Kinemaja e sapo inauguruar vizitohet nga nxënës të papërgjegjshëm, gjendje e tmerrshme

Qytetarët e Përmetit sapo kanë përuruar një kinema të re, si një qendër kulturore artistike në shërbim të fëmijëve të shkollave, shkruan KultPlus.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” ka bërë të ditur se nxënësit e një shkolle kanë qenë shumë të papërgjegjshëm në vizitën e fundit.

Furxhi ka përmendur “plehrat” si armik të përbashkët, të cilit akoma nuk po i gjendet një zgjidhje e duhur.

“Po ndaj me ju një trishtim të madh që më shkaktuan disa nxënës të qytetit që e dua aq fort, qytet amvisash, gra e burra punëtorë rrallë si kush”, shkroi ajo.

Tutje, përmes disa fotografive të publikuara në “Facebook”, shihen edhe se sa të papërgjegjeshëm u treguan ata nxënës.

“Kjo gjë duhet të diskutohet më shumë, prindërit s’o duhet t’ua falin, mësuesit s’do duhet t’ua kalojnë lehtë, permetarët nuk e meritojnë këtë”, shtoi deputetja e Kuvendit të Shqipërisë.

KultPlus ua sjellë edhe fotografitë e publikuara më poshtë:

No photo description available.
May be an image of indoorNo photo description available.

Mbi 28 mijë turistë vendas e të huaj vizituan Përmetin në mars-gusht

Mbi 28 mijë turistë zgjodhën si destinacion turistik në periudhën mars-gusht qytetin e Përmetit.

“Qyteti i trëndafilave” është cilësuar ‘perla’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing.

Zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit bën të ditur për ATSH-në se “numri i turistëve vendas e të huaj që kanë qëndruar minimalisht një natë në qytetin e Përmetit është mbi 28 mijë. Pa llogaritur këtu dhe turistët rastësorë dhe grupet që vijnë me agjenci turistike”.

Sipas kësaj zyre, rreth 700 turistë të huaj kanë marrë shërbim nga zyra e informacionit turistik.

“Turistët e huaj, si serbë, gjermanë, çekë, polakë, italianë, ukrainas, maqedonas, kanë preferuar të vizitojnë qytetin e Përmetit, duke u ndalur kryesisht në disa nga pikat turistike më të njohura të qytetit si Ujërat Termale, kanionet e Lengaricës, objektet e kultit, atraksionet natyrore në Malin e Dhembelit dhe Nemërçkës, luginën e Vjosës, Gurin e Qytetit, etj”, – thekson zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.

Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës luginën e Vjosës. Teqeja është ndërtuar për herë të parë nga Baba Aliu në vitin 1857, në nder të të cilit mban edhe emrin.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.
Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.
Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister. /atsh/ KultPlus.com

Në varrezat mesjetare e Përmetit zbulohen objektet që i përkasin Mesjetës së hershme (FOTO)

Dalin në dritë të tjera objekte ndërsa po dokumentohen rezultatet e gërmimeve arkeologjike në varrezën e zbuluar mesjetare të Përmetit.

Kryeministri i Shqipërise, Edi Rama solli pamje nga gërmimet arkeologjike në varrezën e zbuluar mesjetare të Përmetit.

“Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Gjirokastër kanë nxjerrë në dritë të tjera objekte dhe po dokumentojnë rezultatet e gërmimeve. Sipas studimeve paraprake, vathët, unazat dhe varëset e zbukuruara i përkasin Mesjetës së hershme, prej shek. VIII-IX deri në XI”, shprehet Rama.

Po ashtu, Rama thekson se zbulimi i kësaj varreze shton informacionin për gjeografinë kulturore të tokës arbërore.

Varreza mesjetare u zbulua gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”.

Punimet u pezulluan dhe specialistët realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren. / KultPlus.com

Zbulohet një varrezë masive në Përmet, mendohet se janë viktima të kohës së enverizmit

Zbulimi i disa varreve në Përmet gjatë punimeve për infrastrukturën rrugore po ngjall reagime.

Shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë thotë se dyshon se varret janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, pasi zona është në një ish-repart të Ministrisë së Brendshme. Ndërsa Prokuroria e Përmetit thotë se është në pritje të vlerësimit të ekspertëve të monumenteve dhe mjekësisë ligjore pasi varret dyshohet se janë të periudhave më të hershme.

Punimet në infrastrukturën rrugore në Përmet kanë nxjerrë në dritë në pjesën fundore të qytetit disa varre ende të paidentifikuara nga autoritetet shtetërore. Shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë thotë se dyshon se varret janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste. Kryetari i kësaj shoqata Nebil Çika tha se në diktaturën komuniste zona ku janë gjetur varret ka qenë një repart ushtarak i Ministrisë së Brendshme ku nga të dhënat arkivore dhe dëshmitë dyshohet se kryheshin ekzekutime të kundërshtarëve politikë.

