Zeqiri: Në Francë e kuptova për herë të parë se çfarë do të thotë të kesh mirëqenie

Qendrim Badalli

Para pak orësh në një ceremoni në rezidencën franceze në Prishtinë, regjisorja e njohur Blerta Zeqiri është nderuar me titullin “Kalorëse e Artit dhe Letrave” nga Ambasada e Francës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo është njëra nga dekoratat më të larta që e ndanë Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për rrezatimin dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.

Në fjalën e saj të rastit, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-ChristineButel, ka theksuar disa nga çështjet që regjisorja Zeqiri ka trajtuar ndër vite.

“Karriera juaj si regjisore e filmit ju ka bërë që të shikoni gjërat më nga afër, homoseksualitetin, luftën, refugjatët, sistemin pararel të arsimit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Tutje, Ambasadorja Butel, ka bërë një ndërlidhje mes promovimit të vlerave të Francës dhe të regjisores Zeqiri.


“Me një fjalë, e dashur Blerta, si një regjisore plot talent por edhe si një grua e përkushtuar ju  keni ditur që përmes filmave tuaj të shkëlqyeshëm të bartni vlerat universale të tolerancës dhe lirisë, vlera që Republika Franceze dëshiron të promovojë”, ka vazhduar tutje, ku në fund, Ambasadorja e Francës në Kosovë, ka treguar për arsyet se pse ky simbol ka shkuar për regjisoren Blerta Zeqiri.

“Përmes karrierës suaj shembullore zonja Zeqiri, me përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të mbrojtur ekzistencën e një kinemaje të pavarur, krijuese dhe të përkushtuar ju meritoni që Republika Franceze të ju shpërblejë me simbolin “Kalorëse e Artit dhe Letrave”.

Regjisorja Blerta Zeqiri, fillimisht ka treguar shkurt për rrugëtimin e saj nga Kosova për në Paris, pikërisht në periudhën kur në Kosovë kishte shpërthyer lufta.

“Isha nëntëmbëdhjetë vjeçe kur hipa në aeroplan për herë të parë ku me gjithë familjen po shkoja drejt Parisit, vendit të dashurisë dhe artit. Këtë rrugëtim me familjen time drejt vendit të dashurisë dhe kulturës ne po e bënim me një aeroplan ushtarak, ishte viti 1999, një kohë lufte në Kosovë. Ne ishim refugjatët e parë nga Kosova që shteti francez me aq bujari na mirëpriti”, ka thënë Zeqiri, e cila ka vazhduar tutje duke treguar ballafaqimin me një shtet të drejtë karshi qytetarit për dallim nga ajo se çfarë kishte përjetuar në Kosovën e okupuar.

“Për sa kohë unë kisha jetuar në Kosovën e okupuar kisha qenë gjithmonë një qytetare e rendit të dytë. Në Francë, për herë të parë e shijova lirinë dhe fillova ta kuptoj domethënien  dhe rëndësinë e gjithë kësaj. Në Francë kuptova që shteti ndihmon qytetarin, qytetarin e tij dhe nuk e shtyp atë. Në Francë për herë të parë e kuptova çfarë do të thotë të kesh mirëqenie dhe se mirëqenia nuk është luks por domosdoshmëri e cila duhet t’i takojë secilit individ në botë”, ka thënë regjisorja e filmit “Martesa”.


Ajo ka folur edhe për ndikimin që vlerat që kultivon shoqëria franceze kanë pasur në jetën e saj qoftë profesionale qoftë në atë personale.

“Kur e shijova dhe përjetova mirëqenien franceze, u bëra përkrahëse e flaktë e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe të kafshëve, vlera këto që i morra nga Franca perëndimore që vazhdojnë të ma udhëheqin jetën dhe punën time artistike tash e sa vite. Ndihem pafundësisht e nderuar dhe falendëruese ndaj Republikës Franceze për këtë dekoratë kaq të çmuar për mua”, ka përfunduar ajo.

