Akademia e fëmijëve “Loja” me vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” për festën e 28 Nëntorit

Njohja e trashëgimisë kulturore dhe vizitat nga afër të monumenteve të ndryshme, është një prej pikave kyçe për zhvillimin kulturor tek fëmijët.

Duke pasur parasysh këtë, Akademia e fëmijëve “Loja” e ka kurrikulën e përpiluar në atë mënyrë që gërsheton të gjitha temat me rëndësi gjatë tërë vitit. Një ndër temat është edhe trajtimi i simboleve kombëtare, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të vendit tonë.

Andaj, në kuadër të programit të tyre, pragu i festës së 28 Nëntorit u pa si më i miri për një vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar ky antik brenda Kosovës.

“Koha më e përshtatshme për këtë vizitë ishte në pragun e festës së 28 nëntorit. Gjithashtu ambienti i jashtëm, gjatë kësaj kohe pandemie ishte ideale për realizimin e kësaj vizite. Secila vizitë që është realizuar deri më tani, me fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç, ka ardhur si rrjedhojë e temave dhe ngjarjeve të rëndësishme, kulturore dhe edukative në qytet”, ka thënë drejtoresha e Akademisë së fëmijëve “Loja”, Xheri Deshishku.

Iniciativa të tilla kulturore duhet të merren më shpesh për fëmijët sepse edhe sipas drejtoreshës, fëmijët mësojnë më shumë duke i parë e bërë gjërat vetë.

“Duke pasur parasysh që fëmijët mësojnë më shumë duke i bërë gjërat vetë, sigurisht që vizitat e tilla kontribuojnë më shumë që fëmijët të mësojnë gjërat konkretisht dhe duhet të realizohen sa më shpesh që është e mundur. Gjatë vitit, “Loja” realizon deri në 20 vizita jashtë shkollës së saj, të cilat janë shndërruar në traditë dhe fëmijët gjithmonë i gëzohen këtij procesi të udhëtimit në grup dhe e mbajnë mend përgjithmonë”, pohon Deshishku.

Sipas drejtoreshës, fëmijët gjithmonë i mirëpresin vizitat e tilla, e sidomos këtë vizitë, e cila ishte në ambient të hapur dhe kishte liri të lëvizjes.

“Përveç mësimeve rreth simboleve, traditës së lashtë, arkitekturës dhe elementeve të tjera që u njoftuan gjatë vizitës, ata ishin kureshtarë edhe për bimët dhe shpezët që rastësisht i gjetëm në Park. Shumë shpesh ndodh që fëmijët krijojnë mundësi të reja të të mësuarit gjatë një vizite dhe orientojnë vizitën në disa dimensione, sikurse në këtë të fundit”, tregon kështu Deshishku për këtë vizitë që do të mbetet gjatë në mendjen e fëmijëve.

Iniciativa të tilla, duhet të bëhen shembull edhe nga të tjerët sepse njohja e trashëgimisë kulturore është është shumë e rëndësishme për identitetin e secilit. / KultPlus.com

MKRS organizon ngjarje kulturore mbi diversitetin kulturor përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Fondacionin ‘Tradita popullore’ organizon ngjarjen kulturore në të cilën do të promovohet diversiteti ynë i pasur kulturor, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjetin social Facebook.

Ndër të tjera, në njoftimin e Ministrisë poashtu bëhet e ditur se aktiviteti do të mbahet në Parkun Arkeologjik Ulpiana’ më datë 22 shtator të këtij viti, duke filluar nga ora 17:00. / KultPlus.com

Gabime drejtshkrimore në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” (FOTO)

Sarandë Selimi

Në hyrje të Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, vizitorët gjenden përballë një kabine të bardhë aty ku qëndrojnë disa mirëmbajtës, por jo gjithmonë mund të takohen me ‘ciceronin’ e këtij parku. Ky nuk është problemi i vetëm i projektit që Kosovës i ka kushtuar qindra mijëra euro.

Në tabelat që informojnë qytetarët për përmbajtjen arkeologjike të parkut të vetëm arkeologjik, ka gabime të tmerrshme drejtshkrimore. Ndër to është edhe tabela informuese në të cilën në vend që të jetë e shënuar “Gjurmët e tempullit pagan me portiko” është shënuar “Gjumët”, shkruan KultPlus.

Po ashtu në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” akoma mungon ndriçimi. Ndërsa si ciceron atëherë kur është aty shërben udhëheqësi i projektit Milot Berisha. Parku Arkeologjik “Ulpiana“ shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha.

Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamentit të Trashëgimisë Kulturore. Themelimi i Parkut Arkeologjik “Ulpiana” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, si dhe krijimin e kushteve më të mira të shfrytëzimit për qëllime shkencore, sociale, ekonomike dhe turistike./ KultPlus.com

Ministrat Gashi e Ademi vizituan Parkun Arkeologjik ‘Ulpiana’

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, së bashku me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, kanë vizituar Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.

