murin
e muzeut tim të ndjesive,
tok me të ftohtin edhe terrin,
bebe gjumashe të ligësisë sime?

A t’ju përhap ndër pishat
-libër vuajtjesh i dashurisë time-
kështu të mësoni tringëllimat
që në agim i merr bilbili?

Këngë miturake

Ka pikla vese
në krahët e bilbilit,
pikla të kthjellta hëne
rrjedhur prej fytyrimit.

Mbi mermerin e burimit
puthja e ujrave,
ëndrra e yjeve kokëulur.

Vajzat e kopshtijeve
më thonë të gjitha ‘upafshim
kur kaloj. Këmbanat
dhe ato më thonë ‘upafshim.
Dhe pema puth
në mugëtirë. Unë
lotoj nëpër rrugë,
groteske, pa zgjidhje,
me trishtimin e Cyrano-s
dhe Qyijote-s
rifitoj
mundësi të pafunda
sa ritmi i orës.
I shoh bebëzat të thahen
me ti prekur zëri im
njollosur me dritë të përgjakur,
dhe në këngën time lirike
vesh zbukurimet e një kllouni
faqebardhë. Dashuria,
e bukura dhe e ëmbla fshihet
nën një merimangë. Dielli
si merimagë tjetër më mbulon
nën këmbët e tij të arta. Nuk
e gjej dot fatin tim,
se jam si vetë Dashuria,
shigjetat e të cilës janë lotë,
dhe torba e tyre zemra.

Do ti jap gjithë ç’kam
dhe lotoj dëshirën time
si fëmijë i braktisur
në rrëfenjën e harruar.

Pemë

Pemë!
Ç’qenë shigjetat tuaja
ranë nga kaltrimi?
Ç’luftëtarë të tmerrshëm ju lançuan?
Vallë ishin yjet?

Muzika juaj buron nga shpirti i zogjve,
prej syve të Zotit,
prej dëshirës së përkorë.
Pemë!
E njohin rrënjët tuaja të forta
zemrën time në tokë?

Madrigal

Unë të vështrova në sy
kur isha i mirë dhe djalë.
Duart e tua me ledhatuan
një puthje më pate falë.

(Orët mbajnë të njëjtën rënie,
dhe netët kanë të njëjtët yje.)

U hap zemra ime
si një lule nën qiell,
me petale dëshire
dhe thekë ëndrrash.

(Orët mbajnë të njëjtën rënie,
dhe netët kanë të njëjtët yje.)

Në këndin tim ngashërova
porsi princi i rrëfenjës
për të Artën Estrelita
që u largua nga ndeshjet.

(Orët mbajnë të njëjtën rënie,
dhe netët kanë të njëjtët yje.)

Unë prej teje jam larguar
I dashuruar pa e kuptuar.
Nuk e di si janë sytë tua,
Duart e tua as flokët e tua.
Vetëm më ka mbetur në ballë
Flutura e puthjes.

(Orët mbajnë të njëjtën rënie,
dhe netët kanë të njëjtët yje.)

Natësor

Kam shumë frikë
nga gjethet e vdekura,
në mes të fushave
mbuluar me vesë.
Do të fle tani;
dhe nëse nuk më zgjon,
do lë ndanë teje zemrën time të ngrirë.

“Kush fëshfërin ashtu,
aq larg?”
“Dashuri,
është era në dritare,
e dashura ime!”

Të stolisa gjerdanë
Me gurët e agimit.
Përse më braktis
Në këtë udhë?
Nëse ti shkon larg
Zogu im do qajë
Dhe vreshti i gjelbër
Nuk do të bëjë verë.

“Kush fëshfërin ashtu,
aq larg?”
“Dashuri,
është era në dritare,
e dashura ime!”

Ti kurrë s’do ta kuptosh
Sfinks bore,
Sa shumë që unë
Do të të dashuroja
Mëngjeseve
Kur rrebesh të binte
Dhe në degën e thatë
Të prishej foleja.

“Dashuri,
është era në dritare,
e dashura ime!” / KultPlus.com

‘Spaske pas një pikë mëshirë’, nga Nazmie Hoxha

Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Ajo ka lidur më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.

