Prej disa vitesh, në Antigone po zhvillohen gërmime arkeologjike nga ekspedita italo-shqiptare, që synojnë zbulimin e teatrit antik. Studimet tregojnë se ky teatër mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, duke e kthyer atë në një tjetër atraksion me rëndësi të madhe historike dhe turistike.
E ndërtuar në shekujt III-II para erës sonë nga Piro i Epirit, qyteti antik ende i pazbuluar, mban emrin e gruas së tij, Antigonës, dhe mbetet një dëshmi e lashtësisë ilire. Në periudhën e mesjetës qyteti vazhdoi të zhvillohej dhe të ndërtohej dhe pas periudhës së rënies së tij, ai u la në harresë për mijëra vjet.
Në Parkun Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër vijojnë ekspeditat për zbulimin e teatrit antik. Drejtori i këtij parku, Shkëlqim Guçe bën me dije se teatri në Antigone mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, ndaj zbulimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar historike, por edhe turistike./balkanweb/ KultPlus.com
Theater Vortex dhe Festivali i Teatrove Ferizaj do të organizojnë një punëtori njëjavore dhe një performancë teatrore me temën: “Hijet e kohës: Arti Bashkon – Të shkrirë në kaosin e rrugëve dhe këndet e fshehura të qytetit.”
Thirrja është e hapur deri me 20 shkurt 2025.
Punëtoria do të zhvillohet nga 15-22 mars në Shkup, me pjesëmarrjen e artistëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Performanca do të ketë elemente të forta të bazuara në vallëzim, prandaj rekomandohet që pjesëmarrësit të kenë përvojë të mëparshme me teatrin fizik.
“Turi i folklorit” është oferta më e re turistike që synon të nxisë dhe t’i japë një hov më shumë agroturizmit dhe do të prezantohet në panairin “ITB Berlin 2025”.
Programi gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm rural, ndau në rrjete sociale detaje mbi ofertën turistike “Turi i folklorit”, që fillimisht do të përshkojë Korçën, Kolonjën, Përmetin, Këlcyrën, Gjirokastrën dhe Tepelenën.
“Turi i folklorit” fton vizitorët dhe turistët të nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes trashëgimisë së pasur të Shqipërisë së Jugut, një përzierje harmonike e mrekullive gastronomike, valleve, këngëve, traditave dhe lidhjeve të vërteta me komunitetin lokal.
Ndërsa kalon përmes Korçës, Kolonjës, Përmetit, Këlcyrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, çdo ditë dhe çdo destinacion zbulon kapituj të rinj të një folklori të pasur përmes tureve edukative, performancave folklorike dhe përvojave të vërteta me banorët lokalë.
Folklori shqiptar është i pasur, i larmishëm, me vlera të shquara ideore dhe artistike. Ai është një thesar i çmuar i trashëguar nga e kaluara, por që ngjall shumë interes dhe kureshtje për vizitorët e huaj.
“Turi i folklorit” është një vlerë e shtuar jo vetëm për turizmin në përgjithësi, por veçanërisht për agroturizimin, që po shënon një perspektivë të re zhvillimi në vendin tonë, falët ripërtëritjes së traditës dhe trashëgimisë kulturore autentike shqiptare./atsh/ KultPlus.com
Me legjimitetin e gjithkohshmërisë dhe kapërthimit të çdo limiti të mundësisë së njeriut për të sunduar botën, ai është quajtur “babai i fantashkencës”. Por, kohëpaskojet, tejpërçimi i dijes dhe ç’kodimi i mistereve dhe sekreteve nga njeriu, vërtetuan se ishte shumë më shumë se aq. Ai ishte një mëndje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Ai nuk vinte nga qielli, por gjithçka që endi me kaq pasion dhe mendjebegati, e ngriti famën e tij lart në qiell, në një shkrepëtimë shndritëse ylli. Është fjala për poetin, dramaturgun dhe romancierin e zhanrit fikshën shkencor, Jules Verne, (Zhyl Vern) (8 shkurt 1828 – 24 mars 1905). Ai ishte një ndër shkrimtarët i njohur dhe më të lexuar francez në botë.
Reputacioni i tij ishte dukshëm i ndryshëm në rajone anglishtfolëse, ku ai nuk ka qenë shumë i mirëpritur sepse është etiketuar si një shkrimtar i zhanrit fikshën ose shkrimtar për fëmijë. Megjithatë kjo nuk shterroi interesimin e gjithë shtresave dhe grupmoshave, gjë që shtyu botuesin e tij të ribotojë disa herë romanet e Jules Vern.
Grupmoshat që lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij janë pa dallim. Siç ka mrekulluar të rriturit, ka megjepsur fëmijët. Mendimtarët, shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit, i ka shokuar me faktet dhe përfytyrimet, saktësia e të cilave do të ishte befasuese me ballafaqimin e fakteve përmes sprovave dhe sfidave shkencore në periudhat e mëvonshme. Deri para disa kohësh ka qenë autori më i përkthyer dhe më i admiruar, por do të mbetet përgjithmonë një shembull i pashembullt i letërsisë fantashkencës. Vepra e Zhyl Vern që nga viti 1979, u rendit me të njëjtën pritshmëri dhe interesim me kolanën krijuese të Agatha Christie dhe William Shakespeare.
Shpikjet e përshkruara në shumë prej librave të tij më të famshëm tashmë janë bërë realitet dhe veprat e tij kanë frymëzuar breza të terë krijuesish e shpikesish.
Biografia Zhyl Verni lindi në qytetin e Nantes, në Francën Perendimore. Ai ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi studimet për drejtësi në Paris, por i ndërpreu ato për të filluar karrierën e si shkrimtar. Ai filloi të bashkëpunonte me botuesin Pierre-Jules Hetzel, i cili e ndihmoi Vernin të publikonte por edhe duke e këshilluar për këshilluar për fushën e letërsisë. Jeta e tij është e mbarsyer me aventura dhe befasi, të cilat ngjizën thellë realitete imagjinative dhe zgjuan ato botë, ato larmi fantastike përfytyrimesh, të cilat kanë mbetur përgjithmonë si vlerat më të vlefta të leximit.
Pas suksesit të librave të tij, Zhyl Verni fitoi popullaritet në gjithë botën duke u shndërruar nga emrat më të lakuar. Ai u tërhoq nga jeta publike dhe bleu një shtëpi në Amien, një qytet i qetë bregdetar. Këtu ai filloi të rregullonte marrëdhëniet me disa nga anëtaret e familjes me të cilët s`kishte marrëdhënie të mira (përfshire dhe djalin e tij) si dhe u frymëzua për disa nga kryeveprat e tij. Zhyl Vern vdiq në Amien më 24 mars 1905 dhe u varros në këtë qytet.
Vepra e tij është sa interesante aq dhe bujare. Zhyl Vern ka shkruar 58 romane, por midis veprave të tij më të njohura përmenden: Aventurat e tri anglezëve dhe tri rusëve në Afrikën Jugore, Gjarpëri i detit, “Pesë javë në balonë”, “Ishulli misterioz”, Rreth botës për 80 ditë, “20 milje nën det”, “Nga Toka në Hënë”, “Udhëtim në qendër të Tokës”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Fari në fund të botës”, “Sfinksi i akujve”, “Bijtë e kapitenit Grant”, “Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar”, “Dy vjet pushime”, “Aventurat e çuditshme të kapiten Antiferit”, “Mateo Sandorf”, “Mikel Strog”, “Piloti i anijeve të Danubit”, “Fshati ajror”, “Ndodhitë e një kinezi”, “Rrezja e gjelbert”, “Ylli jugor”, “Doktor Oksi”, “Kështjella në Karpate”, “Përplasja e anijes Xhonatan”, “Nje qytet lundrues”, “Vullkani i artë”, “Aventura e jashtëzakonshme e ekspeditës Barsak”, “Arkipelagu në flake”, “Mësymja e detit”, “Rrëmbimi i shpikësit”, “Dramë në Livoni”, “Udhëtaret e rinj”, “Shkolla e Robinsoneve”, “Dimërim në akull”, ” 2 vite me pushime “.
Kolana e tij krijuese pushtoi me mrekullimin përfytyrues gjithë botën dhe foli me gjuhët e gjithë rruzullit për të vijuar të mbetet në shkallën më të lartë të interesimit në gjininë e fantashkencës./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.
“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.
“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com
Mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup, Kori i Fëmijëve “Okarina” u prezantua me një koncert me rastin e shënimin të pavarësisë së Kosovës. Fëmijët para publikut sollën emocione të veçanta dhe krenari kombëtare përmes interpretimit të mrekullueshëm, transmeton Portalb.mk.
Koncerti u realizua nën drejtimin e Elikona Hysaj Shala, dirigjente e Korit të Fëmijëve “Okarina”, dhe shoqërimit në piano nga Melos Buza.
Elikona Hysaj Shala, udhëheqëse dhe dirigjente e Korit të Fëmijëve “Okarina” për Portalb.mk tha se mbrëmë ishte një natë me plot shpirt e dashuri nga publiku.
“Një publik i ngrohtë e që në gjysmën e repertoarit që ne paraqitëm mbrëmë ata bashkangjiteshin me ne duke kënduar e duke duartrokitur në mes këngësh e në përcjellje të ritmit të këngëve”, tha Hysaj Shala.
Hysaj Shala shtoi se kori u paraqit me një program të larmishëm artistik.
“Kori i Fëmijëve “Okarina” u paraqit me një program artistik tejet të pasur e të larmishëm edhe për nga stili edhe për nga përmbajtja. Nga 12 pika gjithsej që u interpretuan, 10 vepra ishin nga literatura e kompozitorëve tonë të çmuar të periudhave të ndryshme kohore të historisë muzikore, ndërsa 2 vepra shumë të bukura ishin nga literatura botërore”, tha Hysaj Shala.
Pamje nga koncerti i Korit të Fëmijëve “Okarina”. Foto: Elikona Hysaj Shala
Se sa janë të rëndësishme këto aktivitete rajonale Hysaj Shala, mes tjerash tha se ata nevojiten për edukim.
“Ky trekandësh i zhvillimit të këtyre aktiviteteve, tregon shumë për bashkimin tonë, për atdhedashurinë, për një edukim të mirëfilltë të brezave të ardhshëm në aspektin kulturor artistik, e mbi të gjitha një edukim shpirtëror duke kontribuar edhe me shuë në trashëgiminë tonë mbarëkombëtare”, tha Hysaj Shala.
Ajo tregoi dhe projektet e radhës të Korit të Fëmijëve “Okarina”.
“Ne kishim qëllim që të fuqizojmë edhe më shumë bashkëpunimin dhe dashurinë që kemi për njëri-tjetrin, përmes takimeve kulturore të përbashkëta e shumë të spikatura, pikërisht duke përzgjedhë përpos Prishtinës edhe dy kryeqendrat shqiptare siç janë Shkupi dhe Tirana.E nisëm këtë festë të madhe që në fund të janarit në Tiranë, e tani në shkurt në Shkup, e që në datën 17 shkurt në ditën e Pavarësisë e kemi rezervuar me koncert në Prishtinë.” tha ajo.