“Janë katër varre që ne kemi gjetur, në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe. Pra, edhe ndërtesat që janë ndërtuar këtu, një pjesë e tyre dyshohet që të jenë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit. Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ndërsa Bektash Osmani ish-i përndjekur politik në Përmet thotë se të dhënat e kohës dëshmojnë se në këtë zonë u pushkatua një klerik katolik, Dom Gjergj Gjeçaj dhe familjarët e kanë kërkuar trupin e tij.

“Këtu ka qenë repart ushtarak dhe këtu është pushkatuar në vitin 1947 një prift katolik Dom Gjergj Gjeçaj. Të afërmit kanë ardhur disa herë dhe kur morën vesh edhe zbulimin e varreve erdhën dhe thanë se kur të hapet të shikojmë por nuk e besojmë se është këtu “, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Duhet të ketë edhe varre të tjera, thotë Bektashi nga bisedat që ka bërë me inxhinierët e kompanisë pasi zona ku janë gjetur varret duket se është fillimi dhe mund të jetë më e gjerë.

“Këtu nuk janë pak viktima. Sipas të dhënave duhet të jenë edhe më shumë edhe në godinat më tutje. Kështu tha dhe inxhinieri i firmës, në rrëzë është njëri varr por mund të ketë edhe të tjerë më tutje.

Bektashit i pushkatuan babanë gjatë regjimit komunist dhe edhe pas shembjes së komunizmit nuk arriti t`i gjejë eshtrat e tij me gjithë kërkimet. Ai thotë se janë mbi 100 të pushkatuar gjatë regjimit komunist vetëm në Përmet që nuk u janë gjetur eshtrat nga familjarët.

“Përmeti ka më shumë të pushkatuar në Shqipëri. Janë mbi 100 të pushkatuar, 3 prej të cilëve klerikë ortodoksë dhe tre klerikë bektashianë”.

Prokurori i Përmetit Asllan Bajrami i tha Zërit të Amerikës se policia dhe prokuroria ishin vënë në dijeni nga firma ndërtuese më datën 7 korrik lidhur me zbulimin e disa varreve. Është zhvilluar një këshillim paraprak me specialistë të Monumenteve të Kulturës pasi dyshohet se varret janë më të hershme, tha prokurori i Përmetit. Pritet vlerësimi i arkeologëve dhe specialistëve të mjekësisë ligjore për të vijuar më tej hetimet, tha zoti Bajrami.

Ndërkohë edhe Arben Dosti që kërkon prej vitesh eshtrat e xhaxhait të tij të pushkatuar ishte sot me përfaqësuesit e shoqatës së të përndjekurve. Ai tha se strukturat shtetërore duhet të bashkëpunojnë me familjet që kërkojnë eshtrat e të zhdukurve në diktaturën komuniste.

“Nevojitet ndihma e shtetit ,të jemi bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme në kërkimin dhe gjetjen e eshtrave të familjarëve dhe të afërmve tanë.”

Në Shqipëri disa mijëra familje që humbën të afërmit në burgjet komuniste nuk kanë arritur të gjejnë eshtrat e tyre megjithëse kanë kaluar rreth 30 vite nga shembja e komunizmit./Zeri Amerikës / KultPlus.com

Historia e emigrantit të kthyer në Përmet, investoi në një nga godinat e vjetra duke e shndërruar në një pikë turistike

Nëse Përmeti s’do të kishte marrë vëmendjen e duhur këto vite me investime konkrete që krijuan një perspektivë të qartë turistike për qytetin, që siç thonë i ka të gjitha përveç detit, me siguri nuk do të kishim as këtë hapësirë fantastike në zemër të zonës historike.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës Bledi Çuçi, teksa ka sjellë shembullin e Arbër Goga, i cili pasi u kthye nga emigrimi investoi në qytetin e Përmetit.

““Villa Përmet” është një shembull domethënës për ata që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme më të mirë, një histori frymëzuese për shqiptarët jashtë vendit që mendojnë të kthehen dhe të investojnë në vendlindje. Një histori frymëzuese për qytetin që vit pas viti është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik në jug të vendit. Bravo Arbër”, – shprehet Çuçi.

“Historia ime është si historia e shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët kanë emigruar dhe pas një kohë në emigrim kanë vendosur të kthehen në vendlindjen e tyre. Pasi mora vendimin tim për t’u kthyer në Shqipëri ftova për të kaluar pushimet mikun tim Denis. Pas disa ditësh pushimesh dhe një turi në Shqipëri vumë re se sektori turistik kishte nevojë për zhvillim, potenciali ishte shumë i lartë mbi të gjitha në lagjen më të vjetër të Përmetit”, – thekson Goga.

Më tej Goga u shpreh se “duke restauruar një nga godinat më të vjetra dhe duke qenë shtëpia e dytë më e madhe në Përmet i dhamë një jetë të dytë ku të gjithë mund të vijnë të pushojnë një natë apo të kalojnë një fundjavë”.

“Pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, të shpresojmë që edhe të rinj të tjerë të kenë dëshirën të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Do isha shumë i kënaqur nëse në zonën e vjetër të Përmetit të lindin edhe realitete të tjera që të jetë një kartëvizitë për të huajt se çfarë është Shqipëria në realitet”, – tha Goga./ atsh / KultPlus.com

Mbrëmje nën tingujt e muzikës në Bënjë të Përmetit

Bënja e Përmetit është një skenat më bukura natyrore shqiptare.

Pikërisht në këtë vend të mrekullueshëm në 16 korrik do të zhvillohet një mbrëmje nën tingujt e muzikës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti të veçantë.

“Një mbrëmje në muzg, nën tingujt e muzikës ju pret në 16 korrik në Bënjë të Përmetit”, shprehet ajo.

“Bashkia e Përmetit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizon një aktivitet të veçantë, në një skenat e bukura natyrore shqiptare”, thekson ministrja Margariti.

Bënja e Përmetit është e rrethuar nga një natyrë e pandotur dhe paraqet kanë një përzierje unike midis historisë, aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe Kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut. atsh / KultPlus.com

Magjia e qytetit të trëndafilave, me shkëmbin gjigant

Përmeti, “Qyteti i trëndafilave” me pamje mahnitëse natyrore.

Peizazhi i bukur natyror, pastërtia, shkëmbi gjigant dhe lumi që kalon përmes tij, e bëjnë Përmetin një qytet shumë tërheqës për t`u vizituar.

Ende pa hyrë brenda këtij qyteti të ofrohet një peizazh i bukur piktoresk, karshi maleve të bukura dhe rrjedhjes së lumit që të jep freskinë e papërjetuar më parë, shkruan albinfo.ch.

Me të hyrë në rrugën në të cilën lidhet ky qytet i bukur i Shqipërisë së jugut, takohesh me bukurinë magjepsëse të natyrës, por dhe me shtëpi të bukura, pastërti që të bëjnë përshtypje si vizitor.

“Qyteti i trëndafilave” është i rrethuar me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me shkëmbin e lartë që i’a shton hijeshinë. Në veçanti Përmeti dallohet me trëndafilat e bukur që i sheh ngado gjatë stinës së pranverës dhe verës, shkruan albinfo.ch.

Përmeti, me rreth 39.000 banorë është i pozicionuar në juglindje të Shqipërisë. Ai ka një siperfaqe prej 929 km². Përbëhet nga dy bashki, bashkia Përmet dhe bashkia Këlcyrë.

“Qyteti i trëndafilave” përshkohet nga lumi i bukur Vjosa nga i cili merr emrin edhe lugina. Vlen të theksohet se ky lumë përshkon 58 km dhe renditet i dyti në Shqipëri për nga gjatësia.

Qyteti i Përmetit ofron shumë lokacione që janë mjaft tërheqëse për zhvillimin e turizmit. Ky destinacion turistik ka potenciale të mëdha natyrore dhe kulturore.

Ky qytet njihet mikpritje të rrallë, është qytet i këngëve popullore, lirike, qytet i verës e rakisë.

Qyteti i Përmetit me zonën rreth tij është i bekuar me të gjitha thesaret që mund të ofrojë natyra.

Ky vend ka edhe burime fantastike të ujërave termale, që janë krejtësisht natyrale dhe të pasura me veti shëruese për shumë sëmundje, kështu duke ofruar një mundësi të artë për turizëm shëndetësor, me një potencial të jashtëzakonshëm kurativ. Ujërat termale të këtushme janë të pasura me kripëra të ndryshme dhe me temperaturë rreth 29 deri në 40°C.

Përmeti konsiderohet si vendi më i qetë dhe me pamje më mahnitëse, duke mos harruar që simboli i këtij qyteti është shkëmbi 42 metra i lartë dhe me sipërfaqe 650 metra katrorë, themelet e të cilit janë në buzë të lumit Vjosa dhe pranë maleve të bukura përreth që i japin pamje piktoreske. /KultPlus.com