KultPlus ju sjell këngën ‘Spaske pas nje pike meshire’:

S’paske pas nji pik mëshire
Qysh pësova unë ksi soj
Xhanëm aman
Qysh pësova unë ksi soj

S’pres prej teje far të mire
Veç me m’fol o njiher me goj
Xhanëm aman
Veç me m’fol o njiher me goj

Pse m’ke marrë ti kaq mëni e
S’çohet jeta me inat
Xhanëm aman
S’çohet jeta me inat

Fol me gojë o syn oj zi e
Mos ke frikë o se bën mëkat
Xhanëm aman
Mos ke frikë o se bën mëkat

Paske pas moj zemrën hekur
Qysh durove mori xhan
Xhanëm aman
Qysh durove mori xhan

Përveç teje nuk du tjetër
Trëndafil o në Elbasan
Xhanëm aman
Trënadafil o në Elbasan

Kur më than se u zemru xhanani
Mu ma mir t’më kishin vra
Xhanëm aman
Mu ma mir o t’më kishin vra

Si t’më çitnin prej Elbasanit
Nuk e ndroj o t’shkretën sevda
Xhanëm aman
Nuk e ndroj o t’shkretën sevda/KultPlus.com

Tri motrat Brontë

Me sa duket, familja Brontë i detyrohet shumë Jorkshirit dhe Hauorthit. Veçanërisht tri motrat Brontë: Sharlotë (Charlotte), Emili (Emily) dhe Anë (Anne), emrat e të cilave lidhen menjëherë me peizazhin e lagësht e të vrazhdë të lëndinave angleze.

A ju thonë gjë malet dhe gëmushat e shqopishtave?

A nuk thërresin titujt e romaneve më të famshëm të epokës viktoriane?

Po, sigurisht që po, por edhe jeta e përditshme dhe mbresat e tri vajzave të reja, tri motrave të bashkuara nga pasioni i përbashkët. Në të vërtetë, fshati që i mikpriti që fëmijë, Hauorthi, me kalimin e viteve u shndërrua në vend pelegrinazhi, po kështu edhe shtëpia e familjes dhe kisha ku punonte i ati, një reverend. Se ç’ndikim ka pasur peizazhi që shoqëroi rrugëtimin e jetës së tyre të shkurtër dhe natyra e vendit në krijimtarinë e tyre, është një pyetje që mund të marrë lehtësisht përgjigje. Ndikimi ka qenë i madh dhe, pavarësisht disa udhëtimeve dhe periudhave jashtë vendit, ato i kanë qëndruar gjithmonë besnike. nga ana tjetër, një fakt edhe më magjepsës ka të bëjë me artin që i bashkon. Secila prej tyre shprehet vetëm me fjalë dhe njëkohësisht njëra me tjetrën. Në fakt, në 1847, ato kanë gati 3 romanet e tyre kryesore: “Xhejn Er”, “Maja të stuhishme” dhe “Anjezë Grej” – njëherazi. Botimi, në harmoni të përsosur, ishte një fakt që i kishte ndodhur tashmë treshes, vetëm dy vjet më parë. Kishin vendosur të botonin poezitë e tyre, të cilat i kishin shkruar në fshehtësi të plotë dhe tejet personale. Përballë heshtjes së Emilisë, Sharlotë pranon një kompromis. Koleksioni mund të shohë dritën, por vetëm me një pseudonim.

Shkrimi me pseudonim: e përbashkëta artistike e motrave Brontë

Zgjedhja e emrit, nuk është e rastësishme. Secila supozon një emër, që nuk lë të nënkuptojë aspak atë realen, përveç shkronjës së parë: Sharlotë zgjedh “Currer” , Emili dhe Anë, bëhen “Ellis” dhe “Acton”. Të gjitha me mbiemrin Bell – “këmbanë” në anglisht, për të na sjellë ndërmend një poetikë të caktuar. Me pseudonimi qëllimisht bishtnuese për sa i përket gjinisë, pasi nuk specifikojnë nëse janë autorë apo autore dhe pikërisht për këtë pasiguri funksionojnë aq mirë. Botimi bëhet në një vëllim të vetëm, edhe për shkak të temave të përbashkëta: marrëdhëniet e njeriut me natyrën ose me hyjninë, trazimet e dashurisë dhe lavdërimi i lirisë. Marrëveshja mes tre Brontëve është evidente në disa përshkrime të peizazhit dhe në mbresat më shpirtërore. Shpesh dashuria bëhet vuajtje, nuk u kthehet në këmbim ose tradhtohet. Sa herë kërkojnë ngushëllim, tashmë në shtëpi – si Anjeza te poezia “Ngushëllim” –  në agimin e parë të ditës – si Sharlotë te “Mëngjesi”. Edhe Emili i bashkohet korit melankolik, duke gjetur strehë në livadhet e njohura.

