Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Lutfi Haziri: S’mund të ndërtojmë arsim online në Kosovë, s’kemi përvojë e kapacitete teknologjike

Përpos parandalimit të përhapjes së COVID-19, Komuna e Gjilanit e ka në prioritet të lartë sektorin e arsimit, këtë javë, e cila vije nga takimi online me kryeministrin Hoti dhe përfaqësuesit e komunave.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë të mërkurën se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH’it, por ka shtuar se nuk është në përgjegjësinë e tyre se cili nga këto opsione do të duhej të implementohet, për normalizim të sistemit të arsimit.

“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrfarë kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA’s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë”, ka thënë
Haziri.

Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i arritshmërisë, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës të normalizohet në kushte pandemie. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi e Kryetari Haziri vunë gur themelin e stadiumit ndihmës në Gjilan

Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me zv. ministren Valdete Bajrami, gjatë vizitës në Gjilan ishin të pranishme për vënien e gur themelit të stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ministrja Dumoshi tha se investimi në fushën ndihmëse në lagjen “Arbëria” kap koston e 550 mijë eurove. Me këtë rast ministrja u bëri thirrje të rinjve dhe organizatave rinore që të aplikojnë për mbështetje nga fondi emergjent 5 milionësh që është ndarë për MKRS-në për kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ky fond do të përfshijë vende pune për të rinjtë, në fusha që ndërlidhen me kulturën, rininë e sportin, me ç ‘rast të rinjtë ftohen të aplikojnë përkitazi në projekte programore të Ministrisë. Me këtë theksoi që synohet që pjesën që i përket rinisë, përmes këtij fondi ta përkthejnë në vende punë për të rinjtë.

“Sot ndodhemi në komunën e Gjilanit ku në programin tonë bashkë me Federatën e Futbollit shpalosim programin për avancimin e sportit në përgjithësi e në veçanti për futbollin. Në katër komuna do të investojmë rreth 4 milionë euro. Fusha ku ndodhemi sot ka koston prej 550 mijë euro”.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se të rinjtë e Gjilanit do të shkollohen e stërviten në këtë stadium. Haziri mes tjerash ka thënë se ky është stadiumi i tretë në Gjilan.

“Ministrja dhe zëvendësministrja sot janë në Gjilan për të parë punimet në infrastrukturën sportive dhe për ta inauguruar stadiumin ndihmës të Gjilanit. Të rinjtë tanë do të shkollohen e stërviten por edhe klubet do t’i kryejnë stërvitjet në këtë stadium. Shpresoj që kjo t’ju shërbejë si motivim për lojën së bukur që do të zhvillohet këtu – tha Kryetari Haziri.

Stadiumet në fjalë janë projekt i përbashkët i MKRS-së, FFK-së dhe komunave dhe ndërtohen për ekipet e futbollit të cilat garojnë në Super Ligën e Kosovës.

Gjashtë fusha ndihmëse janë ndërtuar edhe gjashtë pritet të ndërtohen në tërë Kosovën. / KultPlus.com

Dumoshi dhe Haziri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë me zëvendësministren Valdete Bajrami kanë vizituar sot Komunën e Gjilanit.

Gjatë vizitës, ministrja Dumoshi e zv. Bajrami kanë zhvilluar takim me Kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, i cili u informua për projektet e MKRS-së në këtë komunë.

Me kryetarin Haziri ministrja Dumoshi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit” në vlerë prej 20.000.00€.

Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur këtë manifestim duke shprehur se çfarë e bën edhe më të veçantë është nënshkrimi pikërisht më 2 korrik kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet. Ai u shpreh i nderuar që pret për vizitë ministren Dumoshi dhe zv. Bajrami dhe u shpreh se simbolika e kësaj dite është kontributi i heronjve të 2 korrikut. Ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për qytetin tonë – tha ai.

Gjatë takimit u diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i qytetit, Galeria e qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.

Ministrja Dumoshi, zv. ministrja Bajrami dhe kryetari Haziri inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit i ku investimet janë mbi 9 milion euro.

Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt. Ministrja Dumoshi, tha se si ministri do të vazhdojnë investimet nëpër stadiume, teksa shtoi se prioritet i tyre është rregullimi i infrastrukturës sportive.

Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër e cila kap vlerën e mbi 2 milion euro, dy fusha të tenisit, me vlerë mbi 70.000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400.000 euro.

Edhe kryetari Haziri, tha se stadiumi i qytetit është prioritet i lartë i Komunës dhe se ky konfirmim i kontribuon standardizimit të plotë të sportit në gara ndërkombëtare.

Gjatë inspektimit në stadium i pranishëm ishte edhe sekretari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili mbështetjen e MKRS-së për stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe në përgjithësi për projektet infrastrukturore në futboll i vlerësoi si të jashtëzakonshme, pasi që ua mundësojnë futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë garat vendore e ndërkombëtare. / KultPlus.com

Vetizolohet Lutfi Haziri, ishte në ditëlindjen ku këndoi këngëtari me koronavirus

Kryetari i Komunës së Gjilanit, dhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se që nga mbrëmë është vetizoluar, pasi që ka qëndruar në një ambient të njejtë me personin që doli se është i prekur nga korona virusi.

Haziri ka shkruar në Facebook se komuna në të cilën ai udhëheq ka marrë veprime konkrete për parandalimin e virusit.

“Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus. Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor”, k  shkruar ai.

Haziri thotë se të gjithë personat që kanë qenë në ambient të njejtë do të ju nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.

“Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimi. Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete. Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi”, shkroi Haziri./GazetaExpress/ KultPlus.com

Me veshje tradicionale, Haziri mban mbledhjen me drejtorët

Mbledhja e bordit të drejtorëve të Gjilanit, sot ishte më e veçantë.

Përpos plot temave të rëndësishme që u diskutuan, Lutfi Haziri – kryetar, Arbër Ismajli – nënkryetar dhe drejtorët komunalë, u veshën në mënyrë tradicionale, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kjo ngjarje shënon fillimin e aktiviteteve në shënim të 12-vjetorit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Gjilani, me këtë rast, i bën thirrje të gjitha institucioneve qëndrore dhe lokale të festojnë tradicionalisht.

Moto e Gjilanit në vigjilje të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë është “12 vjet, më i bukuri shtet”. /koha/ KultPlus.com