‘Beteja’ ekspozita personale e Hagji Gjonit që shpërfaq ndeshjen e fronteve të luftës me skulptura në miniaturë

Vjollca Duraku

Gjashtë skulptura të ndërthurura me një fabul të thellë filozofike, prapa së cilës qëndron termi i luftës, janë paraqitur në ekspozitën e pestë personale të skulptorit Hagji Gjoni, shkruan KultPlus.

Ekspozita me theks të veçantë i është kushtuar shtetit të Ukrainës dhe vendeve të tjera të cilat aktualisht janë në luftë. Me theks të veçantë ekspozita shpreh shpirtin e ndjeshëm të artistit i cili edhe vet e kishte përjetuar luftën e Kosovës, ku me këtë rast ka marr mbi supe trajtimin e një teme të tillë dhe dërgimin e mesazheve nëpër botë brenda natyrës së humanizmit për këtë tematikë e cila rrezikon demokracinë dhe çdo gjë tjetër që përfshihet në të.

Secili punim ne thelb ka tregimin për të rënët. “Figurat e kuajve”- paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda, formulë e shtigjeve garuese apo deshifrim i të fortëve.

“Figura e qiriut”- shpreh kufijtë e dhimbjes dhe të përlotjes, ndërsa “thesi me grurë” përkon me proverbin “çka mbjellë korrë” si metaforë për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë, kurse njeriu i thjeshtë ngel me thes në shpinë si hamall.

Përderisa “Saksia” paraqet paqen, aromën, ngjyrat e dashurisë, kthesat dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë gjembor dhe hasmëritë e mëdha që janë bërë nyje barrikaduese e mendimit të lirë në etherin qiellor.

Kjo ekspozitë me mesazhe të thella për botën u shpall e hapur në ambientet e ngrohta të strehës së artit dhe kulturës shqiptare dhe asaj botërore, në KultPlus Caffe Gallery.

Kuratorja e ekspozitës dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e mediumit KultPlus në hapje të ngjarjes në fjalë tha se formati minimalist me të cilin skulptori kishte shprehur pasionin e madh për artin e kishte nxjerrë në pah edhe anën profesionale të tij.

“Pikërisht, ky format minimalist e ka nxjerrë në pah anën profesionale të Haxhiut i cili ka sjell versione të ndryshme të cilat po i shohim në këtë ekspozitë.  Gjoni dëshmoi se jo gjithmonë formatet e mëdha tregojnë profesiosnalizmin, se pikërisht këto skulptura të formatit të vogël, të punuara me aq delikatesë tregojnë për punën artistike të Gjonit. Unë jam shumë kureshtare të di se si ka për të funksionuar Haxhiu gjatë kohës sa këto skulptura do të jenë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, pasi përgjatë takimeve që i kemi pasur me të deri në realizimin e kësaj ekspozite kam parë nga afër sa shumë ishte i lidhur me punimet e tij”, u shpreh kuratorja Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti më tej u shpreh e lumtur që pikërisht KultPlus Caffe Gallery është hapësira që po prezanton këto punime kaq elegante.

“Ne jemi me fat që KultPlus Caffe Gallery po i prezanton këto skulptura kaq të veçanta, andaj ftojmë edhe ata që nuk kanë arritë të jenë sonte, të vijnë përgjatë javës dhe të shohin nga afër këto skulptura” ka përfunduar Pajaziti.

Kurse Naser Shatrolli, zyrtar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila edhe e ka përkrahur ekspozitën, tha se artisti Gjoni është unik në llojin e vet pasi është i lidhur fuqishëm shpirtërisht me skulpturën si variant i artit në përgjithësi.

“Ardiana tha me plotë të drejtë që Gjoni është i lidhur fuqishëm shpirtërisht në kuptimin e përgjithshëm me skulpturën, me gurët, me miniaturat të cilat i zgjedh në të gjitha kontitnente të botës dhe i sjell e kontekstualizon me një ide të caktuar.  Kësaj radhe ekspozita i kushtohet Ukrainës ose vendeve ku zhvillohen luftëra dhe ku ajo ndjeshmëria ndaj njeriut ose botës njerëzore është element jetik për vetë universin dhe globin. Me këtë rast e kemi nisur me atë qiriun, grurin, kuajt atë supremacionin e asaj çka quhet e fuqishme e superfuqive kur të provojnë të ndeshen është një ekspozitë që është shumë simbolike por ka brenda vetvetes, brenda strukturës shumë elemente që japin porosi për botën”, ka thënë Shatrolli.

Ai më tutje tha se veprat e Gjonit janë unike pasi është pasioni i madh i tij që bën që artisti të jetë mikroskopik deri në detajizim të skulpturave, për të paraqitur një realitet të përmasave globale me fabula në miniaturë.

