Filmi ‘Arbëria’, kushtuar kulturës Italo-Shqiptare, tashmë edhe online në Vimeo

Historia e komunitetit të shqiptarëve arbëreshë në Itali, lidhjet e tyre të forta me origjinën, traditat e kulturën që për gati 6 shekuj i mban të bashkuar me njëri-tjetrin në jetën e tyre të zakonshme në disa qyteze të vogla në jug të Italisë, është rrëfyer në një film kinematografik me metrazh të gjatë me titullin “Arbëria”.

Filmi është shfaqur në sallat kinematografike italiane në territorin e rajonit të Kalabrisë edhe është pritur mjaft mirë nga publiku.

Por, pas kërkesës së njerëzve, filmi “Arbëria” tashmë vjen edhe online në Vimeo për të gjithë ata që duan ta shohin.

Në këtë kohë izolimi, mënyra më e mirë është të kalosh kohën duke parë një film të tillë ku përthekohen tinguj e ngjyra të një prej kulturave më të pasura dhe më të bukura në botë.

“Arbëria” është  realizuar nga skenaristja e regjisorja me origjinë kalabreze Francesca Olivieri, e cila jeton në  Francë dhe është prodhuar nga shtëpia kinematografike Open Fields Production në bashkëpunim Lucana Film Commision, Calabria Film Commision, Ministria italiane e Kulturës e nga Enti Publik i shoqatës së autorëve e botuesve italianë.

Në qendër të këtij filmi është historia e Aidës, një stiliste e suksesshme mode e cila jeton prej vitesh në një qytet metropolitan evropian. Aida me origjinë arbëreshe e lindur dhe e rritur në qytezën e vogël Shën Katerina Arbëreshe, e pozicionuar mes Calabrisë dhe rajonit të Basilicatës, pas vdekjes së babait të saj rikthehet në vendlindje.

Në një takim brezash ekskluzivisht femëror (nga e mbesa tashmë adoleshente të cilën e kishte lënë të sapolindur e deri tek halla e moshuar) Aida zbulon vetëdijen e përkatësisë së saj arbëreshe, krenarinë e harruar e përmes një udhëtimi në vendet e kujtimeve fëminore, gjen gjuhën, traditat e atmosferën e madhështisë së kulturës arbëreshe.

Roli i Aidës interpretohet nga artistja nga Roma por me origjinë kalabreze, Caterina Misasi, e njohur në interpretimin e disa filmave si “100 vitrinat”, “Një mjek në familje”, etj.

Në kastin e aktorëve merr pjesë dhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, këngëtarja e njohur arbëreshe Anna Stratigo etj. / KultPlus.com

Në “Dea Open Air 6”, publiku vlerësoi filmin arbresh “Arbëria”

Në “Dea Open Air 6” çmimi i publikut shkoi për një film ndryshe, të parin në gjuhën arbëreshe dhe që quhet “Arbëria”.

Regjisorja e re kalabreze Francesca Olivieri, deshi t’i sjellë publikut një film që heton lidhjet e forta të trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe që ende mbijetojnë në disa fshatra të Kalabrisë.

Filmi trajton, nëpërmjet protagonistes Aidës, një kulturë që rrezikon të zhduket në peshën e një kulture globale homologe.

“Është i pari film fiction në gjuhën arbëreshe. U  ndjemë të mirëpritur. Fituam çmimin e publikut dhe jemi shumë të lumtur të kthehemi në Itali me të. Për ne ishte një etapë thelbësore për shpërndarjen e filmit , që shpresojmë që së shpejti të shihet në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit”, tha regjisorja Francesca Olivieri.

Konflikti i vjetër sa jeta mes traditës dhe modernitetit bëhet e dukshme në një zonë gjeografike dhe sentimentale, në atë të Arbërisë, e cila në fakt nuk ekziston. Dhe për prodhuesit ky film nuk ka qenë një ndërmarrje e lehtë.

“Vështirësia më e madhe ishte të rikuperonim historinë, sepse arbëreshët e Italisë kanë qenë për shumë kohë të harruar. Filmi kërkoi të rikuperojë identitetin e tyre. Të ngjallë pasionin e për origjinën e tyre shqiptare”, u shpreh producenti Francesco Mollo.

Filmi do të ketë rrugëtimin në festival të tjera, duke e njohur publikun, jo vetëm me Kalabrinë, por edhe me realitetin e kinemasë kalabreze./KultPlus.com

Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri…

Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com