Albulena Kryeziu: Kudo që kam ushtruar profesionin ka qenë një kënaqësi shpirtërore

Uranik Emini

Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.

E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.

E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.

“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.

Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.

“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.

Përballja me pandeminë

“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.

Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.

“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.

E “ardhmja”

“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.

Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com

Aktorja kosovare me set fotografish nga Shenoll Zehri (FOTO)

Aktroja e njohur kosovare Albulena Kryeziu Bokshi, ka realizuar një fotosesion mjaft tërheqës me fotografin Shenoll Zehri, shkruan KultPlus.

Fotografitë që janë vetëm bardh e zi sjellin një pamje të mrekullueshme të aktores e cila tashmë është shumë aktive me rolet e saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku është edhe pjesë e trupës rezidente të këtij institucioni.

Po i sjellim fotografitë të realizuara nga fotografi Shenoll Zehri./ KultPlus.com





“Eshtrat që vijnë vonë” nga Kosova, çmendin mediet maqedonase, e quajnë skandaloze mesazhin e shfaqjes për një Shqipëri të Madhe

“Fillim skandaloz i festivalit “Risto Shishkov”, në Strumicë të Maqedonisë, që është hapur zyrtarisht në mbrëmjen e së premtes, ku ky festival është hapur me shfaqjen nga Kosova, të cilët kanë shpërfaqë idenë e Shqipërisë së Madhe, nëpërmjet shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë””, kështu shkruajnë mediet maqedonase, duke e vlerësuar si një skandal të madh këtë temë të trajtuar në këtë festival, duke kujtuar se kjo shfaqje është përcjellë edhe nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pikërisht në ditën e pavarësisë së Maqedonisë, përcjellë KultPlus.

“Dhe gjithcka do të ishte në rregull, nëse trupa nga Kosova nuk do të fuqizonte idenë e Shqipërisë së Madhe, e cila mbulon edhe territorin e Maqedonisë”, shkruan Kurir.

Poashtu Kurir ka shkruar se pikërisht nga këto provokime etnike dhe nacionaliste, në mënyrë demostrative salla e teatrit është zbrazur, kurse po sipas këtij mediumi, kryeministri Zaev dhe kryetari i Komunës së Strumicës Kostadin Kostadinov kishin qëndruar deri në fund.

Kurse Albulena Kryeziu Bokshi që është pjesë e kësaj shfaqje ka thënë për KultPlus se publiku e ka përcjellë shfaqjen, përpos disa personave që e kanë lëshuar sallën. “Dhe publiku na ka duartrokitur në fund, madje me duartrokitje na kanë kthyer edhe njëherë në skenë për tu përshëndetur”, ka thënë Kryeziu Bokshi.

Shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit dhe regji të maqedonasit Martin Koçovski flet për identitetin. “Kjo është shumë interesante sidomos për kosovarët. Shfaqja jonë shkon një hap më tej. Bëhen pyetjet për gjenezën e popullit shqiptar në këtë kontinent e më gjerë. Ka shumë pyetje dhe në mes tyre janë religjioni, territori e gjërat që ndodhin. Nuk jepen përgjigje. Por besoj se secili do të ketë përgjigje individuale”, pat thënë në një konferëncë më të hershme regjisori i kësaj shfaqje Koçovski.

Pjesë e kastës së aktorëve janë Bajrush Mjaku, Astrit Kabashi, Adrian Morina, Shkëlzen Veseli, Lumnije Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku e Bujar Ahmeti./KultPlus.com

Shoqata e re e Regjisorëve përçan artistet, komente të ndryshme në rrjete sociale

Një shoqatë e re e cila dje iu shtua komunitetit kulturor në Kosovë duket se u bë sebep që një debat në rrjetet sociale shpesh edhe të eskalonte.

Jo rastësisht të përfshirë në debat, me komentet e tyre janë disa prej figurave që kanë disa projekte artistike dhe konsiderohen pjesë e artistëve në Kosovë.

Bëhet fjalë për një postim të Flutra Zymit – një regjisore e cila dje, pasi u formua Shoqata e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës, shkroi një status në llogarinë e saj në Facebook me këtë mbishkrim:

“Bravo Teatrit Kombetar per ndryshimet qe i ka sjell kete vit……e shihni keta njerez kur dikur dy here ne vit merrnin te holla nga ju…..nuk kishin nevoje per shoqate po te njejtit regjisor……po pra duhet zingjirte nese jo mi kpute me i livrit kapak 😉 😜 ose po duhet me ateru a aderu qysh po i thojnë ”

Postimit më pas i ka pasuar një debat ku janë përfshirë aktorja Albulena Kryeziu Bokshi, regjisorja Burbuqe Berisha dhe regjisori Ilir Bokshi.

Në fotografitë poashtu mund të shihni pak nga debati i zhvilluar, ku nuk kanë munguar edhe fjalë që nuk i takojnë një diskursi artistik e as që duhet thënë nga personat që punojnë në botën e artit dhe kulturës.

Në këtë link mund të lexoni më shumë mbi Shoqatën në fjalë, e cila është nismë e re e krijuar nga disa artistë të teatrit nga vendi. / KultPlus.com