Franca emeton pulla postare me imazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Posta Franceze ka emetuar pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ajo është dizajnuar nga piktori i njohur shqiptar Zamir Mati, i cili përpara dy vitesh çeli një ekspozitë në Paris, “La Maison de l’Albanie” kushtuar heroit kombëtar.  Imazhi që do të shoqërojë pullën ishte pjesë e kësaj ekspozite dhe është realizuar me vizatim grafik sipas projektit për sheshin “Skanderbeg, në Paris”. Gazeta Shqip ka bërë një interviste me piktorin e merituar Zamir Mati, i cili është arkitekti i pullës për postën franceze. Mati flet për rëndësinë që ka kjo pullë për shqiptarët dhe të tjerat që do të emetohen në vijim.

Si lindi ideja e pullës

Më 17 janar 2016, në “La Maison de l’Albanie”, Paris u hap ekspozita me temë  ‘Skënderbeun’. Projekti u mbështet nga Galeria e Arteve,Tiranë dhe nga Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Në ekspozitë morën pjesë 17 autorë me 32 vepra.

Pikërisht  këtu u paraqit prej meje edhe ide-projekti për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris, emër të cilin e ka vendosur në vitin 1971 Bashkia e Parisit me kryetar të saj presidentin e ardhshëm të Francës, Jaques Chirac, në nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, këtij mbrojtësi të Europës nga dyndja pushtuese …

Ky projekt-ide për dekorimin me një grup skulpturorë në siluetë të prerë në lazer me sugjerimet e dashamirësve dhe miqve si dhe mbështetjen e drejtuesve të “La Maison de l’Albanie’,  zotit Gjergji Themeli, Georges Leka, Agron Hasku është ekspozuar gjatë gjithë këtyre tre viteve dhe është e realizuar në bocete të dimensioneve dhe në materiale të ndryshme.

Ideja e pullës lindi nga dekorimi i sheshit “Skanderbeg”?

Po. Skulptura dekorative është menduar të vendoset në periferinë e sheshit, i cili është një platformë e gjerë betoni me diametër 80 metra dhe e vendosur mbi një pjesë të periferikut të qytetit, kësaj arterie kryesore të lëvizjes së mjeteve me shpejtësi.

Skulptura dekorative e cila do të realizohet në siluete të prera të metalit me lazer përbëhet prej një grupi kalorësish luftëtarë me në krye Skënderbeun, të cilët me lëvizje dinamike shkojnë drejtë Europës .

Ide e cila është marrë dhe zhvilluar nga tabloja me të njëjtën temë, e realizuar prej meje dhe e cila u zgjodh nga organizatorët edhe si imazhi i pllakatit të kësaj ekspozite.

Kështu që mbas gati tre viteve punë krijuese, ekspozimi dhe diskutimesh ky projekt-ide përfundon si një zgjidhje e propozuar nga artisti por edhe nga “La Maison de l’Albanie”, për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris .

Kush e dha idenë që pllakati të kthehej në pullë poste për shtetin francez?

Në përfundim të kësaj projekt-ideje u mendua edhe realizimi i një pulle poste me figurën e Skënderbeut dhe kështu kjo ide sipas rregullave dhe ligjeve franceze i u propozua nga “La Maison de l’Albanie”,  me vizatimin dhe zgjidhjen grafike « La Poste, France ».

A do të emetojë Franca pulla të tjera me tematikë Shqipërinë?

Së bashku me pullën për Skënderbeun u realizua edhe një pullë shoqëruese e saj për efekt filatelik, kështjella Krujës, kryeqendra e Arbrit në këtë kohë të lavdishme historike. Kjo pullë poste do të shoqërojë në prezantim pullën me figurën e Skënderbeut dhe do të jetë si fillim i një serie pullash me kështjellat e qyteteve kryesore si; Kështjella e Beratit, Prizrenit, Shkodrës, Kaninës, Pargës, Tepelenës,etj. Zgjidhja e grafike e këtyre pullave të postës do të jetë në shërbim të njohjes historike dhe në shërbim të turizmit. Është ky një projekt i filluar tashmë dhe i propozuar nga “La Maisone de l’Albanie”,  së bashku me Office du Tourisme de l’Albanie, France, projekt që kërkon teknikisht kohë, duke respektuar rregullat dhe ligjet franceze për «La Poste, France ».

Çfarë rëndësie ka kjo pullë për shqiptarët?

Trajtimit figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Ronsari apo deri tek Volteri, Vivaldi e Longfellow në vepra të njohura tashmë botërisht në shekuj ashtu siç vlerësohet edhe në botimet enciklopedike ku emri i Gjergjit tonë na bën krenare jo vetëm si lexues por edhe për historinë shqiptare e lidhur me Europën. Në këtë kuptim çdo mundësi i paraqitjes së figurës së tij dhe në këtë rast edhe në pullë poste, është një vlerësim i veçantë por edhe një pullë më shumë në të gjithë krijimtarinë time në fushën filatelike.

