Presidentja Osmani priti në takim ekipin futbollistik “Ballkani”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ekipin futbollistik “Ballkani” nga Suhareka, i cili aktualisht po i zhvillon garat në Ligën e Konferencës të UEFA-së.

Presidentja Osmani uroi djelmoshat e “Ballkanit”, për suksesin e historik të ekipit të treguar deri tani në garat evropiane dhe tha se sportistët kosovarë prej shumë kohësh janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Sukseset e tyre, sipas Presidentes Osmani e bëjnë krenar shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin sportin në të gjitha aspektet duke uruar që ekipi i “Ballkanit”, sikurse edhe sporti kosovar në përgjithësi të vazhdojë me sukseset në prezantimet ndërkombëtare.

Ekipi i Ballkanit i dhuroi Presidentes Osmani një fanellë të klubit dhe një top futbolli, teksa ajo uroi futbollistët për fitore në ndeshjen e nesërme ndaj ekipit të Sivasspor. /KultPlus.com

Nga një libër i historisë në tjetrin, Ballkani afër kalimit në fazën e grupeve

Klubi Futbollistik “Ballkani” është bërë klubi i parë nga futbolli kosovar që ka arritur të sigurojë kalimin në fazën “play-off” në garat evropiane, shkruan KultPlus.

Duke arritur që të fitojë në penallti ndaj Klaksvik si mysafir, është kualifikuar në fazën e play-offit dhe është shumë afër kualifikimit në fazën e grupeve.

Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, u mbyll me fitoren e suharekasve me rezultat 3-2, ndërsa me rezultat të përgjithshëm 4-4 përballja shkoi në vazhdime, pastaj në penallti, ku kampioni i Kosovës ishte më i saktë se rivali.

Ballkani tani do të luajë në play-off të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me klubin tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkupin.

Ndeshja e parë zhvillohet këtë të enjte në Shkup, ndërsa tjetra pas një jave në Prishtinë. /KultPlus.com