Hovenier i përgjigjet kërcënimit të Vuçiqit: Aleanca më e suksesshme në histori është këtu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ndihen të shqetësuar dhe as populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Hovenier ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.

“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, tha ai.

Hovenier kujton ditën kur SHBA-ja njohu pavarësinë e Kosovës: Jemi krenar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka rikujtuar sot datën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin marrë vendim për ta njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. 

Hovenier ka thënë se pas 15 vjetësh, SHBA është krenare për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe gjithashtu për nivelin e demokracisë që ka arritur populli i Kosovës. / KultPlus.com

Hovenier: Kosovën më 2008 e kemi njohur me kufijtë ekzistues, veriu është pjesë e Republikës së Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka sqaruar se veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe SHBA ashtu e trajton. Kjo ka arhdur pas gjithë zhvillimeve të ndodhura në veri të Republikës së Kosovës dhe kërcënimeve edhe të Serbisë se mund të vendos përsëri barrikada dhe ta bllokojë përgjithmonë pjesën veriore të Kosovës ku “Prishtina s’mund të kalojë”. 

Hovenier ka thënë se SHBA-ja e ka njohur Kosovën në kufijtë ekzistues dhe se veriu i Kosovës është pjesë e Republikës së Kosovës dhe SHBA-ja e trajton si të tillë.

“Dua të them edhe një gjë të rëndësishme që është relevante në kontekstin e pyetjeve që keni bërë. Ky është një pozicioni i SHBA-së që s’është i ri. Kur e kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008 e kemi bërë me kufijtë ekzistues. Dhe dua të përsëris këtë. Dua të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë që nga perspektiva jonë veriu i Kosovës ka konsideratë më te veçantë, është pjesë e Republikës së Kosovës dhe ne e trajtojmë ashtu. 

Dua që ta theksoj këtë sepse ka pyetje të shumta për veriun e Kosovës. Unë dua t’iu siguroj që pozicioni i SHBA-së është shumë i qartë , është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë ashtu dhe e trajtojmë ashtu.”, ka thënë Hovenier. 

Ai ka shtuar se punojnë shumë ngushtë me partnerët që të ketë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në çdo cep të vendit. 

“Duke e pranuar që punojmë shumë ngushtë me partnerët ndërkombëtar, KFOR-in dhe EULEX-in dhe tjerët për nevojën e vëmendjes dhe përkushtimit dhe marrjes së veprimeve të veçanta për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës dhe ata që jetojnë në veri të Kosovës së bashku marrin garanci dhe mbrojtje nga shteti. Por është pjesë e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hovenier./Express/ KultPlus.com

SHBA dënon fuqishëm sulmin ndaj një patrulle të EULEXIT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Hovenier është deklaruar se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe se autorët duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë së Kosovës.

“SHBA i bashkohet #EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEXIT, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare”, ka shkruar Hovenier në llogarinë zyrtare në “Twitter”. /KultPlus.com

Kurti pas arritjes së marrëveshjes: Nuk ka kohë për ambicie të vogla, koha për hapa të mëdhenj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar ambasadorin amerikan Jeff Hovenier për përpjekjet e tij në lehtësimin e marrëveshjes për targa me Serbinë, përcjell KultPlus.

Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se tani është koha për hapa të mëdhenj përpara.

“Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Pajtueshmëria e djeshme hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në Propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe ShBA-të. Mirënjohës ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij”, ka shkruar Kurti.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Boreel, ka lajmëruar ditën e djeshme se pala kosovare dhe ajo serbe kanë arritur marrëveshje lidhur me targat. /KultPlus.com

Osmani takoi ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara

Presidentja Osmani takoi ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim pune ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në vendet e rajonit.

Në fokus të takimit ishte partneriteti me Shtetet e Bashkuara, rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e energjisë, bashkëpunimi rajonal, si dhe zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe më gjerë.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet tona mbeten plotësisht të angazhuara për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme në vend dhe rajon, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar.

Presidentja Osmani ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara, aleaten kryesore të vendit dhe popullit tonë. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë në mes të dy vendeve. Në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal. /KultPlus.com

Hovenier dënon aktin kriminal të djegies së veturës pas kthimit të targave RKS, por mbështet vendimin e qeverisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka reaguar për rastin e djegies së një veture e cila i ka kthyer targat RKS-së, pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Hovenier tha se SHBA dënon aktin e djegies dhe shkatërrimit të pronës dhe çdo përpjekje tjetër për të frikësuar ata që dëshirojnë të regjistrojnë makinat e tyre në RKS.

