Mbi 28 mijë turistë vendas e të huaj vizituan Përmetin në mars-gusht

Mbi 28 mijë turistë zgjodhën si destinacion turistik në periudhën mars-gusht qytetin e Përmetit.

“Qyteti i trëndafilave” është cilësuar ‘perla’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing.

Zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit bën të ditur për ATSH-në se “numri i turistëve vendas e të huaj që kanë qëndruar minimalisht një natë në qytetin e Përmetit është mbi 28 mijë. Pa llogaritur këtu dhe turistët rastësorë dhe grupet që vijnë me agjenci turistike”.

Sipas kësaj zyre, rreth 700 turistë të huaj kanë marrë shërbim nga zyra e informacionit turistik.

“Turistët e huaj, si serbë, gjermanë, çekë, polakë, italianë, ukrainas, maqedonas, kanë preferuar të vizitojnë qytetin e Përmetit, duke u ndalur kryesisht në disa nga pikat turistike më të njohura të qytetit si Ujërat Termale, kanionet e Lengaricës, objektet e kultit, atraksionet natyrore në Malin e Dhembelit dhe Nemërçkës, luginën e Vjosës, Gurin e Qytetit, etj”, – thekson zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.

Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës luginën e Vjosës. Teqeja është ndërtuar për herë të parë nga Baba Aliu në vitin 1857, në nder të të cilit mban edhe emrin.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.
Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.
Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister. /atsh/ KultPlus.com

Shpella e Piratëve

Gjendet në falezën detare në kodrinën ku ndodhet Manastiri i Shën Theodhorit. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë. Emrin e ka marrë, sepse në të strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre të lehta, shkruan KultPlus.

Baza e hyrjes së saj është në pasqyrën ujore, madje edhe në metrat e para të saj ka ujë dhe blloqe shkëmborë të rrëzuar. Një bllok shkëmbor në formën e një kollone e ndan hyrjen në dy pjesë.

Kur deti është i qetë, ajo vizitohet me lehtësi, ndërsa kur ka dallgë të forta hyrja e saj pothuaj bllokohet plotësisht. Nuk është eksploruar e dokumentuar, por ka banorë që janë futur brënda saj.

Ka gjatësi mbi 30 m e pjerrësi graduale. Nuk ka forma kalciti në tavanin e saj, por ka dy oxhaqe. Në njërin prej tyre, me pak vështirësi ngjitesh dhe del në sipërfaqe, në shpatin e kodrës.

Prej këtej banorët kanë hedhur gurë brenda shpellës për kuriozitetin e thellësisë së saj. Njeri oxhak nuk dihet se ku të çon, ndoshta në ndonjë shpellë tjetër të katit të dytë.

Gjerësia e kësaj shpelle është mbi 8 m, ndërsa lartësia arrin në mbi 10 – 12 m.
Vizitohet duke shkuar me varkë nga plazhi i Dhërmiut ose ai i Jalit. Por mund të shkohet deri tek Manastiri i Shën Theodhorit dhe pastaj të depërtosh nga oxhaku në brendësi të Shpellës. Ka vlera gjeomorfologjike, historike e turistiko – didaktike./ KultPlus.com

‘Qyteti i trëndafilave’, i preferuari i rreth 25 mijë turistëve vendas e të huaj

Rreth 25 mijë turistë, vendas dhe të huaj, kanë zgjedhur si vendin e tyre turistik gjatë sezonit veror të këtij viti, qytetin e Përmetit, i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, në një prononcim për ATSH-në, tha se “rreth 25 mijë turistë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe shumë të huaj kanë vizituar qytetin tonë, që është i njohur për vlerat që ka, si dhe për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera”.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, nga shtrirja gjeografike, por i madh nga vlerat e shumta të tij historike, kulturore e natyrore.

Në këtë qytet, çdo turist vendas apo i huaj ka mundësinë të frekuentojë shumë vende të bukura të kësaj zone si brenda në qytet, ashtu dhe jashtë tij.

Një panoramë e mrekullueshme ku gërshetohen me njëra – tjetrën janë kanionet e Lengaricës me bukurinë e tyre, lumi i Lengaricës, Ura e Katiut prej guri me një hark të madh e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Ura e Dashit, etj.

Një tjetër karakteristikë e veçantë e kësaj zone janë dhe kishat shumë vjeçare të pozicionuara sidomos në fshatra si: Kisha e Shën Marisë, fshati Leusë, Kisha e Shën Marisë fshati Bënjë, Kisha Shën Marisë fshati Kosinë,Kisha Shën Ilia e fshatit Bual, Kisha e Shën Marisë fshati Perat, etj.

Në zonën e Përmetit pikasin në mënyrë të veçantë fshatrat karakteristike me shtëpi dhe sokaqe prej guri, të cilat i japin një tjetër vlerë turistike kësaj zone, si fshatrat Kosovë, Ogdunan, Bënjë dhe Lipë e vjetër.

Ujërat termale të Bënjës gjenden 14 km larg nga qyteti i Përmetit, është një monument natyror ku mbizotërojnë pesë burime nëntokësore ujore me bazë sulfurore, të cilat janë cilësuar si burime me vlera kuruese për sëmundje të ndryshme. / KultPlus.com

Turistët të mahnitur gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore

Bregdeti shqiptar këtë vit kishte një fokus të veçantë nga mediat botërore, po jo keq ka mbetur edhe pjesa e trashëgimisë historike e kulturore, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetin social Facebook, një video me mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë historike e kulturore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore”, shkruan kryeministri Rama.

Për më tepër rreth mendimeve të turistëve për këto pjesë të Shqipërisë, mund të ndiqni videon në vazhdim. / KultPlus.com

La Repubblica: Pushime të lira, italianët të intriguar nga Shqipëria

Shqipëria turistike vijon jehonën në mediat ndërkombëtare. Media italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një shkrim të veçantë turistëve italianë në Shqipëri, që këtë vit kanë qenë më të shumtë në numër.

Ndërtimet e reja dhe çmimet e ulëta janë ato që kanë tërhequr italianët, të cilët nga janari deri në korrik kanë qenë plot 182 mijë, me një rritje prej 56%.

“Pushime low cost, italianët të intriguar nga Shqipëria: Këtu me 30 euro fle në hotel dhe 10 euro ha darkën”, është titulli i shkrimit të “La Repubblica”. Turistët nga Puglia duket se janë më të shumtët që kanë preferuar të kalojnë pushimet në brigjet shqiptare, vë në dukje shkrimi, duke pasur parasysh se dhe fluksin më të madh të lëvizjeve e mbart porti i Barit.

Një nga agjencitë që ofrojnë paketa turistike në shtetin fqinj e cilësojnë Shqipërinë si vendin me kosto shumë të ulët, por me mrekullira të natyrës dhe ndërtesa të reja, duke bërë krahasimin me vendet fqinje si Mali i Zi apo Korfuzi. / KultPlus.com

Linku i shkrimit: http://bari.repubblica.it/cronaca/2017/09/02/news/albania_vacanze_low_cost-174407519/?ref=RHPPLF-BH-I0-C8-P5-S1.8-T1