Më 19 gusht, në Ditën Botërore të Fotografisë, Shqipëria ka marrë një njohje të rëndësishme ndërkombëtare: arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit, që ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, është përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore të UNESCO-s.
Ky vlerësim e ngre më lart trashëgiminë vizuale dhe kulturore të vendit, duke e renditur fotografinë e Marubëve përkrah disa prej dokumenteve më të çmuara të historisë botërore.
Muzeu “Marubi” theksoi se kjo është një njohje historike jo vetëm për artin e fotografisë shqiptare, por edhe për kujtesën e shoqërisë sonë, pasi shkrepjet e Marubëve mbajnë gjurmë të pazëvendësueshme të jetës, historisë dhe identitetit kombëtar.
UNESCO publikoi listën e 74 objekteve të reja të trashëgimisë dokumentare të përfshira në Regjistrin Ndërkombëtar të Memorisë së Botës për vitin 2025, ku tashmë gjendet edhe pasuria e arkivit Marubi.
Ky moment përkon me Ditën Botërore të Fotografisë, duke e bërë këtë përvjetor një ditë të veçantë për Shqipërinë dhe kulturën e saj./KultPlus.com
Parku i madh i argëtimit Panairi Midi (Foire du Midi), një nga ngjarjet më të mëdha vjetore në Bruksel të Belgjikës, ka hapur dyert për vizitorët për të 145-ën herë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të madhe festive në muajt korrik dhe gusht.
Ngjarja e sivjetshme përmban mbi 120 lojëra dhe atraksione argëtuese, duke tërhequr çdo vit më shumë se 1.5 milion vizitorë nga Belgjika dhe jashtë saj, raportoi agjencia Anadolu.
Panairi po tërheq këtë vit vëmendje të shtuar pas përfshirjes së kulturës së panaireve në Belgjikë dhe Francë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, një njohje që thekson rëndësinë kulturore dhe historike të këtij tradicioni.
Vizitorët mund të shijojnë atmosferën unike me ushqime tradicionale, argëtim për të gjitha moshat dhe aktivitete që pasqyrojnë frymën festive të komunitetit belg.
Në Mal të Zi u mbajt konferenca e përbashkët përfundimtare për përgatitjen e dosjes drejtuar UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.
Konferenca e përbashkët mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga palët dhe grupet e interesit, aktorët lokalë, donatorët, ekspertët, ministritë përkatëse dhe sekretariati i UNESCO-s.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, dosjet përkatëse të nominimit janë gati për t’u dorëzuar në ministritë përkatëse dhe do të shërbejnë për dy komponentë të rëndësishëm: prezantimin e rezultateve e arritjeve të projektit, si dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të krijuar SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed-Transboundary Biosphere Reserve/ Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës-Rezervë Biosferë Ndërkufitare).
Konferenca përfundimtare shërbeu për të prezantuar arritjet dhe për të përcjellë një mesazh angazhimi dhe bashkëpunimi rajonal për publikun e gjerë. Përmes programit të rezervave të biosferës, një zhvillim i qëndrueshëm i gjelbër është i mundur për rajonin dhe për ta arritur këtë, ndryshimi i mentalitetit dhe i qëndrimit është i domosdoshëm. Gjithashtu, një harmonizim dhe partneritet i palëve të interesuara, është çelësi i suksesit.
Në fund të konferencës panairi i kulturave dhe natyrës shfaqi mundësitë dhe potencialet e rajonit të ardhshëm të Biosferës./atsh/KultPlus.com
Grupi Këshillimor Teknik i Punës ka bërë prezantimin final të dosjes së nominimit të Liqenit të Shkodrës në UNESCO, si Rezervë Biosfere Ndërkufitare. Prezantimi i dosjes u bë gjatë takimit në mjediset e KUB Piramida. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër tha se, qëllimi i këtij takimi të fundit ishte, rishikimi i dosjes së nominimit, përpara prezantimit dypalësh (me Malin e Zi) dhe fazën finale, dërgimin në UNESCO për shqyrtim dhe vendimmarrje.
DRTK Shkodër që në vitin 2023 ka qënë pjesë e institucioneve partnere vendore në territorin e Pellgut Ujembledhës të Liqenit të Shkodrës dhe ka dhënë ekspertizën e nevojshme për sa i përket trashëgimisë kulturore në zonën e propozuar për nominim.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqesin një dosje të përbashkët. Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën. Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit./atsh/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të tërhiqen sërish nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), vetëm dy vite pasi kishin rikthyer anëtarësimin në këtë agjenci me seli në Paris.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se vendimi është marrë për shkak të “axhendës përçarëse që UNESCO po ndjek në çështje sociale dhe kulturore”, si dhe për atë që SHBA e konsideron qasjen e njëanshme ndaj Izraelit. Ajo shtoi se pranimi i “Shtetit të Palestinës” si anëtar me të drejta të plota është në kundërshtim me politikën e jashtme amerikane dhe ka nxitur, sipas saj, retorikë anti-izraelite në organizatë, raporton apnews, transmeton KultPlus.
Kjo është hera e tretë që SHBA largohet nga UNESCO, dhe hera e dytë që kjo ndodh gjatë një administrate të udhëhequr nga Donald Trump. Vendimi do të hyjë në fuqi në dhjetor të vitit 2026, dhe ishte i pritshëm për drejtuesit e UNESCO-s, pasi administrata Trump kishte paralajmëruar një rishikim të marrëdhënieve me këtë agjenci që në fillim të këtij viti.
SHBA kishte ndalur financimin e saj për UNESCO-n që prej vitit 2011, kur kjo e fundit votoi për pranimin e Palestinës si shtet anëtar. Vendimi i fundit pritet të ketë ndikim financiar në organizatë, megjithëse më i kufizuar sesa më parë, pasi kontribuimi amerikan aktualisht përbën vetëm 8% të buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s.
Kujtojmë se SHBA u tërhoq për herë të parë nga UNESCO në vitin 1984, gjatë administratës Reagan, për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe ndikimin sovjetik në agjenci. U rikthye në vitin 2003 nën presidencën e George W. Bush dhe më pas u largua sërish në 2017 nën Trump, për t’u rikthyer më vonë në 2023 me administratën Biden./KultPlus.com
Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II, Komisioni i UNESCO-s i ka shpallur trashëgimi e kulturës botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella të tjera si trashëgimi e kulturës botërore.
