Posta e Kosovës, vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”

Posta e Kosovës, nga sot vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”, përcjell KultPlus.

Qyteti Istog është i njohur edhe me emërtimin Burimi. Ndodhet në regjionin e Pejës, në veriperëndim të Kosovës. Është një qytet që ka ruajtur dhe synon të ruajë trashëgiminë e tij multikulturore.

Komuna e Istogut ka 46 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 453.84 km², me 51 fshatra dhe me dy qendra ndërurbane: Gurrakocin dhe Banjën.

Ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.

Istogu radhitet ndër vendet më të preferuara në Kosovë për tu vizituar nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Peizazhet e tij tani shfaqen edhe në pulla postare, të cilat munden t’i blejnë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset për t’i vendosur në zarfet e tyre që do të dërgohen brenda dhe jashtë vendit.

Posta e Kosovës, përmes imazheve të pullave postare do të vazhdojë të prezantojë dhe të promovojë në gjithë botën vlerat dhe bukuritë natyrore që ka shteti i Kosovës. / KultPlus.com

Komuna e Istogut vendosë ta rrënojë burgun ku u torturuan me mijëra shqiptarë

Në fshatin Gurrakoc të Istogut, gjendet ndërtesa e ish burgut të tmerrshëm të ish regjimit ku janë torturuar me mijëra shqiptarë para dhe gjatë luftës, ndërkaq sot ky burg pritet të rrënohet, shkruan KultPlus.

Mirëpo, shumë persona janë kundër rrënimit të këtij burgu, përfshirë këtu edhe aktorin e mirënjohur Astrit Kabashi, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka potencuar se pikërisht në atë burg është maltretuar edhe vëllau dhe djali i axhës së tij.

Kabashi ndër të tjera ka potencuar se këtë burg duhet kthyer në muze, njejtë siç është vepruar edhe me burgun që gjendet në qytetin e Prishtinës.

‘Komuna paska vendosë me e rrënu, ky është një gabim i madh. Në Prishtinë nuk u rrënua burgu, por u kthye në muze, njejtë duhet të ndodhë edhe me fatin e kësaj ndërtese! Nëse nuk dini çfarë të bëni, të paktën mos e rrënoni! Mendoni më shumë për vende të reja të punës’, ka shkruar ndër të tjera Kabashi. / KultPlus.com

Shtatore dinjitoze dhe e merituar e Ibrahim Rugovës

Kritikë artistike nga Ilir Muharremi për shtatoren e Ibrahim Rugovës të punuar nga Gëzim Muriqi

Skulptura është art i shijes dhe nëse arrinë estetikisht ta pushtoj qetësinë shpirtërore e ka arritur qëllimin. Shohim një mur mbrapa që konceptohet si derë, hyrje, lëvizje, mund të mendohet edhe si libër, faqe nga e cila del presidenti. Simbolika lartësohet në atë se ky mur është ndarës i epokave që simbolizon Rugovizmin. Është një kohë e re që vjen me të vazhdon me të dhe prapë kthimi bëhet te presidenti i përhershëm historik e i lartësuar në fushën e shkencës, letërsisë dhe artit.

Ai e bën hapin me këmbën e djathtë pra këmba e mbarë e pastaj vazhdon me gishtin tregues drej tokës duke na vetëdijesuar dhe hequr perdën për kuptimin dhe dashurinë ndaj atdheut dhe trojeve tona. Rrezaton më i ri dhe imazhi na shfaqet ndërmjet artisti, shkrimtarit dhe diplomatit. Simbolika e idesë është e lexueshme dhe e qartë.

Skulptura komunikon me hapësirën dhe publikun pra thyen atë heshtjen statike që e kishin skulpturat e Renesancës.

Depërtimi i dritës dhe ndryshimi i imazhit gjatë procesit natyror: mëngjes, pasdite, muzg dhe mbrëmje nuk e humb imazhin e sakt të shpirtit dhe karakterit të presidentit, e afron edhe më shumë drejt rrënjëve të shpirtit pra është ky Rugova në mendjen e secilit te ne.

Është profesionalisht art me strukturë të qëndrueshme dhe thellon cilesinë e formës. Artisti i iken asaj siç kemi procese mediokre të cilat lëmojnë sipërfaqen strukturore e mbetën kompozicione të mbyllura nga paaftësia e krijimit. Ështe pra artist i cili arriti të kap gjestin e presidentit dhe këtu skulptura thyen atë heshtjen dhe ngritë perfeksionin.

