‘Beteja’ ekspozita personale e Hagji Gjonit që shpërfaq ndeshjen e fronteve të luftës me skulptura në miniaturë

Vjollca Duraku

Gjashtë skulptura të ndërthurura me një fabul të thellë filozofike, prapa së cilës qëndron termi i luftës, janë paraqitur në ekspozitën e pestë personale të skulptorit Hagji Gjoni, shkruan KultPlus.

Ekspozita me theks të veçantë i është kushtuar shtetit të Ukrainës dhe vendeve të tjera të cilat aktualisht janë në luftë. Me theks të veçantë ekspozita shpreh shpirtin e ndjeshëm të artistit i cili edhe vet e kishte përjetuar luftën e Kosovës, ku me këtë rast ka marr mbi supe trajtimin e një teme të tillë dhe dërgimin e mesazheve nëpër botë brenda natyrës së humanizmit për këtë tematikë e cila rrezikon demokracinë dhe çdo gjë tjetër që përfshihet në të.

Secili punim ne thelb ka tregimin për të rënët. “Figurat e kuajve”- paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda, formulë e shtigjeve garuese apo deshifrim i të fortëve.

“Figura e qiriut”- shpreh kufijtë e dhimbjes dhe të përlotjes, ndërsa “thesi me grurë” përkon me proverbin “çka mbjellë korrë” si metaforë për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë, kurse njeriu i thjeshtë ngel me thes në shpinë si hamall.

Përderisa “Saksia” paraqet paqen, aromën, ngjyrat e dashurisë, kthesat dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë gjembor dhe hasmëritë e mëdha që janë bërë nyje barrikaduese e mendimit të lirë në etherin qiellor.

Kjo ekspozitë me mesazhe të thella për botën u shpall e hapur në ambientet e ngrohta të strehës së artit dhe kulturës shqiptare dhe asaj botërore, në KultPlus Caffe Gallery.

Kuratorja e ekspozitës dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e mediumit KultPlus në hapje të ngjarjes në fjalë tha se formati minimalist me të cilin skulptori kishte shprehur pasionin e madh për artin e kishte nxjerrë në pah edhe anën profesionale të tij.

“Pikërisht, ky format minimalist e ka nxjerrë në pah anën profesionale të Haxhiut i cili ka sjell versione të ndryshme të cilat po i shohim në këtë ekspozitë.  Gjoni dëshmoi se jo gjithmonë formatet e mëdha tregojnë profesiosnalizmin, se pikërisht këto skulptura të formatit të vogël, të punuara me aq delikatesë tregojnë për punën artistike të Gjonit. Unë jam shumë kureshtare të di se si ka për të funksionuar Haxhiu gjatë kohës sa këto skulptura do të jenë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, pasi përgjatë takimeve që i kemi pasur me të deri në realizimin e kësaj ekspozite kam parë nga afër sa shumë ishte i lidhur me punimet e tij”, u shpreh kuratorja Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti më tej u shpreh e lumtur që pikërisht KultPlus Caffe Gallery është hapësira që po prezanton këto punime kaq elegante.

“Ne jemi me fat që KultPlus Caffe Gallery po i prezanton këto skulptura kaq të veçanta, andaj ftojmë edhe ata që nuk kanë arritë të jenë sonte, të vijnë përgjatë javës dhe të shohin nga afër këto skulptura” ka përfunduar Pajaziti.

Kurse Naser Shatrolli, zyrtar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila edhe e ka përkrahur ekspozitën, tha se artisti Gjoni është unik në llojin e vet pasi është i lidhur fuqishëm shpirtërisht me skulpturën si variant i artit në përgjithësi.

“Ardiana tha me plotë të drejtë që Gjoni është i lidhur fuqishëm shpirtërisht në kuptimin e përgjithshëm me skulpturën, me gurët, me miniaturat të cilat i zgjedh në të gjitha kontitnente të botës dhe i sjell e kontekstualizon me një ide të caktuar.  Kësaj radhe ekspozita i kushtohet Ukrainës ose vendeve ku zhvillohen luftëra dhe ku ajo ndjeshmëria ndaj njeriut ose botës njerëzore është element jetik për vetë universin dhe globin. Me këtë rast e kemi nisur me atë qiriun, grurin, kuajt atë supremacionin e asaj çka quhet e fuqishme e superfuqive kur të provojnë të ndeshen është një ekspozitë që është shumë simbolike por ka brenda vetvetes, brenda strukturës shumë elemente që japin porosi për botën”, ka thënë Shatrolli.

Ai më tutje tha se veprat e Gjonit janë unike pasi është pasioni i madh i tij që bën që artisti të jetë mikroskopik deri në detajizim të skulpturave, për të paraqitur një realitet të përmasave globale me fabula në miniaturë.

“Është krijues që nuk ndihet mirë kur sheh luftëra, sepse edhe vet e ka përjetuar luftën në Kosovë, ndërsa sot po e shohim në Ukrainë dhe vende të tjera me krizë lufte. Është misioni i artistit që këto mesazhe t’i dërgoj kudo dhe unë vërtetë e përgëzoj z. Gjonin, i cili është i përkushtuar jashtë mase në këtë fushë dhe këtu e shihni një dashuri të skajshme nën punën e tij. Është mikroskopik në trajtimin e këtyre veprave këto janë vepra me të vërtetë unike dhe kështu do të ngelen” është shprehur Shatrolli.

Shatrolli më tej e falënderoi edhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajazitin për mundësinë dhe hapësirën që i jep në vazhdimësi artit dhe artistëve.

Ndërsa vetë skulptori Hagji Gjoni u shpreh falënderues për pjesëmarrjen e të gjithë artdashësve, duke i ftuar që ekspozitën ta shijonin nga afër secili në mënyrën e tij.

“Unë desha të ju falënderoj për pjesëmarrjen që keni gjetur kohë të vini në hapjen e këtij eventi. Shpresoj që puimet e mija do të ju pëlqejnë dhe ju ftoj që t’i shijoni nga afër” u shpreh artisti Gjoni.

Krejt në fund pjesëmarrësit patën mundësi që ta përgëzonin artistin për punën tij aq unike dhe të shijonin secili nga afër domethënien e veprave artistike.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. /KultPlus.com