“Është krijues që nuk ndihet mirë kur sheh luftëra, sepse edhe vet e ka përjetuar luftën në Kosovë, ndërsa sot po e shohim në Ukrainë dhe vende të tjera me krizë lufte. Është misioni i artistit që këto mesazhe t’i dërgoj kudo dhe unë vërtetë e përgëzoj z. Gjonin, i cili është i përkushtuar jashtë mase në këtë fushë dhe këtu e shihni një dashuri të skajshme nën punën e tij. Është mikroskopik në trajtimin e këtyre veprave këto janë vepra me të vërtetë unike dhe kështu do të ngelen” është shprehur Shatrolli.

Shatrolli më tej e falënderoi edhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajazitin për mundësinë dhe hapësirën që i jep në vazhdimësi artit dhe artistëve.

Ndërsa vetë skulptori Hagji Gjoni u shpreh falënderues për pjesëmarrjen e të gjithë artdashësve, duke i ftuar që ekspozitën ta shijonin nga afër secili në mënyrën e tij.

“Unë desha të ju falënderoj për pjesëmarrjen që keni gjetur kohë të vini në hapjen e këtij eventi. Shpresoj që puimet e mija do të ju pëlqejnë dhe ju ftoj që t’i shijoni nga afër” u shpreh artisti Gjoni.

Krejt në fund pjesëmarrësit patën mundësi që ta përgëzonin artistin për punën tij aq unike dhe të shijonin secili nga afër domethënien e veprave artistike.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. /KultPlus.com

25 vite nga beteja e Fortesës së Rahovecit, përkujtohen të rënët për liri

Sot janë bërë 25 vite kur Ushtria Çlitimtare e Kosovës ka krijuar rezistencë në fshatin Fortesë, për të ndaluar forcat serbe për të hyrë në Rahovec, datë e cila shënon edhe një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qytetit shkruan KultPlus.

 Më 18 korrik 1998, në Fortesë u krijua rezistencë në pjesën që lidh fshatin e Xërxës me Rahovecin, kundër pushtuesve serb të cilët i kishin mësyrë qytetit.

Në luftimet e ashpra, të cilat ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave serbe në Rahovec, ranë dëshmorë: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, ndërsa të lënduar mbetën Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe Smajl Latifi.

Kryetari i Komunës së Rahovecit i cili atëkohë ka qenë pjestarë i UÇK-së përmes një postimi ka përkujtuar dëshmorët dhe këtë ngjarje me peshë të madhe për Rahovecin:

18 korriku i vitit 1998 shënon njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Rahovecit. 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit që kishte mësyrë qytetin e Rahovecit ku forcat tona çlirimtare po luftonin me hordhitë serbe. Në rezistencën e Fortesës ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj.

Krimet barbare të forcave pushtuese serbe, u sfiduan heroikisht nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët më 17 korrik të atij viti, u futën në qytetin e Rahovecit dhe si nevojë e ruajtjes së pozicioneve, njësitet e UÇK-së, në mëngjesin e hershëm të 18 korrikut, i zunë pozicionet e reja në Fortesë, në të dy anët e rrugës kryesore që lidh Xërxën me Rahovecin.

Luftimet qenë të ashpra. Forcat tona ishin të pabarabarta me forcat e pushtuesve serbe që angazhuan edhe forca shtesë, ato të ushtrisë serbe. Çmimi i kësaj përpjekjeje për liri u pagua shtrenjtë, pasi që ranë tre luftëtarë të sprovuar, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, u plagosën rëndë Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe pata fatin që atë ditë të plagosem edhe unë.

Luftimet e UÇK-së në Fortesë ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Në këto luftime të përgjakshme, humbëm bashkëluftëtarë të sprovuar nëpër beteja, shumë shokë na u plagosën, disa prej tyre u zunë edhe rob, barbaria serbe vrau shumë bashkëqytetarë tanë, por luftimet e atyre ditëve të korrikut përvëlues, rezistenca e UÇK-së dhe mbështetja që i dha popull ynë në këto anë, i bëjnë nder Kosovës dhe kombit tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës, më 18 korrik 1998!

Përulemi me përkushtim para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!

Lavdi Epopesë së UÇK-së në Fortesë!/KultPlus.com

25 vite nga Beteja e Grykës së Llapushnikut

Sot, shënohet 25 vjetori i Betejës së Llapushnikut, të zhvilluar në më 7-9 maj të vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, shkruan KultPlus.

Kjo betejë zgjati tre ditë dhe konsiderohet ndër betejat më të ashpra, që është zhvilluar në kuadër të luftës së popullit shqiptarë për liri.