Reportazh: Përmeti, një udhëtim në qytetin ku të presin si mbret

Nga Sejdo Harka

Përmeti, ose siç njihet ndryshe qyteti i trëndafilave, është sa i lashtë aq dhe i ri, që së largu duket sikur përherë mban veshur vellon e nusërisë. Brenda kontureve dhe shpirtit të qytetit, sa real aq dhe metaforik gjallojnë vlera dhe bukuri të paçmuara si besa dhe urtësia, paqja dhe liria, guximi dhe trimëria, toleranca dhe mikpritja, kultura dhe mençuria, cilësi e virtyte që janë gdhendur në shekuj, në luftë me varfërinë, me shkatërrimin dhe egërsinë, me skllavërinë dhe përçmimin, me cinizmin dhe vetminë, me thashethemnajat, grindjet dhe me hakmarrjen e mërinë. Emri i mirë i Përmetit dhe përmetarit i ka kapërcyer me kohë kufijtë e trojeve tona. Kudo që ndodhesh, sapo njerëzit mësojnë se je përmetar, ndalin për një çast dhe të thonë me respekt:”Përmeti mbi gjithçka ka njerëz të mirë”. Fjalë të mira për Përmetin dhe përmetarët kanë shprehur edhe personalitete të shquar si; Fan Noli dhe Faik Konica. “Përmeti”, shkruante në ato kohëra Edit Durham, “me qiparisat e lashtë, dushqet e purpurtë, gjelbërimin pranveror dhe njerëzit e mbrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukura të botës”. Bukurinë e shpirtit dhe mikpritjen e rrallë të përmetarit e gjen edhe në sentencën sa proverbiale, aq dhe popullore: ”Kush shkoi mik në Përmet, dhe s’e pritën porsi mbret”! Për ta njohur lexuesin me disa nga vlerat njerëzore, historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore të Përmetit, më poshtë po ndalemi në përshkrimin e një bashkëbisedimi të ngrohtë me njerëzit dhe natyrën e rrallë të atyre anëve.

Pak histori

Emri më i lashtë i këtij qyteti është “Trifila”. Ndërsa emrin e sotëm, Përmeti e ka marrë nga prijësi i këtij qyteti që quhej Premti, i cili sipas legjendës, për të mos rënë në duart e armiqve, u hodh nga Guri i Qytetit. Përmetin po ta vështrosh nga maja e Kiçokut i ngjan një gjashtëkëndëshi gjigand, rrethuar nga vargmale të bukura. Në të majtë qëndon si një gjerdan i blertë vargmali Kiçok-Taroninë-Qarrishtë-Dangëlli, që shtrihet deri në lartësitë e Postenanit, mbuluar nga pyje e livadhe të mbuluar me gjelërim. Ndërsa në të djathtë lartësohet vargmali i ashpër e hijerëndë Trebeshinë –Dhëmbel- Nemërçkë, me majën më të lartë Papingun 2485m.Hapësira mes këtyre dy viganëve gjigandë i ngjan një deti shumngjyrësh, në thellësitë e të cilit duket sikur lundrojnë Lugina e Vjosës, dhe ajo e Zallit të Dëshnicës. Ndërsa në këmbët e kodrinave të bukura dhe maleve të ashpër shtrihen dhjetëra fshatra, që edhe pse kohët e fundit disa prej tyre janë rrënuar ia shtojnë bukurinë. Përmes historiografisë turke mësojmë se Përmeti, si lokalitet e qendër komerciale ka lulëzuar që në shekullin VI-VII. Ndërsa si qendër administrative , qyteti është krijuar në shekullin XV. Ai shtrihet në Juglindje të vendit me një sipërfaqe prej 938 km.katrore dhe një vijë kufitare prej 200 kilometër të gjatë, nga të cilat 16 kilometër janë kufij lumorë. Në territorin e Përmetit janë gjetur shumë gjurmë të vazhdimësisë ilire: enë, objekte, emra vendesh e rrënoja kalash, si ajo e Këlcyrës dhe e Petranit, të cilat datojnë në shek.III-II p.e.r. Në vitin 1432 Përmeti ka patur vetëm 42 shtëpi, ndërsa në vitin 1930 numëroheshin rreth 140 shtëpi me 3000 banorë. Sot qyteti i Përmetit ka 13 mijë banorë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u dogj dhe u përmbyt katër herë.

