Superylli me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka festuar ditëlindjen e saj të 30-të duke ndarë një mesazh falënderues për fansat dhe të dashurit e saj. Në një postim emocionues, ajo tha se dekada e kaluar ka qenë plot magji, dashuri, sfida e mësime të vlefshme.
“Ky vit i fundit ka qenë më i miri deri tani. Jam pafundësisht mirënjohëse për familjen time, miqtë, partnerin dhe për çdo hap të këtij udhëtimi. Njerëzit që mbaj afër janë arritja ime më e madhe,” shkroi Dua.
Ajo falënderoi gjithashtu fansat për mbështetjen që nga koncertet e para në klube të vogla deri te stadiumet e mëdha si Wembley. “Muzika ka qenë ura që na ka lidhur, dhe çdo moment e mbaj me vete,” shtoi ajo.
Dua Lipa konfirmoi se pas pak ditësh rikthehet në turin e saj ndërkombëtar “Radical Optimism”, me koncertet që do të zhvillohen në Kanada, SHBA dhe Amerikën Latine deri në fund të vitit.
“E dua këtë jetë, këtë udhëtim, dhe nuk marr asnjë moment të mirë si të mirëqenë. Ja për 30 vitet e ardhshme e më shumë – gjithçka bëhet edhe më e bukur,” përfundoi ajo./KultPlus.com
Dua Lipa, një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop në botë, feston sot ditëlindjen e saj të 30-të, dhe urimi më i veçantë ka ardhur nga babai i saj, Dukagjin Lipa. Një figurë e njohur në industrinë kreative dhe një mbështetës i përhershëm i vajzës së tij, Dukagjini ka ndarë një mesazh emocional përmes rrjeteve sociale.
Në këtë postim prekës, Dukagjini ndau krenarinë dhe dashurinë që ndjen për vajzën e tij, duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj personal dhe profesional. Ai përshkroi momentin kur ajo hyri në jetën e tij si një pikë kthese që solli “gëzim, krenari dhe qëllim”, dhe theksoi se ta shohësh Duan të rritet si një grua e fortë, e ndjeshme dhe e suksesshme ka qenë “privilegji më i madh” i jetës së tij, transmeton KultPlus.
“Të shoh teksa rritesh në një person kaq të fortë, të mirë dhe të suksesshëm ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Udhëtimi yt, arritjet, dhe mënyra se si e mbart veten me hir dhe vendosmëri, më frymëzojnë çdo ditë. Nuk mund të jem më krenar për ty, por më shumë se suksesi yt, është zemra jote, dhembshuria, dhe dashuria që jep aq lirshëm, ato që të bëjnë vërtet të jashtëzakonshme.” – shkruan Lipa.
Në fund të urimit të tij të ndjerë, Dukagjini e përmbylli me fjalët: “Të dua më shumë se ç’mund të shprehin fjalët.” – një ndjenjë që reflekton lidhjen e thellë që ata ndajnë si baba e bijë.
Ky urim është vetëm një dëshmi tjetër e lidhjes së ngushtë familjare që Dua Lipa ruan me prindërit e saj, përtej famës dhe suksesit global. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, ajo feston jo vetëm një dekadë të re jete, por edhe rrënjët që e kanë formuar dhe mbështetjen që e ka shoqëruar në çdo hap të rrugës./KultPlus.com
“Ka disa gjëra që duhet t’i di – si nëna e tyre,” thotë Cindy Gambino në librin This House Of Grief të Helen Garner. Është një fjali që shkon drejt e në zemër të leximit të përzgjedhur nga Dua për gushtin.
Në intervistën për Service95 Book Club, Dua ndalet te rrëfimi i Helen për një krim të vërtetë që tronditi Australinë: gjyqi i Robert Farquharson, një baba i akuzuar se me qëllim e drejtoi makinën e tij drejt një rezervuar uji, duke shkaktuar vdekjen e tre djemve të tij të vegjël. This House Of Grief nuk është vetëm një rikthim në sallën e gjyqit si skenë teatri, është një reflektim mbi drejtësinë, humbjen dhe kompleksitetin e pashpjegueshëm të natyrës njerëzore, shkruan KultPlus.
Kjo është edhe ndjesia e parehatshme që libri mbart. “Njerëzit gjykojnë shumë shpejt në raste të tilla,” shpjegon Helen. “Më pas fillojnë të përdorin terma psikiatrikë si ‘psikopat’. Por kur shkon në gjyq, nuk sheh ndonjë përbindësh; sheh një njeri të thyer, dikë që ka bërë diçka të tmerrshme, që secili prej nesh mund të shtyhej ta bënte nga dhimbja e jetës.”
Në prozën e saj të kthjellët dhe plot dhembshuri, Helen e rrëfen tmerrin dhe paqartësinë e procesit gjyqësor. Ajo prek edhe peshën emocionale të të shkruarit për një histori të tillë: “Është si një thikë që të shpon vazhdimisht… dhe ti nuk di nëse je i aftë ta mbash dhe ta përcjellësh me dinjitet.”
Me This House Of Grief, Garner na fton të mos kthejmë shikimin, por të dëshmojmë jo vetëm faktet e një krimi, por edhe valët që ai krijon në jetën e të gjithëve që prek./KultPlus.com
E fejuar rishtazi dhe në kulmin e karrierës së saj, Dua Lipa nuk po ndalet së surprizuari publikun. Krahas turneut botëror me albumin “Radical Optimism”, këngëtarja shqiptare është pjesë e edicionit të shtatorit të revistës prestigjioze Harper’s Bazaar, të njohur si “Icons Issue”. Fotosesioni glamuroz është realizuar në Paris nga fotografi i njohur Anthony Seklaoui, ku Lipa shfaqet më ikonike se kurrë.
