Pas suksesit të tyre me këngën “Zjerm” në Eurovision, “Shkodra Elektronike” do të mbajë performancën e parë në Kosovë. Koncerti do të mbahet në AMC Hall, më 16 qershor duke nisur nga ora 20:00.
Edicioni i 13-të i festivalit “FEMART” do të nisë në AMC Hall me magjinë dhe shndritjen e Shkodrës Elektronike.
Nga Eurovisioni në Prishtinë, Shkodra Elektronike, e përbërë nga dyshja unike – Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca – do të sjellin magjinë, sharmin, dhe energjinë e “Zjerm” në Festivalin FEMART, duke festuar njëherësh Ditët e Çlirimit të Prishtinës.
Më 16 qershor do të hapet edicioni i 13-të i festivalit FemArt, nën organizimin e Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përcjell KultPlus.
Këtë vit, hapja e festivalit përkon me Ditët e Çlirimit të Prishtinës.
Në natën hapëse do të performojë ‘Shkodra Elektronike’, grupi që perfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2025.
Ndërkaq, këtë vit FemArt vjen me moton ‘Çliroje mendjen’ dhe do të zgjasë deri më 21 qershor./KultPlus.com
Drejtoresha e gazetës online për kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, në një intervistë të dhënë për emisionin “Speciale Eurosong” në RTK Radio, ka ndarë përshtypjet e saj mbi edicionin e sivjetshëm të Eurovision 2025, me fokus të veçantë përfaqësimin e Shqipërisë me këngën ‘Zjerm’ nga Shkodra Elektronike, përcjell KultPlus.
Të shtunën u mbajt finalja e Eurovision 2025, ku Shkodra Elektronike u rëndit e 8-ta, ndërkaq, kënga fituese u shpall ajo e Austrisë.
Pajaziti shprehet e entuziazmuar me performancën e grupit që përfaqësoi Shqipërinë, duke e cilësuar atë si “kulmin e realizimit” artistik për një këngë që ka ngjallur reagime pozitive që nga momenti i fitores në Festivalin e Këngës në RTSH.
“Nga vendet e Ballkanit, është vetëm Shqioëria ajo që ka arriutr të depërtojë deri në finale. E ky është një sinjal që kënga është pëlqyer. Por jo gjithmonë ai triumfi tregon për këngën që e gjen mënyrën e rrugës vetë për të çarë rrugën”, theksoi Pajaziti
Një element që, sipas saj, e ka bërë ‘Zjerm’ të veçantë është përkrahja që ka marrë nga figura të rëndësishme të artit shqiptar dhe më gjerë.
“Ne e pamë që Shkodra Elektronike që në momentin që fitoi Festivalin e Këngës në RTSH, ishte një këngë që e përqafuan shumë njerëz, por ajo që më ka bërë më së shumti përshtypje është se mbështetësit më të mëdhenj të kësaj kenge kanë qenë kryesisht njerëz që e njohin artin dhe kulturën.Kam parë një kampanjë të jashtëzakonshme prej shumë personave, përderisa edhe Ermonela Jaho, një nga soprano më të njohura që i kemi në botë, ka bërë thirrje vazhdimisht që të votohet Shkodra Elektronike”, tha ajo, duke shtuar më tutje se ka qenë një këngë që ka përfaqësuar shijet e shumë artistëve shqiptarë, dhe të denjë për të prezantuar.
Ardianë Pajaziti tutje shtoi se ‘Zjerm’ nga Shkodra Elektronikë është këngë që ka mbartur një mesazh të thellë dhe aktual, duke prekur çështje globale si ngrohja globale, nafta, luftërat, jargovani, e përveç kësaj edhe një paraqitje e një instrumental të jashtëzakonshëm.
“Kënga ka një tekst shumë të fuqishëm dhe një realizim skenik jashtëzakonisht të suksesshëm. Edhe përmes vallëzimit, ajo transmetoi një mesazh të qartë dhe të ndjerë,” shtoi ajo.
Ajo e përfshiu Shkodrën Elektronike në listën e saj të artistëve më të preferuar që kanë përfaqësuar Shqipërinë në këtë garë ndër vite, së bashku me Rona Nishliun, Eugent Bushpepën dhe Anjeza Shahinin.
“Shkodra Elektronike me këngën ‘Zjerm’ do të mbetet një nga këngët më të preferuara të Eurovisionit. E kam përcjellë prej fëmijë, dhe tash si person që e përcjelli artin dhe kulturën për shkak të profesionit,është një ndër këngët e mia të preferuara. Është Rona Nishliu, Eugent Bushpepa, Anjeza Shahini dhe Shkodra Elektronike më të preferuarat nga përfaqësimi i Shqipërisë”, theksoi tutje Pajaziti.
Më tutje, Pajaziti foli edhe për tri vendet që u rënditën të parat në këtë festival, duke e përmendur sit ë merituar fitoren e Austrisë në këtë edicion.