Pamje nga koncerti i Korit të Fëmijëve “Okarina”. Foto: Elikona Hysaj Shala
Kori i Fëmijëve “Okarina” u paraqit me këto pika:
Rauf Dhomi -“Të falemi o Dhe” dhe Opera “Dasma Arbëreshe”
“Vois Sur Ton Chemin”- nga Filmi “Les Choristes”
“Revolting children”- nga Musical “Matilda”
Prenk Jakova- “Fluturoi pëllumb i bardhë”- Opera “Skenderbeu”
Avni Mula – “Valsi i lumturisë”
Çesk Zadeja “Hej ju male” – nga filmi “Skenderbeu”
Feim Ibrahimi -“Unë, biri yt Kosovë”
Pranvera Badivuku- “Vallja popullore”
Naim Gjoshi -“Udhët e mia ”
Xhevdet Gashi & Armend Rexhepagiqi “Diell mbi Kosovë”
Pjetër Gaci “Kur bjen fyelli çiftelia”
Naim Gjoshi “Mora fjalë”
Hysaj Shala gjithashtu shprehu falënderimet për gjithë ata që ishin mbështetës të këtij koncerti.
“Në emrin tim, të pianistit dhe të Korit të Fëmijëve “Okarina”, dëshiroj të i falenderohem organizatorit Leonat Qahili, një djalë shembullo, shumë i kujdesshëm, i cili u përkujdes në çdo detaj që koncerti të shkoj në mënyrën më të mirë të mundur.
Falë Leonat Qahilit, kryetarit të Komunës së Çairit z. Visar Ganiu dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shkup z.Florian Qehaja, u bë e mundur gjithë kjo ngjarje artistike e cila nuk do të shlyhet asnjëherë nga shpirti dhe mendja jonë”, tha Hysaj Shala.
Ky aktivitet u mbështet nga Komuna e Çairit dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.
Edhe pse surrealisti spanjoll, Salvador Dalí nuk e vizitoi kurrë Indinë, veprat e tij të artit do të shfaqen në atje për herë të parë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Duke filluar nga e premtja, një ekspozitë në kryeqytetin Delhi do të shfaqë një koleksion të gjerë me më shumë se 200 skica, gravurë dhe piktura të tij origjinale me bojëra uji.
Koleksioni është kuruar nga Christine Argillet, vajza e Pierre Argillet, një koleksionist francez, i cili ishte gjithashtu miku dhe botuesi i Dalit.
“Dali ishte i magjepsur nga India, veçanërisht magjepsja e Perëndimit me misticizmin indian në vitet 1960 dhe 1970”, tha zonja Argillet për BBC.
India e Dalit përmban elefantë dhe tempuj, por, si me të gjitha veprat e tij artistike, ato nuk janë gjithmonë të lehta për t’u dalluar, pasi janë interpretuar në stilin surrealist të artistit.
“Sjellja e punës së Dalit në Indi ishte një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme”, thotë Akshitta Aggarwal e Bruno Art Group nga galeria ndërkombëtare e artit që prezanton ekspozitën.
“Projekti zgjati pesë vjet; çdo skicë dhe vepër arti duhej të kontrollohej për vërtetësinë e saj”, u shpreh ajo.
I lindur në Spanjë në vitin 1904, Dali u rrit në një botë që po përqafonte avangardën dhe po i përgjigjej pasojave të dy luftërave botërore. Krijuesit e kohës së tij, si Pablo Picasso, Joan Miro dhe Andre Breton, po gjenin mënyra të reja për të shprehur veten dhe idetë e tyre dhe stilet e tyre artistike ndikuan shumë tek Dali i ri.
Një pasdite me shi pranveror, kur udhëtonte e vetme drejt Barcelonës, duke ngarë një veturë të marrë me qira, Maria de la Luz Servantes pësoi një avari në shkretëtirën e Montenegros. Ishte një meksikane njëzet e shtatë vjeçe, e bukur dhe serioze, e cila vite të shkuara kishte pasur një farë emri si artiste estrade. Ishte martuar me një prestigjator salloni, me të cilin do të bashkohej atë ditë, pasi kishte vizituar disa të afërm të saj në Saragozë. Pas një ore përpjekjesh të dëshpëruara me shenja ndaj automobilave dhe kamionëve të ngarkuar që kalonin me një shpejtësi të tmerrshme, shoferit të një autobusi rrangallë i erdhi keq për të, ndaloi dhe e mori. Veç, e paralajmëroi se nuk do të shkonte shumë larg.
– Nuk ka rëndësi, – tha Maria. – E vetmja gjë për të cilën kam nevojë është një telefon. Ashtu ishte vërtet. Donte patjetër të lajmëronte të shoqin se nuk mund të mbërrinte dot para orës shtatë të mbrëmjes. Ngjante si një zog i lagur, me një pallto studenti e me këpucë plazhi në prill, dhe ishte aq e inatosur që ngeli në rrugë sa harroi të merrte çelësat e makinës. Një grua që udhëtonte pranë shoferit, me pamje ushtaraku por me sjellje të ëmbël, i dha një peshqir dhe një batanije, pastaj i bëri vend të ulej pranë saj. Pasi u fshi njëfarësoj, Maria u ul, u mbështoll me batanije dhe u mundua të ndizte një cigare, por shkrepësja ishte lagur. Fqinja e ndenjëses i dha shkrepëse dhe i kërkoi një cigare nga ata pak që i kishin mbetur pa u lagur. Ndërsa pinin cigare, Maria nuk u përmbajt që t’i shfrente brengën, dhe zëri i saj kumboi më shumë se shiu apo se rrapëllima e autobusit. Fqinja e bëri të pushonte duke i vënë gishtin tregues te buzët.
– Janë duke fjetur, – i mërmëriti.
Maria hodhi vështrimin mbi supet e saj dhe pa se autobusi ishte plot me gra të moshave të papërcaktuara dhe me pamje të ndryshme, të cilat, të mbështjella me batanije të njëjta si e saja, dremisnin. E molepsur prej qetësisë së tyre, Maria u kruspullos te vendi i saj dhe iu dorëzua zhurmës së shiut. Kur u zgjua ishte natë dhe rrebeshi kishte pushuar e qe zëvendësuar nga një thëllim i qetë. Nuk kishte as idenë më të vogël se sa kohë kishte fjetur dhe se në ç’vend të botës ndodheshin. Fqinja e saj kishte një pamje alarmi.
– Ku jemi? – e pyeti Maria. – Ja ku mbërritëm, – u përgjigj gruaja.
Autobusi po hynte në oborrin e kalldrëmtë të një godine të madhe e të zymtë që i ngjante një manastiri të vjetër në një pyll me pemë gjigante. Udhëtaret, të ndriçuara me zor nga një fener në oborr, qëndronin të palëvizura derisa gruaja me pamje ushtaraku u tha të zbrisnin një nga një, me radhë, si fëmijë kopshti. Të gjitha qenë të mëdha në moshë dhe lëviznin me aq urtësi, thua se qenkëshin imazhe të një ëndrre. Maria, duke zbritur e fundit, mendoi se ishin murgesha. Ama, i ndryshoi mendja, kur pa disa gra me uniformë që i prisnin te dera e autobusit, që u mbulonin kokën me batanije për të mos u lagur dhe i vinin në rresht për një, pa u folur fare, duke i shtyrë me pëllëmbë në shpinë, lehtë, ritmikisht e ngutshëm. Pasi u përshëndet me fqinjën e saj, Maria deshi t’i kthente batanijen, por ajo i tha që të mbulonte kokën me të sa të kalonte oborrin dhe le ta linte te portieri.
– A ka këtu ndonjë telefon? – pyeti Maria. – Me siguri, – tha gruaja. – Atje do të ta tregojnë.
I kërkoi Maries një cigare tjetër dhe Maria ia dha të gjithë paketën e lagur. “Gjatë rrugës thahen”, i tha. Gruaja që nga shkalla e autobusit bëri lamtumirë me dorë dhe gati bërtiti “Paç fat!”. Autobusi u nis, pa i lënë më kohë për të thënë gjë tjetër. Maria nisi të vrapojë drejt hyrjes së godinës. Një gardiane u përpoq ta ndalonte duke përplasur fuqishëm duart, por s’ia doli dhe iu desh të lëshonte një britmë urdhëruese: “Ndal, të thashë!”. Maria shikoi që poshtë batanijes dhe pa ca sy të akullt dhe një gisht komandues që i tregoi rreshtin. U bind. Pastaj, në hajatin e godinës doli nga rreshti dhe pyeti portierin se ku kishte një telefon. Një nga gardianet e futi përsëri në rresht duke e shtyrë, ndërkohë që me ëmbëlsi i thoshte: – Këtej, bukuroshe, këtej e ke telefonin.
Maria vazhdoi në rresht me gratë e tjera, përmes një korridori të errët dhe, më në fund, hyri në një fjetore kolektive, ku gardianet ua morën batanijet dhe filluan t’i ndanin nëpër shtretër. Një grua ndryshe nga të tjerat, që Maries iu duk më njerëzore dhe e një rangu më lartë, përshkoi rreshtin duke krahasuar një listë emrash me emrat që secila prej të sapoardhurave kishte të shkruar në një copë kartoni të qepur në jelek. Kur mbërriti përballë Maries u çudit që kjo nuk kishte kartonin e vet identifikues. – Unë kam ardhur vetëm sa të flas në telefon, – i tha Maria.
I shpjegoi me një frymë se vetura e saj i qe prishur në rrugë, se i shoqi që ishte magjistar panairesh po e priste në Barcelonë ku do të jepte tri shfaqje deri në mesnatë dhe se donte ta lajmëronte të shoqin që nuk do të mbërrinte në kohë për ta shoqëruar. Ora po shkonte shtatë e mbrëmjes. Për dhjetë minuta ai duhet të dilte nga shtëpia dhe ajo kishte merak se do të prishej gjithçka për vonesën e saj. Shefja u duk se e dëgjoi me vëmendje. – Si të quajnë? – e pyeti.
Maria i tha emrin, duke hequr në zemër e lehtësuar, por gruaja nuk ia gjeti dot emrin edhe pse e kontrolloi listën disa herë. Pastaj e alarmuar pyeti një gardiane, e cila, pa thënë asgjë, mblodhi supet.
– Puna është se unë erdha vetëm për të folur në telefon, – tha Maria. – Në rregull, zemra ime, – i tha shefja, duke e çuar te shtrati i saj me një përzemërsi tejet të dukshme, për të thënë të vërtetën, – po të sillesh mirë, do të flasësh në telefon me kë të duash. Por jo tani, nesër.