Në intervistën e saj të fundit, Lipa flet hapur për muzikën dhe jetën personale. “E dua dashurinë. Është e bukur, frymëzuese, ndonjëherë e frikshme, por unë jam gati ta përqafoj. Jam më e lumtur se kurrë,” thotë ajo, duke iu referuar romancës me aktorin britanik Callum Turner.
E lindur në Londër nga prindër kosovarë dhe e rritur mes dy kulturave, Dua Lipa është shndërruar në një nga ikonat më të rëndësishme të muzikës dhe modës botërore. Përveç muzikës që ka pushtuar listat ndërkombëtare, ajo është fytyrë e markave të mëdha si Versace, YSL Beauty, Chanel dhe tashmë konfirmon statusin e saj si një figurë globale tërësisht të kompletuar.
Edicioni i shtatorit i Harper’s Bazaar është ndër më të rëndësishmit të vitit në botën e modës, duke përzgjedhur personalitete që konsiderohen vërtet ikona të kohës sonë dhe Dua Lipa është padyshim njëra prej tyre./KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore, Katy Perry, ka bërë një koment me humor gjatë një prej koncerteve të saj në kuadër të turneut “Lifetimes Tour” në Filadelfia më 9 gusht 2025, duke përmendur këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Gjatë performancës, Perry iu drejtua audiencës, veçanërisht fansave më të rinj, me fjalët: “Ata që janë 8 vjeç e më poshtë… unë nuk jam Dua Lipa. Unë jam tezja e Dua Lipës, Katy Perry.”
Ky koment me humor vetë-ironizues u bë për të theksuar ndryshimin mes saj dhe Dua Lipës, duke treguar me ngrohtësi dallimet në moshë dhe stil mes dy artistëve.
Katy Perry e përdori këtë shaka për t’u lidhur më mirë me fansat, duke kujtuar se që nga turneu i saj i fundit ajo tashmë është bërë nënë. Baza e adhuruesve të saj kryesisht përbëhet nga adoleshentë, të njëjtën grupmoshë që dy dekada më parë ndiqnin koncertet e saj.
Kjo ndërveprim me audiencën tregon aftësinë e Perry për të ruajtur humorin dhe lidhjen me fansat edhe pas shumë viteve në industrinë muzikore./KultPlus.com
Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka nisur festimet për 30-vjetorin e saj me një udhëtim special në ishullin që ajo e quan të preferuarin e saj. Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja ka ndarë momente të lumtura me miqtë e ngushtë, duke treguar edhe fustanin elegant të krijuar posaçërisht për të nga stilisti Simon.
“Festa e hershme e ditëlindjes në ishullin tim të preferuar, me njerëzit e mi të preferuar, duke veshur fustanin më të bukur që Simon e bëri për mua… Nuk mund të pres për 30!!!”, ka shkruar ajo me entuziazëm, përcjellë KultPlus.
Fansat nga e gjithë bota kanë reaguar me urime e komente, duke shprehur gëzimin e tyre për këtë moment të veçantë në jetën e artistes./KultPlus.com
Pas performancës spektakolare në festivalin Sunny Hill në Prishtinë javën e kaluar, superylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me fansat disa momente relaksi nga bregdeti shqiptar.
Në fotot e publikuara në Instagram, ajo shfaqet me një set veror elegant në të bardhë, duke shkëlqyer nën diellin e gushtit dhe duke e shoqëruar postimin me përshkrimin: “Vitamin Sea”.
Vetëm pak ditë më parë, Dua ndezi atmosferën para mijëra adhuruesve në vendlindjen e saj, ku u prit me ovacione dhe emocione të jashtëzakonshme.
Edhe pse karriera e saj është në kulmin e suksesit ndërkombëtar, këngëtarja vazhdon të ruajë një lidhje të ngrohtë me vendin e origjinës – një arsye më shumë pse është kaq e dashur për shqiptarët kudo./KultPlus.com
Dukagjin Lipa, muzikant i njohur dhe babai i këngëtares me famë botërore Dua Lipa, ka reaguar për herë të parë lidhur me fotografinë që qarkulloi gjerësisht në rrjete sociale, ku vajza e tij shihet duke pirë cigare gjatë pushimeve.
I ftuar në emisionin “Pushime On Top”, Lipa u pyet drejtpërdrejt nëse e shqetëson kjo sjellje e vajzës së tij dhe nëse ai e konsideron të përshtatshme për një figurë publike, përcjellë KultPlus.
“Dua nuk e pinë cigaren para koncertit. As alkool nuk pinë, as cigare nuk pinë – kur jemi në turne nuk pinë. Kur është në pushim, pi”, u shpreh ai me sinqeritet.
Ai shtoi se nuk e sheh të udhës të paragjykohet një artiste për zgjedhje personale, veçanërisht kur bëhet fjalë për një person të rritur dhe të suksesshëm si Dua.
“Nuk e besoj që në shekullin 21 ka rëndësi nëse je shqiptar apo amerikan. Nëse vajza jote i ka 29-30 vjet, çfarë të drejte ke t’i thuash ‘pi’ ose ‘mos pi’?”, theksoi ai.
Kjo deklaratë vjen pas një vale reagimesh në rrjete sociale, ku fansa të ndryshëm shprehën habi apo pakënaqësi për fotot e Duas me cigare, të realizuara në mes të pushimeve që ajo po shijon ndërkohë që ndodhet në një turne botëror./KultPlus.com
Të jesh baba shqiptar dhe ta shohësh vajzën si subjekt të lirë, është një akt politik. Dukagjin Lipa nuk është thjesht menaxher i suksesit të Duas, ai është arkitekt i një modeli të ri atësie shqiptare. Në një kulturë që shpesh ndrydh, ai zgjedh të mbështesë. Dhe kjo është revolucionare.
