Leo Tolstoy: Sheshi shëndriste nga ajo, buzëqeshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth

Fragment nga “Anna Karenina”, Leo Tolstoy. 

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buzëqeshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/ KultPlus.com

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe mbyll vizitën në Tiranë

Kryeministri Rama mikpriti sot në Tiranë, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë si President i EBA, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.

Presidenti i EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan u nderua në një ceremoni mirëseardhjeje në Pallatin e Brigadave dhe më pas të dy personalitetet zhvilluan një takim kokë më kokë.

Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, konkretisht:

– Marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST, që u shkëmbyen mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.

– Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, të shkëmbyera mes Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd” Sulltan Al Jaber.

Marrëveshjet u shkëmbyen në një ceremoni të posaçme në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Ai u shoqërua drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 18:00 nga kryeministri Rama./ KultPlus.com

“Vojçeku” – Njeriu mes Fatit dhe Lirisë erdhi premierë në Gjakovë

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në Gjakovë u shfaq premiera e dramës “Vojçeku” në regji të Zana Hoxhës.

“Adaptimi i Jack Thorne dhe një regji fantastike nga Zana Hoxha e sjellin këtë dilemë në një kontekst modern, duke dëshmuar se sfidat e Vojçekut nuk i përkasin vetëm një epoke të largët, por janë universale”, thuhet në postimin e Halimit.

Ajo e cilëson shfaqjen si një sfidë që ndihmon në reflektimin mbi përgjegjësinë kolektive ndaj individëve të shtypur dhe mbi mënyrën se si shoqëria formëson fatin e tyre.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Në këtë interpretim skenik të fatit njerëzor, personazhi kryesor, Vojçeku, shfaqet si një reflektim i fuqishëm mbi ekzistencën dhe shtypjen e njeriut nga rrethanat, duke ngritur pyetjen thelbësore: A është njeriu i lirë, apo i robëruar nga fati dhe e kaluara e tij?

Në dramën “Vojçeku”, fëmijëria e protagonistit nuk eksplorohet drejtpërdrejt, por prania e një djali të vogël në skenë si personifikim i kujtesës së tij thekson peshën e së kaluarës në formësimin e tragjedisë së tij.

Ky element skenik krijon një lidhje të fuqishme mes kujtesës dhe fatit, duke thelluar kuptimin e rrënjëve të vuajtjes së Vojçekut.

I shtypur në fëmijërinë e tij, Vojçeku na kujton thënien e Friedrich Nietzsche “Ai që lufton me përbindësha duhet të kujdeset që të mos bëhet vetë një përbindësh.”

Tragjedia e tij nuk është një ngjarje e rastësishme, por një vazhdimësi e pashmangshme, ku ai, i shtyrë nga dhuna dhe padrejtësia, shkatërron gjithçka përreth vetes.

Vojçeku paraqitet si një individ i thyer, i shtypur nga varfëria dhe padrejtësia sociale. Ai nuk është në gjendje të ngrihet mbi rrethanat e tij, duke sugjeruar se jeta e tij ka qenë e dënuar që në fillesë. Nga një këndvështrim psikologjik dhe filozofik, fëmijëria e tij mund të shihet si një periudhë ku ai mësohet me nënshtrimin dhe me mungesën e fuqisë për të ndryshuar fatin e tij. Mungesa e një baze të fortë emocionale e bën atë të pambrojtur ndaj shfrytëzimit, duke e çuar drejt shkatërrimit.

Në këtë mënyrë, fëmijëria e Vojçekut nuk është thjesht një e kaluar e errët, por një fillim i pashmangshëm i tragjedisë që ai jeton. Përmes syve të tij shohim një individ të luhatur mes instinktit dhe moralit, mes arsyes dhe çmendurisë. Drama e tij mishëron idetë ekzistencialiste, ku njeriu përballet me absurditetin e jetës dhe kufizimet e jashtme që formësojnë fatin e tij. Ai nuk është vetëm një viktimë e fatkeqësisë, por një simbol i pashmangshmërisë së vuajtjes që përcakton ekzistencën njerëzore.

Adaptimi i Jack Thorne dhe një regji fantastike nga Zana Hoxha e sjellin këtë dilemë në një kontekst modern, duke dëshmuar se sfidat e Vojçekut nuk i përkasin vetëm një epoke të largët, por janë universale.

Në një shoqëri ku individi shpesh ndihet i papërfillshëm përballë forcave të mëdha sociale, Vojçeku bëhet një pasqyrë e realitetit tonë, duke na bërë të reflektojmë mbi kufijtë e lirisë sonë dhe mbi peshën e ekzistencës.

Kjo shfaqje nuk është thjesht një rrëfim tragjik, por një ftesë për të menduar mbi njeriun – mbi atë që e shkatërron dhe mbi shpresën e heshtur për një realitet ndryshe.

Në thelbin e saj, tragjedia e Vojçekut është historia e një njeriu të shfrytëzuar në të gjitha aspektet – ekonomikisht, psikologjikisht, moralisht dhe emocionalisht. Ai është viktimë e një shoqërie që e përdor dhe e flak tutje kur nuk i nevojitet më.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se, pasi është shkatërruar nga të gjitha këto forma shtypjeje, shoqëria e gjykon si përbindësh. Ai nuk shihet si një njeri që ka vuajtur, por si një kriminel që duhet të përballet me pasojat. Viktima kthehet në fajtor – një fenomen që nuk gjendet vetëm te Vojçeku, por edhe në realitetin tonë.

Në një kuptim më të gjerë filozofik, Vojçeku nuk është vetëm një individ, por një simbol i të gjithë atyre që shtypen nga një sistem i padrejtë. Ai është një dëshmi se si shoqëria mund të shfrytëzojë një njeri deri në pikën kur ai nuk ka më asgjë për të humbur – dhe më pas ta gjykojë për dëshpërimin e tij.

A është Vojçeku një viktimë, apo një pasqyrë e shoqërisë që e krijoi? Kjo dilemë vazhdon të mbetet e hapur, duke na sfiduar të reflektojmë mbi përgjegjësinë kolektive ndaj individëve të shtypur dhe mbi mënyrën se si shoqëria formëson fatin e tyre./ KultPlus.com

Burimësitë etike të të menduarit filozofik sipas Karl Jaspers

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.


Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists / KultPlus.com

Përfundojnë Karnavalet e Shkodrës, qindra qytetarë të pranishëm në djegien e dordolecit në qendër të qytetit

Spektakli i veçantë i karnavaleve në Shkodër ka kulmuar sot me djegien e figurës së dordolecit, që shenjon edhe mbylljen e paradës disaditore të kostumeve, maskave dhe spektaklit shumëngjyrësh që ka nisur prej datës 17 shkurt në këtë qytet.

