Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë: Të mbrohet shqipja nga proceset asimiluese

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, njësi e përhershme e kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave, u shpreh sot se, 21 Shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, është me vlerë të shënuar edhe për gjuhën shqipe, përmes së cilës shprehet shpirti dhe kultura e popullit shqiptar, pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar.

Instituti citon akademikun e shquar Eqrem Çabej, i cili ka thënë se, “historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë”.

Në këtë ditë të gjuhës amtare, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë përkujtoi të gjithë ata që luftuan në shekuj për shqipen, e sidomos rilindësit e shquar që punuan e luftuan për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe e për ta shkruar atë me një alfabet të vetëm.

Instituti theksoi rolin e gjuhës amtare shqipe si mjet identifikimi dhe bashkimi, rol i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në rrugëtimin e shqiptarëve në shekullin XX.

Në postimin në rrjete sociale të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, vihet në dukje se, sot, shqipja gjendet përballë sfidave të shumta dhe të egra që rrjedhin nga proceset globalizuese botërore, ndaj, krahas përpunimit, zhvillimit e pasurimit të pandërprerë, mbrojtja e saj nga proceset asimiluese, duhet të jetë detyrë e përhershme e gjuhëtarëve./atsh/KultPlus.com

Çabej: Gjuha shqipe është e pasur, pastërtia e saj është tregues i nivelit të kulturës

Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm.

Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.

Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.

Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar  me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet dhe letërorëvet” të kohës së tij. Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”. Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye “kapitull”, lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës “ithtar, imitues”, i përbrendshëm, përndjek “persekutoj” (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem “popull, vegjëli”, pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive, me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës, rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej greqishtes), por sidomos në kohët moderne.

Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot  si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e  Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si ko­mpozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termet) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”. Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur dhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maks Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lavrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë. Pas çlirimit të vendit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terme), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues m., vendburim e të tjera.

Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti dhe gjuha popullore.

Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj u thotë hiesira; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë lashtërisht, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë rishmë; anët e Beratit e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon; Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për “vete mbarë” trevon, si në s’na trevon gjaja e gjallë.  Në të folët e Tiranës ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri, dhe hulli për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet ansujë për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël, që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta (arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna” përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht “shkoqit në hollësira (një çështje)”, në të folët e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë “i çaj i bëj të holla”. Kosova një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për “dorëzoju” thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret tjerrtore, e për “kaldajë” ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për “shpina e dorës” thonë përmidora, e për “krijoj”, me një fjalë vendi lentoj (nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për “krijim”. Në Greqi për “gardh” thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për “të dhënë e të marrë, marrëdhënie” thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për “litografi”. Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.

Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim, acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim, celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb., influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim, inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim, koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë, kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me këtë formë s’e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz, xhiroj xhirim etj.

Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë që në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim (frgj. emprunt) e ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cënohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do pasur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane as gjysmëromane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise dhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “duhet njeriu më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.

Në këtë veprimtari ndërkaq duan pasur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, pan metron ariston kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.

Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është term ndërkombëtar? Mendojmë se term ndërkombëtar nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. Term ndërkombëtar mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se acid nuk është term ndërkombëtar, po kimi është term ndërkombëtar; levë, presion nuk janë terme ndërkombëtare, porse fizikë po; insekt është term ndërkombëtar, po insekticid nuk është. Ashtu qëndron puna dhe me botanikë përkundrejt leguminozeve labiate-ve, me zoologji përkundrejt reptilë-ve etj. Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që pa dëm kuptimor janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.

Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit. Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folë e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës, punë në të cilën vjen e integrohet.

Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake, kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit. Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.

Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve. Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.

Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.

Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj. /KultPlus.com

Shënim: Marrë nga dorëshkrimi i autorit. Botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979-4 prill 1979

Gjuha Shqipe

Poezi nga Ismail Kadare

Kur në sulm hodhën turqit 
Hordhitë e pambaruara, 
Kështjellat e sintaksës 
S’i muar, që s’i muar.

Kur panë se gjuhës 
S’i hodhën dot prangat 
Lëshuan drejt saj 
Gjithfarë merimangash. 