“Ajo çka ka ndodhë para natës finale, emrat që kanë qarkulluar si shtete fituese ka qenë Suedia shumë e mbështetur, Latvia dhe Holanda, e kjo e fundit ka qenë edhe për mua befasi që mbeti e 12-ta. Megjithatë, pavarësisht dëshirës që ta sjellim Eurovisionin në Tiranë, mendoj që Austria kishte një prezantim të jashtëzakonshëm, i gërshetuar edhe me operën, artisti vjen nga Opera e Vjenës. Është një këngë që nuk mund të themi që ka qenë e padrejtë fitorja. Mendoj se ishte meritore”, shtoi mes tjerash Pajaziti, ndërsa vazhdoi se ishte befasuese renditja në vendin e dytë e Izraelit, me gjithë zhurmën që pata paraqitja e saj. Ndërkaq për rënditjen e Latvisë, ia atriubon faktit që u bë këngë virale, dhe për shkak të kësaj mund të rënditej edhe më lart./KultPlus.com
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, të grupit “Shkodra Elektronike” përfaqësojnë Shqipërinë me këngën “Zjerm”, e cila ka shanse të larta për të arritur një rezultat të suksesshëm.
Në hollin e një hoteli në Bazel të Zvicrës, gazetarët që mbulojnë festivalin europian të këngës “Eurovision Song Contest” mbajnë radhë për të intervistuar këngëtarët që ja kanë dalë mbanë të ngjiten në skenën e finales së madhe së 17 majit.
Për të takuar dhe intervistuar Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, dyshen e “Shkodra Elektronike”, duhet pritur gjatë. Interesi për ta është i madh. Gazetarë nga e gjithë bota duan të dinë gjithçka për përfaqësuesit e Shqipërisë së këtij viti, që nga teksti i këngës, veshja, lëvizjet skenike, ambiciet, pritshmëritë. Pyetjet janë të pafundme dhe lodhja e tyre është e dukshme, megjithatë gjejnë kohë për t’i dhënë përgjigje të sinqerta e të vërteta gjithësecilit të interesuar, me një buzëqeshje që nuk u ikën asnjëherë nga portreti.
Ngjizja e “Shkodra Elektronike”
Edhe pse të dy të lindur në Shkodër dhe të emigruar herët në Itali, Beatriçja dhe Kola nuk njiheshin më herët, por u gjetën rastësisht në rrjetet sociale, ndërkohë që secili kishte grupin e tyre muzikor. “Me Kolën jemi gjetur në internet. Jemi simboli i kohës ku jetojmë” – thotë Beatriçe Gjergji për DW. Dëshira për të rikrijuar një cover të këngës shkodrane “Turtulleshë” bëri që para se t’ua propozonte miqve të saj italianë këngën, të kërkonte në Youtube, ku gjeti një cover të mëhershëm që Kola kishte kënduar me grupin e tij.
“Ishte cover shumë i bukur dhe diçka krejt e re, e padëgjuar më parë dhe më pëlqeu shumë. U emocionova”. Pastaj kureshtja bëri që të dinte më shumë për Kolën dhe dëgjoi intervista të tij, ku mësoi se dhe ai ishte nga Shkodra, emigrant i viteve ’90, dhe gjeti shumë ngjashmëri me historinë e jetës së saj. Më pas komunikuan në Facebook dhe pasi ndoqën nga larg aktivitetin muzikor të njëri-tjetrit, u takuan dhe nisën të flisnin për bashkëpunim, derisa në 2019-ën krijuan “Shkodra Elektronike”.
Kulmi i bashkëpunimit të tyre artistik është shkrimi i këngës për Festivalin e fundvitit të Radio-Televizionin shqiptar, fitorja e së cilës i solli në skenën gjigante të Eurovisionit.
“Njerz’t e mirë e njerz’t pa emër, kërcejnë valle n’shpirt” – është një nga vargjet e “Zjerm”.
“Kur kam nisur të shkruaj këngën, kam menduar të shkruaj për njerëzit e mirë, njerëz të cilët kur bëhen me nerva, nuk reagojnë keq. E kam shkruar për njerëzit me empati, dhe unë kam pasur fatin të njoh shumë prej tyre, që kanë lënë shenjë të madhe tek unë dhe unë kam mësuar shumë prej tyre” – thotë Beatriçe.
“Emigrantë të viteve ‘90”
Kolë Laca ishte 20 vjeç kur vendosi të studiojë në Itali. Në Shkodër kishte studiuar për piano në licé por nuk ishte ndjerë asnjëherë i lirë për të bërë muzikën që donte. “Mbarova studimet dhe aty e mbylla me muzikën, sepse po flasim për një shkollë në komunizëm, ku askush nuk ishte i lirë të bënte çfarë të donte” – tregon Kola për DW. Mirëpo sistemi ra dhe gjithsesi Kola nuk e gjente veten në Shqipëri. Përmes një burse të shkollës së Jezuitëve në Shkodër vendosi që në vitin 1992 të studiojë drejtësi në Padova të Italisë, degë të cilën më pas e ndërroi me shkencat politike, aty ku dhe u diplomua.