Paris, më 3 gusht 2025
Në një kohë ku emri i Dua Lipës* ndriçon në skenat e botës, është lehtë të harrojmë se pas çdo superylli qëndron një histori e përditshme, një marrëdhënie njerëzore, një rrënjë intime. Babai i saj Dukagjin Lipa shumë i pranishëm në karrierën e saj cilësohet si menaxher brilant, si ideator strategjik i suksesit të vajzës së tij, por në disa gazeta londoneze edhe si baba patriarkal. Por për mua, ajo që Dukagjin Lipa mishëron është diçka që askush nuk guxon ta shprehë me dimensionin e saj të vërtetë, ajo që nganjëherë shkakton kundërshti : është historia e një babai shqiptar që refuzoi të ndrydhë vajzën e tij — dhe që, përmes kësaj zgjedhjeje, ka revolucionarizuar vetë idenë e atësisë shqiptare.
Shqiptarët kudo që janë — në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo mërgatë — e njohin një model atësie që është i rrënjosur thellë në ndërgjegje kolektive: babai si autoritet, babai si “koka e shtëpisë”, babai si figura që do të “ruajë” vajzën, shpesh nga vetvetja. Që në moshë të hershme, shumë vajza shqiptare e mësojnë se liria e tyre është për t’u “kontrolluar me mençuri”, se zërët e tyre duhet të jenë të butë, se trupat e tyre nuk u përkasin, ato janë pjesë e nderit të familjes.
Nuk është fjala për dhunën e hapur (edhe pse ajo ekziston), por për dhunën strukturore të përditshme — atë të heshtjes, të mosbesimit, të frikës së vazhdueshme: “Çfarë do të thotë bota?”, “Kush të pa?”, “Si u veshe?”. Në këtë mënyrë, shumë vajza nuk rriten, por ndrydhen, nuk bëhen individë, por figura që shërbejnë, që rregullojnë, që lënë mënjanë veten.
Filozofët si Michel Foucault na kanë mësuar se pushteti nuk vepron vetëm përmes ndalimit, por edhe përmes formësimit të vetëdijes. Babai tradicional shqiptar, edhe kur është i dashur, shpesh është instanca e parë që e ndrysh vajzën pasi i mëson se liria e saj është e rrezikshme.
Në këtë kontekst, Dukagjin Lipa është një “devijim” i bukur. Ai nuk e ndaloi Dua Lipën por i besoi që në moshën 12 vjeçare të studjojë e vetme në Londër larg familjes, nuk e “mbrojti” nga ekspozimi, nga dëshira për të krijuar. Përkundrazi — ai e ndihmoi ta ndërtojë këtë rrugë, jo si diktator por si një aleat i heshtur i një lirie që shkon përtej vajzës së tij. Tani ai nuk është vetëm baba, është bashkëkrijues i subjektit të saj të lirë.
Të jesh baba shqiptar dhe të mos jesh posesiv ndaj vajzës është një akt politik. Të mos ndërtosh gardh rreth ëndrrave të saj, të mos e kthesh trupin e saj në flamur morali, të mos e shohësh si pasqyrë të egos apo të krenarisë tënde, është revolucion. Dhe Dukagjin Lipa e ka bërë këtë revolucion — në heshtje, pa fjalime të mëdha, por me përkushtim të vazhdueshëm.
Kur e sheh në krah të vajzës së tij në çdo hap, nuk e sheh një burrë që kërkon vëmendje, por një prani mbështetëse, e rrallë për kulturën tonë. Ai nuk flet për të “ruajtur nderin e vajzës së vet”, por për ta ndihmuar të jetë e vetja, të guxojë, të jetë e ndërlikuar, e bukur, pa kërkuar leje.
Dukagjin Lipa është gjithashtu artist. Dhe kjo ka rëndësi. Sepse arti, ndryshe nga pushteti, kërkon bashkëkrijim, kërkon hapësirë, kërkon të dëgjosh pa të pasur frikë nga kaosi i tjetrit. Ndoshta, ky është sekreti i atësisë së tij revolucionare: ai e sheh vajzën si subjekt krijues, jo si një objekt për ta kontrolluar. Në këtë kuptim, ai është një filozof praktik i të përditshmes. Ai zgjedh të jetë baba si akt etik, jo si rol social. Ai nuk e shfrytëzon statusin e vet, por e ndan — dhe në këtë ndarje, ai e thyen formatin tradicional të atësisë shqiptare.
Çfarë është një baba i mirë? Jo ai që “sakrifikon” duke heshtur, por ai që guxon të jetë i dukshëm dhe i ndjeshëm. Jo ai që kontrollon, por ai që mbështet pa kusht. Jo ai që i mëson vajzës të ketë frikë nga jeta, por ai që i jep krahë për të fluturuar.
Figura e Dukagjin Lipës është e rëndësishme sepse ai është burrë shqiptar, baba shqiptar, dhe një model i ri që thyen format e vjetra pa i fyer ato. Ai nuk e refuzon kulturën tonë — ai e transformon atë nga brenda, me butësi, me dashuri dhe me vendosmëri.
Në një shoqëri ku shumë burra janë ose autoritarë, ose tërhiqen emocionalisht, ai zgjedh të jetë aktiv pa e zënë hapësirën e vajzës së tij. Ai është prezent, por jo hijë; mentor, por jo zotërues. Dhe kjo është rrallë.