Parashtesa e pjesëza 
E lidhëza së prapthi, 
Të bukurën gjuhë 
Ta bënin leshharpi. 

Të të bënin ty, donin, 
Shqipëri, memece. 
Po ja, erdhi Naimi, 
Si yll mbi ty ecte. 

Dorën e zbehtë 
Mbi ballë ta vuri 
Të të hiqte zjarrllëkun 
Prej të sëmuri. 

Dhe vdisnin pjesëzat /KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, Begaj mesazh për ruajtjen e gjuhës shqipe nga shqiptarët e diasporës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përcolli sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, mesazhin e ruajtjes së gjuhës shqipe nga shqiptarët e diasporës.

Nismës së Kreut të Shtetit iu përgjigjën përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të cilët ruajnë gjuhën amtare ndër breza, duke respektuar njëherazi diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë.

Një grup fëmijësh të shqiptarëve në diasporë përcollën përmes interpretimit të tyre vargjet e poezisë: “Gjuhës Shqipe” të Mitrush Kutelit, një nga veprimtarët shqiptarë që, veç ndihmesës për ekonominë e vendit, përmbledhjes së rrëfenjave folklorike dhe lëvrimit të gjuhës përmes përkthimeve në shqip, iu përkushtua edhe botimeve dhe shpërndarjes së librit shqip për mërgimtarët.

Presidenti i Republikës e ka në vëmendjen e tij ruajtjen e gjuhës amtare dhe përcjelljen e saj te fëmijët nga familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit, duke inkurajuar, gjithashtu, hapjen e sa më shumë shkollave shqipe në komunitetet shqiptare nëpër botë përmes nismave vullnetare dhe institucionale.

Një përpjekje të tillë Kreu i Shtetit e cilëson jetike për ruajtjen e gjuhës shqipe si një nga elementet themelore të identitetit tonë kombëtar.

“Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar, që duhet të na bashkojë në përpjekjen për ta ruajtur,trashëguar dhe pasuruar atë”, shkroi Kreu i Shtetit.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare këtë vit kremtohet në të gjithë botën si Jubile i Argjendtë, pasi mbushen 25 vite nga celebrimi i saj dhe në fokus janë përpjekjet për promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimin e edukimit shumëgjuhësor./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta Ferid Abazi, një ndër kitaristët më të njohur të viteve të 80-ta

Ka vdekur Ferid Abazi, një ndër kitaristët më të njohur të viteve të 80-ta, i cili me punën dhe përkushtimin e tij ka lënë gjurmë në skenën e rokut. Ai poashtu ka lënë gjurmë edhe si piktor, ku puna e tij është vlerësuar lart nga njohësit e artit dhe kulturës.

Për vdekjen e tij edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dje Sporte, Hajrulla Çeku ka dërguar telegram ngushëllimi, të cilin e sjellim të plotë.

Telegram ngushëllimi

E nderuara familje Abazi,

Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, artistit, Ferid Abazi.

Si një nga kitaristët më të njohur të viteve ‘80 dhe pjesë e gjeneratës së artë të rock skenës kosovare, Abazi i dha shumë artit muzikor të vendit tonë dhe la gjurmë në kulturën tonë muzikore. Ndërsa kontributi i tij në art nuk u kufizua vetëm në muzikë, por edhe në pikturë dhe dizajn.

Veprimtaria e tij do të kujtohet përherë.

Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Me respekt,

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/ KultPlus.com

Albulen Neziri me ekspozitë personale në Napoli të Italisë

Sonte do të bëhet hapja solemne e ekspozitës personale të Albulen Nezirit, i cili me ekspozitën “Ritmi i Energjisë” do të prezantohet në hapësirën e Cam Museum në Napoli të Italisë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë me kuratore Alma Idrizit ka përfshirë gjashtë vepra të autorit të cilat janë punuar me akril në pëlhurë, kurse rreth ekspozitës kritikja e artit Graziella Melania Geraci ka veçuar se energjia shpërthyese, motori i mendimit dhe veprimeve universale, na shfaqet përmes shenjës mistike të artit, të ngarkuar me vlera dhe kuptime, në një manifestim të vazhdueshme të forcës centripetale dhe centrifugale.