Por në një treg të lirë dhe të zhvilluar muzikor si Italia, iu rikthye muzikës por këtë herë jo asaj klasike por muzikës underground. “Aty ia nisa nga 0 edhe nga muzika. Mbaj mend që gjëja e parë që bëra kur mbërrita në Padova ishte blerja e një gazete ku njoftohej për aktivitetet muzikore që do të kishte në muajt në vijim dhe pashë që do të vinin grupi ‘Aerosmith’. Shkova për t’i parë dhe aty kuptova psikologjikisht dhe fizikisht ndryshimin e madh me Shqipërinë e atyre viteve” – thotë Kola.
Për vështirësitë e fillimit nuk ndalet të flasë gjatë, pasi në 33 vite jetë në Itali, thotë se ka pasur kohë mjaftueshëm që të harrojë gjithçka.
Ndërsa Beatriçe ishte vetëm 6 vjeç kur familja e saj emigroi në Itali, pas një eksperiencë tjetër emigrimi që kishin pasur më herët në Gjermani. “Italia nuk ka qenë e lehtë, sidomos për prindërit e mi. Por në sytë e tyre unë nuk kam parë kurrë frikën, por vetëm dinjitetin. Prandaj dhe jeta ime ka qenë me ngjyra dhe nuk ka qenë kurrë e mërzitshme” – thotë Beatriçe, e cila ndihet me fat që në jetën e saj kanë mundur të ndërthuren bukur dy botë të ndryshme, ajo shqiptare dhe italiane.
“Muzikantë klasi”
“E dëgjove Shqipërinë? Çfarë klasi që kanë. E meritojnë të jenë të paktën në treshen fituese”.
Kjo është fjalia që një gazetar ia thotë kolegut ngjitur, pasi “Shkodra Elektronike” përmbyll provën e fundit skenike para finales së madhe të datës 17 maj. Nga organizatorët, Shqipëria është përzgjedhur që të jetë kënga e fundit e listuar në garë, me numrin 26.
“Është zgjidhje jo e zakontë që kemi lënë të parafundit San Marinon, dhe të fundit Shqipërinë. Sepse San Marino është argëtim, një këngë ritmike ku gjithkush kërcen. Por nga ana tjetër donin ta mbyllnim me një zgjedhje që është vërtet klas dhe përfaqëson muzikën. Dhe kjo është kënga e Shqipërisë. Ka shumë talent, zgjuarsi, dhe është një këngë shumë e bukur. Mund edhe të kishim lënë Shqipërinë të parafundit dhe San Marinon të fundit, por është më e drejtë që ta mbyllim këtë festival me një veprim me klas” – tha pak orë para finales Christer Björkman, një ndër producentët më jetëgjatë të Eurovision Song Contest.
Ekspertët dhe të apasionuarit e këtij festivali festivalit kanë debatuar vazhdimisht për rëndësinë që i jepet radhitjes së këngëve në natën finale, ku shumë syresh mendojnë se këngëtarët që këndojnë në pjesën e dytë të garës, nuk kanë shanse më të larta për të fituar. Megjithatë gjatë viteve të fundit disa prej fituesve kanë qenë të listuar në fund të garës, si përshembull Italia me Maneskin në në vendin e 24-t (2021) apo Ukraina me Jamalën në vendin e 21-të në vitin 2016./DW/ KultPlus.com
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po pret ardhjen e liderëve europianë në Tiranë në një mot me shi.
Me një çadër në dorë, Rama qëndron në tapetin e kuq, ndërsa në sfond u dëgjua kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike, e cila po e përfaqëson Shqipërinë në Eurovisionin e sivjetmë.
Deri më tani në Tiranë ka arritur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez./ KultPlus.com
Kënga “Zjerm” e Shkodra Elektronike, që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2025, e kaloi raundin e parë dhe tashmë është në finalen e madhe të Eurovizionit. Mendimi im dhe, për fat të mirë, edhe i shumë të tjerëve është se “Zjerm” është kandidate serioze për të zënë një vend nderi në këtë konkurs të madh të muzikës evropiane. Kjo ka rëndësinë e vet, por për mua, kjo nuk është gjithçka. Ajo është një nga krijimet më të thella e më të guximshme që Shqipëria ka shpënë në këtë festival. Në thelb të kësaj kënge qëndron një përpjekje për të krijuar një realitet të mundshëm – një minutë ideale ku bota ndalon së vuajturi dhe njeriu rilind përmes shpresës, dritës dhe identitetit. E vendosur mes zërit të një gjenerate që nuk e gjen veten as në të kaluarën e mundimshme, por as në retorikat bosh të së sotmes, “Zjerm” nuk flet, por ndizet.
Fillimi i këngës “Zjerm” të Shkodra Elektronike është një goditje e parë në shpirt. Në sekondat e para, dëgjohet ritmi karakteristik i çiftelisë, që vjen si një zgjim i beftë nga thellësitë e kujtesës kulturore shqiptare. Tingulli është i ngrohtë, ritmik, por jo folklorik në kuptimin klasik – ai është rikompozuar në një peizazh elektronik që e kthen çiftelinë nga instrument festiv në instrument alarmi.