“Do të shkoj atje ku do të më çojë natyra: / Nuk dua të zgjedh tjetër udhërrëfyes: / ku kopetë gri kullosin midis grigjave; / ku era fryn e tërbuar mbi mal”. (E. Brontë).

Natyra është e gjallë dhe manifestohet në praninë e tyre, por evokimi i hapësirave të shqopishtës dhe shkëlqimit të hënës, nuk ngjallin gjithmonë ndjenja mirëqenieje ose përkatësie. Ndonjëherë tek Emilia, vargjet e së cilës janë më komplekset, shpirti i njeriut është i stuhishëm dhe po ashtu edhe natyra, e cila lidhet me të në harmonizim. Pamjet e stuhisë dhe erës, që trondit lumenjtë dhe pyjet përsëriten shpeshherë. Përkundrazi, Zoti mund të shfaqet indiferent ndaj kërkesave, të cilat bëhen të kota dhe të pashprehshme.

Marrëdhënia midis motrave dhe natyra e Jorkshirit

Emili Brontë përqafon kontrastet: dashurinë dhe urrejtjen, jetën dhe vdekjen, realen dhe imagjinare, i deshifron dhe e pohon praninë e tyre në çdo formë jetike. Në vend të kësaj, poezia e Sharlotë dhe Anë Brontë, ka luhatje të dobëta. E lëshojnë veten në keqardhje dashurie dhe lutje melankolike, herë-herë shtrijnë dorën drejt lirisë dhe refuzojnë hallkat e burgosjes, të gjitha me një dozë më të vogël tensioni.

“Do të doja të bredhërija lirshëm,/ një dehje po ma pushton mendjen/ me mendimin për të shkuar larg/ në botët fantastike-gëzim i çuditshëm /që nuk duron dot të jetë i burgosur/erë më të lehtë perëndimore”. (Sh. Brontë) .

Karriera e tyre si poetesha është mjaft e shkurtër, ashtu si ekzistenca e tyre. Na lënë pak rreshta dhe preferojnë të shprehen me prozë. Megjithatë, në paraqitjet e përshtypjeve të tyre romantike, ato sjellin elemente dhe tema që do të kthehen edhe në romane, shumë më të famshme se poezitë. Si pasojë, njohja e këtij aspekti të letërsisë së motrave Brontë mund të jetë e dobishme si në fushën artistike, ashtu edhe në atë njerëzore, për një qasje në njohjen e gjendjes së tyre shpirtërore.

Virxhinia Ulf, në një shkrim publikuar në “The Guardian” më 1904, nuk e ka të vështirë t’i përcaktojë “sentimentale” udhëtimet në Jorkshir dhe shtëpinë-muze të tri shkrimtareve. Në rrëfim, ajo përmend vendet që ka vizituar dhe për secilin përjeton një emocion të ndryshëm, thuajse kaq të fortë. Edhe tek ajo, Hauorth provokon njëherazi ëmbëlsi dhe zymtësi, drithërimë dhe frikë. Edhe Ulf rijeton stuhitë e jetës së shkurtër, të motrave Brontë në Jorkshir./Konica.al/ KultPlus.com

‘Margjela’

Eranda Libohova është këngëtare shqiptare e cila ka lindur në Tiranë. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Ne spektaklin “Kënget e Shekullit” përzgjidhet në dhjetë këngetaret më të mira.

Moj Margjel, mori mal’sore,
ku po shkon me at’ kosore?
Ku po shkon moj tu vrapue?
A po vjen o vashë me mue,
se mas teje s’du’ me ngelë
O Margjel, o moj Margjel.

[Refreni]:
(O) Margjelo, mori Margjel,
çilma syrin që m’ke mshelë.
O Margjela e Malsisë,
thuja kangve t’çobanisë.

O Margjel, mori sojnike,
bija e Malsisë kreshnike,
mos t’l’shoj zemra moj sojnike
Trim’i mirë që shkon ai ere
Mendjen ty e ka gjith here
E nga shpres behet vere

Bislim Bislimi emërohet sekretar i përgjithshëm në MKRS-së

Bislim Bislimi është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Propozimi për të u bë nga Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani. Kundërkandidati kryesor i Bislimit ishte Arian Ahmeti.

“Për pozitën sekretar i përgjithshëm kanë aplikuar 8 kandidatë, ndërsa 3 prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë, pasi i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me konkurs. Pas vlerësimit profesional nga komisioni shtetëror i pranimit përmes testit me shkrim dhe intervistës, kandidatët fitues që janë vlerësuar mbi pragun 70% të pikëve janë Bislim Bislimi dhe Arian Ahmeti”, tha Gashani.