Përmeti, aty ku lindën emrat e mëdhenj

Ky qytet është e vërtetë që për shkaqe objektive dhe subjektive mbetet një nga qytetet më të vogla të vendit, por me mundësi dhe vlera të mëdha. Ai është djepi i lindjes së fidanishtes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në ballë të panteonit përmetar qëndrojnë: Naimi, poeti i madh dhe bilbili i gjuhës shqipe, të cilit populli i këndon ”Naim Shqipëria…”, diplomati mendjemprehtë Abdyl Frashëri, poliedriku Mitat Frashëri dhe ideologu i Rilindjes e parashikuesi i Shqipërisë së sotshme dhe të ardhshme, Sami Frashëri. Përmeti është vendi i heronjve dhe luftëtarëve të tillë si; Kamber Bënja, që për mbrojtjen e monomenteve të kulturës shqiptare, u ndesh dhemb për dhemb me dorën grabitqare austro-hungareze; vendi i internacionalistit Musa Fratari që dha jetën për mbrojtjen e lirisë së popujve të botës, vendi i luftëtarëve dhe atdhetarëve të shquar:Meleq Gosnishti e Riza Velçishti, Nexhip Bënja e Vangjel Gjika, Ahmet Kajca, Hajredin Tremishti dhe Mendu Zavalani;vendi i klerikëve dhe luftëtarëve të rrallë për liri, Baba Alushi dhe At Stath Melani. Përmeti lindi dhe rriti burra të shquar si Sejfulla Malëshova dhe Ymer Dishnica, që ëndërruan dhe luftuan për një Shqipëri të lire dhe të zhvilluar. Nga këto anë dolën artistë, shkrimtarë dhe dijetarë e studiues të njohur si; Tefta Tashko Koço, Mentor Xhemali, Nonda Bulka, Kasëm Trebeshina, Kristo Frashëri, Androkli Kostollari, Mentor Përmeti, Sherif Bundo, Vasil Tole, Agron Xhangolli,Përparim Hoxha… Një nga talentet e rralla të kulturës popullore përmetare ka qenë dhe mbetet edhe klarinetisti virtuoz Laver Bariu, fama e të cilit i ka kapërcyer kufijtë e trojeve shqiptare. Ja ç’na tregon për famën e tij nëpër botë, aktori i njohur përmetar Pandi Duka:”Kur shkuam në Athinë, të ftuar nga Instituti ”Dora Statis”, për të marrë pjesë në Festivalin e këngës poullore greke, në të cilin konkurronin 3500 këngëtarë, drejtori i këtij festivali, sapo dëgjoi klarinetën e Laverit tha i mahnitur: ”Ky qenka një artist i madh! Besoj se do të jetë bërë milioner. Ndërsa, kur unë i thashë se ky usta i madh, jo vetëm që nuk është milioner, por ndoshta njeriu më i varfër në ato anë,sepse gati tërë jetën ka punuar roje, ai u habit. Me që koncerti do të vazhdonte gjithë natën, iu lutëm Laverit që të mos pinte atë ditë, por ai, në fakt bëri të kundërtën, sepse siç thoshte dhe vetë, fuqinë dhe ëmbëlsinë klarinetës së tij ja jepte avulli i ngrohtë i rakisë përmetare, që zakonisht e mbante me vete. Ishte ndoshta “kjo pije magjike”, që e bëri usta Laverin, të shoqëruar nga instrumentistët dhe këngëtarët më të mirë të Përmetit, jo vetëm të shoqërohet nga ovacione dhe duartrokitje të fuqishme, por dhe të mbulohej me para, aq sa ai nuk i kishte parë as në ëndërr. Ata që e bënin me krahë Laverin, ishin këngëtarët dhe instrumentistët e rrallë: “Lefter Nurka, Sulejman Lame, Xhelal Zeqiri, Llazo Vangjeli, Jorgo Çulli, Ilia Nasi, Donika Pecani, Anastas Naqe, dhe dy vëllezrit virtuozë Curri, me të cilët e ndau vetëm vdekja. Përmetarët kanë qenë ndër të parët që kanë përkrahur dhe mbështetur lëvizjet atdhetare dhe patriotike si; Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një degë e së cilës u krijua në Frashër, që në korrik të vitit 1878, nga Baba Alushi, me inisiativën e ndihmesën e A.Frashërit. Ata janë dhe shumë arsimdashës, shkollën e parë plotore me 7 klasë e çeli me shpenzimet e tij patrioti i mërgatës së Vjenës, Zoto Pano Duro.Nga dyertë e shkollave të Përmetit kanë dalë nxënës,studentë dhe intelektualë të përgatitur, që me aftësitë dhe talentin e tyre kanë spikatur në shumë fusha të jetës, jo vetëm brenda por dhe jashtë kufijve tanë.