Ky ritëm s’është për valle dasmash, por as këngë trimash – është për një nisje të re. Ai i jep këngës një ndjesi rituale, si një thirrje e lashtë që paralajmëron: kujdes, këtu do flitet me zjarr. E përdorur jo si nostalgji, por si element strukturor, çiftelia në këtë hyrje vepron si një kod gjenetik muzikor që të kthen në rrënjë, ndërsa të përgatit për shpërthimin modern që vjen më pas. Është pikërisht ky kontrast dhe ky kalim i përpiktë nga e vjetra në të renë që e bën fillimin e “Zjerm” jo vetëm të fuqishëm, por edhe artistikisht të ndërlikuar dhe domethënës. Çiftelia nuk është këtu për të na kujtuar të kaluarën, por për të na kujtuar se e kaluara ende flet.
Vargjet “Në këtë minutë, në këtë çast, no paranoja” vendosin tonin e një bote të përmbysur – ku nuk ka ambulanca në rrugë, ku arroganca hesht, ku shiu nuk sjell mërzi, por pastrim. Kjo nuk është thjesht një utopi poetike: është një sfidë ndaj realitetit. Është një dëshirë për ta ndalur kohën në një moment të thjeshtë, por të përkryer, ku jeta merr një formë njerëzore.
Kjo dëshirë për qetësi dhe drejtësi shoqërohet me një revoltë të heshtur kundër realitetit të papërballueshëm: “Pa ushtarë, pa jetimë, asnjë shishe në oqean” – një varg që përmban dhimbjen e një brezi që ka parë mjaftueshëm ikje, mbytje dhe shpërngulje. Edhe “naftës i vjen era jargavan” është një figurë e fortë poetike, një oksimoron që përzien ndotjen me aromën e luleve – një realitet i mbrapshtë që kërkon të shërohet.
Muzikalisht, kënga ndërton një peizazh zanor që nuk ndjek strukturat klasike të baladës apo pop-it festiv, por shkon drejt një forme rituale. Ritmi është tribal, tronditës, ndërsa elektronika shërben si medium që i jep zë një bote të mbushur me kujtesa, me ëndrra, me humbje dhe me ngulm për të mos u zhdukur. Ritmet shpërthejnë si thirrje lirie, ndërsa vokali – herë lutës, herë i fortë – bëhet një zë kolektiv që e kërkon dritën me ngulm, me nevojë.
“Zjerm” nuk përpiqet të jetë as thjesht moderne, as thjesht tradicionale – është një kalim i vazhdueshëm nga njëra tek tjetra ku gjuha e këngës ka rëndësi dytësore. Refreni i saj është një himn që përkthehet automatikisht tek dëgjuesi : “Vazhdo më shndrit, shndrit, shndrit… Zjerm.”. Është zjarr i brendshëm, një flakë që nuk djeg, por ndriçon nga brenda jashtë.
Interpretimi artistik i Beatrice Gjergjit në “Zjerm” është një nga elementët më të veçantë dhe më ndikues të performancës së Shqipërisë në Eurovision 2025. Ajo nuk e këndon këngën – e mishëron atë. Trupi i saj është shkrirë me muzikën, është vazhdim i saj. Sidomos lëvizjet e duarve krijojnë një gjuhë të veçantë, poetike, që lehtëaojnë kalimin e mesazhit të këngës tek dëgjuesi pa patur nevojën e përkthimit.
Në momentet më të ngarkuara emocionale, duart e Beatrices lëvizin në ajër si të ishin midis vallezimit dhe fluturimit. Ndonjëherë ngrihen si për të kapur dritën, ndonjëherë hapen si për të çliruar dhimbjen. Ka një elegancë të egër në ato lëvizje – si valë që ndjekin ritmin e brendshëm të një zjarri që digjet jo për të shkatërruar, por për të ndriçuar. Ato nuk janë lëvizje të koreografuara në kuptimin klasik; duken si instinkte të një shpirti që kërkon rrugëdalje – të një gruaje që flet me trupin atë që fjala nuk arrin të përshkruajë.
Në disa çaste, gishtat e saj dridhen lehtë, si flakë të padukshme që përdridhen në erë. Në të tjera, krahët përshkruajnë harkime të gjera, që të kujtojnë shqiponjën në ngritje ose një lutje pagane që ngrihet mbi skenë. Është një interpretim që nuk të kërkon ta kuptosh racionalisht – thjesht të dorëzohesh përpara ndjesisë që të jep. Dhe kjo ndjesi është zjarr: i ngrohtë, i trazuar, i gjallë. Beatrice Gjergji, përmes këtij interpretimi fizik, sjell në skenë një zjarr metaforik – një prani e dukshme e emocioneve që përvëlojnë dhe ndriçojnë njëkohësisht. Dhe në fund, kur dritat shuhen dhe muzika ndalon, duart e saj duken sikur ende kërcejnë në ajër – si një flakë që s’do të fiket lehtë.