Dukagjin Lipa është më shumë se një baba i një superylli. Ai është një shembull për çdo burrë shqiptar që dëshiron të jetë baba pa e ndrydhur vajzën në emër të dashurisë. Ky model i atësisë që ndërton dhe nuk kontrollon, që mbështet pa e penguar, u bë edhe më i dukshëm në skenën e Sunny Hill Festival, ku Dukagjin dhe Dua Lipa interpretuan së bashku këngën “ERA”. Nuk ishte vetëm një performancë artistike. Ishte një akt i ngarkuar me domethënie simbolike: një baba dhe një bijë, në skenë si të barabartë, të bashkuar në art, pa hierarki, pa censurë emocionale. Ishte një moment i rrallë, prekës dhe fuqishëm emancipues — që përmblodhi me elegancë gjithë atë çka kjo ese përpiqet të artikulojë.
Shihni vetë: Dueti ERA në Sunny Hill Festival
Ndoshta ndryshimi i madh në kulturën tonë nuk do të vijë nga ligjet, as nga reformat, por nga mënyra se si një baba sheh vajzën e tij. Nëse ajo shihet si qenie me zë, me trup, me vendime dhe të drejtë për t’i marrë ato, atëherë kemi bërë një hap drejt shoqërisë së lirë.
Dukagjin Lipa nuk është vetëm një baba që “e lejoi” vajzën të ndjekë ëndrrat — ai është një baba që ndërtoi një hapësirë ku ëndrrat e saj ishin të ligjshme, të dëgjuara, të ndjekura. Dhe në këtë proces, ai nuk ndërtoi vetëm një yll, por ndoshta frymëzon një brez të ri të baballarëve shqiptarë. Dhe disa të tillë që merren me zgjedhjet vestimentare te Duas, do të qe mirë të mësojnë nga Dukagjin Lipa.
Sepse ndonjëherë, revolucioni më i thellë ndodh në heshtje — në mënyrën si një baba zgjedh të mos e ndrydhë vajzën e vet.
Çfarë duhet të bëjë babai shqiptar për të mos e ndrydhur vajzën? Pyetja është urgjente. Sepse shumë burra shqiptarë e duan vajzën e tyre, por dashuria e tyre vjen e përzierë me frikë, kontroll dhe moralizim. Ja disa parime që mund të mësojmë nga modeli i Dukagjin Lipës:
Të heqë dorë nga ideja se vajza është simbol i moralit të tij. Ajo është individ, jo pronë e nderit familjar . Të mësojë të dëgjojë pa ndërhyrë. Pyetja “çfarë ndjen?” është më e rëndësishme se “çfarë do të thotë bota?” Të jetë i pranishëm, por jo gjykues. Të jesh aty për vajzën nuk do të thotë ta ngulfatësh me këshilla, por ta mbështesësh me qetësi. Të lejojë lirinë e saj trupore dhe emocionale. Trupi i vajzës nuk është “tokë e shenjtë” për ruajtje, por shtëpi që ajo vetë duhet ta zotërojë e ta qeverisë. Të mësojë që dështimi është pjesë e rritjes. Të mos kërkojë vajzën perfekte, por vajzën e lirë. *Dua Lipa është një vajzë e re e emancipuar dhe një model frymëzimi. Kjo ese fokusohet në një aspekt të veçantë të formimit të saj dhe i kushtohet mjedisit që e ka ndihmuar të rritet. Roli i nënës së saj është padyshim thelbësor; megjithatë, në kulturën shqiptare, është më së shpeshti figura e babait — dhe patriarkati në kuptimin më të gjerë — që përplaset me vlerat moderne. Siç e tregon edhe titulli, kjo ese është një reflektim mbi një aspekt, jo një analizë e plotë e botës së Dua Lipës./KultPlus.com
Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj Service95, ku sjell momente të veçanta nga prapaskenat e edicionit të sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, i mbajtur në Prishtinë.
Në këtë rrëfim vizual, ajo flet me emocion për rikthimin në vendlindje dhe për përgatitjet intensive që kanë paraprirë natën e parë të festivalit, ku ajo performoi para publikut vendas në një atmosferë magjike. E rrethuar nga familja dhe ekipi i saj, Dua ndan një histori personale që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë, në vitin 2016, deri te zhvillimi i një festivali me përmasa ndërkombëtare.
“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Po bëja një turne në Europë dhe mendova: nëse po performoj nëpër kontinent, patjetër duhet të kthehem edhe në shtëpi dhe të jap një koncert,” rrëfen ajo në video. “Me ndihmën e babait tim, e organizuam si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill.”
Ajo thekson se suksesi i atij eventi u kthye në shtysë për të krijuar diçka më të madhe, një festival që sot sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës botërore dhe artistë nga mbarë rajoni.
“Ishte një ide shumë e madhe, madje paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen. Donim të sillnim një imazh ndryshe për Kosovën, më pozitiv, plot jetë, kulturë dhe energji të reja.”
Videoja përfshin momente intime përpara se ajo të ngjitej në skenë: ngrohjet vokale, përgatitjet me grupin dhe atmosferën elektrizuese pas kuintave. Një nga pjesët më prekëse është kur ajo tregon për një mysafir shumë të veçantë atë mbrëmje:
“Sonte do të këndoj një këngë në shqip, dhe do të kem në skenë babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh.”
Për Duan, ky rikthim në Prishtinë është më shumë se një koncert, është një kthim në rrënjë, një “homecoming” emocional, ku ndan skenën me babanë e saj, Dukagjin Lipa, një ish-muzikant dhe një nga figurat kyçe në organizimin e festivalit.
