Kosova përfaqësohet nga 4 xhudistë në Kampionatin Botëror të xhudos, mungon kampionia olimpike

Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.

“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.

Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com

Distria Krasniqi: Shpresoj që Kosova do fitojë edhe më shumë medalje në “Paris 2024”

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka folur për media pas ardhjes në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se është mirënjohëse për pritjen që i është bërë dhe ka falënderuar të gjithë popullin shqiptar për përkrahjen që i është dhënë tërë kohën sa ajo ishte në Tokio.

“Jam mirënjohëse për këtë pritje kaq të ngrohtë. Ju kisha falënderuar të gjithëve, sidomos popullit shqiptar që na ka mbështetur vazhdimisht. Shpresojmë që s’kemi me mbet vetëm me këto tri medalje, por nga Parisi shpresojmë me u kthy me më shumë”, ka thënë ajo.

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë dhe ishte e fituesja e dytë e Kosovës në histori. Pas saj fitoi edhe xhudistja, Nora Gjakova. / KultPlus.com