“Në pajtim me dispozitat ligjore dhe pas përzgjedhjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, propozojmë emërimin e z. Bislim Bislimi për pozitën sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një mandat katër vjeçar”, shtoi ai./21Media

Gazetarja e RTK-së merr çmim letrar nga Akademia Evropiane e Arteve

Gazetarja dhe prezantuesja e Radiotelevizionit të Kosovës, Alketa Gashi – Fazliu po vazhdon të jetë aktive në jetën letrare dhe publicistike.

Së fundmi kontributi i saj letrar është shpërblyer me çmim letrar nga Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve me seli në Torino të Italisë.

“Të dashur miq, Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve, më ndau çmimin prestigjioz letrar evropian. Paturpësisht jam shumë e lumtur”, ka shkruar ajo në Facebook./rtk/Kultplus.com

Java e Kulturës Hungareze mbyllet me një mbrëmje gala magjike në qytetin e Durrësit

Koncerti Grand Gala “Liszt 212 Vjet” në Durrës nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Hungarinë, kulminacioni i merituar i “Hungarissimo 2023”, Javës Kulturore Hungareze që përfshiu Shqipërinë.

Hapësira e shenjtë e teatrit u pushtua nga kompozimet e fuqishme të Franz Liszt, teksa performuesit, me çdo goditje të harkut dhe çdo notë të luajtur, sollën për publikun shqiptar pasionin dhe vrullin e klasikut të madh hungarez.

Teatri “Aleksandër Moisiu” u gjallërua nga jehona e kompozimeve të Franz Liszt, teksa Orkestra Simfonike e RTSH performonte para një publiku të mahnitur. Interpretimet e pianistes së mirënjohur Almira Emiri u pritën me duartrokitje entuziaste, duke mishëruar frymën dhe kompleksitetin e kompozimeve të Liszt. Ndërkohë, udhëheqja mjeshtërore e dirigjentit Oleg Arapi dhe drejtimi artistik i Liman Malokut siguruan një përvojë gjithëpërfshirëse që elektrizoi të pranishmit.

Përzgjedhja e programit të mbrëmjes ishte e kuruar me kujdes dhe solli pjesë që luheshin për herë të parë në vendin tonë. “Rapsodi Hungareze Nr. 2”, me melodinë e saj të njohur, paraqiti një pamje të gjallë të shpirtit hungarez, ndërsa forca orkestrale pas “Les Preludes” pikturoi një peizazh zanor me përmasa epike. Dramaticiteti dhe veçanësia e “Totentanz” ishin gjithaq drithëruese për dëgjuesit. Këto pjesë, të përjetshme në bukurinë dhe kompleksitetin e tyre, jo vetëm u interpretuan, por erdhën me një frymë të re në skenën shqiptare, duke rezonuar me një publik që ishte i etur për një udhëtim muzikor në zemrën e romantizmit hungarez.

Jo vetëm kaq, por bukuria e mbrëmjes u shtua dhe nga një dhuratë e posaçme për teatrin e Durrësit, i cili përgjatë 15-viteve të fundit nuk ka pasur një piano për performuesit e ndryshëm. Nisur nga ky fakt, “Hungarissimo”, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, mundësuan riparimin dhe risjelljen në skenë të një instrumenti funksional, që do u shërbejë jo vetëm pianistëve të afirmuar, por edhe gjithë talenteve të reja durrsake që do të marrin përsipër peshën e performimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Kujtojmë që “Hungarissimo” e këtij viti ishte veçanërisht domethënëse pasi shënoi gjithashtu 200 vjetorin e poetit kombëtar të Hungarisë Sándor Petőfi. Ndikimi i tij dhe festimi i jetës dhe veprave të tij kanë qenë një fenomen global dhe Java e Kulturës Hungareze në Shqipëri kontribuoi në këtë përkujtim ndërkombëtar.