Në pjesën e dytë, kënga fiton një tjetër intensitet emocional. “Bjer mbi vallet tona tribale… Si shtatë thika që t’ngulen n’shpirt” – kjo është poezia e një shoqërie që kërcen mbi plagët e veta. Nuk është këngë për t’u dëgjuar me veshë të qetë; është një eksperiencë që të përfshin, që të shkund. Një rrëfim i një populli që jeton me “njerëzit pa emër”, me ata që nuk shfaqen në kronika, por që janë shpirti i heshtur i një kombi.
Kolë Laca, në interpretimin e tij në “Zjerm”, është kundërpesha perfekte e zjarrit të Beatriçes – një figurë e palëvizur në mes të stuhisë. I veshur me të zeza, pa shkëlqim, pa gjeste të tepërta, ai qëndron si një gur themeli në mes të skenës – i heshtur, i qetë, por me një prani që nuk mund ta anashkalosh. Ai nuk kërkon vëmendjen, por e përthith atë. E zeza e veshjes së tij është një zgjedhje estetike. Është hija që e bën dritën të duket më fort, është toka ku digjet “Zjerm”-i.
Qëndrimi i tij i ngurtë, thuajse ceremonial, krijon kontrast dramatik me energjinë e lëvizshme të Beatrices. Ai nuk vallëzon, por është vetë shtylla ku mbështetet rrëfimi. Ai nuk këndon me zë të fortë, por fjalët që thotë tingëllojnë si urdhër i heshtur, si kujtesë e thellë, si jehonë e burrnisë së vjetër që nuk ka nevojë të bërtasë për të qenë.
Kolë Laca është i ngjashëm me një prift të lashtë në një ritual zjarri – i heshtur, i përmbajtur, por thellësisht i pranishëm. Ndërsa Beatricja fluturon mbi valët emocionale të këngës, Kolë qëndron si një trup që i përket tokës. Dhe është pikërisht kjo tokë që mban zjarrin gjallë. Sepse, në fund të fundit, çdo zjarr ka nevojë për diçka të qëndrueshme ku të ndizet. Dhe Kolë Laca është ajo themelueshmëri e heshtur që i jep këngës “Zjerm” forcën e saj më të madhe: balancën mes ndjesisë dhe arsyes, mes flakës dhe terrenit ku ajo digjet.
Simbolika e “Zjerm”-it është ndërtuar mbi zjarrin si metaforë për pasionin, për identitetin, për vetë jetën. Flaka është e kuqja e ndezur e skenës, është gjaku i atyre që nuk u përmendën kurrë, është energjia e të panjohurve që vallëzojnë në shpirt. Në tekst, ajo shndërrohet në urë mes të shkuarës mitike dhe të ardhmes së mundshme: “Jarna ne ti toka ime… Jarna ne ti bota ime.” Toka dhe bota shkrihen në një entitet të vetëm, ku identiteti shqiptar nuk është pengesë për përkatësinë europiane, por themel për të.
Në thelb, “Zjerm” në Eurovizion nuk është një këngë vetëm për pikë. Është një akt artistik që synon të ndezë ndërgjegje. Pavarësisht se është në shqip, duket sikur kuptohet nga të gjithë. Kjo këngë përfaqëson më mirë se çdo gjë tjetër frymën e një Shqipërie që refuzon të imitojë – dhe më në fund, guxon të jetë vetja. Dhe kjo është, në vetvete, një fitore. Dhe një shpresë e madhe na përfshin.por që kam ndrojë t’a them./KultPlus.com
Shkodra Elektronike from Albania performs the song “Zjerm” during the dress rehearsal for the first semi-final of the 69th Eurovision Song Contest, in Basel, Switzerland, Monday, May 12, 2025. (AP Photo/Martin Meissner)
Një paraqitje eklatante e këngëtares Beatriçe e “Shkodra Elektronike” në “Eurovision 2025” me këngën “Zjerrm”. Ajo çon atje jo vetëm zërin e veten, por dhe historinë e traditën e vendit të vet si një indentitet i përkryer e në një harmoni të shpirtit dhe trupit. Kostumi i parë konceptuar sipas saj si një “Odë e gjyshes”, duhet parë si një “Ode për trashëgiminë” ku janë mbledhur detaje shenjuese të kujtesës individuale e kolektive (puskulet, msyshet, peshtahu, qylymi etj). Ai ka një dukje më statike e më të rëndë, por më shprehës i identitetit të këngës dhe këngëtares. I dyti (i skenës) konceptohet dinamik për lëvizje dhe më i lehtë e në funksion të artistit ku ndërliken në harmoni struktura e veshjes, simbolikës dhe trupit anatomik në përshtatje me gjestet gjatë performimit.
Beatriçja jonë me të kuqe zjarri, ashtu si gruaja e veshur me të kuqe në historinë e artit që shoqëroi Danten në udhëtimin e tij nga bota njerëzore në atë hyjnore, duke i zbuluar bukurinë dhe dritën e dashurisë, shndërrohet në performancën e sotme në një shkëndijë drite. Energjia që transmeton artistja tek rreket të joshë e të tërheqë në këtë udhëtim në kërkim të një bote të mirë e të pastër, partnerin skenik me setrën e errët skolastike, plotësohet me pamjen e jashtme të një fustani shkëlqyes. Veshja që përkon organikisht me këngën e jo vetëm trupin të jep idenë që ata duan të përcjellin tek thonë se zjarri vjen nga lashtësia dhe “ka një rëndësi të thellë simbolike përgjatë kulturave dhe historisë” dhe e lashta bashkjeton me modernen që prezantohet sot.