Atëherë, diçka ndodhi në mendjen e Maries që e bëri të kuptojë pse gratë e autobusit lëviznin si në thellësi të një akuariumi. Në të vërtetë ato i kishin topitur me qetësues dhe ai pallat i zhytur në terr, me mure të trashë prej gurësh të latuar dhe shkallë të ftohta, ç’është e vërteta, ishte një spital për të sëmurë mendorë. E tmerruar, ia dha vrapit për të dalë nga fjetorja, por para se të mbërrinte te porta, një gardiane trupmadhe, me një palë kominoshe mekaniku, i hodhi putrën, e mbërtheu dhe e paralizoi në vend, duke e goditur me një çelës kryesor. Maria, e shushatur nga tmerri, e pa me bisht të syrit. – Për Zotin! – tha. – Ju betohem për shpirt të nënës që kam ardhur vetëm të flas në telefon. Por mjaftoi t’i shihte surratin dhe mori vesh se nuk kishte asnjë lloj përgjërimi që ta zbuste atë marrake me kominoshe, me emrin Herkulina dhe me një fuqi të panatyrshme. E kishin ngarkuar me detyrat më të vështira dhe dy të mbyllura aty i kishte dërguar në botën tjetër, duke i mbytur me krahët e saj si të një arushe polare. Ishte e stërvitur enkas në artin për të vrarë nga pakujdesia. Rasti i parë ishte trajtuar si një aksident i provuar. I dyti kishte qenë më pak i qartë dhe Herkulinës i kishin hequr vërejtje dhe e kishin paralajmëruar se në rast se do ta përsëriste më, do ta hetonin deri në fund çështjen. Thuhej se qenkësh një dele e humbur, e dalë nga një familje me emër të madh dhe se paskësh një karrierë të turbullt e plot aksidente të dyshimta në disa çmendina të Spanjës. Për të fjetur e qetë, që natën e parë, Maries i injektuan një bar gjumëndjellës. I doli gjumi para se të gdhihej, ngaqë iu ça hunda për duhan, dhe pa se e kishin lidhur duar e këmbë me ca fasha për hekurat e krevatit. Askush nuk e çau kokën për klithmat e saj. Në mëngjes, ndërkohë që i shoqi nuk po gjente dot asnjë gjurmë të saj në Barcelonë, e çuan në infermieri, sepse e gjetën pa ndjenja, zhytur batakun e shkretisë së saj. Erdhi në vete pa marrë vesh se sa kohë kishte kaluar. Dhe atëherë iu duk se bota qenkësh një liman dashurie dhe karshi shtratit të saj rrinte një plak monumental me një ecje mbi shputa dhe me një buzëqeshje qetësuese, i cili me dy lëvizje hipnotizuese duarsh i ktheu gëzimin për të jetuar. Ishte drejtori i sanatoriumit. Para se t’i thoshte ndonjë gjë, madje pa e përshëndetur fare, Maria i kërkoi një cigare. Ai ia dha të ndezur dhe i fali edhe një paketë, pothuaj plot me cigare. Maria nuk mundi ta përmbajë të qarët.
– Qaj deri në shkrehje, – i tha mjeku me një zë që të vinte në gjumë. – Nuk ka ilaç më të mirë se derdhja e lotëve.
Maria u shkreh në vaj, pa i ardhur turp, gjë që nuk kishte arritur ta bënte kurrë, as me dashnorët e rastit, kur qe ndier bosh pas dashurisë. Mjeku, ndërsa e dëgjonte, i krihte flokët me gishta, i rregullonte nënkresën që të merrte frymë më lirshëm, e drejtonte përmes labirintit të paqartësisë së saj me një maturi dhe një ëmbëlsi që ajo nuk e kishte ëndërruar ndonjëherë. Për herë të parë në jetën e saj, ndjeu mrekullinë për t’u kuptuar nga një burrë, i cili e dëgjonte me gjithë shpirt, pa pritur që ajo ta shpërblente duke fjetur me të. Në krye të një ore të gjatë, e çliruar tërësisht, i kërkoi autorizim për të folur në telefon me të shoqin. Mjeku u ngrit në këmbë me tërë madhështinë e rangut të tij. “Ende jo, princeshë”, i tha, duke e goditur lehtë në faqe me aq ëmbëlsi sa ajo nuk e kishte ndier kurrë. “Gjithçka në kohën e vet”. Që nga dera i bëri një bekim prej peshkopi dhe u zhduk përgjithmonë.
– Ki besim tek unë, – i tha.
Po atë mbrëmje, Marien e regjistruan në çmendinë me një numër serie dhe me një koment të shkurtër mbi enigmën e ardhjes së saj aty e dyshimet për identitetin e saj. Në anë të fletës mbeti një shënim i shkruar me dorë nga drejtori: e shqetësuar. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe Maria, i shoqi doli nga apartamenti i tij i thjeshtë i lagjes Horta me gjysmë ore vonesë për të kryer tri shfaqje. Ishte hera e parë që ajo nuk mbërrinte në kohë gjatë pothuaj dy vjetëve të një bashkëjetese të lirë dhe ai mendoi se vonesa duhet të ishte për shkak të egërsisë së shirave që goditën krahinën atë fundjave. Para se të dilte, ngjiti një copë letër te dera ku shkruante itinerarin e asaj nate. Në shfaqjen e parë, plot me fëmijë të maskuar si kangurë, ai hoqi dorë nga truku yjor i peshqve të padukshëm, sepse nuk mund ta bënte pa ndihmën e saj. Shfaqja e dytë duhet të bëhej në shtëpinë e një plake nëntëdhjetë e tre vjeçe, e mbërthyer në një karrige me rrota, e cila krenohej se i paskësh festuar tridhjetëvjetorët e saj të fundit me magjistarë të ndryshëm. Ai ishte aq i merakosur nga vonesa e Maries, sa nuk mundi të përqendrohej dot në marifetet më të thjeshta. Shfaqja e tretë ishte ajo e përhershmja në një kafe koncerti në Las Ramblas, ku luajti pa frymëzim për një grup turistësh francezë, të cilët nuk mundën të besonin atë që panë, sepse vetë magjia nuk ishte bindëse. Pas çdo shfaqjeje merrte në telefon shtëpinë e tij, dhe priste me ankth që Maria t’i përgjigjej. Gjatë shfaqjes së fundit nuk mundi ta shmangte dot shqetësimin se diçka e keqe kishte ndodhur. Kur u kthye në shtëpi me kamioçinën e përshtatur për shfaqjet publike, pa shkëlqimin e pranverës në palmat përgjatë Paseo de Gracia dhe u rrëqeth nga mendimi ogurzi se si mund të ekzistojë qyteti pa Marien. Iu davarit edhe shpresa e fundit kur gjeti shënimin e tij ende të mbërthyer te dera. Ishte aq i shqetësuar sa harroi t’i jepte për të ngrënë maces. Vetëm tani që e shkruaj më bie ndërmend se kurrë nuk e kam ditur se si quhej në të vërtetë, sepse në Barcelonë e njihnim thjesht me emrin e tij profesional: Saturno Magjistari. Ishte një njeri me karakter të çuditshëm dhe me një sjellje shoqërore të trashë, por taktin dhe nurin e mangët të tij e plotësonte Maria. Ishte ajo që e merrte për dore dhe e shpinte në këtë komunitet të mistereve të mëdha, ku askujt nuk i shkonte ndërmend të thërriste dikë në telefon pas mesnate e të pyeste për të shoqen. Saturnoja e kishte bërë këtë sapo kishte shkelur aty dhe nuk donte ta kujtonte më. Kështu që atë natë vendosi të merrte në telefon në Saragozë, ku një gjyshe gjysmë e përgjumur iu përgjigj pa shqetësim se Maria ishte nisur menjëherë pas drekës. Vetëm në të gdhirë e zuri gjumi ndonjë orë. Pa një ëndërr të keqe. Pa Marien në një moçal, me një fustan nusërie mosmëkeq e të stërpikur me gjak. U zgjua me sigurinë e llahtarshme se ajo e kishte lënë përsëri vetëm, se tani e tutje do të ishte pa të në këtë botë të madhe.
Këto pesë vitet e fundit e kishte bërë tri herë me burra të ndryshëm, përfshi edhe atë vetë. E kishte braktisur në Meksiko pas gjashtë muaj njohjeje, kur po zaliseshin prej lumturisë së një dashurie të çmendur në një dhomë hoteli në lagjen Anzures. Një mëngjes, pas një nate me teprime të parrëfyeshme dashurie, Maria nuk u gdhi në shtëpi. I la aty gjithçka pati të sajën, deri edhe unazën e martesës së mëparshme, po ashtu edhe një letër ku i thoshte se nuk ishte më e aftë të përballonte furtunën e asaj dashurie të çartur. Saturnoja mendoi se ishte kthyer përsëri me burrin e saj të parë, një bashkënxënës i shkollës së mesme me të cilin ishte martuar fshehtas, ngaqë ishte ende e mitur, dhe të cilin e kishte braktisur për dikë tjetër në krye të dy vjetëve bashkëjetese pa dashuri. Por jo: ajo qenkësh kthyer në shtëpinë e prindërve të saj, ku Saturnoja shkoi për ta kërkuar me çdo lloj çmimi. Iu lut pa kushte, i premtoi shumë më tepër nga ç’mund të bënte për t’i plotësuar, por hasi në një vendim të pathyeshëm. “Ka dashuri të shkurtra dhe dashuri të gjata”, i kishte thënë ajo. Dhe në fund, pamëshirshëm, i pat thënë: “Kjo qe e shkurtër”. Ai qe mposhtur përpara rreptësisë së saj. Megjithatë, një mëngjes herët të Ditës së Gjithë Shenjtorëve, pas gati një viti harrese, kur qe kthyer në dhomën e tij jetime, e kishte gjetur duke fjetur në divanin e sallonit me një kurorë me lule limoni dhe me bishtin e gjatë e të shkumtë të fustanit të nuseve të virgjra. Maria i tregoi të vërtetën. I dashuri i ri, vejush, pa fëmijë, me jetë të siguruar dhe i gatshëm për t’u martuar përgjithmonë, përmes kishës katolike, e kishte lënë të veshur dhe duke pritur në altar. Gjithsesi, prindërit e saj kishin vendosur të bënin ceremoninë. Dhe ajo kishte vazhduar lojën. Kishte kërcyer e kënduar me muzikantët mariaçi, e kishte tepruar me të pirë, dhe në gjendje të tmerrshme pendimi të vonuar, ia kishte mbathur në mesnatë për të shkuar te Saturnoja.
Ai nuk ishte në shtëpi, por i gjeti çelësat te vazoja e luleve, ku i fshihnin gjithnjë. Kësaj radhe ishte ajo që u dorëzua pa kushte. “Po tani, deri kur?”, e pyeti ai. Ajo iu përgjigj me një varg të Vinicius de Moraes: “Dashuria është e përjetshme për aq sa zgjat”. Dy vjet më pas, vazhdonte të ishte e përjetshme.