Ceremonia vazhdoi tutje me një koktej rasti në prani të të ftuarve në mesin e të cilëve ishte edhe kryeministri në ardhje Albin Kurti. / KultPlus.com





Blerta Zeqiri do të dekorohet me titullin “Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë”

“Të martën, më 19 nëntor në ora18:30, në një pritje e cila do të organizohet në rezidencën e Francës, Shkëlqesia e saj ambasadorja e Francës, Marie-Christine BUTEL do të ketë nderin të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, « Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë »”, bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Ambasada e Francës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo është njëra nga dekoratat më të larta që e ndanë Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për rrezatimin dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën

Përmes kësaj dekorate, Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës ZEQIRI, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë, thuhet më tej në këtë njoftim.

Blerta Zeqiri është regjisore e njohur në Kosovë, e cila ka shënuar një sukses të madh me filma të metrazhit të shkurtë, sikurse edhe e filmin debutues të metrazhit të gjatë “Martesa”./KultPlus.com

Gjykata i jep të drejtë Blerta Zeqirit, reagon Blerim Gjoci: Gjykatësja nuk e ka kuptuar lëndën

Filmi “Kthimi” me regji të Blerta Zeqirit ishte mollë sherri në mes regjisores dhe Blerim Gjocit, i cili në atë kohë udhëhiqte Festivalin e Filmit të Shkurte “Nine Eleven”, shkruan KultPlus.

Gjithë kjo nisi pasi filmi filloi të shpërblehet në festivale, nga ku Gjoci pretendonte se autor i filmit duhej të njihej festivali, brenda të cilit ishte krijuar filmi, dhe poashtu pretendonte se edhe çmimet do të duhej ti takonin organizatorit. Gjoci kishte ngritur padi ndaj Blerta Zeqirit ku kërkonte nga ajo që ta njihte të drejtën e tyre të autorësisë dhe që e njëjta të paguante shpërblimet prej çmimeve të fituara nëpër festivale sikurse t’i kthente edhe çmimet.

Tash, shtatë vite pas vjen lajmi se kërkesëpadia nga “Nine Eleven”, është refuzuar si e pabazë.

Zeqiri ka reaguar dje duke u shprehur që drejtësia ka ardhur në vend. “Pas 7 vitesh, më në fund u arrit drejtësia, duke u refuzuar si e pabaze kërkesëpadia që “Nine Eleven” ka ngritur kundër meje lidhur me çmimet e filmit të shkurtër “Kthimi”.

Por, një reagim tjetër na vjen edhe nga Blerim Gjoci. Ai ka kritikuar regjisoren Zeqiri për një mori gjërash, përderisa vendimin e gjykatës e ka quajtur të padrejtë, sipas tij gjykatësja nuk e ka kuptuar lëndën dhe nuk ka nda drejtësi.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të Gjocit:

