Studentët protestojnë para Qeverisë, shkak mospërfshirja në Ligjin për Rimëkëmbje

Organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka mbajtur  sot një aksion para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e  studentëve në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili u votua të premten e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Para objektit të Qeverisë ata vendosën një pako të zezë me mesazhin “Ndihma e Qeverisë për studentë”.

Dionit Kabashi, nga kjo organizatë theksoi se ende pa nisur viti akademik i janë drejtuar me 13 kërkesa Këshillave Drejtues të Universiteteve Publike, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Qeverisë së Kosovës.

“Kemi kërkuar largimin e të gjitha tarifave për shkollim të vitit akademik 2020/2021, si ndihmë e vogël për studentët dhe familjet e tyre për shkak të krizës së madhe ekonomike si pasojë  e COVID-19 që i ka prekur ata dhe familjet e tyre”, ka thënë ai.

Kabashi theksoi se përmes aksionit simbolikë po shprehin pakënaqësitë se si qeveria në një ligj qindra milionësh nuk gjet vend për studentët e këtij vendi. /Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Cili shtet u kushtëzon studentëve mësimin online dhe nuk i ofron themeloren, energjinë elektrike?’

Institucionet arsimore të vendit si shkak i Covid-it po vazhdojnë me ligjëratat online. Mirëpo, kjo formë e të mësuarit ka edhe vështirësi të shumta, e një ndër to është shkëputja e energjisë elektrike në vend, shkruan KultPlus.

Si rezultat i kësaj, studentëve po iu pamundësohet pjesëmarrja në ligjërata. E një nga ta, është edhe Shpresa Hasimi, studentja e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e cila ka reaguar nëpërmjet një statusi në profilin e saj.

Sipas saj mësimi online nuk po mund të zhvillohet në mënyrë të duhur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, andaj ajo kërkon zgjidhje e jo ankesa që rinia po largohet nga vendi.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin:

Mësim online?!

Cili shtet u kushtëzon studentëve mësimin online dhe nuk i ofron themeloren, energjinë elektrike?

Kush është përgjegjës/e për dy ligjëratat që nuk mund t’i mbaja sot, si shkak i ndaljes së rrymës?

Apo, me të vërtetë nuk iu intereson fare se si po zhvillohet ky mësim, e ia bëni qejfin vetes gjoja se çdo gjë po shkon “perfekt”?!

Mos u mundoni të mashtroni veten me gjëra të tilla, por bëni zgjidhje!

Bëni zgjidhje, nëse dëshironi që të mos iu kthehet “boomerang” fëmijëve tuaj në të ardhmen.

E krejt në fund, mos u ankoni që rinia po largohet, ju nuk po lejoni as të shkollohemi./KultPlus.com

Dokumentet arkivore do të jenë falas për studentët e historisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, përmes së cilës synohet lehtësimi i studimeve të studentëve në fushën e shkencave albanologjike, si një interes institucional dhe kombëtar.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Sabri Laçi, në vazhdën e bashkëpunimit midis dy palëve në fushën e kërkimit shkencor dhe botimeve, nëpërmjet qasjes së lirë në fondet arkivore dhe botimeve të përbashkëta të lidhura me to. Të pranishëm ishin edhe zv/dekani Andi Pinari si dhe profesoresha Valentina Duka, shefe e departamentit të Historisë.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido tha se kjo marrëveshje u mundëson të gjithë studentëve në nivel bachelor dhe master që të mund të marrin dokumente falas, një mënyrë kjo për të nxitur studime në fushën albanologjike dhe në fushën historike.

“Studentët për të bërë një temë bachelor dhe master, tashmë përmes kësaj marrëveshjeje, me një autorizim nga departamenti, duke përcaktuar pedagogun përkatës udhëheqës, do të mundet që për një sasi të caktuar që do të konsiderohet rast pas rasti për çdo temë, të marrin dokumentacionin falas në Arkivin Qendror Shtetëror” tha Bido.

Nga ana e tij, Prof. Sabri Laçi duke falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave tha se kjo marrëveshje është në rrugën e duhur pasi dhe nga bashkëpunimet e mëparshme me Arkivin Qendror Shtetëror marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, duke e konsideruar një nga partnerët më të rëndësishëm të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

“Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë ka qenë në lartësinë e duhur për sa i përket punës kërkimore shkencore dhe mbështetja e arkivit në këtë rast është për tu shënuar. Sigurisht ne kemi dhe partnerë të tjerë dhe jemi në vazhdën e zgjerimit të partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar, sa i përket zgjerimit të hapësirave të punës kërkimore shkencore, për student, për staf, për të gjithë kërkuesit shkencor që dëshirojnë të kontribuojnë në studimin dhe rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe më gjerë”, u shpreh Laçi.

Qëllimi dhe targeti kryesor i bashkëpunimeve të këtilla janë studentët, të cilëve u krijohen lehtësi në jetën e tyre akademike, duke ua bërë më të lehtë qasjen deri tek informacioni dhe fondi historik që disponon DPA. Me këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër të mbështesë Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë me burimet arkivore në formë digjitale deri në 20 mijë imazhe në vit pa pagesë. Përveç kësaj, DPA dhe FHF angazhohen në organizimin e konferencave, simpoziumeve, tryezave dhe kongreseve shkencore, në fushat e interesit të përbashkët si dhe për promovimin e përbashkët të personaliteteve dhe momenteve kyçe të historisë kombëtare.  / KultPlus.com

Një kishë shndërrohet në… sallë studimi për studentët me Covid-19

Kisha Votive e Vjenës ka hapur dyert për studentët e universitetit që po kërkojnë të shmangin sallat e studimit dhe bibliotekat për shkak të pandemisë Covid-19.