Për herë të parë, parada e karrove dhe dritave krijoi një atmosferë magjike për shkodranët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria duke sjellë një atmosferë festive dhe plot argëtim.

Ditën e sotme, festa e Karnavaleve ka nisur që herët në mëngjes në rrugët e Shkodrës, ndërsa të pranishëm kanë qenë jo vetëm qytetarë të këtij qyteti, por edhe pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqipfolëse. Pas parakalimit të paradës së personazheve artistikë, muzika, festa dhe spektakli u përmbyllën me djegien e dordolecit të pozicionuar në qendër të qytetit të Shkodrës.

Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga festa e Karnavaleve, duke shkruar: “Shkodra në festën e karnavaleve magjike”.

Atmosfera festive e karnavaleve ka nisur më 17 shkurt me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit.

Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike i shoqëruan banorët e Shkodrës por edhe turistët e ardhur nga qytetet e tjera apo edhe nga jashtë, përgjatë shtatë ditëve (17-23 shkurt), duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/ KultPlus.com

Në Gjirokastër jepet shfaqja ‘Nga pafajësia në pafajësi’

Në një fundjavë kulturore që ka sjellë një frymë të re artistike në qytetin e gurtë, artdashësit u përballën me shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi”, një event i cili ndërthur në mënyrë harmonike elemente të imazhit, baletit modern, teatrit dhe muzikës.

Kjo vepër artistike, që trajton emigrimin si metaforë të largimit nga vendlindja, synon të hapë dyert e mendimit dhe të ngjallë emocione thelbësore në audiencë.

Në sinkron me emocionet e shfaqjes, balerini Julian Bulku vuri në pah vlerat njerëzore që shpalosin gjithë spektrin e jetës – nga lindja deri në momentin kur një njeri ndjen se ka forcën të vazhdojë përpara dhe të ndajë këtë forcë me të tjerët. Ai theksoi se, në një kohë kur shpërndarja e vështirësive dhe e buzëqeshjes mbetet e kufizuar, arti mund të bëhet një dritare e hapur drejt reflektimit personal dhe kolektiv.

Autorja Klejda Vaso, e përshkroi shfaqjen si “një thirrje për të menduar”. Ajo vë në pah se shqiptarët, të cilët shpesh kanë qenë të angazhuar në përpjekje për përmirësim material, nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë për të reflektuar mbi çështje ekzistenciale. Kjo vepër, ndërthurur me vlera artistike dhe kombëtare, fton audiencën të mendojë për jetën, për sfidat e lindjes, vdekjes dhe emigrimit.

Interesi për shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi” nuk është kufizuar vetëm në territorin kombëtar. Baleri Julian Bulku theksoi krenarinë e tij që shfaqja ka udhëtuar deri në Florida dhe ka qenë pjesë e festivaleve ndërkombëtare, ku publiku, megjithëse i huaj, ka kapur thelbin e gjuhës shqipe dhe dhimbjen personale të jetës që përcillet në këtë performancë.

Fundjavat në Gjirokastër janë mbushur me aktivitete kulturore që gjallërojnë qytetin në stinën e dimrit.
Shfaqja “Nga pafajësia në pafajësi” tregon se arti mund të jetë një udhërrëfyes në përballimin e sfidave të jetës dhe një mjet për të ndarë mesazhe të thella, duke reflektuar jo vetëm historitë personale, por edhe ato kolektive që formojnë shoqërinë./ balkanweb/ KultPlus.com

Baleti ‘La Stravaganza’ i Angelin Preljocajt, rikthehet nesër në TKOB

Rikthehet nesër në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit shfaqja “La Stravaganza”.

“La Stravaganza” është një balet i krijuar në vitin 1997 nga koreografi i njohur me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj. Ky balet trajton temën e përplasjes midis kulturave të shekullit të 17-të dhe asaj moderne, duke eksploruar konceptet e emigracionit dhe ndërveprimit midis së kaluarës dhe së tashmes.

Muzika përfshin vepra të Antonio Vivaldit, i cili shkroi në shekullin e 18-të një grup koncertesh me të njëjtin titull, “La Stravaganza”, si dhe kompozime elektronike nga artistë bashkëkohorë si Evelyn Ficarra, Robert Normandeau dhe Åke Parmerud.

Preljocaj krijoi “La Stravaganza” për New York City Ballet si pjesë e projektit “Diamond Project III”, me premierën më 22 maj 1997. Që atëherë, baleti është interpretuar nga trupa të ndryshme në mbarë botën.

Premiera në Shqipëri u mbajt në maj të vitit 2014 për t’u rivënë disa herë në vitet pasardhëse.

Tanimë baleti rikthehet sërish në datat 24-25-27 shkurt, ora 19:00.

Të interesuarit mund t’i marrin biletat pranë biletarisë së TKOBAP-së, sipas orarit:

  • 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00
  • Ditën e shfaqjes: 10:00-14:00 dhe 16:00-18:10

U shpall fitues i Sanremo-s 2025 për të përfaqësuar Italinë, këngëtari njofton tërheqjen e tij nga Eurovisoni

Fituesi i Sanremo-s 2025, Olly ka hequr dorë nga përfaqësimi i tij për shtetin italian në Eurovision, e cila do të mbahet në Bazel.

Njoftimin e ka bërë të ditur vetë ai në rrjetin e tij social “Instagram”, duke shprehur se ka vendosur të heqi dorë nga mundësia për të marrë pjesë në Eurovision.

Gjithashtu, ai ka shkruar se ky vendim është mënyra e tij për të dëgjuar veten, duke uruar fat atyre që do e zëvëndësojnë, ndërsa njofton koncertet e tij nëpër botë.

Sakaq, RAI i ka shprehur mirënjohje këngëtarit për kontributin e dhënë në edicionin e 75-të të Festivalit di Sanremo dhe i ka uruar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.

Reagimi i plotë:

Kam vendosur të heq dorë nga mundësia për të marrë pjesë në Eurovision, me vetëdijen se është një nga ato gjëra që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë. Falenderoj ata që më votuan dhe më dhanë mundësinë të kem këtë privilegj: Shpresoj t’ju shoh së shpejti në një nga koncertet e mia për t’ju kthyer gjithë dashurinë që marr këto ditë.

Për mua, ky vendim është mënyra ime për të dëgjuar veten dhe ndoshta edhe mënyra ime e shtrembër për të thënë faleminderit. Disa do të thonë se po heq dorë nga një ëndërr, mirëpo mendoj se thjesht kam zgjedhur ta jetoj atë në kohën time.

I uroj një fat të madh kujtdo që zë vendin tim: muzika në Itali është plot me artistë të mrekullueshëm dhe kasti i këtij viti është prova më e sinqertë e kësaj. Gjithmonë besoni! Diçka po ndryshon dhe është e qartë për të gjithë.