Metamorfoza e paraqitjes së Beatriçes si person, nga lëkura e trupit në lëkurën e veshjes me shtresë të parë, të dytë e të tretë tek interpretuesi, shënon një nga kushtet e para të nisjes së këtij udhëtimi skenik dhe komunikimi me skenën e publikun. Marrëdhënia trup-veshje shkon deri në atë gradë sa bëhet shenjë e trupit simbolik. Teknika e zbatuar në ekzekutimin e veshjes nga stilistja (që në këtë rast është e ëma e artistes) për të respektuar anatominë e trupit duke i dhënë liri gjymtyrëve në lëvizjet vallëzuese, shoqërohen me lojën iluzore të organcave dhe trillimin e flakëve të zjarrit. Kjo flakë zjarri që digjet e vërtitet në skenë në çdo lëvizje të zhdërvjellët trupi e tregon sa vlerë ka për paraqitjen skenike studimi i trupit të interpretuesit, i tekstit të interpretuar, i mesazhit e simbolikës përmbajtësore dhe ngjarjes që duhet të përfaqësojë artisti për veten, për realizuesit, për shikuesit dhe për vendin që përfaqëson në një ngjarje të këtij niveli. Trupi i saj është vetë kostumi, pasi ai kontribuon në përforcimin e iluzionit tek spektatori dhe në motivimin e interpretuesit për të kuptuar dhe transmetuar më bindshëm peshën e rolit të tij në skenë.
Loja figurative me dy struktura ku njëra është thjesht një lëkurë, e tjetra me pala e draperi e shpie në një shkallë tjetër paraqitjen skenike. Në antikitet palat (e imëta a të gjera) vendosnin një marrëdhënie të caktuar me trupin, duke zbuluar a mbuluar pjesë të tij, ndërsa në traditë kanë vazhduar të aplikuara në fustanella, korete, bohçe etj. Këtu palat e dendura mbështjellin, fshehin e zbulojnë pjesërisht format trupore me një pëlhurë elastike nëpër të cilën kalojnë disa vizatime e qëndisma për të cilat autorja e saj rrëfen se i referohet Rozafës. Të dukshme apo jo, ato vija të qëndisura gjatësore a të lakuara në forma të kërkuara estetike përshkojnë si kapilarë gjaku a zjarri trupin të përfshirë në gjuhë flakësh. Kjo dukje e bind shikuesin në përcjelljen e emocionit artistik kur kalon nga transparenca e pëlhurës, tek gjysmëtransparenca e mbulimi i plotë realizuar shkallë-shkallë në tekstura të larmishme. Stilistja me mençuri, nuk përpiqet të krijojë një veshje sipas modës, as të korrigjojë (panevojshëm) siluetën e një vajze të re, por me forma të kursyera në dukje evidenton trupin në përshtatje me moshën, karakterin dhe lojës skenike e gjesteve artistike.
“Eurovizion Song Contest” është një nga ngjarjet më të ndjekura në Evropë dhe në botë. Shqipëria ka qenë pjesë e këtij eventi që prej vitit 2004 dhe deri më sot, ka marrë pjesë në 21 edicionet e Eurovizionit, shkruan KultPlus.
Historia e Shqipërisë në Eurovizion filloi me vështirësi në vitin 2004, kur Anjeza Shahini paraqiti këngën “The Image of You” dhe arriti të ngjitet në vendin e 7-të në këtë garë të madhe e çka u konsiderua sukses mjaft i madh.
Në vitin 2005, Shqipërinë e përfaqësoi Ledina Celo me këngën “Tomorrow I Go”.
Shqipëria kthehet në Eurovizion në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë” e interpretuar nga Luiz Ejlli.
Viti 2007 dërgoi këngën “Hear My Plea” nga Frederik Ndoci si përfaqësues në Eurovision e që arriti deri në semi-finale.
Në vitin 2008, Shqipëria paraqiti këngën “Zemrën e lamë peng” nga Olta Boka. Kjo këngë zuri vendin e 17-të në këtë garë.
Viti 2009 ishte edhe një vit i suksesshëm për Shqipërinë në Eurovizion, pasi kënga “Carry Me In Your Dreams” nga Kejsi Tola arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 17-të.
Në vitin 2023, Shqipëria u përfaqësua nga Albina & Familja Kelmendi” me këngën “Duje”. Ndonëse kënga ‘Duje’ arriti të kualifikohet për në finale, ajo u rëndit e 22-ta me 76 pikë.
Shqipëria mori pjesë në Eurovision Song Contest 2024 në Malmö, Suedi, me “Zemrën n’dorë” interpretuar nga Besa Kokëdhima. Pavarësisht performancës së saj të mirë, ajo nuk arriti të hyjë në dhjetëshen e parë të finalistëve.