“Ndjesia komunikuese e veprës, midis dëshirës hedoniste dhe ofertës ndaj shikuesit potencial, merr forma dhe rrugë të ndryshme, bëhet ëndërr ose realitet virtual, metaforë introspektive dhe imazh i pastër dukjeje”, thuhet mes të tjerash në kritikën e Graziella Melania Geraci.

Kurse për pikturën e artistit Albulen Nezirit ajo potencon se shtrohet në këtë kontekst poetik dhe shprehet në një gjuhë shumëformëshe, përmes një përpunimi ritmik, duke manifestuar një ndjenjë të thellë të dimensionit krijues në zhvillim.

“Duket sikur është një qenie e gjallë ajo që depërton në kanavecat me përmasa të mëdha, në hapësirën e mbushur me energji pulsuese ku ndiqen elemente narrative të huajshme, të perceptueshme si lojëra abstrakte vizuale”, thuhet mes të tjerash e cila krejt punën e Albulenit e vlerëson si një tronditje që shpërfaqin vijat që përhapen në të gjitha drejtimet e krijuara nga artisti.

Ceremonia hapëse e ekspozitës do të bëhet sonte prej orës 21:00, kurse veprat e Albulenit do të vijnë në dimensione 300X200cm./ KultPlus.com  

Berat, përmirësim i sinjalistikës turistike në monumentet e kulturës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat në vijim të punës së përditshme për mirëmbajtjen dhe promovimin e monumenteve është duke përmirësuar sinjalistikën turistike.

Konkretisht janë duke u zëvendësuar tabelat e dëmtuara informuese dhe shpjeguese në monumentet e kulturës.

Në një postim në rrjetet sociale Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ndau momente nga vendosja e tabelave të reja që janë në shqip dhe anglisht.

Sipas DRTK-së këto tabela i vijnë në ndihmë turistit për t’u informuar mbi vlerat kulturore, historike dhe arkitektonike të monumenteve të qytetit.

DRTK i bën apel qytetarëve të jenë më bashkëpunues në mirëmbajtjen e tyre duke mos i dëmtuar ato, për një imazh dhe shërbim më të mire në sezonin e ri turistik.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./ KultPlus.com

Drita Hajdari nderohet me medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës nga ambasada franceze

Mbrëmë, ambasadori i Francës, Olivier Guérot, i dorëzoi medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës, Drita Hajdarit, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.

Kjo mirënjohje nga Franca shpërblen veprimtarinë e shquar të Hajdarit të realizuar falë angazhimit të saj profesional.

Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hajdari është shquar me guximin, integritetin dhe vendosmërinë e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Guximi dhe profesionalizmi është dëshmuar në veçanti ne shumë lëndë të ndjeshme, duke e bërë atë një figurë të respektuar në Kosovë dhe më gjerë. Puna e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës kontribuoi dukshëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend.

Pas një karriere të pasur dhe të përkushtuar, Hajdari doli në pension në vitin 2023, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë. Ndikimi i saj vazhdon të frymëzojë gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe juristëve të përkushtuar për mbrojtjen e vlerave demokratike, të cilat i ndajnë Franca dhe Kosova.

Ceremonia u mbajt në Rezidencën e Francës, në prani të familjes, miqve dhe kolegëve të saj, si dhe autoriteteve vendore e ndërkombëtare./ KultPlus.com

Kisha e “Shën Marisë” në Elbasan, qendër arsimore për gjuhën shqipe

Kisha e Shën Marisë në Kalanë e Elbasanit është Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1963.

E ndërtuar rreth vitit 1830 nga komuniteti kristian, mbi themelet e një kishe më të vjetër që daton rreth shekullit XVII, Kisha e Shën Marisë zëvendësoi katedralen e stilit roman, që mendohet të ketë ekzistuar më herët. Ky objekt kulti i tipit me sallë qendrore, i mbuluar me kupolë mbi tambur, shquhet për vlerat e saj etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajon.