Maria dukej se po piqej. Hoqi dorë nga ëndrrat e saj për artiste dhe iu kushtua atij, sa në punë edhe në shtrat. Nga fundi i vitit që shkoi kishin marrë pjesë në një kongres të magjistarëve në Perpinjan dhe në të kthyer njohën Barcelonën. U pëlqeu aq shumë sa ndenjën tetë muaj aty dhe ia kaluan aq mirë sa blenë edhe një apartament mu në mes të lagjes më katalane, në Horta. Një apartament i zhurmshëm dhe pa portier, por me hapësirë të bollshme për të rritur pesë fëmijë. Kishte qenë në kulmin e lumturisë deri në fund të javës, kur ajo mori me qira një veturë dhe shkoi të vizitonte të afërmit e saj në Saragozë, me premtimin se do të kthehej të hënën në orën shtatë të mbrëmjes. Por ja, kishte mbërritur e enjtja dhe ajo ende nuk kishte dhënë asnjë shenjë se ishte gjallë.
Të hënën e javës që erdhi shoqëria e sigurimeve të makinës së marrë me qira mori në telefon në shtëpi dhe pyeti për Marien. “Nuk di asgjë”, tha Saturnoja. “Kërkojeni në Saragozë”. E mbylli telefonin. Pas një jave një polic shkon në shtëpi dhe njofton se kishin gjetur makinën, vetëm skeletin e saj, në një rrugë pranë Kadiksit, nja nëntë qind kilometra larg vendit ku e kishte lënë Maria. Agjenti donte të dinte nëse ajo kishte më shumë të dhëna lidhur me vjedhjen. Saturnoja po i jepte maces për të ngrënë dhe, pothuaj pa e parë fare dhe pa ardhur rrotull, i tha të mos humbitnin kohë me të, sepse e shoqja kishte ikur nga shtëpia dhe ai nuk dinte as me kë kishte ikur as ku kishte shkuar. Dhe këtë e tha me aq bindje sa agjenti u ndie ngushtë dhe i kërkoi ndjesë për shqetësimin. Çështja u deklarua e mbyllur.
Dyshimi se Maria mund të kishte ikur përsëri e kishte pushtuar Saturnon gjatë Pashkëve në Kadakes, ku Rosa Regas i kishte ftuar për një lundrim me vela. Kur frankizmi po merrte fund, ndodheshim në Marítim, bari më i popullor e më i ndyrë i La gauche divine*, të ulur, gati njëzet vetë, në një prej atyre tavolinave të hekurta e me karrige, po të hekurta, që mezi nxinte gjashtë vetë. Pasi kishte mbaruar paketën e dytë me cigaret e ditës, Maria nuk kishte më as shkrepëse. Një krah i dobët e me qime mashkullore dhe me një byzylyk prej bronzi romak hapi rrugën midis poteres së madhe në tavolinë dhe ia ndezi cigaren. Ajo e falënderoi pa ia hedhur sytë, por Saturno Magjistari e pa. Ishte një adoleshent thatim e mustaqepadirsur, zbehtak si një meit dhe me flokët bisht kali sterrë të zi, deri në bel. Qelqet e barit mezi po e përballonin tërbimin e veriut pranveror, megjithatë çunaku qe veshur me ca pizhame prej pambuku të ashpër dhe me ca opinga fshatari.
Nuk e panë më deri në fund të vjeshtës, kur u duk në një restorant midhjesh në lagjen La Barceloneta me po atë veshje të zakonshme prej pëlhure pambuku dhe me një gërshetë të gjatë në vend të bishtkalit. I përshëndeti të dy si miq të vjetër dhe, nga mënyra si ai e puthi Marien dhe si Maria e puthi atë, Saturnon e dogji dyshimi se ata ishin takuar fshehurazi. Pas disa ditësh, rastësisht gjeti një emër të ri dhe një numër të ri telefoni të shkruar nga Maria në bllokun e telefonave dhe kthjelltësia mizore e xhelozisë i zbuloi se të kujt ishin. Të dhënat shoqërore të të dyshuarit sikur e vranë dy herë: njëzet e dy vjeç, bir i vetëm prindërish të kamur, dekorator vitrinash mode, me një famë të lehtë biseksuali dhe me një nam të mirë që, me pagë, ngushëllonte zonjat e martuara, seksualisht të pakënaqura. Por Saturnoja mundi ta merrte veten deri natën kur Maria nuk u kthye më në shtëpi. Atëherë filloi t’i bjerë atij numër telefoni çdo ditë, në fillim çdo dy ose tri orë, që nga ora gjashtë e mëngjesit deri sa agonte dita tjetër dhe pastaj sa herë që binte në ndonjë telefon. Fakti që askush nuk i përgjigjej e shtonte edhe më shumë vuajtjen e tij. Ditën e katërt iu përgjigj një andaluziane që shkonte atje për të bërë pastrimin. “Zotnia ka ikur”, i tha ajo me një lloj ngurrimi si të donte ta luante mendsh. Saturnoja nuk duroi më dhe e pyeti nëse rastësisht ndodhej atje zonjusha Marie.
– Këtu nuk jeton asnjë Marie, – i tha gruaja. – Zotëria është beqar. – E di, e di, – i tha ai. – Nuk jeton aty, por nganjëherë vjen. Apo jo? Gruaja iu hakërrye. – Po kush mutin je ti?
Saturnoja e mbylli telefonin. Mospërgjigja e gruas iu duk një pohim më shumë nga ajo që deri tani nuk ishte vetëm një dyshim, por një siguri përvëluese. E humbi fare kontrollin. Ditët në vazhdim mori në telefon sipas rendit alfabetik të gjithë të njohurit në Barcelonë. Askush nuk i dha kurrfarë ngushëllimi, përkundrazi, çdo thirrje ia shtoi edhe më mjerimin, sepse deliri i xhelozisë së tij tashmë ia bënte mu midis bjerraditësve të regjur që e kalonin tërë natën në La gauche divine dhe që e cytnin me lloj-lloj shakash, duke e bërë të vuante edhe më shumë. Vetëm atëherë mori vesh se ç’do të thoshte vetmi në atë qytet të bukur, ku nuk kishte qenë kurrë i lumtur. Në të gdhirë, pasi i dha për të ngrënë maces, i dha kurajë vetes për të mos vdekur dhe mori vendimin për ta harruar Marien.
Kaluan dy muaj dhe Maria ende nuk qe ambientuar me jetën e spitalit. E mbante shpirtin duke çukitur racionin e ditës me lugët dhe pirunët e lidhur për tryezën prej druri të palatuar dhe me sytë të fiksuar te litografia e gjeneral Francisko Frankos që sundonte sallën e kobshme e mesjetare të ngrënies. Në fillim u bënte bisht orëve kanonike me rutinën idiote të lutjeve të natës, të mëngjesorëve, të mbrëmësoreve dhe shërbesave të tjera kishtare, të cilat zinin pjesën më të madhe të kohës. Nuk donte të luante me top në oborrin e argëtimit dhe as të punonte në punishten e luleve artificiale që një grup të izoluarash i kushtonin një kujdes të ethshëm. Por, duke nisur nga java e tretë, pak nga pak, po merrte pjesë në jetën e atij spitali. Në fund të fundit, vendosnin mjekët, kështu e nisnin të gjitha dhe shpejt apo vonë përfundonin duke u integruar në komunitet.
Mungesa e cigareve, e zgjidhur ditët e para nga një gardiane që ia shiste sa frëngu pulën, nisi ta torturonte kur iu mbaruan edhe paratë që kishte me vete. Më pas u ngushëllua me ca cigare të bëra me letër gazete që disa të izoluara i bënin me bishtat e cigareve të gjetura në plehra, ngaqë nepsi për cigare kishte arritur të ishte aq i fortë sa edhe ai për telefon. Ato pak para që fitoi më vonë duke bërë lule artificiale ia zgjidhën deri diku atë hall. Më e rëndë ishte vetmia e natës. Shumë të mbyllura qëndronin zgjuar në gjysmë terr, si ajo, por pa guxuar të bënin asgjë, sepse gardiania e natës gjithashtu përgjonte te porta e mbyllur me zinxhir dhe me dry. Megjithatë, një natë, e dërrmuar nga hidhërimi, Maria pyeti me zë të mjaftueshëm sa ta dëgjonte fqinja e shtratit:
– Ku ndodhemi? Zëri i ashpër dhe i trashë i fqinjës iu përgjigj: – Në fund të ferrit. – Thonë që është tokë e maurëve, – tha një zë tjetër që jehoi në hapësirën e fjetores. – Dhe duhet të jetë e vërtetë, sepse në verë, kur ka hënë, dëgjohen qentë duke i lehur detit. U dëgjua zinxhiri që mbërthente kanatat, si zinxhiri që lëshon spirancën e një anijeje, dhe porta u hap. Portierja cerber, e vetmja qenie që dukej e gjallë në qetësinë e çastit, filloi të endej nëpër fjetore, sa në një cep në tjetrin. Marien e kapi tmerri, dhe vetëm ajo e dinte pse.
Qysh në javën e parë në atë spital, roja e natës i kishte propozuar të flinte me të në dhomën e rojave. E kishte filluar këtë propozim me një ton konkret marrëveshjeje: Maria t’i falte dashuri dhe gardiania t’i jepte cigare, çokollata, ose ç’të kishte. Duke u dridhur, i kishte thënë: “Do t’i kesh të gjitha. Do të jesh si një princeshë”. Dhe pasi Maria nuk kishte pranuar, gardiania kishte ndryshuar taktikë. I linte pusulla dashurie poshtë nënkresës, në xhepat e kominosheve apo në vende ku nuk ta priste mendja. Ishin mesazhe të një kërkese rrëqethëse që do t’u kishin shtënë dridhmat edhe gurëve. Kishte më shumë se një muaj që dukej se i qe nënshtruar disfatës, nga ajo natë kur kishte ndodhur incidenti në fjetore. Kur qe bindur se të gjitha të mbyllurat po flinin, gardiania i qe afruar shtratit të Maries, i kishte pëshpëritur në vesh lloj-lloj lapërdhish dashurie, ndërkohë që i puthte fytyrën, gushën e tendosur nga tmerri, llërat që i dridheshin dhe këmbët e bëra akull. Më në fund, duke menduar se ndoshta paraliza e Maries nuk ishte nga frika por nga kënaqësia, ajo kishte marrë guximin të shkonte më tej. Maria e tmerruar, papritur, u hodh përpjetë dhe ia dha me të prapmen e dorës duke e hedhur mbi shtratin e fqinjës. Dhe, befas, gardiania e tërbuar u gjend midis skandalit të grave që, të çakërdisura, ia dhanë zallamahisë. – Kurvë e mutit! – bërtiti ajo. – Këtu, në këtë hale derrash do të kalbemi bashkë, derisa të çmendesh për mua.
