Dua Lipa e mahnitshme gjatë performancës në ceremoninë “Grammy” (VIDEO)

Ishte një mbrëmje e suksesshme për Dua Lipën, e cila triumfoi në një prej gjashtë kategorive ku ishte nominuar për çmim “Grammy”.

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, e quajti fitoren e çmimit “Albumi më i mirë pop”, një çmenduri e vërtetë.

Këngëtarja 25-vjeçare me ta pranuar shpërblimin e saj në skenë, foli për atë se sa e rëndësishme është lumturia si dhe e pranoi se albumi i saj i dytë muzikor, “Future Nostalgia”, e ka ndihmuar atë të ndihet e ringjallur.

“Zot i madh. Wow, faleminderit shumë. Kjo është një çmenduri e vërtetë. Albumi ‘Future Nostalgia’ është shumë i rëndësishëm për mua dhe ma ka ndryshuar jetën në shumë mënyra. Por një gjë të cilën e kam kuptuar gjatë realizimit të tij, është se sa e rëndësishme është ndjenja e lumturisë për të gjithë ne. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi, prandaj jam mirënjohëse dhe e nderuar për këtë çmim pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, deklaroi Lipa përmes fjalimit të saj emocional në skenë.

Ylli i hitit “Physical” gjithashtu nuk harroi t’i falënderojë fansat e saj për përkrahjen, menaxherin e saj, studion incizuese dhe gjithë ekipin prapa realizimit të albumit “Future Nostalgia”.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Falënderojë familjen dhe miqtë e mi që po na shikojnë nga shtëpia. Ju dua shumë të gjithëve, faleminderit”.

Me fitoren e saj në kategorinë “Albumi më i mirë pop”, Dua Lipa i mundi yjet e njohur dhe të suksesshëm të muzikës, si Justin Bieber me albumin “Changes”, Lady Gaga me “Chromatica”, Harry Styles me “Fine Line” dhe Taylor Sëift me albumin “Folklore”.

Gjatë mbrëmjes Lipa shkëlqeu edhe me performancën e saj. Ajo u shfaq me një fustan glamuroz ngjyrë rozë të markës “Versace”, para se të shoqërohej në skenë nga reperi DaBaby për interpretimin e hitit “Levitating”. Më pas ajo u rishfaq në skenë me një xhaketë po ashtu ngjyrë rozë dhe plot shkëlqim, para se ta largonte edhe xhaketën për interpretimin energjik të hitit, “Don’t Start Noë”, e shoqëruar nga disa valltare.

Vëmendje të madhe me dukjen e saj, Dua Lipa mori edhe me fustanin e koleksionit të fundit të shtëpisë së modës “Versace”, të cilin e kishte zgjedhur për parakalimin e saj mbi qilim të kuq. /Koha.net / KultPlus.com

“Vajzat”, performanca e radhës e fuqishme e FemArt-it

Alberina Haxhijaj

Dita e fundit e festivalit FemArt ka sjellë në Prishtinë performancën teatrale “Vajzat”, me autore Jillian Greenhalgh. Performancë e cila është pjesë e projektit Magdalena, shkruan KultPlus.

Gratë e zgjedhura për këtë performancë qëndronin të ulura në tavolinën e mbuluar më të zezë, mbi të cilën qëndronin objekte të ndryshme të cilat ato i kishin zgjedhur, objekte që fshihni histori prapa tyre. Tavolina kishte dy karrige, një ku ulej treguesja e historisë dhe tjetra për përcjellësin e festivalit i cili ulej pranë saj për të dëgjuar historinë që ajo do i zbulonte. Në mesin e grave që sollën historitë e tyre ishin Meli Qena, Valdete Idrizi, Aurita Agushi, Genta Ramadani, Mina Nikolic, Shqipe Gashi, Reneta Duda, Qendresa Loki.

Pjesa intriguese e kësaj performance ishte fakti se në tavolinë gjendeshin disa objekte. Kështu treguesja e historisë përzgjidhte se cilën histori të tregonte, të fshehtën e cilit objekt të vinte në pah. Kështu pjesëmarrësit e kësaj performance uleshin me radhë, herë te njëra grua e herë te tjera. E kur e gjitha përfundoi ata lanë Galerinë e Fakultetit të Arteve më histori të ndryshme të dëgjuara nga e njëjta grua. Kjo mënyrë e përzgjedhjes së historive solli diskutime edhe pas përfundimit të performancës, pasi që, pjesëmarrësit ndanin me njëri-tjetrin historitë që dëgjuan duke u munduar që të zbërthenin ngjarjen e plotë që shpërfaqnin objektet mbi tavolina.