Kjo skulpturë kuadron gjestin, shprehjen e fytyrës, kompozcionin mbi të cilat rezymojnë të gjitha shikimet në Kosovë por edhe jashtë saj. Vlera e saj është se artisti nuk e imiton figurën e Rugovës, por e stilizon brenda përgjegjësive dhe kufizimive, ashtu siç e kërkon arti monumental, pra shprehja brenda limitit njohës të psikologjisë së personazhit. Pastaj, prezantohet shprehja domëthënëse dhe vërtitja e pafund e qëndrimit.

Fronti në internet, në Kosovë dhe jashtë ishte zhurmues e këmbues si rezultat i perfekesionit të figurës dhe reagimi pozitiv i kritikës dhe i njerzve përdori fjalë miradie dhe në superlativ për skulpturën. Atëherë , skulptura si kuadër i heshtur e me perfeksion të lëvizshëm në çdo moment do ta ngopë atë ethen e pa ndalshme të njerëzve ndaj presidentit, pra zbrazëtinë e imazhit të cilin e jetësoi në Istog.

Jashtë atelies, kjo shtatore i mbijeton dhe lozë vallen me dritën dhe hapësirën. Petku i punuar me kujdes nën dritën e diellit shpalos linja të natyrshme mbi drapërinë.

Kjo është shtatorja më e realizuar e presidentit Ibrahim Rugova. / KultPlus.com

Në Istog ndërtohet një shtëpi me mbishkrimin “Donald Trump Amerika”

Shtëpia “Donald Trump Amerika” tashmë gjendet në Istog.

Kjo shtëpi e cila tashmë ka përfunduar punimet, po shihet si një shenjë falënderimi për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për Kosovën.

Jemi mësuar të shohim statuja, flamuj apo simbole të tjera, por kjo e fundit erdhi krejt ndryshe dhe si duket ka befasuar edhe qytetarët e Istogut.

Shtëpia e cila mbart mbishkrimin “Donald Trump Amerika” nuk e dimë nëse do të ketë edhe ndonjë funksion tjetër, apo thjeshtë një shtëpi banimi.

Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, sepse jemi mësuar që kosovarët edhe fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emrat e liderëve amerikanë. / KultPlus.com

Gëzim Muriqi realizon shtatoren e Ibrahim Rugovës, pritet të vendoset në Istog

Xhemile Hysenaj

Skulptori i njohur, Gëzim Muriqi, i cili njihet për realizimin e shtatoreve të figurave të njohura historike shqiptare, ka paralajmëruar se është në përfundim e sipër të skulpturës së tij të fundit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

Gëzim Muriqi tregoi për KultPlus se modelimi i skulpturës ka zgjatur pak më shumë se një muaj, duke pasur pastaj parasysh përgatitjet që skulptori duhet t’i bëjë në mënyrë që të njihet më shumë me karakterin e figurës të cilës i dedikohet shtatorja.

Një figurë si ajo e Ibrahim Rugovës kur vie para publikut në cfarëdo formë e sidomos përmes artit, kërkon shumë përgjegjësi. Për Muriqin kjo është skulptura e dytë e Rugovës, e para gjendet në Malaj të Rugovës, dhe, edhe pse tashmë një profesionist në punën e vet, ai e konsideron një përgjegjësi të madhe realizimin e kësaj skulpture.

‘Përgjegjësi profesionale vazhdon të përcjellë artistin në vazhdimësi’, shprehet tutje ai për KultPlus.

Duke pasur parasysh situatën pandemike nëpër të cilën po kalon edhe Kosova, data e zbulimit të shtatores nuk është zbuluar akoma. Muriqi tregon se kjo situatë imponon edhe datën, mirëpo shpreson dhe beson se brenda këtij viti do të realizohet edhe promovimi i shtatores.

Shtatorja, dimensionet e së cilës janë 305 cm, pritet të vendoset në Istog, në memorialin ‘Ibrahim Rugova’. / KultPlus.com

Salla e sportit në Istog do të përfundojë në shtator

Salla e sportit në Istog do të përfundojë në shtator, shkruan KultPlus.com

Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha mes tjerash ministrja.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Salla e Sportit në Istog, projekt i cili ka nisur në vitin 2007, do të përfundojë në shtator të këtij viti, e ministria ka investuar mbi 2,4 milion euro. Këtë gjë e paralajmëroi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite sot në Istog, kur për së afërmi përcolli investimet në të cilat po investon MKRS-ja në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi, e shoqëruar edhe nga zëvendësministri Engelbert Zefaj dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, fillimisht u prit nga kryetari i kësaj komune, Haki Rugova, me të cilin diskutuan për projektet që po investon ministria në Istog si dhe mbarëvajtjen e tyre. Gjithashtu, u bisedua edhe për nevojat dhe problemet tjera që ka Komuna e Istogut, në resorët që i mbulon MKRS-ja dhe që janë të interesit të përbashkët.