Vera mbërriti pa lajmëruar, të dielën e parë të qershorit dhe u desh të merreshin masa urgjente, sepse të mbyllurat, plasur vape gjatë meshës, kishin filluar të hiqnin rrobat prej pëlhure. Maria i pa dhe u zbavit me spektaklin e të sëmurave të zhveshura lakuriq dhe të gardianeve që i ndiqnin nëpër sallën e madhe të kishës si pula të shushatura. Midis asaj rrëmuje, duke u munduar të mbrohej nga goditjet qorre, pa pritur u gjend e vetme në një zyrë pa njeri, ku kishte një telefon, zilja e të cilit binte pa pushim, si të lutej ta kapte dikush. Pa u menduar fare, Maria e kapi që të përgjigjej. Dëgjoi një zë të largët dhe të qeshur që tallej duke imituar shërbimin telefonik të orës: – Ora është dyzet e pesë e nëntëdhjetë e dy minuta dhe një qind e shtatë sekonda. – Pederast! – shau Maria.
E mbylli telefonin me një farë ëndjeje dhe deshi të ikte, kur befas i ra ndër mend se po linte t’i shpëtonte nga dora një rast që kurrë nuk do t’i paraqitej më. Atëherë, me shumë tension dhe nxitim, formoi gjashtë numrat, pa qenë e sigurt se qenë vërtetë numrat e shtëpisë së saj. Me zemrën që gati po i dilte nga vendi, priti derisa dëgjoi zilen që po binte, një herë, dy herë, tri herë, dhe pastaj dëgjoi zërin e njeriut të jetës së saj, në shtëpinë ku ajo nuk ishte. – Po?! Iu desh të priste pak sa t’i kalonte një komb që i pat zënë grykën. – Lepurushi im, zemra ime! – hoqi në zemër ajo. E mbytën lotët. Në anën tjetër të linjës pati një heshtje të shkurtër tmerri dhe pastaj një zë i dalldisur nga xhelozia pështyti fjalët: – Kurvë muti! – dhe bramp e mbylli telefonin.
Atë natë në mensë, e goditur nga një krizë tërbimi, Maria hoqi fotografinë e Frankos dhe me të goditi, me të gjitha forcat e saj, qelqnajën e dritares që shikonte nga kopshti. Pastaj, e larë në gjak, ra përtokë. Tërbimi i jepte ende fuqi të përleshej me gardianet që mundoheshin ta bënin zap, pa ia dalë dot, derisa pa Herkulinën katana, e cila, me krahët e kryqëzuar, rrinte e bënte sehir. Dhe u mposht. Megjithatë, ato e hoqën zvarrë deri në pavijonin e të çmendurave në krizë dhe aty e mposhtën me presionin e ujit të akullt dhe me një injeksion termentine në të dy këmbët. E paralizuar nga inflamacioni që i provokoi ilaçi, prapë Maria kuptoi se nuk kishte asgjë në botë që ta pengonte për t’ia mbathur nga ai ferr. Javën tjetër, kur tashmë e kishin kthyer në fjetoren e zakonshme, u ngrit, iku në majë të gishtave deri te qelia e gardianes së natës dhe trokiti ngadalë.
I tha asaj se do t’ia plotësonte dëshirën e dikurshme vetëm me një çmim: t’i dërgonte një mesazh të shoqit. Gardiania pranoi, veç marrëveshja të ishte tepër e fshehtë. Madje ajo e kërcënoi me gishtin tregues në mënyrë të pamëshirshme: – Po e mori vesh njeri, e zeza ti!
Kështu që të shtunën e radhës, Saturno Magjistari u sos në spitalin e të çmendurave me kamioçinën e cirkut, i përgatitur për të festuar kthimin e Maries. Vetë drejtori i spitalit e priti në zyrën e tij të pastër e të rregullt, si një anije lufte, dhe i bëri një përshkrim të përzemërt mbi gjendjen e së shoqes. Askush nuk dinte se nga kishte ardhur, as si e as kur, sepse e dhëna e parë e regjistrimit zyrtar të saj ishte ajo që ai vetë pati shkruar ditën që e kishte takuar Marien. Një hetim i bërë pikërisht atë ditë nuk nxori asgjë në dritë. Gjithsesi, ajo që e habiste më shumë drejtorin ishte se si e kishte marrë vesh Saturnoja vendndodhjen e gruas së tij. Saturnoja nuk i tha asgjë për gardianen e natës. – Më informoi Shoqëria e Sigurimeve të Makinave, – i tha. Drejtori e hëngri rrenën dhe i kënaqur tha: “U lumtë atyre të sigurimeve që arrijnë të marrin vesh gjithçka”, pastaj i hodhi një sy dosjes që kishte mbi tryezën e vet dhe tha: – Tani duhet ta dini se vërtetë gjendja e saj është e rëndë. Ishte i gatshëm t’i lejonte takime me të sëmurën, në qoftë se Saturno Magjistari, për të mirë të gruas së tij, i premtonte se do t’i përmbahej sjelljeve që do t’i rekomandonte ai. Mbi të gjitha, për mënyrën se si duhej ta trajtonte të sëmurën, për të shmangur shpërthimet e krizave të saj që ishin çdo herë më të shpeshta e më të rrezikshme.
– E çuditshme, – tha Saturnoja. – Gjithmonë ka qenë një karakter i fortë, por ama shumë e vetëpërmbajtur. Mjeku bëri një gjest prej të dituri: – Ka sjellje që qëndrojnë të fjetura për vite të tëra, por një ditë shpërthejnë, – tha ai. – Megjithatë, është një fat që ra në duart tona, sepse ne jemi specialistë të vërtetë për rastet që kërkojnë një dorë të fortë, – Më në fund, e njoftoi edhe për fiksimin e çuditshëm të Maries për të folur në telefon. – Shko takoje, por bëj kujdes, – tha drejtori. – Mos ki merak, doktor, – tha Saturnoja. – Kujdesi është specialiteti im. Salla e vizitave, një përzierje burgu dhe rrëfyestoreje njëherazi, ishte një vend takimi i vjetër i atij spitali. Ardhja e Saturnos nuk solli ndonjë shpërthim hareje, siç mund të kishin pritur të dy, burrë e grua. Maria qëndronte në këmbë në qendër të sallonit, pranë një tryeze të vogël me dy karrige dhe një vazo lulesh pa lule. Dukej sheshit se qe bërë gati për të dalë andej. Kishte veshur pallton e saj ngjyrë luleshtrydheje të katandisur keq e mosmëkeq dhe ca këpucë për ibret që si duket ia kishin dhënë për mëshirë. Në një qosh, gati e padukshme, rrinte Herkulina me krahët e kryqëzuar. Maria nuk lëvizi nga vendi, kur pa se hyri i shoqi, as shfaqi ndonjë emocion në fytyrën e saj plot shenja rrënimtare nga goditjet e qelqeve të dritares. I dhanë njëri-tjetrit puthjen e zakonshme.
– Si ndihesh? – e pyeti Saturnoja. – E lumtur, se më në fund më gjete, lepurush, – i tha ajo. – Kjo që më ndodhi ishte vetë vdekja. Nuk patën kohë të uleshin. E mbytur në lot, Maria i tregoi për tmerret e spitalit, për barbaritë e gardianeve, për një ushqim qensh që u jepnin, për netët e pafundme që nuk mbyllte sytë nga tmerri. – Nuk e di sa ditë, muaj apo vite kam kaluar këtu, por di që ajo çka vinte ishte më e tmerrshme se ajo çka shkonte, – tha dhe psherëtiu thellë. – Kam frikë se nuk do të bëhem kurrë më ajo që kam qenë.
– Tani, gjithçka kaloi, – tha ai, duke i përkëdhelur me mollëzat e gishtave shenjat që kishte në fytyrë. – Unë do të vij çdo të shtunë, por edhe më shpesh nëse do të më lejojë drejtori. Ke për të parë se tani gjithçka do të shkojë shumë mirë. Ajo, gjithë llahtar, i nguli sytë e saj te sytë e tij. Saturnoja u përpoq me të gjitha aftësitë e tij dhe, me zakonin banal të gënjeshtrave të mëdha, i tregoi për një mënyrë shumë të zbutur që i kishte propozuar mjeku. “Me një fjalë”, përfundoi, “kurajë, pasi të duhen akoma dhe disa ditë që të shërohesh plotësisht”. Maria e kuptoi se ç’po ndodhte me të. – Pash Zotin, lepurush! – u lut ajo e çmeritur. – Mos më thuaj edhe ti se qenkam e çmendur! – Si të shkon në mendje kjo?! – tha ai, duke u munduar të qeshte. – Puna është se do të ishte shumë më mirë për të gjithë që të qëndrosh një farë kohe këtu. Sigurisht, në kushte më të mira.
– Por të thashë, se erdha këtu vetëm të flisja në telefon me ty! – i tha Maria e shkretuar. Ai nuk diti si të vepronte përpara këtij fiksimi të frikshëm të saj. Shikoi nga Herkulina. Ajo përfitoi nga rasti për t’i bërë shenjë me orën e saj të dorës se koha e takimit kishte mbaruar. Maria e kapi shenjën, shikoi mbrapa, dhe pa Herkulinën se ishte gati ta sulmonte menjëherë. Atëherë iu hodh të shoqit në qafë duke bërtitur si një e çmendur e vërtetë. Ai e mënjanoi nga vetja me sa më shumë butësi që mundi dhe e la në mëshirë të Herkulinës, e cila iu hodh sipër Maries. Pa i dhënë kohë as të merrte frymë, ia mbërtheu me çelës dorën e majtë, ndërsa krahun tjetër ia kaloi si rreth hekuri për fytit, dhe i bërtiti Saturno Magjistarit: – Shporru! Saturnoja, i tmerruar, ia mbathi. Megjithatë, të shtunën tjetër, pasi i kishte ikur frika e vizitës së parë, erdhi në spital bashkë me macen, të cilën e kishte veshur njësoj si veten: kostum sportiv kuq e verdhë, sombrero bombë dhe një mantel përsipër që dukej sikur do të fluturonte. Hyri me kamioçinën e shfaqjeve deri në oborrin e spitalit ku dha një shfaqje të mrekullueshme, për gati tri orë. Të mbyllurat shikonin nga ballkonet dhe të kënaqura lëshonin ca britma arra-yrra e bënin ovacione kot më kot. Ishin aty të gjitha, përveç Maries, e cila jo vetëm nuk pranoi të takonte të shoqin, por nuk doli as në ballkon për ta parë me sy. Saturnoja u ndie i plagosur për vdekje.