Ju përqafoj dhe shihemi në turne, Federico.

Cili ishte Carl Friedrich Gauss djali i një nëne analfabete që u bë gjeniu i pazakontë i matematikës?

Nga Albert Vataj

Më 23 shkurt të vitit 1855, në moshën 77-vjeçare, Carl Friedrich Gauss i dorëzohet vdekjes. Një atak në zemër e ndau nga jeta gjeniun e matematikës, por nuk ndali udhën e tejçuar prej tij. Dy persona lëxuan elegji në varrimin e lamtumirës, dhëndri i tij, Heinrich Ewald dhe Wolfgang Sartorius von Waltershausen, i cili ishte mik i ngushtë dhe biograf i matematikanit. Truri i Gausit u ruajt dhe u studiua nga Rudolf Wagner.

Kishte vdekur një mëndje e ndritur, një vullnet që s’reshti së blaturia shkencës çfarë kishte më të shtrenjtë. Netët e gjata dhe ditët e pambarimta i shterrën këtij talenti jetën si sublime e sakrificës së dijes dhe shkencës.

Shumë jetë i përcaktojnë yjet, shumë yje shndrijnë përgjithmonë në kërshërinë ngazëdhyese të njeriut. Eshtë fati ai që e thotë fjalën predikuese të besimit te mrekullitë, dhe fjalën e fundit gjithnjë e thotë historia, fjalën që mbeten edhe sot kushtuese. Bota dhe kohërendja ka parakaluar pëmes shumë faktesh dhe befasishë për të mbërritur deri në ditët tona si një dëshmim i pamohueshëm i të vërtetave të mëdha të mendimeve gjeniale, të cilët shkruan faqe të rëndësishme të qytetërimit. Padyshim një prej këtyre faqeve përshkruan përmbledhtaz jetën dhe veprën e një gjeniu, një mendje të jashtëzakonshme, atë të Carl Friedrich Gauss.

Më 30 prill 1777 u lind i madhi, befasia e matematikës, Carl Friedrich Gauss. Ai mori përkufizuesen e meritimit të përgjithmonshme, “Princi i Matematikës”.

Gauss ishte një matematikan gjerman dhe shkencëtar që ndihmoi dukshëm në shumë fusha, duke përfshirë teorinë e numrave, analizën, gjeometrinë diferenciale, gjeodezinë, elektrostatikën, astronominë dhe optikën. Gaussi pati një ndikim të shquar në shumë fusha të matematikës dhe shkencës dhe është rradhitur pranë Ojlerit, Njutonit dhe Arkimedit, si një nga matematikanët më të mëdhenj të historisë.

Nëna e tij ishte analfabete dhe kurrë nuk e regjistroi datën e lindjes së Gaussit. Ajo mbante mend vetëm se ai kishte lindur në ditë të mërkurë, tetë ditë para Festës së Ngjalljes, e cila në vetvete ndodh 40 ditë pas Pashkëve. Gaussi më vonë do ta zgjidhte këtë mister për ditëlindjen e tij në kontekstin e gjetjes së datës së Pashkëve, duke nxjerrë metoda për të llogaritur datën në vitet e kaluara dhe të ardhme. Ai u pagëzua dhe konfirmua në një kishë pranë shkollës që ai ndoqi si fëmijë.

Në moshën 7-vjeçare, Carl Friedrich Gauss filloi shkollën fillore dhe mundësitë e tij të jashtëzakonshme u konstatuan pothuajse menjëherë. Mesuesi i tij, Buttner dhe ndihmësi i tij, Martin Bartels, u habitën kur Gaussi mblodhi shumën 1-100 në çast nga diktimi me arësyetimin se shuma ishte 50 çifte numrash, ku çdo çift numrash e kishte shumën 101 (1+100=101, 2+99=101 e kështu me rradhë). Ai e bëri këtë duke mblodhur shifrën e parë me të fundit brenda qindëshit, pastaj të dy me të parafundit dhe vazhdoi kështu, duke ruajtur gjithnjë përfundim që kishte edhe shuma e kërkuar. Për mësuesin ky ishte zbulim tërhoqi vëmendjen e autoriteteve të kohës. Gaussi u dallua në studime mëtejshme dhe me aftësitë e tij të rralla në majat më të larta shkencës.

Aftësitë intelektuale të Gaussit tërheqën gjithashtu vëmendjen e Dukës së Braunschweig, i cili e dërgoi atë në Kolegjin Carolinum, të cilin ai e ndoqi në vitet 1792-1795, dhe në Universitetin e Göttingenit 1795-1798. Kur ishte në universitet, Gaussi në mënyrë të pavarur rizbuloi disa teorema të rëndësishme. Zbulimi i madh i tij ndodhi në vitin 1796 kur ai tregoi se çdo poligon i rregullt me ​​një numër primar brinjësh (dhe, rrjedhimisht, edhe ato poligone me numër brinjësh që është produkt i një numri primar me një një numër në katror) mund të ndërtohen me një kompas dhe një vizore. Ky ishte një zbulim i madh në një fushë të rëndësishme të matematikës; problemet e ndërtimit kanë angazhuar matematicienët që nga kohët e grekëve të lashtë, dhe ky zbulim e çoi përfundimisht Gaussin që të zgjedhë matematikën në vend të filologjisë si karrierë. Gaussi ishte aq i kënaqur me këtë rezultat sa që ai kërkoi që një heptadecagon i rregullt të gdhendet në gurin e varrit të tij. Gurgdhendësi nuk pranoi, duke deklaruar se ndërtimi i tij ishte i vështirë dhe në thelb do të duket si një rreth.

Në 1795 Gaussi u largua nga Brunswick për të studiuar në Gottingen University. Mesuesi i Carl Friedrich Gauss ishte Kaestner. Miku i tij i vetëm midis nxënësve ishte Farkas Boljait. Ata u takuan në 1799 dhe ndenjën me njëri-tjetrin për shumë vite. Gaussi u kthye në Brunsëick, kur ai mori një diplomë në 1799. Pasi Duka kishte rënë dakort të vazhdonte ti jepte bursë Gaussit, ai kërkoi që Gaussi të paraqiste një dezertacion për doktoraturë në Universitetin Helmstid. Me bursën e tij për ta mbështetur atë Gaussi nuk kishte nevojë për të gjetur një punë. Ai botoi librin Disquisitiones Arithmeticae (Hulumtime Matematike) në verën e vitit 1801. Kanë qenë 7 seksione, por pjea e fundit i është kushtuar vetëm teorisë së numrave.

