Altin Basha në krye të Teatrit Eksperimental, Ish- drejtori: Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka prezantuar drejtorin e ri te Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha nën praninë e ish-drejtorit Kiço Londo.

Merr një detyrë në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti të ecim në një mendësi të re në këtë periudhe pandemie. Shfaqje me pak publik dhe me pak aktor, “One man shoë”, u shpreh Margariti.

“Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar edhe i keqardhur që më duhet për shkak te respektimit te institucioneve nga kjo shërbesë  t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Bashkë me ata që nuk duken dhe që duken, kjo është ajo që më dhemb më shumë se për një kohë të shkurtër kemi bërë një transformim të jashtëzakonshëm. Unë nuk jam drejtor, s’kam qenë ndonjëherë drejtor, sepse drejtorët nuk janë si unë”, thotë Kiço Londo teksa falenderon të gjithë bashkëpuntorët që ka pas gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar TKES, një vijë ndarëse dhe transformim të teatrit shqiptar. “Jam i bindur që ketë që kemi arritur bashkë, jo fort të zakonshme, ku punojnë 21 vetë dhe secili ka vënë 23 shfaqje. Ndërkohë që institucionet e tjera e kanë 0.2 shfaqje për individ. Do vazhdoj t’ju shërbej, mbarësi të gjithëve. Rroftë teatri”, thotë Londo.

Margariti e cilëson një moment të vështirë, se shfaqjet e TKES, janë prezantuar në të gjithë Shqipërinë.Të rinjtë janë fokusi për drejtorin e ri Altin Basha. 

“Pas thirrjes së hapur dhe konkursit e intervistës erdha këtu. Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Teatri e ka mundësinë për të qenë i tillë. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10 -15 vjet kam punuar me artistë të rinj për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër”, ka potencuar Basha. /shqiptarja/ KultPlus.com

Trupa e Shkodrës sjell në Eksperimental dramën “Kandili i Argjandit” të Martin Camajt

Drama “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe vënë në skenë nga regjisori shkodran, Fatbardh Smaja erdhi për publikun nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një vepër që përcjell jo pak mesazhe për publikun. Në dramë interpretojnë Nana- Rita Gjeka; Leka -Jozef Shiroka; Besa- Merita Smaja; shkrimtari- Agron Dizdari; Dora-Eliona Shkreli; Prendi- Enver Hyseni; Njeriu i huaj- Nikolin Ferketa; Katundari- Simon Shkreli. Si aktore Rita Gjeka vlerëson jo pak dramën dhe mesazhin që përcjell përmes saj Martin Camaj.

“Ne mendojmë vetëm me shkelë tjetrin, por Camaj nuk shkelet dot. Martin Camaj është super aktual dhe sot me verën e tij”, pohon mes të tjerave aktorja Rita Gjeka njëkohësisht dhe drejtorie e teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Aktorja Rita Gjeka risjell sërish në vëmendje punën e regjisorit Smaja për veprën. “Bardhi me besoi rolin e nënës dhe vazhdimisht më thoshte: Është një nënë me N të madhe dhe është e vërtetë, sepse personazhi im është aq kompleks sa gjatë punës kam pasur shumë kontradikta me veten, shumë dyshime, shumë frikë, por me Bardhin mbi krye mendoj se ja kam dalë”, vijon aktorja.

Në vepër aktorja Merita Smaja pohon se ka qenë një nga projektet për të cilin është punuar jo pak nga artistët dhe regjisori Smaja, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në kohën kur premiera erdhi në teatër. “Flasim për Martin Camaj, për një poet i cili si dramaturg pak është lançuar në Shqipëri. Por më vjen keq që më parë u vu në Tiranë, sepse erdh si një vepër që nuk tingëllon gëgnisht. Me trupën e teatrit tonë vepra ka marr vlerësime. Ka qenë projekt i Fatbardhit, i cili e deshti shumë dhe e punoi me gjithë shpirt, pavarësisht se nuk e pa fundin, nuk pa shfaqjen por ai jetoi me të. Që kur bëri zgjedhjen e veprës ai tha është vepra ime unike dhe më e dashur. Vërtetë që ndodhi ashtu si tha ai”, pohon aktorja Merita Smaja.

Më tej aktorja tregon se edhe pse e shkruar në vitin 1945 vepra i flet shumë dhe kohës sot. “Një vepër që i thotë shumë publikut, sepse nuk është shkruar shumë për atë periudhë pas çlirimit. Ajo që ndodhi me familjet pasura shqiptare pas çlirimit, të cilët u ndjenë nën trysninë e një pushteti diktatorial që i bëri të ndjeheshin jo vetëm keq, por të fuste dhe në grindje midis një familje. Kjo ndodh kur diktati është i madh dhe dhuna po ashtu”, tregon aktorja Smaja për veprën që mbrëmë erdhi në skenën e Tiranës.