Në mbledhjen e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig i II si dhe shtëpia mbretërore në Berg.
Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej mëse 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.
Tri kështjellat e famshme të Ludwig-ut të II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij me shuma maramendëse parash. Kështjellat Linderhof dhe Herrenchiemsee, ku janë vendosur ekspozitat qëndrore në kujtim të Ludwig-ut të II, si dhe kështjella Neuschwanstein.
Mbreti i famshëm bavarez
Ludwig i IIështë konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse parë hollë ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu i II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Mynihut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger. Ludwigu i II. ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë. Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij.
Ohrit dhe Maqedonisë së Veriut iu dha një vit tjetër për të përmbushur një sërë detyrimesh dhe për të vepruar sipas rekomandimeve të vërejtura në raportet e mëparshme të Misioneve të Monitorimit Reaktiv, për të cilat do të duhet të paraqitet raport në UNESCO deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, dyzet organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane kanë të shprehur publikisht shqetësimin nga në lidhje me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Organizatat akuzojnë Komitetin se ka injoruar përsëri rekomandimet e ekspertëve.
“Komiteti i Trashëgimisë Botërore u informua për transformimin shqetësues të pronës më shumë se dy dekada më parë. Njëzet e dy vjet më vonë dhe pasi tre misione ngritën alarmin se Rajoni i Ohrit është de-facto Trashëgimi Botërore në Rrezik, Komiteti ka vendosur përsëri të injorojë ekspertët dhe të shpërblejë shpërfilljen e Konventës me një shans tjetër. Nuk kemi arsye të besojmë se këtë herë do të jetë ndryshe. Ne besojmë se me këtë vendim Komiteti ka tradhtuar parimet mbi të cilat është themeluar dhe ka minuar në mënyrë aktive vetë thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thonë nga Organizatat.
Kryetari Komunës së Ohrit Kirill Pecakov thotë se po përpiqet në përmbushjen e kërkesave të UNESCO-s, megjithatë kritikon Shqipërinë për mosbashkëpunim sa i takon statusit dhe përmbushjes së kërkesave.
“Kemi edhe shumë për të punuar, megjithatë ajo që më shqetëson më shumë si kryetar i qytetit të Ohrit, edhe pse Ohri është në sulm ose më aktual kur flitet për statusin e UNESCO-s megjithatë duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për rajonin e Ohrit ku varet nga dy shtete dhe nga më shumë komuna në përparimin e komunave dhe të gjithë atë që e bëjmë si Komuna. Më shqetëson se një nga problemet më të mëdha në teren është mosbashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe vërejtjet e shumta në pjesën e Shqipërisë”, tha Kirill Pecakov, kryetar i Komunës së Ohrit.
Komiteti për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s në draft–dokumentin e miratuar në kuadër të sesionit të 47-të të këtij viti kërkoi që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e pasurive botërore dhe kulturore në rrezik. Po aty, u theksua se vazhdon degradimi i atributeve të cilët e transferuan rajonin e Ohrit si trashëgimi e mbrojtur e UNESCO-s dhe u kërkua përmbushje e vërejtjeve të misionit reaktiv monitorues nga viti i kaluar./rtv21/ KultPlus.com
Më 8 korrik të vitit 2008 qyteti i Beratit iu bashkëngjit listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, ishte shpallur qytet-muze që në vitin 1961. Kalaja e Beratit, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.
Pas hyrjes në UNESCO (Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara), ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958, qyteti i “një mbi një dritareve” do të promovonte vlerat monumentale dhe do të përfaqësohej ndërkombëtarisht së bashku me qytetin e Gjirokastrës, si një sit i vetëm për shkak të ngjashmërisë arkitektonike dhe historike.
Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se; Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur.
Kriteri i katërt thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e trashëgimisë së tyre universale./ KultPlus.com
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka ngritur shqetësimin se në javën e ardhshme UNESCO pritet të zyrtarizojë vendosjen e parkut natyror Drilon-Tushemishtit në liqenin e Ohrit në listën e pasurive të rrezikuara. Prej kohësh ky shqetësim ishte ngritur nga shoqatat mjedisore për shkak të ndërhyrjeve pa kriter në bregun e liqenit.
“Kjo është merita e planit të menaxhimit të AADF në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe shumë ndërhyrjeve të tjera të gabuara në vijën liqenore” – thuhet në një postim në Facebook.
Aty citohet edhe rekomandimi që ka bërë UNESCO: “Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO./ KultPlus.com
UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “ky është një lajm që na mbush me emocion dhe krenari”.
“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm”.
Rama u shpreh se “Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon, ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore, si një himn për natyrën dhe për njerëzit”.
Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars 2023 nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes./atsh/KultPlus.com
Një delegacion shqiptar mori pjesë në takimin e 8-të të Shteteve Palë të Konventës së UNESCO-s 1970.
Në këtë takim, ku delegacioni shqiptar përbëhej nga Delegacioni i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, u nda përvoja dhe angazhimi në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore.
Ambasadorja pranë UNESCO, Besiana Kadare theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solli në vëmendje rastin e suksesshëm të rikthimit të 20 ikonave të trafikuara, mënyrë të paligjshme, dhe të rikthyera në dhjetor 2023 në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi se “Shqipëria është një zë i fuqishëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”.
Gjatë këtij takimi, Shqipëria kontribuoi edhe në hartimin e një rezolute të re, me fokus në forcimin e kapaciteteve dhe parandalimin e këtij fenomeni global./atsh/KultPlus.com
Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është shpallur pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi këtë si një moment historik për kulturën shqiptare.
“Lajm i jashtëzakonshëm! Unesco ka shpallur arkivën e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register!”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.
“Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore!”, vijon ai.
“Nga zemra e Shkodrës kjo pasuri e rrallë fotografike që ka përjetësuar imazhin, jetën, historinë dhe shpirtin e shqiptarëve, merr sot vlerësimin më të lartë ndërkombëtar! Ky nuk është thjesht një vlerësimin i kontributit të Marubëve, themeluesve të fotografisë shqiptare, por edhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi”, theksoi Gonxhja.