Në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës aty pranë, holli i kishës së shekullit XIX vendosi edhe një lidhje me internet me shpejtësi të lartë këtë javë si dhe me tualete shtesë.“Lidhja me internet është e mirë. Problemi i vetëm është që nuk ka pika të energjisë elektrike”, tha një student i Shkencave Politike dhe Psikologjisë.

Me gati 90 000 studentë, Universiteti i Vjenës është një nga institucionet më të mëdha të arsimit të lartë në Europë. Universiteti i Vjenës filloi vitin e tij akademik me një përzierje të mësimdhënies fizike dhe online. Studentëve që marrin pjesë në leksione u kërkohet të mbajnë maska ​​dhe të regjistrojnë saktësisht se ku ulen, për ta bërë më të lehtë gjurmimin e kontakteve në rast të një infeksioni.

Adoleshentët dhe të rinjtë kanë nivelet më të larta të infeksionit midis të gjitha grupeve të moshës në Austri./ atsh/ KultPlus.com

Isa Mustafa denoncohet nga studentët: Prej katër vitesh merr pagë si profesor i rregullt pa qenë në ligjërata asnjëherë

Organizata për monitorimin e universiteteve publike në Kosovë “Organizata Studentore” ka akuzuar liderin e LDK-së Isa Mustafa se prej katër vitesh merr pagë si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pa qenë në ligjërata asnjëherë.

Kjo organizatë ka reaguar sot duke kërkuar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti që të merr masa ndaj Mustafës.

“Isa Mustafa më shumë se katër vite merr rrogë në Fakultetin Ekonomik pa mbajt asnjë orë mësim”, thuhet në një njoftim për media të kësaj organizate.

Demokracia Studentore kërkon nga rektori aktual i Universitetit të Prishtinës që t’i largoj profesorët të cilët janë të fuqishëm në politikë dhe nuk mbajnë mësim dhe paguhen nga UP-ja, njëri prej tyre është edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i cili është profesorë i rregullt në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe nuk ligjëron më shumë se katër vite!”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Në bazë të një hulumtimi nga organizata Demokracia Studentore, në reagim thuhet se Isa Mustafa merr rrogë më shumë se katër vite prej UP-së, përkatësisht nga Fakulteti Ekonomik pa ligjëruar asnjëherë në universitet. “Andaj ne si organizatë kërkojmë nga rektorati aktual që mos t’i frikësohet politikanëve të fuqishëm dhe t’i liroj nga detyra të gjithë ata profesor me ndikime politike që deri më tani e kanë përdorur autoritetin e tyre dhe janë paguar nga universiteti pa mbajtur asnjë orë mësim. Profesorët të cilët janë me ndikim politik si Isa Mustafa i kanë uzurpuar pozitat e tyre dhe nuk po e lënë universitetin që të zhvillohet” thuhet në njoftimin e tyre.

Edhe në faqen zyrtare të Fakultetit Ekonomik të UP-së, Isa Mustafa figuron si profesor i rregullt. Mjafton një klikim në këtë faqe dhe Mustafa shfaqet në listën e profesorëve të rregullt. / KultPlus.com

Kurti kujton protestën e 1 tetorit: Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë

Protesta e Lëvizjes Studentore, më 1 tetor 1997 vlerësohet si pikënisje e kthesës së madhe historike, që po vinte për Kosovën.

Regjimi që ishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim. Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e udhëhequr dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Përmes një statusi në Facebook Albin Kurti ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme duke u shprehur se para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë. Ai tutje ka shkruar se gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.

Për Kurtin, cdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit.

Postimi i plotë i Kurtit:

Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë.

Ishim studentë të një universiteti që konsiderohej paralel e i krijuar nga shqiptarët, të cilëve arsimi i lartë nuk u lejohej në Kosovë.

Mësimin e mbanim në shtëpi të njerëzve zemërgjerë që i kishin lëshuar përkohësisht ato për ne. Aktivitete jashtë universitare pothuajse nuk kishte fare. E ato pak aktivitete që i kishim, ishin të kufizuara nga orët policore apo patrullat e policëve. Te fytyrat e prindërve tanë shihnim një brengë të pafundme për të ardhmen tonë të pasigurt.

Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.

Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997.

Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb.

Çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin.

Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit. / KultPlus.com

Qeverisë i kërkohet që studentët të lirohen nga të gjitha pagesat

Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i lirojë studentët nga të gjitha pagesat.

Demokracia Studentore nëpërmjet një komunikate për media kanë thënë studentët janë kategoria më varfër e që atyre vazhdimisht po iu bëhet presion për kryerjen e pagesave të semestrave por edhe shërbimeve tjerë. Për çka kanë kërkuar që në kohë pandemi studentët të lirohen nga këto pagesa.