“Interesi i Qeverisë dhe plani programor i saj është i lidhur me zhvillimin e komunave të Kosovës. Në kuadër të kësaj, fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, të cilat mbulohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes investimeve të saj në komuna, janë konform këtij plani. Ndër marrëveshjet e para që kam nënshkruar si ministre me komunat, ka qenë me komunën e Istogut. Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha mes tjerash ministrja.

Ministrja Dumoshi foli edhe për projektet për sektorin e rinisë dhe porositi drejtuesit e komunës së Istogut që të inkurajojnë të gjithë të rinjtë e Istogut që të aplikojnë në programet që ka MKRS-ja për rininë, qoftë në programet e trajnimit për ndërmarrësi, në programet startup, e të gjitha thirrjet tjera. Ministrja ribëri të ditur që nga fondi 5 milionë euro që veç është paralajmëruar për MKRS-në, një pjesë do të ndahet edhe për rininë.

“Si ministri do të angazhohemi në maksimum duke bashkëpunuar edhe me komunat që të parandalojmë emigrimin e të rinjve jashtë vendit duke krijuar kushtet që të rinjtë të zhvillohen dhe të avancohen në vendin tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi, edhe e cila u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë në thirrjet e ministrisë.

Ndërsa, kryetari Haki Rugova, e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për ta mbështetur me investime Komunën e Istogut, në projekte të cilat janë të nevojshme dhe në dobi të qytetarëve të kësaj ane. Ai tha se me ministren Dumoshi dhe stafin e saj kanë diskutuar për përfundimin e sallës së sportit në Istog dhe shumë e shumë projekteve tjera që po investohen në këtë komunë. “Dua ta falënderoj ministren Dumoshi për kujdesin ndaj Istogun sepse me marrjen e detyrës si ministren vizitën e parë e ka pasur në komunën tonë”, kujtoi kryetari Rugova.

Ministrja Vlora Dumoshi inspektoi investimet të cilat po financon MKRS-ja në këtë komunë. Bëhet fjalë për projektet kapitale e Sallës së Qytetit në Istog, stadiumin “Demush Mavraj”, sallën e edukatës fizike në fshatin Vrellë, e që kalojnë vlerën financiare mbi një milionë euro vetëm për vitin 2020 si dhe “Memorialin Ibrahim Rugova”, objekt multifunksional i cili do të luajë edhe rolin e muzeut si një atraksion turistik i këtij qyteti.

Gjatë vizitës në sallën e sportit të qytetit ministrja Dumoshi tha se Istogu e meriton një sallë të këtillë sepse ka traditë, sidomos në sport dhe përmendi edhe basketbollistin e atletin e sportit Fikret Shatri. “Sportistët e Istogut do të kenë një hapësirë moderne ku do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet sportive e garat”, tha ajo mes tjerash.

Ndër projektet që do të përkrahen në Istog do të jetë edhe finalizimi i “Memorialit Ibrahim Rugova” të cilin ministrja pati rastin të vizitojë. Ministrja tha se MKRS-ja në Istog është duke investuar dhe financuar edhe në fushën e trashëgimisë dhe vetëm në këtë vit janë duke u zhvilluar 8 projekte në gërmime e në restaurime.

“Memoriali Ibrahim Rugova është një hapësirë e mrekullueshme multifunksionale e cila do të jenë në funksion për aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. Ashtu siç u zotova në zyrën e kryetarit, bashkërisht do ta bëjmë konceptin muzeal ku do të mund të ekspozohen eksponatet e ndryshme pasi që Istogu përpos që ka bukuri natyrore është i pasur edhe me arkeologji”, theksoi ministrja Dumoshi, duke kujtuar se memoriali do të përfundojë me vënin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, në qytetin e vendlindjes së tij”. / KultPlus.com

“Letërsia lëvizëse” filloi rrugëtimin në Istog

Alter Habitus, organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë.

Ky edicion ka për qëllim të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.

Edicioni i parë nisi dje në qytetin e Istogut ku autoret Naime Beqiraj, Shukrije Gashi e Ilire Zajmi ishin musafire në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Istog ku sollën krijimet e tyre poetike. Atje u shpalosë dhe u reflektua mbi letërsinë e shkrimtares Fehmie Selimi.