Sipas tij, ky është një vlerësim jo vetëm për dinastinë Marubi, që hodhi themelet e fotografisë shqiptare, por edhe për qytetin e Shkodrës, që mbetet një pikë referimi për artin, kulturën dhe kujtesën kombëtare.
“Për herë të parë, Shkodra ka një pjesë të sajën në Kujtesën e Botës”, u shpreh ministri, duke shtuar se kjo arritje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani tha se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”.
“Moment historik edhe për artin shqiptar dhe një hap i madh për kontributin që Shkodra i ka dhënë kulturës në Shqipëri. Ajo tashmë do të ketë gjurmën e saj edhe në kulturën e botës. Një falenderim shkon për të gjithë kontribuesit, që bënë të mundur këtë arritje historike për trashëgiminë kulturore shqiptare”, nënvizoi ai.
Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin./atsh/KultPlus.com
Trashëgimia kulturore përballet me kërcënime të vazhdueshme nga trafikimi i paligjshëm, vjedhja dhe eksportet ilegale të objekteve të trashëgimisë kulturore.
BE dhe UNESCO, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, adresuan këtë sfidë përmes një trajnimi të specializuar për profesionistë nga sektori gjyqësor dhe prokuroria.
Nisma është pjesë e projektit të financuar nga BE, “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore në Ballkanin Perëndimor”, që u trajtua gjithashtu në vitin e kaluar. Kjo nismë në mënyrë të dedikuar me të gjithë sektorin dhe infrastrukturën kulturore, synon rritjen e kapaciteteve institucionale, forcimin e kuadrit ligjor si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për të mbrojtur thesaret kulturore shqiptare.
MEKI së bashku me organizmat evropiane u angazhuan për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, një pasuri e paçmuar që përcakton historinë, identitetin dhe kujtesën kolektive./atsh/KultPlus.com
Viti 2025 pritet të nisë me një lajm të rëndësishëm për historinë e Shkodrës dhe dokumentimin e saj. Drejtori i Muzeut të Fotografisë, Luçjan Bedeni u shpreh se arkivi i Marubëve është kandidat zyrtar për t’u pranuar në UNESCO.
“Jemi zyrtarisht kandidat për tu bërë pjesë e UNESCO. Besoj se Shkodrës do t’i mbesë një gjurmë e rëndësishme nga kjo. Ne do ta ridimensionojmë krejtësisht arkivin online dhe atë digjitalë të “Marubit”. Do t’i japim publikut një tjetër kënaqësi shumë të madhe për pasqyrimin e imazheve” u shpreh Bedeni.
Dhjetori shënoi po ashtu ekspozitën më të re në Muzeun “Marubi” e përbërë nga imazhe të fotografit me famë botërore nga SHBA, Gregory Crewdson.
Vepra e tij gërsheton në mënyrë mahnitëse një dimension autobiografik me portretin e një Amerike pa lavdi. Kjo ekspozitë bashkon vepra nga vitet 2012 deri në 2022
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri në datën 1 mars të vitit të ardhshëm në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
UNESCO paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm.
Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, theksohet në raportin e fundit të saj, ku detyra më e madhe megjithatë i vishet autoriteteve maqedonase.
Agjencia e famshme theksoi nevojën urgjente që Shkupi të ndërmarrë hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit.
Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që nënvizon se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.
Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Ambjentalistë e banorë të zonës në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar disa kohë më parë për REL sesi në Liqenin e Ohrit depërtojnë ujëra nga gropat septike, fermat si dhe nga dhjetëra restorante, hotele dhe rezidenca private që nuk janë të lidhura me sistemin e mbledhjes së ujërave të zeza.
UNESCO në raportin e ri, ndër të tjera kërkon rishikimin e planeve urbanistike për Ohrin dhe Strugën, ndalimin urgjent të ndërtimeve në Kënetën e Studençishtës, si dhe zgjidhjen e problemit të ndërtimeve pa leje që dëmtojnë karakterin autentik të rajonit./TopChanel/ KultPlus.com
Butrinti është një nga sitet më prestigjioze arkeologjike në Shqipëri. Megjithatë, qeveria ka vendosur t’ia besojë menaxhimin e tij një Fondacioni privat, duke rrezikuar të vendosë në pikëpyetje qëndrimin e tij në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Hulumtim.
Ilda Mara për Courrier des Balkans
Parku arkeologjik i Butrintit, pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992, është një thesar i paçmuar i Shqipërisë dhe këtë vit festoi njëqind vjetorin e zbulimit të tij. I themeluar nga Kaonët, një fis i lashtë grek, Butrinti falë pozicionit të tij strategjik pranë kanalit të Vivarit ka qënë vendtakim qytetërimesh nga një polis, një qytet kaon, me pas në një koloni romake e më pas ka qënë një seli peshkopale bizantine.
Siti ka monumente të shumta historike, si një teatër antik dhe një bazilikë paleokristiane, të zbuluara nga arkeologu italian Luigi Ugolini, i cili qe dërguar në vitin 1924 të ndiqte gjurmët e Eneas. Musolini e konsideronte veten në fakt, si kulminacionin e një vargu të gjatë heronjsh romakë nga Enea tek Romuli e Augusti. I shtyrë nga dëshira për të gjetur dëshmi të gjurmëve të Eneas në Butrint, Ugolini e pagëzoi këtë portë si Porta Skea, dhe pretendoi se heroi trojan ishte ndalur atje. Ky zbulim u përdor si mjet propagande në vitin 1931, me rastin e 2000-vjetorit të poetit Virgjil, me botimin e një pulle që tregon Portën e Skeas, dhe përshëndetjen fashiste.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë historike dhe kulturore të këtij siti, qeveria shqiptare ka vendosur që ta transferojë menaxhimin e tij tek Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), duke shkaktuar shqetësim të madh tek mbrojtësit e trashëgimisë kulturore shqiptare. Këta të fundit kanë frikë se ky vendim do të rrezikojë integritetin historik të Butrintit dhe do të çojë në një menaxhim jo-transparent që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së tij.