Në fund të videos, ajo shpreh mirënjohjen për gjithçka që është arritur deri tani, me shpresën që Sunny Hill të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një pikë referimi kulturore për rajonin.
“Ka gjithmonë një energji të veçantë në Kosovë gjatë verës. Tani është edhe më shumë. Dhe unë e dua këtë, sidomos kur jam pjesë e saj me familjen time.”/Service95/KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka shpërndarë në InstaStory një postim nga faqja Eja, e cila rendit shqiptarët më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Ajo çka e bëri këtë postim edhe më të veçantë ishte fakti që shoqërohej me këngën “Houdini” të Dua Lipës, një tjetër yll shqiptar që ka arritur sukses global.
Në postimin origjinal, faqja Eja e kishte përfshirë Rita Orën në listën e 10 personaliteteve shqiptare më të ndikueshme, duke e përshkruar atë si një nga artistet më të suksesshme të muzikës ndërkombëtare, me më shumë se 10 miliardë dëgjime globale dhe një figurë të fuqishme në skenën e muzikës pop.
Ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen e ndjekësve ishte përdorimi i këngës së Dua Lipës, një zgjedhje që shumë e kanë interpretuar si një sinjal afrimi mes dy artisteve.
Pavarësisht se të dyja janë shqiptare nga Kosova dhe kanë arritur karriera të jashtëzakonshme, Rita Ora dhe Dua Lipa nuk janë parë kurrë së bashku në publik dhe kanë shmangur gjithmonë komentet për njëra-tjetrën në intervista apo në rrjetet sociale, duke shkaktuar spekulime mbi një raport të mundshëm të ftohtë mes tyre.
Megjithatë, ky veprim i Ritës shihet nga shumëkush si një hap i vogël drejt një afrimi të mundshëm. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet pozitive, ku fansat shprehen të entuziazmuar për mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm mes dy ikonave shqiptare të muzikës./KultPlus.com
Pas koncertit spektakolar në festivalin “Sunny Hill”, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa ka gjetur kohë për të vizituar muzeun “Reporting House” në Prishtinë. Ajo ishte e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili është edhe themelues i festivalit, i fejuari Callum Turner, vëllai i saj Gjin Lipa dhe pjesëtarë të tjerë të afërt.
Gjatë vizitës, ajo u prit nga producentja e muzeut Jeta Xharra, kuratori Gazmend Ejupi, gazetarja Donika Shahini dhe stafi e vullnetarët e “Reporting House”. Këngëtarja e shprehu mirënjohjen për këtë iniciativë kulturore, duke thënë: “Keni bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës në këtë muze”.
Dukagjin Lipa falënderoi organizatorët që mundësuan hapjen e muzeut përtej orarit të zakonshëm, duke theksuar se kjo vizitë u bë për të treguar respekt për punën që është bërë në ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm.
Ndërkohë, aktori Callum Turner tregoi interes të veçantë për dokumentimet filmike të trupave britanike në Kosovë gjatë ditëve të para pas hyrjes së NATO-s, kur ato kryenin kontrollin për mina nëpër rrugët e Prishtinës. Gjatë vizitës, Dua e orientonte Callumin për lagjet që shfaqeshin në pamjet e vitit 1999 të regjistruara nga BBC.
Gazetarja Donika Shahini ndau një moment të veçantë emocional, duke treguar për fletoren e ruajtur të fëmijëve të familjes Jashari, të cilën ajo e kishte shpëtuar nga rrënojat dhe e kishte ruajtur për muzeun. “Ishte mbresëlënëse se me sa interes dhe respekt Dua dhe Callum dëgjuan historinë time. Madje Callum më pyeti në detaje për rezistencën e familjes Jashari dhe për fëmijët që humbën jetën atë ditë,” tha Shahini. Ajo shtoi se e vlerëson shumë faktin që një çift kaq i njohur, pas angazhimeve me festivalin, gjeti kohë të ndalet dhe të interesohet për punën e këtij muzeu.
Jeta Xharra, bashkëthemeluese e “Reporting House”, theksoi ndikimin që festivali “Sunny Hill” ka pasur në rritjen e numrit të vizitorëve në muze. “Ka pasur një fluks të madh të njerëzve që kanë ardhur për festivalin dhe kanë vizituar muzeun. Kjo ka qenë një mundësi unike për t’u treguar historinë e Kosovës vizitorëve që ndoshta nuk do të kishin ardhur ndryshe,” u shpreh ajo.
Xharra gjithashtu vlerësoi kontributin e familjes Lipa, duke theksuar se angazhimi i tyre shkon përtej muzikës dhe argëtimit. “Ata po promovojnë një imazh të Kosovës moderne, me të rinj që janë të lidhur me rrënjët dhe historinë e tyre. Për mua ishte veçanërisht prekëse që, pavarësisht lodhjes nga festivali, gjetën kohë për të qëndruar disa orë në muze pak para nisjes së udhëtimit të tyre”, shtoi ajo.
Gjatë vizitës, Dua dhe të tjerët panë edhe ekspozitën “Fragmente të mbijetesës” të artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi, e cila aktualisht po shfaqet në galerinë e muzeut.
“Reporting House”, i hapur më 10 qershor 2024 në ish-ndërtesën e “Gërmisë” në Prishtinë, është një projekt i dedikuar për dokumentimin e punës së gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë. Gjatë muajit gusht, muzeu është i hapur për vizitorë nga e marta deri të premten prej orës 10:00 deri në 20:00, ndërsa të shtunën nga ora 10:00 deri në 18:00./KultPlus.com
Mbrëmë është përmbyllur edicioni i sivjetëm i festivalit të shumëpritur Sunny Hill Festival, përcjell KultPlus.