“Këto janë akte frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier në “twitter”.

Ai ka përsëritur edhe një herë kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit për 12 muaj, në mënyrë që pas kësaj periudhe të vendosen targat RKS.

Ai po ashtu ka përsëritur se SHBA-të mendojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë një ndryshim të tillë të targave. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: SHBA mbetet e palëkëndur në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka bërë një pritje mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, festë e cila kremtohet çdo 4 korrik, shkruan KultPlus.

Këto komente ambasadori Hovenier i ka bërë gjatë pritjes së shumë mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha para të pranishmëve se 246 vjet më parë, 56 përfaqësues nga 13 koloni amerikane u mblodhën në Filadelfia dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej si një dokument radikal, Deklaratën e Pavarësisë, ku ajo shpalli statusin e kolonive si shtete sovrane të pavarura.

“Ajo paraqet një citim premtues amerikan: ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë burrat -dhe unë po shtoj në mënyrë redaktuese- dhe të gjitha gratë janë krijuar të barabartë që të janë të pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë; jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë’. Ky premtim udhëzon edhe politikën e jashtme amerikane, jashtë kufijve tanë dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë, e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës. Prandaj ne mbetemi të palëkundur, siç kemi qenë gjithmonë dhe duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës. Pra, sot, ndërsa ne festojmë 246 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ne gjithashtu festojmë së bashku, 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përparimin e jashtëzakonshëm që keni arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore“, ka thënë ai. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier takon gruan simbol të eksodit të Kosovës: Sherifja, fytyra e një lufte brutale

Ishte marsi i vitit 1999, periudhë kjo e cila për popullin e Kosovës ishte tejet e rëndë.

Kolona të gjata njerëzish, të rinj me çanta në duar, fëmijë që qanin, të moshuar që mezi ecnin, ia kishin mësyrë një rruge që nuk e kishin idenë se ku do t’i çonte.

Të frikësuar në çdo hap që bënin nuk e dini as nga po shkonin, vetëm dëshironin të iknin sa më larg paramilitarëve serbë të cilët gjatë viteve 1998-99, vrisnin civil e të pafajshëm, dhe digjnin çdo gjë që kishin përpara.

Fotografi boshnjak Damir Sagolj, i cili punon për Reuters, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kishte shkrepur fotografi të cilat pasqyronin gjendjen reale të luftës dhe terrorin që po përjetonin popullata.

Në fotografinë e bërë nga Sagolj, shihet një kolonë e gjatë banorësh të Kaçanikut por që në fokus ka një grua me një shami të bardhë në kokë, ndërsa mbante në gjirin e saj një foshnje. Në fytyrën e saj shihet frika dhe zemërimi.

Kjo grua quhet Sherife Luta e cila i kishte mbijetuar shumë mirë asaj kohe, ndërsa foshnja që mbante në duar, thënë më mirë vajza e saj, tani është rritur dhe ndonëse atë kohë nuk kishte ditur asgjë se çfarë ishte duke ndodhur.

Me rastin e shënimit të 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se ka takuar Sherife Lutën.

“Ishte kënaqësi që takova sot Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes. 23 vjet më parë, Sherifja u bë fytyra e një lufte brutale pasi ajo dhe fëmija i saj u larguan nga Kosova. Sot ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm”, ka shkruar Hovenier derisa në krah të djathtë të tij është Sherife Luta.

Hovenier: 23 vjet më parë NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka thënë se ndihet i nderuar me festimin e kësaj dite, shkruan KultPlus.

Ai gjithashtu ka theksuar se 23 vjet më parë NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin.

“I nderuar për të festuar sot Ditën e Paqes në kufirin e Maqedonisë së Veriut/Kosovës, përkrah zyrtarëve të Kosovës dhe anëtarëve të komunitetit diplomatik. 23 vjet më parë këtu, shumë kosovarë u kthyen në shtëpi. NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin”, ka shkruar ambasadori amerikan. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Krenar që u bashkova me qytetarët e Kosovës në shetitjen e krenarisë

Sot është mbajtur parada e krenarisë në Kosovë, ku kanë marrë pjesë një numër i madh i njerëzve, shkruan KultPlus.

Njëri ndër pjesëmarrësi ishte edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, i cili u shpreh krenar që i’u bashkua kësaj shëtitje të krenarisë.