Seria e ngjarjeve në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana, duke kaluar nëpër Vlorë, Pogradec, Korçë, e më në fund duke kulmuar në Durrës, ishin më shumë se një vitrinë e kulturës hungareze. Ato ishin një dëshmi e fuqisë së shkëmbimit kulturor dhe promovimit të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve. Suksesi i Javës Kulturore Hungareze mund të matet jo vetëm në pjesëmarrjen dhe duartrokitjet, por edhe me ndikimin e qëndrueshëm që ka pasur në nxitjen e dialogut ndërkulturor. Në fakt, eventi u përqafua jo vetëm brenda Shqipërisë, por u celebrua edhe nga miqtë e shumtë hungarezë në Hungari dhe jo vetëm. Entuziazmi dhe vlerësimet e larta nga pjesëmarrësit dhe audienca nënkuptojnë se eventi arriti qëllimin e tij për të festuar dhe thelluar lidhjet kulturore që ndajnë Hungaria dhe Shqipëria. Për këtë arsye, grupi organizator i Festival Academy është thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që na u bashkuan në këtë rrugëtim.Java e Kulturës Hungareze ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u dëshmuar si një histori e pabesueshme suksesi. Gama e gjerë e ngjarjeve, me muzikë, art dhe letërsi, jo vetëm që nderoi trashëgiminë hungareze, por gjithashtu hapi rrugën për bashkëpunime të ardhshme dhe përpjekje kulturore midis dy vendeve. Pashmangshmërisht, kjo festë ka vendosur një standard të lartë për ngjarje të ngjashme në të ardhmen. / atsh / KultPlus.com

Leonardo de Martino, mësuesi i parë i Fishtës

Poeti arbëresh Leonardo De Martino lindi në fshatin arbëresh Greçi, të provincës së Avelinos (Itali) 182 vite më parë. Famullitari i Troshanit (dhe i fshatit Fishtë), ai e pagëzoi Zefin në ditët e para të jetës dhe ka vlerësuar zgjuarsinë dhe zhdërvjelltësinë e zadrimorit të vogël, që do të ishte Fishta i madh e letrave shqipe.

Më 1865 u dërgua si meshtar në Shqipërinë e Veriut, ku mori pjesë në lëvizjen kulturore patriotike. Shkroi vjersha dhe ndonjë pjesë dramatike, të cilat i botoi në përmbledhjen “L’arpa d’un italo-albanese” (“Harpa e një arbëreshi”, Venedik, 1881). Në krijimet e tij më të mira i këndoi me nota romantike dashurisë për Shqipërinë, evokoi figurën e Skënderbeut etj. Krijimtaria e tij ushtroi ndikim te Fishta, Mjeda, kur ishin në hapat e parë si poetë. De Martinos i takon edhe merita për vënien në skenë të dramës së parë shqipe.

Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino.

Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E De Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.

I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Filologu i shquar, Justin Rrota, autor i tekstit “Letratyra shqype për shkollat e mjesme” (1925), shprehet: Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri..

Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L’Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe.

Një tjetër vepër e Atë Leonardo De-Martino është: “Breve compendio dell avita e delle gesta di GIOGRIO CASTRIOTA SKANDERBEG, principe dell’Epiro e dell’Albania”, botuar në Greci më 1882. (Përmbledhje e shkurtër e jetës dhe veprave të GJERGJ KASTRIOTIT SKANDERBEUT, princit të Epirit e të Shqipërisë).

Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara./Hejza / KultPlus.com

Historike: Katër shqiptarë fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme speciale në SHBA

Bëhet e ditur se katër shqiptarë kanë fituar në Zgjedhjet e përgjithshme speciale në Nju-Jork dhe Nju-Xhersi, duke bërë histori në emigracionin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Theksohet se Violeta Berisha nga Puka, Vedat Gashi nga Kosova, Edita Shkreli nga Shkodra dhe Emiljana Ulaj nga Tirana janë fitues në Zgjedhjet e përgjithshme në Nju-Jork dhe Nju- Xhersi, të mbajtura dje, më 7 nëntor 2023.

Ka qenë ish- anëtarërja e Këshillit të Bashkisë së qytetit Fairview në New Jersey, shqiptaro – amerikanja Violetta Berisha, e cila u shpall fituese mbasi kandidati republikan u tërhoq nga gara.

Vlen të cekët se Violeta Berisha nga Puka prej sot do të jetë gruaja e parë në 129 vjetët të minibashkisë së qytetit Fairview në New Jersey, qytetit të 15 mijë banorëve, me një buxhet vjetor 22 miljonë dollarë, kryebashkiake.

Nga ana tjetër, Edit Shkreli nga Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe u bë gjyqtare në Gjykatën Civile të Nju-Jorkut, Qarkut të parë të Gjykatës Komunale të Qarkut Bronx, transmeton tutje albinfo.ch.

Të martën, më 7 nëntor 2023, në Zgjedhjet e përgjithshme speciale për Gjykatën Civile të Nju-Jorkut të Qarkut të Parë të Gjykatës Komunale të Bronx konkurruan dy kandidate, Carol Malcolm dhe Edit Shkreli.