Çfarë përdorimi do të ketë kjo pullë poste

Pulla postare e propozuar nga “La Maison de l’Albanie”  për « La Poste, France » është për përdorim prioritar dhe ka vlerën në euro të dërgimit për peshën deri 20gr.

Këto ditë në hapësirën e “La Maison de l’Albanie”, Paris 14 » do të organizohet një mbrëmje prezantimi i këtyre pullave të postës me figurën e heroit kombëtar Skanderbeg dhe Kruja dhe për sigurimin e tyre duhet të interesoheni pranë kësaj qendre të kulturës shqiptare në Paris. / KultPlus.com

Bilal Hassani zgjedhet përfaqësues i Francës në Eurovision (VIDEO)

Franca ka zgjedhur përfaqësuesin e saj për në Eurovison 2019.

Francën në Tel Aviv do ta përfaqësoj Bilal Hasani me këngën “Roi”, pasi mbrëmë u shpall fitues i “Destination Eurovision” nga votat e jurisë dhe publikut.

Këngëtari tranvestit i cili ka lindur në Paris nga prindër emigrant nga Singapori, ka tërhequr vëmendjen që nga dita kur u zgjodh për të garuar në festivalin kombëtar francez, duke qëndruar në maja të sondazheve të faqeve që merren me lajmet rreth Eurovisionit.

Pjesë e jurisë profesionale ishte edhe këngëtarja kosovare, Rona Nishliu e cila këngën “Roi” e vlerësoi me 10 pikë nga 12 maksimale./Eurovision Kosovo/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=xsAQCsiV3fU

Urdhri: Franca ndalon celularët dhe tabletat nëpër shkolla

Përpara fillimit të vitit të ri shkollor, përmes miratimit të një ligji të ri në Parlament gjatë së martës, Franca ka ndaluar përdorimin e të gjitha “smartphone”-ve apo tabletave nëpër shkolla.

Ndalimi i telefonave do të aplikohet për të gjithë nxënësit në Francë, deri në moshën 15 vjeç, që prej nisjes së shkollës në muajin shtator të këtij viti.

Ligji i ri përmbush kështu një premtim elektoral të presidentit Emmanuel Macron, edhe pse është kritikuar ashpër nga opozita si një parandalim publiciteti.

Ligjvënës të partisë së qendrës “LREM”, të Macronit, dhe aleatë të tij e miratuan projektligjin të hënën, ndërkohë që gjatë votimit të ditë ssë martë, deputetë nga e majta dhe e djathta abstenuan.

Opozita e ka quajtur këtë projektligj si “kozmetik” dhe tha se nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në jetën reale. Sipas ligjit të ri, të gjitha pajisjet elektronike telefonike ose jo duhen lënë në shtëpi, apo të mbahen të mbyllura deri në përfundim të orarit mësimor.

Shkollat mund të bëjnë përjashtim për “raste pedagogjike”, për aktivitete ekstrakurrikulare, apo për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Shkollat e mesme, ndërkohë, mund të vendosin vet nëse do të preferojnë një ndalim të pjesshëm apo të plotë të këtyre pajisjeve.

Ligji i mëparshëm, i miratuar në vitin 2010, ndalonte përdorimin e “smartphone”-ve gjatë qëndrimit në klasa.

Ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer ishte shprehur më herët se ligji ekzistues nuk gjente zbatim të gjithanshëm dhe se nuk ishte i ashpër sa ç’duhej, ndërsa ky i riu i miratuar së fundi e zhvendos Francën në “shekullin e XXI-të”.

“Kjo i jep një mesazh shoqërisë franceze, sikurse edhe vendeve anembanë botës”, tha ai. Afro 9 në 10 adoleshentë francezë, të grupmoshës nga 12-17 vjeç zotërojnë tashmë një “smartphone”./TCH

Historia e Bastija, festës kombëtare të Francës

Në kontrast me atë që kemi mësuar nga librat e historisë, Bastija nuk është pushtuar kurrë përmes një sulmi popullor.

Në fakt, ajo iu dorëzuar rebelëve në një mënyrë mjaft paqësore. Nëse duhet të jemi të saktë, festa kombëtare e Francës – 14 korriku, nuk duhet të festohet për sulmin mbi Bastijë, por për vetë dorëzimin e saj tek rebelët.