Qyteti që Zoti e bekoi me bukuritë e natyrës

Përmeti, për shkak edhe të pozicionit gjeografik është vërtet një vend me natyrë të begatë. Në trojet e tij fatmirësisht gjenden edhe shumë monumente natyrore e njerëzore si: Guri i Qytetit dhe Bredhi i Hotovës, Gryka e Këlcyrës dhe Ujët e Zi, ujrat kuruese të Bënjës dhe Kanionet e Langaricës, Shpatet e thyera të malit të Dhëmbelit dhe Vrima e Cilikojkave. Por edhe kisha, xhami dhe teqe të lashta si ajo e Shën Mërisë, Leusës dhe teqeja e dëgjuar e Alipostivanit, të cilat ruajnë brenda tyre vlera dhe mundësi të mëdha ekonomike, shpirtërore, turistike, kuruese dhe qetësuese. Përmeti ka florë dhe faunë të pasur. Aty rriten, mblidhen dhe tregtohen bimë të rralla mjekësore si dëllinja e kuqe, mëllaga, lulkuqi, trëndafili i egër, sherebeli, kamomili, rozmarina, çaji i malit, etj. Në hapësirat e ndryshme të Përmetit rritet një shumllojshmëri kafshësh dhe shpendësh të egra si dhelpra e lepuri, kaprolli e dhia e egër, ujku dhe ariu i murrmë, që kryesisht rritet në pyjet e Bredhit të Hotovës. Rrethi i Përmetit është i pasur dhe me një shumëllojshmëri shpendësh të egra si pëllumbi, thëllëza, skifteri, shqiponja, dhe një shumllojshmëri peshqish lumorë si; qefulli, levreku, ngjala, krapi, etj. Për arsye të klimës së përshtatshme dhe ujit të bollshëm, sidomos në lugina Përmeti ka mundësi të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Por politikat e gabuara të qeverive të ndryshme kanë bërë që këto mundësi,veçanërisht në zonat malore dhe kodrinore gati janë shumëzuar me zero. Dëshpërohesh thellë, kur sot sheh fshatra të tëra, gati të braktisur tërësisht, ku në vend të njerëzve punëtorë dhe prodhimeve të bollshme, sheh vetëm shtëpi të rrënuara dhe ferra e gjëmba që u kanë zënë frymën. Kalon përmes fshatrave të Dëshnicës dhe në mendje të vijnë disa pyetje: “Ku është ai det hardhish që me lastarët dhe rrushtë e tyre të bollshëm,ngrohte jo vetëm kadet e verës e rakisë,por dhe lisat që sot e ndjejë veten fillikat. Frut i hidhur i politikave të gabuara që u ndoqën për fshatin, janë shkatërrimi i çdo gjëje, edhe i rrugëve e shkollave, edhe i rezervuarëve e kanaleve vaditëse madje bile edhe i qendrave shëndetësore e tubacioneve të ujit të pishëm, gjë që solli largimin e detyruar, dramatik e tepër masiv edhe të njerëzve, që ndoshta i kishin mundësitë dhe dëshirën ta ndërtonin atje të ardhmen e jetës dhe të ekonomisë së tyre. Qeveria,kohët e fundit edhe në rrethin e Përmetit, për ripërtëritjen e jetës, ekonomisë dhe vlerave turistike të fshatrave, ka përcaktuar për të bërë model tre prej tyre.Por, për zbatimin e këtij projekti,qw tani pafilluar puna, janë bërë skeptikë edhe shumë përmetarë. Prandaj shpesh ata pyesin njeri-tjetrin:Kjo qeveri e ka seriozisht zbatimin e këtij projekti, apo është shaka e radhës, që qeveritë hedhin në prag të zgjedhjeve elektorale?! A mund të zgjidhet problemi i zhvillimit të fshatit dhe turizmit në rrethe, me 2-3 fshatra, të ashtuquajtur turistikë?!Sa vjet do t’u duhen qeverive, që të vënë në rrugën e zhvillimit të drejtë të gjitha mundësitë dhe resurset natyrore të fshatrave dhe zonave, që sot fatkeqësisht janë braktisur nga njerëzit, sepse kanë munguar vëmendja dhe projektet serioze të qeverive të ndryshme.?!…Të gjitha zonat e fshatrat e rrënuar barbarisht e ndjejnë nevojën e ndihmës së shtetit për ndërtimin e rrugëve dhe ripërtëritjen e bujqësisë, pemtarisë e blegtorisë. Njerëzit kërkojnë që jo vetëm të planifikohen fonde e subvencione, por dhe të kontrollohet me rigoriozitet efektiviteti i tyre për ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë.Njw shwmbull i rrallw pwr rimwkwmbjen dhe moderrnizimin e fshatit ka bwrw dhe vazhdon tw bwjw çifti shqiptaro-francez Elona –Maxhid,tw cilwt vinw nga Franca moderrne nw Ballaban të Përmetit, për të ndërtuar një fermë modeste shpendësh dhe kafshësh, për t’u trguar jo vetëm përmetarëve,por dhe gjithë shqiptarëve se, me punë e vullnet, edhe këtu mund të jetohet bukur.

Për hir të së vërtetës, vitet e fundit në rrethin e Përmetit janë bërë ndryshime të dukshme. Sapo hyn në Grykën e Këlcyrës, të bie në sy bukuria dhe standartet e larta të dy rrugëve kryesore që e përshkojnë atë mespërmes, si; Këlcyrë –Përmet dhe Këlcyrë-Ballaban. Kalon urën e Përmetit dhe menjëherë të bie në sy një pastërti dhe gjelbërim i rrallë. Edhe pse është kulmi i vapës, një fllad i këndshëm, që herë duket sikur zbret nga lartësitë e Dhëmbelit dhe herë nga lulishtet e sokakëve e barçeve karakteristike përmetare, të mbrekullon. Më tej të shfaqet përpara shëtitorja dhe sheshi i ri i qytetit, që ndrijnë nga mozaikët e ndërtuar me gurë shumëngjyrësh, i cili darkave gumëzhin nga zhirot tradicionale dhe bisedat e ngrohta të qytetarëve. Në të majtë të shëtitores ngrihet një monument, sa madhështor, aq dhe i trishtueshëm, mbi pllakatën e të cilit fiksohet ndoshta një nga ngjarjet më të dhimbshme për Përmetin: ”9 Mars 1997”! Ndërsa poshtë tij shënohen me shkronja të arta 9 emrat e viktimave, që mori kjo ditë e mallkuar. Enigmat e shumta të kësaj ngjarjeje,sa paradoksale aq dhe misterioze, ende s’janë zbardhur mirë. Kushdo që kalon para këtij lapidari të çuditshëm mediton duke pyetur veten: Ç’ishte ajo luftë dhe kundër kujt luftonin ata njerëz?!Kush e shkaktoi atë vëllavrasje dhe pse?!Kush e mbajti përgjegjësinë e humbjes së jetës së 9 njerëzve të pafajshëm?!,…Aty, mes shushurimave të Vjosës dhe sheshit të Përmetit lartësohet edhe një lapidar tjetër hijerëndë, në sfondin e të cilit duket sikur bën roje një ushtar i panjohur që simbolizon luftëtarin e lirisë përmetare. Me vështrimin e tij depërtues, ai duket sikur u thotë kalimtarëve që kokëulur e shohin vrëngër: ”Unë vërtet luftova për liri dhe ideale të larta, por kurrë s’më shkonte në mendje se ato do t’i shkelnin me këmbë idhujt e djeshëm dhe të sotshëm!