Veprat

Ne 1801 Gaussi boton Disquisitiones Arithmeticae. Është studimi i parë sistematik mbi teorinë e numrave. Influenca e librit të Gaussit qe e pamasë, dhe dëshmohet nga fakti që shumica e librave mbi subjektin akoma ndjekin përqasjen e tij. Reference: “The Mathematics of Ciphers, Number Theory and RSA Cryptography”, S.C.Coutinho.

“Legjendat” dhe të vërtetat

Ekzistojnë shumë histori për këtë gjeni. Thuhet se dhuntitë e tij të para u shfaqën kur ai ishte vetëm 3 vjeç. Në këtë moshë Gaussi i vogël korrigjoi një gabim në veprimet e të atit, kur ai po bënte disa llogari të shpenzimeve familjare. Tjetër histori e famshme e Gaussit, që mbeti njëkohësisht si shpërthimi i kësaj befasie, ishte ajo e shkollës. Gaussi ishte shumë fëmij i prapë, gjatë mësimit ngaqë ishte sjellë keq, mësuesi i tij i matematikës i dha si ndëshkim të mblidhte numrat nga 1 tek 100. Gaussi e gjeti zgjidhjen menjëherë për habinë e mësuesit të tij. Kështu lindi e ashtuquajtura “Metoda e Gaussit”, e cila konsiston në mbledhjen e numrave periferikë:1+100;2+99 etj. Formoheshin 50 çifte ku shuma e secilit çift ishte 101. Që këtej 50×101=5050. Sidoqoftë dyshohet për vërtetësinë e kësaj historie. Gjithashtu thuhet se Gaussin e ndërprenë njëherë në zgjidhjen e një problem sepse gruaja e tij ishte duke vdekur. Ai ka thënë “Thuaji të presë një minutë, sa ta mbaroj”

Nga jeta e gjeniut

*** Gaussi, që i vogël, kishte mësuar shumë djallëzi për të vënë në lojë njerëzit. Për mësuesit e tij, që përveç matematikës merrej edhe me poezi ai u thoshte shokëve:

– Mësuesi ynë është një matematikan i madh për poetët dhe një poet i madh për matematikanët.

*** E pyetën një herë Laplasin se kush ishte matematikani më i madh i Gjermanisë.

– Është Ptaf, – u përgjigj Laplasi.

– Si? – i tha bashkëbiseduesi, – po unë mendoja se ishte Gaussi.

– Ah, po, – thirri Laplasi, – po Gaussi është matematikani më i madh i Evropës./ KultPlus.com

Më 23 shkurt 1455, datëlinja e Biblës së Gutenbergut, kur fjala e shenjtë zu të flasë me gjuhën e gërmave

Nga Albert Vataj

Bibla e Gutenbergut, një nga thesaret e rralla të njerëzimit u shtyp më 23 shkurt 1455, punë e cila nisi që më 1450. Johannes Gutenberg arriti të nxirrte në jetë librin e parë me pllaka metalike. E kush tjetër mund ta kishte atë fat veç librit të librave, Biblës të rrokte andjen e jetës për të qenë thesar në shpirtin e lartësuar në hyjni. Më heret librat kopjoheshin me dorë apo shtypeshin me pllaka të gdhendura druri, procese të cilat kërkonin muaj apo vite për tu realizuar. Johann Gutenberg shpiku një makinë shtypi që revolucionarizoi përhapjen e dijeve, ai u nxit nga qëllimi për shpalljen sa më gjerë e me shpejt të ideve për reformimin e Kishës.

Ky eveniment shënon zanafillën e të atëherquajtur “Revolucioni i Gutenbergut”, i cili përftoj një nam të përmasave titanike në të gjithë perëndimin, dhe jo vetëm për shpejtësinë, cilësinë dhe parametrat e larta etike dhe estetike të botimeve. Bibla e Gutembergut është e shkruar latinisht. Johannes Gutenberg e vendosi këtë gurthemel në përçimin e dijeve dhe teksteve. Nga 48 kopje e realizuara, pjesë e konsiderueshme e tyre mbijetojnë, dhe ta konsiderohen të jenë ndër librat më të vlefshëm në botë, edhe pse asnjë kopje e plotë e këtij ekzemplari nuk ka qenë e shitur deri më 1978.

Pikërisht në këtë vit daton koha kur Bibla e Gutenbergut do të gjente një shtëpi të re dhe ajo është Biblioteka Publike e Nju Jorkut, ku gjendet atëditë e sot e ekspozuar. Kjo kryevepër mbamendet të jetë e blerë nga James Lenox më 1847, ajo ishte kopja e parë që mori nënshtetësi amerikane.

Sigurisht që Bibla e Gutenbergut nuk pati fatin të ishte libri i parë i shtypur në botë.

Ndërsa Bibla e Gutenbergut ndihmoi në prezantimin e shtypjes në Perëndim, procesi ishte tashmë i vendosur mirë në pjesë të tjera të botës. Artizanët kinezë po shtypnin bojë në letër qysh në shekullin e dytë të erës sonë, dhe në vitet 800, ata kishin prodhuar libra me gjatësi të plotë duke përdorur shtypjen e blloqeve prej druri. Lloji i luajtshëm gjithashtu u shfaq për herë të parë në Lindjen e Largët. Diku rreth mesit të shekullit të 11-të, një alkimist kinez i quajtur, Pi Sheng, zhvilloi një sistem të llojeve individuale të karaktereve të bëra nga një përzierje e argjilës së pjekur dhe ngjitësit. Lloji i lëvizshëm metalik u përdor më vonë në Kore për të krijuar “Jikji”, një koleksion i mësimeve budiste Zen. Jikji u botua për herë të parë në 1377, rreth 75 vjet përpara se Johannes Gutenberg të fillonte të nxirrte Biblat e tij në Mainz, Gjermani.

Fati nuk i priu Johannes Gutenberg, edhe pse zgjodhi një libër të shenjtë për të sfiduar në këtë sipërmarrje të gjëmimshme. Johannes Gutenberg edhe pse është quajtur figura më me ndikim të mijëvjeçarit të fundit, ai qëndron si një nga pikëpyetjet e mëdha të historisë. Dijetarët nuk e dinë se kur ka lindur, nëse është martuar apo ka fëmijë, ku është varrosur apo edhe si dukej. Pothuajse të gjitha informacionet rreth Gutenbergut vijnë nga dokumentet ligjore dhe financiare, dhe këto tregojnë se shtypja e Biblave të tij ishte një çështje veçanërisht e trazuar. Sipas një dokumenti të vitit 1455, partneri i biznesit të Gutenberg, Johann Fust, e paditi atë për kthimin e një shume të madhe parash të huazuar për të ndihmuar në prodhimin e Biblave të tij. Gutenberg e humbi gjyqin dhe vendimi përfundimtar përcaktoi që ai duhej t’i dorëzonte pajisjet e tij të printimit dhe gjysmën e Biblave të kompletuara te Fust, i cili vazhdoi t’i shiste ato së bashku me një nga ish-asistentët e Gutenbergut, Peter Schoeffer. Gutenberg u çua në shkatërrim financiar. Më vonë ai hapi një shtypshkronjë të dytë, por nuk ka gjasa që ai të largonte ndonjë fitim nga vepra e tij më e famshme.