Pershendetje miq,

Asnjehere nuk kam pas deshire qe problemet apo kontestet qe kam, me i ba mediale e publike.
Por per hir te vertetes kesaj radhe po e jap nje shpjegim dhe te jeni te bindur se pas kesaj me sdo te ju lodh me kesi tema;
Besoj se cdo person, me dy pal mend e din qe shperblimi per filmin me te mire i shkon producentit, per kete arsye ekzistojne shperblimet per secilen kategori veq e veq, per regjisor, montazher, kompozitor, fotografi etj, ndersa shperblimi per Filmi me I Mire i shkon atij qe i ka mbledh, menaxhu dhe pagu te gjith keto kategori me larte bashk.
Per pretendimet e rrejshme, e them me pergjegjesi te plot se asnjehere, as une, dhe askush nga festivali 911, nuk ja konteston as Blerta Zeqirit dhe askujt tjeter autoresine mbi funksionin qe ka ushtruar ne nje projekt filmik qofte ne festivalin tone apo diku tjeter. Dhe pretendimet per te perzier pronesine me autoresine jane diletante dhe qellimkqija, dhe ne kete rast perdoren per te hequr vemendjen nga e verteta.
Ne rastin e festivalit 911, secilit regjisor te angazhuar i eshte ofruar mundesia qe te hek dore nga honorari i saj/tij dhe ne do ti jepnim hise/pronesi ne film, pra bashkeproducent! Dhe 99% te regjisoreve atebote kan refuzuar duke preferuar honorarin e festivalit mbi pronesine. Ne e benim kete kerkese, sepse me ato pak te holla qe do kursenim mund te ndihmonim edhe nje film tjeter per tu krijuar!
Ne rastin e Blerta Zeqirit, qe eshte vetem regjisore ne kete projekt, pervec qe ka refuzu te heqe dore nga honorari qe te jete bashkepronare ne film, dhe perveq qe filmi eshte xhiruar mbi nje skenar ne pronesi timen, me kameren time, ndricimin tim, montuar ne zyren time, ne kompjuterin tim, paguar nga une secili shpenzim ne kete xhirim, ajo madje me fakturoi 50 Euro shtese, per dhomen e saj te fjetjes ku eshte xhiru nje skene e filmit!
Kjo gje me pat befasuar shume atehere, sepse Zeqiri e dinte mjaft mire se buxheti i festivalit na ishte harxhuar dhe ishim vonuar per te filluar xhirimin e ketij projekti, dhe une po e finansoja kete film me te holla nga xhepi im – nje prej arsyeve te voneses ishte sepse skenaristi refuzonte te bashkepunoj me Zeqirin sepse kjo kishte krijuar reputacion per mosmirenjohje, e vjedhje te ideve dhe autoresise!
Ishte ky filmi i trete qe une po ja finansoja Zeqirit, dhe me dolen fjalet e te gjith atyre qe me paralajmeronin per karakterin e saj.
Cka eshte edhe me interesant, filmi ka fituar edhe ne festivalin 911 edhe si “Filmi me i Mire” edhe si “Regjia me e Mire”; ne edicionin e vitit 2011 dhe Zeqiri mori shperblimin per “Regjine me te Mire” dhe nuk shfaqi asnje pretendim per shperblimin “Filmi me i Mire”, sepse ky shperblim gjithmone i takon producentit, ne kete rast festivalit, e kete e kishim te specifikuar edhe ne kontrate, te cilen Zeqiri vazhdon ta shkele edhe kur komenton per projektin, atehere e tash!
Pretendimet per te marre parate e shperblimit, qe nuk jane shume e madhe megjithate, por ne ishim festivali i vetem ne bote qe po finansonte filmin e shkurt dhe me ato para do te mund te finasonim nje film me shume vitin e ardhshem, pra keto pretendime te Zeqirit per te “marre” parate, dolen kur u fitua shperblimi ne Sundance. Dhe qe nga aty edhe ne dy festivale tjera radhazi, shuma ne te holla qe shkonte per Filmin me te Mire dhe Shperblimin e Publikut – zhdukej, por jo edhe certifikatat sepse ato nuk i interesonin aq shume Zeqirit. Pra filmi kishte fituar ne kater festivale nderkombetare, nga 35 sa kishim aplikuar me minimum 50 Euro kosto per aplikim dhe te gjitha te paguara nga xhepi im, por as per keto nuk di gje Zeqiri sepse nuk po dilnin nga xhepi saj!
Zeqiri madje e permend edhe cmimin Evropian, dhe eshte pikerisht faji dhe grykesia e Zeqirit pse filmi nuk mori pjese! Filmi ishte nominuar nga festivali i Sarajeves per kete cmim dhe Zeqiri kishte shfrytezuar rastin atje, derisa ne ne Prishtine po pergatisnim filmat e ri per edicionin e Shtatorit, dhe kishte plotesuar dokumentacionin si pronare e filmit, per te pervetesuar shperblimin. Ndersa organizatoret e cmimit Evropian kishin lexuar emrin e producentit ne titrat e filmit dhe te befasuar na kishin kontaktuar per te sqaruar kete problem. Ne, edhe me te befasuar ju kemi sqaruar kush eshte producenti/pronari i filmit. Cmimi Evropian kerkoi nga ne qe ne te kontaktojme festivalin e Sarajeves per te ndrequr dokumentacionin. Sarajeva nuk u pergjigj asnjehere ne emailin tone dhe Festivali Evropian vazhdoi rrugetimin pa ne.
Ndersa sa i perket gjykates, pas leximit te nje aryetimi te quditshem, per mendimin tim gjykatesja pervec qe nuk e ka kuptuar lenden, me shume ka dashur te na heqe qafe sesa te ndaj drejtesi. Nejse!
Nje pike ku pajtohem me Zeqirin eshte qe krijuesit te kene shume kujdes me ke bashkepunojne, sepse ne ne festivalin 911 pasi na ndodhi ky problem, na humbi deshira per te punuar! Sidomos me krijues filmi mosmirenjohes, qe behen kinse nuk i dijne as rregullat baze te krijuarit film. Shume me mire qe ky festival pushon!
Ndersa per fund po ju pyes, Cili shperblim duhet ti takoj producentit/pronarit te filmit?
Per Skenografi, ndoshta?
/ KultPlus.com