Rikthimi në Përmetin e sotëm

Pa marrë frymë mirë shokët e miqtë e mi të hershëm: Bujari dhe Hekurani, Salikua dhe Pandi. Na ftojnë për kafe. Mbasi u çmalla me ta, trokita në portën e piktorit të talentuar dhe shokut tim të hershëm Josif Bushi, i cili na qerasi me gliko e raki rrushi. Për drekë u ulëm në një nga restorantet më të preferuara të Përmetit, që mban emrin ”Hani i Kikës”, me kryekuzhinier mjeshtërin e gatimeve përmetare Gjergji Qerimi. Në krye të menysë së pasur të këtij restoranti lexojmë fjalët e Nolit të madh: ”A do hash e të bësh qejf?!Sofra shtruar si për mbret. Të tillë gjen veç në Përmet”. Në këtë restorant të thjeshtë por me mjedise të këndshme gjen gatime tradicionale përmetare, me prodhime bio të këtyre anëve, si shqeto e dollma me gjethe pjergulle, pulë me arra dhe roshnica, raki e rrushit të lisave dhe një shumëllojshmëri verërash të kuqe e të bardhë përmetare. Në mjediset e këtij lokali që e frekuentojë shumë edhe turistët e huaj, Gjergji mban varur dhe kitarën e tij të preferuar, me tingujt e ëmbël të së cilës duket sikur edhe pjatat i bën më të shijshme.Përmeti është i njohur për glikotë e rralla dhe arrët e Ogrenit, për perimet e frutat e thata të Dëshnicës dhe shegët e ftonjtë e Kajcës, për qershitë e ëmbla të Qilarishtit dhe për ullinjtë e Bualit. Dikur Përmetit i këndohej me vargun proverbial popullor: ”O Përmet, o xhenet, bukë plot e ujë det”, i cili në kohë të ndryshme është ndryshuar në përshtatje me kohërat dhe sistemet e ndryshme politike. Është e vërtetë që Përmetit s’i kanë munguar burimet natyrore me ujë të ftohtë si kristali, por qyteti kurrë nuk ka pasur ujë të pijshëm 24-orësh, bile edhe sot e kësaj dite. Arsyen kryesore na i tregon një burrë i moshuar, i cili thotë: ”Mbi qytetin tonë, në rrëzë të Dhëmbelit, dikur buronte një ujë i bollshëm dhe i ftohtë si kristali, që quhej ”Gurra e Madhe”, e cila furnizonte tërë qytetin me ujë të pijshëm. Por, aty nga viti 1962, një inxhinier i paditur, me idenë për ta shtuar sasinë e ujit, i vuri dinamitin shkëmbit ku ai buronte. Që atë ditë uji shteroi, sikur ta kishte përpirë kuçedra. U desh kohë të merrej vesh se uji i Gurrës së Madhe kishte dalë në thellësitë e Vjosës, poshtë kanaleve të ujërave të zeza. Qytetarët, inxhinierit që shkaktoi këtë gjëmë, i vunë nofkën “kuçedër”, por përmetarët fatkeqësisht që prej asaj dite e deri më sot vazhdojnë të pinë ujë me orar”. Megjithëatë ata falë një fondi e projekti (ndoshta të vonuar) besojnë se së afërmi do të gëzojnë realizimin e ëndrrës së tyre të hershme, që në shtëpitë e tyre të kenë ujë të rrjedhshëm 24-orë në 24. Bukuritë dhe vlerat e Përmetit ia shtojnë edhe traditat dhe veçanërisht veprimtaritë e bukura kulturore. Grupi këngës së bukur qytetare përmetare, në festivalin botëror, zhvilluar në Dizhon të Francës, me këngën “Poshtë nga çahiret“, mori gjerdanin e artë. Por në Përmetin e bukur dhe të njerëzve të mirë, ndodhin edhe konflikte paradoksale. Në qendër të Përmetit ndodhet dhe një qendër kulturore,e cila, ndërsa dje ishte ndërtesa më e bukur e qytetit, sot ajo i ngjan një gërmadhe të braktisur, që ia zbeh atij bukuritë e rralla natyrore. Ka rreth 20 vjet, thonë qytetarët,që kjo ndërtesë është bërë “mollë sherri” mes kishës dhe bashkisë e shtetit. Edhe pas një vendimi të drejtë, por tepër të vonuar të drejtësisë,i cili e shpalli atë pronë të patjetërsueshme të Bashkisë së qytetit,ajo vazhdon të mbetet një ngrehinë e rrënuar, as kishë as shtëpi kulture. Kur qytetarët pyesin se pse, edhe pas përcaktimit të pronësisë, ndërtesa e qënrës kulturore nuk po rregullohet, Bashkia ankohet se nuk po i jep fonde Ministria e Kulturës. Siç duket, qytetarët artdashës të Përmetit, edhe pas zvarritjes 20-vjeçare të vendimit të drejtësisë, do t’u duhet të presin edhe shumë vite të tjera, që organet përgjegjëse të gjejnë fondet e duhura për rikonstruktimin e plotë të saj. Mungesa e gjatë e kësaj ndërtese, është e vërtetë që e ka penguar veprimtarinë kulturore të Përmetit, por kurrë s’e ka shuar atë, falë pasionit dhe përgjegjesisë qytetare të artistëve të përkushtuar, që me këmbënguljen e tyre kanë mundur të gjejnë mjediset e duhura, jo vetëm për përgatitjen, por dhe shfaqjen e tyre cilësore. Për veprimtari të dendura e tepër të pëlqyeshme është dalluar veçanarisht grupi ”Tradita Popullore” me drejtues artististik, Ylli Muçon ,në përbërje të të cilit dallojnë këngëtarët dhe instumentistët virtuozë: Alban Zeqiri, Jarek Muço, Evgjeni Çulli, dhe klarinetisti i talentuar dhe vazhduesi i denjë i usta Laverit,Sadik Zeqiri. Aktivitete të dendura dhe cilësore zhvillon edhe grupi teatral i qytetit. Aktori i taletuar përmetar, Pandi Duka, në bashkëpunim me historianin Kastriot Bezati, ka përgatitur dhe shfaqur jo vetëm brenda vendit por edhe në Kosovë, recitale poetike me vlera tepër edukative dhe patriotike si ai për Naim Frashërin. Për të përçuar tek spektatorët mesazhe të fuqishme ky recital mbyllet me sentecat kuptimplote poetike: ”Mos u bëj i lig e i keq, i paudhë e i pabesë/Mos vra, mos bëj keq, edhe ki nam dashurinë/Besë e fe ki mirësinë, të drejtën dhe urtësinë”!, të cilat Naimi i shkroi në kohën e tij për të mbetur të pavdekshme.