Duke studiuar madhësinë e rezervës së letrës së Gutenbergut, historianët kanë vlerësuar se ai prodhoi rreth 180 kopje të Biblës së tij gjatë fillimit të viteve 1450. Kjo mund të duket e vogël, por në atë kohë kishte ndoshta vetëm rreth 30,000 libra në të gjithë Evropën. Spërkatja që bënë Biblat e Gutenbergut është e dukshme në një letër që Papa Piu II i ardhshëm i shkroi kardinalit Carvajal në Romë. Në të, ai shpreh me zemërim se Biblat janë «shumë të pastra dhe të sakta në shkrimin e tyre dhe pa gabime, siç Shkëlqesia Juaj mund të lexojë pa mundim pa syze». Falë cilësisë së tyre të dukshme, Biblat u shitën të gjitha përpara se Gutenberg dhe Fust të kishin mbaruar shtypjen e tyre. Disa kopje supozohej se shkonin për rreth 30 Florina – një shumë e madhe në atë kohë.

Shumica e Biblave të Gutenbergut përmbanin 1286 faqe të lidhura në dy vëllime, megjithatë pothuajse asnjë dy nuk është saktësisht e njëjtë. Nga 180 ekzemplarë, rreth 135 u shtypën në letër, ndërsa pjesa tjetër u punua me pelena, një pergamenë e bërë nga lëkura e viçit. Për shkak të vëllimit të konsiderueshëm të vëllimit, është vlerësuar se nevojiteshin rreth 170 lëkura viçi për të prodhuar vetëm një Bibël të Gutenbergut nga velumi. Librat gjithashtu ndryshojnë në tipografinë e tyre dhe shkallën e dekorimit. Gutenberg fillimisht përdori bojë të kuqe për të printuar titujt e titujve ose rubrikat para secilit prej librave të Biblës. Kur ky proces doli të merrte shumë kohë, ai e braktisi atë në favor të thjesht lënies së një hapësire boshe në margjina. Skribët profesionistë më vonë shtuan me dorë titujt unik dhe titujt e kapitujve, dhe shumë pronarë punësuan gjithashtu artistë për të shtuar ilustrime luksoze dhe personazhe të shkruar në kopjet e tyre.

Gjatë pushtimit sovjetik të Gjermanisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, Ushtria e Kuqe organizoi “Brigadat Trofe” për të sekuestruar artefakte kulturore të çmuara nga muzetë dhe bibliotekat. Rusët e konsideruan plaçkitjen si një akt hakmarrjeje për barbaritë dhe krimet e luftës të vetë Gjermanisë, dhe ata përfundimisht konfiskuan miliona libra dhe vepra arti. Në mesin librave të plaçkitur ishin dy kopje të Biblës së Gutenbergut, të cilat u morën nga Muzeu Gjerman i Librit dhe Skriptit dhe nga Universiteti i Lajpcigut. Sovjetikët mohuan çdo njohuri për vendndodhjen e Biblave të humbura deri në vitet 1980, kur u zbulua se ato mbaheshin në bibliotekat në Moskë. Që atëherë, qeveria gjermane ka bërë disa përpjekje të pasuksesshme për të siguruar kthimin e tyre. Në vitin 2009, një agjent i qeverisë ruse vodhi një nga Biblat e grabitura dhe u përpoq ta shiste në tregun e zi. Burri u kap më vonë, megjithatë, dhe autoritetet ruse i gjetën të dy vëllimet.

Nga rreth 180 kopje origjinale të shtypura të Biblës së Gutenbergut, 49 prej tyre ende ekzistojnë në koleksionet e bibliotekave, universiteteve dhe muzeut. Më pak se gjysma janë të plota, dhe disa përbëhen vetëm nga një vëllim i vetëm ose edhe disa faqe të shpërndara. Gjermania ka pretendimin për më shumë Bibla të Gutenberg me 14 ekzemplarë në posedim, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë 10 syresh, tre prej të cilave janë në pronësi të Bibliotekës dhe Muzeut Morgan në Manhatan. Shitja e fundit e një Bibla të plotë të Gutenberg u bë në vitin 1978, kur një kopje u shit me vlerën 2.2 milionë dollarë. Një vëllim i vetëm u shit më vonë për 5.4 milionë dollarë më 1987, dhe ekspertët tani vlerësojnë se një kopje e plotë mund të kapte shifrën mbi 35 milionë dollarë në ankand./ KultPlus.com

Papa Françesku dërgon mesazh nga shtrati i spitalit

Papa Françesku po merr ende oksigjen, por nuk ka pësuar krizë të mëtejshme, kanë thënë burimet e Vatikanit.

Burimet shtuan se Papa po ha normalisht dhe se testet klinike janë ende duke u bërë.

88-vjeçari ndodhet në spitalin Gemelli të Romës për më shumë se një javë, pasi po trajtohet për pneumoni të dyfishtë dhe bronkit kronik.

Gjatë mëngjesit të sotëm, në përditësimin e tij të fundit që kur Papa u pranua në spital më 14 shkurt, Vatikani tha se ai kishte kaluar një “natë të qetë”.

Vatikani tha se nuk do të kryejë lutjet e së dielës për të dytën javë rresht, duke shtuar: “Papa pushoi mirë”.

Në vend të kësaj, Françesku, i cili ka udhëhequr Kishën Katolike që nga viti 2013, përgatiti fjalë për t’u lexuar në recitimin e Engjëllit të së dielës, duke u kërkuar njerëzve të luten për të.

“Po vazhdoj me besim shtrimin në spitalin Gemelli, duke vazhduar trajtimin e nevojshëm, dhe pushimi është gjithashtu pjesë e terapisë! Falënderoj sinqerisht mjekët dhe punonjësit shëndetësorë të këtij spitali për vëmendjen që po më tregojnë dhe përkushtimin me të cilin kryejnë shërbimin mes të sëmurëve”, tha ai në mesazhin e tij nga shtrati i tij spitalor, i lëshuar nga Vatikani të dielën, transmeton Klankosova.tv.

“Në ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashurie dhe veçanërisht më kanë emocionuar letrat dhe vizatimet e fëmijëve. Faleminderit për këtë afërsi, dhe për lutjet ngushëlluese që kam marrë nga e gjithë bota! Ju besoj të gjithëve në ndërmjetësimin e Marisë dhe ju kërkoj të luteni për mua”.