Privatizimi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore Në vitin 2018, qeveria shqiptare miratoi një ligj për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, të miratuar nga shumica socialiste në Parlament, duke lejuar fondacionet private, përfshirë ato të huaja, të menaxhojnë objektet kulturore shtetërore. Një ligj i sponsorizuar nga AADF ku pikërisht në këtë kontekst AADF mori menaxhimin e Parkut kombëtar të Butrintit, duke krijuar kështu një konflikt të dukshëm interesi. Në fakt, qeveria shqiptare ka vendosur t’i besojë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit një fondacioni të krijuar bashkërisht nga Ministria e Kulturës dhe AADF: Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i cili do të ketë një qira dhjetëvjeçare me mundësi rinovimi.
Ministri i ri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja, njoftoi tetorin e kaluar një rritje mbresëlënëse të të ardhurave të parkut, duke shkuar nga 800.000 euro në një vit në 800.000 euro në vetëm 71 ditë… Kjo ngre pikëpyetje për menaxhimin e ish-ministrave, Mirela Kumbaro dhe Elva Margariti, dhe evidenton joefikasitetin e administrimit të tyre. Në vetëm 71 ditë, ekipi i Blendi Gonxhes tregoi se parku mund të menaxhohej me efiçencë nga ekipet shqiptare.
Michael Granoff, president i AADF, është shprehur se Fondacioni i tij do të kontribuojë me pesë milionë dollarë, dyfishin e kontributit të qeverisë shqiptare, duke marrë të drejtën për të emetuar biletat dhe për të mbledhur të gjitha të ardhurat dytësore nga parku për dhjetë vjet. Sipas Auron Tares, ish-drejtor i Parkut, nëse Butrinti gjeneron të paktën 1.5 milionë euro në vit, BMF mund të mbledhë 15 milionë euro në dhjetë vjet. Pra, a i duhen vërtet shtetit shqiptar pesë milionë dollarët nga fondacioni privat, kur tashmë mund të gjenerojë shumë më tepër falë të ardhurave nga vizitat?
Për më tepër, AADF po përballet me kritika për veprimet e saj në lidhje me zonën arkeologjike të Butrintit dhe zona të tjera të trashëgimisë në Shqipëri. Fondacioni akuzohet se ka shpenzuar më shumë se 300,000 dollarë për të realizuar dy plane menaxhimi të integruar për Butrintin, si dhe 50,000 dollarë për të ndikuar në legjislacionin e trashëgimisë kulturore që të lehtësonte marrjen në kontroll të Parkut. Për më tepër, AADF dyshohet se ka përdorur fondet publike amerikane për të mbrojtur pozicionin e saj përpara Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Shqetësimet e UNESCO-s AADF është e përfshirë gjithashtu dhe në menaxhimin e zonave të tjera në Shqipëri, si parku i Drilonit në Liqenin e Ohrit dhe zonat e Beratit dhe Gjirokastrës. Kjo përfshirje shihet si shkelje e Konventës së UNESCO-s të vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore, e cila ka bërë që të ketë kritika indirekte ndaj AADF nga UNESCO, veçanërisht në rastint e Liqenit të Ohrit, i cili mund të vendoset në listën e trashëgimisë në rrezik të UNESCO-s.
Transferimi i menaxhimit të Butrintit privon Shtetin Shqiptar nga roli i tij qëndror në menaxhimin e Parkut, duke vënë në rrezik ruajtjen e kësaj trashëgimie botërore, e cila duhet të mbetet nën përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë sipas detyrimeve ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje mund të shkelë parimet themelore të Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të vitit 1972, e cila thotë se shtetet palë janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe menaxhimin e siteve të tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore. Por kjo marrëveshje mund të jetë gjithashtu në kundërshtim me nenin 101 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili e detyron Shqipërinë të respektojë standardet në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. MSA kërkon gjithashtu që Shqipëria të harmonizojë politikat e saj kombëtare me rregullat evropiane, përfshirë edhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Sipas UNESCO-s, shtetet palë, përfshirë Shqipërinë, janë të detyruara të sigurojnë menaxhimin dhe mbrojtjen e siteve të tyre në listën e trashëgimisë Botërore, siç është Butrinti. Ky transferim mund të shihet si një devijim nga pritshmëritë e BE-së në lidhje me bashkëpunimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke rrezikuar angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë së saj dhe marrëdhënien e saj me BE-në. Mbrojtja e Butrintit duhet të jetë një përgjegjësi kombëtare, nën kontrollin e shtetit shqiptar, në bashkëpunim me ekspertë të institucioneve ndërkombëtare.
Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe organet këshilluese kanë shprehur shqetësimin për një fragmentim të menaxhimit, një model që mund të rrezikojë integritetin e Butrintit. Pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare duket e vendosur për të vazhduar me këtë model. Gjykata Kushtetuese shqiptare e validoi marrëveshjen, megjithëse disa gjyqtarë votuan kundër, duke evidentuar rreziqet për mbrojtjen e Butrintit. Sipas avokatit Agron Alibali, “marrëveshja mes qeverisë dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit (BMF) mund të prishet, për shkak të mospërmbushjes së kushteve të vendosura”. Ai mbështet idenë që Butrinti të duhet mbetet nën menaxhimin e qeverisë deri në arritjen e një marrëveshjeje të re në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s.
Një hotel dhe 600 hektarë të humbur Transferimi i menaxhimit të Parkut, i cili ishte planifikuar fillimisht për në fund të tetorit 2024, ende nuk është realizuar për shkak të vonesave administrative, siç është inventarizimi i kryer nga MEKI dhe kompleksiteti i diskutimeve mes palëve të interesuara. Kjo ofron një mundësi për të rimenduar këtë vendim strategjik, sidomos për shkak të shqetësimeve të shprehura nga UNESCO dhe BE.
UNESCO ka shprehur shqetësime serioze për heqjen e rreth 600 hektarëve nga Parku Kombëtar i Butrintit, ku po ndërtohet një kompleks hotelier. Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tashmë ministre e Turizmit dhe Mjedisit, ka vijuar të reduktojë zonën e mbrojtur të parkut përmes një legjislacioni për zonat e mbrojtura. Më 22 shkurt 2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin 21/2024, për ndryshimin e Ligjit të vitit 2017 për Zonat e Mbrojtura. Kjo reformë hasi në kundërshtime nga shoqatat mjedisore, aktorë të caktuar politikë dhe përfaqësuesit të BE-së në Shqipëri.
