“Zëri i të vërtetave të dhimbshme të Kosovës”, Basha: Përjetë mirënjohës ambasadorit Walker

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e nderimit të ambasadorit William G. Walker, me titullin e “Kalorësit të Urdhërit të Flumurit” të akorduar nga Presidenti Begaj.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook” Basha shkruan se ndjehet i lumtur që ishte pjesë e ceremonisë dhe ka theksuar që shqiptarët i janë mirënjohës dhe me fat që ka kanë miq të tillë si ambasadori Walker.

Teksa ka rikujtuar masakrën e Reçakut, Basha u shpreh se Walker u shndërrua në zërin e vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira.

Postimi i Bashës:

I lumtur të isha pjesë e ceremonisë së nderimit të Ambasadorit William G. Walker, me një nga titujt më të lartë të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhërit të Flamurit” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Ne shqiptarët jemi përjetë mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker.

Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, ai u shndërrua në zërin e të vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira, çka solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe spastrimin etnik që po kryente regjimi i Milosheviçit në Kosovë.

E ndërsa përpjekjet për të barazuar viktimën me agresorin vazhdojnë nga politika e Beogradit, Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë./ KultPlus.com

Ambasadori William Walker nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Pejës

Miku i pashoq i shqiptarëve, William Walker, është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Pejës”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njofton se ambasadori amerikan, Walker, është nderuar me këtë titull, për humanizmin dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit.

Postimi i plotë nga MASHT:

“Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” ambasadorin amerikan, William Walker. Titulli i atribuohet motivacionit “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.

Në ceremoninë e nderimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se, shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë atë çfarë ka bërë ambasadori Walker për Kosovën dhe historia e popullit tonë, tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin e tij dhe për rolin e kontributin e punës së tij.

Kryeministri shtoi se deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, ambasadori Walker e meriton titullin “Doctor Honoris Causa” jo vetëm pse me nderë e ndërgjegje të lartë i ka shërbyer kauzës sonë për liri dhe drejtësi, por sepse si sot 24 vite më parë, përmes fjalëve të tij, bota e kuptoi që Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Ajo shtoi se, zëri i ambasadorit Walker i cili e tha të vërtetën, ishte kaq i rëndësishëm dhe ktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për Kosovën.

Ambasadori Walker në janar të vitit 1999 denoncoi publikisht pamjet që kishte parë në Reçak pas masakrës së kryer nga forcat serbe. Deklaratat e tij për këtë masakër bënë bujë të madhe mediatike e politike”, thuhet në postimin e tyre.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 70 mijë eurove për librin “Reçaku”, të shkruar pikërisht nga William Walker. /KultPlus.com

Ndahen 70 mijë euro për botimin e librit mbi masakrën e Reçakut nga perspektiva e William Walkerit

Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për botimin e një libri mbi masakrën e Reçakut të paraqitura nga perspektiva e ambasadorit William Walker, i cili vetëdijësoi botën për krimet serbe në fshatin Reçak.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë, ka thënë se ky libër po financohet për shkak të peshës historike që ka.

“Këtë të diel bëhen 24 vjet nga masakra e Reçakut që tmerroi dhe tronditi Kosovën, por edhe e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim-vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të memoareve të ambasadorit William Walker dhe të Masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarje. Libri do të përshkruajë ngjarjet e ndërlidhura me masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i ambasadorit Walker të treguara nga perspektiva e tij personale si shef i misionit verifikues të OSBE-së”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com

Kurti takohet me Walker, e cilëson si dëshmitar të kohës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Washington DC, me diplomatin dhe ish-shefin e Misionit të Verifikimit në Kosovë, William Walker, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në ”Facebook”, Kurti thotë se Walker duket njësoj si para 25 vjetëve.

Postimi i plotë:

“Duket gati njësoj si para 25 vjetëve kur u takuam për herë të parë në Prishtinë. Thua se është ndalur koha e tij për këtë dëshmitar të kohës sonë. Ishte kënaqësi ta takoj ambasadorin William Walker në Washington DC, të evokojmë kujtimet, të diskutojmë për të tashmen, të ndajmë shpresat dhe shqetësimet për të ardhmen. Diplomatët e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës janë miq të popujve dhe armiq të diktatorëve”, shkruan Kurti. /KultPlus.com

Walker: Sot Masakra e Reçakut ka vëmendjen e gjithë botës, për këtë kam shpresuar dhe kjo ndodhi

William Walker s’ka mundur që të udhëtojë drejt Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut. Walker përmes një video mesazhi ka thënë se i vjen shumë keq që si rezultat i pandemisë, dhe për shkak të një operacioni të vogël që ka pasur nuk ka mundur që të jetë i pranishëm në ceremoninë e sotme.

