Un’ jam un’, saksi e vjetër! Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…
Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’, syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj? Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?
Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa, dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!
Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’ i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’ këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!/KultPlus.com
Poezi nga Adelia Prado, sjellë në shqip nga Mirela Kapaj.
Ajo çka dua është një dashuri e thjeshtë. Ata që dashurojnë thjesht nuk e shohin njëri-tjetrin. Kur e gjen, si besimin, marrin fund teologjizmat. E ashpër si çizme të vjetra, dashuria e thjeshtë është thatanike, e çmendur për seks, dhe ka aq fëmijë sa ta merr mendja. Mbjell puthje tre-ngjyrëshe në krejt shtëpinë, mall vjollcë dhe i bardhë, edhe e thjeshtë, edhe e gjallë. Dashuria e thjeshtë është e mirë sepse nuk plaket. Përqëndrohet në thelb, ajo që shndrit në sy është ajo që është: Unë jam burrë ti je grua. Dashuria e thjeshtë nuk ushqen iluzione, e vertmja gjë që zotëron është shpresa: Unë dua një dashuri të thjeshtë.\KultPlus.com
Ne arritëm pak pas orës pesë Pastaj u orientuam një grimë. Malli i fëmijëve dhe nipërve u bë më i lehtë Ne bëmë një shëtitje të gjatë dhe freskuese.
Mantegna shkroi në pikturën e tij të fundit: “Asgjë tjetër përveç Zoti s’qëndron çdo gjë tjetër është tym …” Ne do të kalojmë fundjavën me disa miq Mezi e pres këtë.
U zgjuam në një peizazh të qetë dhe të mrekullueshëm me ujë dhe bredh pa erë! Ndryshe ishte gati ashtu si e imagjinoja E falënderoj të dashurin tim te mrekullueshëm
Ushqimi është i shijshëm dhe i shëndetshëm Pra dashuria juaj ka përfunduar? këndon Carmen me fustanin e kuq si gjaku. Sigurisht ju mendoni për mua.
Dhe pyesni veten: si jam unë? Ditët shkojnë shumë lehtë Më mire do t’i dërgoj pyetjet e mia me shkrim Megjithatë shpresoj, do të kthehem./KultPlus.com
Para se të vish Sillmë tre trëndafil të kuq Para se të vish Sillmë një Gishtëz të madh Sepse duhet të qep zemrën E më sill një qetësi të gjatë Të madhe si një Telajo dashurie Para se të vish Jepi një shqelm murit përball Sepse aty brenda është një spiun Që ka parë në fytyrë dashurinë time Para se të vish Mbylle lehtë derën Dhe nëse unë jam duke qarë thërrit Violinat më të mira Para se të vish Thuamë që tashmë ke ikur Sepse unë do të trembesha Dhe para se të ikësh rresht së përshëndeturi Sepse unë shumë gjatë nuk do të jetoj…KultPlus.com
Mbërritëm bashkë me hijet tona Në kamp. Gruaja së pari Nxori hijet tona nga thasët Kamp është Por duhet
Të jetojmë me fatin tonë të ri.
Ajri është i lagshtë dhe ne Ditë pas ditësh do të kalbemi si Gjethet e një shelgu të butë. Do të mësojmë Të harmonizojmë frymëmarrjen me vajin. Gjithçka do të përmirësohet Net pas netësh Do të mësohemi të vajtojmë si qyqe.
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale. Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet. Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com
Ngjyra e parë e natyrës ishte e arta, nuanca e saj më e fortë, e flakta. Gjethja e saj më e parë, një lule, por vetëm për një orë, e dukshme. Pastaj gjethja mbeti prapë gjethe, kështu Edeni ra prapë në heshtje. Dhe agimi venitet drejt ditës. Asgjë s’e ruan përherë shndritjen.
Pjatën e fshiu me kafshatën e fundit Uria i kishte mbështjellë cipën e trurit E mbante ngrohtë në gjirin e pangopësisë. Valixhet po zvarriteshin në tokën e baltosur Kryengritnin për të refuzuar harrimin Dhimbjet palosi me kujdes, e shpirti lakuriq ngrinte nga të ftohtit e zemrës. Pak fjalë i jargaviteshin buzëve Flokët i zgjateshin si litar ku kish lidhur ëndrrat Mëria si një uragan i shkundte duke i përplasur në fytyrën time. Lamtumira për mirësjellje sish gjë veç ledhatim fëmijëror, që ikjes i shpejtonte hovin. Ajo, ish e tëra ëndrra ime, qenia saj labirinthi ku doja të përhumbesha përjetësisht. Iku, ndërsa unë s’po kuptoja se ikja qenka çmimi i dhimbjes që nuk e bleva kurrë! / KultPlus.com
Edhe mungesa e saj është diçka që rri me mua. E dashuroj kaq fort, sa nuk di si ta dëshiroj. Nëse nuk e shoh, e përfytyroj dhe bëhem i fortë si pemët e larta. Por nëse e shoh dridhem. Nuk di se çfarë është ajo që ndjej në mungesën e saj. Vetja ime e çdo forcë më braktis. Gjithë realiteti më vështron si një luledielli me fytyrën e saj në mes.
Ajo që s’e them s’është foshnje që përkundet Kot së koti dhe rritet. S’është as vala Që lyp brigje të tjera dhe nuk mundet Është burim për të cilin digjet etjes fjala
Ajo që s’e them s’është hije. As tehu që hasi Në gurin e së pathyeshmes dhe u lakua në dëshprim Dhunë e dhëmbjes është. Klithja që plasi Kupën e ëndjes sate dhe të durimit tim
Ajo që s’e them s’është kullë e shembur brenda S’është dënim i dashjes dhe nuk është e huaj Njerëz e njolla e gjithë ç’ju përmenda Ajo nuk është guri im mbi varrin tuaj
Ajo që s’e them s’është heshtje. As magjia E lashtë e saj që ja dimë të fshehura halët Dhe do t’i trembet kobit të vet zbraztia Kur të ja flak unë fytyrës leckat fjalët./KultPlus.com
Allalla, o rezil e katil, allalla, Stroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda, Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma, Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe, Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe, Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe, Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
0 stërnip i Kainit, tepdil si bari, Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi, Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli; 0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh, Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh, Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh, Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu, Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru, Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!
Allalla, o rezil e katil, allalla, Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda, Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma, Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!/KultPlus.com
Një njeri pa mënd në kokë, mburrej e lëvdohej vetë, pandehte me të vërtetë q’ish i bukur e s’kish shokë, ndaj ishte shum’ i gëzuar. Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë ta tregonte të shëmtuar. Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë. Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë dhe të duket e vërteta, gjithë pasqyrat e shkreta kur i shikon, e rrëfejnë me një fytyrë shumë të ndyrë. Që të mos shohë kurrë pasqyrë, ç’punoi miku? U ngre dhe iku lark, ndëpër ara Për fat të keq, sheh përpara një liqen të pashënuar, me ujë fort të kulluar. Ndë këta ujë kur u shikua u zemërua, se prap ju duk fytyra si te pasqyra, Domethënë, me një fjalë, kjo përrallë Eshtë bërë për të tërë: për veten tonë, të gjithë ç’jemi këtë mendje kemi. Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë: ky njeriu faqeziu që qesh o mburr vetëhenë, është shpirti yne vetë, Sa për liqenë ndë vënd të shkrete, me ujëkulluar, tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com