UNESCO i ka kërkuar shtetit shqiptar të paraqesë një plan urgjent për mbrojtjen e kësaj zone dhe të sigurojë menaxhimin e koordinuar të të gjithë parkut kombëtar dhe zonës së tij tampon, për të shmangur çdo fragmentim të menaxhimit të tij. Kjo situatë nxjerr në pah tensionet mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë botërore. Raporti i UNESCO-s thekson gjithashtu se menaxhimi i zonës dhe i rrethinave të tij duhet të jetë koherent dhe i mbikëqyrur nga një autoritet qëndror, me mjete të mjaftueshme për të garantuar ruajtjen e vlerës së tij të jashtëzakonshme universale. Shqetësimet në lidhje me qartësinë e kufijve të Parkut të Butrintit dhe zonës së tij tampon duhet gjithashtu të zgjidhen sa më shpejt, gjë që mund të lejonte rishikimin e vendimit në lidhje me transferimin e menaxhimit.
“Është njëlloj sikur shteti francez të ndihej i paaftë për të menaxhuar Kalanë e Versajës dhe të vendoste t’ia besonte atë një entiteti privat.”
Kjo vonesë ofron një mundësi për të forcuar koordinimin mes autoriteteve lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe për t’u angazhuar në një dialog më gjithëpërfshirës me komunitetet lokale për të garantuar menaxhimin më të mirë të mundshëm të Parkut të Butrintit. Shteti duhet t’i paraqesë më në fund Qendrës së Trashëgimisë Botërore, brenda datës 1 shkurt 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së parkut, me një plan të detajuar veprimi dhe një afat kohor për zbatimin e rekomandimeve të misionit të vitit 2022, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.
Parku i Butrintit, si pasuri botërore, duhet patjetër të mbetet nën menaxhimin e shtetit shqiptar për të garantuar ruajtjen e tij. Transferimi i drejtimit të Parkut tek BMF rrezikon këtë mision dhe cënon angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Është thelbësore që shteti të mbajë kontrollin e Parkut dhe të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen e qëndrueshme të tij. Është njëlloj sikur shteti francez të ndihej i paaftë për të menaxhuar Kalanë e Versajës dhe të vendoste t’ia besonte atë një entiteti privat. / Courrier des Balkans BW/ KultPlus.com
Lajmi se “K’cimi i Tropojës”, është futur në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë në UNESCO ishte një lajm shumë i mirë për tropojanët.
Bukurie Demiraj “Mjeshtre e Madhe” në valle e koreografi tregon rrugën e gjatë që kjo Trashëgimi Kulturore Jomateriale u bë pjesë e listës botërore të UNESCO-s.
Deli Metalia koreografi, që mbanë titullin “Nderi Kombit”, nuk i fsheh emocionet e përjetimit të këtij lajmi duke sjell në kujtesë edhe promovimet në festivalet kombëtare e ndërkombëtare që i është bërë “K’cimit të Tropojës”
“K’cimin e Tropojës”, është një valle që njihet nga të gjithë në Tropojë./topchanel/ KultPlus.com
“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ku shkroi se “K’cimi i Tropojës” ishte një trashëgimi e braktisur.
Rama shprehu edhe kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës.
Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.
Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021./atsh/KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, bazuar mbi “Deklaratën e UNESCO-s” të vitit 1995 të parimeve mbi tolerancën.
UNESCO thotë se, toleranca është respekt, pranim dhe vlerësim i diversitetit të pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të të shprehurit dhe mënyrave të të qenit njerëzor.
Në vitin 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 51/95 duke shpallur 16 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës. Ky veprim pasoi miratimin e një Deklarate të Parimeve mbi Tolerancën nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s.
Ndër të tjera, deklarata pohon se toleranca nuk është as kënaqësi, as indiferencë. Toleranca njeh të drejtat universale të njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Njerëzit janë natyrshëm të ndryshëm; vetëm toleranca mund të sigurojë mbijetesën e komuniteteve të përziera në çdo rajon të globit.
Po cilat mund të jenë disa nga mënyrat e kremtimit të kësaj dite? UNESCO sugjeron:
Të mësojmë mbi kultura të ndryshme nga e jona.
Të bëjmë punë vullnetare.
Pjesëmarrja në aktivitete mbi diversitetin.
Të ndash ushqimin me të tjerët, si formë shkëmbimi kulturor.
Të ndërgjegjësosh lidhur me tolerancën./atsh/ KultPlus.com
Kushedi se sa dolli janë ngritur për të, e sa ka ngritur vetë ai për miq të dashur.
Është rritur me ceremonialin e dollisë në familjen e tij në Bënjë të Këlcyrës, në juglindje të Shqipërisë.
Profesori i Financave në Shqipëri dhe në Francë, Sherif Bundo, i ka mbledhur të gjitha copëzat e kujtimeve, përjetimeve e rrëfimeve në një libër.
Shumicën e botimeve të tij ia ka kushtuar ekonomisë dhe financës, por thotë se mes financës dhe dollisë ka lidhje dhe nuk bëhet fjalë për çmimin.
Dolli që nga fëmijëria
Një pedagog financash që shkruan për dollinë, mund edhe t’i habisë lexuesit, por profesor Bundo thotë se vlerat shpirtërore nuk mund t’i lidhësh me ndonjë profesion të veçantë.
Ato janë lidhje e brendshme e kujtdo, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Shtysën për t’i kushtuar dollisë disa vite studimi në terren dhe më pas një libër, thotë se e ka marrë që në fëmijëri.
“Unë jam nga Bënja e Dëshnicës, që sot bën pjesë në Bashkinë e Këlcyrës. Jam rritur në një zonë ku mikpritja ishte e shenjtë, por kulmi i saj arrihej kur ngriheshin dollitë me raki, këndoheshin këngët polifonike dhe burra e gra ngriheshin në valle”, kujton Bundo.
“Qëkur isha fëmijë, më bënte përshtypje ky ceremonial. Gjithnjë e pyesja veten: ku i kanë mësuar këto rite kaq të bukura, të zgjuara, kush i ka artikuluar…”, thotë ai.