“Shpreh zhgënjimin tim që s’jam në mesin e njerëzve që përkujtojnë ngjarjet tragjike në fshatin Reçak. Kjo është shprehje e zhgënjimit që s’jam aty . Më tej kërkoj falje për arsye të njohura që është pandemia dhe COVID dhe për shkak të moshës sime, dhe për shkak të një operacioni që bëra disa javë më parë, më është dashur të kapërcej dëshirën time, dhe të flas me ju falë ndihmës së zyrës së kryeministrit”, ka thënë Walker, raporton Gazeta Express.

Walker thotë se rëndësia e Masakrës së Reçakut si një rast unik është rritur nga viti në vit.

“Reçaku zë një vend shumë të veçantë në zemrën time, dhe plotësisht i kuptoj ata që pyesin se pse Reçku është më i rëndësishëm”, ka thënë Walker.

Walker thotë se tashmë e gjitha bota ka vëmendjen kur flitet për Masakrën e Reçakut dhe thekson se kjo është ajo për të cilën kishte shpresuar të ndodhte.

Derisa kujton se si në të kaluarën kishte ngurrim nga disa ambasadorë të huaj që të merrnin pjesë në ceremoninë e përkujtimit të kësaj Masakre.

“Çdo vit ceremonia e 15 janarit është ndjekur me vëmendje të madhe, nga Kosova, diaspora dhe e gjithë bota. Kjo është ajo që kam shpresuar se do të ndodh dhe ka ndodhur. Në të kaluarën ajo që përkujtohej më 15 janar shmangej nga të tjerët, psh nga komuniteti ndërkombëtarë, disa nga ambasadat s’donin të merrnin pjesë, por kjo ka ndryshuar”, ka thënë Walker.

Walker tutje ka potencuar se asnjëherë s’do të harrojë gjithë vizitat që ka bërë në Reçak gjatë 22 viteve të kaluara dhe s’do ta harrojë asnjëherë vitin 1999 dhe se sa i dëmtuar ishte Reçaku nga ngjarjet e asaj kohe.

 Megjithatë ai thotë se ndjehet shumë i lumtur teksa sheh që gjërat në Reçak kanë ndryshuar për mirë dhe jo vetëm aty, por në gjithë Kosovën. Por shton se nuk i pëlqen fakti kur dëgjon që në Kosovë ende ka mungesë të energjisë elektrike apo që Kosova nuk e ka nën kontroll virusin.

“Reçaku tani ka ndryshuar.  Dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Kur kthehem dhe shoh progresin që është bërë dhe gjërat që po ndodhin..

Jam i pikëlluar të dëgjoj për mungesën e energjisë elektrike dhe që Kosova nuk e ka plotësisht nën kontroll virusin.  Këto gjëra më pengojnë”, ka shtuar tutje ish-diplomati amerikan.

Ai ka thënë se asnjëherë s’do ta harrojë Reçakun dhe ka premtuar se në vitin 2023 do të jetë i pranishëm në ceremoninë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut.

“Kur shoh njerëz në rrugët e Reçakut, Shtimes, Malishevës, Prishtinës. Kur shoh buzëqeshjet që rrallë i keni para më 1999 në ato ditë të këqija para ngjarjeve të vitit 1999 që sollën çlirimin e Kosovës. Kur nuk do ta harrojë çfarë Reçaku do të thotë pë rmua.  Shpresoj që viti 2022 do të sjell çlirimin nga koronavirusi, Për mua Reçaku është ngjarje unike,

Pra të gjithëve në Kosovë dhe në Reçak u uroj të gjitha të mirat për vitin e ri dhe unë do të jem aty në vitin 2023.Faliminderit që më dëgjuat”, ka thënë Walker në fund./ KultPlus.com

William Walker’s role in Kosovo

Walker që eci vetë mes kufomash të masakruara nga forcat serbe i kundërpërgjigjet Vulinit: Masakrën e Reçakut nuk mund ta mohojë askush

Ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e cilësoi të premten sërish si “trillim” masakrën e Reçakut.

Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vullin tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë, e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, u citua të ketë thënë Vullin, sipas Ministrisë së Brendshme serbe.

Sipas tij, serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.

“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne, sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vullin.

Duke e komentuar këtë deklaratë të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Walker thotë se Serbia mundohet që, përmes deklaratave të tilla, të ndërtojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë.