Përmbledhja zyrtare historike e kësaj ngjarje, është si më poshtë:Më 14 korrik 1789, mijëra rebelë marshuan drejt fortesës së mirë-njohur mbretërore në Bastijë në qendër të Parisit, për të protestuar kundër regjimit tiranik të mbretit Luigji XVI, dhe kundër nxjerrjes në pension të Zhak Neker, ministrit francez tejet popullor të Financave.

Rojet besnike ndaj mbretit, filluan të qëllonin mbi turmën rebele duke përdorur topat dhe mushqetat, por megjithatë rebelët, edhe pse kishin pësuar shumë humbje, arritën të sulmonin heroikisht dhe ta pushtonin këtë simbol të neveritshëm të fuqisë mbretërore.
Ata liruan të burgosurit që vuanin nga qelitë e Bastijës, shpallën fundin e despotizmit, dhe fillimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin. Në realitet, gjithçka rrodhi në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Së pari, Bastija nuk ishte ndonjë lloj kështjelle e zymtë.

Në fakt, ai ishte një burg mjaft luksoz për të dënuarit që vinin nga shtresa e aristokracisë, duke përfshirë edhe Markezin famëkeq së Sade, i cili mbante me vete në qeli edhe shërbëtorin e tij personal, dhe kishte të drejtë të lëvizte lirshëm.
Në gjithë Bastijën, ndodheshin të burgosur vetëm 10 persona, dhe në të vërtetë vetëm shumë pak qytetarë francezë jashtë fortesës, jetonin në kushte më të mira se sa ata. Nëse ne mund t’u besojmë historianëve bashkëkohorë, disa të burgosur madje u lutën të lejoheshin të qëndronin në Bastijë, edhe pasi ishin “çliruar” nga rebelët.

Përveç kësaj, shumica e rojeve, ishin në të vërtetë veteranë të luftës, kryesisht 50-vjeçar apo më të moshuar. Së dyti, turma e zemëruar që nxitoi për të pushtuar Bastijën më 14 korrik 1789, nuk kishte ndërmend të protestonte kundër ndonjë gjëje.

Përveç kësaj, fillimisht fshatarët as që kishin ndërmend të sulmonin Bastijën. Ata synonin vetëm të merrnin disa topa që ndodheshin në një magazinë pranë fortesës. Megjithatë, Bernard de Lonej, guvernator i Bastijës, i kishte futur tashmë topat brenda kalasë.
Për shkak të kësaj, fshatarët i dërguan atij një delegacion për të zbuluar se çfarë kishte ndërmend të bënte. “Asgjë”- u përgjigj de Lonej në mënyrë logjike. Ai nuk donte t’u jepte topat rebelëve, por as nuk t’i sulmonte ata, përveçse nëse s’do të kishte zgjidhje tjetër. Ndërkohë, fshatarët që qëndronin jashtë kështjellës, bënë pikërisht atë që s’duhej të bënin; hapën zjarr ndaj rojeve të Bastijës.

Rojat u kundërpërgjigjën, dhe sulmuesit, të habitur nga rezistenca e papritur, u tërhoqën. Duke u ndjerë sikur rojet kishin shkelur marrëveshjen mes tyre, njerëzit e tërbuar filluan të plaçkitnin stallat dhe lagjet rezidenciale, të vendosura jashtë kështjellës.
Shumë shpejt, për të parandaluar shkatërrimet e mëtejshme, de Lonej ngriti një flamur të bardhë në majë të fortesës së Bastijës si një shenjë kapitullimi. Më pas, rojet deklaruan se janë gati t’ia dorëzonin rebelëve Bastijën – ky është një fakt historik.

Ata hapën portat dhe të gjithë, përfshirë De Lonej, u mblodhën në oborr për t’u dorëzuar. Kjo ndodhi saktësisht në orën 5 të pasdites së 14 korrikut 1789. Deri atëherë, gjatë sulmit kishin humbur jetën jo më shumë se dhjetëra njerëz.
Megjithatë, pasi udhëheqësit e rebelëve hynë në Bastijë dhe e pranuan kapitullimin, u pasuan menjëherë nga një turmë e tërbuar, e pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes. Brenda pak minutash, rebelët vranë shumicën e rojeve, rrëmbyen të gjitha armët që ndodheshin brenda, plaçkitën tërësisht Bastijën, dhe u larguan me kokën e De Lonej të varur mbi një hu. Kjo është pra ajo që ndodhi realisht më 14 korrik 1789, një ditë për të cilën ndoshta askush nuk duhet të ndihet krenar, shkruan bota.al. / KultPlus.com

Sulmohet Konsullata e Kosovës në Francë dhe vidhet flamuri (FOTO)

Në fundjavë është sulmuar Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg të Francës.

Aty nga shtiza është vjedhur edhe flamuri i Kosovës si dhe është shkatërruar stema e shtetit, njofton Klan Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur, Konsulli i Kosovës, Edon Cana përmes një postimi në Facebook.