Një nxitje të madhe thotë se e ka marrë edhe gjatë kohës kur ushtronte funksione të larta shtetërore, punë që e lidhte më shumë me zona të ndryshme, me ritet e zakonet e tyre.
“Pasi kreva studimet e larta, punova dhjetë vjet në Skrapar. Pritja atje është një ngjarje e rrallë, me një ceremonial të veçantë. Si i huaj konsiderohesha gjithnjë mik, pas të zotit të shtëpisë më kërkohej të bëja dolli. Aty kuptova dollinë si institucion, rolin e mikut, impenjimet në ceremonial të palës pritëse dhe përjetova emocionet e veçanta të dollisë, të cilat të rrëqethin, të bëjnë të ndihesh krenar për këtë rit të bukur”, thotë Bundo.
Ai kujton se më vonë, sidomos kur ishte kryetar i Komitetit Kombëtar të Turizmit, ishte lidhur edhe më shumë me, siç thotë, “këtë vlerë shpirtërore të vendit tonë”.
“Dollia e ngre mikun në piedestal”
Bundo e cilëson dollinë si një skenë ku promovohen arritjet dhe vlerat njerëzore. Është një lloj i veçantë ligjërimi, sipas tij.
“Dollibashi është lideri që dirigjon, drejton sofrën, tryezën, odën dhe ka një qëllim: t’i bëjë të lumtur pjesëmarrësit, t’i bëjë ata sa më të kënaqur”, thotë ai.
Për të, dollia e ngre në piedestal mikun, të ftuarin, vizitorin.
“Aty e ka pushtetin dhe magjinë fjala, e jo sasia e alkoolit që konsumohet”, thotë Bundo, i cili është duke bërë përpjekje që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore, e madje edhe të mbrohet nga Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO.
Ai thotë se dollitë vijnë nga lashtësia – në dasma, fejesa, pritje, përcjellje e gosti.
Nuk është e thjeshtë të ngresh dolli. Duhet ta njohësh mirë mikun, t’ia dish vlerat dhe t’u përmbahesh disa rregullave – disa herë edhe të ashpra, thotë Bundo.
Sipas tij, dollia haset edhe në veri, edhe në jug, por si kod shpirtëror, me rregulla shpesh të ashpra gjendet në jug, veçanërisht në zonat: Skrapar, Përmet, Dangëlli, Frashër, Dëshnicë, Kolonjë, Gramsh, Mokër, Mallakastër, Lunxhëri, Berat, Himarë etj.
Është një rit me kode, siç janë ligjet me nene, thotë ai.
“Që të kompozohet një dolli, duhet të futen në rol disa persona – mbi të gjithë një person që është ‘dollibashi’ – ai që ngre disa shëndete me gotën me raki, që rendit vlerat e atyre njerëzve që ai u çon shëndet dhe e meritojnë të veçohen”, tregon Bundo, që mban titullin profesor dhe gradën doktor shkencash.
Ai thekson se dollia është nevojë, pasi gjithsekush e ndien se duhet t’i thuhen në publik vlerat, meritat dhe arritjet që ka.
“Si thuhen ato? Nga dollibashi. Ai gjen apo kërkon një partner, që quhet pritësi i dollisë. Ata dialogojnë bashkë. Dollibashi ia shpjegon pritësit cilësitë e virtytet e atij për të cilin ngrihet dollia. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit ftohen nga pritësi ta ngrenë shëndetin për atë për të cilin u thanë fjalët e mira”, shpjegon profesor Bundo.
Ai shton se dollia ka edhe aktorë të tjerë si pritësin e dollisë – i cili në disa zona apo krahina quhet edhe sekretar i dollisë – dhe po kështu edhe “saku” – personin që është i ngarkuar për të mbajtur drejtësi në tryezë a sofër, që i mbush gotat e rakisë e që kujdeset që të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Saku, sipas tij, është syri i kujdesshëm i sofrës, që përfaqëson atë që është mikpritësi.
Siç ka rregulla, dollia ka edhe detyrime.
“Ka rregulla se kush bëhet dollibash, si zgjidhet, apo si e fiton këtë protagonizëm. Kur i sheh kështu veçmas, të duken të ashpra, por kur e kupton se këto rregulla janë bërë që të ruhet harmonia në tryezë, e kupton se dollia është margaritar”, thotë profesori.
“Kur dollibashi ngre një shëndet, bën komente për atë për të cilin e ngre shëndetin, por janë komente që të rrëqethin, të bëjnë me krahë, të bëjnë të thuash me vete se sa bukur i tha ato fjalë. Kjo e bën dollinë të veçantë”, thotë autori i librit “Dollia”.
Dollia – “autoktone shqiptare”
Bundo thotë se e ka studiuar me vite këtë vlerë shpirtërore dhe këmbëngul me bindje se ajo është vetëm shqiptare.
“Rakia, vera, mikpritja nuk janë vetëm shqiptare, ndërsa dollia po. Ka autenticitet të plotë shqiptar. Nuk ka dolli as në vende të tjera të rajonit, as të Mesdheut. Ajo ka evoluar nga monolog që ngjason me rapsoditë, në dolli që ngrihen mes dy personave dhe të tjerët heshtin… Ka evoluar përgjatë shekujve, por është autentike dhe ka disa diferenca të vogla sipas zonave”, thotë Bundo.
Ai është ndër nismëtarët e një grupi të madh intelektualësh, personalitetesh të njohura, por edhe bashkive dhe shoqatave që kërkojnë që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Njëlloj si polifonia.
“Dosja është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi nuk është marrë ende, por është në rrugë procedurale. Unë kam besim të plotë se do të shpallet… Më pas i takon Ministrisë ta dërgojë dosjen në UNESCO, sepse i plotëson të gjitha kriteret. Kjo do të kërkojë kohë, por kam bindjen se edhe në UNESCO do të miratohet si pasuri botërore shpirtërore”, shprehet Bundo.
Ai thotë se në terren e vëren rrezikun që dollia të zhduket si vlerë shpirtërore, ndaj duhet mbrojtur sa më shpejt.
“Të rinjtë janë të dhënë pas modernizmave. Pasuria kulturore është e rrezikuar nga globalizmi apo harresa. Kjo edhe ngase nuk ka ligje apo institucione që ta mbrojnë”, thotë ai.
