Portretet e grave të prekura nga kriza e refugjatëve

Kur infermierja suedeze Israa Abdali më 2016-n udhëtoi me avion drejt Sirisë së zhuritur nga lufta, ajo u trondit prej asaj që pa.

“Gjithçka ishte shkatërruar, nuk mund të besoja se kjo ishte Siria”, ka thënë Abdali, e cila themeloi një organizatë joqeveritare të quajtur “Stand with Syria”. “Çdoherë kur vije, shihje dikë të ecte pa këmbë e krahë. Secili humbi diçka”.

Tani, fotografi të Abdalit dhe grave të tjera të reja që janë prekur nga kriza e refugjatëve mund të shihen në ekspozitën e re në “Fotografiska”, në New York City.

Në “Between These Folded Walls, Utopia” paraqiten një varg portretesh të grave të reja që janë shtrënguar të migrojnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika – vende si Afganistani dhe Somalia – gjatë krizës së refugjatëve, shkruan “The Guardian”

Të ekspozuara janë 18 fotografi të kornizuara, gjashtë copëza muri, si dhe një instalacion filmi nga Cooper & Gorfer, një dyshe fotografesh me seli në Gothenburg të Suedisë. Ato janë artistja amerikane Sarah Cooper dhe kolegia e saj australiane, Nina Gorfer.

“Është për të gjetur një vend në kultura të ndryshme dhe çfarë do të thotë të jesh grua në gjithë këtë”, ka thënë Gorfer.

Kurse Cooper shton: “Ne deshëm të adresonim kohën sipas mënyrës sonë, dhe të dëshmonim se si po ndiheshim në lidhje me komunitetin tonë”.

Dyshja e nisën këtë projekt më 2017-n pas një bisede me një nga mikeshat e tyre, që është mësuese për emigrantët e sapoardhur. / KultPlus.com

Profesori që historinë e shndërron në art

Suada Qorraj

I lindur në qytetin e kullave mes historisë, të bëmave dhe heronjve që përshkruan vendin me vite. Dashurinë e madhe për artin, atdheun por edhe brengën që i erdhi pikërisht atëherë kur liria trokiti në fshatin e vogël ku ishte rritur, arriti ta shprehte përmes vizatimeve, që në atë kohë i ishin shndërruar në të vetmet fjalë, shkruan KultPlus.

Kushtrim Dacaj, profesor i Gjeografisë në Gjimnazin ʺVëllezërit Frashëriʺ në Deçan, ka rrëfyer për KultPlus për ditët e para të “takimit” të tij me lapsin e letrën, e deri në përvetësimin e këtij arti, që sot duhen shumë pak fjalë për ta dëshmuar.

Portretet që deri më sot ka realizuar, shfaqin vlerat kombëtare, heronjtë që pati fatin t’i takoj, por edhe ata të cilët historia ja mësoj.

Dacaj ka thënë se arti për të nuk është veç pasion, ai është një obligim për tokën, popullin por edhe atyre që jetën e dhanë për liri.

“Përveç punës që bëj dhe mësimit që zhvilloj me nxënësit, kohën e lirë e kaloj me punimin e portreteve. Këtë, përveç se e shoh si një pasion timin, gjithashtu e marr edhe si obligim ndaj kësaj toke, këtij populli dhe atyre që dhanë jetën për liri, pra dëshmorëve dhe të rënëve tanë”, ka pohuar ai.

Nuk mban mend se sa portrete ka realizuar deri më sot por sipas tij kjo është mënyra e tij për të përkujtuar figurat e ndritura të kombit, të qyteti ku ai është rritur, vendit që tokës i fali martirë e dëshmorë.

“Kam lindur në Deçan, një vend që ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë për këtë tokë, jam rritur duke dëgjuar për kontributin dhe vuajtjet e vajzave dhe djemve më të mirë të kombit, për çlirimin e trojeve tona. Prandaj, përmes portreteve që i punoj mundohem që tʼi përkujtoj figurat e ndritura të kombit, t’i transmetoj ato te gjeneratat e reja dhe së bashku t’i ruajmë dhe ti nderojmë veprat e tyre”, ka vazhduar Dacaj.

Tutje ai treguar edhe për procesin e krijimit të një portreti, duke theksuar se krahas punës, janë të domosdoshme edhe përkushtimi e vullneti.

“Punimin i një portreti kërkon një përkushtim dhe vullnet të madh. Zakonisht e përzgjedhi një fotografi dhe filloj të marr përmasat e saj të cilat i paraqes në fletë të bardhë (varësisht nga madhësia e fletës). Portretin filloj ta punoj në vija të lehta për të parë saktësinë e tij. Pasi të sigurohem se portreti është brenda parametrave dhe vijave, atëherë kaloj në pjesën e dytë, atë të vendosjes së vijave përfundimtare dhe nxjerrjen e nuancës së fytyrës bashkë me elementet e saj. Portreti me tu mbaruar do të lyhet me një spërkatës përkatës që lapsi të shkëlqej më mirë dhe të jetë më i qëndrueshëm”, ka rrëfyer profesori.

Dacaj ka shtuar se pikturat që ai ka realizuar deri më tani nuk janë për shitje disa prej tyre tashmë i janë dhuruar familjeve të dëshmorëve, shokëve apo edhe artistëve të ndryshëm. Ai ka thënë se nuk ka qëllim promovimin e vetes ngase qëllimi i tij i vetëm është përkujtimi dhe nderimi i figurave të mëdha të kombit. / KultPlus.com

Fatlum Meholli, artisti që shkëlqen në punimin e portreteve

Artisti i ri mitrovicas Fatlum Meholli ka arritur që përmes punimeve të tij artistike, ta gëzojë pëlqimin e masës.

Pasioni dhe dëshira e madhe që ka për artin figurativ, e ka shtyrë atë të punojë në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur të përmirësohet gjithnjë e më shumë.

Përveç tjerash, punimi i portreteve mbetet zhanri i tij i preferuar. Kryesisht, ato i punon me thëngjill, lapsa grafik, si dhe me materiale të tjera në fleta të madhësive të ndryshme. Edhe pse ende i ri në moshë, portretet që i punon ai kanë arritur një nivel të lartë. Artisti 20-vjeçar ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, ndërsa në plan e ka që pas një kohe ta realizojë ndonjë ekspozitë personale.

Përveç vizatimit të portreteve, ky artist ka prirje të mëdha edhe në pikturë dhe dizajn grafik, prej të cilave ka një numër të konsiderueshëm punimesh.

Meholli punon vizatime me porosi, ndërsa për audiencën herë pas herë shpërndanë portrete të figurave të ndryshme publike.

Mënyra më e mirë e ekspozimit të tyre mbeten rrjetet sociale, posaçërisht Instagrami dhe Facebooku.

KultPlus jua sjellë disa portrete të realizuara nga Fatlum Meholli. /KultPlus.com

“Rihanna”
“Paul McCartney”
“Leonardo DiCaprio”
“Megi”
“Mohamed Salah”
“Bradley Cooper”
“Audrey Hepburn”
“Jim Morrison”
” Jelena Noura “Gigi” Hadid”