“Gjatë vikendit është sulmuar Konsullata Përgjithshme në Strasburg dhe është vjedhur Flamuri i Republikës dhe është shkatërruar Stema e Shtetit”.

“Simbolet e Shtetit të Kosovës i pengojnë armiqve tanë!”.

“Duke i falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se mbas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, ka thënë Cana./ KultPlus.com

“Mercy” me një rrëfim të prekshëm përfaqëson Francën në Eurovizion 2018 (VIDEO)

Me rrëfimin për vajzën me emrin Mercy, e lindur gjatë krizës së refugjatëve në Evropë, duo Madame Monsieur mori dritën e gjelbër për përfaqësimin e Francës në Eurovizion 2018-të, shkruan KultPlus.

“Mercy”, pikërisht si emri i vajzës për të cilën flet kënga, titullohet ky krijim muzikor i cili mbrëmë në Francë doli të jetë më e votuara nga të gjitha këngët tjera që ta përfaqësoj Francën në këtë garë të madhe muzikore që nis më 8 maj dhe përfundon më 12 maj 2018 në Lisbonë./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=c-5UnMdKg70

Nga viti i ardhshëm shkollat franceze do të kenë kore, por jo edhe telefona celularë

Qeveria franceze ka njoftuar se telefonat celularë do të ndalohen në shkollat franceze në fillim të shtatorit të vitit 2018, dhe se koret do të futen gjatë dy viteve të ardhshme, përcjellë KultPlus.

Ky veprim ka qenë pjesë e fushatës së presidentit francez Emmanuel Macron, por deri më tani nuk është dhënë asnjë datë për zbatimin e ndalimit, kurse të dielën, ministri francez i arsimit Jean-Michel Blanquer tha se telefonat celularë do të ndalohen në shkolla që nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor.

Telefonat celularë tashmë janë të ndaluar të përdorën në klasë në të gjitha shkollat fillore franceze dhe në katër vitet e para të shkollës së mesme. Qeveria franceze dëshiron të shtrijë ndalimin edhe në pjesën tjetër të mjedisit shkollor.

“Telefonat celularë mund të jenë të nevojshëm për qëllime arsimore ose në raste urgjente, prandaj është e rëndësishme që përdorimi i tyre të jetë i kufizuar”, ka thënë mes të tjerash ministri Blanquer.
Të hënën, qeveria njoftoi edhe për një ndryshim për vitin e ardhshëm shkollor: tingulli i ziles do të zëvendësohet me zërat e njerëzve. Deri në shtator 2018, të gjitha kolegjet e Francës do të kenë korin e tyre, ku fëmijët do të kenë mundësinë të këndojnë dy orë në javë. Aktualisht, një nga katër shkollat franceze ka një kor. “Ideja është që kultura të futet brenda klasave për një periudhë më të gjatë”, ka thënë të dielën ministri i kulturës Françoise Nyssen./ KultPlus.com

Franca në Kosovë e Kosova në Francë, një program i përbashkët në 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në kuadër të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë po bashkëpunojnë për të promovuar një program të përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vende, shkruan KultPlus.

Ky program përfshinë komplet vitin 2018-të, ku janë të përfshira ngjarjet të cilat Ambasada e Francës në Kosovë i përkrah. Ndërsa në Francë në shumicën e muajve të vitit 2018-të, do të ketë nga një ngjarje nga Kosova.

Po shpalosim këtu ngjarjet që nga Kosova shkojnë në Francë:

Kësisoj më 17 shkurt në Paris të Francës të ketë një “Teleportim-Prishtina në Paris” ku do të instalohen dy ekrane të mëdha publike. Në mars do të prezantohet ekspozita e Jakup Ferrit dhe do të mbahet “Pranvera e Poetëve”. Në maj do të prezantohet Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me një shfaqje ndërsa Kosova do të jetë edhe në Festivalin e Kanës. Në Qershor në Annecy do të mbahet Festivali i Filmit të Animuar. Shtatori në Paris do ta dërgoj Mini-Dokufest-in, ku do të shfaqen filma të përzgjedhur të metrazhit të shkurtër. Tetori nga Kosova në Francë do të dërgoj festivalin e shijes ndërsa krejt në fund muaji nëntor do të ketë një koncert nga Blerta Kosova, BiCalko dhe Tandem.

Programi i përbashkët vjetor i Ambasadave është gjithashtu një mundësi për të promovuar, për publikun e të dy vendeve, aktivitete të cilësisë të lartë, të hapura për të gjithë dhe të theksohen pikat e kontaktit mes qarqeve kulturore dhe qytetarëve të të dy vendeve./ KultPlus.com