Drama

“Kandili i Argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e “Kandilit të Argjandit” në kohën më të volitshme të tij. “Kandili, dritëpërҫuesi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Drama u shkruajt rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash” thotë studiuesi Behar Gjoka. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes “Kandilit të Argjandit”. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

Teatri Eksperimental shpallë sezonin artistik 2017-2018, në skenë Ndrenika, Anagnosti dhe Xhuvani

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për sezonin artistik 2017-2018 premton të sjellë në skenën e tij 31 premiera, shfaqje të reja, për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur.

Drejtori i teatrit Kiço Londo premtoi një sezon cilësor dhe kthimin e emrave të njohur të skenës së teatrit si Robert Ndrenika, Roza Anagnosti. Pjesë e stinës artistike janë 12 produksione teatrore për të rritur.

“Këtë sezon artistik do të jenë gjithsej 12 produksione, dyfishi nga viti i kaluar, që do të zhvillohen në laboratorin e skenës të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Laboratori i Teatrit Eksperimental për Fëmijë do të ketë 7 produksione, por këtë vit do ti shtohet një shfaqje për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha drejtori Londo.

Prezantimin e kalendarit artistik drejtori Londo preferoi ta niste me një provokim, me këngën e gjelave, që nënkupton që teatri që ai drejton është ngritur siç ka edhe slloganin e këtij viti “U ngritëm”. Kanë zgjedhur gjelin si simbol të këtij sezoni, për t’u zgjuar jo vetëm vetë, por edhe të tjerë.

“Gjelat kanë një të mirë që zgjojnë të zotin por dhe komshiun, është një tendencë për tu zgjuar të gjithë komshinjtë tanë, Ministria e Kulturës, të gjithë ata që kanë në dorë fondet publike. Me fondet e tre projekteve ne bëjmë 15. Këtë radhë ne kemi vendosur të mos qahemi, por të bëjmë 31 projekte”, tha Londo. E gjithë puna që bëhet në teatër sipas tij ka si qëllim për vepra me nivel. “Qëllimi i kësaj stine është teatër cilësor për të gjithë. Kthimi në vazhdën e emrave të njohur si Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Gazmend Gjoka, kësaj radhe “Medea” do të rikthejë për tretin sezon rresht në skenën e TKE Luzia Xhuvanin, do të jetë pjesë e produksioneve dhe e mirënjohura e munguar Roza Anagnosti”, tha Londo. Teatri për fëmijëe hapi sezonin me shfaqjen “Princesha e gjelbër” e laboratori i TKES për fëmijë do të vijojë dhe me “Eni”, “Krishtlindje të rriturish”, “Matilda”, etj. Laboratori i TKES për adoleshentë sjell takimin e parë-Austin Winberg dhe Punishten Teatrore. Në repertor të teatrit do të jenë dhe shfaqje si “Shkolla e grave”, “Tramvaj me emrin dëshirë”, “Çfarë pa kryeshërbëtorja”. 12 veprat për të rritur janë ato me titull “Shumë zhurmë për asgjë” që çel dhe sezonin artistik vepër e Shekspirit, “Rojet e Taj” nga Rajiv Joseph, “Medea” nga Euripid, “Emri” Mathieu Delaporte Alexandre de la Patelliere, “Zonja presidente” Werner Schwab, “Gishti” Doruntina Basha, etj. Pjesë e këtij sezoni 2017-2018 është dhe Festivali i dramaturgjisë franceze. Ky sezon sjell bashkëpunimin me 4 regjisorë të huaj, por nuk do të mungojë dhe regjisori Altin Basha me shfaqjet e tij.

Ministria, shënime për buxhetin

Janë realizuar 350 shfaqje në këtë teatër sezonin e kaluar. Por problemet vijojnë me buxhetin për sezonin artistik. “Ishte një stinë me 350 shfaqje. Marrim më pak se 3 përqind të buxhetit që marrin 12 teatrot sëbashku dhe kryejmë 60 përqind të shfaqjeve” pohoi drejtori Kiço Londo. Buxheti i TKES arrin diku te rreth 55 mijë euro në vit për projektet artistike. “Kam folur vetë me ministren dhe ajo ka mbajtur shënim. Besoj se do të jetë e vëmendshme” pohoi mes të tjerave drejtori Londo për buxhetin, që akordon Ministria e Kulturës. “Ministria e Kulturës na detyrohet dhe 20 përqind fonde nga viti i kaluar dhe besoj që deri në fund të vitit do të na i akordojë”, shtoi Londo. Një problem shqetësues për të është dhe gjendja e teatrit shqiptar sot në përgjithësi. Sipas tij sot në teatrot në vend ndiqet një trajektore e gabuar. Për teatrin që drejton Londo vijoi të pohojë se aktiviteti do të jetë në tre salla, ajo Molier, Gëte dhe Lorka. / KultPlus.com