“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.

Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

Duke komentuar deklaratat e Vullinit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vend për mohimin e masakrës së Reçakut.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë”, thotë Stano.

Sipas tij, modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Komunës së Shtimes, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, thotë Stano.

Ai shton se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi, sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Kandiq: Strategjia e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.

“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.

Kandiq thekson se hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe organizatave ndërkombëtare, kanë konstatuar se këto pretendime nuk janë të vërteta

“Human Rights Watch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, thekson Kandiq.

Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka biseduar me dëshmitarët dhe gjetjet e këtij fondi tregojnë për pasaktësinë e pretendimit se të gjitha viktimat në Reçak kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Watch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, thotë Kandiq.

Masakra e Reçakut ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.

Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak. / KultPlus.com

Walker e quan vendim të mençur zgjedhjen e Osmanit presidente

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka uruar Vjosa Osmanin për marrjen e detyrës së presidentes.

Ai ka thënë se është i kënaqur që Osmani është zgjedhur presidente e një shteti, e një populli që atij i intereson shumë.

“Zonja President, ju keni urimet e mia më të ngrohta, më të sinqerta. Unë jam i sigurt që, nën udhëheqjen tuaj, Kosova do të shkojë në të ardhmen me gjithë besimin, respektin që përfaqëson zgjedhja juaj dhe Kosova e meriton”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se populli dhe Parlamenti i Kosovës kanë marrë një vendim të mençur. / KultPlus.com

Walker: Vuçiq e di çfarë ka ndodhur në Reçak, Kosova kurrë më pjesë e Serbisë

William Walker pak kohë më parë kishte komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kur ky i fundit kishte thënë se ai [Walker] nuk punoi për CIA-n dhe nuk ishte pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë. Ai tha se Vuçiq flet të pavërteta lidhur me masakrën e Reçakut dhe se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë, transmeton KultPlus.

Walker, në një intervistë për BBC në serbisht, kishte deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ende e përmend atë me informacion të pasaktë, të cilin Vuçiq e di se nuk është e vërtetë, “sepse ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Recçk”, dhe shton se kjo e irriton atë.

Ai e kujtonte presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si ministër të Informacionit nga Partia Radikale Serbe, Vojislav Sheshelit në regjimin e Slobodan Milosheviqit.

“Kanë kaluar njëzet vjet, dhe mund të falim dhe të harrojmë gjërat e pasakta që ata thanë për mua – Unë nuk kam punuar për CIA, nuk kam qenë pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë.

“është hipokrite që dikush nga regjimi i Milosheviqit të përmend gjenocidin dhe spastrimin etnik, duke aluduar se shqiptarët e Kosovës mund të përsërisin 17 marsin [2004], veçanërisht kur nuk ka fakte prapa pretendimit, dhe në të njëjtën kohë pretendohet se mbrojnë marrëdhënie të mira me Prishtinën”, ishte shprehur tutje ai.

“Unë mendoj se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar gjëra të vështira nën regjimin e Milosheviqit…”, kishte theksuar Walker. / KultPlus.com

Walker në mes të Washingtonit e dëgjon këngën e Reçakut (VIDEO)

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, në mes të Washingtonit po i dëgjon tingujt e këngës së Reçakut e kënduar nga vëllezërit Isufi.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar.


Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocid të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Artefakte të rëndësishme të historisë së Kosovës, u shpalosën në “Ekspozitën bazë” të Muzeut të Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot dyert e Muzeut të Kosovës po mirëprisnin përplot figura të njohura të artit dhe politikës e vizitorë të ndryshëm që kishin ardhur për të parë nga afër hapjen e “Ekspozitës bazë” të këtij muzeu, shkruan KultPlus.

Në oborrin e Muzeut të Kosovës, të gjithë kishin drejtuar sytë drejt ansamblit “Shota”, që përmes muzikës e lojës së mahnitshme vetëm e hapën shtegun e një atmosfere festive.

Kjo ekspozitë, sot u kurorëzuar pas shumë përgatitjesh. Dy katet e Muzeut të Kosovës, në çdo kënd të tij përmbanin ekspononte të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri të Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.