Ky aktivitet kulturor do të vazhdojë në Ferizaj këtë të premte ku do të lexohet e diskutohet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”.

Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.

Ndërsa, në kryeqytet më 17 shtator flitet për krijimtarinë Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani.

Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com

Në Uçë të Istogut u mbajt edicioni i pestë i “Ditës së Plisit”

Sot u mbajt edicioni i pestë me radhë i ditës së Plisit, që tradicionalisht po organizohet në fshatin Uçë të komunës së Istogut, në Odën e Daut Ferataj.

Të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni kishin vendosur plisa të bardhë në kokë.

Aty u fol rreth plisit të bardhë, u kujtuan dhe përfolën edhe shumë barcoleta të odave dhe anekdota popullore, e poezi kushtuar plisit./ KultPlus.com

Shqiptarët patën shndërruar shtëpitë – shkolla, serbët i vranë tre qytetarë, sepse i mbrojtën nxënësit shqiptarë (VIDEO)

31 Janari i vitit 1992 shënon një nga ditët më të zymta të fshatit Uçë të komunës së Istogut. Në orët e hershme të mengjesit, banorët e fshatit dëgjuan krismat që vinin nga rruga gjarpërore e Uçës, ku mu aty mbetën të vrarë tre burra të këtij fshati, shkruan KultPlus.

Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj e Hasan Hysenaj do të mbeten tri figura heroike të fshatit e të Kosovës. Duke qenë se Kosova ndodhej në kohën e okupimi serb, e nxenësit nuk lejoheshin të mbanin mësim në objekte shkollore, atëherë organizimi i mësimit në shtëpi private apo shtëpi- shkolla u bë një formë e re e mobilizimit që nxënësit të vazhdojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Edhe në fshatin Uçë si në shumë shtëpi shqiptare, banorët kishin hapur dyert për të pritur nxenësit e mësimdhënesit e kësaj ane. Një grup i fëmijeve derisa po shkonin në njerën nga këto shtëpi, ishin ndalur nga policia serbe që po vinte nga drejtimi i kundërt prej nga këta nxenës ishin nisur. Fëmijët ishin ndalur e ishin pytur për adresën se ku ishin nisur, derisa mundoheshint’i fshihnin librat në trupin e tyre. Krejt kjo situatë ishte zhvilluar shumë pranë dyerve të shtëpive të familjes Hysenaj dhe Hoxhaj, të cilat shumë shpejt ishin njoftuar për ndeshjen e fëmijëve me forcat policore serbe.
I shpejtë kishte qenë reagimi i tre kryefamiljarëve të këtyre familjeve qe duarzbrazur ishin ngjitur me vrull për t’i mbrojtur nxënësit e këtij fshati, të cilët pak momente më tutje do të bëheshin dëshmitarë të vrasjes së këtyre tre burrave.

Muharrem Hysenaj e Bajram Hoxhaj nuk iu mbijetuan plumbave të armikut, derisa Muharrem Hysenaj pat vdekur në spitalin e Pejës,Bajram Hoxhaj jep frymën e fundit në fshatin e tij. Të plagosur do te mbeteshin dy vëllezërit Asllan e Hasan Hysenaj dhe djali Imer Hysenaj. Hasan Hysenaj do të vuaj torturat e plagëve edhe shtatëmbëdhjetë ditë te tjera derisa më pas, trupi i tij do të shtrihet pranë dy trupave të dëshmorëve të tjerë Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhajt.

Shumë shpejt fshatarët nga lagjet e ndryshme do të vijnë në vendin e ngjarjes, aty ku do të gjejnë trupat e vdekur të dy prej bashkëfshatarve të tyre. Vrasësit e tyre ishin larguar me shpejtësi, për t’u kthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme lajmi do të depertonte në terë Kosovën, për ta bërë kështu fshatin Uçë, një adresë për t’u bashkuar në një hap më tej për t’u përballur me armikun. Sot emri i këtyre tre dëshmorëve është përjetësuar në emrin e shkollës së këtij fshati. E në vendin ku pat ndodhur krimi, 26 vite më parë, sot ndodhet lapidari në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve e sakrificën e tre burrave të këtij fshati. Fëmijët e kësaj shkolle, çdo vit shënojnë ditën e shkollës në këtë datë, derisa thurin vargje këngesh e poezish për këta tre burra. Zyrtarët komunal, së bashku me mesimdhënësit, familjarët e fëmijët e kësaj shkolle, në çdo 31 janar dorëzojnë kurora lulesh, në nderim të veprës së tyre./KultPlus.com