Burimet e Vatikanit thanë se mesazhi është shkruar gjatë ditëve të fundit.

Vdes në moshën 85-vjeçare këngëtari dhe kompozitori amerikan, Jerry Butler

Jerry Butler, këngëtari dhe kompozitori amerikan i cili pati një varg hitesh pop dhe soul të viteve 1960 para një karriere të gjatë në politikën e Illinois, ka vdekur në moshën 85-vjeçare.

Sipas Chicago Sun-Times, Butler vdiq në shtëpi të enjten. Ai ishte i prekur me sëmundjen e Parkinsonit.

I lindur në një familje të varfër në Misisipi dhe më pas i rritur në Çikago, Butler fillimisht u trajnua për të qenë kuzhinier – por u bë një muzikant me ndikim.

‘Mua besoj më shpëtoi portreti’ prezanton Kosovën në Berlinale, pjesë e Award Ceremony edhe Kryeministri Kurti

Mbrëmë është mbajtur Award Ceremony në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin “Berlinale”, në të cilin festival është prezantuar premiera e filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti“ nga regjisori Alban Muja.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka mbështetur ekipin nga Kosova duke qenë pjesë e kësaj ceremonie së bashku me Drejtoreshën e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, dhe artistin Alban Muja.

“Mua besoj më shpëtori portreti” i regjisorit Alban Muja është një film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.

Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.

I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.

Filmi është dhënë premerë në edicionin e 75-të të festivalit “Berlinale”, në të cilin edhe është rrëfyer një histori reale nga Lufta e Kosovës./ KultPlus.com

Berati destinacion i turistëve edhe në dimër, Merdani: Rreth 40 mijë në dy muaj

Qyteti i Beratit me historinë dhe arkitekturën e veçantë vijon edhe këtë fillim viti të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Në 2-mujorin e parë të vitit, siç Silvi Merdani, Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve tha  për ATSH-në, turistët në qytetin e një mbi një dritareve kanë mbushur rrugët e qytetit edhe në dimër.

“Nga janari deri tani Berati është vizituar nga 35-40 mijë vizitorë vendas e të huaj. Në muajt e ardhshëm me ngrohjen edhe të të temperaturave presim një fluks më të lartë të turistëve”, theksoi Merdani.

Merdani bën të ditur se “numri i vizitorëve gjatë janarit në Muzeun ikonografik “Onufri” u rrit me 30% në krahasim me janarin e 2024’.

“Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës si Italia, Gjermania, Polania, Spanja, Franca, etj”, tha Merdani.

Ndër atraksionet më të vizituara Merdani përmend Kalanë, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik etj.

“Edhe për këtë vit bashkia do të organizojë aktivitete të ndryshme, të cilat edhe vitin e kaluar ishin të shumta she ndikuan edhe në rritjen e fluksit të vizitorëve”, tha Merdani.

Gjatë vitit 2024 Berati kaloi shifrën e 1 milion turistëve.

“Për vitin 2025 synimet e bashkisë janë tejkalimi i kësaj shifre. Ndërkohë që qëllimi ynë është që Berati të ketë sezon turistik gjatë gjithë vitit”, tha Merdani

Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze më 1961, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Arkitektura e rrallë e këtij qyteti afro 2500-vjeçar, trashëgimia që mbart e bëjnë këtë qytet vërtetë të rrallë.

“L’albanese d’Italia”, gazeta e parë shqiptare mbush 177 vite nga botimi i numrit të parë

Më 23 shkurt 1848 doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë).

Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.

Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës.

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot këtë ngjarje të shënuar, duke theksuar se shtypi i kohës ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut.

“L’albanese d’Italia” shërbeu gjithashtu si gazeta e parë për të formuar opinionin publik të komunitetit Arbëresh në Itali, duke sjellë në numrat e saj edhe lajme të ndryshme nga Shqipëria apo vendet e Ballkanit.

De Rada është shkrimtar arbëresh dhe një nga publicistët më të vjetër shqiptarë. Me këtë gazetë ai hodhi gurin e parë në themelet e shtypi kombëtar, ku pas kësaj gazete u botuan dhe një sërë titujsh të tjetër të rëndësishëm për kohën.

Gazeta ishte një tribunë e mirë për të përçuar mesazhet politike, shoqërore e kulturore në gjuhën italiane dhe pjesërisht edhe në arbërisht.

Piramida e Keopsit

Nga Ismail Kadare

Me gurë të mëdhenj harrimin shtypi Keopsi.
Mbi gjoks të shkretëtirës,
Një piramidë ngriti lart.
Që nga maja e saj, larg në kohërat tona moderne,
Hodhi sytë e shuar dhe pa.

Pa qytetet tona të çuditshme me antenna dhe mjegull,
Mumjen e mjerë të tij.
Të vënë në muze.
Trupin, që blloqet dhe rojat e tmerrshëm e ruanin,
Mjaftojnë ca grosh për ta pare secili nga ne.

Piramida mbeti atje,
Te dielli dhe rëra përvëluese.
Bijë e shkretëtirës,
Mbi gjoks shkretëtirës i rëndon.
E ngritur mbi rërë nga njerëz të panumërt e pa emër, si rëra.
E të gjithëve është ajo dhe e askujt.

-1967/ KultPlus.com

78 vite nga lindja e aktorit, Minella Borova

Borova lindi në qytetin e Korçës më 22 shkurt 1947. Në qytetin e tij të lindjes ndoqi arsimin bazë dhe atë të mesëm, ndërsa do të përfundonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve.

Menjëherë pas diplomimit të tij në specialitetin aktor, ai emërohet pranë trupës profesioniste të teatrit A.Z.Cajupi për 10 vjet dhe më vonë do të kthehej sërish në Akademinë e Arteve, por këtë herë për të dhënë mësim si pedagog i “Mjeshtrisë së Aktorit”.

Aktori ka pasur një karrierë të gjatë dhe ka qenë pjesë e skenës dhe e kinematografisë duke u shquar për talentin e tij dhe aftësitë e jashtëzakonshme interpretative. 

Profili i tij si aktor lirik dhe romantik e bënë atë që të spikaste në fushën e aktrimit ku gjatë karrierës së tij do të vlerësohej disa herë si aktori më i mirë i festivaleve të ndryshme, si në teatër ashtu edhe në kinema.

Në teatër aktori numëron mbi 50 personazhe të interpretuara, kurse në kinema rreth 20 role.

