Rushiti: Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale

Çdo 17 shkurt monumenti ‘NEWBORN’ tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën, shkruan KultPlus.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekur çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë.

Deri më tash ‘NEWBORN’ ka shprehur vizualisht mirënjohje botës për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka bërë thirrje kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti  ka realizuar sot një fotografi TEK monumenti NEWBORN i cili këtë vit ju dedikohet viktimave të abuzimit seksual.

Në publikimin e kësaj fotografia, Rushiti ka përçuar edhe një mesazh. Ajo kërkon që ky të jetë momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.



KultPlus ju sjell postimin e plotë të Feride Rushitit:

#NEWBORN2020 – Lindja e një të ardhme për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Sot, 12 vjet më parë u jetësua ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Ky rrugëtim shumëshekullor, përveçse i mundimshëm ishte po aq i dhimbshëm. Shumë vuajtje e sakrifica na shoqëruan përgjatë çlirimit. Monumenti #NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit te #Kosovës, e që njëherësh është edhe lindje e shpresës për një jetë të re, këtë vit i dedikohet një kategorie të veçantë shoqërore –
#tëMbijetuarvetëDhunësSeksuale nga koha e luftës. Përfundimi i luftës në Kosovë dhe shpallja e Pavarësisë, thuajse vetëm për këtë kategori të ndjeshme shoqërore nuk shënoi fillimin e një jete të re, në fakt përfundimi i luftës për to/ta solli fillimin e një vuajtje të re, asaj të nëpërkëmbjes , përbuzjes e fajësimit për diçka që më së paku do të mund të fajësoheshin.
Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.
Kësisoj, NEËBORN tërësisht ju dedikohet #viktimave – të mbijetuara të dhunës seksuale të luftës!
#BëhuZëriIM
#BeMyVoice
Vasfije Krasniqi Goodman
Shyrete Tahiri Sulimani
KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims
QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave
Medica Gjakova
Medica Kosova
Rally For Her Justice
#justiceforall.”

Vizualisht, këtë vit ‘NEWBORN’ është ngjyrosur kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa “Ë” është mbuluar me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. / KultPlus.com

Feride Rushiti vlerësohet me çmimin “Woman of Exellence Award”

Themeluesja dhe udhëheqësja KRCT, Feride Rushiti, është vlerësuar me çmimin ‘’Woman of Exellence Award’’ nga “Women Federation Peace Europe &Global Women Peace Network”, shkruan KultPlus.com


“E nderuar dhe e thellësisht e emocionuar qe ne #20vjetorin e punës dhe angazhimit time si themeluese dhe udhëheqese e #KRCT vlerësohem me
‘’Woman of Exellence Award’’nga Women Federation Peace Europe &Global Women Peace Network për dedikimin dhe përkushtimin në rehabilitimin,trajtimi e fuqizimi për të mbijetuarit e tortures!
Ky vlerësim ju dedikau edhe punes së qmuar të zonjës së parē Dr.Liri Berisha për përkushtimin dhe angazhimit e saj ne avacimin e programeve dhe senzibilizimin për fëmijet me Autizem duke ndimuar me qidra fëmijëve dhe familje qe te ken një jetë më të lumtur”, ka shkruar në statusin e saj në Facebook Feride Rushiti.

QKMRT shënon 20 vjetorin me një studim, i pari i këtij lloji në botë

20 vjetori i themelimit të Qendrës për Rehabilitim të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT), udhëhequr nga Feride Rushiti, këtë institucion e ka gjetë me shumë suksese përgjatë këtyre 20 viteve punë, por ky përvjetor është kurorëzuar edhe me dy zëra të fuqishëm për të dënuar dhunimet seksuale që janë bërë përgjatë luftës nga serbet në Kosovë, e ato janë Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, ku kjo e fundit ditëve të fundit ka dorëzuar kallzimin penal në prokurori, shkruan KultPlus.

Dhe 20 vjetori i punës së këtij institucioni, të enjten është shënuar edhe me shpalosjen e një hulumtimi me temën “Trauma ndërbrezore”, që është organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT).

Kontesha e Wessex ishte figura e kësaj konference, ku kanë marë pjesë edhe shumë mysafirë të tjerë, ku janë prezantuar hulumtimet, ku për këtë studim, janë intervistuar 130 gra qe kishin përjetuar dhunë seksuale/tortura gjatë luftës në Kosovë dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

“Gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë të larta ose të ulëta) të kortizolit. Kortizoli është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Këtu vërejmë  se fëmijët e lindur nga nënat me ÇSPT gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të kishin nivele të larta të kortizolit (15.5%) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa ÇSPT gjatë shtatzënisë (3.0%)”, është thënë në këtë studim, ku është përcjellë me mjaftë interesim dhe pyetje nga të pranishmit.

Kurse nikoqirja e kësaj konference, Feride Rushiti e cila ka përshëndetë gratë më të fuqishme të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimanin, ka treguar për këtë hulumtim, studim që po bëhet për herë të parë në botë, për lidhjen e mundshme mes nënave dhe fëmijëve. “Ky studim ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës dhe jo fëmijët e lindur nga dhunimi”, ka thënë Feride Rushiti.

E kontesha e Wessex, në këtë prezantim ka treguar se ka pasur rast të ketë biseduar me disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku ajo ka treguar se rrëfimet e tyre janë të tmerrshme.

“Dhimbja e tyre është evidente por guximi i tyre të mos i nënshtrohen këtyre traumave është mbresëlënëse”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi Goodman ka treguar përvojën e saj, pikërisht duke iu referuar këtij studimi.