Ajo që i bën përshtypje thotë se është fakti se dollia – derisa te vendasit rrezikon të humbë apo të zhduket – vlerësohet shumë nga turistët e huaj.
“Turistët e huaj nuk vijnë këtu për gjëra moderne, por vijnë pikërisht për traditën, të veçantën, të bukurën. Kam parë se si dollia po përdoret si atraksion në jug të vendit, në Berat, Skrapar, Përmet, Mokër, Kolonjë, Leskovik etj. Kam parë me sytë e mi se si të huajt kanë kuriozitet dhe emocionohen nga ky ceremonial”, thotë pedagogu.
Libri për dollinë dhe ribotimi i tij
Libri Dollia, si kumt i trashëgimisë kulturore, u botua tre vjet më parë, por pak më vonë Bundo solli një botim të ri të tij, që e cilëson kthim kritik te libri i parë.
“Monografia e dollisë ka qenë dhe është e veçantë për mua. E para për faktin se ishte jashtë fushës sime dhe, së dyti, më është dashur të mbledh karakteristika, detaje nga tradita dhe mikpritja në mënyrën e jetesës nga zona të ndryshme, por edhe jashtë vendit në troje ku flitet shqip. Kam punuar më shumë se 4-5 vjet për variantin e parë me 210 faqe”, tregon Bundo.
Ai thotë se pas botimit, ka kuptuar se nuk ka rrokur gjithçka, duke lënë jashtë vëmendjes zona e rite të çmuara. Kështu që, ai ka grumbulluar sërish elemente të veçanta në këto zona dhe ka ripunuar librin me gati 340 faqe.
Këtij botimi i ka paraprirë një manual në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe frëngjisht.
Manuali ka sjellë disa rregulla apo hapa që duhen bërë nga dikush që do të ngrejë dolli.
“Përkthimin në disa gjuhë e diktuan kërkesat e bujtinave dhe agjencive turistike e hoteleve që presin ekspedita të huaja, që kanë kuriozitet të kuptojnë thelbin e mikpritjes, nga buron, si bëhet”, thotë Bundo.
“Kërkonin shpjegime se si mund të përkthehen termat që përdoren: të paça, të desha, të kam gjetur, ta pifsha dollinë, ti që më deshe mua, të dashtë e mira etj. Me ndihmën e disa profesorëve të këtyre gjuhëve, e realizuam këtë manual, që do t’u shërbejë të gjitha subjekteve që presin e përcjellin turistë të huaj”, thotë Bundo.
Libri i tij thotë se është blerë nga shumë turistë të huaj, në mënyrë të veçantë në sezonin e kaluar turistik.
Kur e pyet se cila është lidhja mes financës dhe rakisë, profesori kthen në vëmendje një shprehje të urtë popullore: “Paraja e hedh ujin përpjetë”, ndërsa dollia, thotë ai, është kompozim që ngre në lartësi vlerat më të larta, siç është mikpritja.
“Edhe rakia, edhe dollia ndihmojnë të bëjmë një bilanc të vlerave të kënaqësisë që ua dhurojmë miqve”, përfundon Bundo. /REL/ KultPlus.com
Ambasada e Shqipërisë në Greqi, nis këtë fundjavë ciklin e ri të aktiviteteve kulturore “Shqipëria Ime”, një iniciativë që synon të forcojë lidhjet mes komunitetit shqiptar në Greqi dhe të promovojë pasurinë tonë kulturore e historike.
Ky projekt vjen pas suksesit të aktiviteteve të mëparshme me komunitetin dhe shënon një tjetër hap për të mbajtur gjallë trashëgiminë shqiptare. Në qendër të këtij rrugëtimi kulturor do të jetë Gjirokastra, qyteti i UNESCO-s dhe një thesar i kulturës sonë kombëtare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “kjo nismë nis nga Gjirokastra e UNESCO-s, thesareve të mëdha të trashëgimisë e historisë së jashtëzakonshme, por tanimë edhe e turizmit të qëndrueshëm duke u kthyer në destinacion gjithëvjetor”.
“Si gjirokastrite e vjetër, do t’i bashkohem komunitetit të bashkëkombësve që jetojnë në Greqi, për të festuar së bashku kulturën, historinë e për t’iu përgjigjur një thirrjeje të fortë për këdo, kudo që jeton: thirrjes së rrënjëve”, tha Kumbaro.
Ky event është një mundësi unike për të bashkuar komunitetin dhe për të festuar trashëgiminë tonë kulturore, me aktivitete që do të na rikthejnë në rrënjët tona dhe do të forcojnë ndjenjën e përkatësisë./atsh/ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka ndarë në rrjetet sociale një video nga interpelanca e zhvilluar sot në Kuvend, lidhur me koncesionin e Butrintit dhe situatën e vendeve të trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga UNESCO, të kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Bashkëngjitur videos, ku shfaqet deputetja Zhupa, e cila e akuzoi ministrin Gonxhja se, “keni shkuar në Paris me individë privatë, me juristin e zyrës ligjore që ka bërë koncesionin e Butrintit, Alban Shanaj”.
Gonxhja në postimin e tij thekson se e vërteta është krejt tjetër.
“Shkoj në UNESCO në takim zyrtar, i shoqëruar me drejtorin e ri të përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe akuzohem që paskam shkuar me avokatin Alban Shanaj (!?!), i infiltruar nga armiqtë e jashtëm!”, shkruan Gonxhja.
Ai thekson se të gabosh është njerëzore, por të insistosh në gabim është diabolike.
“Errare humanum est, perseverare diabolicum”, thotë Gonxhja./atsh/KultPlus.com
UNESCO nuk pritet ta listojë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik por u kërkon autoriteteve shqiptare të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës.
Projektvendimi që do të shqyrtohet në asamblenë e UNESCO-s që mbahet në Indi u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare pa miratimin e UNESCO-s.
Një analizë e thelluar e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe një projktvendim i Komitetit të UNESCOS që do të mblidhet në Indi këtë muaj nuk parashikojnë që të listojnë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë në Rrezik, por u kërkohet autoriteteve shqiptare” të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës”.