Në vitin 2012, Rona Nishliu paraqiti këngën “Suus” dhe arriti të shkojë në finale dhe fitoi pozitën e 5-të, e cila mbetet pjesa më e lartë që Shqipëria ka arritur në Eurovizion deri më sot.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka paraqitur këngë me ngjyra moderne dhe të ndryshme. Megjithatë, këto 21 vite të pranisë së Shqipërisë në Eurovizion kanë qenë një mundësi për të prezantuar kulturën dhe muzikën shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Për konkursin e vitit 2025 në Bazel të Zvicrës, Shqipëria përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila fitoi Festivalin e Këngës 63. Dyshja, e përbërë nga Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji, sjell në skenë një përzierje unike të muzikës elektronike dhe tingujve tradicionalë shqiptarë.
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, dje ka kaluar me sukses në finalen e këtij festivali, teksa është zhvilluar gjysmëfinalja e parë.
Dyshja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./ KultPlus.com
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, ka kaluar në finalen e këtij festivali, teksa sot po zhvillohet gjysmëfinalja e parë, përcjell KultPlus.
Shkodra Elektronike është një duo muzikore shqiptare e formuar në vitin 2019 në qytetin e Shkodrës, e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë njohur për stilin e tyre unik “folktronica”, që ndërthur muzikën elektronike me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Pas emigrimit në Itali, ata kanë ruajtur lidhjet me rrënjët e tyre kulturore, duke i sjellë ato në një kontekst modern muzikor.
Kënga e tyre “Zjerm” është një përzierje e fuqishme e tingujve elektronikë dhe motiveve tradicionale shqiptare, e cila trajton tema si dhimbja, qëndresa dhe shpresa. Teksti i këngës është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi, ndërsa muzika është kompozuar nga Gjergji dhe Kolë Laca.
Duoja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./KultPlus.com
“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të performojë sot e teta në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videoklipin e këngës “Zjerm”, të interpretuar nga artistët e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, të cilët fituan në dhjetor të 2024-s Festivalin e Këngës në Radio Televizion.
“Suksese Shqipërisë sonte në Eurovision, me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike”, shkruan Rama.
Që pas fitores në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, “Zjerm” është shndërruar në një sensacion, duke u renditur ndër këngët më të ndjekura në YouTube nga të gjitha pjesëmarrëset e Eurovision 2025. Me qindra-mijëra klikime dhe komente nga publiku ndërkombëtar, kënga po fiton përditë terren si një prej pretendentëve për fitues të këtij edicioni.
Performanca skenike e Shkodra Elektronike shquhet për simbolikë të fortë, interpretim të fuqishëm dhe një estetikë që nuk ngjason me asnjë tjetër në garë.
Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet më 15 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 17 maj 2025.
Këtë vit, spektakli më i madh evropian i këngës zhvillohet në Bazel (Zvicër)./atsh/KultPlus.com
“Zjerm”, kënga fitues e Shqipërisë për Eurovision 2025 e sjell nga “Shkodra Elektronike” po konsiderohet një ndër këngët favorite të këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Me tekst të veçantë e me performancë të jashtëzakonshme nga Beatrice Gjergji e Kole Laca, kjo këngë po sjell shumë emocione për audiencën e gjerë, ku sipas sondazheve po renditet në mes dhjetëshes më të mirë të këtij edicioni, konkretisht me vendin e pestë.
Dhe krejt këtij shkëlqimi i është bashkuar edhe një videoklip tjetër, i realizuar nga artisti i njohur Adrian Paci, e që tashmë është lansuar në YouTube.
KultPlus ju sjell këtë realizim për të parë më afër se për çfarë pune bëhet fjale./ KultPlus.com
Provat për Eurovision 2025 do të fillojnë së shpejti në Bazel. Brenda dy javëve të ardhshme, do të merren vendime që do të përcaktojnë fituesin nga 37 artistët konkurrues.
Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila është mirëpritur gjerësisht nga publiku dhe kritika. Madje, në një sondazh të zhvilluar së fundmi nga portali i njohur evropian Wiwibloggs, “Zjerm” ka dalë në krye si kënga më e preferuar për të fituar festivalin.
Sipas rezultateve të sondazhit, kënga shqiptare ka marrë 2,106 vota, që përbëjnë 11.11% të totalit të votuesve, duke lënë pas konkurrentë të fortë si Finlanda dhe Suedia. Vendi i dytë i takon Finlandës me 1,969 vota (10.39%), ndërsa Suedia renditet e treta me 1,620 vota (8.55%).