“Studentët janë kategoria më e varfër në vend dhe vazhdimisht po na bëhet presion nga fakultetet për t’i kryer pagesat e semestrave dhe pagesat të tjera që lidhen me shërbime ndaj studentëve, andaj kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në këtë kohë pandemie studentët të lirohen nga të gjitha pagesat, pasi që studenti është kategoria më e prekur në këtë situatë të rëndë ekonomike”, thuhet në komunikatën për media.

Demokracia Studentore theksoi se studentët nuk kanë asnjë lloj të ardhure financiare dhe i vetmi burim financimi është nga familja, andaj Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë parasysh gjendjen e tyre të rëndë ekonomike në kohë pandemie dhe t’i përfshijë në pakon emergjente. / KultPlus.com

14 studentë të shkëlqyer do të mbështeten me bursë nga Fondi i Ekselencës i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini tha sot se 14 studentë të shkëlqyer do të mbështeten me bursë nga Fondi i Ekselencës i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të kryer studimet jashtë vendit.

“Ata janë pranuar në universitetet më të mira të botës, si Harvard, Columbia apo Maastricht, në degë të ndryshme, nga Sistemet e Integruara të Ndërtimit deri tek Inxhinieria Biomjekësore”, tha ajo.

Po ashtu, Shahini shtoi se ka biseduar me këta studentë mbi reformat e deritanishme në sistemin arsimor, duke marrë një sërë sugjerimesh të vlefshme për t’u përmirësuar në vijim.

“Ndërkohë, mezi pres që përvojën e vyer që do të fitojnë jashtë ta përkthejnë në dobi të projekteve të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Iu dëshiroj rrugëtim të mbarë akademik”, tha ajo. /Atsh /KultPlus.com

Studentët në Itali do t’i mbajnë provimet në mes të ullinjve

Imagjinoni t’i nënshtroheni provimeve finale ulur në një tavolinë pikniku në qiellin e kaltër dhe në mes të plantacioneve të ullinjve, e zhurmës së zogjve në periferi të Umbrias.

Ky skenar dramatik i pret studentët në Institutin Agrokulturor Ciuffelli, pasi organizimi i provimeve në ambient të mbyllur është i pasigurt dhe i paparashikueshëm shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Në kampusin 75 hektarë të shkollës në periferi të qytetit Todi të martën, shtatë profesorë dhe një student kanë bërë një provë për provimet që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Në Itali gjithë studentët i nënshtrohen provimeve me gojë dhe me shkrim për të marrë një diplomë apo gradë. Normalisht të gjithë ato mbahen në ambient të mbyllur, por këtë javë provimet me shkrim janë anuluar për të evituar ngarkesën në klasa shkollore.

Zyrtarët e institutit kanë vendosur të mbajnë provimet me gojë në ambient të jashtëm.

Profesorët, duke mbajtur maska, qëndronin ulur me laptopët e tyre dhe printerët në një tavolinë pikniku rreth 19-vjeçarit Matteo Lenticchia, që po i përgjigjej një numri të pyetjeve hipotetike për qumështin, djathin, sigurinë e ushqimit, konsumimin dhe shpërndarjen.

Ata ishin vendosur nën hije të pemëve.

“Në fakt, është më relaksuese të jesh jashtë. Është më relaksuese të dëgjosh tingujt e zogjve sesa të dëgjosh sirenat e veturave”, ka thënë Lenticchia.

Në Institut gjatë pesë vjetëve studentët mësojnë çdo aspekt të agrokulturës, si të drejtosh një fermë, për kafshët, për bimët dhe madje edhe si të përdoren dronët për të monitoruar lagështinë në fusha.

Umbria, që gjendet në qendër të Italisë, është e famshme për prodhim bujqësi. / KultPlus.com

Edhe studentët kërkojnë të përfshihen në Pakon Emergjente

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të studentëve ‘’Demokracia Studentore’’ përmes një komunikate për media ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të përfshihen edhe studentet në Pakon Emergjente.

“Ne si studentë jemi kategoria më e varfër në vend dhe vazhdimisht po na u bëhet presion nga fakultetet për ti kryer pagesat e semestrave dhe pagesat të tjera që lidhen me shërbime ndaj studentëve, andaj ne kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në këtë kohë të pandemisë t’i përfshi të gjithë studentët në pakon emergjente, pasi që studenti është kategoria më e prekur në këtë situatë të rëndë ekonomike”, thuhet në kumtesë e DS.

Studentët në Kosovë, thotë Demokracia Studentore, nuk kanë asnjë lloj të ardhure financiare dhe i vetmi burim financimi është nga familja.

“Andaj Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ketë konsideratë ndaj studenteve për gjendjen e tyre të rëndë ekonomike në këtë kohë të pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID -19 dhe të merr një vendim dhe ti përfshi të gjithë studentët në pakon emergjente, thuhet në komunikatën e organizatës “Demokracia Studentore”, përfundon kërkesa e tyre. / KultPlus.com

Nga Italia në Gjermani, studentët shqiptarë të mjekësisë, ndihmojnë spitalet e vendit

E gjithë bota është përfshirë këto ditë nga akte të vogla e të madhe solidariteti për të ndihmuar ata që luftojnë me pandeminë e koronavirusit në vijën e parë të frontit. I tillë është rasti i një grupi studentësh shqiptarë të mjekësisë që jetojnë në Itali e Gjermani, të angazhuar për të mbledhur fonde për spitalet shqiptare.