Ekspozita që paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend qysh herët, tashmë është në dispozicion të vizitorëve të cilët duan të vijnë ta shohin, dhe po ashtu atyre që duan të kontribuojnë më shumë në pasurimin e kësaj ekspozite. Përmes fotografive, rrobave, flamujve, relikteve, dokumenteve e shumë gjërave të tjera kjo ekspozitë portretizoi edhe gjurmët e njerëzve më të rëndësishëm politik të këtij vendi, si Ibrahim Rugova, Enver Maloku, Fehmi Agani, e deri tek figurat historike si Adem Jashari, e Isa Boletini. Po ashtu aty ishin të vendosura edhe rrobat, paisjet, armët dhe të gjitha mjetet që kishin përdorur dëshmorët e UÇK-së. Në këtë pjesë, një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve ndërkombëtar të Kosovës, ku përfshihet xhaketa e William Walker që e ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës e pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Gashi, i cili lidhur me ekspozitën tha se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për quar para këtë projekt të rëndësisë së veçantë për të kaluarën e çmuar të vendit, sepse kemi detyrim ndaj gjeneratave dhe brezave që t’ua mësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen e të kenë së çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishme të vendit në të cilin jetojnë, vendit me të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tanë!”, ka thënë ministri Gashi.

Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e MKRS-së dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ekspozita Bazë e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve tjerë. Prandaj, më lejoni që t’i falënderoj veçanërisht për detyrën komplekse, përgjegjësinë që kanë bartur dhe që do të kenë edhe më tutje. Uroj që me përgjegjësi të njëjtë dhe me angazhime të shtuara të vazhdojmë edhe më tutje, në hulumtimin, pasurimin dhe prezantimin e fondit muzeal të vendit tonë. Në këtë drejtim, mbështetja e Ministrisë së Kulturës dhe e imja si ministër në asnjë moment nuk do të mungojë”, u shpreh ndër të tjera ministri duke treguar vlerësimin për punën e madhe që është bërë në përgatitjen e ekspozitës.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës me këtë ekspozitë, Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja.

“Muzeu i Kosovës nuk është si një gazetë që e keni lexuar një herë dhe herën tjetër nuk keni përse vini sepse i keni parë. Tani Muzeu do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja dhe me interes për publikun”, u shpreh drejtori Boshtrakaj.

Në katin sipër, apo siç u quajt “Kati i Historisë”, ishte e vendosur edhe një dhomë ku ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë dhe flamujt e shteteve mike, si simbolikë falënderuese ndaj miqve e partnerëve të Kosovës. Në anën tjetër të këtij kati, ishte e vendosur një fotogaleri që pret edhe autor të tjerë ta pasurojnë këtë galeri me fotografitë e tyre. Aty, binë në sy fotografitë e Fanny Sarri, fotografes nga Selaniku e cila kishte kapur disa momente të rëndësishme të Kosovës nga viti 89’ e tutje. Me këtë rast Boshtrakaj e ftoi atë pranë të pranishmeve të ekspozitës. Ajo pati pak fjalë dhe shtoi se e gjitha është thënë përmes fotografisë.

“Fotografitë e thonë të gjithën. Keni një kulturë të madhe dhe keni bërë shumë për këtë. Ju duhet të vazhdoni ta promovoni kulturën tuaj. Fillimisht Rugova foli për kulturën këtu tani është koha juaj që t’ua dhuroni kulturën Kosovës”, ka thënë fotografja Sarri.

Në një kat më poshtë ishin vendosur disa artefakte historia fillon me neolitin e deri në mesjetë. Përveç të dhënave arkeologjike, në këtë kat ishte i vendosur edhe një projektor i cili përfshinte pesëmbëdhjetë rrëfime të njerëzve që e kujtojnë të kaluarën dhe emocionet e ditës së Pavarësisë së Kosovës. Jo vetëm kjo pjesë, por Muzeu kishte shfrytëzuar edhe këndin e shkallëve ku ishte vendosur portreti i Nënë Terezës që ishte punuar nga Saimir Straiti. E po aty poshtë qëndronte edhe një kënd për fëmijët që të vijnë në Muzeun e Kosovës, e të mund të njihen me trashëgiminë kulturore./ KultPlus.com

Xhaketa e Walker, kapela e Albright dhe motoçikleta e Adem Jasharit, pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës

Muzeu Kombëtar i Kosovës, për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të sjellë një ekspozitë më ndryshe se ekspozitat që vijnë e zënë vend për një periudhe të shkurtër brenda muzeut. Kjo ekspozitë e cila ishte planifikuar të mbahet pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të hapet për publikun në një datë tjetër, më 23 Shkurt, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ekspozita, e cila hap dyert javën tjetër për vizitorët, përmes eksponateve historike e artefakteve arkeologjike do të prek pika të rëndësishme të vendit. Përtej ekspozitës së përhershme, kjo është jo vetëm ftesë për t’u njohur me to, por është një platformë që fton të gjithë për të kontribuar drejt pasurimit të ekspozitës. Tashmë vitrinat e drunjta vetëm kanë nisur të zënë vend në të dy katet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa mediumet e reja do të jenë vetëm një format tjetër për të prezantuar historinë e rrëfimet e historisë së vendit. E veçanta e kësaj ekspozite është se një kënd i posaçëm do t’u dedikohet fëmijëve, të cilët përveç se do të njoftohen me ekspozitën e Muzeut, po ashtu përmes ekraneve të vendosura do të mund të udhëtojnë virtualisht nëpër lokalitete të rëndësishme të Kosovës.