 “Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat qe kam pasur, si nënë e dy vajzave. Shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur duke rritur fëmijët e mi. Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma bartet te fëmijët e mi, por jo pse unë nuk jam nënë e mirë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.

Në këtë konferencë ka folur edhe drejtori i Institutit Danez kundër Torturës, Rasmus Grue Christensen, kurse delegacioni në krye me Feride Rushitin, me konteshën e Wessex, të shoqëruara edhe nga dy zërat e fuqishëm të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani kanë realizuar edhe takime të tjera me palë ndërkombëtare, duke bërë edhe një vizitë pranë simbolit të heroinave, të cilat edhe kanë ndarë një moment kujtimi, duke e shënuar me një fotografi./KultPlus.com

Feride Rushiti: Dhembja jonë, turpi i juaj


Fjalimi i Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT, Feride Rushiti në Marshin protestues në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm, përfaqësues aktivistë të të drejtave të njeriut, të nderuar të mbijetuar – viktima të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës:

Jemi mbledhur këtu për të shprehur zemërimin, indinjatën e thellë dhe për të kërkuar përgjegjësi rreth skandalit me foto të shpalosur në Kuvendin e Kosovës dhe për të përcjellur mesazhin e grave burrave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës dhe familjarëve të tyre. Të mbijetuarit duan dinjitet dhe drejtësi.

Jemi mbledhur këtu për të sjelluar reagimet e të mbijetuarve nga dhuna seksuale pas skandalit me foto ne Kuvend, e cila ringjalli traumën e tyre dhe rikthej emocionin e luftës tek personat e mbijetuar të dhunës seksuale dhe mbarë shoqërisë duke e thelluar heshtjen dhe stigmatizimin e tyre, dhe i mbetet Kuvendit të Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Prandaj, të mbijetuarit kërkojnë që:

– Pamjet e tilla nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë!

– Ne po vuajmë në Heshtje, e ju po godisni në dhimbjen tonë!

– Duam drejtësi, por nuk duam vuajtjet e tona t’i shohin edhe fëmijët tanë!

– Dhembja jonë, turpi i juaj!

Jemi këtu për të treguar që nuk jeni të vetmuar dhe të braktisur në rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të realizimit të plotë të drejtave tuaja. Ashtu siç bëmë për 20 vjet me radhë, do të jemi zëri juaj kudo dhe kurdo që të jetë nevoja dhe kërkojmë nga institucionet që të mbijetuarit e dhunës seksuale të vazhdojë t’i përkrahin për një jetë të dinjitetshme.

Nuk do të lejojmë që publikimi i asaj fotografie në Kuvendin e Kosovës ta përmbys një proces të tërë të ndërtuar me shumë mund dhe sakrifice. Aq më pak në kohën kur përkrahja dhe forma reparacioneve nga institucionet e vendit po shërben si shembull i mire ne rajon dhe në botës. Ishin pikërisht viktimat që përmes zërit të Vasfijes nxorën në shesh të vërtetën për krimet që kishin përjetuar.

Të nderuar të pranishëm, të gjithë jemi prekur dhe jemi ndjerë të trishtuar gjatë këtyre ditëve të fundit, por sigurisht që më së shumti janë lënduar vetë viktimat, familjaret e tyre dhe gjithë shoqëria . Prandaj, qytetarë të nderuar le t’i përkthejmë këto mesazhe në udhërrëfyesin e punës sonë. Sot më shumë se kurrë të mbijetuarit kanë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tonë, pa paragjykime!

Kërkojmë drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet./KultPlus.com

Kjo është gruaja që i dha mbështetje grave të dhunuara në Kosovë

Ata që e njohin më afër, dinë për modestinë e Feride Rushitit. Fjalëpak e pa zhurmë,  ajo ka punuar për 20 vite me gratë e dhunuara nga serbët, përgjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe për 20 vite, Feride Rushiti ka dëgjuar me mijëra rrëfime me plot dhimbje, dhe përplot këtyre 20 viteve, ajo ka arritë ti rikthejë në jetë këto gra, të cilat i sigmatizoi për gjithë këto  vite shoqëria, por të njëjtat nuk i përfilli as shteti, shkruan KultPlus.

Me një përkushtim të madh, Feride Rushiti ka kaluar nëpër një rrugë jo të lehtë, e cila është sfiduar edhe me institucionet e Kosovës për të miratuar ligjin për mbrojtjen e viktimave të dhunuara seksualisht përgjatë luftës.

Pikërisht për këtë angazhim, Feride Rushiti ka marë edhe cmimin si grua e guximshme nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, cmim ky i cili i është dhënë nga Melania Trump.

Për rrugëtimin dhe vështirësitë e Feride Rushitit, mund ta lexoni edhe intervistën e saj të dhënë më herët pikërisht për KultPlus. /KultPlus.com  

Feride Rushiti dhe Vasfije Krasniqi-Goodman do të flasin në New York për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti së bashku me të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman do të flasin në New York për ekspertizën e Kosovës në trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Rushiti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se kjo është si fazë fillestare për themelimin e fondit #GlobalReparationsFund për viktimat e dhunës seksuale përgjatë konflikteve.

“E nderuar të jem pjesë e kësaj iniciative globale së bashke me laureatët e Nobelit,  Dr. Denis Mukwege  dhe Nadia Murad”, ka shkruar Rushiti./ KultPlus.com