Ajo që i bashkoi këta të rinj është dëshira për të ndihmuar. Nesër profesionistë të fushës së mjekësisë, sot thjesht qytetarë me një ndjenjë përgjegjësie të madhe.

“Ajo që vlerësoj më së shumti tek kjo iniciativë është shpirti luftarak dhe bashkëpunues i të gjithë grupit me të cilët po punoj këto kohë. Janë që të gjithë fizikisht në një tjetër shtet dhe me mendjen dhe shpirtin tek atdheu i tyre”, thotë Klorinda Çaushllari, e cila studion për mjekësi në Romë, raporton Zëri i Amerikës.

Të rinjtë, të cilët jetojnë e studiojnë në Itali e Gjermani, u bënë bashkë falë një ideje që lindi fare thjeshtë, por me një qëllim të madh, të ndihmojnë spitalet shqiptare me pajisje mjekësore. Për mbledhjen e fondeve ata kanë zgjedhur platformën e njohur “Gofundme.com”.

“Grupi ka folur me mjekë të ndryshëm në spitalin ‘Nënë Tereza’, njëri prej tyre është doktor, Edvin Prifti, por kemi biseduar edhe mjekë të tjerë të spitalit infektiv, të cilët e kanë përkrahur që në fillim këtë nismë”, thotë Nairda Rumani, e cila ka mbaruar studimet e larta për mjekësi në Tiranë dhe aktualisht ndodhet në Nurenberg të Gjermanisë.

“Na ka kontaktuar Sergio Tresa, i cili është iniciator i kësaj nisme, duke qenë se ne njiheshim me njëri-tjetrin dhe kemi marrë pjesë edhe në nisma të tjera. Të gjitha kontributet do të jenë në materiale (mjekësore) dhe nuk do të këtë asnjë kontribut në para”, thotë Rezarta Kolleshi e cila ka mbaruar studimet e larta për fizioterapi në Tiranë dhe diplomuar për master shkencor në Milano.

Siç rrëfejnë studentet, mbështetja morale për këtë nismë ka qenë e madhe, por jo ajo çfarë prisnin financiarisht. Ato thonë se ka një drojë të përgjithshme për shkak të situatës së krijuar.

“Kontributet që kemi mbledhur deri tani janë të konsiderueshme, por gjithsesi nuk janë të mjaftueshme për të çuar deri në fund atë që ne kishim si mision kryesor. Ne kishim si qëllim jo vetëm blerjen e maskave kirurgjikale, por edhe të respiratorëve çmimet e të cilëve janë të larta shkojnë nga 7 në 10 mijë euro”, thotë Klorinda Çaushllari.

“Doja t’u bëja thirrje kryesisht emigrantëve shqiptarë, të cilët si ne ndodhen jashtë, që të jepnin kontributin e tyre. Ndihmesa e tyre sado e vogël, do të ishte një ndihmë e madhe dhe e vlerësueshme”, shton Rezarta Kolleshi.

“Është bukur të shohësh njerëz që solidarizohen, që ndihmojnë njerëz të tjerë që kanë më shumë nevojë. Njeriu në të tilla kohëra e kupton që humanizmi është gjëja primare, pastaj vijnë të tjerat”, thotë Nairda Rumani.

Ky akt human është ajo që mban ndezur shpirtin e këtyre të rinjve në këtë kohëra të trazuara që po kalon e gjithë bota. Italia një vend i prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit, do të vazhdojë të qëndrojë në izolim të paktën deri më 3 maj.

“Njerëzit janë të frikësuar e të lodhur sepse është kjo është një sëmundje që nuk bën dasi, mund të prek këdo, një mjek një politikan, të gjithë jemi të rrezikuar”, thotë Rezarta Kolleshi.

“Na mungon çdo gjë! Më mungon më së shumti universiteti, miqtë e mi dhe të gjithë ata me të cilën ndaj ditën time. Në të njëjtën kohë është e trishtë…është e trishtë të shohësh rrugët e një qyteti si Roma bosh”, thotë Klorinda Çaushllari.

Rrugë bosh që mbushen nga akte të tilla humanizmi e solidariteti, për ata që sot kanë më shumë nevojë.

Mbyllen konviktet dhe mensa e studentëve

Qendra e Studentëve ka njoftuar se me qëllim të parandalimit të infeksionit Corona Virus COVID-19, në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Nr.01/07, ka marrë vendim për mbylljen e konvikteve dhe mensës së studentëve.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Qendra e Studentëve ka njoftuar se mensa do të jetë e mbyllur nga dt.12.03.2020 nga ora 14:00 ndërsa konviktet nga dt. 13.03.2020 deri në ora 14:00, deri më datën 27.03.2020.

“Qendra e Studentëve në Prishtinë merr vendim për mbylljen e konvikteve dhe mensës së studentëve. Mensa do të jetë e mbyllur nga dt.12.03.2020 nga ora 14:00 ndërsa konviktet nga dt. 13.03.2020 deri në ora 14:00, deri më datën 27.03.2020”, thuhet në njoftim./Express / KultPlus.com

Kur 25 studentë shqiptarë u dërguan në kohën e Mbretit Zog për të studiuar në Fakultetet e Mjekësisë në Francë

Nga: Aurenc Bebja

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 10 tetorit 1929, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me dërgimin në Francë të 25 studentëve shqiptarë nga qeveria shqiptare për të studiuar asokohe në Fakultetet e Mjekësisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Disa studentë shqiptarë në Francë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Qeveria shqiptare ka vendosur të dërgojë 25 bursistë në Fakultetet e Mjekësisë në Francë, të cilët do të ndjekin posaçërisht leksionet e Shërbimit shëndetësor ushtarak.