Burime historike dëshmojnë se në vitet 1656-1661 kisha e Shën Marisë funksiononte rregullisht me vakëfe e të ardhura. Në kodikun e kishës ka të dhëna për dhuratat e qytetarëve, regjistrime të llogarive, të të ardhurave, shpenzimeve, pasurive të patundshme.

Ikonostasi, i ndërtuar tërësisht prej drurit të bushit, u realizua me mjeshtëri nga 40 mjeshtra dibranë përgjatë një dekade. Në të pasqyrohen elementë të besimit kristian, si hardhia e rrushit, kafshë, shpendë dhe lule. Sot ruhen vetëm dy ikona origjinale, ndërsa ikonostasi mbetet një dëshmi e rrallë e artit të gdhendjes në dru.

Kisha e Shën Marisë renditet krah kishave të tjera ortodokse të trevës së Elbasanit që janë monumente kulture si kisha e Amelit, ajo e Shën Kollit në Shelcan, e Shën Kollit në Valësh, kisha e Shën Kozmait dhe Damianit në Sterstan, ajo e Shën Mëhillit në Shalës, kisha e Shën Mërisë në Dragat, e Shën Thanasit në Elbasan etj.

Shën Maria e “Kalasë” së Elbasanit është një dëshmi e thellë e pranisë së kulturës ortodokse në këtë zonë dhe ka shërbyer si qendër arsimore, duke kontribuar në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe kulturës së saj./ KultPlus.com

111 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Andrea Varfi

Andrea Varfi ka qenë publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Ka lindur në Qeparo, ishte mësues fshati. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj ndoqi Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Makro, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj.

Në vitin 1947 burgoset dy vjet me Petro Markon, Jusuf Vrionin, Lazër Radin dhe Mitrush Kutelin. Varfi bën një raport për gjuhëtarin Eqrem Cabej, me nofëkn “Dhelpëri”.

Krijimtaria e tij nis në vitet ’30 me Nonda Bulkan, Dhimitër Shuteriqin, Migjenin. Poezitë dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodh në dy vëllime letrare, në vitin 1989.

Andrea Varfi përktheu përmbledhjen e vetme poetike të Pashko Vasës “Rose e spine” me titull “Trëndafila dhe gjemba”. / KultPlus.com

Mimika Luca, aktorja shumëdimensionale e teatrit dhe kinematografisë

E lindur në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937, Mimika interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë nga viti 1951 – 1962, ku edhe spikati për talentin dhe për aftësitë e saj fizike.

Pas njohjes me bashkëshortin Ndrek Luca, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik ku dhe pati sukses në interpretimet e saj, me mbi 30 role në Teatrin Popullor.

Me hijeshinë që e karakterizonte, Mimika Luca ka interpretuar në shumë filma artistikë e teatër si: “Treni niset më shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Rrethimi i vogël”, “Taulanti kërkon një motër”, “Në shtëpinë tonë”, “Shi në plazh”, etj.

Në vitin 1977 ajo u emërua pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega e Dramës./ KultPlus.com

Si Ajo – Doruntina përfundimisht e solli Doruntinën

Vlora Konushevci

N’Kosovë, artistat zakonisht dalin n’lajme për dy arsye: ose i hynë politikës, ose përfundojnë n’burg a gjyqe, ndër tjera, pse s’i paguejnë taksat. Diku midis pop-it e populizmit, midis artit e autopromovimit, midis talentit e tatimeve, gjindet artisti modern, ose tue shit diçka, ose tue iu shit dikujt. Showbiz hesapi.

Vitet e fundit edhe politika asht ba nji formë tjetër e showbizit. Prandaj kemi këngëtar dhe aktor kandidat për deputet, nji ish-yll i Big Brother-it synon t’bahet ministër, dhe nji influencer me miliona ndjekës që pretendon se ka më shumë legjitimitet sesa nji akademik. Kemi gjithçka, përveç meritokracisë. N’showbiz, fama asht kapital, po n’politikë, kriza asht valutë. E lajmet e kqija, gjithmonë blejnë shikime.

Në këtë realitet të përmbysun, artisti e trajton veten si produkt, e politikani si brand. Kufijtë mes tyne janë shlye – aq sa s’dihet ma kush po këndon me t’argëtu, e kush po reciton me t’sundu.

