20,000 Euro donacion për kompletimin e sallës së lindjes për gratë me Covid-19

Këto kohë të paprecedent i gjejnë institucionet tona në nevojë për pajisje të ndryshme mjekësore dhe medikamente, sidomos për gratë shtatzëna, nevojë kjo e përmbushur kësaj here nga AMC në bashkëpunim me Bankën Raiffeisen në Kosovë.

32 lloje të pajisjeve dhe barërave janë dorëzuar sot në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vlerë prej rreth 20,000Euro. Të gjitha këto pajisje janë të dedikuara për kompletimin e sallës të operacionit dhe sallës të lindjes për gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19..

Prezent në dorëzimin e këtij donacioni ishin stafi i AMC-së, Zv. Ministri i Shëndetësisë Pjetër Ndou, dhe përfaqësues nga Raiffeisen Bank.

”Ne jemi jashtëzakonisht falënderues ndaj Raiffeisen Bank, të cilët çdoherë janë shprehur të gatshëm të na ndihmojnë në përmbushjen e misionit tonë. Sikurse viteve të kaluara, AMC vazhdon të qëndrojë pranë nënave dhe fëmijëve duke u munduar që me punën tonë të ndihmojmë personelin shëndetësor, që vazhdojnë të bëjnë punë të jashtëzakonshme, edhe në këto kohë shumë të vështira për sistemin shëndetësor” u deklarua Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv i fondacionit Action for Mothers and Children.

Iliriana Toci, nga Raiffeisen Bank Kosovë me rastin e donacionit tha se: ”Jemi shume te lumtur si Raiffeisen Bank Kosovë, që në vazhdimësi bashkëpunojmë me fondacionin Action for Mothers and Children, që përmes projekteve dhe donacioneve tona të qëndrojmë afër nevojave të nënave dhe fëmijëve.”

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë – Jakup Ismajli dhe Pjetër Ndou, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë, u shprehën shumë të lumtur për këtë donacion, dhe falënderuan AMC-në edhe për donacionet e tjera paraprake. / KultPlus.com

Australia jep dy milionë dollarë donacion për Libanin

Autoritetet australiane kanë njoftuar se do t’ia dhurojnë Libanit dy milionë dollarë australianë si ndihmë pas shpërthimit shkatërrues që ndodhi të martën në Bejrut, ku humbën jetën më shumë se 100 persona.

Lajmin për dhurimin e këtij donacioni e bëri të ditur ministrja australiane për Punë të Jashtme, Marise Payne, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Një milion dollarë australianë do të ndahen për Programin Botëror të Ushqimit, ndërsa një milion për Kryqin e Kuq.

Ministrja gjithashtu njoftoi se në këtë tragjedi ka humbur jetën edhe një australian, duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe miqtë.

“Zemrat tona janë me njerëzit e Libanit dhe me ata që janë të brengosur për miqtë dhe familjen”, thuhet mes tjerash në deklaratë. / KultPlus.com

“Comodita Home” ndihmon Qendrën e Studentëve me 1 mijë dyshekë dhe 5 mijë jastëkë

“Comodita Home” ka dhuruar donacion për Qendrën e Studentëve në Prishtinë, derisa tash ajo është duke u shfrytëzuar si karantinë pas shfaqjes së Koronavirusit në Kosovë.

Kësaj qendre i janë dhuruar 1 mijë dyshekë dhe 5 mijë jastëkë si donacion.

Granita Bunari Ferati nga Comodita ka treguar për KultPlus se në bashkëpunim me ministrin Arben Vitia, kanë vënë në dispozicion ndihmën e kompanisë së tyre duke i pajisur me 1.000 dyshekë, 5.000 jastëkë dhe 100.000 maska mbrojtëse për tek qendra e studentëve, që tashmë është kthyer në karantinë për të gjithë qytetarët që po rikthehen në Kosovë nga vendet jashtë shtetit.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, është shprehur falënderues për ndihmën duke shtuar se ka qenë shumë e nevojshme që të ndodhë pasi që sipas tij edhe rezervat që kanë pasur janë shpenzuar. / KultPlus.com