Disa nga më të suksesshmit janë në produksionet: “Montatorja”, 1970, “Mëngjese lufte”, 1971, “Rrugë të bardha” 1974, “Udhëtim në pranverë” 1975, “Pylli i lirisë” dhe “Përballimi” më 1976, “Shoku ynë Tili” 1981, “Rrethimi i vogël” 1986, “Botë e padukshme” 1989.

Në fillim të viteve ’90 aktori emigroi në Argjentinë, vend ku do të vazhdonte të ushtronte profesionin e aktorit dhe të merrte pjesë në festivale ndërkombëtare. Në Buenos Aires të Argjentinës ai do të jetonte deri më 30 qershor 2013, kohë ku edhe u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje./ KultPlus.com

Diar Xani merr pjesë në Festivalin e Teatrit në Nju Jork me monodramën “42nd Street”

Monodrama “42nd Street” nga Diar Xani përzgjidhet mes shumë pjesëve konkurruese në festivalin e njohur të teatrit në Nju Jork, përcjell KultPlus.

Në këtë festival konkurron autori, regjisori dhe aktori Diar Xani i cili merr pjesë i vetëm me shfaqjen “42nd Street”. 

Festivali me famë u ofron artistëve e trupave të ndryshme që të konkurrojnë për çmime të ndryshme.

Shfaqja “42nd Street” do të shfaqet tre herë në skenën e Teatrit. 

Monodrama është titulluar “42nd Street”, sipas rrugës së famshme të 42-të, në Manhattan, që shquhet për ndriçimin e reklamave që projektojnë luks dhe mirëqënie, ku vërshojnë turistë, por edhe një rrugë që ka tërhequr historikisht, të pastrehë dhe krimin ordiner. Kjo është rruga nga nis sheshi i famshëm Times Square i festave tradicionale të ndërrimit të viteve si dhe i stacioneve të mëdhenj të autobusëve dhe trenave të MetroNorthit.

Ky koncept është pëlqyer nga juria përzgjedhëse e Festivalit të Nju Jorkut që e ka pranuar monodramën “42nd Street” si një nga konkurrueset e reja. 

Shfaqja do mbahet më 26 shkurt në Hudson Guild Theater në Nju Jork nga ora 16:00.

Reprizat mund t’i ndiqni edhe të premten më 28 shkurt nga ora 18:30 si dhe ditën e dielë më 2 mars nga ora 13:00./ KultPlus.com

Kur u zbuluan mbetjet e Pompeit?

Qyteti i lashtë romak i Pompeit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1997, u ”varros” nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit dhe në fillim të shekullit III perandori Alexander Severus (i cili mbretëroi midis viteve 222 dhe 235) u përpoq ta kthente atë në dritë, por projekti u braktis për shkak të shtresës së trashë të hirit dhe lapilit, shkruan focus.it.

Shumë shekuj më vonë, midis viteve 1594 dhe 1600, gjatë ndërtimit të një kanali uji, disa punëtorë gjetën mbetje ndërtesash, mbishkrime dhe monedha të epokës romake. \

Megjithatë, askush nuk i lidhi këto gjetje me ngjarjet e Pompeit.

Gërmimet aktuale filluan në 1748 me urdhër të Charles of Bourbon (mbret i Napolit nga 1734 deri në 1759).

Megjithatë, këto hetime fillestare ishin joshkencore.

Metoda e hetimit e përdorur vazhdoi me gërmimin e tuneleve të gjata nëntokësore (të ashtuquajturat “tunelet e Burbonit”). Një mënyrë e veprimit e diktuar nga vullneti i sovranit: të rikuperohen gjetjet dhe veprat e artit për t’u grumbulluar në Muzeun e Vilës Mbretërore të Portici.

Më pas, në shekullin XIX, Carolina Bonaparte, motra e Napoleonit dhe gruaja e Gioacchino Muratit (të cilit iu besua udhëheqja e Mbretërisë së Napolit në 1808) dhe një dashamirëse e madhe e arkeologjisë, përshpejtoi punën e gërmimit dhe u bënë të mundura zbulime të rëndësishme.

Carolina Bonaparte ishte e pasionuar pas arkeologjisë dhe i mori me shumë seriozitet gërmimet.

Ajo shtoi numrin e punëtorëve dhe gërmuesve dhe i nxiti me shpërblime të vazhdueshme financiare, ndërkohë që menaxheri i ri, antikuaristi Michele Arditi, zëvendësoi teknikën e vrimave të rastësishme në kërkim të gjërave të rralla, me një plan gërmimi racional që ndiqte rrugët, shtëpi më shtëpi./ KultPlus.com

Skiatorja Lara Colturi shkëlqen në garat në Itali

Skiatorja Lara Colturi ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në garat që po zhvillohen në Itali.

Në Sestriere të Italisë, në Sllallomin Gjigand, skiatorja që garon për Shqipërinë ka realizuar kohën e 6-të më të mirë të ditës.

Lara Colturi e ndali kronometrin në kohën 1:04:14, ndërkohë që edhe kjo garë është dominuar nga italiania Brignione që konsolidon vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm.

Të dielën do të zhvillohet Sllallomi Special dhe Lara Colturi synon pozicionimin mes 10 më të mirave të botës./ KultPlus.com

‘Ariu i Artë’ shkon për filmin ‘Dreams: Sex love’ nga Dag Johan Haugerud në Festivalin e Filmit të Berlinit

Filmi i fundit i kineastit norvegjez Dag Johan Haugerud (Dreams: Sex Love) ka fituar “Ariun e Artë” në Festivalin e Filmit të Berlinit të këtij viti.

Filmi është i bazuar në një trilogji nga Haugerud. Filmat e tjerë në trologji janë të dy të publikuar në vitin 2024.

Fitues të tjerë të dalluar përfshinin Andrew Scott dhe Rose Byrne, të cilët morën nderime në aktrim gjatë ceremonisë së mbylljes. Scott fitoi “Performancën më të Mirë Mbështetëse” për rolin e tij në titullin e konkurrencës së Richard Linklater, “Blue Moon”, ndërsa Byrne fitoi “Performancën më të Mirë Kryesuese” për “If I Had Legs I’d Kick You.”

Regjisori kinez Huo Meng fitoi regjisorin më të mirë për “Living The Land” dhe regjisori rumun Radu Jude fitoi skenarin më të mirë për “Kontinental ’25.”

Festivali i këtij viti ishte i pari në krye të Tricia Tuttle. Ngjarjet filluan më 13 shkurt me shfaqjen e filmit më të fundit të Tom Tykwer, “The Light”. Ceremonia e hapjes pati gjithashtu një fjalim të zjarrtë dhe politik nga fituesja e nderit të Ariut të Artë, Tilda Swinton.