“Krenar t’i bashkohem stafit të Ambasadës, kolegëve të trupit diplomatik dhe më e rëndësishmja qytetarëve të Kosovës në #ShëtitjenKrenarisë 🏳️ 🌈 e sotme në Prishtinë. Ne njohim dhe festojmë forcën e diversitetit të Kosovës dhe kontributet e personave LGBTQI+ këtu në Kosovë dhe në botë. #Krenari”, shkroi Hovenier në “Facebook”. /KultPlus.com

Ministri rus mohon masakrën e Reçakut, ambasadori amerikan në Kosovë reagon me fakte të dokumentuara

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergeri Lavrov ka mohuar Masakrën e Reçakut teksa ka folur për masakrën që ushtarët rus kanë kryer në Bucha të Ukrainës kundër civilëve të paarmatosur, shkruan KultPlus.

Për këtë ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Në një postim në “Twitter”, Hovenier ka thënë se ata të cilët tentojnë të rishkruajnë ose ta mohojnë këtë masakër, i lartëson krimet e luftës.

“Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirë-dokumentuar të masakrës së Reçakut lavdërojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve. Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar ai.

Pikërisht në atë postim, Hovenier ka përfshirë edhe dy dokumente nga OSCE dhe UNDPPA, në të cilat përfshihen fakte për këtë masakër. /KultPlus.com

Me fanellë në stadium, ambasadori amerikan përkrah Prishtinën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, është parë duke shikuar ndeshjen e Prishtinës mes Dukagjinit, e cila do të jetë shumë interesante në garën për të siguruar mbijetesën, shkruan KultPlus.

Komentatori i sportit në Art Motion, Arlind Sadiku, e ka takuar atë në shkallët e stadiumit dhe ka vendosur që ta pyes se si ai vendosi ta mbështes Prishtinën.

“Unë jetoj në Prishtinë dhe e dua futbollin, më pëlqen të shkojë e t’i shikoj ndeshjet kudo që jetoj. Jam i lumtur që stadiumi është këtu dhe gjithashtu luhet futboll kualitativ dhe më pelqen të mbështes një ekip, kështu tani është Prishtina. Mundohem t’i shikoj ndeshjet dhe e di që ka fituar ndeshjen e kaluar. Gjithashtu, e di që Prishtina ka më së shumti tituj në Superligën e Kosovës”, ka thënë Hovenier.

Prishtina është duke luajtur për të siguruar mbijetesën në një përballje direkte me ekipin e Dukagjinit. /KultPlus.com

Ambasadori amerikan nderohet me praninë e Osmanit dhe Kurtit në varrimin e Albright

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është ndjerë i nderuar me prezencën e Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, në funeralin e ish-sekretares Medeline Albright.

“I nderuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti me praninë e tyre në funeralin e djeshëm teksa ata bënë homazhe për Madeline Albright, duke i atribuuar a kontributet e saj të shumta për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Hoevenier.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.

Kurti theksoi se për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.

Kurse presidentja Osmani ka lavdëruar rolin e Albright për çlirimin e Kosovës, duke e quajtur atë mike të madhe të Kosovës. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre

Më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, e për këtë gjë ka shkruar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, përcjell KultPlus.

Nga lufta e fundit në Kosovë janë 1620 persona të pagjetur që ende mungojnë.

Ambasadori Hovenier thotë se duhet të bëhet më shumë për familjarët e këtyre personave.

“Sot në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur qëndrojmë pranë familjarëve të cilët edhe pas më shumë se 20 vitesh nuk kanë përgjigje për fatin e të dashurve të tyre. Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi për këto familje dhe ata që nuk janë gjetur ende,” shkroi Hovenier në Twitter.

Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, YIHR KS do të organizojë një aksion rrugor në Sheshin “Skënderbeu” më datë 27 prill, duke filluar nga ora 12:00. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier u bënë thirrje kosovarëve për vaksinim gjatë pranimit të vaksinave të dhuruara nga ShBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar dje Kosovës dje mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat kanë arritur sot në Kosovë.

Në ceremoninë e pranimit të këtyre vaksinave kanë marrë pjesë krerët shtetërorë dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Hovenier u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen dhe t’i respektojnë masat anti-Covid.

“Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij. Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes. Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale”, ka thënë Hovenier.

Ndryshe, duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar mbi 1 milionë doza të vaksinave Kosovës.

Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane në Prishtinë:

SHBA-ja i dhuron edhe gjysmë milioni doza të vaksinave Pfizer për mbrojtjen e kosovarëve; Numri i përgjithshëm i dozave të dhuruara nga SHBA-ja tani tejkalon 1 milion doza.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë përafërsisht 10 milionë dollarë në emër të ndihmës tjetër të ndërlidhur me pandeminë për të forcuar reagimin e Kosovës ndaj pandemisë.

Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës edhe 515.970 doza të vaksinës Pfizer, vaksinë kjo që shpëton jetë, është e sigurt dhe shumë efektive. Duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator 2021, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhuruar mbi 1.054.170 doza për të mbrojtur kosovarët, që paraqet donacionin më të madh të vaksinave kundër Covid-19 nga ndonjë shtet apo organizatë dhuruar Kosovës.

„Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij.  Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes.  Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Meqenëse asnjë vend nuk mund ta mposhtë Covid-19 i vetëm, presidenti Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndajnë më shumë se 1.2 miliardë doza të vaksinës nëpër botë. „Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë arsenali i vaksinave të botës në luftën tonë të përbashkët kundër këtij virusi”, tha presidenti Biden në një deklaratë më 3 qershor 2021. „Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një botë më të sigurt kundër kërcënimeve të sëmundjeve ngjitëse”, tha ai.

Përveç vaksinave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin donatori më i madh bilateral për sistemin shëndetësor të Kosovës për forcimin e reagimit ndaj Covid-it.  Prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 10 milionë dollarë në emër të mbështetjes shtesë të ndërlidhur me pandeminë për ngadalësimin e përhapjes, kujdesin për të prekurit dhe pajisjen e shkollave kosovare, shtëpive të shëndetit, familjeve dhe komuniteteve në 38 komunat e Kosovës me mjetet e nevojshme për ta luftuar Covid-19.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim COVAX (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19.  Me donacionin prej 4 miliardë dollarë në Covax, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh në botë për qasje me mundësi të barabartë globale në vaksinat kundër Covid-19.  Covax-i bashkë-udhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (ËHO), si dhe UNICEF-i si partner kryesor për shpërndarjen e dërgesave./ KultPlus.com

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë me mesazh për garuesit e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore në Kinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka uruar fat dhe sukses ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Kinë.

Kosova parakaloi sot në ceremoninë hapëse të lojërave Pekini 2022, me skitarin Albin Tahiri si bartës të flamurit shtetëror.

Lojërat Olimpike Dimërore do të mbahet nga 4 deri më 20 shkurt në Pekin dhe Kosova po merr pjesë për herë të dytë në historinë e vet në lojëra dimërore.

Në një shkrim në Twitter gjatë ceremonisë hapëse të lojërave, Hovenier shkroi: “I uroj ekipit të Kosovës – dyshes dinamike Kiana Kryeziu, gruas së parë që e përfaqëson Kosovën në Lojtarët Olimpike Dimërore dhe Albin Tahirit, garuesit të parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore – shumë fat dhe sukses në garë për medalje të artë.”

Tahiri e barti i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapesë sot pasdite, pasi garuesja tjetër Kiana Kryeziu nuk u lejua të merrte pjesë për shkak të kontaktit me trajnerin Agim Popovci që ka dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Kryeziu e siguroi pjesëmarrjen në Pekini 2022 pas garës kualifikuese në Itali në fillim të janarit, duke u bërë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore.

Ajo do të garojë në sllallom të madh në garën me ski në Pekin.

Tahiri, i cili bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut, në Pekin 2022 do të garojë në katër disiplina të garës me ski.

32-vjeçari do të garojë nën flamurin e Kosovës në katër disiplina të garës me ski: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Kosova është një vend sovran, disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë por thjesht është

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë së fundmi ka publikuar një postim në rrjetet sociale nëpërmjet të cilit theksohen fjalët e Ambasadorit të SHBA-së në Republikën e Kosovës, Jeff Hovenier, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë:

“Kosova është një vend i pavarur… Kosova është një vend sovran. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë; por, thjesht është. Dhe, njerëzit mund të argumentojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë: Siç ka thënë presidenti Clinton, masakra e Reçakut ishte akt vrasës i qëllimshëm

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në ceremoninë e 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ka thënë se Masakra e Reçakut ka qenë akt vrasës i qëllimshëm dhe ishte arsyeja pse ShBA-ja intervenoi në mbrojtje të popullit të Kosovës.