Universiteti i Strasburgut do të marrë 10 studentë, gjë që dëshmon mbi vlerësimin e madh që kanë universitetet franceze jashtë vendit, veçanërisht në Shqipëri. /KultPlus.com

“I dashur profesor, na thoje se dija nuk blihet, por vije dhe na shisje libra me detyrim”

Nga Albina Ruko

I dashur profesor!

Sot nuk më lejove të bëja provimin. Më ofendove dhe më detyrove që të dilja nga klasa si një studente e çrregullt që nuk i kisha frekuentuar të gjitha orët. Më the se nëse Dekani do më jepte lejë, edhe mund të më lije të qëndroja në provim. Më the gjithashtu që po respektoje rregullat e vendosura nga fakulteti.

Më kujtohet mirë që kur na flisje për nacionalizmin, na tregoje edhe për vajzën tënde që jeton jashtë Shqipërisë. Që ka dy djem, njëri në klasë të dytë e tjetri në kopsht. Më kujtohet mirë që djali që është në klasë të dytë luan futboll dhe e ka shumë qejf Messin. Vajza jote është profesoreshë dhe ka një burrë shumë të mirë. Ti shkon i viziton shpesh ata për pushime dhe je shumë i lumtur për këtë gjë. Historitë familjare janë shumë të bukura kur na flet dhe për nacionalizmin. E sheh, unë mbaj mend shumë gjëra nga orët e tua të leksionit. Madje po mendoj të botoj dhe një libër me tregime për nipërit e tu.

Na thua se jemi Fakulteti i Shkencave Sociale dhe ne që studiojmë sociologji nuk duhet kurrë ta gjykojmë individin apo shoqërinë, por gjatë bojkotit studentor më the se jam e varfër dhe s’kam të drejtë të vij në fakultet nëse nuk e paguaj dot tarifën. Na ke mësuar se të jesh pjesë e këtij fakulteti duhet të flasësh me gjuhë të bukur, intelektualësh, por gjatë bojkotit na ofendove duke na thënë që “jeni llumi i kësaj shoqërie”. Na ke mësuar se të jesh nacionalist duhet të luftosh për vendin tënd, por ti je palë me ata që po na thonë se fakulteti ynë nuk sjell benefite shoqërore. Kur na thoje se dija nuk blihet, vije dhe na shisje libra brenda auditorit me detyrim. Na thoje se na duheshin dhe se ekzistonte listë-prezenca për ata që do dhe s’do i merrnin librat.

Na ke folur edhe për sistemin politik në vend, sesa shumë e do dhe sesa mbështetës i fortë je. Dikur ke pas kandiduar për kryetar bashkie në Vlorë, por s’ia dole ta fitoj atë post. E ndaj sot je profesor doktor i nderuar që ke dhënë një kontribut të lartë në shoqërinë tonë. Kam mësuar shumë gjëra nga ty në fakt. Kam kuptuar si të mësoj përmendësh si robot dhe të nesërmen t’i harroj të gjitha ato që kam lexuar. Kam mësuar se rregullat vlejnë veç për ne kur tentojmë t’i thyejmë ato se nuk na duken të drejta. Kam kuptuar çdo të thotë të tregosh autoritet, por më vjen keq, unë nuk e njoh atë. Kam mësuar se të punosh dhe të arsimohesh sipas jush është e pamundur, ama këta studentë tregojnë të kundërtën. Kam kuptuar që kur na thoje se një ditë mbase ne do të ishim në vendin tuaj, s’më vjen keq por aspak shembull të mirë nuk po na e jepni, madje vë bast se Petriti, komshiu jot në katin e dytë, do na jepte një shembull më të mirë. Deri tani keni prodhuar studentë që kanë frikë, që i detyroni të binden dhe të mësojnë si doni ju.

Por unë refuzoj! Orët e leksionit dhe të seminarit dua t’i shfrytëzoj diku tjetër në kontribut të shoqërisë. Refuzoj të dëgjoj historitë e nipërve të tu. Varfëria më ka bërë më të fortë dhe s’më vjen aspak turp ta pranoj që jam një e varfër që dua të arsimohem. Mos u ndjeni i turpëruar zotëria juaj, jo të gjithë kanë qenë ambasadorë. Ndoshta kur ta marr lëndën tuaj do e bëj një studim për sjelljet në shoqëri. Me siguri do më duhet një kohë e gjatë.

Gjithë të mirat profesor! Do shihemi sërish në dyert e fakultetit.

Me dashuri, studentja që refuzon të jetë pjesë e “dijes”

Albina Ruko, aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin. / KultPlus.com

Ministri Gashi mbajti ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik

Nën organizimin e Organizatës Studentore Reforma dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mbajti një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Tema të cilën ministri Gashi e ka trajtuar para studentëve, ishte: Trashëgimia Kulturore e Kosovës dhe UNESCO.