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë

Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.

Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.

Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.

Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.

Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.

Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.

Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët. /a.t.a/ KultPlus.com

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë

Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.

Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët.

Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.

Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.

Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.

Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.

Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. /ata

‘Qyteti i trëndafilave’, i preferuari i rreth 25 mijë turistëve vendas e të huaj

Rreth 25 mijë turistë, vendas dhe të huaj, kanë zgjedhur si vendin e tyre turistik gjatë sezonit veror të këtij viti, qytetin e Përmetit, i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, në një prononcim për ATSH-në, tha se “rreth 25 mijë turistë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe shumë të huaj kanë vizituar qytetin tonë, që është i njohur për vlerat që ka, si dhe për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera”.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, nga shtrirja gjeografike, por i madh nga vlerat e shumta të tij historike, kulturore e natyrore.

Në këtë qytet, çdo turist vendas apo i huaj ka mundësinë të frekuentojë shumë vende të bukura të kësaj zone si brenda në qytet, ashtu dhe jashtë tij.

Një panoramë e mrekullueshme ku gërshetohen me njëra – tjetrën janë kanionet e Lengaricës me bukurinë e tyre, lumi i Lengaricës, Ura e Katiut prej guri me një hark të madh e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Ura e Dashit, etj.

Një tjetër karakteristikë e veçantë e kësaj zone janë dhe kishat shumë vjeçare të pozicionuara sidomos në fshatra si: Kisha e Shën Marisë, fshati Leusë, Kisha e Shën Marisë fshati Bënjë, Kisha Shën Marisë fshati Kosinë,Kisha Shën Ilia e fshatit Bual, Kisha e Shën Marisë fshati Perat, etj.

Në zonën e Përmetit pikasin në mënyrë të veçantë fshatrat karakteristike me shtëpi dhe sokaqe prej guri, të cilat i japin një tjetër vlerë turistike kësaj zone, si fshatrat Kosovë, Ogdunan, Bënjë dhe Lipë e vjetër.

Ujërat termale të Bënjës gjenden 14 km larg nga qyteti i Përmetit, është një monument natyror ku mbizotërojnë pesë burime nëntokësore ujore me bazë sulfurore, të cilat janë cilësuar si burime me vlera kuruese për sëmundje të ndryshme. / KultPlus.com