Vedat Gashi i cili ishte një ligjvënës i Westchester County, mbasi i përfundoi mandati konkurroi për një mandat të dytë dhe fitoi atë mbrëmë me 56.9 për qind kundrejt 43 për qind të republikanit Daniel J. Branda.

Westchester County Legislature District 4

Candidate Total Votes

Vedat Gashi (D) (D)*

4,675

56.9%

Daniel J. Branda (R)

3,539

43%

Një ligjvënëse lokale në këto zgjedhje, në Westchester, por zonë tjetër elektorale, nga Partia Demokratike të Shtetit të Nju-Jorkut për Distriktin e 9-të ishte shqiptaro-amerikania Emiljana Ulaj, e cila erdhi me familjen e saj pasi u larguan nga Shqipëria në vitin 1997 në mes të një lufte civile.

Emiljana Ulaj nga Partia Demokrate mori 1,552, 65.2%, kundrejt Laurie Abbate-Ryan (R) e cila mori 827,

34.8%

Westchester County Legislature District 9

Candidate Total Votes %

Emiljana Ulaj (D, WF) (D)

1,552

65.2%

Laurie Abbate-Ryan (R)) (R)

827

34.8% /Albinfo.ch / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës merr dy çmime në Kampionatin e 8-të Botëror Ndëruniversitar, Parisi 2023

Kampionati i 8-të Botëror Ndëruniversitar, Parisi 2023 që u mbajt nga data 1 deri më 5 nëntor 2023, Universiteti i Prishtinës mori pjesë me ekipin e femrave dhe meshkujve në futsall.

Në konkurrencën e futsallit për femra të udhëhequra nga Dekani Prof. Musa Selimi, ekipi i Universitetit të Prishtinës fitoi vendin e parë. Ky është një sukses shumë i madh dhe një arsye për të qenë krenar për talentin dhe përkushtimin e ekipit.

Ekipi i meshkujve të Universitetit të Prishtinës të udhëhequra nga Profesori Prof. Malsor Gjonbalaj arriti të siguronte vendin e dytë në kategorinë e futsall për meshkuj. Ky është një sukses i jashtëzakonshme dhe një tregues i aftësive të tyre në sport.

Kurse Qëndresa Krasniqi mori çmimin lojtarja më e mirë në futsall në kategorinë e femrave.

Ky sukses i madh në kampionatin 8-të botëror ndëruniversitar- Parisi 2023, është një dëshmi e përpjekjeve dhe talentit të sportistëve dhe të angazhimit të stafit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit i Universiteti i Prishtinës. / KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” fiton çmimin “Zgjedhja e udhëtarëve 2023” nga Tripadvisor

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” është “Zgjedhja e Udhëtarëve” edhe për vitin 2023 në Tripadvisor.

Tripadvisor jep çmimin “Zgjedhja e udhëtarëve” për akomodimet, atraksionet dhe restorantet që fitojnë vazhdimisht vlerësime të shkëlqyera nga udhëtarët dhe renditen në 10% më të mirë të destinacioneve turistike në Tripadvisor.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.

Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj. I pozicionuar në qendër të Tiranës, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe “Shtëpia me gjethe” për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një mister.

E konceptuar në 9 seksione, muzeu përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion  të veçantë. / atsh / KultPlus.com

Një hap para drejt qasjes publike në Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar vendimi i dytë i shpronësimit të parcelave për realizimin e Projektit për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut.

“Po ndërmarrim hapa konkret për mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti, përmes mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale, planit të menaxhimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së të cilët tutje kanë falenderuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për bashkëpunim dhe mbështetje përgjatë procesit. / KultPlus.com

Hapet konferenca “Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”

Sot në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u çel Konferenca Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva organizuar nga nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Konferencën e çeli Prof. Gëzim Hoxha, Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike në Akademinë e Shkencave së Shqipërisë, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve. Më andej Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi mbajti fjalën përshëndetëse. Pasi ju uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, ai vuri në dukje lidhjet e hershme të arkeologjisë me humanizmin në territoret shqiptare, fazat e zhvillimit të interesit arkeologjik në oborrin e  Ali pashë Tepelenës, të interesit arkeologjik të  shkollës italiane të arkeologjisë, me Luigi Ugolinin e Domenico Mustilli-n; shkollës franceze, me Leon Rey-n; shkollës austriake me Karl Patch-in, Camillo Praschniker-in dhe me baronin Franz Nopsca si dhe fillimi i gërmimit sistematik për zbulimin e kulturës materiale në sitet kryesore që lidheshin me periudhën prehistorike parailire, si kulturat e Maliqit dhe Matit; me periudhën e qytetërimit ilir si qytetet Amantia, Bylis, Lissus, Shkodra etj nga arkeologët shqiptarë.