Në kuadër të kësaj, ministri Gashi fillimisht shpalosi aktivitetet që Ministria të cilën ai e drejton, është duke bërë në aspektin e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të cilat pasqyrojnë vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Si hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi, ministri Gashi e cilësoi përgatitjen e draft Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit. Ndërsa gjatë diskutimit të çështjes së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ministri Gashi tha se “është duke u bërë një punë e madhe në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive tona në mënyrë që në vitin 2019, Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”.

“Në koordinim edhe me dikasteret tjera që ndërlidhen me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, siç janë: Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, jemi duke u angazhuar maksimalisht si në aspektin e përmbushjes së obligimeve tona ndërinstitucionale, po ashtu edhe në aspektin e lobimit tek vendet anëtare të UNESCO-s në mënyrë që të arrihet një përkrahje sa më e madhe dhe Kosova të kaloj me sukses procesin e votimit që do të mbahet në vitin 2019 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”, tha ministri Gashi.

Në përfundim të ligjëratës së tij, ministri Gashi ju dha hapësirë edhe studentëve të pranishëm që me komentet apo pyetjet e tyre të jenë pjesë aktive e kësaj ligjërate. Studentët, duke e vlerësuar si të suksesshme punën e ministrit Gashi, përmes pyetjeve të tyre, arritën të ngrinin për diskutim shumë çështje të rëndësishme dhe me interes rreth Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Gjatë kësaj ligjërate, nga studentët, ministrit ju kërkua që të përkrahet ideja që brenda hapësirave të kampusit universitar të bëhet një muze në të cilin do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, gjë të cilën ministri Gashi e mirëpriti dhe u zotua se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të jap maksimumin në mbështetje të realizimit të kësaj ideje shumë të qëlluar.

Në mbyllje të kësaj ligjërate, organizatorët e falënderuan ministrin për ligjëratën dhe duke qenë mirënjohës për punën që po bënë, ata inkurajuan ministrin që të vazhdoj edhe më fuqishëm në angazhimet e tij në të mirë të studentëve dhe rinisë në përgjithësi./KultPlus.com

Studentët për tri ditë do e kujtojnë me poezi shkrimtarin Kujtim Paçaku

Me iniciativën e studentëve të Qendrës Studentore “Roma Versitas Kosova” në Prizren, Pejë dhe Prishtinë do të organizohen netët përkujtimore për poetin dhe profesorin e ndjerë Kujtim Paçaku, shkruan KultPlus.

Netët përkujtimore do të mbahen në tri qytetet e Kosovës ku edhe funksionon organizata në fjalë.
Përveç se do të ketë lexues të zgjedhur edhe mysafirët do të kenë rast t’i lexojnë poezitë e poetit të ndjerë Kujtim Paçaku, të cilët do i zgjedhin ata vet.

Nata përkujtimore në Prizren me poezi të shkrimtarit Kujtim Paçaku, do të mbahet më 26 qershor në Kino Lumbardhi.

Në Pejë do të mbahet më 28 qershor në Roma Versitas ndërsa në Prishtinë më 29 qershor në Kino Armata.
Në të tri qytetet organizimi do të fillojë në ora 19:00./KultPlus.

Duke kujtuar poetin Basri Çapriqi, u shënua Dita Botërore e Poezisë në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Dita Botërore e Poezisë është shënuar sot në Fakultetin e Filologjisë. Aty studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre shënuan këtë ditë duke kujtuar njëkohësisht edhe poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi. Kështu para të pranishmëve erdhën disa nga poezitë më të bukura të poetit por njëkohësisht edhe krijime poetike të studentëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht Shefi i Degës së Letërsisë Shqipe, Osman Gashi, e cilësoi poetin si shumë të veçantë dhe të denjë për t’u kujtuar në këtë ditë të rëndësishme të poezisë.

“Kemi vendosur që këtë ditë të ia kushtojmë krijuesit tonë të veçantë i cili ndërroi jetë para dy muajsh. Një organizim i tillë modest me krijime të zgjedhura të kolegut dhe profesorit tonë besoj që pajtohen të gjithë se është i qëlluar. Poezia e tij është e stërmbushur me figuracion, vlon nga fryma e ballafaqimit me të keqën me anën e errët të botës. Ai është poet në tërë kuptimin e fjalës”, tha ai duke shtuar se organizime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Nysret Krasniqi lexoi një pjesë nga punimi i tij “Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqi”, kushtuar poetit.

“Në vitin 2016 botova një libër për letërsinë e Kosovës dhe në momentin e botimit e shkrova një meditim ku thashë se librin e kam menduar dhe shkruar për autorët e këtij vendi. Kurse një pjesë që do e lexojë këtu është pjesë e një punimi më të madh për profesorin Basri Çapriqi”, u shpreh ai duke shpalosur para të pranishmëve disa nga veprat e poetit dhe analizën të cilën ai ua kishte bërë.

“Basri Çapriqi ndërton diskurs poeti të përbërë nga brikolazhi i figurave letrare, ambientale, figurave të krijuara nga loja stilistike me gjuhën dhe simbolin, me synim e krijimit të një tipi të poezisë e cila duke jetësuar reflektimin të ikën nga kuptimet tradicionale poetike. Kështu që më shumë kemi të bëjmë me hetimin e një fryme poetike sesa të një kërkimi të domethënieve të saj duke e bërë Çapriqi mik letrarë me Eqrem Bashën dhe me ndër-ndikime edhe me Ali Podrimën”, pohoi ai duke shtuar se kur vrojtojmë lakoren poetike të këtij autori në kohën e shfaqjes së tij dhe në kuadër të letërsisë shqipe në Kosovë vërejmë tri orientimet kryesore të tij: simbolin, ironinë dhe lojën.