E n’mes të kësaj katrahure, ku mjafton me postu nji selfie para flamurit për me u ba hero, vjen nji artiste që ban diçka krejt ndryshe. Jo për Instagram, as për reklamë por për diçka që realisht ka ndikim.

Doruntina – Tayna – artistja ma e kërkume e momentit, në kulm të karrierës së saj, nuk zgjodhi rrugën e parashikueshme për këtë industri që ushqehet me spektakël e harresë. Nuk e kapitalizoi famën për ndonji fushatë politike, nuk u kthye n’makinë propagande, nuk e përdori bamirësinë për shitje albumesh.

Bani diçka që s’ka ba kush deri tash. Ia dhuroi Universitetit të Prishtinës 25.000 euro. Dhe nuk u ndal me kaq. Krijoi fondacionin “Tayna”, i cili ka për qëllim fuqizimit e të rinjve dhe komunitetit përmes edukimit, sportit, artit dhe zhvillimit.

Po çka ke ba moj çikë kështu?! Që kishin me thanë shqipet tona matanë Drinit, e ke ngrit shumë stekën, na ke marrë n’qafë.

Ne jemi shoqni ku filantropia asht ende koncept i huej dhe bamirësia ndodh veç për me dalë n’sipërfaqe. Këtu fjala ‘donacion’ zakonisht lidhet me ndonji tender t’dyshimtë ose biznes që ka nevojë me pastru imazhin. Kjo asht hera e parë që nji figurë publike i dhuron Universitetin të Prishtinës donacion siç deklaroi edhe vet Prorektori Hajdari. Dhe për këtë nismë duhet folë. Ky akt që, për nji vend të vogël si ky i joni, asht gja e madhe. Sepse nji artist në maje t’suksesit zakonisht nuk ka ma kohë për ata që janë poshtë. Por Tayna e dëshmoi të kundërtën, në vend që me shijue pamjen prej naltësisë ajo vendosi me i ndërtue shkallët për ata që janë poshtë.

“Ju studenta jeni ura mes asaj çka asht bota dhe çka mundet me u ba”, tha ajo në fjalimin e saj para studentave, krejt e natyrshme, pa fletë përpara, pa teleprompter, pa zhurmë. Derisa kanga e saj “Si ai” ende luhet në klube të natës gjithandej globit, ajo vendosi mu ba “Si Ajo”, rrugë që rrallëkush e zgjedh kur hypë nalt. Na kurseu prej klisheve, prej sensacioneve, prej fushatave marketingu, thjesht e bani.

Kështu, Doruntina përfundimisht e solli Doruntinën! Jo me kalin legjendar. As me fantazma a me mashtrime elektorale. Me punë, me punë, me punë… Tash për tash, mundet me qenë rast i izolum. Po ndoshta, ndoshta, veç ndoshta asht nji fillim që na ka mungu. Dhe çfarë fillimi…!/ KultPlus.com

123 vjet nga vrasja e atdhetarit Haxhi Zeka

Një prej figurave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX, kishte qenë Haxhi Zeka. Një luftëtar dhe atdhetar i pranuar nga të gjithë patriotët e kohës, por që kishte përkrahjen e popullatës shqiptare, emri i të cilit ishte bërë i njohur sidomos kur kishte formuar Lidhjen “Besa-Besë” të Pejës, që ishte mbajtur në vitin 1889.

Haxhi Zeka ishte vrarë më 21 shkurt 1902, derisa po shkonte nga ndërtesa qeveritare në Pejë në drejtim të Urës së Gurit, ishte qëlluar për vdekje nga Adem Zajmi, i cili i kishte zënë pritë me disa persona tjerë.

Ka pasur disa variante të shkrimeve që flasin për qëllimin e vrasjes së Haxhi Zekës. Disa kronika të kohës kishin shkruar se Adem Mehmet Zajmi e kishte vrarë me kërkesë nga Beogradi dhe Stambolli, kurse disa tjerë Zajmin e paraqesin si një bandit, por që kishte pasur pozitë në ushtrinë turke të kohës. / KultPlus.com

Gjuha Shqype

Poezi nga Gjergj Fishta


Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ishte iniciativë e Bangladeshit.