Arkeologjia shqiptare –theksoi akad.Gjinushi-u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzet e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite. Mbështetja e interesimi për institucionalizimin e kërkimeve arkeologjike u rrit më tej me ngritjen e institutit, bashkimin e institutive të albanologjisë e formimin e Akademisë së Shkencave . Më andej akad. Gjinushi foli për brezat e studiuesve të njohur arkeologë në Shqipëri. Brezi i parë i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare,-theksoi akad.Gjinushi- me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike europiane nga porta e madhe.  Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi. Brezi i dytë i arkeologëve,-vazhdoi akad.Gjinushi- me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike. Tashmë arkeologjia nuk është thjesht një mbështetëse e tezave me bazë gjuhësore për etnogjenezën e shqiptarëve e identitetin e tyre apo një argumentuese e rolit dhënës të kulturës së tyre, por ka shkuar qartazi në drejtimin e ndryshimit të hierarkisë mes tyre, duke marre edhe rol pararendës, pasi arkeologjia shkon shpesh edhe atje ku gjuha nuk arrin të shkojë. Duke vlerësuar arkeolgët aktualë, akad Gjinushi vuri në dukje se një brez i tretë i arkeologëve shqiptar, i formuar e i vetëformuar me kërkesa akademike europiane, me lidhje të jashtme bashkëpunimi me jashtë dhe me teknologji të reja zbulimi, është duke e shpërfaqur në mënyrë të argumentuar në tërësi hartën arkeologjike të vendit, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë hinterlandin, deri vonë disi të harruar, në përparësi të kërkimit. Këta tre breza, që përbëjnë historinë e arkeologjisë, do të nderohen në çdo jubile, sot e në të ardhmen, do të nderohen edhe prej brezave që vijnë, të cilëve do t’u duhet më shumë vullnet e formim për të kapërcyer arritjet e tyre.

Më andej akad.Gjinushi foli për ndërthurjen disiplinare të arkeologjisë me antripogjenetikën dhe analizat e ADN-së, filogjenetikën dhe inteligjencë artificiale që synojnë të shkojnë deri në burim të qytetërimeve, gjuhëve dhe kulturave; vlerësimi i kësaj përvoje, përvetësimi i saj dhe përditësimi me dijet bashkëkohore, është kusht për të mos mbetur prapa. Kjo konferencë me siguri do të parashtrojë pyetje e zgjidhje edhe për këtë realitet të ri.

Përmbledhtas,-përfundoi akad. Gjinushi- pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka kërkimi shkencor tek ne, qoftë prej kufizimeve ideologjike apo nga labirinthet e tranzicionit, në këtë 75-vjetor mund të themi me bindje të plotë se ky kontribut dhjetëravjeçar i Institutit të Arkeologjisë e i arkeologëve të të gjitha brezave, në bashkëpunim edhe me qendra nga më të njohurat dhe specialistë po aq të vlerësuar të arkeologjisë europiane, ka bërë që shkenca shqiptare jo thjesht të dëshirojë e të pohojë vjetërsinë e lashtësinë mijëravjeçare të origjinës së popullit shqiptar, por t’i bazojë e vërtetojë ato me fakte e artifakte shkencore, në vend të afirmimeve entuziaste e amplifikuese amatoreske; ka bërë që të dominojnë argumentet shkencore të bazuara mbi gjetjet shumëvjeçare arkeologjike për tërë periudhat: që nga ato prehistorike; për vazhdimësinë e lidhjet midis tyre që nga parailirët, ilirët e arbërit deri tek shqiptarët; duke i kthyer në argumente të pakontestuara e të pranuara gjithnjë e më gjerë nga albanologjia botërore. Janë këto arritje, veçanërisht ato përgjatë 10-vjeçarëve të fundit, që përbëjnë burimin e risive shkencore, njëherësh dhe shkakun e nevojën për hartimin e një historie të sintetizuar të shqiptarëve nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim të ngushtë me institutet e albanologjisë e departamentet e shkollave të larta.