Beteja e Grykës së Llapushnikut, ësht një ndër ngjarjet më me rëndësi që u zhvillua në atë kohë, e cila bëri një kthesë të madhe duke e shndërruar aktivitetin e UÇK-së nga një organizim gueril në një organizim më të lartë ushtarak./KultPlus.com

24 vjet nga Beteja e Koshares, thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com

23 vjet nga “Beteja e Çabratit” ku ranë shumë dëshmorë e u ekzekutuan burra e djem

Janë bërë 23 vjet nga “Beteja e Çabratit”, e cila u zhvillua më 7, 8, dhe 9 maj.

Tre grupet dhe Shtabi i Brigadës ‘137 Gjakova’, ishin vendosur në lagjjen e Çabratit. Në orët e hershme të datës 7 maj ’99, lagjja e Çabratit në Gjakovë u rrethua nga forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe bashkë me vullnetarë rusë.

Lufta e pabarabartë sa i përket armatimit, u zhvillua thuaja se fyt më fyt, për shkak të konfiguracionit të terrenit. Në anën e luftëtarëve të lirisë ishin rreth 100 ushtarë të armatosur, e përafërsisht edhe dy herë aq ishin pa armë të cilët “shpresën” e vetme për të mbërri tek arma e kishin, nëse vritej apo plagosej ndonjë shok i tyre.

Beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes. Humbje pati në të dy anët. Luftë sporadike pati edhe me datat 8 dhe 9 maj.

Në këto luftime ranë dëshmorë:

Ahmet Gjikolli (nga Peja)
Bujar Roka
Tom Gjoka (nga fshati Dashinoc-komuna e Deçanit)
Kushtrim Hoxha (vdiq me 8 maj nga plagët)
Dashmir Krasniqi
Visar Juniku
Sefedin Xërxa
Hamëz Zymberi (vdiq me 15 maj nga plagët)
Agim Haxhiavdyli
Yllka Domi
Ilir Berisha
Taulant Nura
Ali Hoxha
Hazyr Këpuska.

Forcat serbe u hakmorrën në civilë të paarmatosur, duke ekzekutuar burra e djem që hasnin nëpër shtëpi e oborre.

Kjo është lista e civilëve të ekzekutuar:

07.05.’99

Elez Bakalli, Selim Lluhani, Tefik Lluhani, Esat Bicurri, Ferhat Bicurri, Nexhdet Bicurri, Sadri Binaku, Florim Berisha, Gëzim Berisha, Shani Luzha, Florim Luzha, Sami Luzha, Gëzim Luzha, Ylber Mejzini, Basri Nura, Halit Nura, Agim Efendija, Astrit Rexha, Kastriot Zherka, Lulzim Jaka, Halil Axhemi, Burim Bardhi, Fehmi Haxhidauti, Genc Këpuska, Ali Krypa, Ali Beqrama, Ibrahim Gojani, Ejup Huma, Faton Huma, Florent Sulejmani, Avni Shasivari, Shkëlzen Ajrani, Ganii Ibrahimi, Demush Lata, Hasan Smajli,Ramë Syla, Sokol Zenuni, Musa Binaku, Shaban Dodaj, Osman Tafa, Xhelal Sefa.

08.05.’99

Neki Pula, Megzun Boshnjaku, Halil Gashi, Faik Qava, Kujtim Nuka.

10.05,’99

Arben Gexha, Osman Haxhiavdyli, Agron Haxhiavdyli, Afrim Haxhiavdyli, Driton Lluhani, Bekim Haxhibeqiri, Dukagjin Haxhibeqiri, Edmond Haxhibeqiri, Bashkim Domi, Bardhyl Çaushi, Ylber Hoxha, Mentor Shtaloja, Avni Spasi, Islam Koci, Idriz Mehmeti, Njazi Mehmeti , Agim Berisha, Albert Berisha, Fadil Berisha, Qazim Kajdomqaj, Muhamet Dyla, Isa Lokaj, Cenë Hajdari, Afrim Dana, Labinot Dana, Luan Dana, Albert Dana, Kastriot Dana, Gëzim Dana, Agron Dana, Osman Dana, Genc Haraqija, Mehdi Haraqija, Genc Morina, Adriatik Morina, Skënder Morina, Isuf Saraqini, Agim Saraqini, Arben Saraqini, Veli Saraqini, Skifer Sharani, Valon Sharani, Visar Sharani, Isuf Sharani, Mentor Sharani, Tahir Sharani.

11.05.’99
Ramdan Dana, Shyhrete Dana.

Të dhënat nga Gurakuq Dobruna. / KultPlus.com