– Është sjellje tipike prej të sëmure, – e ngushëlloi drejtori. – Por do t’i kalojë. Por nuk i kaloi kurrë. Pasi u mundua shumë herë për ta takuar Marien, Saturnoja bëri të pamundurën që t’i jepte qoftë edhe një letër, por ishte e kotë. Maria katër herë rresht ia ktheu letrat mbrapsht, të pahapura. Më në fund, Saturnoja hoqi dorë nga letrat, por vazhdoi t’i linte te sporteli i spitalit paketat me cigare, pa ditur nëse i binin në dorë Maries, derisa e mposhti realiteti. Asnjëherë nuk u mor vesh se ç’ndodhi me Saturnon, veç ai u martua përsëri dhe u kthye në vendin e tij. Para se të ikte nga Barcelona, ia la macen, gjysmë të ngordhur urie, një dashnoreje të rastit, të cilës, veç kësaj, i la detyrë t’i çonte cigare Maries. Por edhe ajo një ditë iku në punë të saj. Siç kujton Rosa Regas, kjo e paskësh takuar këtë femër në Oborrin Anglez, këtu e dymbëdhjetë vjet të shkuara, me kokën e rruar, me një xhybe ngjyrë portokalli të ndonjë sekti oriental, dhe me barkun gjer te goja. Ajo i kishte treguar se paskësh vazhduar t’i çonte cigare Maries, sa herë kishte mundur, derisa një ditë kishte gjetur vetëm gërmadhat e spitalit të shkallmuar, si një kujtim lëndues i atyre kohëve të këqija. Maria i qe dukur tepër e kthjellët herën e fundit që e kishte takuar, ca e rënduar nga pesha, por e kënaqur me paqen e çmendinës. Atë ditë i kishte çuar edhe macen, sepse i qenë mbaruar parat që i kishte lënë Saturnoja për ta ushqyer. —————————————————- * gauche divine (fr.) – e majta hyjnore, një lëvizje intelektualësh dhe artistësh të majtë që u përhap në Barcelonë në vitet ’60 dhe në fillim të viteve ’70 të shekullit që shkoi.
Viti 2025 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë ekonomike të vendit, 100-vjetorin e krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila i dha për herë të parë Shqipërisë një institucion qendror bankar në vitin 1925, e që më vonë, duke ndjekur zhvillimin historik të vendit, do të shndërrohej në një bankë qendrore moderne pas viteve ‘90.
Gjatë hapësirës kohore të ekzistencës së saj, historia e institucionit të Bankës Qendrore në Shqipëri si pjesë e sistemit bankar shqiptar, është orientuar pothuajse paralelisht me historinë e kombit shqiptar.
Për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme, Banka e Shqipërisë do të organizojë një sërë aktivitetesh: konferenca historike dhe shkencore, dokumentarë, konkurse dhe quiz-e, faqe historike dhe ture virtuale, ekspozita, publikimi i një botimi të veçantë, emetimi i një monedhë numizmatike e shumë të tjera.
Në një njoftim të saj në rrjetet sociale, Banka e Shqipërisë prezanton logon në 100-vjetorin e krijimit të saj.
“Po e fillojmë sot duke zbuluar logon e veçantë dedikuar njëqindvjetorit të institucionit tonë. Për vijuar në ditët në vijim, me eventet dhe aktivitetet e tjera”, shkroi Banka e Shqipërisë në rrjetet socila, teksa publikoi logon e re./ KultPlus.com
Nga data 17-23 shkurt do të zhvillohen Karnavalet e Shkodrës, një aktivitet që do të sjellë spektakël për qytetin. Përgatitjet kanë nisur prej disa ditësh dhe nga organizatorët premtohet një ngjarje madhështore në rrugët e Shkodrës.
Drejtoresha e Kulturës pranë bashkisë Shkodër, Sara Smaja tha se kjo javë do të jetë e mbushur me aktiviteteve festive në rrugët e qytetit.
Nga e hëna e 17 shkurtit që shënon edhe ditën e parë të karnevaleve, protagonizmin do ta marrin fëmijët e shkollave të qytetit, të cilët me personazhe do t’i japin ngjyra kësaj feste, ndërkohë që surprizë këtë vit do të jenë butaforitë të cilat janë ndryshe falë edhe bashkëpunimit që bashkia e Shkodrës ka krijuar me qytete nga Italia, të cilat do të sjellin modele spektakolare dhe forma të mëdha në rrugët e qytetit.
Nuk do të mungojnë maping në godinat e qytetit dhe koncertet e mëdha në sheshin para Bashkisë Shkodër dhe në sheshin “Nënë Tereza” ku do të jetë edhe epiqendra e ditës së 23 shkurtit, me djegien e dordolecit./ KultPlus.com
Rrjetet sociale nuk kanë qenë kurrë neutrale. Ata kanë ndryshuar, pas çdo scroll-i, vetë mënyrën se si ne mendojmë për realitetin. Ky është teknofeudalizmi dixhital
Nuk është një distopi e të ardhmes. Eshtë e tashmja, në të cilën jemi zhytur tashmë. Një sistem pushteti, i cili nuk kufizohet vetëm në kontrollin e informacionit, por plazmon edhe vetëdijen kolektive nëpërmjet arkitekturave teknologjike, që na i paraqesin si neutrale dhe të pashmangshme.
Nuk është një shmangie nga sistemi, apo një zhvillim i papritur. Jo, është realizimi i vet më i plotë.
Platformat sociale kanë vepruar gjithmonë sipas kësaj logjike. Prania në inaugurimin e Trumpit, e Elon Musk, Mark Zuckerberg si dhe tekno-oligarkëve të tjerë, është thjesht momenti kur pushteti del në skenë dhe fotografohet. Sepse ata nuk kanë më nevojë të fshihen prapa retorikës së neutralitetit teknologjik.
Duhet pranuar, me një ndershmëri të pamëshirshme, se ne – mendimtarë, gazetarë, akademikë, analistë, e kemi pranuar këtë sistem sepse na ka ofruar një pushtet që e donim aq shumë: aftësinë për të përhapur idetë, për të plazmuar opinione, për të ndërtuar kollaj një publik përmes hapësirave të tyre.
Ishte një pakt faustian, dhe ne e dinim. Në këmbim të dukjes dhe influencës, ne mbyllëm një sy (ndonjëherë të dy), ndaj themeleve të brishta të ngrehinës.
Artikull pas artikulli, postim pas postimi, kemi kontribuar për të legjitimuar atë sistem që me fjalë donim ta çmontonim.
Teknofeudalizmi na transformoi, nga të nënshtruar të pavetëdijshëm në vasalë të vetëdijshëm.
E kemi ditur gjithmonë që kjo arkitekturë kontrolli nuk është neutrale. Ajo është projektuar për të fragmentuar diskursin publik në fluska algoritmike, për të transformuar debatin në përplasje, për të reduktuar kompleksitetin e mendimit, në logjikën binare të like-ve.
Radikalizimi i diskursit publik nuk është një efekt anësor, por një karakteristikë strukturore, e qartë, e platformave të projektuara për të maksimizuar angazhimin përmes polarizimit.
Dhe ajo që po jetojmë, nuk është aq shumë një krizë e demokracisë, se sa një transformim i thellë i sferës publike.
Qytetaria dixhitale është një formë skllavërie e vullnetshme. Një nënshtrim që na paraqitet si zgjedhje, ku vetë pjesëmarrja i nënshtrohet logjikës së fitimit dhe kontrollit.
Pranimi i këtij dimensioni është thelbësor për të imagjinuar forma të rezistencës, që shkojnë përtej kritikës sterile të pushtetit teknokratik.
Alternativat teknike ekzistojnë tashmë: platforma të decentralizuara, protokolle open source, sisteme komunikimi autonome dhe të ndërlidhura. Por adoptimi i tyre i kufizuar zbulon se si problemi nuk është pikësëpari teknik.
Pengesa e vërtetë është varësia psikologjike dhe sociale që kanë krijuar platformat dominuese.
Prandaj rrugëdalja kërkon një lëvizje të dyfishtë: nga njëra anë, zhvillimin e infrastrukturave teknike alternativa, që të mishërojnë parimet e autonomisë dhe kontrollit demokratik, dhe nga ana tjetër kultivimin e formave të reja të ekologjisë mendore. / bota.al/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një përmbledhje të vizitës së saj në Washington D.C ku tha se zhvilloi një sërë takimesh.
Përveç takimeve, ajo tha ishte një nga të ftuarat kryesore në Mëngjesin e Lutjeve.
Njoftimi i plotë i Presidencës:
Përmbledhja e Vizitës në Washington, D.C.
Gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C., Presidentja Vjosa Osmani zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë dhe kongresistë amerikanë, si dhe ishte një nga të ftuarat kryesore në Mëngjesin e Lutjeve. Gjatë qëndrimit të saj në D.C., Presidentja Osmani mbajti:
• Takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono;
• Takim me Kongresistin Brian Mast, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së;
• Takim me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve;
• Takim me Kongresistin Mike Laëler;
• Fjalim kryesor në Drekën Ndërkombëtare të organizuar në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve, para mijëra pjesëmarrësve, organizuar nga Kongresi Amerikan në Washington, D.C.;
• Fjalim në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, ku ishte e ftuar nderi;
• Fjalim në darkën e Young Presidents Organization, në kuadër të Lutjeve të Mëngjesit;
• Takim me nobelistin dhe ish-Drejtorin Ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley;
• Takim me drejtues dhe ekspertë të The Heritage Foundation, një nga institutet më me ndikim në politikën publike amerikane.
Presidentja Osmani, gjithashtu mori pjesë në:
• Mëngjesin e Lutjeve, ku mbajti fjalim Presidenti Trump;
• Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill;
• Darkën hapëse të takimit të sivjetëm të Mëngjesit të Lutjeve./ KultPlus.com
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.
“Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Në Kosovë nesër do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, prej të cilave pritet të dalin institucionet e reja. Megjithatë, votimi tashmë ka nisur nëpër shtetet të ndryshme, ku kosovarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë janë duke votuar nëpër Ambasada dhe konsullata të shteteve të ndryshme, duke nisur nga SHBA e Kanada e deri në shtetet e Evropës.
KQZ ka nxjerrë të dhënat për daljen në votime të diasporës deri në orën 11:00 dhe mesatarja nga të gjitha shtetet është 21.60 %./ KultPlus.com
Njëra ndër veprat më të rëndësishme të projektit të BotimeveREA në vitin 2024, ishte libri “Dashuri në Kiev” (poezi ukrainase), përkthyer nga gjuha frënge nga shkrimtari dhe përkthyesi, Binak Kelmendi.
Botimi i këtij libri është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Në këtë këtë përzgjedhje me karakter antologjik janë përfshirë poetë të njohur të letërsisë ukrainase, si: Taras Hryhorovych Shevchenko, Pavlo Tytchyna, Olexiï Dovgyï, Dmytro Tcherednytchenko, Mykola Vingranovskyï, Léonid Davydénko, Taras Melnytchouk, Mykola Vorobïov, Raïssa Lycha, Jevhén Dorochkevytch, Vassyl Holoborodko, Viktor Kordoun, Lubov Holota, Viktor Baranov, Halyna Kyrpa, Volodymyr Barna, Stanislav Bondarenko, Natalka Bilotserkivets, Volodyslav Graban, Olexandre Balabko, Mikhailo Sydorjevskyî, Vassyl Slaptchouk, Serguiï Dziouba, Sergiï Pantiouk, Tetiana Dziouba, Ihor Pavliouk, Ivan Androussiak, Iouriï Mosenkis, Viktoria Ostach, Natalka Beltchenko, Serhiy Zhadan, Vyatcheslav Gouk, Oliana Routa, Dmytro Lazutkin, Anna Bagriana, Katerina Kalitko, Kateryna Michtchouk, Julia Musakovska, Tetyana Vynnyk, Iryna Chouvalova, Dmytro Drozdovskyï, Dmytro Tchystiak, Viatcheslav Levytskyï, Nazariï Nazarov dhe Ella Yevtushenko.