Këngëtarja Dua Lipa, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka falënderuar të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e këtij festivali.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e Dua Lipës:
Çfarë mënyre magjike për të mbyllur edicionin e këtij viti të Sunny Hill Festival! Jam e mbushur me mirënjohje dhe dashuri për familjen time të mrekullueshme dhe ekipet e jashtëzakonshme që dhanë shpirtin për ta kthyer këtë përvojë të paharrueshme në realitet.
Për të gjithë artistët e mrekullueshëm, ekipet e tyre dhe miqtë tanë të dashur – faleminderit që ishit aty, që ndatë energjinë tuaj dhe që e ndriçuat çdo çast bashkë me ne. Ju e bëtë Prishtinën të shkëlqejë edhe më shumë.
Dhe për fansat tanë të mrekullueshëm – WOW WOW WOW! Ju sollët dashurinë, gëzimin, shpirtin. Vallëzuat, kënduat, festuat me ne dhe e bëtë këtë edicion të festivalit vërtet të paharrueshëm.
Nga zemra, ju falënderojmë. Ju duam pafundësisht. Deri vitin tjetër… ❤️❤️❤️❤️
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur mirënjohje të thellë për këngëtaren me famë botërore Dua Lipa dhe ekipin e saj të festivalit Sunny Hill, për kontributin e vazhdueshëm në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës.
Në një deklaratë publike, ministri Çeku tha se vizioni i Dua Lipës dhe përkushtimi i ekipit të Sunny Hill kanë krijuar një hapësirë unike ku muzika, arti dhe rinia shqiptare bashkohen me energjinë globale. Ai theksoi se përmes këtij festivali, Prishtina shndërrohet çdo vit në një skenë ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën të dukshme dhe të vlerësuar për talentin dhe krijimtarinë e saj.
“Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua. Faleminderit Sunny Hill. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush.” u shpreh ministri Çeku.
Në natën e dytë të Sunny Hill Festival, Prishtina vazhdoi të jetë një skenë ku arti dhe muzika bashkohen për të krijuar një përvojë që i kalon kufijtë e argëtimit. Në qendër të kësaj nate qëndroi një emër i dashur për publikun ndërkombëtar, këngëtari Shawn Mendes, shkruan KultPlus.
Në një atmosferë ku performuan emra të njohur si Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One, skena kulmoi me ardhjen e kantautorit kanadez, i cili e përjetoi Prishtinën për herë të parë jo vetëm si një vend koncertesh, por si një hapësirë emocionale ku ndjenjat artistike përqafohen me një publik që i këndon njëzëri këngët e tij.
Mendes e nisi performancën me “There’s Nothing Holding Me Back”, duke vendosur që në fillim një ton energjik. Vazhdimi i koncertit ndërtoi një imazh të bukur emocional, me këngë si “Wonder”, “Treat You Better” dhe “Monster”, që përçuan ndjenja të brishta përmes një interpretimi të ndjerë.
Në një moment të koncertit, Shawn Mendes foli përpara publikut duke i falënderuar për këtë ndjesi që i dhanë.
Të jesh muzikant do të thotë të vizitosh shumë vende dhe të takosh shumë njerëz, kur erdha këtu isha pafundësisht i emocionuar të shoh gjithë këta njerez, jemi shumë të lumtur qe jemi këtu”, u shpreh Mendes teksa falënderoi publikun e Prishtinës për këtë pritje.
Në çdo varg dhe çdo notë, publiku dukej i përfshirë në një bashkëbisedim të heshtur me artistin. Këngët “Lost in Japan”, “Heart of Gold”, “Isn’t That Enough” dhe “It’ll Be Okay” sollën një atmosferë poetike, duke e kthyer koncertin në një udhëtim të brendshëm e intim për të pranishmit.
Një moment i veçantë ishte interpretimi i “Señorita”, që krijoi një ndjesi të ëmbël romantike, ndërsa koncerti vazhdoi me “Ruin”, “Never Be Alone”, “Mercy”, “Youth” dhe “Stitches”.
Mendes përfundoi mes emocionesh përvojën e tij të parë në Prishtinë me hitin e tij ‘In my blood’.
Ndërkaq sonte, në përmbylljen e Sunny Hill Festival, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat e artistëve, Deezy, Bess, Adrian Berisha, MyGal, Edgar Kerry, Tsha, ndërkaq do të përmbyllet fuqishëm me artistin kryesor Anyma./KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë, ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan BBC.
E lindur në Londër nga prindër kosovarë-shqiptarë, Lipa e ka jetuar një pjesë të fëmijërisë së saj në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Marrja e shtetësisë kosovare për të përfaqëson një përmbushje të identitetit të saj të dyfishtë, transmeton KultPlus.
“Kjo më bën të ndjehem e plotë – si dy anët e mia që më në fund janë bërë një. E dua këtë vend dhe kjo ka një domethënie të madhe për mua dhe për familjen time,” – deklaroi Lipa.
Presidentja Osmani e quajti Duan “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e Kosovës”, ndërsa shtoi:
“Nga skenat më të mëdha të botës te zemrat e miliona njerëzve, ajo e ka bartur historinë tonë me forcë, krenari dhe hir.”
Në ceremoni, një kor fëmijësh interpretoi këngën “Levitating”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se “si Britania, ashtu edhe Kosova e quajnë Duan një nga të tyret.”
Dua Lipa, që tashmë zotëron shtetësitë e Britanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është në Prishtinë për të performuar në festivalin Sunny Hill, të cilin e ka themeluar bashkë me babain e saj që nga viti 2018.