Rezultatet:
Shqipëria – 11.11%, 2,106 vota Finlanda – 10.39%, 1,969 vota Suedia – 8.55%, 1,620 vota Austria – 6.38%, 1,210 vota Spanja – 4.64%, 879 vota Holanda – 3.65%, 692 vota Izraeli – 3.61%, 685 vota Franca – 3.32%, 630 vota Greqia – 3.28%, 622 vota Polonia – 3.10%, 588 votat Malta – 3.10%, 587 vota Gjermania – 3.06%, 580 vota Mbretëria e Bashkuar – 2.78%, 526 vota Australia – 2.58%, 488 vota Estonia – 2.46%, 467 vota Lituania – 2.11%, 400 vota Norvegjia – 2.11%, 399 vota Danimarka – 2.03%, 384 vota Irlanda – 2.02%, 383 vota Çekia – 1.95%, 369 vota Islanda – 1.75%, 332 vota Zvicra – 1.50%, 285 vota Ukraina – 1.35%, 256 vota Belgjika – 1.35%, 256 vota Luksemburgu – 1.32%, 251 vota Letoni – 1.31%, 248 vota San Marino – 1.21%, 229 vota Qipro – 1.03%, 196 vota Kroacia – 0.94%, 178 vota Portugalia – 0.78%, 148 vota Mali i Zi – 0.77%, 146 vota Sllovenia – 0.77%, 145 vota Armenia – 0.75%, 142 vota Azerbajxhani – 0.73%, 138 vota Serbia – 0.62%, 117 vota Gjeorgjia – 0.28%, 53 vota
Shkodra Elektronike ka realizuar videoklipin e këngës “Zjerm” me të cilën do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion më 13 maj në Bazel.
Ka qenë vetë dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca të cilët kanë njoftuar në rrjetin social Instagram përfundimin e xhirimeve të videoklipit të “Zjerm”.
Por Beatriçja dhe Kola ende nuk kanë dhënë detaje mbi datën e lëshimit të videoklipit të këngës së tyre e cila fitoi zemrat e publikut dhe votat e jurisë në Fest 63.
Më herët, Beatriçja dhe Kola kanë bërë me dije në emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH se performanca dhe veshja skenike në Eurosong, do të jetë e njëjtë me atë të Fest 63.
Po ashtu, dyshja e këngëtarëve kanë ndarë me publikun edhe disa detaje mbi vendet të cilat do të “njohin nga afër” këngën “Zjerm” para performimit në Eurovizion.
Shkodra Elektronike ka bërë me dije se më 3 mars do të performojnë në Berlin, më pas në Selanik më 14 mars, duke vijuar me Marseille të Francës më 20 mars, më tej në Oslo më 22 mars, duke vijuar me Amsterdamin më 5 prill, me Manchesterin më 12 prill, më pas me Londrën më 13 prill dhe duke e mbyllur me Madridin më 19 prill.
“Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong të martën e 13 majit.
Shqipëria do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2025 që do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës.
Shqipëria, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.
Shqipëria do të përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjarr”, me të cilën triumfuan në Festivalin e Këngës.
Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.
Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.
Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./rtsh/ KultPlus.com
“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të jenë të kenë numrin tetë në radhë në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.
Eurovision 2025 do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës. Vendi ynë, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë i 8-ti në radhë, të martën e 13 majit 2025.
Me triumfin e tyre, në Festivali e Këngës në Radiotelevizion, artistët e grupit “Shkodra Elektronike” fituan të drejtën të përfaqësonin Shqipërinë në Eurovision, një aktivitet artistik që merr vëmendjen maksimale mediatike në Evropë dhe më gjerë.
Përzgjedhja e radhës së interpretimit bëhet në mënyrë rastësore përmes një shorti, ndërsa Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruar si vendet “big”, nuk garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovizion, nuk garon në gjysmëfinale.
Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./atsh/KultPlus.com
Pas fitores së edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës me këngën e tyre “Zjerm”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024, “Shkodra Elektronike” ka përshëndetur Kosovën me fjalë të ëmbla.
“Nuk e di a e ke kuptu sa fort të dojna…, shumë”, janë shprehur ata në video.
Votës përfundimtare iu bashkua 50 % vota e jurisë dhe 50 % vota e publikut e diasporës. Me këtë sistem Shkodra Elektronike grumbulloi 143 pikë në total.
Çmimin e Dytë e rrëmbeu Elvana Gjata me këngën “Karnaval” me 135 pikë. Ndërsa çmimi i tretë iu dha këngëtarit Alis me këngën “Mjegull” duke marrë 59 pikë./KultPlus.com
Vlerat shqiptare që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën u shfaqen edhe këtë vit në edicionin e katërt të Zâ Fest. Ky edicion që sonte pati premierën e formatit online sot, do të ketë edhe netë të tjera me muzikë, poezi por edhe aktivitete të ndryshme, shkruan KultPlus.
Në natën e parë të edicionit të katërt, Zâ Fest udhëtoi në Kalanë e Rozafës në Shkodër ku performuan Vlashent Sata, Ilire Vinca, grupi muzikor Sytë dhe Shkodra Elekronike.
Në njoftimin e bërë nga organizatorët thuhej se kjo natë do t’ju bëjë të shijoni muzikën dhe traditën shqiptare ashtu siç nuk i keni parë ndonjëherë.
KultPlus ju sjellë videon e plotë të natës së parë të Zâ Fest./ KultPlus.com