Autorja e saj Jillian Greenhalgh, e cila është edhe pjesë e stafit të projektit Magdalena tregoi për KultPlus, më shumë për projektin dhe performancën.
“Projektin Magdalena e kemi filluar në vitin 1986, Rrjeti Ndërkombëtar i Grave në Teatër Bashkëkohorë dhe është në gjithë botën për momentin. Kemi shumë festivale gjatë gjithë kohës nën ombrellën e projektit Magdalen e që është për gra. Kështu kam takuar edhe Zana Krasniqin, drejtoreshën e festivalit gjatë pjesëmarrjeve në Beograd dhe edhe në Danimarkë. Zana e ka parë këtë performncë dhe na ka ftuar pra jemi dy gra, e që të dyja kemi festivalet tona për gratë”, tha ajo.

Kjo performancë e cila është shfaqur në shumë vende të botës tani ka edhe Kosovën në hartën e vendeve ku është shfaqur.

“Performancën e kam bërë në shumë vende, është një strukturë me të cilën unë çdoherë vi dhe me një punëtori 20 orësh ku mbledhim historitë, objektet, rregullojmë tavolinat dhe praktikojmë. Gjëja më e rëndësishme sipas meje është të marrësh në kontroll tavolinën. Gratë duhet që ta marrin situatën në kontroll dhe historitë, të mos shfaqin emocione e as të jenë sentimentale. Thjeshtë të dhurojnë historitë si një dhuratë për çdo njërin nga pjesëmarrësit”, u shpreh autorja.

Në këtë performancë çdo grua kishte rreth 10 histori për të treguar, histori të cilat lidheshin rreth një personazhi, një lidhje që ato e kanë zgjedhur, një person, nënë, motër, gjyshen apo këdo tjetër.

“Është një performancë e cila funksion në çdo vend, së fundi e kam shfaqur edhe në Gjermani dhe në Francë dhe pas Kosovës do të shkoj në Brazil. Atje do e bëjë të njëjtën performancë por vetëm me burra, pra do e përdor të njëjtën strategji. Pres më padurim të shoh sesi do të ec pasi që duhet të jesh i guximshëm por edhe i ndjeshëm në të njëjtën kohë gjatë performancës”, përfundoi ajo.
Projekti Magdalena është një rrjet dinamik ndër-kulturor i teatrit dhe performancës së grave, duke lehtësuar diskutimin, mbështetjen dhe trajnimin kritik. Është një lidhje për grupet e ndryshme të performancës dhe individët, interesi i përbashkët i të cilëve qëndron në angazhimin për të siguruar vënien në pah të përpjekjeve artistike të grave./ KultPlus.com

Filma, ekspozitë e performanca në ditën e dytë të festivalit ‘Anibar’

Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” i cili të hënën ka hapur dyert për adhuruesit e animacionit, duke shfaqur filma në katër kinema, po vazhdon rrugëtimin e tij me aktivitetet e ndryshme që janë planifikuar për këtë edicion, përcjellë KultPlus.

Në ditën e dytë, ‘Anibari’ filloi aktivitetet e tij me hapjen e pesë workshopeve në lokacione të ndryshme prej orës 10:00. Aty rreth 50 të rinj të interesuar për animacion do të mësojnë rreth punimit të një filmi të animuar me teknika të ndryshme si: cut out animation, stop motion, GIF, puppet animation.

Në orën 12:00 ndërkohë që në teatrin Istref Begolli u mbajt programi Kids 1, në Kino Jusuf Gervalla u shfaq programi i parë special “Australian Showcase”.

Pak më vonë, në Exit Bar filloi programi “Coffee and Talks” ku folësit e parë ishin Joost Liewman, Tunde Vollenbroak në rolin e komikeve që bëjnë komedi dhe Vladimit Kanic drejtori i “Only Love leave to Die”.

Ndërsa në teatrin “Jusuf Gërvalla” në orën 14:00 u shfaq filmi i parë i metrazhit te gjatë për këtë vit, “My life as a Zucchini”, film ky që ishe i nominuar edhe për Oscar, dhe në të njëjtën kohë në teatrin “Istref Begolli” u shfaqen filmat e programit “Teen”.

Best of Annecy është program ku festivali i filmit të animuar Annecy shfaqi 10 filmat më të mirë të përzgjedhur nga stafi i tyre, ky program filloi në orën 16:00 në kino “Jusuf Gërvalla”
Pasditja udhëtoi për në galerinë e qytetit të Pejës ku u hap retrospektiva e animatorit më të shquar zviceran Georges Schwitzgebel, kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më datë 20 gusht.

Në orën 20:00 u mbajt një performancë në Bankosin e Vjetër ku ishte performanca e parë me temën për rikthimin e qytetit, ku nëpër xhamat e objektit pati performanca të ndryshme me tema të cilat tregonin se si mund të përdoret në disa mënyra objekti i Bankosit.

Kino Liqeni u hap për publikun në ora 20:30 ku në ditën e parë të saj u shfaqen filmat e programit “Internacional Competition”.

Kurse pak përpara Anibar Parties kino Kubat shfaqi programin “Ballkan Competiton” e cila filloi në orën 22:00.

Në natën e dytë të Anibar Parties të ftuar për të kënduar ishin “Don’t listen to your neighbors” dhe DJ Electra Leger. / KultPlus.com