Konferencën e përshëndëti dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja. Pasi përshendeti të pranishmit-akad.Mehmet Kraja uroi përvjetorin e fillimit institucional të arkeologjisë shqiptare, që lidhet me themelimin e institutit përkatës, një nga institucionet më të vlefshme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Kosova-vazhdoi akad.Kraja, në këtë rast Akademia, por arkeologët e Kosovës në rend të parë, janë bashkuar me ju, për ta njohur punën institucionale në fushën e arkeologjisë si një nga punët më të vyera që ka bërë shteti shqiptar, duke i dhënë vlerë dhe argumente shkencore tezave dhe hipotezave që deri vonë rrinin pezull, jo vetëm në dijen shqiptare dhe ballkanike, por edhe në atë botërore. Më shumë se çdokujt tjetër,-theksoi akad.Kraja,  neve shqiptarëve na është dashur që të vërtetat tona t’i nxjerrim nga dheu. Këtë e ka bërë tashmë arkeologjia shqiptare. Respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet shqip!

Më andej akad.Kraja u ndal në përshkrimin e arkeologjisë në Kosovë, ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë ilire-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologu hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës që dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi ilire-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.

Më andej akad.Kraja u ndal në kontributin e At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi,-theksoi akad.Kraja, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti jugosllav, ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh, nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Nga kjo foltore dua të falënderoj komunën e Lipjanit, e cila pas luftës së vitit 1999 shtëpinë e shkatërruar dhe të lënë në harresë të atë Shtjefën Gjeçovit në Janjevë e meremetoi, e rinovoi dhe shpalli shtëpi-muze.

Po nga kjo foltore dua t’ju bëj me dije se Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit”. Tashmë ne e kemi përfshirë në programin e pujës sonë një konferencë shkencore për Shtjefën Gjeçovin, në tetor të vitit të ardhshëm, që i bie me qenë muaji i lindjes dhe i vdekjes së Shtjefën Gjeçovit.  Kjo është më e pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi zërat nga thellësia tokës sonë që flet.

Konferenca do të vazhdojë punimet për dy ditë me radhë, ku arkeologë, studiues të trashëgimisë kulturore do të flasin për arritjet, risitë dhe perspektivat e arkeologjisë shqiptare. Në konferencë ligjërojnë akademikë dhe profesorët të shquar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut  e të huaj si Muzafer Korkuti, Adem Bunguri, Neritan Ceka, Apollon Baçe, Gëzim Hoxha, Skënder Muçaj, Belisa Muka, Arben Hajdari, Sha Gashi, Milot Berisha, Kemajl Luçi, Luan Përzhita, Rovena Kurti, Muhamet Bela, Skënder Aliu, Ervin Kujtila, Brikena Shkodra-Rrugia, Eduard Shehi, omas Maurer, Elvana Metalla, Olgita Ceka, Jamarbër Buzo, Roberto Perna, Sabina Veseli, bana Meta, Julian Bogdani, Jean-Luc Lamboley, Elisabeth Deniaux, Dhimitër Çondi, David Hernandez, Kriledjan Çipa, Mariglen Meshini, Olsi Lafe, Errikos Maniotis, Skënder Bushi, Lida Miraj, Damian Komata, Suela Xhyheri, Skënder Muçaj, Era Xhaferaj, Tomor Kastrati, Shafi Gashi, Arianit Buçinca, Premtim Alaj, Sedat Baraliu, Burim Rexhepi, Ilir Culaj, Mixhahit Pollozhani, Jelldëz Asani.  / KultPlus.com

Dhe thuaj më të dashurës se unë një ditë do të kthehem në atdhe (VIDEO)

Një ndër këngët nga artisti i madh i muzikës shqipe, Agron Berisha është “Ëndërr”, shkruan KultPlus.

E interpretuar me zërin e fuqishëm të Berishës, ajo është një këngë dashurie, e gërshetuar me mallin ndaj gruas dhe atdheut.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Ëndërr”

Sonte në natë të errët të kujtoj
i trazoj ëndrrat e këtij qyteti
të qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ëndërr, o ëndërr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

Sonte në natë të errët të kujtoj
i trazoj unë ëndrrat e këtij qyteti
të qytetit ku jam a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ndonëse jam ndjerë i vetmuar
në atdhe kam dëshirë për të takuar
a m’beson a m’beson
unë të thrras në argëtim

Ref. 2

Ëndërr, o ëndërr
dëshirën ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

E dashur këtu jam i vetmuar në qytet të huaj larg prej teje
larg prej dëshirës por zemrat bashkohen pres me mall që të kthehem në atdhe

Ref. 2

Ënderr, o ëndërr
dëshirën ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe / KultPlus.com