“Askush të mos harrojë apo mohojë se çka ndodhi këtu dhe se pse aleatët dhe ShBA-ja intervenuan për të mbrojtur popullin e Kosovës. Në përgjigje të këtyre mizorive SHBA-të në bashkëpunim me aleatët e NATO-s vepruan në mbrojtje të civilëve të pambrojtur. Këto qëllime i përfaqësojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore.Ne besojmë që të gjithë popujt pa dallim etnie apo feje meritojnë të jetojnë në liri”, tha ai.

Ai citoi ish-presidentin amerikan, Bill Clinton i cili e kishte quajtur masakrën e Reçakut akt vrasës i qëllimshëm.

“Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të masakrës së Reçakut dhe për të minimizuar apo keqintepretuar faktet rreth këtyrë mizorive, dëshiroj të jem i qartë siç ka thënë presidenti Clinton atëherë dhe e vërtetojmë sërish tani ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës, mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vrarëve dhe e kthen rajonin prapa”, tha ai.

Tutje Hovenier tha se e mban mend mirë ditën e Masakrës së Reçakut kur ish-ambasadori amerikan Ëalker e kishte informuar përmes telefonit.

“E mbaj mend shumë mirë si zyrtar në misionin e ShBA-së në OSBE përgjegjës për Kosovën atëherë kisha një marrëdhënie të mirë me ambasadorin Walker. Ai më thirri në telefon sapo ishte larguar nga Reçaku tashmë i përqëndruar në rekomandimet e tij për OSBE-në në reagim të vrasjeve brutale të civilëve të pafajshëm”, tha ai./KultPlus.com

Kosova forcon bashkëpunimin me Amerikën, Merdiana Leci zyrtare ndërlidhëse në Washington

Me të marrë detyrën e re, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se Merdiana Leci do të jetë zyrtarja ndërlidhëse e Kosovës në Departamentin amerikan të shtetit, shkruan KultPlus.

Me një foto të publikuar në “Twitter”, Hovenier bën të ditur se programi i ri do të fuqizojë bashkëpunimin SHBA-Kosovë.

Diskutim produktiv me Ministrën e Punëve të Jashtme, Gërvalla dhe i inspiruar të takojë Merdiana Lecin, kosovarja e parë që do të shërbejë si zyrtare ndërlidhëse në departamentin amerikan të shtetit në Washington. Ky program do të fuqizojë edhe më shumë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes Kosovës dhe Amerikë për prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme”, shkruan ambasadori në “Twitter”.

Presidenti, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të Kosovës Hovenierin në korrik të vitit të kaluar. /KultPlus.com

Viola von Cramon mirëpret ardhjen e Hovenier në Kosovë: Uroj të takohemi shpejt

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka mirëpritur emërimin dhe ardhjen e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Von Cramon, ka thënë se po pret të takojë me padurim Hovenierin.

“Mirë se vini në Prishtinë Ambasador Hovenier! Unë pres që së shpejti të takohemi me ju dhe ekipin tuaj për të forcuar bashkëpunimin e mëtejshëm të BE-së dhe SHBA-së”, ka shkruar Cramon.

Presidenti, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të Kosovës Hovenierin në korrik të vitit të kaluar. /KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Ndjehem i nderuar, do të forcojmë edhe më shumë partneritetin Kosovë – SHBA

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka pranuar sot zyrtarisht detyrën e tij të re, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Hovenier, është shprehur shumë i nderuar që ka dorëzuar kredencialet e tij presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit.

“Jam i nderuar t’i dorëzoj kredencialet e mia Presidentes, Vjosa Osmanim sot si ambasador i re i SHBA-së në Kosovë”, shkroi ai në “Twitter”.

Tutje, Hovenier shtoi se është i përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e partneritetit të qëndrushem ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Presidenti, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të Kosovës Hovenierin në korrik të vitit të kaluar. /KultPlus.com

Jeff Hovenier do të marrë sot detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë sot detyrën e tij të re, përcjell KultPlus.

Presidenti Joe Biden ka emëruar Hovenier në këtë post gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, derisa vendimi u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Hovenier luajti një rol të rëndësishëm në negociatat që dërguan përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Derisa, kjo do të jetë hera e parë që ai shërben si ambasador i SHBA-së. /KultPlus.com

Senate Confirms Jeffrey Hovenier as US Ambassador to Kosovo - Exit -  Explaining Albania