Sipas të dhënave të OKB, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale.

Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën dixhitale.

Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.

Sot po rritet vetëdija se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillim, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Detajet e fundit nga KQZ: Verifikohen 70% të pakove me fletëvotime nga votimi me postë i diasporës

Rreth 70% e pakove të supozuara me fletëvotime që mërgimtarët i dërguan në kutitë postare që KQZ i kishte hapur në 22 shtete të ndryshme, përfshirë dhe kutinë postare në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Gazeta Express se sipas të dhënave nga rreth 70 mijë pako që ishin dërguar nga mërgata vetëm në votimin përmes postës, deri më 20 shkurt ky institucion ka vlerësuar 48,018, derisa kanë mbetur edhe 20,938 të tjera.


“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.”, tha Elezi.

Më tej, Elezi ka shpjeguar se “sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara”.

Nga votimi jashtë Kosovës, këto nuk do të jenë votat e vetme që do të numërohen dhe përfshihen në rezultatet përfundimtare. Pjesë e këtyre rezultateve do të bëhen edhe votat nga votimi në përfaqësi diplomatike. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 20 mijë e 324 votues që ishin të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi, në këtë proces zgjedhor kanë votuar 75.54% apo 15,352 votues.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, pjesa më e madhe e tyre, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe vetëm 20,324 ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Gjithashtu, KQZ nuk ka numëruar ende votat nga votimi në vendvotime me kusht (56), votat e personave me nevoja të veçanta.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota./ KultPlus.com

17 vite pa legjendën e boksit të Kosovës, Lah Nimani

Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.

Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).

Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.

Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.

Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.

Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com

82 vjet nga lindja e etnomuzikologut Haxhi Dalipi

Kontributi i etnomuzikologut, Haxhi Dalipit në sferën muzikore është tejet i madh, aq sa ai mori titullin “Artist i Merituar”.

Ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.

Në shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Deri një vit më parë, Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në krye të këtij institucioni i cili e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm, Dalipi u mundua të rikthente publikun, të organizonte koncerte dhe të ringjallte edhe njëherë korifenjtë e muzikës dhe valles shqiptare.

Të munguara për vite me radhë, ai i ktheu ansamblit turnetë nëpër rrethe dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Ai u dorëhoq nga drejtimi i Ansamblit, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendosi ta kalonte atë sërish nën varësinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ai vdiq në vitin 2006./ KultPlus.com

Letrat e dashurisë që Dritëroi i niste Sadijes në vitet ’60

“Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh”. Deri në fund të jetës, Dritëro Agolli e deshi Sadijen, jo sa vetja. Ai thotë, edhe më shumë. Do të mjaftonin vetëm disa letra, shkëputur nga një letërkëmbim i gjatë, për të kuptuar, ndoshta jo gjithçka, por diçka nga ajo ndjenjë e thellë që i lidhte. Ai, tashmë poet e shkrimtar i konsoliduar, “në moshën e Krishtit”, siç thotë ai, ndërsa ajo, një vajzë, që sapo kishte mbaruar shkollën e punonte si mësuese letërsie në Shkodër.

Ai në Tiranë, ndërsa ajo në Shkodër. Një distancë e gjatë asokohe, kur mjetet e transportit ishin të kufizuara, ndërsa ato të komunikimit përmblidheshin në ndonjë telefon të rrallë, letra e telegrame, shkruan Panorama. Sot, në botën e teknologjisë, së skype-it, whatsapp-it, facebook-ut, ato letrat e zverdhura nga koha dhe të shkruara me dorë, janë edhe më të vyera dhe të papërsëritshme. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të letrave. Në ditën e 75-vjetorit të Sadijes dhe në prag të ditëlindjes së Dritëroit, po botojmë disa letra që dy të dashuruarit i dërgonin njëritjetrit në vitet ’60. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat, kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. “Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët!”, shkruan në një prej letrave dërguar Sadijes, Dritëroi. Ai është më pasionant, ndërsa ajo më e përmbajtur dhe më koncize në letrat e saj. Ndjenjat dhe mallin për Dritëronë i shpreh në pak rreshta, ndërsa ai duket se nuk lodhet duke i shkruar se sa e do dhe sa ia ndien mungesën kur janë larg. Veç dy stileve të ndryshme të të shkruarit, por edhe dy karaktereve të ndryshme, nëpër letra zbulojmë edhe dy të folme. Ai me të folurën e Devollit, ndërsa ajo të Shkodrës. “Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty”, i shkruan Sadija. Letërkëmbimi, si forcë zakoni, por edhe si një dëshmi dashurie, ka vijuar deri në vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, atëherë kur mendonte se fluturimet e pulëbardhave mbi liqenin e Pogradecit do të ishin të fundit që do të shihnin së bashku

Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme. Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh. Letra është një shprehje e çastit.

Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale. Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm. Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty. Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës?

Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë. Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë. Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!” Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot. E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën. Të puth, Dritëro 19.8.1964 *Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.

*** E dashur Sadije, Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.

Dritëro

*** E dashur Sadije, U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim. Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty. Po mirë që mbaruam shpejt. Unë ty të dua gjithënjë e më shumë. Mos kij për këtë asnjë dyshim. Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun. Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë. Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri. Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty. Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë. Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë. Eja papritur ndonjëherë. Të puth shumë Dritëro 7.1.1965

*** I dashtun, në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura. Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma. Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty. Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë. Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet. S’kisha pse të bahesha xheloze. Po shkoj të fle se ora shkoi vonë. Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna. Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun 8.II.1965

*** Gjëra të padukshme Kam lënë tek ti mishin, kockat, flokët qime për qime. Dhe po ta hapësh shpirtin e gjen dhe zemrën time Ku fshihet një koleksion që as ti s’e kupton… Në verë do të shkojmë në një hotel buzë liqenit. Atje do të ndjekim me sy pulëbardhat që shpërndahen e bashkohen mbi cipën e kaltërt, duke formuar një lule të bardhë të madhe, që zhduket e shfaqet, që shpërbëhet dhe bëhet përsëri mes thirrjesh të sinqerta gëzimi. Ne, dy pleqtë të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë. Pak kohë na ka mbetur ta soditim këtë mrekulli! A mbase do të jetë hera e fundit… Verë 2014, Tushemisht, Pogradec

*** E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia. 13 maj 2014. /KultPlus.com

Si s’të desha pak më shumë

Fatos Arapi

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”. /KultPlus.com

7 letrat e dashurisë më të bukura të të gjitha kohërave

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

Lasgush Poradeci: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën

Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.

Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:

Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com

Mes vajtje-ardhjesh

Octavio Paz

Përktheu: Elvi Sidheri

Mes vajtje-ardhjesh dita mëdyshet,
e dashuruar me tejdukshmërinë e vet.

Mbrëmja rrotullake shndërrohet në gjire detare:
ndër baticat dhe zbaticat e saj të paqta bota luhatet.

Gjithçka është krejt e dukshme, gjithçka sidoqoftë tejet bishtnuese,
gjithçka kaq afër, gjithçka e pakapshme.

Letrat, libri, gota, lapsi
shullehen nën hijen e emrave të tyre.

Ta fshikullosh kohën, që në faqen time përsërit me ngulm
të njëjtën rrokje kokëfortë përgjakje.

Teksa drita e përvijon murin shpërfillës
në një teatër të shajnitur shëmbëlltyrash.

E pikas papritmas veten në zemrën e një syri;
ndonëse ai nuk më shikon, sepse e shikoj unë veten të
ravijëzuar në atë vështrim.

Çasti ndërkaq tretet. Pa u çapitur fare
nuk i resht unë ecejaket: jam një prehje mirëfilli./ KultPlus.com

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës

Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.

“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.

Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.

Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…

Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!

Paqe, dashuri, ndjeshmëri. Kurt Cobain!

Frances dhe Courtney, unë do ju mbroj nga lart!.

Të lutem Courtney, ji e fortë, për Frances.

Do të jeni më të lumtura pa mua.

Ju dua! Ju dua!”./ KultPlus.com