Më herët gjatë ditës së sotme, festivali shpalli fituesit në konkursin e panelit anësor Panorama. “Sorda” nga Eva Libertad u zgjodh filmi më i mirë artistik ndërsa “The Möllner Letters” nga Martina Priessner fitoi dokumentarin më të mirë. “Sorda” është shkruar dhe drejtuar nga Eva Libertad, një vazhdim i filmit të saj të shkurtër të nominuar për çmimin Goya 2023 me të njëjtin emër, ku luajti motra e saj, Miriam Garlo.

Filmat që luhen në konkursin kryesor këtë vit në Berlin përfshinin filmin më të fundit artistik të Richard Linklater, “Blue Moon”, me aktorë Ethan Hawke, Margaret Qualley, Bobby Cannavale dhe Andrew Scott. Titulli i fundit i kineastit meksikan Michel Franco, “Dreams”, me Jessica Chastain, debutoi gjithashtu së bashku me Radu Jude “Kontinental ’25” dhe “Hot Milk” të Rebecca Lenkiewicz me Emma Mackey, Fiona Shaw dhe Vicky Krieps.

Programi special i Berlinit paraqiti gjithashtu premierat ndërkombëtare të “A Complete Unknown” dhe filmin më të fundit të Bong Joon-ho, “Mickey 17.”

Shikoni listën e plotë të fituesve të kësaj mbrëmjeje më poshtë:

Çmimet e Jurisë Ndërkombëtare

Ariu i Artë – Ëndrra (dashuri seksuale) nga Dag Johan Haugerud

Çmimi i Jurisë Ari i Argjendtë — Mesazhi nga Iván Fund

Çmimi i madh i jurisë Ariu i Argjendtë – Gjurma Blu (O último azul) nga Gabriel Mascaro

Performanca më e mirë kryesore – Rose Byrne, Nëse do të kisha këmbë, do të të shkelmoja

Performanca më e mirë mbështetëse – Andrew Scott, Blue Moon

Ariu i argjendtë për kontributin e jashtëzakonshëm artistik – Kulla e Akullit nga Lucile Hadžihalilović

Regjisori më i mirë – Living The Land nga Huo Meng

Ariu i Argjendtë për skenarin më të mirë – Kontinental ’25 nga Radu Jude

Çmimi GWFF për filmin më të mirë të parë

Çmimi i parë i filmit GFF – Djalli pi duhan (dhe i ruan ndeshjet e djegura në të njëjtën kuti nga Ernesto Martínez Bucio

Çmimi për Dokumentarin Berlinale

Holding Liat nga Brandon Kramer

Ariu i Artë Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër – Lloyd Wong, Papërfunduar nga Lesley Loksi Chan

Çmimi i jurisë Ariu i Argjendtë (Film i shkurtër) — Jeta e zakonshme (Futsu no seikatsu) nga Yoriko Mizushiri

Çmimi CUPRA Regjisori — Quenton Miller për Koki, Ciao/ KultPlus.com

KQZ’së i kanë mbetur 14 mijë e 306 pako me vota nga diaspora për t’i verifikuar, javën tjetër nis numërimi

Derisa numërimi i votave për kandidatët që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit për deputetë të Kuvendit të Kosovës, të premten mbrëma përfundoi në tërësi, në 38 Qendra Komunale të Numërimit, një tjetër proces po shkon drejt fundit. Fjala është për vlerësimin e pakove me fletëvotime nga jashtë.

“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 21 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140 ndërkaq janë refuzuar 3,269”, tha për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

I ka bërë të ditura edhe arsyet se përse janë refuzuar këto dërgesa.

“Ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë, kanë dërguar më shumë se një fletëvotim”, tha zëdhënësi, Elezi.

Siç ka bërë të ditur ai, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14 mijë e 306 pako me fletëvotime.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104 mijë e 924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84 mijë e 600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20 mijë e 324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

“Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, tha Elezi.

Njoftoi se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14 mijë e 306 pako me fletëvotime.

Ndërkohë, një tjetër proces që pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme është edhe ai i numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Janë gjithsejtë 12 mijë e 801 fletëvotime me kusht që do t’i nënshtrohen procesit të numërimit, derisa vota që u dhanë nga persona me nevoja të veçanta me 9 shkurt, janë 2 mijë e 597, numërim i cili do të behet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve./ KultPlus.com

Gjirokastra në pozicion të sigurt si destinacion turistik

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte sot në Gjirokastër ku vizitoi familjen e Asim Rondos, gjirokastritë me breza, fëmijët e të cilit, profesionistë të vyer pas përvojave në emigracion, po blejnë shtëpi të vjetër për ta kthyer në bujtinë.

Kumbaro u shpreh e sigurt që Selami, një nga djemtë e shtëpisë dhe mjeshtër i gurit dhe kalldrëmeve do ta kthejë bujtinën në një model të mikpritjes gjirokastrite.

“Nuk e fsheh dot gëzimin që projektet e mëdha të rijetëzimit dhe iniciativave si kjo e familjes Rondo, po i shtojnë dita-ditës kalldrëmeve të qytetit gjallërinë, identitetin, traditën, duke krijuar një zinxhir ekonomie dhe po i japin Gjirokastrës një pozicion të sigurt si destinacion turistik nga tregjet e rajonit deri tek ato të vendeve të largëta”, theksoi Kumbaro.

Gjirokastra me vlerat historike, ndërtimore, trashëgiminë kulturore, resurset e pasura si dhe mikpritjen e banorëve gjithmonë e më tepër është një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.

Ndërsa numri i turistëve vijon të rritet nga viti në vit, shtohet nevoja për akomodim çka ka nxitur ngritjen e bizneseve të reja./ KultPlus.com

Gonzato viziton ekspozitën “Udhētime të papritura të jetēs”: Ruajtja e kujtesës historike, thelbësore

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato zhvilloi një vizitë në ekspozitën e çelur tek Piramida “Udhëtime të papritura të jetës”.

Gonzato u shpreh se kjo ekspozitë është një kujtesë e fuqishme se përse ruajtja e kujtesës historike është thelbësore për një shoqëri demokratike dhe kohezive.

Vizita në ekspozitë, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, ishte një përvojë thellësisht prekëse.

Historitë e 40 burrave dhe grave – ish-të burgosur politikë – flasin për vuajtje të pamasë por edhe për qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. “Portretet dhe dëshmitë e tyre na kujtojnë se ndonëse nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne kemi për detyrë të mësojmë prej saj dhe të sigurojmë që padrejtësi të tilla të mos ndodhin më kurrë”, tregoi Gonzato përshtypjet nga ekspozita.

“Bashkimi Evropian qëndron fort pranë Shqipërisë në ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e demokracisë. Një shoqëri që përballet me të kaluarën e saj me ndershmëri dhe guxim është ajo që ndërton një të ardhme më të fortë dhe më të drejtë”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato./ KultPlus.com