Luftë gjykatash mes Blerta Zeqirit dhe Blerim Gjocit, gjykata nuk i jep të drejtë Blerim Gjocit

Filmi “Kthimi” me regji të Blerta Zeqirit ishte mollë sherri në mes regjisores dhe Blerim Gjocit, i cili në atë kohë udhëhiqte Festivalin e Filmit të Shkurte “Nine Eleven”, shkruan KultPlus. Gjoci, pretendonte se autor i filmit duhej të njihej festivali, brenda të cilit ishte krijuar filmi, dhe poashtu pretendonte se edhe çmimet do të duhej ti takonin organizatorit, për të cilin edhe kishte paditur Blerta Zeqirin.

Kjo e fundit, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar që kërkesëpadia nga “Nine Eleven”, është refuzuar si e pabazë, e cila ka dhënë edhe shpjegimet për këto probleme në mes Zeqirit dhe Gjocit. KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Blerta Zeqirit.

Pas 7 vitesh, më në fund u arrit drejtësia, duke u refuzuar si e pabaze kërkesëpadia që “Nine Eleven” ka ngritur kunder meje lidhur me çmimet e filmit të shkurtër “Kthimi”.

OJQ “Nine Eleven”, e kryesuar atëbotë nga Blerim Gjoci (poashtu kryetar i VAPIK), në vitin 2012 pat ngritur padi kundër meje duke kërkuar që unë ta pranoj organizatën si autore të filmit dhe t’ia kthej çmimet që filmi kishte fituar nëpër festivale, përkundër faktit që të gjitha festivalet në fjalë e kanë konfirmuar me shkrim që çmimet i takojnë regjisores. Si rezultat i këtij konflikti, Blerim Gjoci e mbylli veprën në sirtar, duke mos e lënë të shfaqet në shumë raste dhe për herë të parë në histori të Akademisë Europiane të Filmit, duke e tërhequr edhe nga nominimi për çmimin vjetor të filmit më të mirë të shkurtër europian të kësaj akademie prestigjioze (kjo gjithashtu ishte hera e parë që një film i shkurtër kosovar u nominua për filmin më të mirë të shkurtër europian). Arsyeja e tërheqjes ishte që Gjoci si producent, edhe pse në të vërtetë nuk e kishte kryer punën e producentit gjatë bërjes së filmit, dëshironte të ishte pranuesi evetual i çmimit në rast të fitores në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vitin 2012. Akademia Europiane e Filmit i kishte shkruar qartazi atëbotë që rregullorja e tyre e cekë që në rast të filmave të shkurtër shpërblimin e pranon regjisorja e jo producenti.

Edhe pse e tërë kjo kohë ka qenë shumë e vështirë për mua, edhe pse në momentin kur ka ndodhur e kam ndjerë si pengesën më të madhe që më ka dalë ndonjëherë në punë e jetë, nga thellësia e zemrës jam falënderuese për secilin send, sidomos për faktin që të mos ishte ky rrugëtim, nuk do të mesoja shumë gjëra që kam mësuar, që kanë të bëjnë me punën dhe relacionet në punë, por edhe nuk do ta shihja mirësinë, profesionalizmin dhe njerëzoren e shumë njerëzve që më kanë ndihuar në këtë betejë. Njëri prej tyre është edhe avokati im Kujtim Kerveshi (Kërveshi and Partners Law Firm), i cili me zemër të mirë dhe në emër të drejtësisë më ka përfaqësuar në këtë rast dhe ndihmuar ta sjellim drejtësinë në vend.