Profesori dhe poeti Sali Bashota që ishte edhe mik shumë i mirë i poetit si dhe poetja Serafina Lajçi zgjodhën disa nga perlat që poeti i ka lënë pas. Poezitë si: “Përthyerja e zjarrit”, “Kitara”, “Pasqyra”, pastaj poezitë si ajo kushtuar Ali Podrimës u interpretuan para të pranishmëve nga studentët Maura Nuhiu, Flamur Foniqi, Eduarte Kafexholli, Ardit Mehmetaj, Jehona Gashi dhe Ardian Mezini.

Kurse dy studentet, Almira Gashi dhe Filloreta Jusufi sollën nga një poezi të cilën ia kishin kushtuar poetit Basri Çapriqi. Pjesa e dytë vazhdoi me krijues të rinj të cilët paraqiten krijimet e tyre. Krijimet e tyre i interpretuan para të pranishmëve Shqipnora Dauti, Endrite Imri, Donart Rexhbogaj, Elife Shabani, Festinë Hamiti, Xhemile Hysenaj dhe Bujar Meholli.

Kjo mesditë poetike u mbyllë me poezinë “Dritaren lëre hapur” të vetë poetit Çapriqi, lexuar nga Mirjeta Sadiku duke besuar në pavdekshmërinë e fjalës së tij poetike./ KultPlus.com

Sot bëhen 37 vjet nga demonstrata studentore e 11 marsit

Sot bëhen 37 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.

Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.

Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.

Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, duke u vendos në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.

Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia./ KultPlus.com

Studentët i vendosin notën 1-sh Ministrisë së Arsimit për komunikatën me plot gabime

Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lëshoi një komunikatë lidhur me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR-i.

Mirëpo ajo se çfarë kishte rënë në sy nga kjo komunikatë ishin gabimet e shumta drejtshkrimore, pikërisht nga Ministria e Arsimit.

E sot një organizatë studentore e quajtur “Lëvizja Studentore për barazi, studim, kritikë dhe veprim” ka mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku i kanë vendosur notë të dobët Ministrisë së Arsimit dhe komunikatës me plot gabime drejtshkrimore të lëshuar ditë më parë.

“Një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore e historike për shqiptarët është hapja e shkollës së parë shqipe, në Korçë, me mësues Pandeli Sotirin, pikërisht me këtë datë- 7 mars, të vitit 1887.

Kujtojmë se siç kemi mësuar nga historia, deri atëherë mësimi shqip ishte tejet i vështirë ngaqë ajo kryesisht bëhej në kushte ilegale përmes mësimeve në shtëpitë private. Përkundër shtypjes dhe presionit të regjimeve kolonialiste, përpjekja dhe sakrifica për arsimim të popullit shqiptar nuk u ndal kurrë. Së voni në vitet e ’90 shqiptarët nga Kosova u detyruan që mësimin e tyre ta ndiqnin përmes shkollave private sikurse një shekull më parë, ngase Regjimi i atëhershëm mbylli dyert e Universitetit për shqiptarët. Gjuha jonë e lashtë dhe e gjerë ishte gjuhë e papranueshme për regjimet fashiste të cilët donin ta zhduknin atë. Megjithatë rrënjët kjo gjuhë i kishte aq të thella sa i mbijetoi çdo regjimi ndër shekuj, për tu pasuruar edhe më shumë. Në 20 vitet e fundit kemi një përmbysje të rëndë e të papranueshme të përpjekjeve për ngritje të vlerave tona kombëtare. Gjuha shqipe bastardohet nga institucionet tona. Injorantë e analfabetë vihen në majat e institucioneve të cilat qëllim duhet ta kishin arsimimin, emancipimin kulturor dhe mirëqenien e shoqërisë dhe jo denigrimin deri në këtë nivel të dhimbshëm për shoqërinë tonë. Për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së qeverive të njëpasnjëshme, në administratën tonë shtetërore kemi njerëz që drejtojnë sektorë të rëndësishëm në institucione të cilët përveçse janë anëtarë të partive të pushtetit, shumë nga ata nuk plotësojnë kriteret bazë për të qëndruar në pozita të tilla. Pasojat për këtë gjendje po i bartë shoqëria jonë.

Ditëve të fundit Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, paraprakisht për shkak që bordi ishte edhe i papërgjegjshëm edhe i korruptuar dhe po ashtu për shkak të paaftësisë dhe inateve partiake të Ministrit dhe Kryeministrit për ta zgjidhur në kohë këtë çështje.

Së fundmi, siç kemi mësuar nga mediat, Ministri i është drejtuar Programit për Vlerësim të Studentëve Ndërkombëtar, (PISA-s) që testi i paraparë për këtë vit të mos mbahet. Kjo siç vlerësojmë ne është për shkak të rezultateve tmerrësisht të dobëta që priten të nxirren nga nxënësit e shkollave të Republikës të Kosovës. Zgjidhja nuk është fshehja e rezultateve, zgjidhja bëhet duke i njohur e duke i përmirësuar ato. Kjo nuk do të ndodhë përderisa në një komunikatë për media kjo Ministri bënë dhjetëra gabime drejtshkrimore në rreth 4 paragrafë tekst.