Përmes këtij festivali dhe punës së saj humanitare, Lipa ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për Kosovën dhe në promovimin e saj ndërkombëtar si një vend i gjallë, kulturor dhe me potencial./BBC/KultPlus.com
Babai i yllit me famë botërore, Dua Lipës, Dukagjini, ka folur për shtetësinë kosovare që vajza e tij e mori me dekret presidencial.
Dukagjin Lipa ekskluzivisht në “Prive” në Klan Kosova tha se është kënaqësi ta pranosh një dhuratë të tillë, teksa e cilësoi ka qenë e rrugës që Dua ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës.
“Shumë mirë, është një kënaqësi të pranosh një dhuratë të tillë. Dua e ka shtetësinë edhe të Shqipërisë edhe ka qenë e rrugës ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës. Është kënaqësi dhe privilegj ta ketë shtetësinë e Kosovës”, tha Lipa, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai foli edhe për atmosferën e jashtëzakonshme që tash e disa vite po mbretëron në “Sunny Hill”, duke thënë se është një nga festivalet e vetme në botë që për disa edicione me radhë s’e ka asnjë incident.
“Ne kemi punë me 40 mijë njerëz, normal që do të ketë në një moment apo tjetrin diçka që nuk shkon mirë, por deri tani nuk kemi asnjë problem. Jemi një prej festivale shumë të rralla në botë që në 7 edicione kemi zero incidente”, tha ai.
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit një moment historik në jetën e saj, marrjen e shtetësisë së Kosovës, vetëm një natë përpara se të performonte në Sunny Hill Festival në Prishtinë.
Në një postim plot energji në Instagram, ajo shkroi: “E mora shtetësinë një natë më parë dhe pastaj festova fort në @sunnyhillfestival natën pas saj!!!!! E dua jetënnn 🫶🎉🇽🇰”
E shoqëruar me një fotografi nga skena, ku Dua shfaqet me duart lart dhe një buzëqeshje të madhe, mesazhi i saj përçoi gëzim, krenari dhe një lidhje të thellë me vendlindjen.
Ky zhvillim shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në raportin e artistes me Kosovën. Përmes festivalit Sunny Hill, të themeluar bashkë me të atin, Dukagjin Lipa, Dua ka ndihmuar në vendosjen e Prishtinës në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës bashkëkohore.
Marrja e shtetësisë nga ana e saj është më shumë se një formalite, është një deklarim i fortë dashurie dhe përkatësie. Dua Lipa nuk është vetëm një ambasadore e muzikës,ajo është tashmë edhe zyrtarisht një ambasadore e kulturës dhe shpirtit të Kosovës./KultPlus.com
Mbrëmjen e kaluar, Prishtina u kthye në qendrën e muzikës ndërkombëtare, teksa filloi festivali i shumëpritur Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon. Në një atmosferë elektrizuese, skena i takoi rikthimit të këngëtares që ka bërë krenare çdo shqiptar nëpër botë, Dua Lipa, shkruan KultPlus.
Qyteti u përfshi nga një valë emocionesh dhe pritjeje. Radhë të gjata makinash dhe turma të mëdha njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes, dëshmonin se ky ishte më shumë se një koncert, ishte një kthim në shtëpi, një festë kombëtare. Me mijëra duar në ajër dhe me zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm, publiku e priti me padurim yllin shqiptar me famë botërore.
Prej orës 17:00, skena e Sunny Hill Festival u bë vatër e një parade artistësh të njohur dhe të dashur për publikun. Performanca të fuqishme dhe shumëngjyrëshe u sollën nga emra si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna, të cilët krijuan imazh të zjarrtë për atë që do të vinte më pas, hyrja triumfale e Dua Lipës, yllit që ka bërë krenar çdo shqiptar nëpër botë.
Dua Lipa e nisi koncertin me këngën ‘Training Season’, duke e ndezur atmosferën me një performancë madhështore dhe skenografi unike. Koncerti vazhdoi njëtrajtshëm me ‘End of an Era’, ‘Break My Heart’, ‘One Kiss’, ‘Watcha Doing’, ‘Levitating’ dhe ‘These Walls’.
Pas këtyre performancave erdhi edhe momenti kulminant i mbrëmjes, ku Dua Lipa ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, solistin e grupit të njohur ‘Oda’ dhe bashkëthemelues i festivalit. Dy breza, dy gjenerata artistësh, u bashkuan në një interpretim të veçantë të këngës ‘Era’ nga grupi legjendar ‘Gjurmët’. Ky moment bashkoi edhe publikun, ku së bashku kënduan të gjithë njëzëri.
Pas këtij momenti, Dua Lipa u rikthye sërish me hitet e tjera ‘Maria’, ‘Physical’, ‘Hallucinate’ ,’Falling Forever’, ‘Happy for You’ dhe ‘Love Again’. Me ‘Be the One’, u rikthye në një nga sukseset e para që e prezantuan Dua Lipën me skenën botërore, duke krijuar një moment të ndjeshëm dhe nostalgjik.
Ky koncert, ndryshe siç do të mund të ishte rëndom koncerti i ndonjë nga yjeve të tjerë botërorë në Prishtinë, erdhi shumë më ndjeshëm për këtë publik, marrë parasysh lidhjen që ka me yllin Lipa. Kohë pas kohe ndër performance, Lipa u fliste publikut të saj në gjuhën shqipe.
Në një moment ajo falëndëron të gjithë për pjesëmarjen, teksa edhe flet për festivalin.