Shpresoj që kjo përvojë, sado e hidhur për mua dhe e dëmshme për kinematografinë tonë, sidomos në një kohë kur ishim duke i marrë këmbët nëpër botë, të shërbejë si shembull i rregullimit të relacioneve në mes producentëve dhe autorëve të filmave të shkurtër, por edhe të gjatë.

Për fund, regjisoret dhe regjisorët e rinj do t’i kisha këshilluar që të kenë kujdes për vendosjen e emrave të producentëve në filmat e tyre të ardhshëm, pasi që një vendim që gjatë bërjes së filmit mund të duket i thjeshtë dhe i pasherr, pas përfundimit të tij mund të ketë pasoja të mëdha./KultPlus.com

Rudina dhe Blerta rikthejnë muzikën e viteve të 90-ta

Nisma e artisteve Rudina Xhaferi dhe Blerta Zeqiri të cilat morën përsipër të rikthejnë muzikën e viteve të 90-ta, po vjen pas një pauze të gjatë, shkruan KultPlus.

Duke e konsideruar si një ide të qëlluar e cila është mirëpritur nga gjeneratat përkatëse, regjisorja Blerta Zeqiri dhe artistja Rudina Xhaferi, po e risjellin një event të tillë përsëri në Hamam Bar Prishtina.

Hitet më të bukura botërore dhe vendore të viteve të 90-ta do të keni rast t’i dëgjoni e t’i shijoni në një natë ku do të riktheheni në kohë.

“Pas një pauze bukur të gjatë, bashkë me Rudinen vendosem ta rikthejmë në Hamam ndejen tone! Hajdeni e knaqUm bashke shpyertin: çaraveshUm, kcejna, shkunUm, duhUm me muziken qe e kuptojme ma s’miri”, ka shkruar Blerta Zeqiri në Facebook.

Eventi ‘Rudina’s and Blerta’s mixtape’ mbahet të premten duke filluar nga ora 21:30 në Hamam Bar Prishitna./KultPlus.com

“Martesa” e Blerta Zeqirit nesër në Sydney Film Festival

Filmi “Martesa: nga regjisorja Blerta Zeqiri nesër do të shfaqet në “Evropa! Zëri i grave në filma”, në Sydney Film Festival.

Filmi merr pjesë në këtë festival falë Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Evropës Kreative, shkruan KultPlus.

Edicioni i 65-të i festivalit të filmit ne Sidnei “Sydney Film Festival” (6-17 Korrik), në partneritet me “European Film Promotion” dhe “Screen International” pati shpallur programin “Europe. Voices of Women in Film”.

“Evropa! Zëri i grave në filma”, është një program i 10 filmave të ri nga regjisoret e suksesshme të Evropës, në me e tyre do të jetë edhe filmi “Martesa” nga regjisorja kosovare Blerta Zeqiri.

Festivali do të këtë edhe tetë mysafire filmbërëse të cilat do t’i prezantojnë filmat e tyre dhe do të marrin pjesë në një diskutim publik rreth hendekut gjinorë në industrinë e filmit.

Krahas filmit të Zeqirit, do të jenë edhe EmilyAtef me “3 DAYS IN QUIBÉRON” nga Gjermania, Isabella Eklöf me “HOLIDAY” nga Danimarka, Nanouk Leopold me “COBAIN” nga Holanda, Fanni Metelius me “THE HEART” nga Suedia, Katharina Mückstein me “L`ANIMALE” nga Austria, SinéadO`Shea me “A MOTHER BRINGS HER SON TO BE SHOT” nga Irlanda, Virpi Suutari me “ENTREPRENEUR” nga Finlanda, Jagoda Szelc me “TOWER. A BRIGHT DAY” nga Polonia dhe Ana Urushadze me “SCARY MOTHER”nga Gjeorgjia./ KultPlus.com