“Medaljoni i Probit”, është një monedhë e çmueshme që do të prezantohet në Muze, e për të cilën thuhet se janë vetëm dy ekzemplarë të tillë në botë. Ndërsa në këtë ekspozitë do të prezantohet edhe një eksponat që nuk është parë më herët, që është një promenadë që quhet “Vrapuesja e Prizrenit”, origjinali i së cilës ndodhet në Muzeun e Londrës, por që një kopje e tillë në Muze ka ardhur nga ministri Memli Krasniqi. Përveç kësaj, në pjesën e eksponateve do të prezantohen edhe veshjet e personaliteteve të ndryshme që kanë lenë gjurmë në historinë e vendit. Një xhaketë e ambasadorit William Walker, e një kapelë e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, motoçikleta e komandantit legjendar, Adem Jasharit vijnë më afër se kurrë për publikun në këtë ekspozitë.

Këtë ekspozitë të përhershme, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj e quan ekspozitë bazë, pasi që e ka një strukturë por që do të plotësohet dhe do të zhvillohet edhe më tutje. Ai tha se Muzeu i Kosovës aktualisht nuk posedon materiale, fotografi të cilat mund ta përfaqësojnë plotësisht historinë e vendit. Ai thotë se kanë krijuar platforma dhe hapësira ku këto prurje, dokumente, eksponate, rrëfime të njerëzve, të qytetarëve dhe komunitetit shkencor, akademisë apo donatorëve të ndryshëm mund të prezantohen në Muzeun e Kosovës. Kjo veçmas do të jetë në pavijonin e historisë ku një hapësirë u dedikohet prezantimit të imazheve të fotografive kryesisht të periudhës së eksodit dhe jo vetëm, një pjesë e tyre do të mbeten në koleksionin e muzeut dhe këto arazhmane krijohen me emrat e autorëve.

“Pavijoni i historisë do të jetë një laborator i historisë për prurjet e njerëzve, institucioneve, dhe dokumenteve që vijnë. Qasja jonë është pak më e re se sa që jemi mësuar ta shohim në muze, nuk do të ketë rrëfim statik që do të përshkruaj periudha të ndryshme historike por do të jetë një platformë ku eksponatet e muzeut dhe prurjet e qytetarëve dhe donatorëve do të gjejnë vendin e vet”, tha Boshtrakaj për KultPlus.

Boshtrakaj tha se për Muzeun e Kosovës është shumë e rëndësishme që dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ta festojmë me një aktivitet që vitin 2018 e shënon me një konsolidim të institucioneve dhe rrëfimeve, bëhet fjalë jo vetëm që simbolikisht të festohet 17 shkurti por për të shënuar edhe vitin 2018 dhe që kujtesën tonë të fragmentuar ta përmbledhim dhe ta bëjmë pjesë të muzeut. Sipas tij këto rrëfime do të ndahen me publikun dhe gjeneratën e re dhe të përfitojmë interpretime dhe perspektiva të reja.

Për ta sjellë të tërë këtë ekspozitë kanë kontribuar një numër i madh bashkëpunëtoresh si nga jashtë dhe brenda muzeut, ndërsa për të hartuar konceptin e kësaj ekspozitë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka themeluar një grup punues të udhëhequr nga Edi Shukriu, i përbërë nga arkitektë, arkeolog, etnolog dhe artistë që kanë dhënë kontribut në bazë të fushës së tyre.
“Dua ta falënderoj komisionin e hartuar prej Ministrisë pasi që e kanë shtyrë këtë proces përpara sepse kanë qenë ndihmesë e madhe që ky projekt i ri të hyj në agjendën e prioriteteve të Ministrisë”, u shpreh drejtori Boshtrakaj për KultPlus. Për t’u njoftuar me gjithë këtë punë që po vazhdon të bëhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dyert e këtij institucioni do të hapen për të gjithë vizitorët me 23 Shkurt./KultPlus.com