Parathënia e librit:
Lërsia ukrainase ka një traditë të gjatë që daton nga shekulli XI-të. Në Ukrainë, poezia jeton në një larmi stilesh, duke filluar ngarimat te vargjet e lira. Trazirat politike të vendit në dekadat e fundit (nga revolucioni Maidan te aneksimi i Krimesë nga Rusia, te lufta në Donbas) kishin çuar në shfaqjen e një poezie të guximshme dhe drejtpërdrejt politike, me lexime dhe shfaqjeshpesh të ndjekura mirë.
Pas agresionit të Rusisë në këtë të shtet të pavarur, në shkurt të vitit 2022, letërsia ukrainase, sidomos poezia e saj, dominoi nëpër letërsi të ndryshme të botës. Për një periudhë të shkurtër u botuan poezi e antologji poetësh nga ky vend. Natyrisht nuk mungoi as përkthimi i prozës.
Një nga poetët më të njohur ukrainas është, Taras Shevchenko, i shekullit të XIX-të, i cili filloi me poezi lirike romantike, përpara se të kalonte te poezitë më të errëta për historinë e Ukrainës. Poezia dhe historia janë ende të lidhura ngushtë në Ukrainën bashkëkohore.
Në këtë përmbledhje, që e quajtëm “Dashuri në Kiev”, sipas titullit të një poezie, janë përfshirë poetë të disa brezave nga kyvend. Në fakt, dominojnë poezitë e dashurisë që gjithmonë ndërlidhen edhe me dashurinë e madhe për atdheun.
Në këtë përzgjedhje janë përfshirë poetë nga shekulli XIX deri në shekullin XXI.
Librin “Dashuri në Kiev” (poezi ukrainase), mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë.
Shënime për përkthyesin:
Binak Kelmendi (1950), është shkrimtar, përkthyes, publicist.Ka botuar romanet: “Vezët e Vdekjes” (Dukagjini, 2001), “Gurii Vashës” (KOHA, 2012), “Portat e Pejës” (KOHA, 2015), shpërblimi “Rexhai Surroi” për romanin e vitit 2014, “Rruga 66” (PEN Qendra e Kosovës, 2018) dhe “Demë Dedë Boga” (KOHA, 2023) si dhe përmbledhjet me tregime “Rozafa” (Rilindja, 1990), “Ofelia e Dukagjinit” (Rozafa, 2004), “Dritat e Luftës” (PEN Qendra e Kosovës, 2020), “Lexuesit e kartëmortaleve” (REA, 2023), librin me poezi ”Jeta ime” (PEN Qendra e Kosovës,2024).
Kelmendi nga gjuha franceze në gjuhën shqipe ka sjellë këta tituj: “Mirëdita Pikëllim”, Françoise Sagan, (botuar në “Romani i Rilindjes”, në vazhdime – 1978), “Dashnori”, Marguerite Durras, (Edicioni “Rilindja”- 1988) “Ilirja”, Flora Dosen,(“Romani i Rilindjes” dhe botimet “Rilindja” (1988) “Hajni dhe qentë”, Nagib Mahfuz, (“Romani i Rilindjes”,1989), “Kosova: Rrëfime për ndërtimin e një shteti”, SébastienGricourt e Gilles Pernet, (KOHA, 2014)), “NN – Kronikakosovare”, Stéphane Vanderveken, (KOHA, 2023), “Dashuri nëKiev” (poezi nga autorë ukrainas, “REA”, 2024), vepra për fëmijë e të rritur si dhe tregime e poezi nga periodiku francez i kohës.
Ka punuar në gazetën “Rilindja”, kryeredaktor i së cilës ka qenë për botimin në Perëndim në periudhën 1992-1996 si dhe kryeredaktor i botimit të saj në Prishtinë në periudhën nëntor 1998-mars 1999.
Në këtë kohë, lufte, nga 22 shkurt deri më 24 mars, udhëhoqi botimin e gazetës “Rilindja” të ndaluar nga regjimi i Beogradit nga viti 1990. Ka punuar edhe në “Koha” dhe në “Zëri”.
Është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./ KultPlus.com
Liqeni i Butrintit në jug të Shqipërisë, i cili shtrihet përgjatë bregut të detit Jon është krahasuar me Maldivet nga turistët – falë ujërave të tij mahnitëse bruz, plazheve me rërë të bardhë dhe klimës së ngrohtë të verës, shkruan Rom Preston-Ellis në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Ndërsa destinacionet klasike të pushimeve në Evropë po bëhen gjithnjë e më të mbipopulluara këtë verë, turistët janë në kërkim të vendeve më të qeta.
Butrinti në qarkun e Vlorës, Shqipëri plotëson të gjitha kërkesat për një arratisje ëndrrash – me motin e tij të mrekullueshëm, ujërat bruz të pastra kristal dhe rrënojat e lashta romake.
Madje, shumë ekspertë të udhëtimeve e kanë krahasuar me Maldivet – falë peizazhit mahnitës të detit, plazheve me rërë të bardhë dhe klimës së ngrohtë.
Gjatë vizitës në Butrint mund të shijoni shtigjet e natyrës, eksploroni historinë dhe përvojën thelbësore të pushimeve në plazh.
Parku Kombëtar i Butrintit i listuar në UNESCO shtrihet në një sipërfaqe prej 9,424 hektarësh me peizazhe të ndryshme, duke përfshirë kodra, liqene, ligatina dhe këneta të kripura.
Ky park është shtëpia e qytetit historik të Butrintit, i cili ka përjetuar banim të vazhdueshëm që nga kohërat parahistorike përmes sundimit grek, romak, bizantin dhe venecian.
E kaluara e pasur e zonës shfaqet përmes grupit të saj të relikeve të mirëmbajtura që datojnë nga shekujt IV deri në XIX, një teatër, kisha, vila, kulla dhe bazilika. Parku Kombëtar i Butrintit është një thesar kulturor.
Vizitorët mund të shijojnë shkëlqimin natyror, të mrekullohen me rrënojat e lashta, të eksplorojnë kalanë dhe madje të hipin në një traget për të shkuar në një kështjellë të çuditshme veneciane përtej Kanalit të Vivarit, ku ndodhen shumë ndërtesa romake dhe otomane.
Turistët që planifikojnë një vizitë në Butrint, mund të akomodohen në “Hotel Livia” – me çmime që fillojnë nga 39 paund nata.
Gjithashtu, pushuesit mund të zgjedhin të qëndrojnë në Sarandë, një qytet piktoresk turistik vetëm 30 minuta larg me makinë, i njohur për gjirin e tij mahnitës, plazhet me rërë, shëtitoren magjepsëse dhe kalanë historike të shekullit XVI.
Saranda krenohet me një sërë opsionesh akomodimi – që u përshtaten të gjitha buxheteve – të gjitha me çmime të shkëlqyera në krahasim me vendet e tjera të njohura turistike.
Përveç përballueshmërisë së saj, Saranda shënon gjithashtu rezultate të larta për aksesueshmërinë.
Turistët britanikë mund të rezervojnë fluturime buxhetore drejt Tiranës ose Korfuz – pasi mund të arrijnë lehtësisht në Sarandë, me autobus ose traget./ KultPlus.com
Në qytetin e Durrësit u hap ekspozita “Asnjëherë Dhunë”, e cila vjen në gjuhën shqipe me mbështetjen e projektit të Këshillit të Evropës, “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ishte e pranishme në çeljen e kësaj ekspozite, ndërsa thotë se ky projekt synon të promovojë vlerat demokratike, të fuqizojë arsimin qytetar dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi të drejtat e fëmijëve duke kontribuar në mbrojtjen e tyre nga çdo formë e dhunës.
“Ekspozita i drejtohet nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të përfshirë në projekt dhe jo vetëm, si dhe synon ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve. Mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi bashkia e Durrësit do të vijojë ta ketë prioritet të punës dhe gjithë përpjekjeve për edukimin e brezit të ri për një shoqëri të drejtë e të paqtë”, shprehet Sako në një postim në rrjetet sociale.
E konceptuar nga Instituti Suedez dhe e frymëzuar nga fjalimi i shkrimtares së njohur për fëmijë Astrid Lindgren, ekspozita përçon mesazhe të fuqishme kundër dhunës përmes një kombinimi të teksteve dhe ilustrimeve frymëzuese./ KultPlus.com
Ka një ngjashmëri tematike midis veprës së shkrimtarit të madh Markez “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar” dhe veprës së ambasadorit William G. Walker “Reçak – historia e një krimi”, ndonëse e para, vrasja e një arabi në një ambient katolik të Amerikës Latine shfaqet ngjarje e imagjinuar, ndërsa kronika e Walkerit – shfaqet si dokument autentik i një krimi lufte, në një katund të Kosovës, të quajtur Reçak, të kryer nga forcat policore jugosllave më 15 janar të vitit 1999.
Ndonëse përmasat e krimit imagjinar te vepra e Markezit sillen rreth një arabi, që duhet të vritet pse është arab i vyeshëm dhe tejet i ndërgjegjshëm midis fanatikëve katolikë latinomerikanë, janë individuale, ndërsa ato në Reçak janë të përmasave kolektive (vriten 45 persona shumica të moshuar, gra dhe fëmijë) dhe të kryera nga forcat e policisë jugosllave, që të dy krimet kanë të përbashkët urrejtjen deri në shfarosje.
Referimi veprës së Markezit në raport me atë të një dokumentari të shkruar nga ambasadori William G. Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues në Kosovë (KVD) me mandatin e OSBE-së rreth një krimi të paralajmëruar në rrafshin imagjinativ dhe në atë dokumentar, lidhet me analogjinë e ngritjes së historisë së një krimi në përmasat botërore, madje edhe universale nga shkaku se ato ndodhin të paralajmëruara dhe të papenguara, sy botës, siç ndodh me vrasja imagjinare të arabit dhe me atë të banorëve shqiptarë të katundit malor të Reçakut.
Vrasja imagjinare e arabit të Markezit dhe ajo reale e katundarëve të Reçakut, megjithatë marrin epilogje të kundërta. Nëse në prozën e Markezit, vrasësi kryen një krim pa dënim, tek vrasja reale, ajo e Reçakut, krimi, megjithatë merr dënimin. Dhe ky dënim, vjen nga bashkësia ndërkombëtare, nga vendet e NATO-s, të drejtuara nga SHBA-të, të cilat, ndaj krimeve të luftës të soditëses së Milloshevqit nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, më në fund, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 përdorin bombat, me çka Kosova çlirohet na Serbia dhe vihet përkohësisht nën administrimin ndërkombëtar.