Sot përmes këtij aktiviteti po i korrigjojmë gabimet e kësaj Ministrie, por gabimet e njëpasnjëshme që po ndodhin do ti përgjigjemi me rezistencë. SKV siç ka vepruar në të kaluarën, siç po vepron në kohët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen do të përgjigjet edhe më furishëm ndaj cilitdo institucion të korruptuar, apo përgjegjës të tij, çoftë Ministër, rektor, apo profesor që dëmton integritetin arsimor” thuhet në Komunikatën e lëshuar nga kjo lëvizje.” thuhet më tej në komunikatën e kësaj organizate lidhur me këtë aktivitet./ KultPlus.com

Studentët shqiptarë të Lozanës organizojnë koncertin e Elina Dunit

E themeluar para më se 20 vitesh, Shoqata Studentore Shqiptare e Universitetit të Lozanës (AEAUL) është më e vjetra shoqatë e studentëve shqiptarë të Zvicrës dhe njëra ndër më aktivet.

Në radhën e aktiviteteve të shumta të saj është edhe koncerti me këngëtaren e njohur shqiptaro-zvicerane të xhazit, Elina Duni, .që mbahet në Lozanë.

Me këtë rast AEAUL u drejtohet anëtarëve dhe miqve të saj me ftesën në vijim:

I nderuar mik, e nderuar mikeshë
Viti akademik që sapo ka filluar premton të jetë i pasur me aktivitete. Ne dëshirojmë qe ai të mbushet dhe me më shumë projekte të koordinuara bashkë me partnerët tanë.
Shoqata Studentore Shqiptare e Universitetit të Lozanës (AEAUL) dëshiron të ju falënderojë për besimin që kemi ndërtuar, duke ju ofruar 2 vende për koncertin e yllit të muzikës sonë, Elina Duni.
Do të jemi të lumtur t’iu mirëpresim në Théâtre du Cazard, nga ora 19 në 13.10.2017.

Me padurim që të shihemi përsëri, ju ofrojmë të shijoni një nga interpretimet e saj:

Në emër të të gjithë anëtarëve të Shoqatës sonë, ju dërgojmë falënderimet më të sinqerta.
Me respekt, AEAUL

Studentë nga Kosova përfitojnë nga marrëveshjet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturore

Studentë të Kosovës do të vazhdojnë studimet pasdiplomike në fushën e trashëgimisë kulturore në Angli e Francë, si rezultat i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, i priti në një takim kandidatët të cilët priten të jenë kuadro në fushat përkatëse të trashëgimisë.

Arta Arifi, Atdhe Prelvukaj e Enes Lekiqi, janë studentët fitues të cilëtkanë fituar bursë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Angli, pas përfundimit të fazave të konkursit, në kuadër të marrëveshjes së MKRS-së me Këshillin Britanik, ndërkaq, Marigona Ademi e Endrit Smajli, fitues të bursave për vazhdim të studimeve në fushën e trashëgimisë në Francë, në kuadër të marrëveshjes mes Ambasadës së Francës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe École Normale Supérieure në Paris.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që në fushën ku mungojnë kuadrot, siç është fusha e trashëgimisë në përgjithësi, këta studentë kanë përzgjedhur pikërisht t’i vazhdojnë studimet e tyre, duke e konsideruar edhe një pasuri për vendin tonë. Ai i uroi për suksese studentët në fjalë, duke i porositur që dijen dhe përvojën e fituar ta sjellin në Kosovë, dhe ta vënë në shërbim dhe në të mirë të vendit tonë, duke e dëshmuar me fakte shkencore autoktoninë dhe lashtësinë e popullit tonë në këto treva.

“Ndjehem i lumtur që jeni treguar të gatshëm që të vazhdoni avancimin tuaj profesional dhe të ndiqni studimet pasdiplomike në këtë fushë deficitare siç është trashëgimia kulturore. Ju do të jeni një shpresë dhe do të plotësoni mungesat në këtë fushë”, tha para studentëve ministri Gashi.

Gashi po ashtu falënderoi edhe Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës për mbështetjen duke u shprehur se ata kanë qenë dhe do të mbesin partnerë të rëndësishëm të ministrisë.

“Shteti i Britanisë së Madhe dhe ai i Francës janë dy shtete mike të Kosovës, dhe mbështetja e tyre në progresin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pakursyer dhe se populli i Kosovës i është mirënjohës dhe falënderues. Edhe në fushat që ka në përgjegjësi ministria, këto dy shtete kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në aspekte të ndryshme”, tha ministri.

Ndërkaq, studentët falënderuan ministrinë për përkrahjen dhe përzgjedhjen duke theksuar se ata do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë dijen dhe përvojën e duhur dhe atë ta sjellin dhe ta aplikojnë në Kosovë, në shërbim të fushës së trashëgimisë kulturore. Studentët u shprehën se përmes bashkëpunimit që MKRS-ja ka ndërtuar me partnerët e saj, ka mundësuar që ëndrra e tyre të realizohet.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar fondin e bursave për trashëgimi, kulturore, për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrave deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerë dhe projekti në fjalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com