UNESCO thotë në analizën e zhvillimeve të fundit lidhur me Butrintin se Plani i Menaxhimit përfshin themelimin e Fondacionit për menaxhimin e ardhshëm të zonës A3, që njihet si qyteti antik për një periudhë kalimtare.
“Është për të ardhur keq thuhet në analizën e UNESCOS , që ky proces mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën. Kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, vlerëson UNESCO.
UNESCO thotë se duke marrë parasysh që Plani i Menaxhimit të Butrintit është miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe se periudha e tranzicionit ka përfunduar, Komiteti mund të ftojë Shqipërinë të ndërmarrë një rishikim afatmesëm të zbatimit të tij bazuar në kuadrin monitorues”.
Një tjetër qëndrim në analizën e fundit të UNESCO-s shprehet ndaj kufijve të Butrintit ku kërkohen sqarime urgjente.
“Kërkohen sqarime urgjente sesi do të menaxhohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga përcaktimi A3 dhe administrohen nga Fondacioni Menaxhimit të Butrintit dhe se si do të sigurohet ruajta në këto zona”, thuhet në analizën e UNESCO-s.
“Kjo është veçanërisht urgjente në kontekstin aktual, duke qenë se misioni UNESCO-s konfirmoi se në janar 2022, rreth 600 ha u tërhoqën nga Parku Kombëtar pranë Ksamilit, ku në atë kohë ishte në ndërtim e sipër një kompleks rezidencial turistik.Kjo sipërfaqe shtrihet brenda zonës tampon të pronës siç është miratuar në 2007 nga UNESCO dhe një pjesë e vogël e pronës gjithashtu mund të jetë shkelur nga ndryshimi kufijve , thotë UNESCO.
“Është për të ardhur keq që është ende në pritje sqarimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon, që pritet që prej datës 15 shkurt 2023″, thotë UNESCO në analizën për Butrintin.
Edhe projekt- vendimi që do ti paraqitet Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e 46 që mbahet në Indi këtë muaj bazohet mbi analizën e Qendrës Botërore të Trashëgimisë.
Në projekt vendim thuhet se “po punohet për të siguruar që Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës të ketë mbikëqyrjen e të gjithë pronës së Trashëgimisë Botërore pasi menaxhimi i Zonës A3, t’i transferohet Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit deri në tetor 2024”.
Në projekt vendim UNESCO thotë se “ mirëpret punën e vazhdueshme për të siguruar që Ministria e sapo krijuar e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore”.
Projekt vendimi thekson “se për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive, prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohen në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi.”
UNESCO në projekt vendimin e saj thotë se “kërkon për më tepër që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës tampon, dhe mbi mënyrën se si regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.
Në projekt vendim Komiteti i Trashëgimisë Botërore “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon që Qendra e Trashëgimisë Botërore ta marrë në shqyrtim”.
Lidhur me dokumentet e UNESCO-s, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha përmes një deklarate se e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt.
Por MEK nuk dha sqarime përse autoritete shqiptare nuk po e dorëzojnë hartën e kufijve të rinj të Butrintit në UNESCO dhe si do të arrihet ligjërisht autoriteti i kësaj Ministrie në gjithë Parkun Kombëtar të Butritnit, kur një pjesë e tij që njihet si qyteti antik do të jetë nën administrim të një organizate joftimprurëse për dhjetë vite.
Autoritetet qeveritare shqiptare ndërmorën kohët e fundit takime intensive me drejtues të Unescos të cilat shihen nga analistët e pavarur si një përpjekje për të zbutur qëndrimet e ashpra të UNESCO-s që u refletuan në një raport të një misioni monitorimi tetorin e vitit të shkuar lidhur me Butrintin.
Raporti u bë publik nga Zëri i Amerikës pasi autoritetet shqiptare nuk dhanë miratimin që UNESCO ta publikonte raportin në faqen zyrtare.
Gjykata Kushtetuese vendosi në prill me një rezultat të ngushtë 5 me 4 të anëtarëve të saj për rrëzimin e kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës që kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Sipas marrëveshjes zona A3 e Parkut Kombëtar të Butrintit që njihet si qyteti antik do të administrohet për dhjetë vite nga një organizatë jofitimprurëse në formë Fondacioni krijuar nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillimin (AADF)./voa/KultPlus.com
Gjirokastra, 19 vjet më parë, u bë pjesë e listës së Trashëgimive Kulturore Botërore të UNESCO-s.
Për të festuar përvjetorin, u zhvilluan një sërë aktivitetesh, raporton Euronews.al.
Ekspozta pikture, botime të ndryshme si dhe “Java e Filmit Shqiptar” ishin disa nga këto aktivitete të cilat promovuan vlerat e trashëguara në breza të Gjirokastrës.
“Bashkia Gjirokastër ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh me rastin e 19-vjetorit të Gjirokastrës në UNESCO, çeljen e aktiviteteve e realizuam me Qendrën Kulturore të Fëmijëve ‘Fato Berberi’ me ekspozitën e pikturave” – u shpreh Violeta Panajoti, Drejtore e Aktiviteteve në Gjirokastër.
Anastas Lako, përgjegjës i kinemasë “Gjirokastër” bëri të ditur se filmat shqiptarë të restauruar do të shfaqen me titra anglisht për të afruar kështu edhe turistë, të cilët kanë vendosur të vizitojnë këtë qytet.
“Këtë javë do të shfaqen filma shqiptarë, filma të restauruar dhe kanë një veçori të gjithë filmat e restauruar do të jenë edhe me titra anglisht duke iu përshtatur fluksit të madh të vizitorëve që ka qyteti i Gjirokastrës në këtë stinë të verës atëherë do të jenë edhe shumë turistë, të cilët do ti ndjekin filmat shqiptarë”, deklaroi ai.
Alban Metushi, përgjegjësi i biblotekës “Apostol Meksi” tha se është bërë i mundur organizimi i një ekspozite ku pasqyrohen kultura, tradita, arkitektura e qytetit të Gjirokastrës, por edhe rrethinave të saj.
Synimi i programit të aktiviteteve të zhvilluara ishte edhe promovimi i resurseve turistike të qytetit dhe rrethinave.
Data 15 korrik e vitit 2005 shënoi momentin kur Gjirokastra muzeale u klasifikua si pasuri me vlera unike, pjesë e UNESCO-s .