Në të vërtetë, historia e bombave që do të hedhen ndaj forcave policorë dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe në disa pjesë të Serbisë, casus bellin e ka tek masakra e Reçakut, me të cilën duhej t’i jepej fund një lufte që kishte vu në shënjestër shfarosjen e një popullate me mjetet e luftës, siç ishte ajo e Kosovës. Leximi me vëmendje i rrëfimit të ambasadorit Walker rreth ngjarjeve që i paraprinë masakrës së Reçakut si dhe gjatë masakrës kur ai pa hezituar, pra pa pritur ekspertizat dhe veprimet tjera, më 16 janar, në konferencë për shtyp ngjarjen e Reçakut e kishte vlerësuar krim lufte, ishin thirrje NATO-s për bombardim. Kjo shihet nga biseda e ambasadorit Walker me sekretarin gjeneral të NATO-s Solanën dhe zonjën Olbrajt, kur thotë “bombardim”!
I gjithë rrëfimi dokumentar i Walkerit në libër që mund të thuhet se mbështetet mbi kërkesën-klithmë “Bombardim”, në ato dy javë dramatike, paraqet përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, por mbi të gjitha moral, të një misionari, i cili është i vetëdijshëm se nëse Millosheviqi, këtë herë, do të shpëtonte pa bomba, atëherë, ai do të vazhdonte zbatimin e planit të tij për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike, me çka sendërtohej njëra ndër pikat kryesore të projekteve hegjemoniste serbomëdha të filluara me “Naçertanjen” dhe të vazhduara me Memorandumin e Çubrilloviqit dhe atë të fundit të Qosiqit nga vitit 1986 nën firmën e Akademisë Serbe dhe Arteve dhe të Shkencave në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe. “Megjithatë, kjo masakër, ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan , u kthye në një pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi.” Për Walkerin, “ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në Konferencën e Rambujesë”, por kur “të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes së NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një Srebrebicë dhe shumë Reçake të tjera”.
Sipas Walkerit, koha nga kërcënimi ndërkombëtar MIlosheviqit, Rambujeja e deri tek bombardimet, nxori në pah edhe faktorët që ishin frenues përbrenda misionit verifikues që ai e drejtonte. Ndër ta, përmendet ndihmësi i tij, francezi Keller, i cili, gjatë gjithë kohës përpuqej që të minimizonte veprimet luftarake të policisë serbe dhe të paraqiste UÇK-në si nxitëse të luftës, meqë sipas francezit UÇK-ja provokonte. Ajo që paraqet kulmin e veprimeve proserbe të francezit Keller, lidhet me atë se ai ishte kundër vlerësimit të Walkerit që e dha në konferencën për shtyp më 16 janar kur masakrën e Reçakut e quajti “krim kundër njerëzimit të ushtruar nga forcat policore jugosllave”. Sipas Walkerit, Kelleri, kërkonte që të pritej vlerësimi i hetuesve jugosllavë dhe autopsia, gjë që ato kishin për qëllim që masakra të vlerësohej si konflikt midis forcave policore jugosllave dhe pjesëtarëve të UÇK-së, të provokuar nga UÇK-ja, dy ditë më parë me vrasjen e tre policëve afër Shtimjes.
Duke iu referuar mosmarrëveshjeve me francezin Keller rreth vlerësimeve në konferencën për shtyp pa ekspertizë dhe qëndrimin e gjykatës jugosllave për ngjarjen, që dihej se si do të ishin, pra në përputhje me direktivat e Millosheviqit se Reçaku ka qenë “përgjigje nga provokimet e terroristëve të UÇK-së”, Walker thotë se “kure përshkrova masakrën në Reçak si një krim kundër njerëzimit, thjesht po bëja detyrën time si drejtues i misionit më të madh në terren të OSBE-së, me një mandat për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe civile të popullsisë së Kosovës. Nëse nuk do të kisha folur përballë një mizorie kaq flagrante, atëherë cili është qëllimi i një misioni të tillë? Kur përballesh me një njeri si Millosheviqi, ishte e domosdoshme që asnjë sfidë të mos lihej pa përgjigje. Të kthesh shikimin nga ana tjetër, të pranosh shpjegime absurde për aktet e tmerrshme të njerëzve të tij, të dukesh i pavendosur për të reaguar shpejt dhe me forcë, do të interpretohej si dobësi dhe mundësi vendosmërie. Kjo do të kishte inkurajuar sjelljen më të keqe”.
Në fund, mund të thuhet pa hezitim, se libri i Walkerit “Reçaku – historia e një krimi lufte”, i botuar çerek shekulli pas ndodhjes së kësaj masakre, paraqet një dëshmi ndër më autentiket e krimeve të organizuar të forcave policore dhe ushtarake jugosllave që kishin për qëllim ta finalizonin spastrimin etnik të Kosovës e me këtë ta legjitimonin ndërkombëtarisht një krim të paralajmëruar, të ngjashëm me atë të prozës së Markezit. Ishte fat, që në krye të një misioni ndërkombëtar në ato rrethana tejet kritike, u gjend një William G. Walker, që detyrimeve profesionale që kishte ua atribuoi aspektin moral, që rëndom politika e përjashton.
William G. Walker: “Reçak – historia e një krimi”, botoi “Dukagjini”, Prishtinë, 2024, faqe 376./ KultPlus.com
Arti i humbjes s‘është vështirë për t’u zotëruar Kaq shumë gjëra janë të mbushura me qëllimin për t’u humbur Sa që humbja e tyre s’është fatkeqësi.
Humbni diçka çdo ditë. Pranoni acarimin e çelësave të humbur, ose të orës së shkuar kot arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar
pastaj praktikoni humbjen e largët, humbjen e shpejt shtigjet dhe emrat, edhe vendet që donit t’i vizitonit asnjë nga këto s’do të sjellë fatkeqësi.
Kam humbur orën e mamasë, dhe shih, E fundit apo thuajse e fundit tri shtëpi më shkuan Arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar.
Kam humbur dy qytete, të bukura, të mëdha Ca toka që zotëroja, dy lumenj, një kontinent Më mungojnë, por nuk ishte ndonjë fatkeqësi.
–Edhe humbja jote (zëri, gjestet që i dashuroja) Nuk do gënjej. Është e qartë! Arti i humbjes s’është aq i vështirë për t’u zotëruar Ndonëse duket i tillë (shkruaje) sikur të ishte ashtu./KultPlus.com
Qyteti antik i Amantias, Monument Kulture, pret e përcjell vizitorë vendas e të huaj të ardhur enkas për të zbuluar artin e ndërtimit të qytetërimit ilir.
Muret fortifikuese të Amantias ofrojnë një pamje mbresëlënëse të inxhinierisë dhe arkitekturës ilire nga shekulli IV para Krishtit.
Ato janë ndërtuar me gurë të punuar, duke përdorur forma poligonale, paralelopipede dhe trapezoidale, të lidhura ndërmjet tyre pa përdorur material ngjitës.
Muret mbështeten në shkëmbinj të prerë, të cilët shërbejnë si bazë për ndërtimin e strukturës, duke i dhënë fortifikimit një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Disa pjesë të mureve përmbajnë blloqe guri deri në 2,60 m të gjatë, që forcojnë edhe më shumë ndërtimin.
Për të rritur stabilitetin, muret janë mbështetur nga kontraforte, duke shfrytëzuar terrenin natyror dhe duke siguruar mbrojtje maksimale. Disa nga portat e akropolit kanë hark të rremë, një element karakteristik i periudhës.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, e cila kujdeset për këtë Monument Kulture, fton të vizitohet Amantia për të parë nga afër këtë kryevepër të qytetërimit ilir, ku herë pas here kryhen ekspedita dhe arkeologët kanë ende se ç’të zbulojnë nga nëntoka e pasur e saj./ KultPlus.com
Elizabeth Bishop lindi më 8 shkurt të vitit 1911 dhe vdiq më 6 tetor 1979. Ajo ishte poete amerikane dhe shkrimtare e tregimeve të shkurtra. Është fituese e çmimit ‘Pulitzer’ për poezinë në 1956, fitoi çmimin Kombëtar të Librit në 1970, dhe është fituese e Çmimit Ndërkombëtar të Neustadt për Letërsinë në 1976, transmeton KultPlus.
Disa nga librat e saj më të njohur janë:
“In the Waiting Room”
“Në dhomën e pritjes” (“In the Waiting Room”) shkruar në 1976, Bishop trajtoi temën e ndjekjes për identitet dhe individualitet brenda një shoqërie të larmishme si një vajzë shtatëvjeçare që jetonte në Worcester, Massachusetts gjatë Luftës së Parë Botërore.
“First Death in Nova Scotia”
Poema e Bishop “Vdekja e parë në Nova Scotia” (“First Death in Nova Scotia”), e botuar për herë të parë në 1965, në këtë vepër paraqitet ngjarja e vdekjes së kushëririt së saj Arturo, e gjithë ngjarja transmetohet përmes këndvështrimit të një fëmije. Poema thekson se edhe pse i ri dhe naiv fëmija ka një vetëdije instiktive për ndikimin e rëndë të vdekjes.
“Sestina”
“Sestina”, botuar më 1965, përshkruan një përvojë të jetës reale. Pas vdekjes së babait të saj kur ajo ishte foshnjë dhe pas krizës nervore të nënës së saj kur ishte pesë vjeç, poema e Bishop shënon përvojën e saj pasi ajo ka shkuar të jetojë me të afërmit. Stili i poezisë së saj, ‘sestina’, është një stil poezie i krijuar nga Arnaut Daniel në shekullin e 12 -të, u përqendrua në theksimet e përfundimit të fjalëve në secilën rresht, duke i dhënë poezisë një ndjenjë të formës dhe modelit. Bishop është e njohur gjerësisht për aftësinë e saj në formatin ‘sestina’. / KultPlus.com
Diaspora e Kosovës sot nis votimin për zgjedhjet nacionale.
Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00 e mëngjesit dhe mbyllen në ora 19:00.
“Më 8 shkurt është mundësia juaj të kontribuoni drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës. Votimi jashtë vendit do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, sipas orës lokale, në përfaqësitë diplomatike ku jeni regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së./ KultPlus.com
Poezi nga Tove Ditlevsen (Përktheu në shqip Juljana Mehmeti)
Ekzistojnë dy burra në botë, që vazhdimisht rrugën time kryqëzojnë, njëri është ai që dua, tjetri ai që më do.
Njëri është ëndërr e natës dhe jeton në mendjen time të errët, tjetri është në portën e zemrës, të cilën unë kurrë nuk ia hap.
Njëri më dha një puhizë pranverore lumturi që zhdukej menjëherë, tjetri më dha tërë jetën e tij dhe kurrë s’u shpërblye as për një orë të vetme.
Njëri fërgëllon nga kënga e gjakut ku dashuria është e pastër dhe e lirë, tjetri ka të bëjë me ditën e trishtë në të cilën të gjitha ëndrrat mbyten.
Ç’do grua qëndron midis këtyre të dyve, e dashuruar, e dashur dhe e dlirë … një herë në njëqind vjet mund të ndodhë të shkrihen të dy në një./ KultPlus.com