Ministri Gashi tha se ministria e kulturës do të vazhdoj edhe më tutje të mbështes punimet dhe gërmimet në parkun arkeologjik pasi që është një trashëgimi e rëndësishme kulturore për vendin tonë. Jemi dakordu të dalim pak te parku arkeologjik Ulpiana për të parë me afër procesin e gërmimeve qe po ndodhë që një kohë të gjatë këtu që do të vazhdoj edhe me tutje dhe për të treguar përkushtimin tonë që edhe vizitat e zyrtarëve të larte i sjellim në këtë aset të trashëgimisë kulturore për të treguar përkushtimin tonë”

Ministri Gashi tha se “Ulpiana tani po merr pamje jashtëzakonisht të bukur, një monument shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe tani po shtohet edhe si pikë turistike ku gjatë vitit 2018 kemi mbi 18 mijë vizitorë dhe kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme investimet MRKS në këtë lojalitet të trashëgimisë kulturore”.

Ndërkaq ministri i kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi tha se sot gjatë takimit me ministrin e kulturës kanë biseduar rreth bashkëpunimit në mes dy vendeve në aspektin e kulturës

“Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin dhe stafin e parkut Ulpiana të jem dëshmitarë të një pune cilësore të realizuar këtu dhe të shpreh habinë time qe edhe sa shumë punë ka për të u bere duke marrë parasysh qe vetëm 2% i punëve janë bere ndërsa gjithçka qe është bëre është mahnitëse e dëshmon per një trashëgimi kulturore”, tha Ademi./KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi viziton Parkun Arkeologjik Ulpiana

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Parkun Arkeologjik Ulpiana, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, punimet tjera në bashkëpunim me UniversitetinL’Ecole Normale Superiore-Paris dhe Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.

Gjatë kësaj vizite ministri Gashi u shpreh: “Sot jam këtu që të shoh nga afër punimet të cilat po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në procesin e gjurmimeve të rregullta arkeologjike, të konservimit-restaurimit por edhe të mirëmbajtjes së parkut arkeologjik në përgjithësi. Po ashtu, gjatë kësaj vizite dua të shoh nga afër punime tjera specifike të cilat zbatohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, universitete dhe institucione tjera shumë të rëndësishme e që në rastin e Ulpianës kanë qenë në numër të konsiderueshëm”.

Ai tha se e vlerëson angazhimin e Institutit Arkeologjik, arkeologëve, profesorëve të Universitetit L’Ecole Normal Superiore Paris (me karakter shkencor, kulturor dhe profesional) dhe atyre të Universitetit të Prishtinës. Po ashtu ministri përgëzoi studentët e Universitetit Veror që iu kanë bashkangjitur këtij ekipi profesional.

Ministri Gashi tha se Parku Ulpiana do të ketë mbështetje të vazhdueshme: “Parku Arkeologjik Ulpiana, do të ketë mbështetje të vazhdueshme deri në funksionalizimin e plotë të tij, në kuptimin e punimeve, krijimit të kushteve më të mira për vizitorë dhe promovimit të këtij parku”. Ai i inkurajoi që këtë mbështetje ta kthejnë në angazhime të shtuara dhe në shkëmbim të përvojave mes kuadrosh profesionale dhe që gjeneratave të reja tu mundësohet të marrin më shumë njohuri dhe përvojë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se “nga ky park, paraprakisht lokalitet arkeologjik ka shumë të rinj që kanë filluar angazhimin e tyre si praktikantë, kurse sot studiojnë në universitete prestigjioze në Evropë por edhe udhëheqin projekte të gërmimeve brenda Kosovës. E rikonfirmoj se është shembulli më i mirë që duhet ndjekur”.

Në fund të fjalës së tij, ministri Gashi tha se nga ekipi përgjegjës pret që “të finalizoj Planin e Menaxhimit dhe një botim, në formë të Monografisë për Parkun Arkeologjik Ulpiana./KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë viziton Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Në kuadër të agjendës në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizituan Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Presidenti Meta e ministri Gashi panë nga afër tre sektorët që ka ky lokalitet arkeologjik i pasur me objekte e elementë të shumtë të periudhës së antikitetit.

Ministri Gashi e informoi Presidentin Meta për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për investimet në parkun e Ulpianës nëpërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës duke e konsideruar si një ndër prioritetet kryesore të trashëgimisë arkeologjike të Republikës së Kosovës. Ministri tha viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë.

Ndërkaq, përgjegjësi i parkut, Milot Berisha e njoftoi Presidentin për historikun e parkut, sektorët dhe objektet e ti si dhe procesin e gërmimeve, konservimit dhe restaurimit.

Nga ana e tij, presidenti Meta pohoi se ndjehet i lumtur që po e viziton këtë lokalitet të rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën por për tërë hapësirën mbarëshqiptare dhe parqe të këtilla janë pasuri që duhet t’i ruajmë e t’i vlerësojmë./ KultPlus.com