‘Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival, për vendin tonë. Tash janë bërë gjashtë edicione të këtij festivali, e çdo vit po bëhet mirë e më mirë’, tha Lipa teksa falënderoi të gjithë ata që e bëjnë të mundur realizimin e këtij festivali.
Spektakli dhe madhështia e këtij koncerti vijoi me super-hitet ‘New Rules’, ‘Dance the Night’ dhe ‘Don’t Start Now’, performance këto që ndezën skenën dhe bënë që publiku të këndojë e të vallëzojë pa pushim.
Ndërkaq, ky koncert përfundoi me ‘Houdini’, një fund magjik për një natë të paharrueshme, që shënoi rikthimin e yllit Dua Lipa në skenën e Prishtinës.
Ndërkaq sot, publiku i Sunny Hill do të ketë mundësinë të dëgjojë perfancën e Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One. Ndërkaq, ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtaro Shaën Mendes./KultPlus.com
Kaluan tri ditë që Prishtina është mbushur me njerëz të huaj e vendas, të cilët qarkullojnë rrugëve të saj dhe tërë Kosovës. Ecin vajza e djem të ri, duke u puthur pranë shtatoreve të Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit dhe Nënës Terezë. Rini në elementin fantastik të saj. Rini, që kur sheh harenë e tyre, të vërshojnë lot gëzimi.
Prishtina ka festën e këngës. Prishtina ka festën e Çikës. Çika jonë është vetë festa! Është aura që rri pezull mbi qiellin e Prishtinës.
Dua Lipa është më shumë se këngëtare. Ajo është një formim ekselent i njeriut që ka respekt e dashuri për prindërit dhe atdheun e saj, të cilin e bartë gjithmonë me vete.
Dukagjinit, përbotshëm një falënderim – jo vetëm për mrekullinë e quajtur Dua, por më shumë për përkushtimin e tij për Prishtinën. Për mos-harresën. Për Sunny Hill-in, që po rritet e po bëhet gjithnjë e më i madh. Një atdhedashuri e pashembullt. Një largpamësi për t’u admiruar.
Dua, flutura jonë, tërë bekimet e Arbërisë rafshin mbi ty, hirësi!/KultPlus.com
Atmosfera elektrizuese e Sunny Hill Festival vazhdon me natën e dytë, më 2 gusht, ku emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe vendore do të marrin skenën dhe do të sjellin një përvojë të paharrueshme për publikun.
Festivali nis nga ora 14:00 në The Next Stage, me performanca nga DJ Bana Zahiti dhe Bletapërtace, të cilët do të hapin mbrëmjen me ritme të freskëta verore, shkruan KultPlus.
Pas orës 17:45, vëmendja zhvendoset në Sunny Hill Stage, ku do të ngjiten një sërë artistësh të njohur: Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainté, Pint, Ledri dhe Headie One.
Në kulmin e natës, do të performojë një nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore, Shawn Mendes, që pritet të sjellë një show të jashtëzakonshëm për fansat që kanë mbushur Prishtinën nga e gjithë bota.
Por mbrëmja nuk përfundon aty, në mesnatë hapet C4 Stage, ku do të nisë afterparty me performanca deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pjesë e skenës do të jenë Sugar Rush, Artssassin, Uran B., dhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për setet e tij unike dhe energjinë e jashtëzakonshme që sjell në çdo performancë.
Sunny Hill Festival po vazhdon të përmbushë pritshmëritë, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të muzikës botërore dhe një skenë që s’guxon të mungohet./KultPlus.com
Faqja zyrtare e Sunny Hill ka ndarë një moment epik pas performancës së Dua Lipës në Prishtinë, duke e përshkruar koncertin si një përvojë të paharrueshme.
Me fjalët “YOU LIVED A MOVIE”, postimi shpreh emocionin dhe madhështinë e mbrëmjes ku artistja jonë ndërkombëtare ndezi skenën në një rikthim të jashtëzakonshëm në vendlindje. Me falënderime për magjinë që solli në shtëpi dhe për historinë që shkroi sërish, Sunny Hill e shpall natën e 1 gushtit 2025, një moment që do të kujtohet gjatë në zemrat e publikut dhe të gjithë Kosovës./KultPlus.com
Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore, do të performojë sonte së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipën, në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, që po mbahet në Bërnicë të Prishtinës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet Dua duke bërë prova në skenë bashkë me Dukagjin Lipën, i cili është edhe organizator i festivalit, transmeton KultPlus.
“Sunny Hill” do të zgjasë deri të dielën, duke sjellë në Prishtinë emra të shumtë të muzikës botërore dhe artistë të njohur vendorë. Atmosfera e festivalit pritet të kulmojë që nga nata e parë, me rikthimin e Duas në skenën që bashkon artin dhe identitetin./KultPlus.com
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, mori pjesë dje në ceremoninë solemne të dhënies së shtetësisë kosovare për këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa.
Artistja e njohur, e lindur në Londër dhe me prejardhje nga Kosova, është tashmë edhe shtetase e Republikës së Kosovës, përveçse e Mbretërisë së Bashkuar – vend ku ajo nisi dhe zhvilloi karrierën e saj ndërkombëtare, transmeton KultPlus.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren. Faleminderit Presidente Osmani që më ftuat në një ceremoni të veçantë për dhënien e shtetësisë së Kosovës Dua Lipës. “Pata nderin të takohesha me Dua Lipën dhe të festonim këtë talent të jashtëzakonshëm britaniko-kosovar”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu u shpreh se mezi pret të ndjekë performancën e Dua Lipës sonte në Sunny Hill Festival.
“Ejani dhe vizitoni British Corner tonë në festival!”, shkruan Ambasadori./KultPlus.com